5:23 Tani Pali lutet për shenjtërimin e të krishterëve. Burimi është Perëndia i paqes. Fusha e veprimit gjendet në fjalën tërësisht, që do të thotë “çdo pjesë e qenies tonë”.
Ky varg është përdorur nga dikush për të vërtetuar doktrinën e “Shenjtërisë”, të tërë shenjtërimit – që një besimtar mund të bëhet i përsosur pa mëkat në këtë jetë. Megjithatë, nuk është ajo që nënkupton Pali kur lutet Perëndia i paqes ju shenjtëroftë ai vetë tërësisht. Ai nuk po lutet për çrrënjosjen e natyrës së mëkatit, por më tepër që shenjtërimi të shtrihet në çdo pjesë të qenies së tij – fryma, shpirti e trupi.
SHENJTËRIMI
Ka katër faza të shenjtërimit në DhR – shenjtërimi para kthimit, ai pozicional, ai praktik apo rritës dhe ai i përsosur.
1. Edhe para se dikush të shpëtohet ai vendoset në një pozicion privilegji të jashtëm. Prandaj ne lexojmë te 1 Korintasve 7:14 që një burrë jobesimtar shenjtërohet nga gruaja besimtare. Ky është shenjtërimi para kthimit.
2. Kur dikush lind sërish, ai shenjtërohet për (në) pozicion me anë të virtytit të bashkimit të tij me Krishtin. Kjo do të thotë se ai është veçuar për Perëndinë nga bota. Kjo na paraqitet në pjesë të tilla si: Veprat e Apostujve 26:18; 1 e Korintasve 1:2; 6:11; 2 Thes. 2:13; Heb. 10:10,14.
3. Por është edhe shenjtërimi rritës. Ky është një veçim i tashëm i besimtarit për Perëndinë nga bota, mëkati dhe vetja. Ky është procesi që ai bëhet më i ngjashëm me Krishtin. Ky është shenjtërimi për të cilin Pali po lutet këtu për thesalonikasit. Kjo gjendet edhe te 1 Thes. 4:3,4; 2 Tim 2:21. Ai vjen me anë të Frymës së Shenjtë kur ne i bindemi fjalës së Perëndisë (Gjon. 17:17; 2 Kor. 3:18). Një shenjtërim i tillë praktik është një proces që duhet të vazhdojë për aq kohë sa besimtari është në tokë. Ai kurrë nuk do ta arrijë përsosmërinë apo të qenurit pa mëkat në tokë, por ai gjithmonë duhet të përpiqet ta arrijë atë qëllim.
4. Shenjtërimi i përsosur i referohet gjendjes përfundimtare të besimtarit në qiell. Kur ai do të shkojë për të qenë me Zotin, ai do të jetë moralisht si Zoti, plotësisht dhe përfundimisht i ndarë nga mëkati (1 Gjonit 3:1-3).
Apostulli gjithashtu lutet për ruajtjen e thesalonikasve. Një ruajtje e tillë duhet të përfshijë tërë personin – frymë, shpirt e trup. Vini re rendin. Njeriu gjithmonë thotë trupin, shpirtin dhe frymën. Perëndia thotë gjithmonë frymën, shpirtin e trupin. Në krijimin e parë fryma kishte rëndësinë parësore, trupi të fundit. Mëkati ktheu përmbys këtë rend. Njeriu jeton për trupin dhe lë pas dore frymën. Kur ne lutemi për njëri-tjetrin, ne duhet të ndjekim rendin biblik, duke vënë në fillim mirëqenien frymërore para nevojave fizike.
Nga ky varg dhe vargje të tjera, është e qartë se ne jemi qenie me tri pjesë. Fryma jonë është pjesa që na pajis për të pasur përbashkësi me Perëndinë. Shpirti ynë ka të bëjë me emocionet, dëshirat, dashuritë dhe prirjen e lindur për diçka (Gjo. 12:27). Trupi ynë është shtëpia ku banon vetja (2 Kor. 5:1).
Tërë pjesët tona duhet të ruhen në tërësi, që do të thotë, të plota dhe të shëndosha. Një komentues ka hedhur idenë e nevojës për ruajtjen si më poshtë:
1. Të frymës nga: a. çdo gjë që e ndot atë (2 Kor. 7:1); b. çdo gjë që pengon dëshminë e Frymës së Shenjtë ndaj marrëdhënies së shenjtorëve me Perëndinë (Rom. 8:16); ose c. çdo gjë që mund të pengojë adhurimin që Ai kërkon (Gjon. 4:23; Filipianeve 3:3).
2. Të shpirtit nga: a. mendimet e këqija (Mt. 15:18,19; Efesianeve 2:3); b. orekset e mishit që luftojnë kundër tij (1 Pjetrit 2:11); dhe c. grindjet dhe zënkat (Heb. 12:15).
3. Të trupit nga: a. ndotja (1 Thes. 4:3-8); dhe b. përdorimet e këqija (Rom. 6:19).
Disa mohojnë se të pashpëtuarit kanë një frymë. Mbase ata e mbështesin këtë në faktin se ata janë të vdekur frymërisht (Efesianeve 2:1). Megjithatë, fakti që të pashpëtuarit janë të vdekur frymërisht nuk do të thotë se ata nuk kanë frymë. Kjo do të thotë se ata janë të vdekur për sa i përket marrëdhënies së tyre me Perëndinë. Frymët e tyre mund të jenë gjallë, për shembull, për sa i përket lidhjes me botën e errët, por ata janë të vdekur para Perëndisë.
Lenski paralajmëron:
Shumë janë të kënaqur me një krishterim të pjesshëm, disa pjesë të jetëve të tyre janë akoma të botës. Qortimet apostullore në mënyrë të vazhdueshme drejtohen në tërë cepat e natyrës sonë saqë askush të mos i shpëtojë pastrimit [19].
Lutja vazhdon me dëshirën se shenjtërimi dhe ruajtja e Perëndisë do të shtrihet te çdo pjesë e personalitetit të tyre, që besimtarët të jenë pa të metë për ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht. Kjo duket sikur tregon Gjykatën e Krishtit, që pason Rrëmbimin. Në atë kohë jeta, shërbimi dhe dëshmia e krishterë do të rishikohet dhe ai do të shpërblehet ose do të vuajë humbjen.
5:24 Ashtu siç mësuam te 4:3, shenjtërimi ynë është vullneti i Perëndisë. Ai na ka thirrur për të qëndruar të patëmetë para Tij. Duke filluar veprën e Tij në ne, Ai do ta çojë deri në fund (Filipianeve 1:6). Ai që na thërret është besnik ndaj premtimit të Tij.
5:25 Ndërsa Pali po shkon drejt fundit, ai kërkon lutjen e shenjtorëve. Ai kurrë nuk hoqi dorë nga nevoja për lutje dhe as ne nuk duhet të heqim dorë. Është mëkat të mos lutesh për besimtarët.
5:26 Më pas ai kërkon që të gjithë vëllezërit duhet të përshëndeten me puthje të shenjtë. Në atë kohë, kjo ishte mënyra e pranueshme e përshëndetjes. Në disa vende është akoma zakon që burrat të puthin burrat dhe gratë njëra-tjetrën. Në kultura të tjera burrat puthin gratë dhe anasjelltas. Por zakonisht kjo na çon në abuzime dhe është lënë.
Puthja nuk ishte caktuar nga Zoti si një formë e paracaktuar përshëndetjeje apo nuk u mësua nga apostujt si detyrim. Bibla lejon me mençuri mënyra të tjera përshëndetjeje në kultura ku puthja mund të çojë në dobësi seksuale. Fryma e Perëndisë përpiqet të na ruajë nga parregullsi të tilla duke ngulur këmbë se puthja duhet të jetë e shenjtë.
5:27 Apostulli në mënyrë solemne ngarkon që kjo letër t’u lexohet gjithë vëllezërve të shenjtë [20]. Këtu duhet të vihen re dy pika:
1. Pali i jep letrës autoritetin e fjalës së Perëndisë. DhV lexohej hapur nëpër sinagoga. Tani kjo letër do të lexohej me zë të lartë nëpër kisha.
2. Bibla është për të gjithë të krishterët, jo vetëm për një rreth të brendshëm apo për një klasë të privilegjuarish. Të tëra të vërtetat e saj janë për tërë shenjtorët.
Denney ngul këmbë me mençuri:
Nëpërmjet ungjillit çdo njeri mund të rritet në mençuri dhe në mirësi. Por kur një kishë pengon një rritje të tillë (duke mbajtur pjesëtarët e saj në gjendje pa arsim, duke shkurajuar përdorimin e lirë të Shkrimit të Shenjtë dhe duke u kujdesur që gjithçka që Bibla përmban të mos u lexohet tërë vëllezërve) nuk ka një shenjë më të sigurt pabesie dhe mashtrimi në kishë sesa kjo,,[21].
Vini re se në vargjet 25-27 kemi tre kyçe të një jetë të suksesshme të krishterë: 1. lutja (v. 25); 2. dashuria për besimtarët e tjerë, që flet për marrëdhënie (v. 26); 3. leximi dhe studimi i fjalës (v. 27).
5:28 Së fundi kemi përfundimin karakteristik të Palit. Ai e hapi Letrën e tij e të Parë drejtuar Thesalonikasve me hir dhe tani e mbyll atë me të njëjtën temë. Për krishterimin apostullor ka hir nga fillimi deri në fund. Amen.
Shënime
[1] (Hyrje) James Everett Frame. A Critical and Exegetical Commentary on the Epistles of St. Paul to the Thessalonians, (ICC). f. 37. [2] (Hyrje) George Robert Harding Wood. St. Paul’s First Letter. f. 13,14. [3] (1:1) Në tekstin kritik (NU) mungon “prej Perëndisë, Atit tonë, dhe prej Zotit Jezu Krisht”, por gjendet në M. Do të ishte e thjeshtë të lihej pa u kopjuar meqë është afërsisht e njëjtë me fjalinë e përdorur pak më parë. [4] (1:4) Shikoni Efesianëve 1 për një shpjegim të hollësishëm mbi zgjedhjen hyjnore. [5] (1:10) Wood. First Letter. f. 17. [6] (2:1) James Denney. The Second Epistle to the Corinthians. f. 100. [7] (2:1) Elliot, Elisabeth. The Journal of Jim Elliot. f. 218. [8] (2:13) Walter Scott, nuk janë të mundura të dhëna të mëtejshme. [9] (3:2) Shërbenjës është një fjalë latine që përkthet shërbëtor. [10] (3:13) Marvin Vincent. Word Studies in the New Testament. IV:34. [11] (4:6) Oscar Wilde, i cili e la të shoqen e tij të bukur për t’u futur në homoseksualizëm. [12] (4:8) Në tekstin kritik (NU) lexojmë “që gjithashtu jep”. [13] (4:17) Pjesorja e shkuar latine raptus vjen nga folja rapere. Përdorimi i fjalës në versionin e Jeronimit te Vulgata është “rapiemur cum illis” (ne do të rrëmbehemi me ta). [14] (5:10) Fjalët në origjinal janë si më poshtë: zgjuar te 5:10 dhe zgjuar te 5:6 janë gregoreo (origjina e emrit mashkullor “Gregor”, apo “syçelë”). Fjetur te 5:6,7 i përshtatet katheudo, që mund t’i referohet gjumit në kuptimin e vërtetë të fjalës apo “dembelizmit dhe moskokëçarjes frymërore” (Arndt dhe Gingrich). Te 4:13-15 fjetur përkthehet nga koimao. [15] (5:12) James Denney. The Epistle to Thessalonians. f. 205. [16] (5:13) Për një shpjegim të hollësishëm të pleqve shikoni komentimin e 1 Timoteut 3:1-7 dhe Titi 1:5-9. [17] (5:21) Denney. Thessalonians. f. 244. [18] (5:22) Arthur T. Pierson, nuk janë të mundshme të dhëna të mëtejshme. [19] (5:23) R. C. H. Lenski. The Interpretation of St. Paul’s Epistles to Colossians, to the Thessalonians, to Timothy, to Titus, and Philemon. f. 364. [20] (5:27) Në tekstin kritik (NU) mungon “i shenjtë”. [21] (5:27) Denney. Thessalonians. f. 263,264.BIBLIOGRAFI – 1 dhe 2 Thesalonikasve
Buckland, A. R. St. Paul’s First Epistle to the Thessalonians. Philadelphia: The Union Press, 1908.
Buckland, A. R. St. Paul’s Second Epistle to the Thessalonians. Philadelphia: The Union Press, 1909.
Denney, James. The Epistle to the Thessalonians. New York: George H. Doran Company, n.d.
Eadie, John. A Commentary on the Greek Text of the Epistle of Paul to the Thessalonians. Londër: MacMillan, 1877.
Frame, James E. A Critical and Exegetical Commentaryon the Epistle of Paul to the Thessalonians, ICC. New York: Chas. Scribner’s Sons, 1912.
Hogg, C. F. dhe W. E. Vine. The Epistle of Paul the Apostle to the Thessalonians. Londër: C. A. Hammond, 1953.
Kelly, William. The Epistle of Paul the Apostle to the Thessalonians. Londër: C. A. Hammond, 1953.
Kelly, William. Elements of Prophecy. Londër: G. Morrish, 1976.
Morris, Leon. The Epistle of Paul to the Thessalonians, TBC. Grand Rapids: Wm. B. Eerdmans Publishing Company, 1957.
Morris Leon. The First and Second Epistle of Paul to the Thessalonians, NIC. Grand Rapids: Wm. B. Eerdmans Publishing Company, 1959.
Wood, George Robert Harding. St. Paul’s First Letter. Londër: Henry E. Walter Ltd., 1952.