Kjo letër, më tepër se çdo letër tjetër shkruar nga Pali, karakterizohet nga thjeshtësia, dashamirësia dhe dashuria … këtu nuk ka vend për debat.W. Graham Scroggie
I. Vendi unik në Kanun
Librit të parë të ndonjë autori të famshëm zakonisht i vihet një çmim më i lartë meqë tregon përqendrimin e hershëm dhe dhuntinë e komunikimit. E Para e Thesalonikasve mund të ketë qenë letra e parë e frymëzuar e Palit. Sasia e madhe e mësimit të krishterë, që apostulli ishte i zoti ta përshtaste në qëndrimin e tij të shkurtër në Thesaloniki tregohet qartë nga doktrinat e shumta që ai shtjellon, që ishin tashmë të njohura nga thesalonikasit.
Sot Rrëmbimi dhe Ardhja e Dytë e Zotit tonë besohen në masë nga të krishterët ungjillorë. Por nuk ka qenë gjithmonë kështu. Gjallërimi i interesit për këtë doktrinë, sidomos përmes shkrimeve të Vëllezërve [p.sh. Plymouth Brethren] të hershëm në Britaninë e Madhe (1825-1850), mbështetej kryesisht te 1 Thesalonikasve. Pa këtë letër të shkurtër ne do të ishim tejet të mangët në të kuptuarit tonë të aspekteve të ndryshëm të kthimit të Krishtit.
II. Autorësia
Që 1 Thesalonikasve është një letër autentike e Palit nuk mohohet nga asnjë studiues i Biblës. Mbështetja për këtë është e mjaftueshme “përveçse një njeri është në gjendje të pranojë që Pali nuk ka jetuar ndonjëherë ose që asnjë letër nga Pali nuk ka mbijetuar” (siç thotë J. E. Frame){{1}}.
Prova e jashtme që Pali është autori gjendet te Polikarpi, Ignatius-i dhe Justini, po ashtu edhe te Kanuni i Marcionit dhe ai Muratorian (lista e hershme e Shkrimeve të krishtera – njëra heretike dhe tjetra e rregullt).
Prova e brendshme është përdorimi i fjalorit dhe stilit të Palit dhe paraqitja e një ati zemërbutë dhe frymëror. Të dhënat historike përputhen me Veprat e Apostujve. Si te 1 Thes. 1:1 dhe 1 Thes. 2:18 shkrimtari e quan veten Pal.
III. Data
E Para e Thesalonikasve u shkrua nga Korinti gjatë qëndrimit të Palit në muajin e tetëmbëdhjetë atje, jo shumë kohë pas shkuarjes së Timoteut atje (1 Thes. 3:6; 2:17). Meqë Galioni (Veprat 18) besohet se ka shkuar si prokonsull në fillim të verës së vitit 51 pas K., Pali mund të ketë shkuar atje në fillim të vitit 50 dhe ka shkruar 1 Thesalonikasve menjëherë. Afërsisht tërë studiuesit mendojnë se data e librit është fillimi i vitit 50 dhe është më e sigurt se data e letrës i përket viteve 50 apo 51, vetëm njëzet vjet pas ngjitjes në qiell të Zotit tonë.
IV. Sfondi dhe temat
Gjatë Udhëtimit të Dytë Misionar të Palit drita e ungjillit së pari theu errësirën në Thesaloniki (Veprat e Apostujve 17:1-10).
Pasi Pali dhe Sila ishin liruar nga burgu në Filipi, ata udhëtuan për në Thesaloniki përmes Amfipolit dhe Apolonisë. Thesaloniki në atë kohë ishte një qytet strategjik, si nga ana tregtare ashtu edhe politike. Siç dihet, Pali shkoi në sinagogën judease dhe tregoi nga DhV se Mesia duhej të vuante dhe të ringjallej prej së vdekurish. Pastaj ai shpalli se Jezusi nga Nazareti ishte Mesia i premtuar. Kjo zgjati për tri të shtuna rresht. Disa nga judenjtë u bindën dhe u vunë krah Palit dhe Silës si besimtarë të krishterë. Gjithashtu, shumë nga prozelitët grekë dhe disa nga paria e grave të qytetit u kthyen. Pastaj filloi trazira. Judenjtë që nuk besuan mblodhën disa nga rrugaçët e tregut, nxitën një trazirë dhe sulmuan shtëpinë e Jasonit, ku po qëndronin Pali dhe Sila. Kur ata nuk i gjetën predikuesit në shtëpi, e tërhoqën zvarrë Jasonin dhe disa nga besimtarët e tjerë para krerëve të qytetit (politarkëve), duke i paditur se e kishin kthyer botën përmbys. Ky ishte një kompliment i paqëllimshëm! Pastaj paditën të krishterët se kishin bërë komplot kundër Cezarit duke shpallur një mbret tjetër me emrin Jezus. Politarkët u shqetësuan. Ata kërkuan nga Jasoni dhe kolegët e tij një dorëzani, mbase duke u dhënë urdhra të rreptë për miqtë e tij që të dilnin nga qyteti. Pastaj Jasoni dhe të tjerët u liruan.
Vëllezërit e krishterë në Thesaloniki vendosën se do të ishte e udhës për predikuesit të largoheshin nga qyteti, kështu i nisën natën për në Berea.
Gjëja e paharrueshme është se kur Pali dhe Sila u nisën, ata lanë pas një asamble besimtarësh që ishin mësuar në doktrinat e besimit dhe që ishin tani të qëndrueshëm në përndjekjet që hasnin. Do të ishte e lehtë të dilnim në përfundimin nga Veprat e Apostujve 17:2 se Pali dhe shoqëruesit e tij ishin në Thesaloniki vetëm për tri të shtuna. Megjithatë, kjo mund të ketë qenë zgjatja e shërbesës së tyre të mësimit në sinagogë. Pali dhe grupi i tij mund të kenë kaluar tre muaj në atë qytet. Letra e apostullit drejtuar atyre tregojnë se thesalonikasit kishin njohuri të gjerë të doktrinës së krishterë dhe ata nuk mund ta kenë marrë këtë në tri apo katër javë.
Nga Berea, Pali shkoi në Athinë (Veprat e Apostujve 17:15). Atje ai dëgjoi se besimtarët në Thesaloniki po përndiqeshin. Ai u përpoq t’i vizitonte, por Satani e pengoi (1 Thes. 2:17,18), kështu që dërgoi Timoteun tek ata (1 Thes. 3:1,2). Timoteu i solli lajm prej tyre, lajm që ishte në tërësi një inkurajim (1 Thes. 3:6-8) dhe kjo nxiti apostullin të shkruante këtë letër. Në të ai mbron shërbesën e tij kundër sulmeve shpifëse; ai bën thirrje për ndarje nga imoraliteti mbizotërues i asaj kulture; ai ndreq keqkuptimet rreth atyre që kishin vdekur në Krishtin; ai qorton ata që kishin reshtur së punuari duke pasur parasysh ardhjen e Krishtit dhe ai nxit shenjtorët të respektojnë udhëheqësit e tyre frymërorë.
Një nga temat më të rëndësishme të 1 Thesalonikasve është kthimi i Zotit Jezus. Përmendet të paktën një herë në çdo kapitull. G. R. Harding Wood-i i bashkon këto referenca dhe parashtron këtë përmbledhje të shkëlqyer:
I krishteri që pret ardhjen e Jezusit nuk lë vend për: 1. idhuj në zemrën e tij (1 Thes. 1:9,10); 2. Plogështi në shërbimin e tij (1 Thes. 2:9,19); 3. Ndasi në miqësinë e tij (1 Thes. 3:12,13); Depresion në mendjen e tij (1 Thes. 4:13-18); apo 5. Mëkat në jetën e tij (1 Thes. 5:23){{2}}.
PËRMBLEDHJE
I. PËRSHËNDETJE (1:1)
II. LIDHJA VETJAKE E PALIT ME THESALONIKASIT (1:2-3:13)
A. Lavdërimi i Palit për thesalonikasit (1:2-10)
B. Paraqitja e shërbesës, mesazhit dhe sjelljes së Palit në Thesaloniki (2:1-12)
C. Paraqitja e përgjigjes së thesalonikasve ndaj Ungjillit (2:13-16)
D. Shpjegimi i pamundësisë së Palit për t’u kthyer në Thesaloniki (2:17-20)
E. Misioni i Timoteut në Thesaloniki (3:1-10)
F. Lutja e veçantë e Palit (3:11-13)
III. NXITJE PRAKTIKE (4:1-5:22)
A. Shenjtërimi që përmbush vullnetin e Perëndisë (4:1-8)
B. Dashuria që mendon për të tjerët (4:9,10)
C. Jeta që u flet atyre që janë jashtë (4:11,12)
D. Shpresa që ngushëllon besimtarët (4:13-18)
E. Dita e Zotit (5:1-11)
F. Nxitje të ndryshme për shenjtorët (5:12-22)
IV. PËRSHËNDETJE PËRFUNDIMTARE PËR THESALONIKASIT (5:23-28)
[1] James Everett Frame. A Critical and Exegetical Commentary on the Epistles of St. Paul to the Thessalonians, (ICC). f. 37.[[1]]
[2] George Robert Harding Wood. St. Paul’s First Letter. f. 13,14.[[2]]