Pjesa e mbetur e Librit të Dytë të Samuelit është me të vërtetë një shtojcë që nënvizon ndodhi të ndryshme gjatë mbretërisë së Davidit, edhe pse jo në rendin kronologjik (rendi kronologjik vazhdon përsëri te 1 Mbretërve 1).
A. Zia e bukës dhe përfundimi i saj (kapitulli 21)
21:1 Ndodhia e parë ishte zia e bukës, që zgjati për tre vjet. Kur Davidi kërkoi fytyrën e Zotit për arsyen e kësaj, mori përgjigje se kjo kishte ardhur për shkak se Sauli kishte shkelur besëlidhjen me gabaonitët. Këta banorë paganë të vendit ia kishin hedhur Jozueut duke bërë një marrëveshje me të. Sauli kishte shkelur marrëveshjen duke u përpjekur të shkatërronte gabaonitët, një fakt që nuk përmendet më parë në DhV. Termi “të shtëpisë së tij gjakatare” mund të nënkuptojë se pasardhësit e Saulit kishin luajtur një rol të rëndësishëm në vrasjen e gabaonitëve, rast për të cilin ndëshkimi i tyre ishte i drejtë (v. 2-9). Mund të duket e ashpër që kombi të vuante për krimin e një njeriu që tashmë kishte vdekur, por shekuj më parë Izraeli ishte betuar solemnisht para gabaonitëve (Joz. 9:19,20) dhe zia erdhi për shkak të një betimi të shkelur. Koha nuk e fashit kujtesën e Perëndisë apo ndjenjën e Tij të drejtësisë.
21:2-9 Davidi thirri gabaonitët për të parë se çfarë do të pranonin për të shlyer fyerjen e Saulit. Ata shpjeguan se nuk donin arin apo argjendin e Saulit dhe se nuk kishin të drejtë të vrisnin ndonjë njeri në Izrael. Asgjë tjetër përveç ekzekutimit të shtatë pasardhësve meshkuj të Saulit dhe Davidi lejoi të bëhej një gjë e tillë. Shtatë djemtë ishin: dy bijtë e Ritspahut – Armoni dhe Mefiboshethi (jo Mefiboshethi, biri i Jonathanit) – dhe pesë bijtë e vajzës së Saulit, Merabit (v. 8, versioni NKJV). Leximi i duhur këtu dhe dy arsyet për të mos pranuar “Mikalin” janë se Mikali u martua me Paltin dhe jo me Adrielin (shikoni 1 Sam. 25:44) dhe ajo nuk kishte fëmijë (2 i Samuelit 6:23). Barzilai i përmendur këtu nuk është i njëjti me atë që më parë e kishte ndihmuar Davidin kur u arratis nga Absalomi (17:27).
21:10 Ritspahu, konkubina besnike e Saulit, vuri një rojë te trupat e tyre, ditë e natë, që asnjë shpend i egër apo egërsirë të mos i prekte. Ajo qëndroi atje nga fillimi i korrjes derisa Perëndia dërgoi shiun dhe kështu mori fund zia që shkaktoi këto vdekje.
21:11-14 Kur Davidi dëgjoi për përkushtimin e saj, vendosi t’i varroste me nder këta shtatë trupa dhe gjithashtu eshtrat e Saulit dhe Jonathanit, që ishin varrosur në Jabesh të Galaadit. Eshtrat e Saulit dhe të Jonathanit u vunë për t’u prehur në Kish të Beniaminit.
21:15-22 Kjo pjesë përshkruan betejat e ndryshme kundër gjigantëve filistenj. Në të parën, Davidi gati sa nuk u vra nga Ishbi-Benobi, por Abishai e shpëtoi dhe vrau… filisteun. Që nga ajo kohë e tutje populli nuk e lejoi Davidin të dilte me ta për të luftuar. Në betejën e dytë, në Gob (apo Gezer), një bir tjetër i një gjiganti u vra nga Sibekai. Në betejën e tretë, Elhanani… vrau vëllanë e Goliathit nga Gathi, që quhej Lahmi – krahasoni 1 i Kronikave 20:5. Beteja e katërt shkaktoi vdekjen e një gjiganti, i cili kishte gjashtë gishtërinj në çdo dorë dhe gjashtë gishtërinj në çdo këmbë. Plini (Pliny) përmend disa romakë fis gjashtëgishtërinjsh (sedigiti) dhe kjo veçori është trashëguar në disa familje {{20}}.
B. Psalmi falënderues i Davidit (kapitulli 22)
22:1-51 Me fjalët e këtij kantiku… Davidi lavdëron Zotin për çlirimin nga armiqtë e tij dhe për bekimet e panumërta që kishte treguar ndaj tij. Mbase u shkrua pasi Davidi ishte vendosur me qëndrueshmëri në fron. Sauli kishte vdekur, mbretëria ishte bashkuar nën udhëheqësinë e tij dhe armiqtë e Izraelit ishin mundur. Këto fjalë gjenden te Psalmi 18, me pak ndryshime dhe citohen në DhR për Mesian (v. 3, “në të cilin strehohem”, krahasoni Hebrenjve 2:13; v. 50, krahasoni Romakëve 15:9).
Duke e quajtur si një psalm që flet për Mesian, mund të bëjmë këtë ndarje:
1. Lavdërim Perëndisë për dëgjimin dhe përgjigjen ndaj lutjes (v. 2-4);
2. Vdekja që pësoi Shpëtimtari (v. 5-7a).
3. Lufta e Perëndisë kundër ushtrive të ferrit ndërsa përpiqen në mënyrë të pasuksesshme për të parandaluar Ringjalljen (v. 7b-20).
4. Arsyet se pse Perëndia e ringjalli Mesian nga të vdekurit (v. 21-30).
5. Ardhja e Dytë e Mesias kur do të shkatërrojë armiqtë e Tij (v. 31-43).
6. Mbretëria e lavdishme e Mesias (v. 44-51).
Për një shpjegim të hollësishëm shikoni komentimin te Psalmi 18.
C. Njerëzit e mëdhenj të Davidit (kapitulli 23)
23:1-7 Shtatë vargjet e para paraqesin fjalët e fundit të mrekullueshme të Davidit – pra, fjalimi i tij i fundit në këngë. Ai përshkruan sunduesin ideal, Mesian, mbretëria e të cilit do të jetë agim i lavdishëm, si drita e mëngjesit pas një nate të gjatë të stuhishme {{21}}. Davidi kuptoi se nuk arrinte të jepte një përshkrim të saktë, por gjeti ngushëllim në faktin se besëlidhja e Perëndisë e siguroi se Mesia do të rridhte nga ai. Vargjet 6 e 7 përshkruajnë gjykimin e Krishtin mbi bijtë e rebelimit kur të kthehet për të vendosur mbretërinë e Tij.
23:8-12 Te vargjet 8-39 paraqitet një katalog i njerëzve të mëdhenj të Davidit. Është domethënëse fakti që Joabi nuk nderohet në këtë listë, mbase ngaqë vrau Absalomin (edhe Abnerin dhe Amasën). Ky regjistër është afër fundit të mbretërisë së Davidit, ndërsa lista paralele te 1 Kronikave 11:11-47 vihet në fillim. Edhe pse nuk është e njëjtë, ka ngjashmëri të mëdha midis dy listave. Më tepër informacion rreth këtyre njerëzve dhe bëmave të tyre mund të gjenden në komentimin e 1 Kronikave 11.
Tre luftëtarët e parë trima ishin:
1. Josheb-Bashshebethi, i quajtur gjithashtu Etseniti Adino – ai vrau tetëqind njerëz në një herë të vetme (1 Kronikave thotë treqind, por ai numër mbase është një gabim i kopjuesit).
2. Eleazari – ai u ndesh me filistenjtë kur ushtarët e tjerë ishin tërhequr. Ata u kthyen vetëm të hiqnin të vrarët. Kur beteja kishte mbaruar, dora e tij ishte aq e rraskapitur (mbase e tkurrur), saqë nuk mund t’i hiqte gishtërinjtë nga shpata.
3. Shamahu – ai qëndroi vetëm kundër filistenjve kur njerëzit e Izraelit ia kishin mbathur. Duke qëndruar në një fushë të mbjellë me thjerrëza, ai u ndesh me armikun dhe korri një fitore të madhe.
23:13-17 Tre burrat e mëdhenj që nuk u thuhet emri, për të cilët flitet këtu, shkuan te Davidi kur ishte në shpellën e Adullamit dhe kur Betlemi ishte në duart e filistenjve. Davidi shprehu një dëshirë për të pirë ujë nga pusi i Betlemit. Duke rrezikuar jetët e tyre, këta trima çanë në mes të kampit të filistenjve dhe i çuan Davidit… ujë. Ai u prek aq shumë nga kjo sakrificë, saqë e derdhi ujin si një ofertë përpara Zotit; atij nuk ia bëri zemra ta pinte. Uilliamsi komenton:
Ata që jetojnë afër Jezusit dëgjojnë dëshirat e zemrës së Tij për thatësirën e dashurisë nga Afrika, India e Kina; dhe, ashtu si këta njerëz trima i kthejnë krahët shtëpive e pasurive të tyre, vënë në rrezik, apo japin jetët e tyre për të fituar për Krishtin dashurinë dhe shërbesën e kombeve që mbahen si të pashpresa nën fuqinë e Satanit, ashtu siç ishte pusi i Betlehemit në duart e filistenjve {{22}}.
23:18-23 Edhe dy heronjtë e famshëm të Davidit ishin:
1. Abishai – ai vrau treqind njerëz dhe ishte i pari midis të treve të përmendur në vargun 16, edhe pse nuk ishte një prej tyre.
2. Benajahu – ai vrau dy heronj të Moabit. Ai vrau gjithashtu një luan… në mes të një sterne… një ditë kur binte borë dhe një egjiptas që ishte i armatosur më mirë se ai.
23:24-39 Trimat e fundit të Davidit – të tridhjetët apo tridhjetë e shtatë vetat) jepen te vargjet 24-39.
Disa numra në këtë kapitull kanë nevojë për shpjegim, si për shembull tridhjetë krerët (v. 13,14), tridhjetë e shtatë vetat (v. 39) etj. Të tridhjetët mund të kenë qenë një grup i zgjedhur ushtarak, por duke numëruar tërë ata që kanë shërbyer në të në një kohë apo në një tjetër, shuma e përgjithshme ishte tridhjetë e shtatë. Ishin tre në grupin e parë: Josheb-Bashshebethi (ose Adino), Eleazari dhe Shamahu (v. 8-12). Dy ishin në grupin e dytë: Abishai dhe Benajahu (v. 18-23). Në grupin e tretë (v. 24-39), numri “tridhjetë” mund të ketë qenë një term teknik, si numri “dymbëdhjetë” për apostujt, edhe pse një apo më tepër nuk ndodheshin atje. Mund të ketë qenë krejt e fjalëpërfjalëshme, por njerëzit e tjerë përveç tridhjetëshes mund të kenë qenë zëvendësuesit e atyre që kanë vdekur në betejë, si për shembull Uriahu, hiteu, njeriu i fundit i fortë në listë dhe burri i Bath-Shebës.
Edhe Zoti Jezus ka burrat dhe gratë e Tij të fortë. Ai i shënon ata ashtu siç shënoi Davidi ata që i shërbyen denjësisht atij. Çfarëdolloj klase qofshim, le të luftojmë luftën e mirë të besimit:
Ushtarë të Krishtit, çohuni,
dhe vishni armaturën tuaj,
të fortë në forcën që Perëndia jep,
me anë të Birit të Tij të përjetshëm.
Qëndroni, pra, në forcën e Tij,
të veshur me tërë forcën e Tij;
por merrni armaturën e Perëndisë,
që të armatoseni për të luftuar.
D. Regjistrimi i Davidit dhe pasojat e tij (kapitulli 24)
Uilliam Kroketi (William D. Crockett) mendon se ngjarjet e regjistruara këtu kanë ndodhur në kohën kur Davidi pushtoi Jerusalemin (kapitulli 5), por para se ta çonte arkën në qytetin e shenjtë (kapitulli 6) {{23}}.
24:1 Duket sikur Perëndia në zemërimin e Tij i tha Daividt të bënte regjistrimin e Izraelit dhe të Judës. Por mësojmë nga 1 Kronikave 21:1 se ishte Satani që e nxiti Davidin ta bënte një gjë të tillë. Satani e kurdisi, Davidi e kreu (për shkak të krenarisë së zemrës së tij) dhe Perëndia e lejoi. Përkthimi i versionit Septuagint i vargut 1 është: “Dhe Satani nxiti Davidin” dhe jo: “dhe Ai nxiti Davidin“.
24:2-9 Kur mbreti e urdhëroi Joabin të fillonte numërimin, komandanti ushtarak i Davidit tregoi gjykim më të mirë se ai. Ai kuptoi se qëllimi i regjistrimit ishte të kënaqte krenarinë e Davidit dhe ai e nxiti mbretin të mos e bënte një gjë të tillë, por më kot. Duke iu bindur Davidit, Joabi dhe njerëzit e tij shkuan në tërë vendin, duke numëruar popullin; ata zbuluan se ishin tetëqind mijë ushtarë në Izrael dhe pesëqind mijë në Judë.
Eksodi 30:12,13 urdhëron se duhej mbledhur një gjysmë sikli si çmim shpengimi sa herë të bëhej një regjistrim. Por nuk përmendet që Davidi e bëri. Krenaria e shtyn atë të numërojë popullin. Regjistrimi mund ta shtynte atë të varej nga madhësia e ushtrisë dhe jo në krahun e Zotit.
24:10-14 Mbasi ishte kryer regjistrimi, mbreti u bind për mëkatin e tij dhe i kërkoi Zotit falje. Perëndia i dërgoi profetin Gad, duke i ofruar një nga tre ndëshkimet: 1. Shtatë vjet zi buke… në vendin e tij; 2. Tre muaj ndjekje nga armiqtë e tij; 3. Tre ditë fatkeqësie apo murtaje. Davidi zgjodhi të binte në duart e Zotit dhe jo në ato të njeriut.
24:15-25 Zoti dërgoi tre ditë murtaje, duke vrarë shtatëdhjetë mijë veta . Engjëlli shkatërrues ishte gati për ta shkatërruar qytetin e Jerusalemit kur Perëndia e ndali afër lëmit të Araunahut (quajtur gjithashtu Ornan). Davidi e pyeti Zotin pse po e shkatërronte popullin e Izraelit kur ishte Davidi dhe shtëpia e tij që ishin fajtorë. Përgjigjja e Perëndisë, thënë me anë të Gadit, ishte që Davidi të ngrinte një altar… në lëmin e Araunahut. Kështu mbreti David menjëherë filloi të fliste me Araunahun, gebuseitin që t’i blinte atë tokë. Edhe pse ishte një johebre, Araunahu ofroi jo vetëm lëmin pa marrë gjë, por gjithashtu qetë për flijimet dhe veglat e shirjes si dru zjarri. Përgjigjja fisnike e mbretit qe: “Nuk do t’i ofroj Zotit, Perëndisë tim, olokauste që nuk më kushtojnë asgjë“.
Në fund Davidi bleu lëmin dhe qetë për pesëdhjetë sikla argjendi (1 i Kronikave 21:25 thotë se Davidi pagoi 600 sikla ari për vendin, por kjo pa dyshim përfshinte pronën rreth lëmit). Murtaja reshti kur olokausti u ofrua në altar (v. 25).
Lëmi i Araunahut, në malin Moriah, ishte i njëjti vend ku Abrahami ofroi Isakun. Më vonë ky u bë vendi i tempullit të Salomonit dhe më pas i tempullit të Herodit në kohën e Krishtit. Sot ky vend zihet nga një altar mysliman – Qemeri i Gurit. Mbase ky do të jetë vendi i tempullit gjatë Mundimit të Madh dhe, së fundi, i tempullit mijëvjeçar.
Shkrimi është plotësisht i ndershëm në shtjellimin e tij të heronjve të besimit. Davidi kishte gabimet e tij dhe ato përmenden krahas besimit të tij. Ne e kemi ndjekur Davidin nga vatha, në mërgim e në përlëvdim. Vetëm disa njerëz kanë ecur aq ngushtë me Perëndinë; vetëm disa njerëz kanë rënë aq thellë në mëkat. Por në të gjitha këto ai u mbështet nga Zoti. Ne të gjithë kemi përfituar nga përvojat që Davidi ka kaluar, sepse ai i ka regjistruar në psalmet e tij.
Metthju Henri flet për Davidin ndërsa shfaqet te librat e Samuelit dhe te Psalmet:
Shumë gjëra në historinë e tij janë ndërtuese; por për heroin që është tema e tyre, edhe pse shumë herë shfaqet shumë i madh, shumë i mirë dhe i përkrahuri i qiellit, duhet të rrëfehet se nderi i tij ndriçon më tepër në Psalmet e tij sesa në Kronikat e tij {{24}}.
Fjalët e Psalmit 40 përmbledhin në mënyrë të drejtë jetën e Davidit:
Unë kam pritur me ngulm dhe me durim Zotin, dhe ai u përkul mbi mua dhe dëgjoi britmën time. Më nxori jashtë një grope shkatërrimi, nga balta e moçalit; i vendosi këmbët e mia mbi një shkëmb dhe i ka bërë të qëndrueshme hapat e mia. Ai vuri në gojën time një kantik të ri për të lëvduar Perëndinë tonë; shumë njerëz kanë për ta parë këtë, do të dridhen dhe do t’i besojnë Zotit (Psalmi 40:1-3).
BIBLIOGRAFI
Për Bibliografinë shikoni te Libri i Parë i Samuelit.
[[21]] Një përshtatje e mrekullueshme muzikore e vargjeve 3b dhe 4 u kompozua nga një
ndër kompozitorët e hershëm të Amerikës, Richard Billings.[[21]]
[[22]] Williams, Student’s Commentary, f. 309.[[22]]
[[23]] (Kapitulli 24, Hyrje) William D. Crockett, A Harmony of Samuel, Kings and Chronicles, f. 138-
140.[[23]]
[[24]] Henry, “Samuel”, II:446.[[24]]