Shqetësimi i apostullit: Mashtruesit e antikrishtit (2 Gjonit 7-11)

V. 7 Ky varg na flet për provën e doktrinës. Pyetja e madhe është: “A u bë me të vërtetë Perëndia Njeri në Personin e Jezu Krishtit?”. Përgjigjja është: “Po!”. Gnostikët [3] besonin se Krishti hyjnor zbriti mbi Jezusin nga Nazareti për një periudhë kohe. Por Gjoni ngul këmbë se Jezu Krishti ishte, është dhe gjithmonë do të jetë Perëndi.

V. 8 Prandaj, ai i paralajmëron lexuesit e tij: “Bëni kujdes se mos humbni frytin e gjërave të kryera, por bëni në mënyrë të merrni një shpërblim të plotë.”. Me fjalë të tjera, qëndroni të fortë në të vërtetën për sa i përket Zotit Jezu Krisht, që vepra jonë midis jush të mos shkojë dëm dhe që ne (apostujt dhe ndjekësit e tyre) të marrim një shpërblim të plotë.

V. 9 Kur Gjoni thotë: “Kushdo që shkon tej [4] dhe nuk qëndron në doktrinën e Krishtit” po flet për mësuesit e rremë. Të shkosh tej do të thotë të kalosh kufijtë e lejuar. Kjo është ajo që bëjnë adhuruesit e rremë; ata pohojnë se kanë një dritë të re dhe mësojnë doktrina që Perëndia nuk i ka shpallur në fjalën e Tij. Ata nuk qëndrojnë në kufijtë e zbulesës së krishterë, ose nuk qëndrojnë në doktrinën e Krishtit, që nënkupton mësimet që Vetë Krishti solli, gjithashtu nënkupton gjithçka që Bibla mëson rreth Krishtit. Apostulli thekson në vargun 9 se një adhurues i rremë mund të shpallë se e njeh Perëndinë, por nëse nuk beson në hyjninë dhe njerishmërinë e plotë të Zotit Jezus, ai nuk ka Perëndi fare. Perëndia mund të njihet vetëm përmes Birit të Tij. “Askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet Meje” (Gjoni 14:6).

V. 10, 11 Kjo është pika kulmore e letrës. Ajo na jep këshilla të vlefshme se si të sillemi me mësuesit e rremë që vijnë në dyert tona. Gjoni nuk e ka fjalën për vizitorë të rastit, por për propaganduesit anti të krishterë. A duhet t’i ftojmë të hyjnë brenda? T’u japim një filxhan çaj? T’i ndihmojmë me të holla? Po për sa i përket literaturës së tyre? Përgjigjja është mos i pranoni në shtëpi dhe mos i përshëndetni ata. Këta njerëz janë armiq të Krishtit. T’u tregosh atyre mikpritje do të thotë të bëhesh mik me ata që janë kundër Shpëtimtarit tonë. Ndodh që ndonjëherë të lejojmë të fusim në shtëpi një njeri që nuk e dimë se mohon Zotin. Këto vargje nuk lidhen me këtë rast. Por kur e dimë se një njeri është një mësues i rremë është e pandershme ndaj Krishtit nëse do të miqësoheshim me të. Këto vargje nuk kanë të bëjmë me të gjithë vizitorët në përgjithësi. Ne zakonisht pranojmë jobesimtarë si mysafirë në përpjekje për t’i çuar te Krishti. Por këtu është çështja e mësuesve fetarë që mohojnë hyjninë dhe njerishmërinë e Jezu Krishtit. C. F. Hogg shpjegon:

Asnjëherë nuk duhet të japim përshtypjen se sulmi kundër Krishtit është një çështje e vogël, ose të lëmë fajtorin të ndikojë te të tjerët [5].