Veçoritë e njerëzve në përbashkësinë e krishterë (vazhdim): Drejtësia, dashuria dhe besimi që sjell ( 1 Gjonit 2:29-3:24)

2:29 Veçoria e katërt e familjes është drejtësia. Ne e dimë në mbretërinë fizike se molla bie nën mollë. Po kështu ndodh edhe në atë frymërore. Kushdo që praktikon drejtësinë ka lindur prej Perëndisë. Meqë Perëndia është i drejtë, do të thotë se çdo gjë që bën është e drejtë, prandaj kushdo që është i lindur prej Tij është i drejtë. Kjo është logjika e patjetërsueshme e Gjonit.

3:1 Mendimi i të qenurit i lindur prej Perëndisë e lë Gjonin pa fjalë dhe u bën thirrje lexuesve të Tij të shohin dashurinë e mrekullueshme që na ka futur në familjen e Perëndisë. Dashuria mund të na shpëtonte pa na bërë fëmijë të Perëndisë. Por mënyra e dashurisë së Perëndisë tregohet në atë që ai na ka futur në familjen e Tij si fëmijë. “Shikoni ç’dashuri të madhe na dha Ati, që të quhemi bij të Perëndisë” [4].

Ndërsa ecim dita-ditës, bota nuk na pranon si fëmijët e Perëndisë. Njerëzit e botës nuk na kuptojnë, as mënyrën se si sillemi. Në të vërtetë, bota nuk e kuptoi Zotin Jezus kur ishte këtu mbi tokë. “Ai (fjala) ishte në botë, dhe bota u krijua me anë të tij, por bota nuk e njohu. Ai erdhi në shtëpinë e vet dhe të vetët nuk e pranuan.” Meqë kemi të njëjtat karakteristika me Zotin Jezus, as ne nuk mund të presim që bota të na kuptojë.

3:2 Megjithatë, e kuptuan apo jo, tani jemi bij të Perëndisë dhe kjo është garancia [siguria] e lavdisë së ardhshme. Ende nuk është shfaqur ç’do të jemi; por dimë se, kur të shfaqet Krishti do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim se si është ai. Kjo nuk do të thotë se do të jemi fizikisht si Jezusi në qiell. Zoti Jezus do të ketë pamjen e Tij të jashtme dhe do të mbajë shenjat e duarve, të Kalvarit, për gjithë përjetësinë. Secili prej nesh, besojmë, do të ketë veçoritë e veta të ndara dhe do të mund të njihet përmes tyre. Bibla nuk mëson se të gjithë do të jenë të ngjashëm në qiell. Megjithatë, do të jemi moralisht si Zoti Jezu Krisht. Mbi ne nuk do të zotërojnë ndotja, mëkati, sëmundja, brenga dhe vdekja.

Dhe si do të ndodhë ky shndërrim i mrekullueshëm? Përgjigjja është se do të ndodhë pas një shikimi te Krishti. Sepse do ta shohim se si është ai. Këtu në jetë, procesi i bërjes si Krishti po vazhdon duke e parë Atë prej besimit në fjalën e Perëndisë. Por atëherë procesi do të jetë i plotë kur do ta shohim se si është ai: sepse ta shohim do të thotë të jesh si është ai.

3:3 Kushdo që e ka këtë shpresë për të parë Krishtin dhe për të qenë si Ai, le ta pastrojë veten, siç është i pastër ai. Është pranuar për një kohë të gjatë nga të krishterët se shpresa e kthimit të pashmangshëm të Krishtit ka një ndikim përmirësues [të kënaqshëm, pozitiv] në jetën e besimtarit. Ai nuk do të bëjë ndonjë gjë që nuk do ta bëjë kur të kthehet Krishti. Vini re se thotë “le ta pastrojë veten, siç është i pastër ai (Krishti).”. Nuk thotë “ashtu si Ai (Krishti) pastron Vetveten.”. Zoti Jezus nuk e pastroi Vetveten asnjë herë sepse në Vetveten Ai është i pastër. Me ne, ndodh një proces shkallë-shkallë; për Të është një fakt.

3:4 E kundërta e pastrimit të vetes gjendet në vargun katër: “Kush bën mëkat, bën edhe shkelje të ligjit; dhe mëkati është shkelje e ligjit.”. Fjala bën (gr. poieō) do të thotë një veprim i një sjelljeje të vazhdueshme, shprehur nga koha e tashme dhe e vazhdueshme. Është e mundur të kemi mëkat edhe nëse nuk ka ligj. Mëkati ekzistoi në tokë gjatë kohës së Adamit dhe Moisiut, por kjo ndodhi para se të jepej ligji i Perëndisë. Pra, nuk është plotësisht e saktë të themi “se mëkat është shkelje e ligjit” (KJV 1611), por se mëkati është mosbindje ndaj Perëndisë, të pëlqyerit e rrugëve vetjake dhe refuzimi i pranimit të Zotit, si Sovran i drejtë. Në thelb, mëkat është kryerja e vullnetit vetjak ndaj atij të Perëndisë. Është kundërshtim ndaj një Personi të Gjallë që ka të drejtë që ne t’i bindemi.

3:5 I krishteri nuk mund të vazhdojë të praktikojë mëkatin, sepse kjo do të jetë një mohim i plotë i qëllimit për të cilin erdhi Zoti Jezus në botë. Ai u shfaq për të hequr mëkatet tona. Të vazhdosh të mëkatosh, prandaj, do të thotë të jetosh në mospërfillje të plotë me arsyen e mishërimit të Tij.

Përsëri, një i krishterë nuk mund të vazhdojë të mëkatojë sepse kjo do të ishte një mohim i Atij, emrin e të cilit mban. Në të nuk ka mëkat. Kjo është një nga tri pjesët kyçe në DhR për sa i përket anës njerëzore të pamëkatë të Zotit Jezu Krisht. Pjetri na thotë se “Ai nuk bëri asnjë mëkat.”. Pali na thotë se “Ai… nuk njihte mëkat.”. Tani Gjoni, dishepulli që e njihte Zotin në një mënyrë të veçantë, shton dëshminë e Tij: “Në të nuk ka mëkat.”.

3:6 “Kush qëndron në të nuk mëkaton; kush mëkaton nuk e ka parë dhe as nuk e ka njohur.” Ky varg vë në kontrast [përqasje] besimtarin e vërtetë me atë që nuk ka lindur kurrë sërish. Mund të thuhet përfundimisht për besimtarin e vërtetë se ai nuk vazhdon të mëkatojë. Gjoni këtu nuk po flet për rastet e veçanta të mëkatit, por për ato që bëhen vazhdimisht, të zakonshmet, për sjelljen karakteristike. Ky varg nuk do të thotë se kur një i krishterë bën një mëkat e humbet shpëtimin e tij. Por për më tepër thotë se kur dikush e ka zakon të mëkatojë, del si përfundim se nuk ka lindur kurrë sërish.

Natyrshëm del pyetja: “Kur bëhet mëkati si zakon? Sa herë duhet të mëkatojë dikush që të bëhet një sjellje karakteristike?”. Gjoni nuk e jep këtë përgjigje. Por ai më tepër do që besimtari të jetë syçelë dhe barrën e provës ia lë vetë të krishterit.

3:7 Tani ndërsa gnostikët pretendonin së tepërmi për sa i përket njohjes së tyre, ishin shumë të kujdesshëm për jetëve e tyre vetjake. Prandaj, Gjoni shton: “Djema, kurrkush mos ju mashtroftë: ai që zbaton drejtësinë është i drejtë, ashtu sikur është i drejtë ai.”. Nuk duhet të ngatërrohemi në këtë pikë: një njeri nuk mund të ketë një jetë frymërore dhe të mundë të vazhdojë së mëkatuari. Nga ana tjetër, një njeri mund të praktikojë drejtësinë vetëm duke pasur një natyrë prej Tij, i cili është i drejtë.

3:8 Disa fëmijë janë aq të ngjashëm me prindërit e tyre saqë nuk mund t’i dalloni fare mirë në një turmë njerëzish. Kjo është e vërtetë për bijtë e Perëndisë dhe të djallit. Kush kryen mëkat është nga djalli, sepse djalli mëkaton nga fillimi. Përsëri mendimi është: “Ai që praktikon mëkat është nga djalli.”. Djalli ka mëkatuar (tregon vazhdim, sjellje karakteristike) nga fillimi, që do të thotë, që nga hera e parë që mëkatoi. Të gjithë bijtë e tij e ndjekin në rrugën e tij të gjerë. Duhet shtuar këtu se njerëzit bëhen bij të Perëndisë përmes lindjes së re, por nuk ka lindje në lidhje me bijtë e djallit. Një njeri bëhet bir i djallit thjesht duhet imituar sjelljen e tij, por askush nuk lind si bir i djallit.

Në kontrast [përqasje] me këtë, ardhja e Zotit Jezus ndodhi për të shkatërruar (apo asgjësuar) veprat e djallit. Zoti mund të kishte shkatërruar djallin me një fjalë të vetme, por në vend të kësaj, Ai erdhi në këtë botë për të vuajtur, për të derdhur gjak dhe për të vdekur që të mundë të asgjësojë veprat e djallit. Nëse Zotit i ka kushtuar kaq shumë për të hequr mëkatin, cila duhet të jetë sjellja e atyre që kanë besuar në Të si Shpëtimtar?

3:9 Vargu nëntë përsërit pamundësinë e atij që lind nga Perëndia për të vazhduar të mëkatojë. Disa studiues të Biblës mendojnë se ky varg i referohet natyrës së re të besimtarit dhe se ndërsa natyra e vjetër mund të bëjë mëkat, natyra e re jo. Megjithatë, ne besojmë se këtu përsëri apostulli po vë në përqasje njeriun e rilindur me atë jo të rilindur dhe po flet për sjelljen e vazhdueshme dhe të zakontë. Besimtari nuk e ka zakonin e mëkatit. Ai nuk vazhdon në asnjë mënyrë të mëkatojë.

Arsyeja është se fara e Perëndisë qëndron në të. Ka një mospërputhje të konsiderueshme midis studiuesve të Biblës për sa i përket gjithashtu domethënies së kësaj shprehjeje të fundit. Disa mendojnë se kjo farë ka të bëjë me natyrën e re, të tjerë me Frymën e Shenjtë dhe të tjerë me fjalën e Perëndisë. Të gjitha këto janë të vërteta dhe për këtë ka shpjegime të mundshme. Ne mendojmë se fara i referohet jetës së re e cila fillon te besimtari kur kthehet te Zoti. Këtu, atëherë, kemi një pohim se jeta hyjnore qëndron në besimtarin. Ai është i sigurt përjetësisht. Në vend që të jetë një justifikim për të krishterin për të shkuar dhe të mëkatojë, siguria e tij e përjetshme është një garanci se nuk do të vazhdojë të mëkatojë. Ai nuk mund të mëkatojë në mënyrë të vazhdueshme sepse lindi nga Perëndia. Marrëdhënia hyjnore përjashton mundësinë e vazhdimësisë në mëkat si stil jete.

3:10a Këtu kemi dallimin e katërt midis atyre që janë bijtë e Perëndisë dhe bijtë e djallit. Ai që nuk praktikon drejtësinë nuk është nga Perëndia. Nuk ka rrugë të mesme. Nuk ka “edhe kështu edhe ashtu”. Bijtë e Perëndisë njihen nga jetët e tyre të drejta.

3:10b,11 Në këtë pjesë kemi një vazhdim të provës së dytë të atyre që janë në familjen e Perëndisë: prova e dashurisë. Kjo vazhdon nga 2:7-17. Që nga fillimi i shpërndarjes së të krishterëve është mësuar se dashuria vëllazërore është një detyrim hyjnor. Dashuria këtu nuk përdoret në kuptimin e afrimit miqësor apo dashurisë së thjeshtë njerëzore, por për dashurinë hyjnore. Do të thotë të duam të tjerët ashtu si na ka dashur Krishti. Kjo nuk mund të bëhet me forcat tona, por vetëm me fuqizimin e Frymës së Shenjtë.

3:12 Gjoni kthehet në ngjarjen e parë të shkruar të një njeriu që nuk e donte vëllanë e vet. Kaini tregoi se ai ishte nga i ligu duke vrarë vëllanë e vet, Abelin. Arsyeja e fortë për këtë jepet në fjalët: “veprat e tij ishin të liga dhe ato të të vëllait ishin të drejta.”.

3:13 Ka një parim bazë në jetën njerëzore se ligësia urren drejtësinë dhe kjo shpjegon pse bota urren besimtarin. Jeta e drejtë e të krishterit e dallon [e shquan] ligësinë e jobesimtarit në një reliev të mprehtë. Ky i fundit urren shfaqjen e tij dhe në vend që të ndryshojë sjelljen e tij të ligë, përpiqet të shkatërrojë atë që ia tregon kaq hapur. Do të ishte e paarsyeshme për një njeri të prishte një vizore për të parë se sa e shtrembër është vija që po bën.

3:14 Ne e dimë se kemi kaluar nga vdekja në jetë, sepse i duam vëllezërit. Është një fakt i dukshëm se kur dikush shpëtohet ai ka një qëndrim plotësisht të ndryshëm ndaj të krishterëve. Kjo është një nga mënyrat e marrjes së sigurisë së shpëtimit. Një njeri që nuk do një fëmijë të vërtetë të Perëndisë nuk mund të rrëfejë se është i krishterë, por Shkrimi thotë se ai mbetet në vdekje. Ai gjithmonë ka qenë i vdekur frymërisht dhe vazhdon të jetë kështu.

3:15 Në sytë e botës, urrejtja nuk është diçka e ligë, por Perëndia e quan vrasje. Shkurt, urrejtja është vrasje në thelb. Arsyeja [motivi] ndodhet atje, edhe pse veprimi nuk kryhet. Prandaj, kushdo që urren vëllanë e vet është vrasës. Kur Gjoni thotë asnjë vrasës nuk ka jetë të përjetshme të qëndrueshme në vete, ai nuk nënkupton se një vrasës nuk mund të shpëtohet. Ai thjesht nënkupton se një njeri që në mënyrë të vazhdueshme urren të afërmin e tij është plotësisht vrasës dhe nuk është i shpëtuar.

3:16 Zoti ynë Jezus na dha shembullin më të lartë të dashurisë kur e dha jetën e vet për ne. Krishti dallon me Kainin. Ai na jep dashuri në shkallën më të lartë. Në një farë kuptimi, dashuria është e padukshme, por ne mund të shohim shfaqjen e saj. Në kryqin e Kalvarit ne shohim dashurinë e vërtetë. Gjoni nxjerr mësimin nga ajo që ne duhet ta japim jetën tonë për vëllezërit. Kjo do të thotë se jetët tona duhet të jenë një dhënie e vazhdueshme ndaj besimtarëve të tjerë dhe se duhet të jemi të gatshëm për të vdekur për ta gjithashtu nëse është e domosdoshme. Shumë prej nesh nuk do të na duhet të vdesim për të tjerët, por secili prej nesh mund të shfaqë dashuri vëllazërore duke ndarë gjërat tona materiale me ata që janë në nevojë. Kjo është ajo që theksohet në vargun 17.

3:17 Nëse vargu 16 sugjeron të bëjmë sa më tepër për vëllezërit tanë, vargu 17 sugjeron sa më pak. Gjoni thotë hapur se një njeri nuk është një i krishterë nëse sheh të vëllanë që është në nevojë dhe nuk i jep atë që është e domosdoshme për t’i ardhur në ndihmë. Kjo nuk justifikon aspak dhënien pa dallim ndaj cilitdo, sepse është e mundshme të dëmtosh një njeri duke i dhënë para për të blerë atë që nuk është e mirë për të. Megjithatë, vargu ngre shumë çështje shqetësuese për sa i përket grumbullimit të pasurisë së të krishterëve.

3:18 Ne duhet të mos duam me fjalë, as me gjuhë, por për më tepër me vepra dhe në të vërtetë. Me fjalë të tjera, nuk është një çështje vetëm e anës emocionale, as nuk duhet të jetë një shprehje e saj që nuk është e vërtetë. Por duhet të shfaqet në vepra konkrete mirësie dhe duhet të jetë e vërtetë dhe jo e rreme.

3:19 Nga ushtrimi i kësaj dashurie të vërtetë dhe vepruese ndaj vëllezërve tanë duhet të dimë se jemi në të vërtetën dhe kështu do të bindim zemrat tona ndërsa shkojmë para Atij në lutje.

3:20 Sepse, po të na dënojë zemra jonë, Perëndia është më i madh se zemra jonë dhe njeh çdo gjë. Tema këtu është qëndrimi me të cilin dalim para Perëndisë në lutje. Ky varg mund të kuptohet në dy mënyra.

Para së gjithash, po të na dënojë zemra jonë, Perëndia është më i madh se zemra jonë në kuptimin se është më i madh në dhembshuri. Edhe ndërsa mund të kemi ndjenja të forta të padenjësisë, megjithatë Perëndia e di se në thelb ne e duam Atë dhe duam njerëzit e Tij. Ai e di se ne jemi të Tijtë pavarësisht nga dështimet apo mëkatet tona.

Pikëpamja tjetër është se po të na dënojë zemra jonë, Perëndia është më i madh se zemra jonë në çështjen e gjykimit. Ndërsa ne njohim mëkatet tona në mënyrë të kufizuar, Perëndia i njeh ato krejtësisht dhe plotësisht. Ai njeh çdo faj në ne, ndërsa ne njohim vetëm pjesërisht. Ne mësojmë që ky pikëvështrim i fundit është interpretimi i drejtë, pavarësisht se të dy janë të vërtetë dhe të mundshëm.

3:21 Këtu kemi qëndrimin e atij që ka një ndërgjegje të pastër para Perëndisë. Nuk është se ky njeri ka jetuar pa mëkat, por për më tepër se ka qenë i shpejtë në të rrëfyerit dhe në braktisjen e mëkateve. Duke bërë këtë, ai ka siguri para Perëndisë dhe guxim në lutje. Prandaj, nëse zemra jonë nuk na dënon, kemi siguri para Perëndisë.

3:22 Dhe ç’të kërkojmë, e marrim nga ai, sepse zbatojmë urdhërimet e tij dhe bëjmë gjërat që janë të pëlqyera prej tij. Të zbatojmë urdhërimet e Tij do të thotë të qëndrojmë në Të. Do të thotë të jetosh afër, në intimitet jetësor me Shpëtimtarin. Kur kemi këtë përbashkësi me Të ne e bëjmë vullnetin e Tij tonin. Me anë të Frymës së Shenjtë Ai na mbush me njohurinë e vullnetit të Tij. Në këto kushte ne nuk duhet të kërkojmë diçka që nuk është në vullnetin e Perëndisë. Kur kërkojmë sipas vullnetit të Tij, marrim nga Ai të gjitha gjërat që kërkojmë.

3:23 Urdhërimi i Perëndisë është që të besojmë në emrin e Birit të tij Jezu Krisht dhe ta duam njëri-tjetrin si na urdhëroi ai. Kjo duket sikur përmbledh të gjitha urdhërimet e DhR. Na flet për detyrën tonë ndaj Perëndisë dhe besimtarëve të krishterë. Detyra jonë e parë është të besojmë në Zotin Jezu Krisht. Pastaj meqë besimi i vërtetë shprehet në sjelljen e duhur, duhet ta duam njëri-tjetrin. Kjo është një provë e besimit shpëtues.

Vini re këtë dhe vargun tjetër se Gjoni përdor përemrin vetor Ai që i referohet Perëndisë Atë dhe Zotit Jezu Krisht pa u ndalur të shpjegojë se për kë është fjala. Ai guxon të shkruajë këtë sepse Biri është po aq Perëndi i vërtetë sa Ati dhe nuk ka asnjë hamendësi të flasim për Ta pothuaj njëkohësisht.

3:24a Pjesa e parë e vargut 24 mbyll temën e dashurisë si një provë për bijtë e Perëndisë: Ai që zbaton urdhërimet e tij qëndron në Perëndinë, dhe Ai në të. T’i bindesh Atij do të thotë të qëndrosh në Të dhe ata që qëndrojnë në Të janë të sigurt gjithashtu për praninë e Tij të përhershme.

3:24b Dhe prej kësaj ne dimë se ai qëndron në ne: nga Fryma që ai na dha. Tema e besimit futet nga pohimi se siguria e qëndrimit të Perëndisë në ne vjen nga Fryma e Shenjtë. Të gjithë besimtarët e kanë Frymën e Shenjtë. Ai i drejton ata në çdo të vërtetë dhe i pajis me aftësi për të dalluar gabimin.


[previous][next]