Mbretërimi i Saulit deri te refuzimi i tij (1 Samuelit 10-15)

A. Vajosja dhe miratimi (kapitujt 10,11)

10:1-6 Privatisht Samueli e vajosin Saulin si sundues të Izraelit duke derdhur vaj mbi kokën e tij. Priftëria ishte përuruar me vajosje (Lev. 8:12) dhe tani mbreti i parë u vajos në të njëjtën mënyrë. Një ceremoni publike do të vijonte më pas. Tri shenja u dhanë për të miratuar fjalën e Zotit ndaj Saulit: 1. Dy njerëz do ta takonin atë te varri i Rakelës dhe do t’i thoshin se gomerët e të atit u gjetën; 2. Tre njerëz do ta takonin pranë një lisi në Tabor, një rrugë për në Bethel dhe do t’i jepnin atij tri bukë; 3. Kur ai do të ngjitej kodrinën e Perëndisë” dhe do të takonte një grup profetësh…, Fryma e Zotit do ta ngarkonte dhe ai do të bënte profeci. 10:7-9 Pasi ndodhën tërë këto shenja, Sauli duhej të shkonte në Gilgal dhe të priste shtatë ditë që të vinte Samueli për të ofruar flijimin. Tërë shenjat te vargjet 2-6 ndodhën po të njëjtën ditë; ngjarjet në Gilgal ndodhën më vonë (13:7-15). Nuk duhet të dalim në përfundimin, nga vargun 9, se Sauli ishte i kthyer me të vërtetë. Në fakt, ai ishte një njeri sipas mishit, ashtu siç e tregon historia e tij të mëvonshme. Ai u aftësua për pozitën e tij zyrtare si sundues i popullit të Perëndinë me anë të Frymës së Shenjtë, edhe pse nuk e njihte Perëndinë si Zot dhe Shpëtimtar. Me fjalë të tjera, ai ishte njeriu zyrtar i Perëndisë, edhe pse ne nuk besojmë se ishte një besimtar i vërtetë {{8}}. 10:10-16 Profetët ishin njerëz të përkushtuar dhe të zellshëm dhe ishte për t’u çuditur që ata panë Saulin të profetizonte midis profetëve. Kjo bëri të dalë proverbi: “Është edhe Sauli midis profetëve?”. Ishte një surprizë që Sauli të ndërmerrte një veprimtari që nuk ishte në natyrën e tij, kjo u bë një mënyrë e zakonshme të shprehuri. Ungji i Saulit (jo babai i tij, ashtu siç do të mendonim) e pyeti për bisedën me Samuelin. Sauli përmendi vizitën e tij me Samuelin, por nuk i tregoi se ai e kishte vajosur fshehurazi si mbret. 10:17-19 Ndërkohë, Samueli mblodhi popullin në Mitspah për të shpallur emërimin e mbretit. Para se të bënte shpalljen, ai u përsëriti atyre se kërkesa e tyre për një mbret ishte një mospranim i Perëndisëi nxori ata nga Egjipti dhe i çoi në Tokën e Premtuar. Kur Sauli u zgjodh, ai po fshihej nga thjeshtësia apo frika. Methju Henri na jep katër arsye pse Sauli mund të ketë pasur frikë:
  1. Sepse ai vetë ishte i vetëdijshëm për papërshtatshmërinë e një besimi kaq të madh. 2. Sepse do të nxiste zilinë e fqinjve të tij që ishin keqdashës ndaj tij. 3. Sepse ai e kuptoi, nga ajo që Samueli kishte thënë, se populli mëkatoi duke kërkuar një mbret dhe ishte i zemëruar sepse Perëndia lejoi kërkesën e tyre. 4. Sepse çështjet e Izraelit në këtë kohë ishin në një gjendje të keqe: filistenjtë ishin të fortë, amonitët kërcënues, dhe ai në të vërtetë duhej të ishte i guximshëm për të filluar së lundruari në këtë kohë me stuhi {{9}}.
10:20-27 Sauli doli në pah dhe u paraqit para njerëzve si mbreti i tyre. Një mostër më e mirë fizike zor se mund të gjendej në tërë Izraelin. Disa njerëz trima u bashkuan me Saulin dhe e shoqëruan atë për në shtëpinë e tij në Gibeah, por jo të gjithë u vunë furishëm pas mbretit të vet. Sauli zgjuarsisht nuk tha asnjë fjalë para atyre njerëzve që nuk vlenin asgjë dhe që e përçmuan. 11:1-5 Jabesh Gileadi ishte një qytet në pjesën lindore të lumit Jordan në territorin që i përkiste Gadit. Kur amonitët, fqinjët në juglindje, rrethuan qytetin, banorët kërkuan kushtet e dorëzimit. Por Nahashi donte t’i gjymtonte dhe bëri me ta një kushtIzrael për të nxjerrë syrin e tyre të djathtë. Çuditërisht, bijtë e Amonit i lejuan pleqtë e Jabeshit që të dërgonin njerëz për të kërkuar ndihmë. Mbase Nahashi nuk ishte i përgatitur plotësisht, ose nuk besonte se pjesa tjetër e Izraelit do ta ndihmonte Jabeshin. Lajmëtarët u dërguan në Gibeah, ku Sauli po punonte akoma në arë. Ishte koha e duhur që ta shpallte veten si mbreti i ri i Izraelit! 11:6-11 Me mësimin e drejtë, gjallërisht kërcënues, të një zgjedhe druri qesh, Sauli i bëri thirrje kombit për t’u bërë gati për luftë. Tmerri i Zotit e zuri popullin. Izraeli dhe Juda rreshtuan 330.000 njerëz të fortë në Bezek dhe marshuan tërë natën drejt Jabeshit, ku i grinë tërë amonitët. 11:12-15 Të mbushur me fitore, populli donte të vriste tërë ata që formalisht nuk e kishin pranuar sundimin e Saulit. Por Sauli me mençuri i ndali ata. Fakti që Zoti i kishte dhënë fitoren mjaftonte për të. Samueli thirri njerëzit për një takim solemn në Gilgal dhe mbretëria e Saulit u ripërtëri në një shkallë kombëtare. Këtë herë nuk pati kundërshtime. Gilgali flet për një ripërtëritje frymërore (Joz. 5:9).

B. Qortimi dhe padia ndaj popullit (kapitulli 12)

12:1-13 Pas ceremonisë për të ripërtërirë mbretërinë në Gilgal, Samueli i foli tërë Izraelit. Ai, para së gjithash, i kujtoi për sundimin e tij të drejtë si gjyqtar. Askush nuk mund ta padiste për padrejtësi. Por ndërsa i kërkuan një mbret, Izraeli po e refuzonte këtë sundim dhe sundimin e Perëndisë mbi ta. Zoti ishte treguar plot hir në të shkuarën, duke i nxjerrë çlirimtarë kur kishin nevojë. “Bedani” në vargun 11 mbase i referohet Barakut (versionet NKJV, LXX dhe sirian) {{10}}. Samueli e vuri veten në radhën e çlirimtarëve që fillonin nga Moisiu. Por Izraeli ishte mosmirënjohës për këto mirësi të shkuara dhe kërkuan një mbret. Zoti që vepronte me anë të gjyqtarëve të Tij nuk mjaftonte për ta, kështu që Ai u dha Saulin. 12:14-18 Duke kërkuar një mbret, ata kryen një mëkat të madh. Por, në qoftë se ata do t’i bindeshinZotit, edhe tani Ai do t’i bekonte. Në rast se nuk i bindeshin, ata do të përjetonin zemërimin e Tij. Si një prove solemne, Samueli u lut për një bubullimë të madhe, si shenjë e dukshme nga Perëndia, sepse nuk ishte stina për një stuhi të tillë në kohën e korrjes dhe një çast i mirë që të mos mendohej si rastësi e natyrës. 12:19-25 Një frikë rrënqethëse kapi popullin dhe ata iu përgjëruan Samuelit që të lutej për ta. Lutja e tij kishte sjellë gjykimin; ajo gjithashtu mund të sillte mirësinë. Këtyre ai iu përgjigj me një kërkesë tjetër për të ndjekur Zotin, gjë që ishte rruga për të shmangur gjykimin. Sa për të, ai nuk mund të ndalte së luturi për ta; po të reshte, do të bënte mëkat. Ky pohim i rëndësishëm tregon se nëse nuk lutemi bëjmë mëkat dhe nuk është thjesht moskokëçarje.

C. Mosbindja dhe refuzimi (kapitujt 13-15)

1. Mëkati i Saulit i flijimit të gabuar (kapitulli 13) 13:1 Ka vështirësi të dukshme në vargun 1, ashtu siç mund të duken nëse lexojmë vargun në versione të ndryshme. Versionet KJ dhe NKJ shkruajnë: “Sauli mbretëroi një vit; dhe mbase mbretëroi dy vjet mbi Izraelin…”. Versioni ER shkruan: “Sauli ishte tridhjetë vjeç kur filloi të mbretërojë dhe ai mbretëroi dy vjet mbi Izraelin…”. Versioni RS pohon: “Sauli ishte… vjeç kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi… dy vjet mbi Izraelin”. Versioni NASB shkruan: “Sauli ishte dyzet vjeç kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi tridhjetë e dy vjet mbi Izraelin”. Në disa dorëshkrime të Septuagintës thjesht mungon tërë vargu që përbën një problem! Shpjegimi më i përafërt për këtë pështjellim është se disa shkronja janë hequr nga teksti hebraik nga kopjues të shkujdesur në shekujt e mëvonshëm {{11}}. Ne e dimë se Sauli ishte burrë i pjekur kur mori pushtetin, sepse djali i tij, Jonathani, ishte aq i rritur sa të shkonte në luftë. 13:2-5 Sauli kishte formuar një ushtri të fortë prej tre mijë ushtarësh. Jonathani mori një njësi trupash dhe me sukses mundi garnizonin e filistenjvenë Geba, në veri të Jerusalemit. Kjo i nxiti filistenjtë të përgatisnin një ushtri të madhe për një luftë me të gjitha forcat (disa përkthime, duke ndjekur dorëshkrimet siriane dhe të Septuagintës, shkruajnë 3.000 qerre në vargun 5, një numër më i përafërt për t’u përshtatur me gjashtë mijë kalorës) {{12}}. 13:6-9 Izraelitët iu kundërpërgjigjën sfidës me një frikë të madhe, ngaqë disa u larguan drejt Jordanit. Ata kishin qenë nën zgjedhë për një kohë kaq të gjatë saqë dukej gati e pamundur të ishin të lirë; filistenjtë zotëronin çdo përparësi. Ndërsa Sauli priste SamuelinGilgal (shikoni 10:8), gjithnjë e më tepër njerëz nuk po i përgjigjeshin thirrjes. Filloi dita e shtatë, por akoma Samueli nuk po dukej. Duke parë forcat e tij që po zvogëloheshin dhe duke parë luftën kërcënuese, Sauli u shty nga rrethanat që të ofronte vetë olokaustin, edhe pse nuk kishte pushtet ta bënte një gjë të tillë, duke mos qenë levit. Edhe pse Samueli po vonohej, kjo nuk përligjte Saulin që të ndërmerrte një detyrë priftërore. 13:10-14 Menjëherë pas kësaj vjen Samueli, duke kuptuar atë që kishte bërë Sauli. Ajo që mund të dukej si një shfajësim i vlefshëm nuk e ndryshonte faktin se Sauli nuk i ishte bindur Perëndisë. Për këtë ai do të humbiste mbretërinë. Perëndia tashmë kishte gjetur një njeri tjetër, një njeri simbas zemrës së Tij. Ky ishte i pari ndër mëkatet e shumta në jetën e Saulit që çuan në humbjen e fronit të Izraelit. Mëkatet e tjera qenë: betimi i nxituar (kapitulli 14); kursimi i jetës së Agagut dhe pjesa më e mirë e plaçkës në betejën me amalekitët (kapitulli 15); vrasja e Ahimelekut dhe e tetëdhjetë priftërinjve të tjerë (kapitulli 22); përpjekjet e tij të përsëritura për të vrarë Davidin (kapitujt 18-26) dhe këshillimi me një shtrigë në En-Dor (kapitulli 28). 13:15-23 Sauli mori gjashtëqind vetat e tij dhe u bashkua me JonathaninGibeah. Filistenjtë ishin vendosur disi më lart, në Mikmash, filluan të dërgonin cuba në veri, perëndim e lindje dhe Izraeli dukej i pafuqishëm t’i ndalonte. Filistenjtë kishin pasur një kontroll të plotë për një kohë të gjatë, aq sa kishin hequr çdo kovaçIzrael. Hebrenjtë duhej të shkonin tek ata për të mprehur veglat e tyre të punës. Vetëm disa njerëz kishin shpata. Me të vërtetë gjërat dukeshin të zymta. 2. Betimet e nxituara të Saulit (kapitulli 14) 14:1-15 Duke parë mosndërhyrjen e babait të tij, Jonathani iku fshehurazi me shqyrtarin e tij për të sulmuar filistenjtë. Kjo nuk ishte një hile e pakujdesshme apo një mision i marrë vetëvrasës. Jonathani priste nga Perëndia që të siguronte një fitore të madhe. Nuk kishte rëndësi nëse ata ishin vetëm dy vetë. Besimi i Jonathanit ishte: “Asgjë nuk e pengon Zotin të sigurojë shpëtimin me shumë ose me pak njerëz“. Besimi i Jonathanit do të shpërblehej. Perëndia i tregoi atij se ai do të dilte fitimtar kur filistenjtë do ta ftonin, mbase duke menduar se ishte një dezertor. Sapo filistenjtë thanë: “Ejani te ne…”, Jonathani u ngjit te garnizoni i tyre dhe la të vdekur njëzet prej tyre. Ndërsa të mbijetuarit u larguan, Perëndia dërgoi një tërmet që shkaktoi pështjellim të madh në kampin e filistenjve. Besimi i shfaqur nga Jonathani (v. 6) dhe i shqyrtarit të tij (v. 7) ishte gjithçka për të cilën kishte nevojë Perëndia që të merrej me filistenjtë. Sa keq që marrëzia e Saulit zvogëloi frytet e fitores! 14:16-23 Rojet e Saulit vunë re pështjellimin dhe ia treguan atij. Kur u bë apeli, mungonin Jonathani dhe shqyrtari i tij. Sauli menjëherë thirri priftin Ahija për të afruar arkën në mënyrë që të pyeste Zotin (Versioni NKJ, duke ndjekur versionin Septuagint, shkruan efodin në vend të arkës {{13}}. Arka mbase ndodhej në Kiriath Jearim). Por Sauli menjëherë ndërroi mendjen kur rrëmuja e zhurmshme midis armikut u rrit; ai i tha priftit të hiqte dorën e tij – pra, të ndalte së kërkuari vullnetin e Perëndisë (v. 19). Ai mblodhi forcat e tij, i bindur se nuk kishte nevojë për drejtimin hyjnor për të ditur nëse Zoti do t’i dorëzonte filistenjtë në duart e tij. Të tjerë kanë vënë re gjithashtu se Perëndia po luftonte për Izraelin. Ata hebrenj që kishin qenë më parë me filistenjtë u kthyen kundër të zotërve të tyre dhe madje izraelitët që ishin fshehur në zonën malore të Efraimit morën guxim të ri për t’u bashkuar në betejë. Çdo njeri kërkon të luftojë kur fitorja është gati e siguruar, por ku janë Jonathanët për të bërë përballjen fillestare? 14:24-30 Për të siguruar suksesin e menjëhershëm, Sauli, me nxitim, i kishte bërë ushtarët e tij të betoheshin që të mos hanin deri para mbrëmjes, kur të mbaronte beteja. Ai e vulosi urdhrin e tij me një mallkim. Uria i lodhi ata njerëz dhe kjo qe një pikë e dobët për ta. Duke mos e ditur dekretin e të atit, Jonathani hëngri pak mjaltë për të rifituar forcat. Kur i thanë për mallkimin, ai u trishtua sepse triumfi i Izraelit do të pengohej nga një urdhër i tillë i marrë. 14:31-42 Detyrimi i Saulit jo vetëm zemëroi Jonathanin, por zemëroi edhe popullin. Kur lufta mbaroi, ata u hodhën mbi plaçkën, vranë gjënë e gjallë dhe i hëngrën pa u mpiksur gjaku, duke shkelur ligjin e Levitikut 17:10-14 dhe LiP. 12:23-25. Kur Sauli e dëgjoi këtë, i qortoi ata dhe ngriti një gur të madh atje ku duheshin sjellë kafshët dhe të vriteshin. Ai gjithashtu ndërtoi një altar, ky ishte altari i parë i tij. Por Perëndia nuk tha asnjë përgjigje. Kjo bëri që Sauli të mendonte se kishte mëkat në kamp. Ashtu siç bëhej në këto raste, u hodh shorti dhe për çudinë e Saulit, u caktua Jonathani, pra, duke qenë fajtori nga mënyra se si u hodh shorti. 14:43-46 Jonathani shpjegoi se çfarë kishte ndodhur dhe Sauli, për të mos iu nxirë faqja, urdhëroi ta vrisnin. Por populli tregoi më tepër dhembshuri sesa mbreti i tyre. A nuk kishte vepruar bashkë me Perëndinë Jonathani për të siguruar këtë fitore të madhe? Si mund të zemërohej Perëndia me të ngaqë kishte shkelur mallkimin e Saulit, kur Ai e kishte përdorur aq fuqishëm në betejë? Jo, Jonathani nuk vdiq. Kështu heroi shpëtoi nga një vdekje e pamerituar. Por, ndërsa Sauli ndërmori një marrëzi të tillë të panevojshme, filistenjtë u larguan. Për të dytën herë mungesa e diturisë nga ana e tij kishte zvogëluar fitoren e tij. 14:47-52 Vargjet 47 dhe 48 përmbledhin disa nga fitoret ushtarake të Saulit. Tre vargjet pas tyre japin hollësi rreth familjes së tij. Vargu i fundit është një përmbushje e parathënies së Samuelit se mbreti do të thërriste bijtë trima të Izraelit në shërbimin ushtarak (1 Sam. 8:11). 3. Bindja e pjesshme e Saulit (kapitulli 15) 15:1-3 Sauli ishte në një rrëshqitje për poshtë dhe përshpejtuese ndërsa i afrohej fundit. Pavarësisht nga ajo që i ishte thënë të bënte, ai kishte mangësi në bindjen e plotë. Në këtë kapitull ai u urdhërua nga Perëndia të shfaroste amalekitët – kombin që i kishte prerë rrugën në mënyrë të pamëshirshme hebrenjve kur u larguan nga Egjipti… në rrugën për në Kanaan (LiP. 25:17-19). Urdhri ishte tepër i qartë: çdo gjë që merrte frymë duhej të shfarosej; kjo i ishte përkushtuar Perëndisë. Dhembshuria e Perëndisë e kishte duruar popullin e Amalekut për vite me radhë, por fjala e Tij kundër tyre nuk kishte ndryshuar (Eksodi 17:14-16; Num. 24:20). Ata duhej të shfaroseshin si ndëshkim për mëkatet e tyre. 15:4-11 Sauli thirri një ushtri dhe marshoi drejt jugut në qytetin e Amalekut. Para se të sulmonte, ai paralajmëroi kenenjtë të largoheshin, sepse këta madianitë nomadë ishin treguar të mëshirshëm ndaj Izraelit gjatë eksodit. Ky veprim tregonte se Sauli nuk ishte thjesht i interesuar për masakrën; për më tepër, ai po ekzekutonte hakmarrjen e Zotit mbi një popull të lig. Ai shpartalloi plotësisht amalekitët dhe kaloi çdo gjë në shpatë përveç mbretit dhe pjesën më të mirë të plaçkës (një pjesë e mbetur, mbase që jetonin në një vend tjetër, mbijetuan gjithashtu – shikoni 30:1-6; 2 i Samuelit 8:12; 1 i Kronikave 4:43). Shumë kilometra larg Zoti informoi Samuelin për mosbindjen e Saulit. Kjo e shqetësoi me të madhe Samuelin dhe bëri që të kalonte natën në lutje. Në mëngjes ishte e qartë se çfarë duhej të bënte. 15:12-35 Në rrugën për në Gilgal Sauli u ndal dhe ndërtoi një monument, duke kremtuar fitoren e tij. Por Samueli i pa gjërat ndryshe dhe e sfidoi Saulin për mosbindjen. Sauli nuk ia përtonte për justifikime, por zhurma e dështimit të tij arriti te veshët e profetit dhe justifikimet e Saulit ngelën në mes të rrugës. I hedhur poshtë! Sauli e kishte dëgjuar këtë më parë (13:14). Kjo u përsërit me një forcë tronditëse. Sauli po i kufizonte përsëri urdhrat e Zotit, duke bërë atë që i dukej atij më mirë, në vend të asaj që Perëndia kishte thënë se ishte më e mira. Ai bëri një shfaqje pendimi dhe iu lut Samuelit që të mos e braktiste. Ai madje grisi mantelin e profetit kur ky u përpoq të largohej. Edhe kjo ishte një shenjë se mbretëria do të grisej nga Sauli dhe do t’i jepej një tjetri. Pasi shoqëroi Saulin për të rënë përmbys përpara Zotit, Samueli dërgoi të sillnin Agagun. Duke menduar se do t’i kursehej jeta, Agagu shkoi tek ai me qejf, duke thënë: “Me siguri hidhërimi i vdekjes ka kaluar”(v. 32). Samueli më pas e preu copë-copë me shpatë. Gjyqtari plak kishte një gur në zemër për tërë jetën e tij për shkak të dështimit të Saulit. Në një farë kuptimi, edhe Perëndia u pendua që e kishte bërë Saulin mbret të Izraelit. Duhet ta mësojmë përmendësh vargun 22. Ky është një varg klasik në Fjalën e Perëndisë. Bindja në fillim, e fundit dhe përgjithmonë. Kjo është parulla e atyre që duan t’i shërbejnë dhe t’i pëlqejnë Zotit. Erdmani komenton: Në fjalët që vijojnë: Bindja është më e mirë se flijimi, mendimi merr një drejtim të ri: përveç asaj që pëlqehet nga Perëndia, vetëm një gatishmëri bindëse e mendjes është në vetvete diçka e mirë; oferta pa një gatishmëri të tillë nuk është një gjë e mirë, nuk ka vlerë morale… Kështu, mosbindja, rebelimi që rrjedh nga ajo dhe vetëvarësia mospërfillëse është e ngjashme në thelb, qëndron në të njëjtin plan moral, me ligësinë e brendshme të magjisë, pra, me “yshtjen në shërbimin e fuqive djallëzore kundër perëndishmërisë” (Kail) dhe idhujtarisë {{14}}. Vargu 29 e 35 duken sikur kundërshtojnë njëri-tjetrin. Vargu i parë thotë se Perëndia nuk e ndërron mendjen e Tij ose nuk pendohet, ndërsa i dyti thotë se Ai u pendua që e kishte bërë Saulin mbret. Vargu 29 përshkruan Perëndinë në karakterin e Tij thelbësor. Ai është i pandryshueshëm dhe i patjetërsueshëm, Ai që nuk ndërron mendje. Vargu 35 nënkupton se një ndryshim në sjelljen e Saulit kërkonte një ndryshim përkatës në planet dhe qëllimet e Perëndisë ndaj tij. Për të çuar në vend atributet e Tij, Perëndia duhet të bekojë bindjen dhe të ndëshkojë mosbindjen.
[previous][next]
[[8]] (10:7-9) Disa studiues ungjillorë e mbajnë Saulin për një besimtar, por që më vonë u bë zemërpërdalë dhe pastaj i metë. Ata argumentojnë se nuk mund të ndodhë që Perëndia të zgjedhë një njeri të parilindur për të qenë mbreti i parë i popullit të Tij të zgjedhur.[[8]] [[9]] (10:17-19) Matthew Henry, “I Samuel”, te Matthew‘s Commentary on the Whole Bible, II:334,335.[[9]] [[10]] (12:1-13) Emrat Bedan dhe Barak duken shumë të ngjashme në tekstet e lashta. “D”-ja (dalet) dhe “r”-ja (resh) hebraike zakonisht ngatërrohen gjatë kopjimit, po ashtu edhe format përfundimtare të “n”-së (nun) dhe “k”-së (kaph).[[10]] [[11]] (13:1) Një pjesë e mirë e problemeve të dorëshkrimeve të DhV kanë të bëjnë me sistemin hebraik të numrave, të cilët keqkopjoheshin lehtë. Shikoni komentin e librave të Kronikave për më tepër hollësi për këtë pikë.[[11]] [[12]] (13:2-5) Shikoni shënimin e mësipërm.[[12]] [[13]] (14:16-23) Versioni i vjetër ER i vitit 1885 shkruan: “Sill këtu efodin: sepse ai veshi efodin në atë kohë para Izraelit”.[[13]] [[14]] (15:13-35) Christian F. Erdmann, “The Books of Samuel”, në Lange’s Commentary on the Holy Scriptures, Critical, Doctrinal and Homiletical, III:209.[[14]]