Mbretëria e Judës deri te robëria (2 Mbretërve 18 – 25)

A. Mbreti Ezekia (kapitujt 18 – 20)

Ezekia, biri i Ashazit, qe mbret i Judës për njëzet e nëntë vjet (716/715 – 687/686 para K.; krahasoni 2 i Kronikave 29-32; Isa. 36-39). Besohet se ai ka bashkëmbretëruar me Ashazin para kësaj nga 729/728 deri më 716/715. 1. Mbretërimi i drejtë i Ezekias (18:1-8) 18:1-6 Më tepër hapësirë i lihet Ezekias në Shkrimet e Shenjta, sesa ndonjë mbreti tjetër që nga koha e Salomonit. Rrëfimet paralele tek 2 Kronikave 29-32 dhe Isaia 36-39 duhet të lexohen për të kuptuar më mirë fitoret frymërore dhe politike që Ezekia korri me anë të besimit në Perëndinë. Kur Ezekia erdhi në pushtet, Juda ishte nga ana e jashtme një shtet vasal nën Asirinë. Mbretëria e tij ishte një reformë e madhe. Ai udhëhoqi një fushatë kundër çdo forme idhujtarie, duke shkatërruar edhe vendet e larta, dhe gjarprin prej bronzi të Numrave 21 (ngaqë bijtë e Izraelit i kishin ofruar temjan). Ai e quajti Nehushtan, që do të thotë fjalë për fjalë “një send bronzi” (versioni NKJ). Përsa i përket besimit të tij në Zotin, Perëndinë, Ezekia ishte një ndër më të mëdhenjtë nga mbretërit e Judës. Josia ishte një ndër më të mëdhenjtë nga mbretërit për vendosmërinë në dëbimin e keqbërësve nga vendi (23:24,25). 18:7,8 Ezekia ngriti kryekundër zgjedhës asire, mbase për shkak të suksesit të tij ushtarak, duke dëbuar filistenjtë nga vendi “kulla e rojës” (qendrat e vendit) deri në qytetin e fortifikuar (vendet tejet të banuara dhe të mbrojtura mirë). 2. Pushtimi i Samarisë (18:9-12) Ky paragraf përmbledh kapitullin e pushtimit të Samarisë nga asirët dhe ndërfutet këtu për të theksuar seriozitetin e kërcënimit që përballi Ezekia në këtë kohë. Kontradikta e dukshme midis datave në vargjet 9 e 10 shpjegohet nga fakti se në llogaritjen judease një pjesë e një viti llogaritet si një vit. Rrethimi i Samarisë filloi gjatë pjesës së fundit të vitit të katërt të mbretërimit të Ezekias, vazhdoi gjatë vitit të pestë dhe përfundoi në pjesën e parë të vitit të gjashtë – prandaj shkruhet “tre vjet“. Pra, duhet të ketë qenë viti 725-722 para K., gjatë bashkëmbretërimit të përmendur më sipër. 3. Pushtimi i parë i Judës nga Senasheribi (18:13-16) Asiria kishte problemet e veta në këtë kohë; Sargon I kishte vdekur dhe Babilonia ishte në rebelim. Ishte viti 701 para K. kur Senasheribi, pasuesi i Sargonit, arriti të sulmonte Judën dhe Finikinë. Në kronikat për Senasheribin thuhet se kishte marrë dyzet e gjashtë qytete të fortifikuara dhe 200 000 robër nga Juda. Ezekia… i dërgoi një mesazh servil, duke pranuar se kishte vepruar keq që ishte rebeluar. Ai i përulur pagoi treqind talenta argjendi dhe tridhjetë talenta ari (një shumë e madhe) për të parandaluar një sulm kundër Jerusalemit. Në këtë kohë, Senasheribi ndodhej në Lakish, në jug të Jerusalemit, rrugës për në Egjipt. 4. Pushtimi i dytë i Judës nga Senasheribi (18:17-19:34) 18:17-19 Atëherë Ezekia filloi të fortifikonte Jerusalemin (2 i Kronikave 32:5). Mbase ishte lajmi i kësaj pune që e shtyu mbretin e Asirisë më vonë të niste oficerët e tij ushtarakë në Jerusalem për të kërkuar dorëzim pa kushte. Tre oficerë judenj dolën për të takuar delegatët asirë dhe për të dëgjuar kushtet e tyre. Versioni NI e përkthen termin “komandantët më të lartë”, “oficer i lartë” dhe “komandant fushe”. Versioni NKJ i dallon këta oficerë nga titujt e tyre fillestarë ushtarakë: Tartani, Rabsarisi dhe Rabshakehu. Këto emra nuk janë emra të përveçëm {{21}}. 18:20-25Rabshakehu foli duke i fyer në gjuhën e tyre hebraike (fjalë për fjalë “judaike”). Së pari, ai u tall me besimin e Ezekias në fortifikimin e Jerusalemit. Së dyti, zbuloi që e dinte se Ezekia kishte kërkuar ndihmën e Egjiptit, kallamit të thyer (v. 21). Së treti, ai tha se Juda nuk besonte në Zotin, sepse Ezekia kishte shkatërruar tërë vendet e larta dhe altaret. Rabshakehu nuk e kuptoi se këto ishin altare pagane dhe nuk ishin vënë atje ku adhurohej Zoti! Më pas hodhi idenë e një basti – ai do t’i jepte dy mijë kuaj Judës nëse Ezekia do të gjente atë numër kalorësish. Juda nuk kishte aq shumë kalorës, u tall ai – dhe kështu duhej të varej nga Egjipti për të pasur qerre dhe kalorës. Së fundi, Rabshakehu shpalli se Zoti e kishte dërguar Asirinë për të shkatërruar Judën. 18:26,27 Oficerët judenj i thanë menjëherë Rabshakehut që tërë diskutimet e mëtejshme të bëheshin në gjuhën aramaike, gjuhën e diplomacisë, dhe jo në gjuhën hebraike. Ata patën frikë se mos një diskutim i tillë arrogant shkatërronte moralin e popullit jude që dëgjonte mbi muret. Por Rabshakehu tha se donte që populli të dëgjonte dhe të kuptonte zinë dhe rrënimin e ardhshëm. 18:28-37 Duke iu drejtuar popullit drejtpërdrejt, Rabshakehu i paralajmëroi të mos mashtroheshin nga Ezekia për të besuar te Zoti për çlirim. Nëse ata do të dorëzoheshin, do t’u jepej privilegji për të jetuar në Jerusalem përkohësisht. Më pas, kur mbreti i Asirisë të kthehej nga fushata egjiptiane, do t’i çonte në Asiri, “në një vend të ngjashëm me vendin e tyre”. Asnjë hyjni tjetër fisnore nuk kishte mundur të çlironte kombet nga Asiria; si mund të prisnin që Perëndia i tyre ta bënte një gjë të tillë? Njerëzit në mure mbetën të heshtur, ndërsa tre oficerët judenj u kthyen tek Ezekia, plotësisht të ligështuar në frymë. 19:1-7Ezekia u shqetësua shumë kur dëgjoi për talljen e Rabshakehut. Ai dërgoi lajmëtarë te profeti Isaia, duke i thënë se Juda ishte e pafuqishme kur kishte më tepër nevojë për forcë. Më pas ai i kërkoi Isaias të lutej për atë që mbetej akoma nga Juda dhe Jerusalemi. Isaia i çoi fjalë Ezekias se nuk duhej ta kishte frikë mbretin asir, sepse Perëndia do të çonte tek ai një frymë frike dhe do ta bënte që të dëgjonte ndonjë lajm me qëllim që të kthehej në vendin e tij ku do të vritej. 19:8-13 Kur Rabshakehu u kthye në Lakish, gjeti se Senasheribi e kishte lëvizur frontin e sulmit të tij te fortesat fqinje të Libnahut. Senasheribi dëgjoi se Tirhakahu, mbreti i Etiopisë në Egjiptin e sipërm (pra, jugor), po përparonte ta sulmonte. Ai menjëherë u përpoq ta frikësonte Jerusalemin që të dorëzohej shpejt, duke dërguar një letër blasfemuese. Disa studiues mendojnë se lajmi i përmendur në vargun 7 shpjegohet në vargun 9 – pra, lajmi i afrimit të egjiptasve. Të tjerë thonë se ishte lajmi që po rebeloheshin babilonasit. 19:14-20Ezekia me mençuri e çoi letrën në tempull dhe e shtriu para Zotit. Lutja e tij ishte një zbulim i besimit të tij të thellë në Jehovahun. Perëndia i dërgoi Ezekias një përgjigje të dyfishtë me anë të Isaias. 19:21-28 Vargjet 21-28 i drejtohen Senasheribit. Vargjet 29-34 Ezekias. Profecia e Isaias është një kantik tallës kundër Asirisë. Ajo simbolizon Jerusalemin, bija e virgjër e Sionit, ndërsa qesh me kërcënimet e Asirisë. Ajo padit Senasheribin që blasfemon emrin e shenjtë të Perëndisë dhe mburret se do të pushtojë Judën (Libanin), se do të shfarosë sunduesit dhe njerëzit e tij të mëdhenj (kedrat e larta dhe qiparisat e tij) dhe se do të hyjë në pallatet e malit Sion (vendbanimet dhe pyjet). Senasheribi u mburr gjithashtu për pushtimet e tjera të huaja, duke përfshirë fitoren e tij mbi Egjiptin. Ajo që ai nuk e kuptonte ishte se gjithçka që kishte bërë ishte çka Perëndia kishte përcaktuar të bënte. Perëndia e njihte atë brenda e jashtë dhe do ta thyente arrogancën e tij të fortë, duke dërguar në Asiri pjesën e mbetur të ushtrisë së tij të shpërbërë. 19:29-34 Atëherë, duke iu kthyer Ezekias, Zoti dha një shenjë se asirët nuk do ta pushtonin Jerusalemin. Për dy vjet populli i Judës nuk mundi të prodhonte ushqim duke punuar në arë, për shkak të pranisë asiriane, por do të hante gjërat që rriteshin vetë. Më pas, në vitin e tretë, ata do të ishin mjaft të sigurt nga kërcënimi i sulmit, dhe që ata të vazhdonin veprimtarinë e tyre normale. Populli i Jerusalemit jo vetëm do të mbijetonte, por mbreti i Asirisë nuk do të lejohej të hynte në qytet as për të hedhur shigjeta. 5. Mundja dhe vdekja e Senasheribit (19:35-37) Atë natë engjëlli i Zotit {{22}} vizitoi fushimin e Asirisë dhe vrau njëqind e tetëdhjetë e pesë ushtarë. Kur njerëzit u ngritën në mëngjes, asirët ishin bërë kufoma. Senasheribi u kthye në kryeqytetin e tij, Ninivë, ku e vranë njëzet vjet më vonë (viti 681 para K.; ai, në fakt, jetoi pesë vjet më gjatë se Ezekia). Profecia e Isaias (v. 7) u përmbush kur dy nga bijtë e Senasheribit e vranë dhe një i tretë, Esarhadoni, mbretëroi në vend të tij. 6. Sëmundja dhe shërimi i Ezekias (20:1-11) 20:1-7 Ngjarjet e kapitullit 20 besohet në përgjithësi se kanë ndodhur më parë, mbase në pjesën e hershme të kapitullit 18, gjatë pushtimit të parë të Senasheribit (shikoni v. 6). Kur Ezekia u sëmur për vdekje, Isaia i tha të rregullonte shtëpinë e tij, sepse vdekja ishte e afër. Mbreti u lut me zell për t’u shëruar dhe iu dhanë pesëmbëdhjetë vite të tjera jete. Uijtkombi (Whitecomb) komenton: Çfarë do të bëj me pjesën e jetës që më ka mbetur nëse Perëndia më thoshte se më kanë ngelur vetëm 15 vjet jetë? Çfarë bëri Ezekia gjatë këtyre viteve? Bibla nuk na e thotë, sepse ngjarja e fundit e paraqitur mbi mbretërinë e tij ishte shkatërrimi i ushtrisë së Senasheribit, më 701 para K. (që mund të ketë ndodhur më pak se një vit pas sëmundjes së tij). Është menduar se një arsye pse Perëndia e zgjati jetën e tij ishte se ai nuk kishte asnjë trashëgimtar për fronin e tij (2 i Mbreterve 21:1 pohon se Manasi ishte dymbëdhjetë vjeç kur filloi të mbretëronte). Megjithatë, ka gjasa që Manasi të ketë bashkëmbretëruar me të atin përreth dhjetë vjet, sepse përndryshe do të ishte e pamundur të shpjegonim 55 vjetët e mbretërimit të tij në këtë periudhë të historisë së Judës, duke u nisur nga datat e fiksuara të robërisë babilonase {{23}}. 20:8-11 Si një shenjë se Ezekia do të shërohej dhe do të kthehej në tempull për të adhuruar, Perëndia bëri që hija (apo hapat, versioni NASB) të shkonte prapa dhjetë shkallëza (kronologjikisht vargu 7 ndjek vargjet 8-11). Nga 2 Kronikave 32:31 dalim në përfundimin se kjo ishte një ndodhi e mbinatyrshme, lajm i cili mbërriti edhe në Babiloni. Babilonasit adhuronin trupat qiellorë dhe ata, pa dyshim, vinin re çdo çrregullim. Fjala u përhap shumë shpejt se kjo mrekulli e madhe kishte ndodhur për hir të Ezekias. 7. Krenaria e marrë e Ezekias (20:12-21) 20:12-18Mbreti i Babilonisë, Berodak-Baladani, i dërgoi urimet Ezekias për shërimin e tij. Pa dyshim qëllimi i tij i vërtetë ishte të forconte lidhjet e tij me Judën kundër Asirisë. Ezekiau tregoi me marrëzi lajmëtarëve nga Babilonia tërë thesaret e tij (nga 2 i Kronikave 32:31 mësojmë se Perëndia po e provonte nëpërmjet kësaj situate për të mësuar se çfarë kishte në zemër. Përgjigjja është: KRENARI!). Isaia e qortoi për këtë dhe profetizoi se Juda do të çohej në robëri nga Babilonia dhe se disa nga bijtë e Ezekias do të bëheshin eunukë (zyrtarë, versioni NASB) në pallatin e mbretit të Babilonisë. Para se të përfundonin në Babiloni këto thesare, shumë prej tyre në fillim do të shkonin në Asiri si pjesë e haraçit që Ezekia i paguante Senasheribit kur asirët pushtuan Judën menjëherë pas shërimit të Ezekias (18:13-16). 20:19Ezekia iu nënshtrua dekretit të Perëndisë dhe pranoi butësinë e tij. “Sepse tha: ‘Pse jo, nëse do të ketë paqe dhe siguri gjatë ditëve të mia?” (versioni RS). 20:20,21 Ezekia ndërtoi një rezervuar dhe ujësjellës me anë të të cilëve uji mund të çohej Jerusalem nga një pus jashtë qytetit. Një burim i tillë i fshehur mund të ishte tepër i vlefshëm në një kohë rrethimi. Akoma është e mundur të ecësh përmes ujësjellësit të Ezekias nga Burimi i Gihonit te Pellgu i Siloamit. Më 1880 u gjet një përshkrim [mbi një pjesë të ujësjellësit] i bërë nga punëtorët e Ezekias në një dorëshkrim semitik të lashtë në formë briri. Ai u çua në një muze në Turqi, e cila në atë kohë e kishte pushtuar Judën, dhe Juda ishte kështu pjesë e Perandorisë së lashtë Otomane {{24}}. Shërbesa e Mikeas përfundoi në këtë kohë.

B. Mbreti Manas (21:1-18)

Manasi, biri i Ezekias, qe mbret i Judës për pesëdhjetë e pesë vjet (697/696-643/642 para K.; krahasoni 2 i Kronikave 33:1-20). 21:1-9 Mbretërimi i Manasit qe mbretërimi më i gjatë dhe më i lig i tërë mbretërve të Judës. Disa nga njollat në historinë e tij janë: ai rifuti adhurimin e Baalit, të Asherahut dhe të yjeve; ai përdhosi tempullin duke ndërtuar altare për adhurimin e yjeve; ai kaloi edhe nëpër zjarr të birin, u mor me magji dhe shortari dhe u këshillua me mediume dhe magjistarë; vuri madje një shëmbëlltyrë të gdhendur të Asherahut (si një simbol të turpshëm seksual) në tempullin e Perëndisë. Fryma e Perëndisë shënon ligësinë e këtij akti duke paralajmëruar popullin e Perëndisë për pasojat që pasojnë (1 i Mbreterve 8:29; 9:3). 21:10-15Manasi e udhëhoqi popullin në gjëra të neveritshme sesa amorenjtë. Si rezultat, Perëndia tha se Ai do ta ndëshkonte Judën ashtu siç kishte ndëshkuar Samarinë dhe shtëpinë e Ashabit. Rripi matës dhe plumbçja (v. 13) simbolizojnë gjykimin. Gjithashtu, Ai do ta boshatiste Jerusalemin ashtu si një njeri boshatis një pjatë duke e kthyer përmbys dhe duke e fshirë. Populli i Tij do të çohej në robëri, sepse e kishte provokuar Zotin shumë keq. 21:16-18 Përveç idhujtarisë së tij, Manasi derdhi gjithashtu shumë gjak të pafajshëm. Sipas (“Ngjitjes së Isaias) “Assumption of Isaiah”, një libër jokanunor, Manasi e sharroi profetin Isaia më dysh (krahasoni Heb. 11:37). Nga e 2 Kronikave 33 mësojmë se Manasi u çua në robëri në Babiloni nga mbreti i Asirisë (Ashurbanipali). Atje, ndërsa ishte në burg, u pendua dhe u kthye te Zoti. Pas kësaj iu lejua të kthehej në Jerusalem për të rimarrë mbretërinë e tij – një provë e dukshme e hirit, dashurisë dhe mëshirës së Zotit. Ai u përpoq ta zhbënte dëmin që kishte kryer, por ishte shumë vonë. Populli, duke përfshirë edhe të birin, ndoqi shembullin e tij të parë (2 i Kronikave 33:14-23).

C. Mbreti Amon (21:19-26)

Amoni, biri i Manasit, qe mbret i Judës për dy vjet (642-639 para K.; krahasoni 2 i Kronikave 33:21-25). Amoni njihet për idhujtarinë e tij dhe për braktisjen e Perëndisë së vërtetë. Disa nga shërbëtorët e tij kurdisën një komplot kundër tij dhe e vranë pas një mbretërimi të shkurtër prej dy vjetësh. Populli i vrau vrasësit fajtorë dhe më pas në vend të tij u bë mbret i biri, Josia. As Amoni, as i ati nuk u varrosën në varret e mbretërve të Judës.

Ç. Mbreti Josia (22:1-23:30)

Josia, biri i Amonit, qe mbreti i Judës për tridhjetë e një vjet (641-609 para K.; krahasoni 2 i Kronikave 34-35). 1. Riparimi i tempullit nga Josia (22:1-7) Sofonia (Sof. 1:1) dhe Jeremia (Jer. 25:3) filluan shërbesat e tyre profetike rreth kësaj kohe. Habakuku mund të ketë shërbyer rreth fundit të kohës së Josias. Mbretërimi i Josias ishte periudha e fundit e reformës në mbretërinë e Judës. Ai ndërmori veprime të palëkundura kundër idhujtarisë dhe nxiti popullin të kthehej te Zoti. Në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërimit të tij, kur ishte njëzet e gjashtë vjeç, bëri një program për të meremetuar tempullin. Paratë që ishin mbledhur në tempull iu dhanë punëtorëve për punën dhe materialet. Për shkak të ndershmërisë së tyre, nuk iu kërkua asnjë llogari për paratë që iu dhanë. 2. Gjetja e Librit të Ligjit nga Josia (22:8-20) 22:8-10 Ndërsa po vazhdonin riparimet, kryeprifti Hilkiah gjeti një kopje të Librit të Ligjit, mbase tërë Pentateukun apo librin e Ligjit të Përtërirë. Kjo iu çua mbretit Josia dhe u lexua para tij. 22:11-13Kur mbreti dëgjoi Fjalën e Perëndisë dhe kuptoi se sa larg prej Tij kishte shkuar kombi, grisi rrobat e tij i penduar. Më pas dërgoi pesë oficerë për t’u konsultuar me Zotin, duke kuptuar se zemërimi i Perëndisë mund të qëndronte mbi Judën për shkak të mëkateve të saj. 22:14-20 Oficerët shkuan te profetesha Huldah, që banonte në Jerusalem, në lagjen e dytë, një zonë apo periferi e qytetit. Ata nuk shkuan drejtpërdrejt te Jeremia apo Sofonia. Huldahu kishte gjasa të ishte tezja e Jeremisë (v. 14; krahasoni Jereminë 32:7). Ajo e miratoi frikën e Josias se Perëndia do ta ndëshkonte shumë shpejt Judën për shkak të prishjes së popullit. Por shtoi se nuk do të ndodhte gjatë jetës së Josias, sepse ai ishte përulur dhe ishte penduar. Fakti që Josia vdiq më vonë në një betejë (23:29) nuk bie në kundërshtim me vargun 20. “Do të të vendosin në paqe në varrin tënd” mund të nënkuptojë: “para katastrofës së premtuar të robërisë babilonase”. Ose mund të nënkuptojë se Josia do të vdiste në paqe me Perëndinë (ai me siguri nuk vdiq në paqe me njeriun). 3. Ripërtëritja e besëlidhjes nga Josia (23:1-3) Pastaj mbreti mbajti një mbledhje të shenjtë në tempull dhe i lexoi gjithë popullit tërë fjalët e librit të besëlidhjes. Duke qëndruar mbi podium, lidhi një besëlidhje për t’iu bindur tërë fjalëve të ligjit. Populli, gjithashtu, u fut në besëlidhje me Zotin. 4. Reformat e Josias (23:4-30) 23:4-9 Më pas kemi një listë të shumë reformave që ndërmori Josia. Ai e pastroi tempullin nga objektet që përdoreshin për idhujtari, i dogjën dhe e çuan hirin e tyre në Bethel (për të përdhosur altaret atje). Ai hoqi nga vendi dhe mbase vrau priftërinjtë idhujtarë. Ai e nxori Asherahun (shëmbëlltyrat prej druri) nga tempulli, e dogji dhe e shpërndau hirin e tij mbi varret e njerëzve të popullit. Ai shembi edhe shtëpitë e njerëzve që merreshin me kurvërinë e shenjtë të prostitucionit mashkullor (sodomitët) në zonën e tempullit, ku gratë endnin çadra për Asherahun. Ai përdhosi vendet e larta. Kjo do të thotë se i çshenjtëroi në një mënyrë të tillë që të mos përdoreshin më. Ai solli tërë priftërinjtë nga qytetet e Judës…, ku i kishin ofruar Jehovahut në vendet e larta. Perëndia kishte caktuar Jerusalemin si vendin ku duhej të bëheshin këto oferta. Josia i pengoi këta priftërinj të shërbenin më tej në tempull, por u dha atyre një pjesë të bukëve të ndorme. 23:10-12Ai çshenjtëroi dhe rrënoi Tofethin, altarin pagan në luginën e bijve të Hinomit, ku i ishin ofruar flijime fëmijësh Molekut. Ai hoqi kuajt kushtuar diellit dhe u vuri flakën qerreve të diellit që mbretërit e Judës kishin përdorur në lidhje me adhurimin e diellit. Ai i shkatërroi altaret idhujtare ngritur nga Ashazi dhe Manasi. Vetë Manasi i kishte hequr këto altare pas kthimit të tij (2 i Kronikave 33:15), por ata u përdorën përsëri në shërbim nga Amoni idhujtar. Josia u sigurua që këto altare të mos përdoreshin më. 23:13,14 Ai përdhosi gjithashtu vendet e larta në fundin jugor të malit të Ullinjve (mali i korruptimit), që shënonte datën e fillimit që nga Salomoni. Ai i bëri copë-copë edhe shtyllat e shenjta, rrëzoi Asherimët (shëmbëlltyrat prej druri) dhe më pas përdhosi vendndodhjet e tyre me kocka njerëzore. 23:15-18 Ai shkatërroi altarin që ishte në Bethel dhe dogji vendin e lartë. Më pas dërgoi njerëz që të merrnin kockat nga varret përreth dhe i dogji në mbeturinat e altarit (“Si izraelitët ashtu edhe paganët i shikonin kockat e njerëzve të vdekur si përdhosje të përjetshme” {{25}}). E gjitha kjo ndodhi që të përmbushej profecia e shpallur 300 vjet më parë ndaj Jeroboamit nga njeriu i Perëndisë. Josia është një ndër tre njerëzit në Shkrim që e ka marrë emrin para se të lindte (1 i Mbreterve 13:2). Ai ishte një enë e zgjedhur, e paracaktuar për të përmbushur orakullin e profetit të paemër kundër altarit në Bethel. Kur mbreti Josia pa monumentin e njeriut të Perëndisë që kishte dëshmuar kundër altarit të Bethelit, urdhëroi që asnjerimos prekte kockat e tij. Kështu ato mbetën me kockat e profetit pa emër, që kishte ardhur nga Samaria (krahasoni 1 i Mbreterve 13:30,31). 23:19,20 Reformat e mbretit u shtrinë edhe në Samari. Në pamje të parë kishte fituar kontroll të madh mbi këtë zonë për shkak se fuqia e Asirisë po binte. Ai shkatërroi vendet e larta dhe flijoi mbi altaretpriftërinjtë idhujtarë, atje ku ata kishin ofruar flijime. Gjithashtu, ai i përdhosi këto vende me hirin e kockave njerëzore. 23:21-23 Në kthimin e tij në Jerusalem, Joasia rivendosi kremtimin e Pashkës, sipas Fjalës së Zotit që kishte lexuar (shikoni 2 i Kronikave 35:1-19 për hollësi të mëtejshme). Ky ishte zbatimi më i madh që nga koha e gjyqtarëve. Pashkët e tjera kishin qenë më të mëdha dhe të përpunuara, por kjo i pëlqeu në mënyrë të veçantë Zotit. Shkrimi përmend vetëm tri Pashkë gjatë viteve të mbretërisë: atë të Salomonit (2 i Kronikave 8), atë të Ezekias (2 i Kronikave 30) dhe atë të Josias. 23:24Josia pastroi gjithashtu vendin nga mediumët dhe magjistarët, fallxhorët dhe magjistarët e tjerë. 23:25-27 Përsa i përket vendosmërisë së reformave të tij, ai ishte një ndër mbretërit më të mëdhenj të Judës. Ezekia mori të njëjtin nder përsa i përket besimit në Perëndinë (18:5,6). Megjithatë, pavarësisht nga mbretërimi i mirë i Josias, Zoti nuk e ndryshoi planin e Tij për të ndëshkuar Judën, duke e dërguar popullin në robëri dhe duke e shkatërruar Jerusalemin. 23:28-30 Më 609 para K. faraoni Neko i Egjiptit marshoi në veri përgjatë bregut të Palestinës për të ndihmuar asirët në betejën e tyre kundër Babilonisë. Për arsye politike Josia vendosi t’i bënte ballë përparimit të Nekos dhe si rezultat u plagos për vdekje në Megido. Shërbëtorët e tij e çuan në Jerusalem, ku vdiq dhe e varrosën (krahasoni 2 i Kronikave 35:20-24). Neko përparoi në lumin Eufrat, ku katër vjet më vonë babilonasit e mundën në betejën e Karkemishit (Jer. 46:2).

D. Mbreti Jehoahaz (23:31-33)

Jehoahazi (i quajtur gjithashtu Shalum), biri i Josias, qe mbret i Judës për vetëm tre muaj (609 para K.; krahasoni 2 i Kronikave 36:1-4). Jehoahazi përçmoi reformat e të atit dhe e lejoi popullin të kthehej në idhujtari. Faraoni Neko, mbreti i Egjiptit, e thirri në Riblah, në Hamath, një zonë e Sirisë, ku kishin fushuar egjiptasit dhe e detyroi Judën të paguante haraç. Më vonë ai e çoi Jehoahazin në Egjipt, ku edhe vdiq (Jer. 22:11,12).

E. Mbreti Jehojakim (23:34-24:7)

Jehojakimi, biri i Josias qe mbret i Judës për njëmbëdhjetë vjet (609-598 para K.; krahasoni 2 i Kronikave 36:5-8; Jer. 22:18,19; 26:21-23; 36:9-32). 23:34-37Faraoni Neko bëri mbret Eliakimin, vëllanë e Jehoahazit, në vend të Josias dhe ia ndërroi emrin Eliakimit në Jehojakim. Jehojakimi ishte më i madhi nga bijtë e mbijetuar të Josias (krahasoni v. 31,36), por populli kishte vënë në fron më parë Jehoahazin në vend të tij. Neko e ktheu mbrapsht këtë dhe caktoi Jehojakimin si mbret vasal. Ai i qëndroi më tepër besnik faraonit sesa Jehovahut. 24:1-4 Egjipti u mund nga Babilonia në Karkemish më 605 para K. dhe Juda u vu nën kontrollin e babilonasve. Jehojakimi vrau profetin Urijah (Jer. 26:23) dhe dogji Fjalën e Perëndisë, të cilën Jeremia e kishte shkruar rreth Judës dhe Izraelit (Jer. 36:23). Ai u përpoq të arrestonte Jeremian dhe Barukun, skribin e tij, por Zoti i fshehu ata (Jer. 36:26). Në vitin e tretë të mbretërimit të Jehojakimit, Nebukadnetsari ngriti krye kundër Jerusalemit (v. 1), mori disa nga banorët (përfshirë Danielin) në Babiloni dhe mori disa nga enët e tempullit (2 i Kronikave 36:7; Dan. 1:1,2). Ai gjithashtu e lidhi Jehojakimin me zinxhirë për ta çuar në Babiloni. Më pas e ndryshoi mendjen dhe e ktheu mbretin e Judës në Jerusalem, ngaqë Jehojakimi u rebelua më pas kundër Babilonisë (24:1). Uijtkombi (Whitcomb) e përshkruan këtë situatë si vijon: Shkrimtari i Kronikave thotë se Nebukadnetsari “e lidhi me zinxhirë prej bronzi për ta çuar në Babiloni” (2 i Kronikave 36:6); por para se të përmbushej plani ndodhi diçka tepër e ngutshme, gjë që bëri që Nebukadnetsari të ndryshonte mendjen. Atij i bënë të ditur se babai i tij, Nabopolaseri, kishte vdekur në Babiloni më 15 gusht. Duke kuptuar se froni mund t’i shpëtonte nga duart, e detyroi Jehojakimin t’i premtonte besnikëri si një vasal, duke i rënë më pas rrugës së shkurtër, përgjatë shkretëtirës arabe për në Babiloni {{26}}. Perëndia dërgoi ushtri pushtuese nga katër kombe kundër Judës për shkak të mëkateve të Manasit. 24:5-7 Zoti shpalli se mbreti do të varrosej si një gomar – pra, trupi i tij do të çohej jashtë qytetit dhe do të lihej i zbuluar ndaj elementeve të natyrës dhe krijesave të gjahut (Jer. 22:19). Nuk jepen hollësi të vdekjes së tij.

Ë. Mbreti Jehojakin (24:8-16)

Jehojakini, i quajtur gjithashtu Jekoniah dhe Koniah, biri i Jehojakimit, qe mbret i Judës për tre muaj (598-597 para K.; krahasoni 25:27-30; 2 i Kronikave 36:9,10). Gjatë mbretërimit të shkurtër të këtij mbreti të lig, Nebukadnetsari rrethoi qytetin e Jerusalemit dhe mori një grup të dytë robërish. Ezekieli u çua në Babiloni me këtë grup. Gjithashtu u përfshi edhe familja mbretërore, 7 000 ushtarë dhe fisnikët e stërvitur. Në fakt, vetëm njerëzit më të varfër të vendit mbetën. Nebukadnetsari mori gjithashtu pallatin e mbretit. Vargu 14 thotë se ishin në tërësi dhjetë mijë robër. Jeremia thotë se u morën 4 600 robër (Jer. 52:28-30). Numri te Mbretërit mund të përfshijë robërit e marrë edhe herë të tjera. Pasi Jehojakini kishte qenë në robëri për tridhjetë e shtatë vjet, Evil-Merodaku, mbret i Babilonisë, e çliroi nga burgu, e vuri mbi mbretërit e tjerë robër, i dha atij një pozitë nderi në oborr dhe siguroi për të ushqim falas (25:27-30). Profeti Ezekiel filloi shërbesën e tij në këtë periudhë.

F. Mbreti Sedekia (24:17-25:7)

Sedekia, ungji i Jehojakinit, qe mbreti i Judës për njëmbëdhjetë vjet (597-586 para K.; krahasoni 2 i Kronikave 36:11-21; Jer. 52:1-30). 24:17-20Mbreti i Babilonisë caktoi Mataniahun, një ungj të Jehojakinit, si mbret në vend të tij. Mbreti i Babilonisë i ndërroi emrin në Sedekia. Sedekia bëri një marrëveshje me Nebukadnetsarin, duke pranuar të shërbente si kukulla e tij. Por më pas ai e prishi marrëveshjen, ngriti krye kundër mbretit të Babilonisë dhe u përpoq të ndihmonte Egjiptin. Mashtrimi i Sedekias në shkeljen e betimit dhe gjykimi i mëvonshëm i Perëndisë mbi të paraqiten tek Ezekieli 17:11-21. 25:1-7 Intriga e Sedekias me Egjiptin solli goditjen përfundimtare të qytetit të Jerusalemit. Nebukadnetsari e rrethoi atë për tetëmbëdhjetë muaj, duke shkaktuar një gjendje të rëndë urie brenda mureve. Sedekia dhe luftëtarët u përpoqën të arratiseshin nga qyteti natën dhe të arratiseshin në shkretëtirë afër Detit të Vdekur. Kaldeasit zunë mbretin dhe e çuan te Nebukadnetsari në Riblah (në Hamath të Sirisë). Pasi ia vrau bijtënë sytë e tij, mbreti i Babilonisë urdhëroi që t’i nxirreshin sytë dhe të çohej me zinxhirë prej bronzi në Babiloni. Kjo përmbushi dy profeci të shquara: Jeremia kishte predikuar se Sedekia do ta shikonte mbretin e Babilonisë ballë për ballë (Jer. 32:4; 34:3). Kjo u përmbush në Riblah. Ezekieli kishte profetizuar gjithashtu se mbreti do të çohej në Babiloni, por nuk do ta shikonte atë dhe do të vdiste atje (Ezek. 12:13). Sytë e Sedekias u nxorën para se ai të shkonte në Babiloni. Ai vdiq në Babiloni.

G. Rënia e Jerusalemit (25:8-21)

25:8-12 Shkatërrimi përfundimtar i Jerusalemit ndodhi më 586 para K. nga Nebukadnetsari, kapiteni i rojës babilonase. Ai dogji tempullin, pallatin mbretëror dhe tërë ndërtesat e mëdha. Ai shembi muret dhe internoi tërë njerëzit, përveç atyre më të varfërve të vendit. 25:13-17 Këto vargje përshkruajnë plaçkitjen e plotë të thesareve të tempullit. Këto gjëra, që ishin shumë të mëdha për t’u mbajtur, u copëtuan në pjesë më të vogla. Bronzi, që u peshua, nuk mund të llogaritej. Përveç të tjerash, kaldeasit morën tërë arin dhe argjendin e pastër që mund të gjenin. 25:18-21Nebuzaradani mori rreth shtatëdhjetë e dy qytetarë udhëheqës të Jerusalemit, duke i çuar te mbreti Nebukadnetsar në Riblah, ku u ekzekutuan bashkërisht {{27}}.

GJ. Qeverisja e Gedaliahut (25:22-26)

Mbreti i Babilonisë caktoi Gedaliahunnë krye të popullit që mbeti Judë. Kur katër kapitenët e ushtrisë e dëgjuan këtë, shkuan tek ai në Mitspah, mbase që ta këshillonin popullin të arratisej në Egjipt. Gedaliahu i këshilloi t’i nënshtroheshin zgjedhës babilonase dhe se gjithçka do të shkonte mirë. Më vonë, Ishmaeli, një pjesëtar nga familja mbretërore, sulmoi dhe vrau Gedaliahun dhe ata që e shoqëronin. Kështu populli mbeti pa qeverisje të organizuar dhe u arratis në Egjipt.

H. Mbreti Jehojakin (25:27-30)

Libri mbyllet me një ton inkurajimi. Libri i Dytë i Mbretërve dhe i Jeremias kanë mbyllje të njëjtë (krahasoni 25:27-30; Jer. 52:31-34). Në vitin e tij të tridhjeteshtatë të mërgimit, Jehojakini mori një trajtim plot respekt nga mbreti i Babilonisë. Kjo dha shpresë që ashpërsitë e mërgimit do të lehtësoheshin dhe më vonë do të përfundonin plotësisht. Libri i Parë i Mbretërve hapet me vdekjen e Davidit dhe i Dyti i Mbretërve mbyllet me shkatërrimin e Judës. Kombi kishte dështuar nën drejtimin e Moisiut, kishte dështuar nën drejtimin e gjyqtarëve dhe tani dështon nën drejtimin e mbretërve. Populli nuk pranoi të dëgjonte Fjalën e Perëndisë. Ata nuk pranuan të prekeshin nga lotët e profetëve. Ata i ngushtuan zemrat e tyre dhe ngurtësuan qafat e tyre, derisa Perëndia caktoi asirët dhe babilonasit për t’i mësuar se paga e mëkatit është vdekja. Robëria e arriti më së miri qëllimin e vet: pastroi zemrën e popullit të zgjedhur të Perëndisë nga idhujtaria.

BIBLIOGRAFI

Shikoni bibliografinë në fund të Librit të Parë të Mbretërve.
[previous][next]
[[21]] (18:17-19) Duke hequr nyjat shquese, versioni KJ jep përshtypjen se këta janë emra të përveçëm.[[21]] [[22]] (19:35-39) Anembanë besohet se Ai është Krishti para mishërimit (shënimet fundore të versionit NKJ, duke shkruar me shkronja të mëdha fjalën Engjëlli, e hedhin këtë ide).[[22]] [[23]] (20:1-7) Whitcomb, Solomon, f. 127.[[23]] [[24]] (20:20,21) Teksti i mbishkrimit mund të gjendet te Unger’s Bible Dictionary, f. 481,482 dhe te First and Second Kings, nga Rikardi I. McNeely, f. 145.[[24]] [[25]] (23:15-18) Williams, Commentary, f. 221.[[25]] [[26]] (24:1-4) Whitcomb, Solomon, f. 146.[[26]] [[27]] (25:18-21) Ka tri probleme numerike në kapitullin 25, që të gjitha ka gjasa të kenë qenë gabime të kopjuesit, qoftë këtu te 2 Mbretërve apo në vargjet gjegjëse te 1 Mbretërve dhe Jeremia. Kopjimi i përpiktë i numrave në dorëshkrimet hebraike përbën një problem të veçantë (shikoni 2 Kronikave për më tepër hollësi rreth këtij problemi). Vështirësitë janë: data në të cilën u dogj Jerusalemi (v. 8 thotë ditën e shtatë të muajit, ndërsa Jer. 52:12 thotë ditën e dhjetë); lartësitë e kapiteleve në shtylla (v. 17 thotë tre kubitë, por 1 i Mbreterve 7:16 thotë pesë kubitë); numri i këshilltarëve të vrarë (v. 19-21 thotë u vranë pesë; Jer. 52:25 thotë u vranë shtatë).[[27]]