Mbretëria e ndarë (1 Mbretërve 12-22)

A. Mbreti Roboam i Judës (12:1-24)

Roboami, biri i Salomonit sundoi në Judë për shtatëmbëdhjetë vjet (931/930 – 913 para K.; 1 i Mbreterve 12:20-24; 2 i Kronikave 11 e 12). 12:1-11 Roboami shkoi në Sikem për t’u shpallur si mbret. Kur mësoi për vdekjen e Salomonit, Jeroboami u kthye nga Egjipti dhe shkoi edhe ai në Sikem, bashkë me tërë asamblenë e burrave të Izraelit. Izraelitët i lëshuan një ultimatum Roboamit: “Lehtëso skllavërinë e ashpër të atit tënd dhe zgjedhën e rëndë që na ka imponuar dhe ne do të të shërbejmë”. Për të ruajtur pasurinë lindore të oborrit të tij, Salomoni kishte përdorur punën e detyruar dhe kishte vënë taksa të rënda. Kështu që ata po thoshin: “Lehtëso taksat me të cilat ati yt na ka shtypur. Përndryshe ne do të revoltohemi”. Roboami kërkoi tri ditë kohë për të menduar. Gjatë kësaj kohe në fillim u këshillua me këshilltarët e tij të vjetër. Ata e këshilluan të sillej me popullin me mirësi dhe të ishte një shërbëtor i tyre. Por, këshilltarët e tij më të rinj i këshilluan krejt të kundërtën – ata i thanë të sillej me popullin me mjete edhe më të rënda! Në këtë mënyrë, gishti i vogël i Roboamit do të ishte më i trashë nga brinjët e Salomonit. Nëse Salomoni i kishte dënuar me fshikull, atëherë Roboami do të përdorte kamxhikun (fshikull me thekë të mprehta). 12:12-20 Kur Jeroboami dhe asambleja e Izraelit u kthye për vendimin ditën e tretë, morën përgjigjen sipas këshillës së të rinjve. Vargu 15 tregon se kjo ishte rrjedha e ngjarjeve të sjella nga Zoti, në mënyrë që të përmbushej fjala që i kishte drejtuar me anë të Ahijahut nga Shilohu (11:30-39). Në këtë pikë populli i Izraelit u revoltua kundër Roboamit, edhe pse disa prej tyre jetonin akoma në territorin e Judës. Roboami dërgoi Adoramin, mbikëqyrësin e tij të urryer të punës së detyruar, për të nënshtruar këta izraelitë, por ata e qëlluan me gurë Adoramin, duke e lënë të vdekur. Atëherë populli i Izraelit e bëri Jeroboamin mbretin e tij. Edhe pse në vargun 20 thuhet se vetëm fisi i Judës e ndoqi Roboamin, duhet të kujtojmë se Beniamini (v. 21), Simeoni (Joz. 19:1b) dhe pjesa më e madhe e Levit i përkiste Judës. 12:21-24 Roboami planifikoi ta përmbyste këtë gjendje duke shpallur luftë në Izrael, por e shfuqizoi planin e tij si pasojë e një urdhri hyjnor. Duke injoruar më parë këshillën e pleqve të tij, Roboami tashmë e dëgjoi këshillën e Zotit dhe kurseu jetët e shumë izraelitëve. Fjala e Zotit shpalli ndarjen dhe fjala e Zotit siguroi se ndarja do të bëhej pa derdhje gjaku. Ndarja e mbretërisë Historia e mbretërisë së ndarë fillon këtu dhe vazhdon edhe te 2 e Mbretërve. Jeroboami mbretëroi mbi dhjetë fiset veriore, njohur zakonisht si “Izrael” dhe ndonjëherë te librat e profetëve si “Efraim”. Kjo mbretëri kishte një ndarje prej nëntë dinastish dhe tërë mbretërit ishin të ligj. Roboami mbretëroi mbi mbretërinë jugore, njohur si “Judë”. Kjo mbretëri kishte vetëm një dinasti. Çdo mbret ishte një pasardhës i Davidit. Nëpërmjet kësaj mbretërie rrjedh, nëpërmjet Jozefit, atit të Tij birësues, titulli ligjor i Krishtit për fronin e Davidit (shikoni gjenealogjinë te Mateu 1). Ai ishte fizikisht gjithashtu një Bir i Davidit përmes virgjëreshës Mari, që vetë ishte një pasardhëse e djalit të Davidit, Nathanit (shikoni gjenealogjinë te Lluka 3). Disa nga këta mbretër ishin reformues të spikatur, por shumica e mbretërve ishin të ligj. Mbretërit e Izraelit dhe të Judës
Dinasti Izraeli Dinasti Juda
1 Jeroboami 1 Roboami
Nadabi Abijami
(Abijahu)
2 Baasha Asa
(i mirë)
Elahu Jozafati
(i mirë)
3 Zimri Jehorami
(Jorami)
4 Omri -Tibni Ahaziahu
Ahab Athaliahu –
pushtuesi
Ahaziahu Joasi
(i mirë)
Jorami Amatsiahu
(Jehorami) (i mirë)
5 Jehu Uziahu
(Azaria)
(i mirë)
Jehoazi Jothami (i mirë)
Joasi Ashazi
(Jehoazi)
Jeroboami II Ezekia
(i mirë)
Zakaria Manasi
6 Shalumi Amoni
7 Menahemi Josia (i mirë)
Pekajahu Jehoazi
(Shalumi)
8 Pekahu Jehojakimi
(Eliakimi)
9 Hosea Jehojakini
(Jekoniahu,
Konijahu)
Zedekia
(Mataniahu)
Historia e mbretërisë së ndarë mund të ndahet në katër faza. E para, kishte një kohë të një konflikti të hapur, që u shtri nga Jeroboami (1 i Mbreterve 12:1) tek Omri (1 i Mbreterve 16:28). E dyta, dy mbretëritë i hapën rrugë një periudhe të tensionit të ulët, nga Omri (1 i Mbreterve 16:29) te Jehu (2 i Mbreterve 9). Faza e tretë, nga Jehu te robërimi e Izraelit nga Asiria (viti 722 para K.), karakterizohej nga pavarësia e pjesshme (2 i Mbreterve 9 –17). Së fundi, Juda u la si mbretëria mbijetuese, derisa u çua në robëri nga babilonasit në vitin 586 para K. (2 i Mbreterve 18 – 25). Mbretëria e Izraelit nuk u kthye kurrë në vend si një komb. Juda mbeti në robëri për shtatëdhjetë vjet dhe më pas u kthyen në Jerusalem grupe me një numër domethënës, ashtu siç paraqitet tek Esdra e Nehemia. Kështu fiset jugore u kthyen në vend, nën sundimin pagan, rreth 500 vjet para lindjes së Krishtit. Në fund të historisë së DhV judenjtë në vend i ishin nënshtruar mbretit të Persisë. Më vonë, Persia u pushtua nga grekët dhe judenjtë u sunduan nga kjo fuqi botërore. Së fundi, grekët u nënshtruan nga Perandoria Romake; ishte kjo perandori që ishte në pushtet kur u shfaq Zoti Jezus. Duke studiuar mbretëritë e ndara, studenti mund të ndeshet shpesh me ndryshime në dukje përsa u përket datave të dhëna. Shumë nga këto vështirësi kronologjike mund të llogariten nga fakti se janë përdorur metoda të ndryshme në llogaritjen e gjatësisë së mbretërive në Izrael dhe Judë. Një faktor tjetër i rëndësishëm është se ndonjëherë dy mbretër shërbyen si bashkëmbretër për pak kohë. Tërë tema e kronologjisë së mbretërve është shtjelluar mjaftueshëm dhe në shumë hollësi te The Mysterious Numbers of the Hebrew Kings, nga Eduin Tajl (Edwin R. Thiele) {{10}}. Ne do ta studiojmë mbretërinë e ndarë në mënyrën se si janë renditur mbretërit, duke dhënë ngjarjet e rëndësishme në secilën prej mbretërive. Datat janë marrë nga libri i Tajlit të përmendur më sipër.

B. Mbreti Jeroboam i Izraelit (12:25-14:20)

Jeroboami, bir i Nebatit, nga fisi i Efraimit, ishte mbret i Izraelit për njëzet e dy vjet (931/930 – 910/909 para K.). 1. Qendrat e rreme fetare të Jeroboamit (12:25-33) 12:25-30 Mbreti i parë i Izraelit e bëri Sikemin kryeqytetin e vet që në fillim, më pas ndërtoi Penuelin, rreth lumit Jordan. Duke pasur frikë se mos populli i Izraelit do të kthehej në Jerusalem për të adhuruar në ditët e festës dhe pastaj ta kthenin besnikërinë e tyre ndaj mbretit të Judës, ngriti sistemin e vet të fesë: ai vendosi Danin dhe Bethelin si qendrat e reja të adhurimit, duke ngritur një viç të artë në çdo vend dhe duke i shpallur ata idhuj perënditë që e çliruan Izraelin nga vendi i Egjiptit! 12:31-33 Jeroboami ndërtoi edhe tempuj idhujtarë mbi vendet e larta. Ai vendosi një priftëri të re midis tërë popullit – duke mos qenë vetëm nga fisi i Levit, siç kishte urdhëruar Perëndia. Ai caktoi një kalendar të ri fetar, me një festë të madhe në muajin e tetë, ditën e pesëmbëdhjetë të muajit, duke zëvendësuar Festën e Kasolleve, që ishte në muajin e shtatë. Ai vetë zuri detyrën e priftit duke ofruar flijime mbi altarin që kishte bërë në Bethel. Fakti që shumë nga populli i Izraelit pranuan këto ndryshime zbulon se zemrat e tyre ishin larg nga Zoti. Etërit e tyre kishin adhuruar një viç para tyre dhe ishin ndëshkuar për këtë (Eksodi 32). Salomoni kishte ngritur vende të larta dhe humbi mbretërinë e tij për to (kapitulli 11). Koreu dhe ndjekësit e tij u përpoqën të fitonin priftërinë dhe humbën jetët e tyre (Num. 16). Këto risi, me anë të të cilave Jeroboami u përpoq të siguronte mbretërinë vetëm sa siguruan rënien e tij. Ata që kishin një zemër për Perëndinë u arratisën për në Judë (2 i Kronikave 11:14-16), duke i lënë vëllezërit e tyre në volitë e tyre dhe pasojat e fesë së krijuar nga njeriu. Është thënë me të drejtë se “Jeroboami nuk e meritonte një vend të tillë të mirë [si mbret], por Izraeli e meritonte një princ kaq të keq”. 2. Jeroboami dhe njeriu i Perëndisë (13:1-32) 13:1-3 Ndërsa Jeroboami po ofronte temjan në altarin në Bethel, një njeri i Perëndisë u dërgua nga Juda për të paditur altarin idhujtar. Ai paratha se një mbret që quhej Josia do të dilte në Judë dhe do të digjte priftërinjtë idhujtarë në altar. Përmbushja e profecisë në vargun 2 gjendet te 2 Mbretërve 23:15,16. Kaluan mbi 300 vjet mes profecisë dhe përmbushjes së saj. Si një shenjë e sigurisë së profecisë, ai tha se altari do të çahej dhe hiri do të shpërndahej. 13:4-6 Ndërsa Jeroboami tregoi me gisht për nga profeti dhe urdhëroi që ta kapnin, dora e mbretit u tha. Gjithashtu, altari u ça dhe hiri i tij u shpërnda – një shenjë rrënimi për fenë e Jeroboamit. Si përgjigje ndaj lutjes plot hir të profetit dora e tharë u ripërtëri si më parë. 13:7-10 Nëse mbreti nuk mundi t’ia mbyllte gojën profetit me kërcënime, do të përpiqej të fitonte miqësinë e tij. Perëndia i kishte dhënë udhëzime të rrepta profetit se nuk duhej të bënte asgjë për të mos treguar tolerancën më të vogël të mbretërimit të lig të Jeroboamit. Prandaj, në përputhje me udhëzimet e Zotit, profeti nuk pranoi të hante apo të pinte me Jeroboamin. Gjithashtu u nis nga një rrugë tjetër nga Betheli për në shtëpi. 13:11-19 Rrugës u ndërpre nga një profet plak nga Betheli. Në fillim njeriu i Perëndisë nuk e pranoi mikpritjen e profetit plak duke mos treguar tolerancën edhe më të vogël të asaj që po ndodhte në Bethel. Por më pas plaku i tha se një engjëll i kishte thënë ta ndalonte njeriun e Perëndisë dhe me këtë gënjeshtër ia doli mbanë, duke e bindur këtë të fundit të pranonte mikpritjen e ofruar. 13:20-25 Ndërsa po hanin bashkë Zoti i foli profetit plak të Bethelit dhe ai, nga ana e tij, ia kaloi kumtin njeriut të Perëndisë. Për shkak të mosbindjes së tij, njeriu i Perëndisë do të vdiste dhe nuk do të varrosej me familjen e tij. Nëse kjo duket e ashpër apo e rreptë, duhet të kujtojmë se Perëndia sillet më me rreptësi me ata që do, janë zëdhënësit e Tij dhe janë tepër të privilegjuar. Në rrugën e tij për në shtëpi, njeriu i Perëndisë u vra nga një luan. Në kundërshtim me ligjet e llojeve të natyrës, luani dhe gomari i profetit rrinin bashkë duke parë kufomën e tij në mes të rrugës. 13:26-32 Sa e dëgjoi profeti plak lajmin, menjëherë e kuptoi se ishte gjykimi i Zotit kundër mosbindjes. Ai u nis për ta parë skenën e tragjedisë, mori kufomën për ta çuar në Bethel dhe e varrosi në varrin e tij. Ai më pas udhëzoi bijtë e tij se dëshironte ta varrosnin pranë njeriut të Perëndisë; ai e kuptoi se sistemi idhujtar, pjesë e të cilit u bë, u rrënua nga shkatërrimi i Perëndisë. 3. Priftëria e rreme e Jeroboamit (13:33,34) Mbreti Jeroboam vazhdoi në të ligën e tij, duke bërë priftërinj të tjerë nga çdo shtresë njerëzish dhe duke shërbyer vetë si prift. Një mëkat i tillë ishte shkaku i rrjedhshëm i shkatërrimit të dinastisë së Jeroboamit. Jenseni (Irving L. Jensen) shënon: Mbreti Jeroboam duhej ta kishte parë veten dhe fatin e tij në pasqyrë nëse nuk u pendua nga fati i profetit nga Juda. Jeroboami, ashtu si profeti, ishin zgjedhur nga Perëndia për një pozitë më të lartë. Gjithashtu, ashtu si profeti, ai e dinte më së miri se çfarë donte Perëndia që të bënte. Por, ashtu si profeti, nuk i ishte bindur fjalës së Perëndisë {{11}}. 4. Vdekja e birit të Jeroboamit (14:1-20) 14:1-4 Kur Abijahu, bir i Jeroboamit, u sëmur, mbreti e dërgoi bashkëshorten e tij te profeti Ahijah – njeriu i Perëndisë që i kishte thënë kohë më parë Jeroboamit se do të bëhej mbret mbi dhjetë fiset e veriut. Mbretëresha e maskoi veten, mbase për disa arsye. Së pari, të vizitonte hapur njeriun e Perëndisë do të tradhtonte një mungesë besimi tek idhujt në Dan e Bethel. Së dyti, Jeroboami kuptoi se Ahijahu ishte kundër idhujtarisë dhe nuk do të fliste gjëra të favorshme ndaj saj nëse ai mësonte se kush ishte ajo. Së treti, mbase mbreti mendoi se, duke marrë nëpër këmbë profetin, mund të bënte të njëjtën gjë me Zotin. 14:5-13 Zoti e paralajmëroi profetin e verbër për vizitën e mbretëreshës. Sapo mbërriti ajo, profeti e zbuloi maskën e saj dhe e dërgoi te Jeroboami me një kumt rrënimi. Për shkak të mosbindjes dhe idhujtarisë së mbretit, Zoti do të shfaroste nga shtëpia e tij çdo mashkull në Izrael, qoftë skllav apo të lirë dhe, së fundi, do të përpinte shtëpinë e tij. Asnjë nga pjesëtarët e familjes së tij nuk do të kishte një varrim të denjë, përveç birit të sëmurë, Abijahut – që do të vdiste sapo të futej në qytet mbretëresha. 14:14-16 Perëndia do të vendoste një mbret tjetër (Baashën), që do të shkatërronte familjen e Jeroboamit. Më pas kombi i Izraelit do të çohej në robëri, sepse Jeroboami kishte përuruar adhurimin e Asherimëve {{12}}. Asherimët ishin shëmbëlltyra druri, që simbolizonin pjellorinë. 14:17,18 Duket nga vargu 17 se Tirtsahu ishte tashmë kryeqyteti i Izraelit. Sapo mbretëresha u kthye atje, biri i saj vdiq. Izraeli e varrosi dhe e qau, ashtu siç u parashikua nga profeti. 14:19,20 Pasi mbretëroi për njëzet e dy vjet, Jeroboami vdiq dhe u pasua nga biri i tij Nadabi. Libri i Kronikave të mbretërve të Izraelit nuk i referohet librave të Kronikave të Biblës, por regjistrimeve zyrtare të mbretërve që mbahej si një histori publike kombëtare. Skena tani ndërrohet te mbretëria e Judës.

C. Mbreti Roboam i Judës (vazhdim, 14:21-31)

14:21-24 Tashmë kemi studiuar pjesën e parë të mbretërimit të Roboamit në kapitullin 12. Kjo pjesë përmbledh cilësitë domethënëse të këtij mbretërimi. Fakti se nëna mbretëreshë përmendet dy herë si amonite (v. 21,31) mund të shpjegohet si një tërheqje e vëmendjes së lexuesit te një arsye e nënkuptuar për dështimin e sundimit të Roboamit – ati i tij, Salomoni, ishte martuar me gra të huaja, që e çuan atë dhe familjen e tij në idhujtari. Idhujtaria ishte mbizotëruese në Judë dhe prostitutat e kultit mashkullor vazhdonin praktikat e tyre të neveritshme në altare. 14:25-28 Jerusalemi u sulmua dhe u plaçkit nga mbreti i Egjiptit, Shishaku. Thesaret u vodhën nga tempulli dhe pallati mbretëror. Roboami urdhëroi që të bëheshin shqyta prej bronzi në vend të atyre prej ari që ishin marrë. A nuk është ironike që Salomoni ishte përpjekur ta mbronte veten nga Egjipti duke u martuar me vajzën e faraonit, por brenda një kohe të shkurtër, pas vdekjes së tij, Shishaku i Egjiptit fitoi me lehtësi shkëlqimin e qytetit të artë të Salomonit! 14:29-31 Kjo ishte një periudhë lufte midis Judës dhe Izraelit. Kjo zgjati për pesëdhjetë e shtatë vjet, përmes mbretërimit të Asës në Judë dhe Omrit në Izrael. Zoti parandaloi një luftë të përgjithshme midis Judës dhe Izraelit (12:24), por mbretëritë motra u përleshën vazhdimisht me njëra-tjetrën. Roboami vdiq në moshën pesëdhjeteshtatëvjeçare dhe biri i tij Abijami u bë mbret në vend të tij.

D. Mbreti Abijam i Judës (15:1-8)

Abijami, bir i Roboamit, qe mbreti i Judës për tre vjet (913 – 911/910 para K.; 2 i Kronikave 13:1-14:1a). 15:1 Vargu 1 përmban një formulë që përsëritet shpesh në librat e Mbretërve. Kjo formulë përshkruan fillimin e një mbretërie duke shënuar mbretin që mbretëronte në mbretërinë tjetër dhe duke treguar sa kohë kishte filluar të mbretëronte. Prandaj ky varg shpjegon se Abijami filloi të mbretëronte mbi Judën gjatë vitit të tetëmbëdhjetë të mbretërisë së Jeroboamit mbi Izrael. Ai quhet gjithashtu Abijah (1 i Kronikave 3:10; 2 i Kronikave 12:16). 15:2 Këtu nëna e Abijamit paraqitet si Maakahu bija e Abishalomit; te 2 Kronikave 11:21 është Maakahu, e bija e Absalomit; te 2 Kronikave 13:2 është Mikajahu, bija e Urielit. Ka mundësi që nëna e tij kishte dy emra dhe se ajo ishte vajza e Urielit dhe bija e Absalomit (që është i njëjti me Abishalomin; “bir” apo “vajzë” zakonisht përshkruan një pasardhës në gjuhën biblike). 15:3-8 Abijami ndoqi atin e tij si një idhujtar dhe dështoi të ndjekë Davidin, që ishte besnik në kuptimin se e ruajti veten për të mos adhuruar shëmbëlltyrat e gdhendura. Vargjet 4 e 5 nënkuptojnë se Perëndia do ta kishte shkatërruar shtëpinë e Abijamit, por nuk e bëri për shkak të besëlidhjes së Tij me Davidin. Vini re fundin e vargut 5 se si një jetë shembullore mund të prishet nga një çast pasioni! Lufta me Izraelin që filloi në mbretërimin e Roboamit vazhdoi edhe në mbretërinë e Abijamit. Në vargun 6 Roboami dhe Jeroboami nënkuptojnë Judën me Izraelin. Pati luftë midis këtyre dy mbretërive gjatë tërë jetës së Abijamit. Ai u përpoq ta shpërngulte Izraelin qoftë me bindje, qoftë me forcën e armëve, duke vrarë 500.000 izraelitë në betejë (2 i Kronikave 13:1-20).

E. Mbreti Asa i Judës (15:9-24)

Asa, biri i Abijamit, ishte mbreti i Judës për dyzet e një vjet (911/910 – 870/869 para K.; krahasoni 2 i Kronikave 14:1b – 16:14). 15:9-15 Asa ishte një ndër mbretërit e mirë të Judës. Ai hoqi sodomitët (homoseksualët idhujtarë) nga vendi dhe shfarosi tërë idhujt e krijuar nga etërit e tij (v. 12; krahasoni 2 i Kronikave 14:3-5). Ai hoqi nga posti nënën e tij, Maakahun dhe shfarosi idhullin e saj të neveritshëm, edhe pse vendet e larta nuk pësuan të njëjtin fat. Ai e mbushi tempullin me dhuratat e atit të tij dhe nga ai vetë. 15:16-22 Kur Baasha, mbreti i Izraelit, filloi të fortifikonte Ramahun, disa kilometra në veri të Jerusalemit, Asa kuptoi se kryeqyteti i tij ishte në rrezik. Megjithatë, në vend që të kthehej te Zoti, kërkoi ndihmë nga Ben-Hadadi mbreti i Sirisë. Duke i dhënë një pagesë të shtrenjtë këtij mbreti të huaj, ai e bindi atë të sulmonte Izraelin nga veriu në zonën e Galilesë. Kjo i shtyu forcat e Baashës në veri dhe i dha mundësinë Asës ta prishte Ramahun dhe të ndërtonte qytetet e fortifikuara të Gebës dhe Mitspahut bashkë me kufijtë e tij veriorë. Argjendi dhe ari që Asa çoi në tempull i ishte dhënë Zotit. Por kur Baasha kërcënoi mbretërinë e tij, Asa mori tërë thesaret dhe ua dha ato një mbreti pagan, duke vjedhur Perëndinë dhe duke pasuruar Sirinë. Të krishterët duhet të jenë të kujdesshëm për të mos marrë atë që i përket Perëndisë (pra, kohën, paratë, forcat e tyre etj.) dhe t’ia japin dikujt tjetër. 15:23,24 Fakti që ai u godit me një sëmundje te këmbët përmendet për të treguar mospëlqimin e Perëndisë që Asa kishte besuar në mbretin e Sirisë për ta çliruar. Gjatë tre-katër viteve të tij të fundit, biri i Asës, Jozafati, mbase mbretëroi me të.

F. Mbreti Nadab i Izraelit (15:25-27)

Nadabi, biri i Jeroboamit, nga fisi i Efraimit, ishte mbret i Izraelit për dy vjet (910/909 – 909/908 para K.). Nadabi ndoqi atin e tij në praktikimin e idhujtarisë. Një nga vartësit e tij, Baasha, komplotoi kundër tij dhe e vrau. Në të njëjtën kohë Baasha vrau tërë pjesëtarët e mbetur të shtëpisë së Jeroboamit, duke përmbushur profecinë e Ahijahut (14:10,14).

G. Mbreti Baasha i Izraelit (15:28-16:7)

Baasha, biri i Ahijahut, nga fisi i Isakarit, ishte mbret i Izraelit për njëzet e katër vjet (909/908 – 886/885 para K.). 15:28-34 Mbretërimi i Baashës shënon fillimin e dinastisë së dytë në mbretërinë në Izrael. Konflikti midis Judës dhe Izraelit vazhdoi edhe në mbretërimin e Baashës. Duke pasur si kryeqytet Tirtsahun, ai vazhdoi adhurimin e tij idhujtar që kishte ngritur Jeroboami. 16:1-7 Një profet që quhej Jehuh i shpalli Baashës se për shkak se kishte ndjekur idhujtarinë e Jeroboamit, shtëpia e tij do të vuante një fat të njëjtë. Ata nuk do të varroseshin si gjithë njerëzit e tjerë, por do të haheshin nga qentë apo zogjtë. Një arsye tjetër për rrënimin e Baashës jepet në fund të vargut 7 – kishte vrarë shtëpinë e Jeroboamit. Ose ai nuk ishte ai njeri me të cilin Perëndia kishte menduar ta zhdukte familjen e Jeroboamit, ose ai e bëri në një mënyrë mizore e të turpshme, në kundërshtim me vullnetin e Perëndisë.

H. Mbreti Elah i Izraelit (16:8-14)

Elahu, biri i Baashës, nga fisi i Isakarit, ishte mbret i Izraelit për dy vjet (886/85 – 885/884 para K.). Elahu ishte një mbret i keq, që iu dha idhujtarisë dhe dehjes. Pasi kishte dy vjet që po mbretëronte u vra nga Zimri, komandant i gjysmës së qerreve të tij. U vranë gjithashtu pjesa tjetër e familjes së Baashës, duke u përmbushur profecia e Jehut (16:3). Vdekja e Elahut mbyll dinastinë e dytë në Izrael.

I. Mbreti Zimri i Izraelit (16:15-20)

Zimri ishte mbret i Izraelit për shtatë ditë (885/884 para K.). Mbretërimi i lig i Zimrit ishte më i shkurtri nga tërë mbretërit, duke zgjatur vetëm shtatë ditë. Kur mori me dhunë fronin, ushtria e Izraelit u përpoq të merrte qytetin e Gibethonit nga filistenjtë. Ushtria shpalli komandantin e saj Omrin që të ishte mbret. Ai menjëherë marshoi kundër Tirtsahut, kryeqytetit, për të kapur frerët e qeverisjes. Zimri u tërhoq në kullën e pallatit mbretëror, i vuri zjarrin dhe humbi në flakë.

J. Mbreti Tibni i Izraelit (16:21,22)

Tibni, biri i Ginathit, ishte mbret i Izraelit për katër vjet (885/884 – 881/880 para K.). Edhe pse Izraeli bëri Omrin, komandantin e ushtrisë, mbret mbi Izrael (v. 16), ai kishte një rival, Tibnin, dhe pati luftë civile për katër-pesë vjet (krahasoni v. 15 me v. 23). Gjysma e mbretërisë veriore ndoqi Tibnin derisa vdiq.

K. Mbreti Omri i Izraelit (16:23-28)

Omri ishte mbret i Izraelit për dymbëdhjetë vjet (885/884 – 874/873 para K.). Mbretëria e Omrit filloi dinastinë e katërt në mbretërinë veriore. Tibni u mund në vitin 880 para K. dhe Omri u bë mbreti i padiskutueshëm. Për gjashtë vitet e para mbretëroi në Tirtsah. Më pas bleu malin e Samarisë për dy talente argjendi dhe e zhvendosi kryeqytetin e tij atje. Karakteri i keq i mbretërisë së tij theksohet në vargjet 25 e 26. Kronologjia e Omrit është deri diku e ndërlikuar. Ai u shpall mbret në vitin e njëzeteshtatë të Asës (vetëm me gjysmën e popullit pas tij), pas vdekjes së Zimrit (v. 15). Pas katër viteve të luftës civile, ai u bë mbreti i padiskutueshëm mbi mbretërinë veriore në vitin e tridhjetenjëtë të Asës (v. 23). Ai vdiq në vitin e tridhjetë e tetë të Asës (v. 29). Prandaj ai pati katër vjet grindje të brendshme dhe rreth tetë vjet paqe të pjesshme. Omri ishte një mbret përparimtar dhe solli një farë paqeje dhe begatie në Izrael. Burimet jobiblike e përmendin Omrin si pushtuesin e Moabit. Aq shumë i spikatur ishte në sytë e asirianëve, saqë ata e quanin Izraelin “Shtëpinë e Omrit” apo “Vendin e Omrit”. Arkeologët kanë gjetur atë që ata besonin se ishte pallati i Omrit në Samari.

L. Mbreti Ashab i Izraelit dhe profeti Elia (16:29-22:40)

Ashabi, biri i Omrit, ishte mbret i Izraelit për njëzet e dy vjet (874/873 – 853 para K.). 1. Bijtë e Ashabit (16:29-34) Ashabi ishte një mbret tejet i keq, jo vetëm ngaqë ndoqi Jeroboamin në idhujtari, por ngaqë u martua me Jezebelin, bijën e mbretit të sidonitëve. Kjo grua e poshtër ishte një adhuruese e Baalit që ia doli mbanë të ndikonte tek Ashabi për të nxitur adhurimin e Baalit në Izrael, duke ndërtuar një tempull, një altar dhe një Asherah. Paperëndishmëria e kohëve dëshmohet nga përpjekja e paturpshme e Hielit nga Betheli për të rindërtuar Jerikon si sfidë ndaj mallkimit të Perëndisë (Joz. 6:26). Kur hodhi themelet, biri i tij më i madh, Abirami, vdiq. Ndërsa ngriti portat, më i riu nga djemtë, Segubi, vdiq. 2. Elia dhe thatësira (17:1-7) 17:1 Në kapitullin 17 ndërfutet profeti Elia. Shërbesa e tij shtrihet deri te 2 Mbretërve 2:11. Perëndia i foli popullit të Tij përmes profetëve gjatë kohëve të mëkatit dhe rënies. Këta profetë ishin me të vërtetë zëdhënësit e Jehovahut. Ata, pa pasur frikë, ngritën zërin kundër idhujtarisë, imoralitetit dhe tërë formave të tjera të paudhësisë. Ata e nxitën popullin të pendohej e të kthehej te Zoti dhe më pas e paralajmëruan për pasojat e tmerrshme nëse do të dështonin të bënin një gjë të tillë. Disa profetë shërbyen kryesisht në Izrael, disa në Judë dhe disa në të dy vendet. Meqë Izraeli ishte më i keqi nga dy mbretëritë, Perëndia i shoqëronte mesazhet e profetëve ndaj Izraelit me mrekulli e çudi. Kjo bënte që Izraeli të mos kishte mundësi të justifikohej. Elia përmendet tek ungjijtë në lidhje me shërbesën e Gjon Pagëzorit. Gjoni erdhi në frymën dhe fuqinë e Elias (Lluka 1:17). Elia erdhi nga Tishba në Galaad, që ishte në lindje të lumit Jordan dhe, për këtë arsye, quhej, tishbit. Historia e tij rrëfehet vetëm te librat e Mbretërve. Nuk na thuhet asgjë për të shkuarën, familjen apo thirrjen e tij në shërbesën profetike. Por askush nuk mund ta mohojë se ai ishte një njeri i Perëndisë. Ai ishte vegla e zgjedhur nga Perëndia për të gjunjëzuar Izraelin idhujtar dhe të neveritshëm. Lutjet e tij mund të sillnin bekimet (shiun) apo zemërimin (thatësirën dhe zjarrin). Ai i shërbeu brezit të tij pa pasur frikë, me ndërgjegje të fortë. Vepra e tij e parë e regjistruar ishte t’i shpallte Ashabit se vendi do të vuante thatësirën. Ky, pa dyshim, ishte një gjykim hyjnor kundër idhujtarisë. Perëndia vendosi të përdorte një thatësirë të ashpër për të tërhequr vëmendjen e njerëzve. Atyre nuk u bëhej vonë se idhujtaria kishte sjellë një thatësirë frymërore në vend, por nuk mund të anashkalonin thatësirën fizike që e simbolizonte. 17:2-7 Duke iu bindur Zotit, Elia shkoi nga Samaria në përroin Kerith, në lindje të Jordanit. Atje ai mbijetoi me ujë nga përroi dhe me ushqim që iu çua në mënyrë të mrekullueshme në mëngjes e mbrëmje nga korbat. Megjithatë, mbas një farë kohe, për shkak të thatësirës përroi shteroi. 3. Elia dhe vejusha e Sareptas (17:8-24) 17:8-16 Duke iu bindur fjalës së Zotit, Elia udhëtoi në Sarepta, në bregun mesdhetar midis Tiros e Sidonit. Atje Perëndia kishte bërë të mundur që një e ve pagane ta ushqente. Në fillim ajo kundërshtoi, sepse kishte vetëm pak ushqim për djalin e saj. Megjithatë, profeti e urdhëroi të bënte një kulaç të vogël për më parë. Duke bërë këtë ajo, në fakt, po vinte Perëndinë në vend të parë. Kur ajo u bind, nxori mësimin e çmuar se ata që vënë Perëndinë të parin kurrë nuk u mungojnë domosdoshmëritë e jetës. Ena e miellit dhe qypi i vajit nuk mbaruan kurrë. Jezusi bëri të ditur faktin se Elia u dërgua te një e ve pagane dhe jo te një nga vejushat e shumta izraelite (Lluka 4:26). Gjatë thatësirës Jehovahu siguroi ushqim për profetin e Tij në mënyra tepër të rëndomta – në fillim me anë të zogjve të papastër e më pas me anë të një gruaje pagane dhe aq më tepër me një vejushë të varfër. Mbreti në pallatin e tij ishte i shtrënguar, por Elia kishte gjithçka që kishte nevojë. Njeriu i Perëndisë, duke iu bindur zërit të Tij, do ta ketë gjithmonë të plotësuar nevojën, pavarësisht nga kushtet që mbizotërojnë rreth tij. 17:17-24 Më vonë biri i gruas u godit me një sëmundjerëndë dhe vdiq. Menjëherë e ëma dyshoi se Elia kishte urdhëruar vdekjen e tij për shkak të ndonjë mëkati që ajo kishte kryer. Profeti e mori djaloshin lart në dhomën e tij të gjumit dhe u shtri pastaj tri herë mbi fëmijën dhe kërkoi ndihmën e Zotit. Djali mori jetë përsëri dhe e zbriti poshtë për ta çuar te nëna e tij, në shëndet të plotë. Kjo e bindi gruan se Elia ishte një njeri i Perëndisë dhe se fjala e Zotit ishte e vërtetë. Si një pagane, ajo tregoi besim në Perëndinë e Izraelit. 4. Sfida e Elias ndaj priftërinjve të Baalit (18:1-19) 18:1-6 Tre vjet pasi Elia ishte larguar nga Izraeli dhe tre vjet e gjysmë pasi thatësira kishte filluar (Lluka 4:25), profeti mori udhëzime të dilte para Ashabit – një veprim që, nga ana njerëzore, ishte tejet i rrezikshëm. Aq e madhe ishte zia e bukës, saqë Ashabi dhe shërbëtori i tij Abdia (jo profeti që shkroi librin e Abdisë) kishin kërkuar nëpër vend për bar për të ushqyer kafshët (ishte ky Abdia që kishte shpëtuar njëqind profetë të Zotit kur Jezebeli kishte vrarë disa dhe po përpiqej të shfaroste të tjerët). 18:7-15 Ndërsa Abdia po udhëtonte për të kërkuar bar, i doli përpara Elia dhe e urdhëroi t’i bënte të ditur Ashabit për vendndodhjen e Elias. Abdia pati frikë se kjo do të sillte vdekjen e tij, meqë Ashabi kishte kërkuar i paepur Elian, për t’ia mbyllur gojën një herë e përgjithmonë. Nëse Abdia do të tregonte për praninë e Elias, mbreti do të përgjigjej me siguri. Por deri atëherë Fryma e Zotit do ta kishte marrë Elian. Atëherë Ashabi do ta vriste Abdinë për këtë lajm “të rremë”. Dhe përveç së gjithash, pozita e Abdisë në oborrin mbretëror ishte tashmë e pasigurt, sepse kishte mbrojtur profetët e Zotit. Elia premtoi se nuk do të largohej nga ai vend dhe kështu u caktua takimi. 18:16-19 Mbreti Ashab shkoi për të takuar Elian dhe e paditi si ai që bën rrëmujë Izraelin, duke mos kuptuar se njeriu i Perëndisë ishte miku më i mirë që kishte pasur Izraeli. Duke mos pasur frikë për jetën e vet, Elia iu përgjigj Ashabit pa iu dridhur qerpiku dhe me një frymë paditëse. Ai fajësoi mbretin për përzierjen e adhurimit të Jehovahut me adhurimin e Baalit dhe e sfidoi të mblidhte profetët e tij idhujtarë për një ndeshje në malin Karmel për të përcaktuar se cili ishte Perëndia i vërtetë (katërqind e pesëdhjetë profetët e Baalit shkuan në Karmel, por katërqind profetët e Asherahut jo; krahasoni v. 19,22). 5. Fitorja e Elias mbi priftërinjtë e Baalit (18:20-40) 18:20-25 Duke iu drejtuar përfaqësuesve të mbledhur të Izraelit, Elia i paditi ata për lëkundjen midis dy zgjedhjeve; ata duhej të zgjidhnin ose Zotin, ose Baalin. Atëherë filloi ndeshja. Dy dema duhej të thereshin dhe të viheshin mbi drutë e bërë gati për t’u vënë zjarr. Elia do të përfaqësonte Zotin, ndërsa katërqind e pesëdhjetë profetët e Ashabit Baalin. Perëndia që do të përgjigjej me anë të zjarrit do të pranohej si Perëndia i vërtetë. 18:26-29 Profetët e Baalit i thërritën perëndisë së tyre dhe kërcyen rreth altarit nga mëngjesi deri në drekë. Elia filloi të tallet me ta duke përligjur me argumente “të dobishme” mospërgjigjen e Baalit. “Mbase ishte aq shumë i vogël saqë nuk mund të bënte dy gjëra njëkohësisht”. Në dëshpërim filluan të priten me shpata dhe shtiza, sipas zakoneve që kishin dhe flisnin përçart deri në kohën që ofrohej blatimi. Asnjeri nuk u përgjigj dhe askush nuk ua vuri veshin. 18:30-35 Atëherë Elia ndërtoi një altar me dymbëdhjetë gurë në emrin e Zotit, që përfaqësonin dymbëdhjetë fiset e Izraelit. Më pas, për të zhdukur çdo mundësi që altari të merrte flakë në ndonjë mënyrë tjetër veçse me anë të një mrekullie, lagu qetë dhe drutë me dymbëdhjetë fuçi me ujë (katër enë me ujë u boshatisën tri herë). Dikush mund të çuditet me faktin se ku e gjeti Elia aq shumë ujë në një kohë thatësie. Por kjo nuk është një vështirësi e vërtetë. Dymbëdhjetë fuçi me ujë nuk është një sasi e pamundur gjatë kohës së thatësirës. Thatësira kishte prekur tokat bujqësore, por uji i pijshëm mund të gjendej, përndryshe të gjithë do të kishin vdekur. Një shpjegim tjetër është se ky ujë mund të kishte ardhur nga deti Mesdhe, disa kilometra larg. Uilliamsi thotë: Kishoni (v. 40), deti (v. 43) dhe një pus që ekziston akoma mund të furnizonte pjesërisht apo plotësisht ujin e duhur për të mbushur gropën (v. 35) {{13}}. 18:36-40 Në orën që ofrohej blatimi Elia u lut që Perëndia të shfaqte Veten duke dërguar zjarr nga qielli. Menjëherë ra zjarri i Zotit nga qielli, duke djegur jo vetëm olokaustin, por edhe drutë, gurët e pluhurin, si dhe thau ujin në gropë rreth altarit. Kështu populli u urdhërua të pranonte Zotin si Perëndinë e vërtetë. Më pas iu bindën urdhrit të Elias për të vrarë profetët e ligj të Baalit. Vetëm pasi populli pranoi që Jehovahu ishte Perëndia dhe theri profetët e Baalit erdhi shiu. Rrëfimi i mëkatit dhe bindja ndaj Fjalës së Perëndisë janë hapat e bekimit. 6. Lutja e Elias për shi (18:41-46) Profeti e këshilloi Ashabinhante, sepse së shpejti do t’i duhej të largohej nga mali Karmel për t’i shpëtuar shiut që do të binte. Ndërsa Ashabi u ul për të ngrënë, Elia u ngrit për t’u lutur. Ai u ngjit në majë të malit Karmel, u përkul deri në tokë, vuri fytyrën midis gjunjëve dhe, me zjarr, i kërkoi Zotit të përmbushte fjalën e Tij duke dërguar shiun. Ai vazhdoi në lutje derisa shërbëtori i tij i bëri të ditur një re të vogël në horizont. Kjo mjaftoi për Elian. Ai menjëherë i dërgoi fjalë Ashabit të nxitonte për në Jezreel, një qytet në Isakar, atje ku jetonte familja mbretërore në atë kohë (21:1). Si një nënshtetas i mbretërisë dhe shërbëtor besnik, profeti vrapoi para qerres së Ashabit nën një shi të rrëmbyeshëm tridhjetë kilometra për në Jezreel. 7. Lufta e Elias në Horeb (19:1-18) 19:1-4 Kur Ashabi i njoftoi Jezebelit për mundjen dhe vdekjen e profetëve të Baalit në malin Karmel, ajo u betua se do ta vriste Elian brenda një dite. Atëherë profeti, besimi i të cilit kishte arritur një fitore të madhe një ditë më parë, humbi guximin. Ai iku për të shpëtuar nga Jezebeli, në jug rreth vendit të Beer-Shebës, rreth njëqind e pesëdhjetë kilometra larg, në kufijtë jugorë të Judës. Duke e lënë shërbëtorin e tijBeer-Sheba, Elia vazhdoi në jug, në shkretëtirë, një ditë rrugë. Më në fund qëndroi poshtë një gjinestre, i pashpresë, i rraskapitur dhe në gjendje të keqe shpirtërore. 19:5-8 Është e rëndësishme të vëmë re trajtimin e Perëndisë për këtë gjendje të ashpër shpirtërore: prehje, ushqim dhe pije, më tepër prehje, më tepër ushqim dhe pije. I forcuar në këtë mënyrë, profeti udhëtoi dyzet ditë dhe dyzet netë 300 kilometra, me forcën që i dha ai ushqim, në malin Horeb (Sinai), atje ku Perëndia kishte dhënë ligjin e Perëndisë. 19:9-14 Atje, në një shpellë Zoti bëri një marrëveshje me të. Me një frymë gjithë vetëdrejtësi, Elia ngriti zërin për besnikërinë e tij dhe paditi bijtë e Izraelit. Ai, në fakt, tha se ishte i vetmi që i kishte qëndruar besnik Zotit. Më pas Perëndia e urdhëroi të ndalej mbi malin e ligjit, por Elia nuk u bind. E dimë këtë ngaqë më vonë (v. 13) doli dhe u ndal në hyrje të shpellës. Menjëherë më pas malet u goditën nga një erë e fortë, një tërmet dhe një zjarr. Këto stuhi të furishme duhet t’i kenë kujtuar Elias frymën e tij të ashpër e kritikuese. Asnjëra prej tyre nuk e nxorën jashtë nga shpella. Së fundi, mbas zjarrit profeti dëgjoi një zë, si një shushuritje e ëmbël. Ishte ky zë i hirshëm i Zotit që e çoi në hyrjen e shpellës. Përsëri ai e ngriti lart veten si dëshmia e vetme e mbetur e Perëndisë. Xhorxh Uilliamsi komenton: Sikur zemra e tij të mos mbushej me vetveten, ai do të kishte mësuar se furtunat, tërmetet dhe zjarret nuk mund të bëjnë atë që mund të bëjë zëri i ëmbël i dashurisë. Ai duhej të pranonte se nuk kishte asnjë ndryshim midis zemrës dhe kombit të tij; dhe ashtu si detyrimi nuk mundi ta nxjerrë nga shpella, po kështu nuk mund t’i urdhërojë njerëzit të lënë mëkatet e tyre {{14}}. 19:15-18 Duket sikur dobia e Elias si një shërbëtor i Perëndisë vuajti kur ushtroi qëndrimin e tij të vetërëndësisë. Perëndia i tha atij të kthehej në veri në shkretëtirën e Damaskut, ku të mund të kryente tri vajosje: 1. Ai do të vajoste Hazaelin që të ishte mbret i Sirisë. Kombi i pabindur i Izraelit do të ndëshkohej nga ky mbret. 2. Ai do të vajoste Jehun si mbret të Izraelit. Jehu do të ushtronte gjykimin e Perëndisë mbi shtëpinë e Ashabit. 3. Ai do të vajoste Eliseun si pasuesin e tij {{15}}. Ky do të ishte për të një mësim se nuk ishte i pazëvendësueshëm. Këta tre njerëz do të ushtronin gjykimin e Perëndisë mbi idhujtarët në Izrael (v. 17), por Zoti do të linte shtatë mijënuk i ishin gjunjëzuar përpara Baalit dhe nuk e kishin puthur. 8. Takimi i Elias me Eliseun (19:19-21) 19:19 Elia udhëtoi në veri në Abel Meholah, në luginën e Jordanit, afër Beth-Shebës. Atje gjeti Eliseun, një bujk që lëronte arën. Fakti që Eliseu kishte dymbëdhjetë pendë qe tregon se nuk ishte i varfër. Ai mbase po lëronte me një pendë dhe shërbëtorët e tij me njëmbëdhjetë të tjerat. Elia i hodhi sipër Eliseut mantelin e tij, një shenjë që tregon se do të ishte pasuesi i tij. 19:20,21 Eliseu kërkoi leje që të kthehej në shtëpi dhe të bënte një festë lamtumire për familjen e tij. Elia i dha leje, por e paralajmëroi të mos harronte se çfarë i kishte ndodhur – pra, se si Elia e kishte vajosur. Pas një feste madhështore, Eliseu u ngrit, shkoi pas Elias dhe u vu në shërbim të tij. Kërkesa e Elias për t’i dhënë lamtumirën prindërve të tij duket me rrezik si ajo e dishepullit sa për sy e faqe, të cilin Jezusi e quajti të pavlefshëm për mbretërinë (Lluka 9:61,62). Ndryshimi është se në rastin e Eliseut ishte një vendim me dashje për t’i prerë lidhjet familjare në mënyrë të menjëhershme, ndërsa në rastin tjetër kemi të bëjmë me një taktikë vonuese dhe një justifikim. 9. Fitorja e parë e Ashabit mbi Sirinë (20:1-22) 20:1-6 Ben-Hadadi, mbreti i Asirisë, më parë u mendua se ishte biri i Ben-Hadadit përmendur në 15:18,20. Por kërkimet e mëvonshme ngritën mundësinë se kemi të bëjmë me të njëjtin njeri. Ai bëri një aleancë me tridhjetë e dy mbretër armenë dhe marshoi kundër Samarisë me kuaj dhe qerre. Kur qyteti ishte në gjendje rrethimi, ai i dërgoi kushtet e tij të kapitullimit Ashabit – “Argjendi dhe ari bashkëshortet dhe bijtë e tu”. Ashabi pranoi përulësisht dhe dobësisht. I pakënaqur me kapitullimin e Ashabit ndaj kushteve të tij të para, Ben-Hadadi kërkoi më pas të drejtën e hyrjes së shërbëtorëve të tij dhe të drejtën për të marrë çdo gjë që kërkonin ata. 20:7-12 Pleqtë e Izraelit u zemëruan shumë ndaj kësaj kërkese të dytë dhe nxitën që mbreti të mos bashkëpunonte. Kur Ben-Hadadi mori vesh për kundërshtimin e Izraelit, iu ngritën nervat, dhe u mburr se duke rrëzuar Samarinë nuk do të mjaftonin grushtat e pluhurit për ushtarët e tij. Kësaj përgjigjeje, Ashabi u përgjigj se një ushtar që vendos armaturën e tij nuk duhet të lavdërohet ashtu sikur fitorja të ishte tashmë e siguruar. Kjo tallje e nxiti sirianin e shfrenuar dhe aleatët e tij për të vepruar. 20:13-15 Në këtë pikë një profet i Zotit iu afrua Ashabit, duke e siguruar atë për fitore. Perëndia përdori një fuqi të pakët prej dyqind e tridhjetë e dy shërbyesish të qeveritarëve të zonës, të pasuar nga shtatë mijë njerëz të Izraelit, për të mundur ushtritë e ardhura nga veriu. Fjalia “tërë bijtë e Izraelit” (v. 15b) do të thotë tërë ushtarët në Samari. Një numër i vogël shërbëtorësh të rinj u zgjodhën për të filluar një betejë, për ta bërë sa më të qartë se fitorja vinte nga Zoti dhe jo nga krahu prej mishi. 20:16-22 Ashabi sulmoi në mesditë, kur Ben-Hadadi dhe aleatët e tij ishin duke pirë. Kur Ben-Hadadi dëgjoi se 232 burra të Izraelit po përparonin, urdhëroi që të ziheshin gjallë. Kjo, sigurisht, u dha një përparësi ushtarake izraelitëve dhe çoi në një disfatë të madhesirëve. Të mbijetuarit u kthyen në vendlindjen e tyre. Profeti i Zotit e paralajmëroi Ashabin se ushtria sire do të kthehej mbas një viti. 10. Fitorja e dytë e Ashabit mbi Sirinë (20:23-34) 20:23-25 Shërbëtorët e Ben-Hadadit ia cilësuan dy faktorëve mundjen e tyre të turpshme: 1. Izraelitët kishin fituar betejën në vend një kodrinor. Pa dyshim që Perëndia i tyre ishte Perëndia i maleve. Por ata, me siguri, do të ishin të pafuqishëm në fushë. Kështu sirët do t’i mundnin herën e dytë në fushë. 2. Tridhjetë e dy mbretërit që luftuan kundër Ashabit kishin vërtetuar se ishin të paaftë në çështjet e luftës. Shërbëtorët e Ben-Hadadit e këshilluan që ata të zëvendësoheshin nga kapedanë. 20:26-30a Pas një viti Ben-Hadadi erdhi përsëri kundër Izraelit. Ushtria e Izraelit dukej si dy kope të vogla dhish krahasuar me moritë e Sirisë. Një njeri i Perëndisë i tha Ashabit se Zoti do t’i bënte të qartë Ben-Hadadit se Ai ishte Perëndia i luginave ashtu si dhe i maleve. Në betejë, bijtë e Izraelit vranë njëqind mijë këmbësorë sirë. Sirët që shpëtuan u përpoqën të zinin pozicione në muret e qytetit të Afekut, por muret ranë, duke vrarë njëzet e shtatë mijë prej tyre. 20:30b-34 Ben-Hadadi u fsheh në një dhomë të brendshme të Afekut. Shërbëtorët e tij e bindën që t’i linte të dilnin e të prisnin Ashabin, të veshur me simbole dorëzimi dhe zie dhe t’i kërkonin mëshirë. Gjatë pyetjeve Ashabi iu referua mbretit si “vëllai” i tij. Njerëzit e Sirisë e dëgjuan menjëherë këtë fjalë dhe thanë: “Po, Ben-Hadadi është, pra, vëllai yt!“. Ashabi urdhëroi që t’i çonin mbretin e Sirisë. Ben-Hadadi premtoi të kthejë qytetet që ishin marrë nga paraardhësit e Ashabit (15:20) dhe të lejonte Izraelin të vendoste tregje në Damask (v. 34). Ashabi bëri një marrëveshje me këto kushte dhe e la Ben-Hadadin të shpëtonte në vend që ta vriste, ashtu siç duhej të kishte vepruar. 11. Mosbindja e Ashabit (20:35-43) 20:35,36 Ashabi donte një Siri të fortë si një amortizator midis Izraelit dhe kërcënimit që rritej të Asirisë. Ngjarja që vijon ishte një mësim, kryer nga profeti, për të ilustruar marrëzinë e veprimit të Ashabit. Një nga bijtë e profetëve e urdhëroi shokun e tij me urdhër të Zotit ta godiste. Shoku nuk iu bind dhe me këtë nuk iu bind Zotit. Për mosbindjen e tij ndaj zërit të Zotit, ai u shfaros nga një luan. Nëse një profet i mirë u ndëshkua në këtë mënyrë ngaqë nuk i bëri të keqe mikut të vet dhe të Perëndisë, kur Perëndia tha: “Godit!“, çfarë ndëshkimi më të ashpër do të meritojë një mbret i lig, që nuk e vrau armikun e tij e të Perëndisë, kur Perëndia i kishte thënë: “Godit!” {{16}}. 20:37-43 Profeti gjeti një njeri tjetër që iu bind, duke e goditur dhe e plagosur. Më pas profeti u maskua me një rrip pëlhure mbi sy dhe shkoi të presë mbretin Ashab. Kur mbreti po kalonte, profeti i tha se kishte qenë në betejë dhe kishte qenë i ngarkuar me ruajtjen e një të burgosuri armik. Ai ishte paralajmëruar se nëse i burgosuri do të arratisej, do të paguante ose me jetën e tij ose me shifrën tepër të lartë prej një talent argjendi. Profeti i maskuar i tregoi se si ishte shqetësuar për gjërat e tjera dhe se si ishte arratisur i burgosuri. Mbreti nuk tregoi fare butësi; ai nguli këmbë që të zbatoheshin kushtet fillestare të ndëshkimit. Më pas profeti e zbuloi kurthin. Ai hoqi fashon për t’u shfaqur si profeti që e njihte Ashabi. Ashabi kishte pasur një të burgosur armik, Ben-Hadadin, në duart e tij. Bindja ndaj Zotit kërkonte që mbreti sir të vritej. Për mosbindjen e tij Ashabi do të vritej. Kembëll Morgani shpjegon: Kjo ishte domethënia e shëmbëlltyrës: Ashabi duhej të bënte një gjë të vetme sipas urdhrit të Perëndisë dhe ndërsa bëri njëqind gjëra, harroi gjënë e vetme. Çfarë zbulimi i arsyes së përjetshme dhe metodës së dështimit! Ne na është dhënë një përgjegjësi nga Perëndia, një gjë thelbësore dhe e përcaktuar për të bërë. Fillojmë ta kryejmë me çdo qëllim të mirë dhe, më pas, na dalim përpara gjërat e tjera, jo të këqija në vetvete. Ne “harxhojmë kohën sa andej e këndej” duke bërë shumë gjëra dhe harrojmë gjënë thelbësore {{17}}. Ashtu si mbreti David para tij, Ashabi e ndëshkoi veten me anë të fjalëve të veta. Por jo si Davidi i cili u pendua. Ashabi u zemërua dhe u vërsul në pallatin e tij buzëvarur. Në vend që t’i kërkonte Zotit mëshirë, vazhdoi ta nxiste zemërimin e Tij, ashtu siç lexojmë në kapitujt e tjerë të Librit të Parë të Mbretërve. 12. Krimet e Ashabit kundër Nabothit (kapitulli 21) 21:1-4 Kapitulli 21 rrëfejnë ngjarjet që çojnë në vdekjen e Ashabit. Skena është në Jezreel, atje ku Ashabi dhe Jezebeli kishin një shtëpi. Afër shtëpisë ndodhej një vresht pronar i të cilit ishte Nabothi i Jezreelit. Ashabi dëshironte ta bënte të tijin vreshtin që të mbillte një kopsht perimesh. Nabothi nuk pranoi ta shiste apo ta shkëmbente tokën e tij, meqë ligji i Izraelit shprehte se prona duhej të mbetej brenda familjes së cilës i ishte caktuar që nga fillimi (Lev. 25:23-28; Num. 36:7; Ezek. 46:18). 21:5-16 Kur Jezebeli e gjeti të shoqin të mërzitur e të trishtuar dhe mësoi për kundërshtimin e Nabothit për të shitur vreshtin e tij, e siguroi Ashabin se vreshti do të bëhej shumë shpejt i tij. Ajo urdhëroi një agjërim dhe zhvillimin e një gjyqi. Dy njerëz të ligj u caktuan të paditnin Nabothin për blasfemi kundër Perëndisë dhe mbretit. Pas këtyre gjërave, Nabothin e çuan jashtë qytetit dhe e vranë me gurë. Jezebeli e pabesë i kurdisi ngjarjet në mënyrë që Nabothi të dukej se ishte ekzekutuar për shkelje të ligjit të Jehovahut. Meqë prona do t’u kalonte bijve të Nabothit pas vdekjes së tij, Jezebeli i vrau edhe ata (2 i Mbreterve 9:26). Mbretëresha e paudhë ishte aq e mbrapshtë sa edhe e ligë. 21:17-26 Kur Ashabi gati sa po bënte të tijin vreshtin, Elia i doli përpara dhe e dënoi për vdekje dhe vjedhje. Elia paratha se vetë Ashabi do të vritej, se pasardhësit e tij meshkuj do të vriteshin, duke e mbyllur dinastinë e tij, se trupi i Jezebelit do të hahej nga qentëJezreel dhe se pasardhësve të Ashabit nuk do t’u bëhej një varrim i denjë (v. 24). Ashpërsia e ndëshkimit të Ashabit shpjegohet nga rënia e tij e madhe në idhujtari – “nuk pati kurrë ndonjë njeri që u shit për të bërë atë që është e keqe në sytë e Zotit si Ashabi“. 21:27-29 Kur Ashabi e dëgjoi këtë rrënim, u poshtërua para Zotit. Për këtë Zoti shpalli se gjykimet ndaj gruas dhe familjes së tij nuk do të ndodhnin për aq kohë sa ai do të ishte gjallë. Nga këto vargje që na duken se nuk kemi çfarë mësojmë, mësojmë se Perëndia është një Perëndi i hirit dhe mëshirës. “Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj” – thotë Zoti, Zoti – “unë nuk kënaqem me vdekjen e të pabesit, por që i pabesi të ndryshojë rrugën e tij dhe të jetojë; kthehuni, kthehuni nga rrugët tuaja të këqija. Pse vallë duhet të vdisni, o shtëpi e Izraelit?” (Ezek. 33:11). Edhe pendimi sipërfaqësor i Ashabit solli një shtyrje të dënimit. Por kapitulli tjetër vërteton se zemra e tij ishte e pandryshuar. Hiri u ndesh me krenarinë, kështu Zoti e dorëzoi Ashabin në duart e engjëllit të vdekjes dhe Jehu u caktua të zbatonte dekretin e përgjakur kundër pjesës tjetër të shtëpisë rreth profecisë së Elias (2 i Mbreterve 9,10). 13. Beteja e fundit e Ashabit (22:1-40) 22:1-6 Pas tre vjetësh paqeje midis Sirisë dhe Izraelit, Ashabi mendoi se ishte koha të pushtonte përsëri Ramothin e Galaadit, në lindje të Jordanit. Ben-Hadadi kishte premtuar se do të kthente qytetet e Izraelit kur të merrte faljen nga Ashabi (20:34), por në pamje të parë nuk e kishte bërë një gjë të tillë. Jozafati, mbreti i Judës, e vizitoi Ashabin në këtë kohë dhe shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar në këtë ndërmarrje luftarake. Por në fillim Jozafati hodhi idenë që ata të këshilloheshin me Zotin me anë të profetëve. Katërqind profetë në oborrin e Ashabit e këshilluan në favor të planit dhe të fitores së planifikuar. Këta mund të kenë qenë 400 profetët që nuk shkuan në malin Karmel për sfidën me Elian (18:19,22). 22:7-12 Jozafati duhet të jetë ndier i pasigurt, sepse kërkoi nëse kishte një tjetër profet të Zotit me të cilin të mund të këshillohej. Kjo nxori në dritë Mikajahun, një profet që nuk i dridhej qerpiku, që urrehej nga Ashabi për shkak të kumteve të tij të pakompromentuara. Në kohën kur thirrën Mikajahun 400 profetët po nxisnin njëzëri mbretërit e Izraelit dhe të Judës që të sulmonin Sirinë. Njëri prej tyre, Sedekia i kishte bërë vetes brirë prej hekuri për të paraqitur fuqinë e paqëndrueshme të Ashabit dhe të Jozafatit kundër sirëve. 22:13-17 Mikajahu mori lajm se kumti i tij duhej të përputhej me atë të profetëve të tjerë, por këshilla nuk shkonte me të. Kur Ashabi e pyeti nëse mund të ndërmerrej fushata kundër Ramothit të Galaadit, Mikajahu në fillim tha të njëjtën gjë ashtu si profetët: “Shko, ti do t’ia dalësh, sepse Zoti do ta japë në duart e mbretit”. Por ka gjasa se ai e tha këtë në mënyrë përqeshëse. Toni i zërit të tij duhet të ketë qenë i mbushur me ironi dhe sarkazëm. Ashabi e kuptoi këtë dhe e shtyu Mikajahun të betohej se do të thoshte të vërtetën (Lev. 5:1). Më pas profeti i rrëfeu për vegimin sipas të cilit Izraeli ishte shpërndarë, sepse nuk kishte bari, duke i bërë të ditur se Ashabi do të vritej dhe ushtria e tij do të shpërndahej. 22:18-23 Mbreti Ashab ia paraqiti këtë Jozafatit si provë se Mikajahu fliste vetëm keq kundër tij. Atëherë profeti i guximshëm e mori përsëri fjalën. Ai rrëfeu për një vegim, në të cilin një frymë e gënjeshtrës, që doli para Zotit, pranoi ta mashtronte Ashabin për të dalë kundër Ramothit të Galaadit dhe të mbetej i vrarë. Fryma e gënjeshtrës do ta vinte këshillën e tij në gojën e tërë profetëve të mbretit. Ky është një shembull se si Perëndia, që nuk është autori i së keqes, e përdor për të arritur qëllimet e Tij përfundimtare. Ai e dërgoi frymën gënjeshtare vetëm në kuptimin se e lejoi. 22:24,25 Kyçi i kësaj shëmbëlltyre nuk ishte mbi Sedekian. Duke kuptuar se ai dhe profetët e tjerë po paditeshin për gënjeshtër, i ra me një shpullë Mikajahut, duke i thënë: “Nga kaloi Fryma e Zotit kur doli nga unë për të folur me ty?”. Me fjalë të tjera, Sedekia po thoshte: Fola nëpërmjet Frymës së Perëndisë kur e këshillova Ashabin të dilte kundër Ramothit të Galaadit. Tashmë ti po rrëfen se flet nëpërmjet Frymës, e megjithatë po këshillon krejt të kundërtën. Nga kaloi Fryma kur doli nga unë për të folur me ty? Mikajahu u përgjigj qetësisht se Sedekia do ta mësonte të vërtetën kur do të shkonte për t’u fshehur i frikësuar në një vend të fshehtë – pra, kur vdekja e Ashabit do ta nxirrte Sedekian si profet të rremë. 22:26-30 Mbreti plot turfullim i Izraelit urdhëroi që Mikajahu të futej në burg dhe të ushqehej me bukë dhe me ujë…, derisa të kthehej shëndoshë e mirë nga Ramothi i Galaadit. Përshëndetja e nisjes nga ana e Mikajahut ishte: “Në rast se ti kthehesh shëndoshë e mirë, kjo do të thotë se Zoti nuk ka folur nëpërmjet meje”. Ashabi vendosi të ndërronte petkat para se të shkonte të luftonte, duke shpresuar se në këtë mënyrë do të shmangte fatkeqësinë e parashikuar nga Mikajahu. Jozafati, nga ana tjetër, do të vishte rrobat mbretërore, duke e nxjerrë veten në rrezikun të cilit Ashabi po përpiqej t’i shpëtonte. Kështu Ashabi u përpoq të vinte në lojë Zotin dhe mbretin e Sirisë, por “Perëndia nuk vihet dot në lojë, sepse ç’të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë” (Gal. 6:7). Ashabi u vra, por Jozafati shpëtoi. 22:31-36 Sirët kishin marrë urdhër të vrisnin mbretin e Izraelit; ky ishte qëllimi i tyre parësor ushtarak. Në fillim ata e morën Jozafatin për Ashabin. Mbreti i Judës lëshoi një ulërimë nga frika, mbase duke zbuluar identitetin e tij të vërtetë. Më pas Ashabin u godit midis sythave të parzmores të tij nga një shigjetë qorre dhe e tërhoqën nga luftimi. Ai u detyrua të qëndrojë në qerren e tij në mënyrë që ushtrinë e tij të mos e linte zemra. Kur vdiq në perëndim të diellit, lajmi u bë i njohur dhe ushtarët e tij u kthyen në shtëpitë e tyre. 22:37-40 Trupi i Ashabit u çua në Samari dhe u bë varrimi i tij. Qerren e tij të përlyer me gjak të tharë e lanënë një hauz të Samarisë (ku laheshin prostitutat) dhe qentë i lëpinin gjakun. Kjo ishte vetëm një përmbushje e pjesshme e profecisë së Elias (21:19); ndodhi në Samari dhe jo në Jezreel. Ngaqë Ashabi ishte përulur (21:29), Perëndia me dashamirësi e shtyu për më vonë përmbushjen e plotë deri tek i biri i mbretit, Jorami (2 i Mbreterve 9:25,26). Ashabi mori tre paralajmërime të veçanta profetike për vdekjen e tij. Njëri u shpall nga një profet anonim kur Ashabi nuk vrau Ben-Hadadin (20:42); një tjetër u dha nga Elia kur Ashabi mori vreshtin e Nabothit (21:19); dhe profecia e tretë u shpall nga Mikajahu në prag të betejës së radhës (v. 17-23).

M. Mbreti Jozafat i Judës (22:41-50)

Jozafati, bir i Asës, ishte mbreti i Judës për njëzet e pesë vjet (873/872 – 848 para K.). Në tre apo katër vitet e para, Jozafati mbretëroi së bashku me atin e tij, Asan. Ne tashmë kemi bërë një hyrje të Jozafatit në vargjet 2-4, ku ai lidhi një aleancë të turpshme me mbretin e lig të Izraelit dhe, si rezultat i kësaj gati sa nuk humbi jetën. Në përgjithësi, mbretërimi i tij qe i mirë. Më poshtë paraqiten disa cilësi domethënëse të administrimit të Jozafatit.
  1. Ai ndoqi shembullin e të atit duke luftuar idhujtarinë, edhe pse nuk qe i suksesshëm në çrrënjosjen e plotë (v. 43).
  2. Ai mbretëroi bashkë me të atin, Asën.
  3. Ai jetonte në paqe me Ashabin, mbretin e Izraelit (v. 44).
  4. Ai dëboi nga vendi prostitucionin e burrave (v. 46).
  5. Mbretëria e tij përfshinte vendin e Edomit (2 i Samuelit 8:14), ku e tregonte mbretërimin e tij me anë të një përfaqësuesi (v. 47). Biri i tij, Jehoram, më vonë humbi e Edomin përmes një revolucioni (2 i Mbreterve 8:20).
  6. Ai u lidh me Ashaziahun, birin e Ashabit, në një projekt ndërtimi anijesh në Etsion-Geber (2 i Kronikave 20:35,36). Plani i tyre ishte t’i dërgonin anijet në Ofir, që të kërkohej ar. Por anijet u shkatërruan para se të largoheshin nga porti (v. 48), pa dyshim nga një stuhi e fortë. Profeti Eliezer i tha Jozafatit se kjo ndodhi ngaqë Zoti nuk e kishte miratuar aleancën jo të shenjtë me Ashaziahun (2 i Kronikave 20:37). Kur Ashaziahu hodhi idenë e ripërtëritjes së projektit, Jozafati e hodhi poshtë (v. 49).

N. Mbreti Ashaziah i Izraelit (22:51-53)

Ashaziahu, biri i Ashabit, qe mbret i Izraelit për dy vjet (853 – 852 para K.; krahasoni 2 i Mbreterve 1:1-18). Mbretërimi i Ashaziahut ishte një ndër kohët më të mëdha me idhujtari dhe paudhësi. Nëna e tij, Jezebeli, pa dyshim e ka nxitur në paperëndishmëri, ashtu siç kishte shtyrë atin e tij. Ai adhuroi Baalin duke shkaktuar zemërimin e Zotit, Perëndisë së Izraelit. Fëmijët janë pasqyra e prindërve. Nuk ka një mbyllje formale të Librit të Parë të Mbretërve, meqë 1 dhe 2 e Mbretërve ishin më parë një libër i vetëm dhe ndarja u bë thjesht për lehtësi. Libri i Dytë i Mbretërve vazhdon rrëfimin nga kjo pikë.
BIBLIOGRAFI
Gates, John T. “1 Kings”. The Wycliffe Bible Commentary. Chicago: Moody Press, 1962. Henry, Matthew. “1 and 2 Kings”, te Matthew Henry’s Commentary on the Whole Bible. Vëll. 2. Jamieson, Robert, “1 and II Kings”. A Commentary, Critical, Experimental and Practical on the Old and New Testaments. Botimi i tretë. Grand Rapids. Zondervan Publishing House, 1983. Jensen, Irving L. I Kings with Chronicles. Chicago: Moody Press, 1968. Keil, C. F. “The Books of Kings”. Biblical Commentary on the Old Testament. Vëll. 8. Grand Rapids: Wm. B. Eerdmans Publishing Co., 1971. Lumby, J. R. The Cambridge Bible for Schools and Colleges, The First Book of the Kings. Londër: C. J. Clay and Sons, 1980. McNeely, Richard I. First & Second Kings. Everyman’s Bible Commentary. Chicago: Moody Press, 1978. Stigers, Harold. “II Kings”. The Wycliffe Bible Commentary. Chicago: Moody Press, 1962. Thiele, Edwin R. A Chronology of the Hebrew Kings. Grand Rapids: Zondervan Publishing House, 1977. Thiele, Edwin R. The Mysterious Numbers of the Hebrew Kings. Botim i riparë, Chicago: University of Chicago Press, 1983. Whitcomb, J. C., i riu. Solomon to the Exile. Grand Rapids: Baker Book House, 1975.
[previous][next]
[[10]] Shikoni bibliografinë për hollësi të mëtejshme.[[10]] [[11]] (13:33,13) Irving L. Jensen, I Kings with Chronicles, f. 80,81.[[11]] [[12]] (14:14-16) Fjala e përkthyer zabel te versioni KJ është fjala hebraike e përkthyer ashtu siç duhet Asherim.[[12]] [[13]] (18:30-35) George Williams, The Student’s Commentary on the Holy Scriptures, f. 195.[[13]] [[14]] (19:9-14) George Williams, The Student’s Commentary on the Holy Scriptures, f. 196.[[14]] [[15]] (19:15-18) Elia mund ta ketë drejtuar pasuesin e tij, Eliseun, për të përmbushur urdhrin e Zotit për të vajosur Hazaelin dhe Jehun, meqë këto vajosje ndodhën pas rrëmbimit të Elias (2 i Mbreterve 8:7 e vargjet në vazhdim; 9:1 e vargjet në vazhdim). Eliseu ishte i vetmi nga të tre të cilin Elia e vajosi personalisht.[[15]] [[16]] (20:35,36) Henry, “1 Kings”, II: 692,693.[[16]] [[17]] (20:37-43) G. Campbell Morgan, Searchlights from the Word, f. 100.[[17]]