Letra e dytë drejtuar Thesalonikasve

Ashtu si në letrën e parë, apostulli nuk merret menjëherë me gabimet, por përgatit zemrat e shenjtorëve shkallë-shkallë dhe nga të tëra anët në mënyrë të tillë që të kapen pas të vërtetës dhe të përjashtojnë gabimin pasi të jetë shfaqur. Kjo është mënyra e hirit dhe urtësisë hyjnore; zemra bëhet e drejtë dhe nuk merret me çështjen e thjeshtë të gabimit apo të së ligës.William Kelly

I. Vendi unik në Kanun

Të vërtetat e rëndësishme që gjenden në këtë letër të shkurtër janë si doktrinore ashtu edhe praktike. Pali shpjegon dhe ndreq më tej të kuptuarit e thesalonikasve përsa i përket Ardhjes së Dytë dhe zbulimit të njeriut të mëkatit. Ai gjithashtu jep këshilla të shëndosha për ata që duan ta përdorin Ardhjen e Dytë si një përligjje për të mos punuar – ata as të mos hanë!

II. Autorësia

Pa dyshim që prova e jashtme e të 2 Thesalonikasve është më e fortë se ajo e së 1 Thesalonikasve. Jo vetëm që është pohuar me kohë nga Polikarpi, Ignatius-i dhe Justin-i (po ashtu gjendet në Prologun e Marcionit dhe Kanunin Muratorian), por Irenaeus-i e citon të 2 Thesalonikasve me emër.

Meqë është kaq e shkurtër, letra nuk ka aq prova të brendshme sa e 1 Thesalonikasve, por e përmban atë letër dhe përputhet aq mirë me të sa pothuaj të gjithë studiuesit pranojnë autorësinë e Palit.

III. Data

E Dyta e Thesalonikasve u shkrua si përgjigje ndaj problemeve të mëtejshme dhe keqkuptimeve nga e 1 Thesalonikasve. Vetëm pak muaj apo pak javë mund të kenë kaluar midis shkrimit të këtyre dy letrave. Pali, Silvani dhe Timoteu ishin akoma bashkë (1:1) dhe Korinti është qyteti i vetëm ku lexojmë se ata ishin bashkë (Veprat e Apostujve 18:1,5). Prandaj, data i përket vitit 50, mbase vitit 50 apo 51 mK.

IV. Sfondi dhe temat

Kishte tri arsye të rëndësishme për shkrimin e një letre tjetër, kaq shpejt pas të parës. Shenjtorët po përndiqeshin dhe kishin nevojë për nxitje (kap. 1). Ata po mësoheshin keq përsa i përket Ditës së Zotit dhe kishin nevojë për ndriçim (kap. 2). Disa po jetonin në plogështi duke pritur Kthimin e Zotit dhe kishin nevojë për ndreqje (kap. 3).

Përsa i përket Ditës së Zotit, besimtarët kishin frikë nëse ishin përfshirë apo jo në të. Druajtjet e tyre forcoheshin nga lajmet e rreme se vetë Pali po mësonte se Dita ishte tashmë te dera. Kështu apostulli e ndreq këtë pikë pështjellimi.

Duhet të ishte e qartë se Dita e Zotit nuk është e njëjta gjë si ardhja e Zotit, pra, Rrëmbimit. Shenjtorët nuk kishin frikë se Zoti kishte ardhur. Ata kishin frikë se ishin përfshirë në Mundimin e Madh, faza e parë e Ditës së Zotit.

Pali nuk kishte mësuar kurrë që duhet të ndodhte ndonjë ngjarje para Rrëmbimit. Por tani ai mëson se para se të fillojë Dita e Zotit, do të ketë një apostazi të madhe, pengesa (ndalesa) do të hiqej dhe njeriu i mëkatit do të shfaqej.

Për të kuptuarit e kësaj letre, asgjë nuk është më e rëndësishme se sa të shohim dallimin midis Rrëmbimit, Ditës së Zotit dhe Ardhjes së Krishtit për të mbretëruar. Dita e Zotit përkufizohet në shënimet te 1 Thes. 5:2. Dallimi midis Rrëmbimit dhe Zbulesës është bërë në shënimet te 2 Thes. 1:7.

PËRMBLEDHJE

I. PËRSHËNDETJE (1:1,2)
II. PALI DHE THESALONIKASIT (1:3-12)
A. Borxhi i Palit për të falënderuar (1:3-5)
B. Gjykimi i drejtë i Perëndisë (1:6-10)
C. Lutja e Palit për shenjtorët (1:11,12)
III. RRETH DITËS SË ZOTIT (2:1-12)
A. Një thirrje për qëndrueshmëri (2:1,2)
B. Njeriu i mëkatit (2:3-12)
IV. FALËNDERIME DHE LUTJE (2:13-17)
A. Falënderimi i Palit që shenjtorët do të shpëtojnë nga gjykimi (2:13,14)
B. Lutja e Palit që shenjtorët do të ngushëllohen dhe themelohen (2:15-17)
V. NXITJE PRAKTIKE (3:1-15)
A. Për lutje të dyanshme (3:1-5)
B. Për trajtimin e të çrregulltve (3:6-15)
VI. BEKIME DHE PËRSHËNDETJE (3:16-18)