Bekime dhe Përshendetje (2 Thesalonikasve 3:16-18)

3:16 Ky varg është quajtur “një përfundim i paqtë i një letre të furishme”. Në të Pali lutet që shenjtorët që vuajnë në Thesaloniki të mund të njohin paqen e Zotit të paqes në çdo kohë dhe në çdo mënyrë.

Qetësia e një të krishteri nuk varet nga diçka në këtë botë. Ai mbështetet plotësisht në Personin dhe veprën e Zotit Jezus. Bota nuk mund t’i japë gjë atij as nuk mund t’i marrë gjë. Por ne duhet ta besojmë këtë në çdo rrethanë të jetës. “Paqe nuk do të thotë reshtje e përndjekjes, por është qetësia e zemrës që vjen nga besimi në Perëndinë dhe që është i pavarur nga rrethanat”.

3:17,18 Në këtë pikë Pali mori penën e tij nga dora e ndihmuesit të tij (sekretarit) dhe shkroi të falat mbyllëse. Ai e quan përshëndetjen e tij shenjë në çdo letër që shkruan. Disa kanë menduar se ai ka nënkuptuar me këtë se shkrimet e Palit në fund të çdo letre vërtetonin se ishin me të vërtetë të tijat. Të tjerë besojnë se shenja është bekimi karakteristik i Palit: hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju të gjithë (Rom. 16:24; 1 e Korintasve 16:23; 2 e Korintasve 13:14; Gal. 6:18; Ef. 6:24; Fil. 4:23; Kolosianeve 4:18; 1 Thes. 5:28; 1 Tim. 6:21; 2 Tim. 4:22; Tit. 3:15; Filem. 25 dhe, nëse Pali ka shkruar Letrën Drejtuar Hebrenjve, Heb. 13:25). Nga këto referenca ne shohim se tërë letrat e tij përfundojnë me një shënim hiri.

RRËMBIMI I KISHËS

E vërteta e kthimit të Zotit shfaqet në çdo kapitull të Letrës së 1 drejtuar Thesalonikasve dhe në dy kapitujt e parë të Letrës së Dytë. Kjo është tema bashkuese, filli i artë në tërë skicën.

Por ne duhet të kujtojmë gjithmonë se profecia nuk është caktuar për të ngucur intelektin apo sfiduar kuriozitetin tonë. Qëllimi i saj është të nxisë një ndikim shndërrues në jetët tona.

Për besimtarët shpresa e kthimit të menjëhershëm të Krishtit ka zbatime praktike të një domethënie të gjerë.

1. Duhet të ketë një ndikim pastrues në jetët tona (1 Thes. 5:23; 1 Gjon. 3:3).

2. Duhet të na vërë mbi shpatulla detyrën për t’u lutur dhe punuar për shpëtimin e të humburve (Zan. 19:14; Ezek. 33:6; Juda 21-23).

3. Duhet të na nxisë të këmbëngulim pavarësisht nga përndjekja dhe prova (Rom. 8:18; 2 e Korintasve 4:17; 1 Thes. 4:13-18).

4. Duhet të zvogëlojë dëshirën për të shkuar pas zotërimeve materiale; vlera e tyre bie me afrimin e ardhjes së Tij (shikoni Lev. 25:8-10,14-16).

5. Duhet të na detyrojë t’i kërkojmë falje çdo njeriu që i kemi bërë diçka të keqe dhe të kthejmë ç’kemi marrë pa të drejtë atje ku duhet (Mt. 5:24; Jak. 5:16).

6. Duhet të na frymëzojë për shërbimin e zellshëm duke ditur se nata po vjen ku asnjë nuk mund të punojë (Gjon. 9:4; 1 Thes. 1:9,10a).

7. Duhet të bëjë që të rrimë gjithmonë në pritje (Lu. 12:36) dhe të mbështetemi në Të që të mos turpërohemi para Tij në ardhjen e Tij (1 Gjon. 2:28).

8. Duhet të na bëjë të guximshëm të rrëfejmë Krishtin para të tjerëve (Mark. 8:38; Lu. 9:26).

9. Duhet të vërtetojë të qenurit shpresë ngushëlluese (Gjon. 14:1-3,28; 1 Thes. 4:18; 2 Thes. 1:7; 2 Tim. 2:12).

10. Duhet të jetë një nxitje për kujdesje, mirësjellje dhe maturi të këndshme (Fil. 4:5).

11. Duhet të jetë një shtysë për unitet dhe dashuri (1 Thes. 3:12,13).

12. Duhet të nxisë një qëndrim tjetër ndaj botës (Kolosianeve 3:1-4).

13. Duhet të jetë një kujtesë e gjyqit të Krishtit dhe shpërblimit të ardhshëm (Rom. 14:10-12; 1 e Korintasve 3:11-15; 2 e Korintasve 5:10).

14. Duhet të përdoret si një thirrje e fuqishme për të predikuar ungjillin (Veprat e Apostujve 3:19-21; Zbu. 3:3).

Për ata që nuk janë besimtarë e vërteta e ardhjes së Krishtit duhet t’i çojë ata që të pendohen për mëkatet e tyre dhe të bëjnë një dorëzim të plotë të jetëve të tyre ndaj tij si Zot dhe Shpëtimtar. Vetëm ata që janë në Krishtin do të shkojnë me Të ditën e Rrëmbimit. Pjesa tjetër do të lihet pas për gjykim.

Çfarë do të bëhet nëse ajo ditë vjen sot?

Për shkak të rëndësisë së ardhjes së Krishtit te Letra e Thesalonikasve dhe në jetën e krishterë, ne shtojmë përmbledhjet e mëposhtme:

Argumente për Rrëmbimin para Mundimit të Madh

1. Argumenti i parë mbështetet në faktin që Krishti mund të kthehet në çdo kohë (pashmangshmëria e afërt dhe e shpejtë e ardhjes së Tij). Ka shumë pjesë nga Shkrimi që tregojnë se të krishterët duhet të presin Zotin të vijë në çdo kohë. Ne duhet të rrimë syhapur dhe të presim, duke mos ditur kohën e ardhjes së Tij. Nëse kisha duhet të kalojë përmes Mundimit të Madh, atëherë ne nuk mund të presim që Ai të vijë në çdo çast. Dmth, nëse ti beson që kisha duhet të kalojë përmes Mundimit të Madh, atëherë Krishti nuk mund të vijë për të paktën shtatë vjet, meqë ne tani nuk jemi në Mundimin e Madh dhe kur të vijë Mundimi, ai do të zgjasë shtatë vjet. Pra, me një qëndrim të tillë ti nuk mund të presesh që Krishti të vijë në çdo çast. Prandaj, qëndrimi se Rrëmbimi ndodh përpara Mundimit të Madh është i vetmi që mund të qëndrojë dhe që mund të na bëjë të besojmë se Krishti mund të vijë në çdo kohë.

Këtu kemi disa nga vargjet që tregojnë se ne duhet të presim vazhdimisht që Zoti të vijë meqë ne nuk e dimë kohën e asaj ngjarjeje.

“Dhe jo vetëm kaq, por edhe ne vetë që kemi frytet e para të Frymës, vajtojmë në veten tonë, duke pritur flakët birërimin, shpengimin e trupit tonë” (Rom. 8:23).

“Sepse sa herë të hani nga kjo bukë ose të pini nga kjo kupë, ju shpallni vdekjen e Zotit, derisa ai të vijë” (1 e Korintasve 11:26 – Shkruajtur korintasve, kjo nënkupton se Zoti mund të vijë gjatë jetës së tyre).

“Sepse në këtë çadër ne psherëtijmë duke dëshiruar fort të vishemi me banesën tonë qiellore” (2 e Korintasve 5:2 – Besimtarët do të vishen me trupat e tyre të lavdëruar në ditën e Rrëmbimit).

“Ne në fakt në Frymë, nëpërmjet besimit presim shpresën e drejtësisë” (Gal. 5:5 – Shpresa e drejtësisë është ardhja e Zotit dhe trupi i lavdëruar që do të marrim në atë kohë).

“Sepse qytetëria jonë është në qiejt, prej nga edhe presim Shpëtimtarin, Zotin Jezu Krisht, i cili do ta transformojë trupin tonë të përunjur, që të bëhet i ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm, sipas fuqisë së tij që t’i nënshtrojë ndaj vetes të gjitha gjërat.” (Fil. 3:20,21).

“Zemërbutësia juaj le të njihet nga të gjithë njerëzit; Zoti është afër” (Fil. 4:5).

“Sepse vetë ata tregojnë për ne, si qe ardhja jonë ndër ju, si u kthyet nga idhujt te Perëndia, për t’i shërbyer Perëndisë së gjallë e të vërtetë, dhe për të pritur prej qiejve Birin e tij, të cilin ai e ngjalli prej së vdekurish, Jezusin, që na çliron nga zemërim që po vjen” (1 Thes. 1:9,10).

Duke pritur shpresën e lume dhe të shfaqurit e lavdisë së të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht” (Tit. 2:13).

“Kështu edhe Krishti, pasi u dha vetëm njëherë për të marrë mbi vete mëkatet e shumëve, do të duket për së dyti pa mëkat për ata që e presin për shpëtim” (Heb. 9:28).

“Edhe fort pak kohë, edhe ai që duhet të vijë do të vijë dhe nuk do të vonojë” (Heb. 10:37).

Tani, pra, vëllezër, jini të durueshëm deri në ardhjen e Zotit; shikoni si e pret me durim bujku frytin e çmuar të tokës, derisa të marrë shiun e parë dhe të fundit. Jini të durueshëm edhe ju dhe forconi zemrat tuaja, sepse ardhja e Zotit është afër. Mos u ankoni nga njëri-tjetri, vëllezër, që të mos dënoheni; ja, gjykatësi është te dera” (Jak. 5:7-9).

Tashmë fundi i të gjithave u afrua; jini, pra, të përkorë dhe rrini zgjuar për t’iu kushtuar lutjeve” (1 Pje. 4:7).

“Dhe kushdo që e ka këtë shpresë në të, le ta pastrojë veten, siç është i pastër ai” (1 Gjon. 3:3).

“Ruhuni në dashurinë e Perëndisë, duke pritur mëshirën e Zotit tonë Jezu Krisht, për jetën e përjetshme” (Juda 21. Këtu mëshira e Zotit tonë Jezu Krisht është kthimi i Tij për të marrë në qiell njerëzit e Tij të blerë me gjak).

“Ja, unë vij shpejt; mbaje fort atë që ke, që të mos të marrë ndokush kurorën tënde.” (Zbu. 3:11).

“Ja, unë vij shpejt; lum ai që i ruan fjalët e profecisë së këtij libri.” (Zbu. 22:7).

“Dhe ja, unë vij shpejt, dhe shpërblimi im është me mua, për t’i dhënë gjithsecilit sipas veprave që ai ka bërë” (Zbu. 22:12).

“Ai që dëshmon për këto gjëra, thotë: ‘Po, unë vij shpejt. Amen’. Po, eja, Zoti Jezus” (Zbu. 22:20).

Ka tekste të tjerë të cilët, edhe pse nuk mund t’i referohen drejtpërdrejt Rrëmbimit, shtojnë përshtypjen e përgjithshme se Krishti mund të vijë në çdo kohë. Përmes historisë së saj, kisha e vërtetë që beson në Biblën [në dallim nga të ashtuquajturat kisha dhe njerëzit fetarë që nuk besojnë në Biblën] ka theksuar faktin se koha e saktë e ardhjes së Krishtit është e panjohur dhe për këtë arsye mund të ndodhë në çdo çast.

Rrini zgjuar, pra, sepse nuk e dini në cilën orë do të vijë Zoti juaj. Por dijeni këtë, se ta dinte i zoti i shtëpisë në çfarë orë të natës do të vijë vjedhësi, do të rrinte zgjuar dhe nuk do të lejonte t’i shpërthehej shtëpia. Prandaj edhe ju jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju nuk mendoni” (Mt. 24:42-44).

Sa për atë ditë dhe atë orë, askush nuk e di, as engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati. Tregoni kujdes, rrini zgjuar dhe lutuni, sepse nuk e dini kur do të jetë ai moment. Është sikurse një njeriu i cili, duke u nisur për rrugë, lë shtëpinë e vet duke u dhënë autoritet shërbëtorëve të tij, secilit në detyrën e tij, dhe portierin e urdhëron të rrijë zgjuar. Rrini zgjuar, pra, sepse nuk e dini kur do të vijë i zoti i shtëpisë: në mbrëmje a në mesnatë, kur këndon gjeli a në mëngjes; që ai, duke u kthyer papritmas, të mos ju gjejë në gjumë. Tani, këtë që po ju them juve, ua them të gjithëve: Rrini zgjuar!” (Mark. 13:32-37).

“Ngjajini atyre që presin zotërinë e tyre, kur kthehet nga dasma, për t’ia hapur derën sapo të vijë dhe të trokasë.” (Lu. 12:36).

“Kaq sa nuk ju mungon asnjë dhunti, ndërsa prisni zbulesën e Zotit tonë Jezu Krishtit.” (1 e Korintasve 1:7).

“…Zotit Jezu Krisht, që ka për të gjykuar [dhe është gati ta bëjë] të gjallë e të vdekur” (2 Tim. 4:1, JND).

“Fëmijë, është ora e fundit. Dhe, sikurse e dëgjuat, antikrishti duhet të vijë, dhe tani janë shfaqur shumë antikrishtë; prej nga e dimë se është ora e fundit.” (1 Gjon. 2:18).

Po të mos rrish zgjuar, unë do të vij te ti si vjedhës, dhe nuk do të dish në ç’orë do të vij te ti.” (Zbu. 3:3b).

“Ja, unë po vij si vjedhës; lum ai që rri zgjuar dhe ruan rrobat e veta që të mos ecë i zhveshur dhe të duket turpi i tij” (Zbu. 16:15).

2. Argumenti i dytë mbështetet në premtimin se kisha do të çlirohet nga zemërimi që do të vijë. Te Romakëve 5:9 Pali thotë se ne “do të shpëtojmë nga zemërimi me anë të tij”. 1 Thes. 1:10 e përshkruan Zotin Jezus si Çlirimtarin tonë nga zemërimi që po vjen. Dhe tek 1 Thes. 5:9 ne mësojmë se Perëndia nuk na ka caktuar për zemërim, por për të marrë shpëtimin me anë të Zotit tonë Jezu Krisht. Fjala “zemërim” mund t’i referohet zemërimit të Periudhës së Mundimit të Madh, ose mund t’i referohet gjykimit të përjetshëm të Perëndisë mbi jobesimtarët. Në Letrën drejtuar Thesalonikasve konteksti mbështet zemërimin e Mundimit të Madh (shikoni 1 Thes. 5:2,3; 2 Thes. 1:6-10; 2:10-21).

3. Te Zbulesa 3:10 Krishti premton të mbrojë popullin e Tij nga (greqisht ek, që do të thotë “jashtë nga”) ora e provës, që do të bjerë mbi botë, për të provuar ata që banojnë në tokë.

4. Struktura e librit të Zbulesës sjell mësimin e Rrëmbimit para Mundimit të Madh. Në kapitujt 2 e 3 kisha shihet në tokë, por pas kapitullit 3 nuk përmendet më në tokë. Në kapitujt 4 e 5 shenjtorët shihen në qiell, duke mbajtur kurorat e fitores. Pastaj vjen Mundimi i Madh në tokë në kapitujt 6-19. Shenjtorët e kishës janë tashmë në qiell.

5. Periudha e Mundimit të Madh nuk do të fillojë derisa të shfaqet njeriu i mëkatit (2 Thes. 2:3). Por njeriu i mëkatit nuk do të shfaqet derisa të hiqet më parë ndaluesi (2 Thes. 2:7,8). Fryma e Shenjtë me siguri që i shkon përshtat ndaluesit. Ai pengon apo ndalon zhvillimin e plotë të së keqes për aq kohë sa kisha është në botë. Ai do të hiqet si Banues i kishës në kohën e Rrëmbimit.

Në një farë kuptimi Fryma e Shenjtë ishte gjithmonë në botë dhe gjithmonë do të jetë. Por këtu ishte e një qëllimi të veçantë, sipas të cilës erdhi në Ditën e Rrëshajëve, pra, si Banuesi i përhershëm i besimtarëve dhe kishës. Është në këtë kuptim që Ai do të hiqet ditën e Rrëmbimit. Kjo nuk do të thotë se Fryma e Perëndisë nuk do të vazhdojë shërbesën gjatë Mundimit të Madh. Ai akoma do të bindë dhe do të kthejë mëkatarët. Por Ai nuk do të banojë në ta përgjithmonë dhe Ai nuk do t’i bëjë ata pjesëtarë të kishës. Shërbesa e Tij do të mund të krahasohet me atë të periudhës së DhV.

6. Te 1 Thesalonikasve 4:18 Rrëmbimi paraqitet si një e ardhme ngushëlluese. Dita e Zotit nuk vjen si një ngushëllues, por si një vjedhës natën (1 Thes. 5:2). Ajo do të jetë një kohë e një shkatërrimi të menjëhershëm (v. 3) dhe zemërimi (v. 9), nga e cila nuk do të ketë shpëtim (v. 3). Në dallim me këtë, Rrëmbimi është një shpresë e shkëlqyeshme, jo një shpresë frikësuese.

7. Do të ketë një interval kohe midis ardhjes së Krishtit për shenjtorët e Tij dhe ardhjes së Tij me shenjtorët e Tij. Kur Krishti do të vijë për shenjtorët e Tij, tërë besimtarët do të merren nga bota dhe do të marrin trupat e tyre të përlëvduar (1 e Korintasve 15:51). Megjithatë, kur Krishti do të kthehet për të mbretëruar, do të ketë njerëz që do të shpëtohen që janë akoma në trupat e tyre natyrorë, siç shihet nga fakti se ata do të rrisin fëmijë (Is. 65:20-25; Zak. 8:5). Nëse Rrëmbimi dhe Zbulesa ndodhin në të njëjtën kohë (paraqitje e rrëmbimit pas Mundimit të Madh), atëherë nga vijnë këta njerëz?

Ka një arsye të dytë se pse duhet të ketë një interval kohe midis Rrëmbimit dhe mbretërisë. Gjykata e Krishtit do të ndodhë në qiell menjëherë pas Rrëmbimit, ku Zoti do të gjykojë besnikërinë e shenjtorëve të Tij dhe do t’i shpërblejë ata sipas besnikërisë së tyre (2 e Korintasve 5:10). Shpërblimet e dhëna në këtë kohë do të përcaktojnë shtrirjen e sundimit të dhënë shenjtorëve individualë gjatë Mijëvjeçarit (Lu. 19:17,19). Nëse Rrëmbimi dhe ardhja e mbretërisë do të ndodhin në të njëjtën kohë, nuk do të ketë kohë për Gjykatën e Krishtit.

8. Mënyra e vetme që do të zërë Dita e Zotit është si një vjedhës natën (1 Thes. 5:2). Megjithatë, Pali pohon qartë se ajo nuk do t’i zërë besimtarë si vjedhës natën (1 Thes. 5:4). Prandaj ajo nuk do t’i zërë fare besimtarët. Pse jo? Jepen dy arsye: 1. Besimtarët nuk janë bij të natës, por të ditës (1 Thes. 5:4,5); 2. Perëndia nuk i ka caktuar besimtarët për zemërim (1 Thes. 5:9).

9. Në kohën e Rrëmbimit, besimtarët shkojnë në shtëpinë e Atit (Gjon. 14:3), jo drejt e në tokë, ashtu siç pohojnë njerëzit që besojnë që Rrëmbimi ndodh pas Mundimit të Madh.

10. Mundimi i Madh është qartësisht judaik në karakter. Ai quhet mundimi i Jakobit (Jer. 30:7). Vini re shënimet judaike te Mateu 24: Judea (v. 16), Shabati (v. 20), vendi i shenjtë (v. 15). Këto terma nuk kanë të bëjnë fare me kishën.

11. Disa nga figurat e DhV tregojnë për një Rrëmbim para Mundimit të Madh. Ne nuk e ndërtojmë doktrinën mbi figura, por këto figura mbështesin paraqitjen e Rrëmbimit para Mundimit të Madh.

Enoku, një figurë e kishës, u mor para se të binin ujërat e gjykimit të Perëndisë, ndërsa Noeu dhe familja e tij, figura të pjesës judaike besimtare, u ruajtën përmes përmbytjes.

Loti u çlirua nga Sodoma para se të binte gjykimi i zjarrit.

Oferta e Isakut nga Abrahami është si figurë e ofertës së Perëndisë të Birit të Tij në Kalvar. Hera e parë që Isaku përmendet pas asaj ndodhie është kur ai doli për të takuar nusen e tij dhe për ta çuar në shtëpinë e tij. Kështu shfaqja e parë e Krishtit pas Ngjitjes së Tij do të jetë kur Ai të vijë për të çuar nusen e Tij në qiell.

Elia u mor në qiell para se gjykimi të binte mbi Jezebelin e ligë.

12. Gjashtëdhjetë e nëntë javët e para të profecisë së Danielit (9:24-27) shtrihen nga dekreti i Artakserksit më 445 para K. deri në kryqëzimin e Krishtit. Ato nuk kanë fare lidhje me kishën. Pse, pra, kisha duhet të ndodhet në javën e shtatëdhjetë, që është Periudha e Mundimit të Madh? (Aktualisht Epoka e Kishës ndodhet në një periudhë të ndërmjetme të papërmendur midis javëve gjashtëdhjetë e nëntë dhe shtatëdhjetë).

Argumente kundër Rrëmbimit para Mundimit të Madh dhe në favor të Rrëmbimit pas Mundimit të Madh.

1. Premtimi i Zbulesës 3:10 nuk është se shenjtorët do të shpëtohen nga Mundimi i Madh, por se ata do të ruhen duke kaluar përmes saj (krahasoni Gjonin 17:15).

Përgjigje: Fjalët e përkthyera “do të të ruaj ty nga” në këtë varg fjalë për fjalë nënkuptojnë “do të ruhen jashtë nga”. Parafjala në greqisht (ek) do të thotë “jashtë nga”. Kështu që mendimi nuk është se kisha do të ruhet apo përmes Mundimit të Madh, por se do të ruhet jashtë nga ai.

Të njëjtat fjalë janë përdorur te Gjoni 17:15, ku Jezusi lutet: “Unë nuk kërkoj që ti t’i heqësh nga bota, por që ti t’i mbrosh nga i ligu”. Plummer-i komenton: “Ashtu siç Krishti është Ai të cilin dishepujt jetojnë dhe lëvizin, po kështu i ligu është ai jashtë nga i cili Krishti lutet për të na ruajtur”. Lutja mori përgjigje; besimtarët janë mbajtur jashtë nga pushteti i Satanit dhe janë marrë në mbretërinë e Birit të dashur të Perëndisë.

2. Versioni grek i Romakëve 5:3 thotë: “. . . shtrëngimi prodhon këmbënguljen”.

Përgjigje: Mendimi i disave është se meqë fjala “shtrëngimi” është në të shquar kjo do të thotë se pa tjetër i referohet Mundimit të Madh. Pali nuk po thotë se hera e vetme që shtrëngimi prodhon këmbënguljen është gjatë Periudhës së Mundimit të Madh. Ky argument thotë qartë se shtrëngimi që besimtarët do të kalojnë në këtë jetë prodhon këmbënguljen. Gjithashtu, në greqisht, ashtu si në frëngjisht dhe spanjisht, emrat abstraktë kanë zakonisht nyje, prandaj përkthimi “shtrëngimi” është i saktë.

3. Të krishterëve gjithmonë u janë premtuar mundime (Gjon. 16:33). Nuk ka arsye se pse nuk duhet ta kalojmë atë.

Përgjigje: Askush nuk mohon se “me shumë pikëllime duhet të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë” (Veprat e Apostujve 14:22). Por ka një ndryshim të gjerë midis pikëllimit që është pjesa e çdo besimtari dhe Periudhës së Mundimit të Madh që pret botën që ka kundërshtuar Krishtin.

4. 2 Thesalonikasve 1:7 tregon se shenjtorët nuk do të marrin prehjen derisa Zoti Jezus të kthehet në tokë në fund të Mundimit të Madh.

Përgjigje: Thesalonikasit të cilëve po iu shkruhej e kishin marrë tashmë prehjen e tyre në qiell. Por fati i përndjekësve të tyre dhe ajo që do të jenë shenjtorët do të shfaqet ndaj botës kur Zoti Jezus do të kthehet në fuqi dhe lavdi të madhe.

5. Sipas Veprat e Apostujve 3:21 qiejt do të mbajnë Zotin Jezus deri në kohët e mëkëmbjes së tërë gjërave, pra, të Mijëvjeçarit.

Përgjigje: Këto fjalë iu thanë njerëzve të Izraelit (v. 4). Përsa i përket kombit të Izraelit fjalia është e vërtetë. Kjo përkon me fjalët e Shpëtimtarit për Jerusalemin te Mateu 23:39: “Tash e tutje nuk do të më shihni më derisa të thoni: ‘I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit'”. Kjo do të ndodhë në fund të Periudhës së Mundimit të Madh. Por kisha do të jetë rrëmbyer në qiell shtatë vjet më parë.

6. Psalmi 110:1 thotë se Krishti do të ulet në të djathtë të Perëndisë derisa të shkatërrohen tërë armiqtë e Tij. Kjo do të ndodhë në fund të Mundimit të Madh.

Përgjigje: Te Zbulesa 20:8,9 lexojmë për disa që do të jenë armiqtë e Krishtit në fund të Mijëvjeçarit – që është 1000 vjet pas mbarimit të Mundimit të Madh. E djathta e Perëndisë mund të përshkruajë një pozicion nderi dhe fuqie po ashtu edhe një vendndodhje gjeografike.

7. Te Titi 2:13 shpresa e bekuar është e njëjtë me të dukurit e lavdishëm. Prandaj Rrëmbimi do të ndodhë në të njëjtën kohë si Zbulesa. Prandaj, ne nuk presim një Rrëmbim para Mundimit të Madh, por ardhjen e Krishtit për të mbretëruar.

Përgjigje: Ky argument mbështetet në një rregull të sintaksës greke që quhet rregulli “Grandville Sharp” që thotë: Kur dy emra që lidhen me një “dhe” (gr. kai) janë në të njëjtën rasë dhe një nyjë shquese paraprin emrin e parë, por jo të dytin, emri i dytë i referohet të njëjtit person apo gjëje si emri i parë dhe është një përshkrim i mëtejshëm i tij. Për të dhënë një shembull, Titi 2:13 thotë: “të shfaqurit e lavdisë së të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht”. Fjalët “Perëndi” dhe “Shpëtimtar” lidhen me lidhëzën “dhe”; ato janë në të njëjtën rasë (gjinore); nyja shquese (pjesë e greqishtes “tonë”) paraprin fjalën “Perëndi”, por jo “Shpëtimtar”. Prandaj, sipas rregullit “Grandville Sharp”, fjala “Shpëtimtar” i referohet të njëjtit person si “Perëndisë” dhe është një përshkrim i mëtejshëm i Tij. Kjo vërteton, sigurisht, se Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, është Perëndi.

Tani në të njëjtin varg, thuhet në greqisht “duke pritur shpresën e lume dhe të shfaqurit e lavdisë”. Prandaj, thuhet se, sipas rregullit “Grandville Sharp”, “shpresa e lume” është e njëjtë me “të shfaqurit e lavdisë”, dhe meqë të shfaqurit e lavdisë kuptohet përgjithësisht si ardhja e Krishtit për të mbretëruar, shpresa e besimtarit nuk është një Rrëmbim para Mundimit të Madh, por ardhja e Krishtit në lavdi në tokë.

Ka dy përgjigje për këtë. Së pari, ashtu si tërë rregullat e mirë, rregulli “Grandville Sharp” ka përjashtime. Njëri është te Luka 14:2, që në greqisht lexohet: “Dil nëpër udhë dhe përgjatë gardheve”. Nëse qëndron rregulli, atëherë duhet të besojmë se udhët janë njësoj me gardhet, gjë që nuk është e vërtetë! Një përjashtim i dytë është te Efesianëve 2:20: “mbi themelin e apostujve dhe të profetëve”. Por asnjë studiues i kujdesshëm nuk do të thoshte se apostujt dhe profetët janë të njëjtë.

Por edhe duke hamendësuar se shpresa e lume është e njëjtë si të shfaqurit e lavdisë, çfarë duhet të na pengojë nga pritja e Rrëmbimit të të shfaqurit e lavdisë së Krishtit ndaj kishës ndërsa Zbulesa është të shfaqurit e lavdisë ndaj botës? Fjalët apokalupsis (zbulesë) dhe epiphaneia (shkëlqim apo dukje) mund t’i referohen Rrëmbimit po ashtu edhe ardhjes së Krishtit për të mbretëruar.

8. Shkrime të tjera që tregojnë se shpresa e besimtarit është ardhja e Krishtit për të mbretëruar janë 1 Korintasve 1:7; 1 Timoteut 6:14; 2 Timoteut 4:8; 1 Pjetrit 1:7,13; 4:13.

Përgjigje: Fjalët “zbulim” dhe “shfaqje” përdorur në këto pjesë vlejnë si për ardhjen e Krishtit për shenjtorët e Tij dhe për ardhjen e Tij me shenjtorët e Tij. Së pari, Ai zbulon Vetveten dhe i shfaqet kishës, pastaj më vonë botës.

Por edhe sikur tërë vargjet e cituara t’i referohen ardhjes së Krishtit për të mbretëruar, duhet të jetë e qartë se shpresa e besimtarit përfshin tërë bekimet e të ardhmes profetike. Ne presim Rrëmbimin, ardhjen e Krishtit për të mbretëruar, Mijëvjeçarin dhe gjendjen e përjetshme.

9. Shpresa tradicionale e kishës nuk ka qenë Rrëmbimi para Mundimit të Madh. Kjo filloi vetëm në 160 vitet e fundit me anë të mësimeve të J. N. Darby-t.

Përgjigje: Kisha e DhR po priste Birin e Perëndisë nga qielli. Shenjtorët nuk e dinin se kur do të vinte Ai, kështu që ata e prisnin Atë në çdo kohë.

Argumente të drejtuara, si për shembull çfarë mëson apo nuk mëson një njeri, quhen ad hominem (të njeriut) dhe shihen si të parëndësishme për një çështje. Pyetja e duhur është: “Çfarë mëson Shkrimi?”, jo “Çfarë mëson akëcili njeri?”

10. Boria e fundit e 1 Korintasve 15:52 dhe boria e Perëndisë (1 Thes. 4:16) lidhen me Rrëmbimin dhe janë të njëjtat si boria e shtatë e Zbulesës 11:15. Meqë boria e shtatë bie në fund të Mundimit të Madh kur “mbretëritë e kësaj bote do të bëhen mbretëri të Zotit tonë dhe Krishtit të Tij”, kthimi duhet të jetë pas Mundimit të Madh.

Përgjigje: Këto bori nuk janë të gjitha të njëjta. “Boria e fundit” është e njëjtë me “borinë e Perëndisë”. Ajo do të shpallë Rrëmbimin dhe shenjën e ringjalljes së besimtarëve dhe marrjen e tyre në shtëpinë e Atit. Ajo është “boria e fundit” për kishën. Boria e shtatë te Zbulesa 11:15 është e fundit në një seri gjykimesh gjatë Mundimit të Madh. Ajo është boria e fundit për Izraelin dhe johebrenjtë mosbesues. “Boria e fundit” e 1 Korintasve 15:52 gjithashtu quhet “boria e Perëndisë (1 Thes. 4:16), ajo do të ndodhë para Mundimit të Madh. Boria e shtatë do të ndodhë në fund të Mundimit të Madh.

11. Ringjallja e parë e Zbulesës 20:4,5 ndodh në fund të Mundimit të Madh dhe jo shtatë vjet më parë, para Mundimit të Madh.

Përgjigje: Ringjallja e parë nuk është një ngjarje e veçuar, por një seri. Ajo fillon me ringjalljen e Krishtit (1 e Korintasve 15:23). Një pjesë tjetër do të jetë ringjallja e besimtarëve gjatë Rrëmbimit. Pjesa e tretë do të jetë ringjallja e shenjtorëve të Mundimit të Madh në kohën e ardhjes së Krishtit në tokë (Zbu. 20:4,5). Me fjalë të tjera, ringjallja e parë përfshin ringjalljen e Krishtit dhe të të gjithë besimtarëve të vërtetë, pavarësisht kur janë ringjallur. Të gjithë jobesimtarët do të ringjallen në fund të Mijëvjeçarit për të qëndruar para Fronit të Madh e të Bardhë (Zbu. 20:11-15).

12. Te Mateu 13:24-30 gruri dhe egjra rriten bashkë deri në fund të kohërave, pra, deri në fund të Mundimit të Madh.

Përgjigje: E vërtetë, por kjo shëmbëlltyrë flet për mbretërinë e qiejve dhe jo të kishës. Do të ketë njerëz të vërtetë dhe të rremë në mbretëri deri në fund të Mundimit të Madh.

13. Rrëmbimi nuk mund të jetë i fshehtë sepse do të ketë një zhurmë, zëri i kryeengjëllit dhe borisë së Perëndisë (1 Thes. 4:16).

Përgjigje: Mësimi se Rrëmbimi do të jetë i fshehtë mbështetet në faktin se do të ndodhë sa hap e mbyll sytë (1 e Korintasve 15:52). Ai do të jetë aq i shpejtë saqë bota nuk do të ketë mundësi ta shohë apo ta dijë se çfarë po ndodh.

14. George Müller-i, Samuel Tregelles-i, Oswald Smith-i dhe burra të tjerë të dëgjuar kanë mbështetur mendimin e Rrëmbimit pas Mundimit të Madh.

Përgjigje: Argumenti nuk vërteton asgjë. Ka pasur burra të dëgjuar nga të dyja anët.

15. Shumë referenca në DhR përsa i përket kthimit të Krishtit i referohen ardhjes së Tij për të mbretëruar.

Përgjigje: Kjo nuk mohon të vërtetën e Rrëmbimit. Ngaqë ka më shumë referenca për qiellin sesa për ferrin në DhR nuk do të thotë se nuk ka ferr.

16. Kisha nuk do të vuajë zemërimin e Perëndisë gjatë Mundimit të Madh, por ajo do të vuajë zemërimin e Antikrishtit apo të Satanit.

Përgjigje: Gjashtë herë në librin e Zbulesës zemërimi i Periudhës së Mundimit të Madh njëjtësohet si zemërimi i Perëndisë:

“Një engjëll i tretë shkoi pas tyre duke thënë me zë të madh: ‘Nëse ndokush adhuron bishën dhe figurën e saj dhe merr damkën mbi ballin e vet ose mbi dorën e vet, do të pijë edhe ai nga vera e zemërimit të Perëndisë, që është derdhur e papërzier në kupën e zemërimit të tij dhe do të mundohet me zjarr e squfur përpara engjëjve të shenjtë dhe përpara Qengjit’ ” (14:9,10).

“Atëherë engjëlli e lëshoi draprin e tij mbi tokë dhe voli vreshtin e dheut dhe hodhi rrushin në vozën e madhe të zemërimit të Perëndisë” (14:19).

“Pastaj pashë në qiell një shenjë tjetër të madhe dhe të mrekullishme: shtatë engjëj që kishin shtatë plagët e fundit, sepse me to u krye zemërimi i Perëndisë” (15:1).

“Një nga të katër qeniet e gjalla u dha të shtatë engjëjve shtatë kupa ari, plot me zemërimin e Perëndisë, që rron në shekuj të shekujve” (15:7).

“Pastaj dëgjova një zë të madh nga tempulli që u thoshte të shtatë engjëjve: ‘Shkoni dhe derdhni mbi dhe kupat e zemërimit të Perëndisë‘” (16:1).

“Dhe qyteti i madh u nda në tri pjesë dhe qytetet e kombeve ranë, Babilona e madhe u kujtua përpara Perëndisë, që t’i japë kupën e verës së zemërimit të tij të tërbuar” (16:19).

17. Kur Jezusi thotë: “Unë vij shpejt” (Zbu. 22:7,12,20) nuk do të thotë në çdo çast. Por më tepër do të thotë se ardhja e Tij do të jetë e menjëhershme.

Përgjigje: Kjo është një çështje për t’u diskutuar. Edhe sikur të nënkuptojë “menjëherë” ka vargje që e vërtetojnë këtë, si Hebrenjve 10:37: “Edhe fort pak kohë, edhe ai që duhet të vijë do të vijë dhe nuk do të vonojë”.

18. Ndaluesi te 2 Thesalonikasve 2:6-8 nuk është Fryma e Shenjtë, por qeveria romake apo fuqia e Perëndisë.

Përgjigje: Kjo është diskutuar në shënimet e asaj pjese.

19. Ardhja e Krishtit nuk mund të ndodhte [d.m.th. duke e mohuar pashmangshmërinë e afërt dhe të shpejtë të ardhjes së Tij] në kohën apostullore sepse Pjetri dhe Pali e dinin se ata do të vdisnin (Gjon. 21:18,19; 2 Pje. 1:14,15; 2 Tim. 4:6).

Përgjigje: Pali ndonjëherë e tregonte veten e tij të gjallë kur Zoti të kthehej (1 Thes. 4:15) dhe ndonjëherë midis besimtarëve që do të vdisnin dhe do të ringjalleshin (Fil. 3:10,11). Ky është qëndrimi i të tërëve ne. Ne presim që Zoti të vijë gjatë kohës që jemi gjallë, por kuptojmë edhe se ne mund të vdesim para Rrëmbimit.

Pjetri besonte se fundi i tërë gjërave ishte te dera (1 Pje. 4:7) dhe ai dënonte ata përqeshës që mohonin ardhjen e Zotit duke thënë se “të gjitha gjërat mbetën në po atë gjendje si në fillim të krijimit” (2 Pje. 3:4).

20. Ardhja e Zotit nuk mund të ndodhë në çdo çast sepse ungjilli duhet të përhapet në tërë botën para se Ai të vijë (Mt. 24:14).

Përgjigje: Kjo i referohet ungjillit të mbretërisë (v. 14) që do të përhapet në tërë botën gjatë Periudhës së Mundimit të Madh. Termat e ungjillit janë: “Beso në Zotin Jezus Krisht dhe ti do të shpëtohesh dhe kur Krishti të vijë do të hysh në Mijëvjeçar me Të”. Është e njëjta udhë shpëtimi që ne predikojmë, por ne presim Rrëmbimin. Me fjalë të tjera, ne themi: “Beso në Zotin Jezu Krisht dhe ti do të shpëtohesh dhe kur Jezusi të vijë, ti do të shkosh në shtëpinë e Atit me Të”.

21. Pjesë si Mateu 28:19,20 dhe Veprat e Apostujve 1:8 flasin për ungjillin që përhapet ndaj “tërë kombeve” dhe deri “në fund të botës”. Duke qenë kështu, nuk ishte e mundur që Zoti të vinte për aq kohë sa ishin gjallë apostujt.

Përgjigje: Te Kolosianëve 1:6,23 Pali pohon se “gjithë bota” dhe “çdo krijesë nën qiell” ka dëgjuar ungjillin. Te Romakëve 10:18 për ungjillin thuhet se ka shkuar në skajet më të largëta të tokës. Sigurisht, ne kuptojmë se këto pjesë i referohen botës së njohur të atëhershme, vendeve karshi Mesdheut.

22. Planet afatgjata misionare të Palit, siç jepen te Veprat e Apostujve 18:21; 23:11; Rom. 15:22-25,30,31, tregojnë se ai nuk priste që Zoti të vinte në një të ardhme të afërt.

Përgjigje: Planet e Palit u bënë sipas vullnetit të Perëndisë (Veprat e Apostujve 18:21; Rom. 1:10; 1 e Korintasve 4:19). Ai punoi ashtu sikur Zoti nuk do të kthehej gjatë jetës së tij, por priste dhe rrinte zgjuar ashtu sikur të kthehej në çdo kohë.

23. Pali foli për kohë të rrezikshme në ditët e fundit (1 Tim. 4:1-3; 2 Tim. 3:1-5). Kjo hamendësonte një hapësirë kohe gjatë së cilës Zoti nuk do të vinte.

Përgjigje: Pali ka thënë gjithashtu se misteri i paudhësisë ishte në veprim (2 Thes. 2:7) dhe Gjoni thotë se ishte “ora e fundit” në ditën e tij (1 Gjonit 2:18). Këta njerëz nuk shohin ndonjë problem këtu që e bënte shpresën e kthimit të menjëhershëm të Krishtit të pamundur.

24. Shëmbëlltyra si ajo e Mateut 25:14-30 dhe Lukës 19:11-27 parakuptojnë se një periudhë e gjatë kohe do të kalojë para kthimit të Zotit. Prandaj besimtarët e parë nuk mund të prisnin Zotin që të vinte në çdo çast.

Përgjigje: Në pamje të parë besimtarët e parë nuk e mbështesnin doktrinën e tyre në shëmbëlltyra, sepse ata po prisnin Rrëmbimin (1 Thes. 1:10)! Por krejt ndryshe nga kjo, “koha e gjatë” e Mateut 25:19 është aq e pacaktuar saqë ne nuk mund të hedhim poshtë besimin që Krishti mund të vijë në çdo çast. Shëmbëlltyra e Lukës mëson se mbretëria nuk do të shfaqet menjëherë (Lu. 19:11), por kjo nuk ndalon Rrëmbimin e menjëhershëm të kishës.

SHËNIME
[1] (1:1) Ka akoma një asamble të krishterësh të DhR në Thesaloniki (sot quhet Selanik).

[2] (1:5) E. W. Rogers. Concerning the Future. f. 80.

[3] (1:6) George Williams. The Student’s Commentary on the Holy Scriptures. f. 948.

[4] (1:10) Tekstet NU dhe M lexohen “kanë besuar” këtu, pa dyshim si përkthimi më i mirë.

[5] (2:1) William Kelly. Elements of Prophecy. f. 253.

[6] (2:2) “Zot” (Kurios) është leximi nga teksti kritik (NU). Leximi tradicional Christos (TR) i versionit KJ dhe NKJV mbështetet mirë sepse është gjetur në pjesët më të mëdha të dorëshkrimeve. Disa studiues mendojnë se “Dita e Krishtit” është një referencë e periudhës përfundimtare të përndjekjes, që mund të fillojë vetëm kur njeriu i mëkatit të jetë zbuluar. Disa nga thesalonikasit mësonin gabimisht se kjo periudhë kishte filluar tashmë. Duke arsyetuar që kjo periudhë lidhet me kohën që do të ndodhë pas Rrëmbimit, Pali në mënyrë të pakundërshtueshme ndreq këtë keqkuptim.

[7] (2:3) Disa teologë, si J. Dwight Pentecost-i, përkthen apostazia si “largimi” që i referohet Rrëmbimit. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë pa kundërshtim ky varg mëson që Rrëmbimi ndodh përpara Mundimit të Madh.

[8] (2:3) Tekstet TR dhe M lexohen “mëkat” kurse teksti NU lexohet “paligjshmëria”.

[9] (2:4) Parafjala greke anti (këtu një parashtesë) ka kuptimin edhe “kundër” edhe “në vend të”. Të dy kuptimet i shkojnë përshtat Antikrishtit.

[10] (2:6) Greqishtja ka një nyjë dhe pjesore asnjanëse në v. 6, dhe një nyjë dhe pjesore mashkullore në v. 7.

[11] (2:6) Rogers. Future. f. 65.

[12] (2:6) Fryma e Shenjtë është në gjininë asnjanëse për arsye gramatikore (fjala pneuma është asnjanëse). Gjinia mashkullore përdoret për të theksuar personalitetin e Tij.

BIBLIOGRAFI

Shikoni bibliografinë në fund të 1 Thesalonikasve.