Përshëndetja e apostullit: Hir, mëshira dhe paqja (2 Gjonit 1-3)

V. 1 Te e Dyta e Gjonit apostulli e prezanton veten si plaku. Kjo mund t’i referohet moshës apo pozitës zyrtare në kishë. Për sa i përket moshës, Gjoni ishte apostulli i fundit që qe me Zotin Jezus. Për sa i përket pozitës zyrtare me siguri ka qenë peshkop apo mbikëqyrës. Prandaj, nuk na duhet të bëjmë një zgjedhje për shpjegimin tonë; të dyja janë të sakta.

Shprehja “zonjës së zgjedhur” nuk është e thjeshtë për t’u shpjeguar. Zakonisht paraqiten tri pikëpamje: 1. Disa besojnë se zonja e zgjedhur është kisha, në vende të tjera i referohet si Nusja e Krishtit, apo një kishe të veçantë lokale. 2. Të tjerë mendojnë se letra i është drejtuar “Kyria-s së zgjedhur” – emri i saj ishte Kyria. Ky emër mund të jetë emri grek i barasvlershëm me emrin aramaik Marta (të dy nënkuptojnë “zonjë”) [1]. 3. Të tjerë mendojnë se Gjoni po i shkruan një zonje të krishterë që nuk i dihet emri, e cila bashkë me të gjithë besimtarët është e zgjedhur e Perëndisë – zgjedhur në Krishtin para themelimit të botës.

Ne pëlqejmë pikëpamjen e fundit dhe mendojmë se është tepër domethënëse se një paralajmërim i tillë kundër mësuesve anti të krishterë gjendet në një letër drejtuar një gruaje. Mëkati hyri në botë përmes mashtrimit të Evës nga Satani. “Gruaja u gënjye dhe ra në shkelje” (1 Tim 2:14). Pali flet për mësuesit e rremë duke përmendur në mënyrë të veçantë gratë; ata futen nëpër shtëpi dhe “i bëjnë për vete femrat e ngarkuara me mëkate, të sunduara nga pasione të ndryshme” të cilat i dëgjojnë të gjithë dhe “kurrë nuk mund të arrijnë në njohjen e plotë të së vërtetës” (2 Tim 3:6,7). Madje edhe sot adhurues të rremë futen nëpër shtëpi gjatë ditës, kur burrat zakonisht janë në punë. Fëmijët gjithashtu duhet të paralajmërohen kundër mësuesve të rremë.

Gjoni pohon se ai do këtë zonjë të zgjedhur dhe bijtë e saj… në të vërtetë. Ata që janë të shpëtuar e shohin veten në një përbashkësi të mrekullueshme, duke i dashur të tjerët, të cilët nuk do t’i kishin dashur kurrë, nëse nuk do të ishte nga dashuria e tyre e përbashkët për të vërtetën e Perëndisë. Është e vërteta e Perëndisë që i lidh zemrat bashkë, zemrat e të gjithë atyre që e kanë njohur të vërtetën.

V. 2 Shprehja për shkak të së vërtetës ka dy shpjegime të mundshme. Mund t’i referohet arsyes së dashurisë së të gjithë shenjtorëve, ose mund të jetë arsyeja e Gjonit për të shkruar këtë Letër. Që të dyja janë domethënie të vlefshme. Të së vërtetës që qëndron në ne dhe do të jetë me ne përjetë. Këtu e vërteta mund t’i referohet: 1. Zotit Jezu Krisht, Ai thotë: “Unë jam… e vërteta” (Gjoni 14:6); 2. Frymës së Shenjtë, “Fryma është e vërteta” (1 Gjonit 5:6), shikoni dhe Gjoni 14:16,17); ose 3. Biblës, “Fjala jote është e vërteta” (Gjoni 17:17). A nuk duhet, pra, të mos reshtim së mrekulluari duke qenë të mbështetur nga këta të Tre dhe duke qëndruar me ne përgjithmonë!

V. 3 Përshëndetja e Gjonit është “hiri, mëshira dhe paqja qofshin me ju” [2]. Hiri është nder i pamerituar ndaj atyre që meritojnë të kundërtën. Mëshira është dhembshuri ndaj atyre që janë fajtorë dhe të ligj. Paqja është marrëdhënia e harmonishme që rrjedh nga hiri dhe mëshira e Perëndisë. Të tria këto bekime janë nga Perëndia Ati dhe nga Zoti Jezu Krisht. Ati është Burimi dhe Biri është Kanali. Përveç kësaj, ata janë në të vërtetë dhe në dashuri dhe kurrë në kurriz të ndonjërës prej këtyre virtyteve.


[previous][next]