Psalmi 92

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Lëvdim Zotit për veprat e tij të mëdha

92:1 Éshtë bukur të kremtosh Zotin, dhe të këndosh lavdet në emrin tënd, o Shumë i Larti;

92:2 të shpallësh në mëngjes mirësinë tënde dhe çdo natë besnikërinë tënde,

92:3 me një harp me dhjetë tela, me lirën dhe me melodinë e qestes.

92:4 Duke qenë se ti më ke gëzuar me atë që ke bërë, unë ngazëllohem për veprat e duarve të tua.

92:5 Sa të mëdha janë veprat e tua, o Zot, sa të thella janë mendimet e tua!

92:6 Njeriu pa mend nuk i njeh dhe budallai nuk kupton këtë:

92:7 që të pabesët mbijnë si bari, dhe gjithë ata që kryejnë paudhësi lulëzojnë për t`u shkatërruar përjetë.

92:8 Por ti, o Zot, mbetesh i Shkëlqyeri përjetë.

92:9 Sepse ja, armiqtë e tu, o Zot, sepse ja armiqtë e tu do të vdesin dhe gjithë ata që kryejnë paudhësi do të shpërndahen.

92:10 Por ti më ke dhënë forcë të barabartë me atë të buallit, ti me ke vajosur me vaj të freskët.

92:11 Dhe sytë e mi kanë për të parë disfatën e armiqve të mi dhe veshët e mi kanë për të dëgjuar disfatën e njerëzve të këqij që ngrihen kundër meje.

92:12 I drejti do të lulëzojë si palma, do të rritet si kedri i Libanit.

92:13 Ata që janë mbjellë në shtëpinë e Zotit do të lulëzojnë në kopshtet e Perëndisë tonë.

92:14 Do të japin fryte edhe në pleqëri, do të jenë të lulëzuar dhe të blertë,

92:15 për të shpallur që Zoti është i drejtë; ai është Kështjella ime dhe nuk ka asnjë padrejtësi tek ai.