Letra e dytë e Gjonit

[E dyta e Gjonit] na jep një aspekt tjetër të apostullit; ajo na e paraqet atë si bariun e shpirtrave… Sido që të jetë, i është drejtuar një kishe lokale, apo… një gruaje të krishterë,… ajo shërben për të mirën e njerëzve të veçantë, për të cilët ai interesohet shumë, duke u çuar këtë letër.A. Plummer

I. Vendi unik në Kanun

Së bashku me të tretën e Gjonit ky shënim i shkurtër është gjithçka që kemi për letërkëmbimin shumë të çmuar vetjak të njërit prej shenjtorëve më të hershëm, apostullit Gjon.

Ndonjëherë të krishterët shqetësohen se sa “të hapur” apo “të mbyllur” duhet të jenë ndaj të tjerëve, sidomos ndaj atyre që rrëfejnë se janë besimtarë. E dyta dhe e treta e Gjonit i përgjigjen kësaj pyetjeje shumë praktike. E dyta e Gjonit tregon rëndësinë e mbajtjes mbyllur të shtëpisë (apo kishës) për heretikët; e treta e Gjonit nxit një “derë të hapur” për predikuesit dhe misionarët në udhëtim.

II. Autorësia

Provat e jashtme të së dytës së Gjonit janë më të dobëta se te e para dhe, pa dyshim, për shkak të madhësisë dhe natyrës private. Irenaeus-i jep disa prova, por, ashtu si shumë të tjerë, mendon se është pjesë e të parës së Gjonit (ndarja në kapituj dhe vargje u bë shekuj më vonë). Origen-i kishte dyshime për letrën, por Klement-i dhe Dionisius-i, të dy nga Alexandria, e referojnë atë si të Gjonit. Cyprian-i në mënyrë të veçantë citon vargun 10 si të apostullit Gjon.

Prova e brendshme ka të bëjë me faktin se stili dhe fjalori përkojnë me atë të Ungjillit dhe me Letrën e Parë dhe të Tretë të Gjonit. Edhe pse letra e dytë dhe e tretë ndryshojnë në fillim të tyre nga letra e parë, ato janë shumë të ngjashme saqë shumë pak do të mohojnë se ato janë shkruar nga e njëjta dorë dhe në pamje të parë në të njëjtën kohë.

Nuk ka asnjë arsye të fortë të dyshojmë për të caktuarit tradicional të Letrës së dytë të Gjonit apostullit (shikoni hyrjen e të Parës së Gjonit për më tepër hollësi).

III. Data

Ashtu si në rastin e të Parës së Gjonit, janë të mundshme dy periudha të përgjithshme. Bëhet fjalë si në datën e hershme (vitet 60) para shkatërrimit të Jeruzalemit, apo në një datë të mëvonshme (vitet 85-90). Nëse flitet për më të hershmen, ka mundësi të ishte nga Jeruzalemi; nëse flitet për më të mëvonshmen, do të ishte nga Efesi, ku apostulli i plakur kaloi ditët e fundit të jetës.

IV. Sfondi dhe Tema

Sfondi i kësaj letre është shërbesa e gjerë e predikuesve shëtitës në kishën e hershme, e praktikuar ndonjëherë edhe në kohët e sotme në disa bashkësi. Këta ungjilltarë dhe shërbëtorë të Fjalës merrnin mikpritje, ushqim dhe ndonjëherë para në shtëpitë dhe bashkësitë e krishtera të cilat vizitonin. Fatkeqësisht, mësues të rremë dhe sharlatanë fetarë [ata të dhënë pas parasë] ishin të shpejtë për t’u ndërfutur dhe për të përdorur këto rrethana si mjete përfitimi pa u lodhur dhe për të përhapur herezitë e tyre, si gnosticizmi (shikoni hyrjen te e Para e Gjonit).

Nëse ishte e rëndësishme në shekullin e parë që apostulli Gjon të paralajmëronte për heretikët dhe për “përfituesit e krishterë”, çfarë do të thoshte ai nëse do të shikonte paçavuren e sotme të sekteve, kulteve dhe feve të rreme?

Tema qendrore e të dytës së Gjonit është se ne nuk duhet të bashkëpunojmë me asnjë njeri që thotë gjëra të gabuara mbi Personin e Zotit tonë (v. 10,11).

Përmbledhje

I. PËRSHËNDETJA E APOSTULLIT: HIRI, MËSHIRA DHE PAQJA (V. 1-3)
II. GËZIMI I APOSTULLIT: DJEMTË E BINDUR (V. 4)
III. DETYRA E APOSTULLIT: ECJA NË DASHURI (V. 5,6)
IV. SHQETËSIMI I APOSTULLIT: MASHTRUESIT E ANTIKRISHTIT (V. 7-11)
V. SHPRESA E APOSTULLIT: NJË VIZITË PERSONALE (V. 12,13)