Përsa i përket tërheqjes së vëmendjes, Libri i Parë i Samuelit është i pashoq. Ai jo vetëm rrëfen historinë plot ngjarje, por është edhe një histori plot ngjarje e ndërthurur me biografinë e tre personaliteteve shumëngjyrëshe – e Samuelit, Saulit dhe Davidit: dhe rreth këtyre të treve grupohen kapitujt e tij.J. Sidlow Baxter
I. Vendi unik në Kanun
Pa Librin e Parë dhe të Dytë të Samuelit do të kishim një hallkë të këputur në kanunin e DhV. Në fillim ishte një libër i vetëm, më pas, fillimisht, Samueli u nda në përkthimin Septuagint në dy pjesë për lehtësi. Që nga ajo kohë e deri tani, çdo version i DhV, duke përfshirë edhe botimin e biblave hebraike, ka ndjekur këtë rregull.
Miliona judenj dhe të krishterë të panumërt janë magjepsur dhe ndërtuar nga historitë e Samuelit, Davidit dhe Goliathit, Davidit dhe Jonathanit, largimit të Davidit nga Sauli, mirësia e tij ndaj Mefiboshethit dhe brenga e tij për rebelimin dhe vdekjen e Absalomit.
Në një nivel më të lartë doktrinor, më tepër lexues të pjekur kanë studiuar besëlidhjen me Davidin dhe ngjashmëritë e frikshme të mëkatit të Davidit me Bath-Shebën, që u shfaqën midis bijve e tij.
Libri i Parë dhe i Dytë i Samuelit mbush hapësirën midis gjyqtarëve dhe vendosjes së plotë të gjenealogjisë mbretërore të Davidit. Këta libra zënë një vend të përveçëm në historinë e Izraelit.
II. Autorësia
Ndërsa tradita judaike e quan Samuelin autor të librit, i cili tashmë ndahet në I Pari dhe I Dyti i Samuelit, kjo autorësi mund të vlejë vetëm për ngjarjet gjatë jetës së tij (1:1 – 25:1){{1}}. Ka shumë ngjarje në kapitujt e fundit të Librit të Parë Samuelit dhe në gjithë Librin e Dytë të Samuelit që ndodhën pas vdekjes së Samuelit.
Ka gjasa që një nga profetët e rinj, që studioi me Samuelin kur ky i fundit shkroi librin, ka shtuar shkrimet e mësuesit të tij. Një mundësi tjetër është që Abiathari, një prift që e kishte zakon të ruante historitë e përpikta, ta ketë përpiluar librin. Ai kishte lidhje të ngushta me karrierën e Davidit dhe mbase kaloi një kohë me të kur ishte në mërgim.
III. Data
Data e librave të Samuelit është e pamundur të jepet me saktësi. Pjesa e hershme mund t’i përkasë afërsisht vitit 1000 para K. Fakti që nuk përmendet fare robëria e Izraelit (viti 722 para K.) me siguri nënkupton një datë para kësaj ngjarjeje. Disa besojnë se referimi i “Izraelit” dhe i “Judës” nënkupton një datë pas vitit 931 para K., kur mbretëria u nda në këto dy pjesë. Sidoqoftë, terma të tillë mund të jenë përdorur fare thjesht para ndarjes politike, ashtu si ndodhi në historinë amerikane kur termat “Jenkis” (Yankees) [njerëzit nga veriu] dhe “Sauthrëns” (Southrons) [njerëzit nga jugu] u përdorën para shkëputjes së vitit 1861.
IV. Sfondi dhe tema
Libri i Parë dhe i Dytë i Samuelit përmban marrëveshjet e Perëndisë me Izraelin, nga shekulli i dymbëdhjetë deri tek i dhjeti para K. Samueli (profeti-gjyqtar), Sauli (mbreti i refuzuar) dhe Davidi (bariu-mbret) janë personazhet kryesorë rreth të cilëve vërtitet rrëfimi.
Samueli u rrit nga Perëndia për të mbyllur periudhën e gjyqtarëve dhe për të përuruar epokën e mbretërve. Ai jetoi në një ditë në të cilën pa dështimin e priftërisë (përfaqësuar nga Eli dhe bijtë e tij) dhe futjen e shërbesës profetike. Vetë Samueli ishte gjyqtari i fundit, i pari nga profetët e kësaj periudhe (jo profeti i parë i Shkrimit – Zanafilla 20:7) dhe njeriu që vajosi mbretin e parë. Edhe pse një levit, ai nuk ishte nga familja e Aaronit; megjithatë ai shërbeu si prift me anë të miratimit të Perëndisë. Zemra e tij ishte e pastër dhe e përkushtuar; zemra e Elit ishte e ndotur dhe mosbindëse.
Tema e librave të Samuelit është se si Perëndia, Mbreti i vërtetë i Izraelit, me kërkesën e popullit, i dha sovranitetin mbretëror së pari Saulit dhe më pas Davidit dhe trashëgimtarëve të tij. Juxhin Merili (Eugene Merrill) i lidh këto tema me temën e tërë Biblës:
Gjithashtu nëpërmjet shtëpisë mbretërore të Davidit u mishërua Biri i tij më i madh, Jezus Krishti. Krishti në mënyrë të përsosur ushtroi mbretërinë në jetën e Tij dhe siguroi me vdekjen dhe ringjalljen e Tij bazën, sipas së cilës tërë njerëzit që besojnë mund të mbretërojnë me Të dhe nëpërmjet Tij (2 i Samuelit 7:12-16; Psa. 89:36-37; Isa. 9:6){{2}}.
PARAQITJE E PËRGJITHSHME
I. SHËRBESA E SAMUELIT DERI TE VAJOSJA E SAULIT (kapitujt 1-9)
A. Lindja dhe fëmijëria e Samuelit (kapitulli 1)
B. Kënga e Anës (2:1-10)
C. Eli dhe bijtë e tij të ligj (2:11-36)
D. Thirrja e Samuelit (kapitulli 3)
E. Arka e Perëndisë (kapitujt 4-7)
1. Rrëmbimi i Arkës (kapitulli 4)
2. Fuqia e Arkës (kapitulli 5)
3. Rikthimi i Arkës (kapitujt 6,7)
F. Kërkesa për një mbret dhe zgjedhja e tij (kapitujt 8,9)
II. MBRETËRIMI I SAULIT DERI TE REFUZIMI I TIJ (kapitujt 10-15)
A. Vajosja dhe miratimi (kapitujt 10,11)
B. Qortimi dhe padia ndaj popullit (kapitulli 12)
C. Mosbindja dhe refuzimi (kapitujt 13-15)
1. Mëkati i Saulit i flijimit të gabuar (kapitulli 13)
2. Betimet e nxituara të Saulit (kapitulli 14)
3. Bindja e pjesshme e Saulit (kapitulli 15)
III. JETA E DAVIDIT DERI TE VDEKJA E SAULIT (kapitujt 16-30)
A. Vajosja nga Samueli (16:1-13)
B. Shërbimi ndaj Saulit (16:14-23)
C. Mundja e Goliathit (kapitulli 17)
D. Martesa me Mikalin (kapitulli 18)
E. Largimi nga Sauli (kapitujt 19-26)
1. Besnikëria e Jonathanit (kapitujt 19,20)
2. Mirësia e Ahimelekut ndaj Davidit (kapitulli 21)
3. Largimi i Davidit dhe vrasja e priftërinjve nga Sauli (kapitulli 22)
4. Tradhtia e Kejlahut (kapitulli 23)
5. Kursimi i jetës së Saulit (kapitulli 24)
6. Çmenduria e Nabalit (kapitulli 25)
7. Kursimi i dytë i jetës së Saulit (kapitulli 26)
F. Banimi në Filisti (kapitujt 27-30)
1. Pranimi i Tsiklagut (kapitulli 27)
2. Rrënimi i paracaktuar i Saulit (kapitulli 28)
3. Shkarkimi i Davidit nga Akishi (kapitulli 29)
4. Mundja e amalekitëve (kapitulli 30)
IV. VDEKJA E SAULIT (kapitulli 31)