Parathënie (1 Korintasve 1:1-9)

A. Përshëndetje (1:1-3)

1:1 Pali ishte i thirrur të ishte një apostulli i Jezu Krishtit gjatë rrugës për në Damask. Kjo thirrje nuk erdhi nga apo nëpërmjet njerëzve, por drejtpërdrejt nga Zoti Jezus. Një apostull është në kuptimin e drejtpërdrejtë “i dërguar.” Apostujt e parë ishin dëshmitarë të Krishtit të ringjallur. Ata gjithashtu mund të kryenin mrekulli për të vërtetuar që mesazhi që ata shpallnin ishte hyjnor. Në gjuhën e Gerhard Terstingen, Pali vërtet mund të kishte thënë:

Krishti Biri i Perëndisë më dërgoi mua

në tokat e mesnatës;

i imi udhëtimi i fuqishëm

nga të shpuarat duar.

Kur Pali shkroi, një vëlla i quajtur Sosten ishte me të, ai e përfshiu emrin e tij në përshëndetje. S’mund të dihet me siguri nëse ky është i njëjti Sosten me atë në Veprat 18:17, pra me drejtuesin e sinagogës, i cili ishte rrahur publikisht nga grekët. Ka mundësi që ky drejtues mund të jetë shpëtuar nëpërmjet predikimit të Palit dhe tani po e ndihmonte Palin në punën e Ungjillit.

1:2 Letra i është drejtuar para së gjithash Kishës së Perëndisë që është në Korint. Është mjaft inkurajuese sepse s’ka vend tjetër më imoral në botë ku të vendoset një asamble që i përket Perëndisë. Asambleja e Korintasve përshkruhet më tej si ata që janë të shenjtëruar në Krishtin Jezus, të thirrur… shenjtorë. Të shenjtëruar, këtu do të thotë të veçuar nga bota, nga vetë Perëndia si dhe përshkruan pozicionin e të gjithë atyre që i takojnë Krishtit. Përsa i takon gjendjes së tyre praktike, ata duhet ta veçonin vetveten çdo ditë për një jetë të shenjtë.

Disa njerëz mendojnë se shenjtërimi është një punë e veçantë e hirit me anë të së cilës një person përfiton çrrënjosjen e natyrës mëkatare. Një mendim i tillë është në kundërshtim me këtë varg. Të krishterët korintas ishin larg nga ajo çfarë ata duhet të ishin në shenjtërinë praktike, por fakti mbetet që ata ishin pozicionalisht të shenjtëruar nga Perëndia.

Si të shenjtëruar ata ishin anëtarë të një bashkësie të madhe: të thirrur shenjtorë bashkë me të gjithë ata që në çdo vend e thërrasin emrin e Jezu Krishtit, Zotit të tyre dhe tonit. Megjithëse mësimet e kësaj letre u ishin adresuar së pari të shenjtëve në Korint, ato janë për të gjithë ata të bashkësisë mbarëbotërore që pohojnë që Krishti është Zot.

1:3 Kjo letër (1 Korintasve) është në një mënyrë tepër të veçantë, letra e të qenurit Zot të Jezusit. Duke diskutuar problemet e shumta të asamblesë dhe jetës së një personi, apostulli vazhdimisht u kujton lexuesve të tij që Jezus Krishti është Zot dhe çdo gjë që ne bëjmë duhet bërë në dijeni të kësaj të vërtete të madhe.

Përshëndetja karakteristike e Palit është dhënë në vargun tre. Hiri dhe paqja përmbledh komplet Ungjillin e tij. Hiri është burimi i çdo bekimi dhe paqja është rezultat në jetën e një njeriu i cili pranon hirin e Perëndisë. Këto bekime të mëdha vijnë nga Perëndia, Ati ynë dhe nga Zoti Jezus. Pali nuk heziton ta përmendë Zotin Jezus në të njëjtën frymë me Perëndinë Atin tonë. Kjo është një nga qindra shprehje të ngjashme në Dh.R. që nënkuptojnë barazinë e Zotit Jezus me Atin Perëndi.

B. Falënderime (1:4-9)

1:4 Pasi ka përfunduar përshëndetjen e tij, apostulli tani i kthehet falënderimeve për korintasit dhe për punën e mrekullueshme të Perëndisë në jetët e tyre (v 4-9). Ishte një veçori fisnike në jetën e Palit që gjithmonë kërkonte të gjente diçka që ia vlente të falënderohej në jetët e shokëve të tij besimtarë. Nëse jetët e tyre në praktikë nuk ishin shumë të lavdërueshme, atëherë ai të paktën do të falënderonte Perëndinë e tij për çfarë Ai kishte bërë për ta. Dhe kjo është pikërisht çfarë ai ka bërë këtu. Korintasit nuk ishin ata që ne do t’i quanim të krishterë frymërorë. Por Pali të paktën mund të japë falënderime për hirin e Perëndisë që u ishte dhënë atyre nga Krishti Jezus.

1:5 Mënyra e veçantë në të cilën hiri i Perëndisë iu shfaq korintasve ishte që ata ishin të pajisur në mënyrë të pasur me dhuntitë e Frymës së Shenjtë. Pali i përcakton dhuntitë e fjalës dhe njohurisë, të cilat nënkuptojnë siç duket që korintasve u ishin dhënë dhuntitë e gjuhëve, interpretimi i gjuhëve, dhe njohuri në një shkallë të jashtëzakonshme. Fjala ka të bëjë me shprehjen e jashtme dhe njohuria me kuptimin e brendshëm.

1:6 Fakti që ata i kishin këto dhunti ishte një vërtetim i punës së Perëndisë në jetët e tyre dhe që është çfarë Pali nënkupton kur ai thotë, sikurse dëshmimi i Krishtit që u vërtetua në ju. Ata dëgjuan dëshminë e Krishtit, e morën atë me besim, dhe Perëndia provoi që ata ishin në të vërtetë të shpëtuar duke u dhënë atyre këtë fuqi të mrekullueshme.

1:7 Përsa i përket zotërimit të dhuntive, Kisha e korintasve nuk ishte inferiore ndaj asnjërës. Por zotërimi i mirëfilltë i këtyre dhuntive nuk ishte në vetvete një shenjë e gjendjes së vërtetë frymërore. Pali po e falënderonte me të vërtetë Zotin për diçka për të cilën vetë korintasit nuk ishin direkt përgjegjës. Dhuntitë janë dhënë nga Zoti i ngritur lart pa konsideruar meritën e vet personit. Nëse një person ka disa dhunti, ai nuk duhet të jetë krenar për këtë, por t’i përdorë ato përulshëm për Zotin.

Fryti i Frymës është plotësisht një çështje tjetër. Kjo përfshin dorëzimin e besimtarit tek kontrolli i Frymës së Shenjtë. Apostulli nuk mund t’i lavdërojë korintasit për dëshmi të frytit të Frymës në jetët e tyre, por vetëm për çfarë Zoti u kishte dhuruar atyre në mënyrë sovrane – diçka mbi të cilën ata nuk kishin kontroll.

Më pas në letër apostullit duhet të qortojë shenjtorët per shpërdorimin e këtyre dhuntive, por këtu ai është i kënaqur të shprehë falënderime që ata i kishin marrë këto dhunti në një masë kaq të pazakontë.

Korintasit ishin duke pritur zbulesën e Zotit tonë Jezu Krisht. Studentët e Biblës nuk janë të një mendimi nëse kjo i referohet ardhjes së Krishtit për të shenjtët e Tij [Rrëmbimi i Kishës] (1 Thes. 4:13-18), apo ardhjes së Zotit bashkë me të shenjtët e Tij (2 Thes. 1:6-10), apo të dyjave. Në rastin e parë, do të ishte një zbulesë e Krishtit vetëm për besimtarët, ndërsa në rastin e dytë zbulesa e Tij për gjithë botën. Si Rrëmbimi i Kishës ashtu edhe shfaqja e madhërishme e Krishtit mezi priten nga besimtarët.

1:8 Tani Pali shpreh sigurinë që Zoti do të vërtetojë gjithashtu të shenjtët deri në fund, ata të mund të jenë të paqortueshëm në Ditën e Zotit tonë Jezu Krisht. Edhe njëherë është mahnitëse që falënderimi i Palit lidhet më tepër me atë që Perëndia do të bëjë sesa me atë që kanë bërë korintasit. Përderisa ata besuan Krishtin, dhe përderisa Perëndia e vërtetoi këtë fakt duke u dhënë atyre dhuntitë e Frymës, Pali ishte i sigurt që Perëndia do t’i ruajë ata për veten e Tij derisa Krishti të vijë për popullin e Tij.

1:9 Optimizmi i Palit në lidhje me korintasit bazohet në besnikërinë e Perëndisë i cili i thirri ata në bashkësinë e Birit të Tij. Ai di që përderisa Perëndia pagoi një çmim aq të madh për t’i bërë ata pjesëtarë të jetës së Zotit tonë, Ai nuk do t’i lejojë kurrë ata të shkasin nga duart e Tij.