Besnikëria kundër apostazisë (2 Timoteut 2:14-4:8)

A. Besnikëria e krishterimit të vërtetë (2:14-26)

2:14 Timoteu duhet t’ua kujtojë atyre këto gjëra, që do të thotë, gjërat e vargjeve 11-13. Por kujt u referohet Pali duke thënë atyre? Ai mbase u referohet në një kuptim të përgjithshëm dëgjuesve të Timoteut dhe në një kuptim të veçantë atyre që po ndërfutnin doktrina të çuditshme. Kjo është e qartë nga pjesa tjetër e vargut, ku ata që kishin vendin e mësuesve dhe predikuesve paralajmërohen të mos hahen kot me fjalë. Duket se janë ata në Efes që e bënin problem domethënien teknike të disa fjalëve. Në vend që të ndërtonin shenjtorët në të vërtetën e fjalës së Perëndisë, ata vetëm po minonin besimin e disa prej atyre që po i dëgjonin.

Dinsdale Young-u paralajmëron:

Është shumë e thjeshtë të bëhemi manivelë teologjike – të bëhemi të gatshëm për të zmadhuar gjërat që nuk kanë rëndësi për çastin. Jeta është shumë e shkurtër dhe shumë e zënë që të merremi me prishjen kot të mendjes dhe zemrës me ato gjëra që nuk formojnë karakterin.

Kur një botë po pret ungjillizimin, nuk na bën mirë të endemi apo të ngutemi përgjatë rrugës doktrinale që nuk na çon gjëkundi. Përpiquni të ecni në rrugën kryesore. Jini të vërtetë ndaj të vërtetave më të mëdha. Theksoni thelbësoren, jo të rastësishmen. Mos u vini në garë me viktimat e panikut në ditët e Shamgarit dhe Jaelit, që lanë bosh rrugët e gjera dhe ecën në qorrsokake [18].

2:15 Timoteu duhet të mundohej të dilte përpara Perëndisë si i sprovuar. Përpjekjet e tij duhet të përqendroheshin për t’u bërë një punëtor që nuk ka pse të turpërohet. Kjo shprehje e fundit do të thotë t’i japësh Shkrimit vendin e duhur, për të “mbajtur drejtimin”, ose ashtu siç e ka përcaktuar Alford-i, “të përpiqesh të trajtosh drejt të vërtetën plotësisht pa e falsifikuar” [19].

2:16Fjalët e kota dhe profane janë mësime që nuk janë për nderim, janë të këqija dhe të padobishme. Ato nuk janë në dobi të njerëzve të Perëndisë dhe duhet të mos përdoren. Timoteu nuk mësohet që t’i luftojë këto mësime, por t’i trajtojë me çnderim, as të mos u kushtojë vëmendje.

Diçka serioze për sa u përket këtyre fjalëve është se nuk janë kurrë statike. Ato gjithmonë çojnë në pabesi. Kështu ndodh me çdo lloj gabimi. Ata që mësojnë gabimin vazhdimisht i shtojnë diçka atij. Kjo shpjegon dogmat e reja dhe shpalljet që po hidhen vazhdimisht nga sistemet e rreme fetare. Është e kotë të themi se sa më tepër përhapen këto gabime doktrinore, aq më tepër rritet pabesia.

2:17 Mënyra me anë të së cilës krahasohet fjala e mësuesve të ligj është gangrena. Shumë prej nesh e dinë se sa shpejt përhapet kjo sëmundje vdekjeprurëse në trupin njerëzor, duke shkatërruar indet ngado që futet.

Fjala kancer mund të përkthehet gjithashtu “gangrenë” [20]. Gangrenë i referohet vdekjes së pjesës së trupit kur ndërpritet furnizimi dhe ushqimi i nevojshëm me gjak.

Në një pjesë tjetër të DhR doktrina e ligë krahasohet me majanë, e cila, nëse lihet të vijë, do të prekë tërë masën e miellit.

Dy njerëz përmenden, mësimet e të cilëve po prishnin kishën lokale. Ata ishin Himeneu dhe Fileti. Ngaqë ata dështuan të trajtonin fjalën e së vërtetës ashtu siç duhej, ata zunë vend me të tjerët në vendin e turpit, caktuar nga Perëndia.

2:18 Këtu shfaqet mësimi i tyre i rremë. Ata u thoshin njerëzve se ringjallja ka ngjarë. Mbase ata nënkuptonin se kur dikush ishte shpëtuar dhe ringjallej në risinë e jetës me Krishtin, kjo ishte ringjallja e vetme që duhej pritur. Me fjalë të tjera, ata thanë që ringjallja nuk është e vërtetë në kuptimin fjalë për fjalë dhe talleshin me idenë e një ringjalljeje fjalë për fjalë të trupit nga varri. Pali e pranonte këtë si një kërcënim serioz të së vërtetës së krishterimit.

Hamilton Smith-i thotë:

Nëse ringjallja ka kaluar tashmë, është e qartë se shenjtorët kanë arritur gjendjen e tyre përfundimtare ndërsa janë akoma mbi tokë, me rrjedhojën se kisha nuk pret më ardhjen e Zotit, humbet të vërtetën e fatit të saj qiellor dhe heq dorë nga karakteri i saj i huaj dhe shtegtar. Duke humbur karakterin e saj qiellor, kisha vendoset mbi tokë, duke zënë vend si një pjesë e sistemit për reformimin dhe qeverisjen e botës [21].

Duke hedhur poshtë besimin e disave këta njerëz fituan për veten e tyre një hyrje të padëshirueshme në librin e përjetshëm të Perëndisë.

2:19 Ndërsa Pali mendon për Himeneun e Filetin dhe mësimin e tyre të rremë, ai kupton përsëri që po vijnë ditë të errëta për kishën. Jobesimtarët janë pranuar në kishën lokale. Jeta frymërore është në një standard të ulët dhe është zakonisht shumë e vështirë të dallojmë të krishterët e vërtetë nga ata të rremë. Krishterimi është një shumicë njerëzish të përzier dhe rrëmuja pasuese është shkatërrimtare.

Në mes të një gjendje të tillë, Pali gjen ngushëllim në sigurinë se themeli i fortë i Perëndisë qëndron i patundur. Kjo do të thotë se ai që është caktuar nga Vetë Perëndia do të qëndrojë pavarësisht nga rënia në kishë.

Shpjegime të ndryshme janë dhënë për sa i përket domethënies së themelit të fortë të Perëndisë. Disa hedhin mendimin se është kisha e vërtetë. Të tjerë thonë se i referohet premtimit të Perëndisë, besimit të krishterë, apo doktrinës së zgjedhjes. Por a nuk është e qartë se themeli i fortë i Perëndisë i referohet diçkaje që Zoti e bën? Nëse Ai ka dërguar fjalën e Tij, asgjë nuk mund ta pengojë atë. Hamilton Smith-i thotë: “Asnjë dështim njerëzor nuk mund të vërë mënjanë themelin që Perëndia ka hedhur, apo të ndalë Perëndinë nga kryerja e asaj që Ai ka vendosur… Ata që janë të Zotit, edhe pse të penguar në masë, nuk mund të jenë të humbur” [22].

Themeli i Perëndisë ka një vulë të dyfishtë. Ka një anë njerëzore dhe një hyjnore në të njëjtën kohë. Nga ana hyjnore Zoti i njeh të vetët. Ai i njeh ata, jo vetëm për sa i përket njohjes fizike, por i miraton dhe i vlerëson. Lenski thotë se Ai i njeh ata “me dashuri miratuese dhe të ngrohtë” [23]. Ana njerëzore e vulës është se kushdo që përmend emrin e Krishtit [24] duhet t’i largohet paudhësisë. Me fjalë të tjera, ata që rrëfejnë se janë të krishterë mund të provojnë realitetin e rrëfimit të tyre me anë të jetëve në shenjtëri dhe perëndishmëri. I krishteri i vërtetë nuk duhet të ketë asnjë lidhje me paudhësinë.

Një vulë është një shenjë pronësie dhe gjithashtu një emblemë e garancisë dhe sigurisë. Prandaj një vulëthemelin e Perëndisë do të thotë pronësi ndaj atyre që janë besimtarë të vërtetë dhe siguri që ata që janë kthyer do të vërtetojnë realitetin e jetës së tyre të re duke u larguar nga paudhësia.

2:20 Në këtë ilustrim, ne kuptojmë se shtëpia e madhe i referohet krishterimit në përgjithësi. Në një kuptim të gjerë, krishterimi përfshin tërë besimtarët e vërtetë dhe të rremë – ata që kanë lindur me të vërtetë sërish dhe ata që janë të krishterë veç në emër.

Enë prej ari dhe argjendi u referohet besimtarëve të vërtetë.

Enët prej druri dhe balte nuk u referohet jobesimtarëve në përgjithësi, por atyre në veçanti që ishin punonjës të këqij dhe që mësonin doktrina të rreme, si Himeneu dhe Fileti (v. 17).

Duhen vënë re disa gjëra rreth këtyre enëve. Së pari, ka një ndarje të rëndësishme midis materialeve prej të cilave përbëhen enët. Së dyti, ka një ndryshim në përdorimin e tyre. Së fundi, ka një dallim për sa i përket fatit të tyre përfundimtar. Enët prej druri dhe balte dalin jashtë përdorimit pas një farë kohe, por ato prej ari dhe argjendi mbeten të vlefshme.

Shprehja disa për të nderuar; të tjerat për të mos nderuar është interpretuar në shumë mënyra. Disa hedhin mendimin se për të mos nderuar do të thotë thjesht me “më pak nder”. Në këtë rast, të tëra enët do të vlejnë për besimtarët e vërtetë, por disa përdoren për qëllime më të larta dhe disa për më të ulta. Të tjerë mendojnë se enët për të nderuar u referohen njerëzve si Pali dhe Timoteu, ndërsa ato për të mos nderuar u referohen njerëzve të tillë si Himeneu dhe Fileti.

2:21 Interpretimi i kësaj pjese varet gjerësisht nga kuptimi i fjalëve këto gjëra në fjalinë: “Pra, në qoftë se dikush pastrohet nga këto gjëra”.

Këto gjëra a mos u referohen enëve prej druri dhe balte? A mos u referohen mësimeve të rreme që janë përmendur më parë në këtë kapitull? Apo mos u referohen në përgjithësi njerëzve të ligj?

Domethënia më natyrale duket se lidh këto gjëra me enët që janë për të mos nderuar. Timoteu udhëzohet të ndahet nga njerëzit e ligj dhe sidomos nga mësuesit e ligj, si ata që Pali përmendi – Himeneu dhe Fileti.

Timoteu nuk udhëzohet të braktisë kishën. As nuk i thuhet të lërë krishterimin. Do të ishte e pamundur për të të bënte një gjë të tillë pa hequr dorë nga rrëfimi i tij i krishterë, meqë krishterimi përfshin të gjithë ata që rrëfejnë se janë besimtarë. Por, për më tepër, është një çështje ndarjeje nga keqbërësit dhe shmangie nga ndotja e doktrinës së ligë.

Nëse një njeri e ruan veten nga shoqëruesit e ligj, do të jetë një enë nderi. Perëndia mund të përdorë vetëm enë të pastra për një shërbim të shenjtë. “Pastrohuni, ju që mbani vazot e Zotit” (Isa. 52:11). Një njeri i tillë do të shenjtërohet në kuptimin se ai do të ndahet nga e keqja për shërbimin e Perëndisë. Ai do të jetë i dobishëm për të zotin – tepër i dëshiruar nga ata që duan Zotin. Së fundi, ai do të jetë i përgatitur për çdo vepër të mirë. Ai do të jetë gati në çdo kohë për t’u përdorur në çfarëdolloj mënyre që do t’i tregojë Mësuesi i tij.

2:22 Timoteu jo vetëm që duhet të largohej vetë nga njerëzit e paudhë, por ai duhet të largohej vetë nga pasionet e mishit. Pasionet rinore mund t’u referohen jo vetëm orekseve fizike, por gjithashtu pasionit për para, famë dhe kënaqësi. Ato mund të përfshijnë gjithashtu egoizmin, padurimin, krenarinë dhe mendjelehtësinë. Ashtu siç e kemi përmendur, Timoteu mbase ishte tridhjetë e pesë vjeç në atë kohë. Prandaj, pasionet rinore nuk nënkuptojnë patjetër pasionet që karakterizojnë në veçanti adoleshentët, por përfshin tërë dëshirat jo të shenjta që mund t’i dalin para një shërbëtori të Zotit dhe që përpiqen ta largojnë atë nga shtegu i pastërtisë dhe drejtësisë.

Timoteu jo vetëm që duhet të largohet, por ai duhet të ndjekë. Këtu kemi të përzier anën negative dhe pozitive.

Ai duhet t’i bjerë pas drejtësisë. Kjo do të thotë thjesht se marrëdhëniet e tij me njerëzit e tjerë, të shpëtuar apo jo, duhet të karakterizohen gjithmonë nga ndershmëria, drejtësia dhe ndershmëria.

Besimi mund të nënkuptojë besnikëri apo drejtësi absolute. Nga njëra anë, mund të përfshijë një varësi të vazhdueshme në Zotin. Hiebert-i e përcakton atë si “besim të sinqertë dhe dinamik në Perëndinë” [25].

Dashuria nuk mund të kufizohet këtu vetëm për të dashur Perëndinë, por duhet të përfshijë gjithashtu dashurinë për vëllezërit dhe për botën e mëkatarëve të pashpëtuar. Dashuria gjithmonë i merr parasysh të tjerët; ajo është joegoiste në thelb.

Paqja jep idenë e një harmonie dhe përputhshmërie.

Këto virtyte duhet të ndiqen bashkë me ata që e thërresin në ndihmë Zotin me zemër të pastër. Ashtu si në vargun 21 Timoteu u paralajmërua të ndahej nga njerëzit e ligj, po kështu këtu mësohet të shoqërohet me të krishterë që ecin në pastërti para Zotit. Ai nuk duhet të ndjekë virtytet e jetës së krishterë i veçuar nga të tjerët, por, për më tepër, duhet të zërë vendin e tij si pjesëtar në Trupin dhe të përpiqet të punojë me pjesëtarët e tjerë për të mirën e Trupit.

2:23 Përgjatë shërbesës së tij të krishterë, Timoteu do të përballej zakonisht me çështje të parëndësishme dhe të marra. Çështje të tilla do të dilnin nga një mendje jo e ditur dhe e paedukuar që nuk ka një dobi të vërtetë lidhur me to. Diskutime të tilla duhet të mos pranohen sepse shkaktojnë grindje. Nuk diskutohet që këto janë çështje që nuk lidhen me themelet e mëdha të besimit të krishterë, por janë më tepër probleme të marra që çojnë vetëm në harxhim të kotë kohe dhe shkaktojnë pështjellim dhe zënka.

2:24Shërbëtori i Zotit këtu i referohet fjalë për fjalë shërbëtorit [ai që është një shërbëtor nga dëshira, jo nga detyra] të Zotit. Është me vend që ky titull duhet të përdoret në një varg ku nxiten mirësjellja dhe durimi.

Edhe pse shërbëtori i Zotit duhet të luftojë për të vërtetën, në të njëjtën kohë ai nuk duhet të jetë luftarak apo grindavec. Por, për më tepër, ai duhet të jetë i butë me të gjithë dhe t’u afrohet njerëzve me qëllimin për t’i mësuar në vend që të fitojë një çështje. Ai duhet të jetë i durueshëm me ata që janë të ngadalshëm në të kuptuar dhe me ata që nuk duken të gatshëm të pranojnë të vërtetën e fjalës së Perëndisë.

2:25 Shërbëtori i Zotit duhet të ushtrojë përulësi dhe butësi me kundërshtarët. Një njeri gabon në shpirtin e tij duke mos pranuar të përkulet ndaj fjalës së Perëndisë. Një njeri i tillë duhet të ndreqet që padituria e tij të mos vazhdojë me mendimin e gabuar se mendimi i vet është në përputhje me Shkrimin.

Me shpresë se Perëndia ua jep atyre të pendohen, që të arrijnë të njohin të vërtetën. Në fillim, kjo duket se hedh mendimin se flitet për gatishmërinë e Perëndisë për një pendim të madh të këtyre njerëzve. Nuk është kjo gjë për të cilën po flitet këtu. Thelbi i çështjes është se Perëndia po pret t’i falë ata nëse vetëm ata do të vijnë tek Ai në rrëfim dhe pendim. Perëndia nuk ua ruan pendimin askujt, por njerëzit zakonisht nuk duan të pranojnë se e kanë gabim.

2:26 Shërbëtori i Zotit duhet të merret me njerëzit që kanë gabuar që të vijnë në vete, duke shpëtuar nga laku i djallit, që i ka zënë robër të vullnetit të tij. Ata janë zënë robër të vullnetit të tij dhe, në të vërtetë, janë të magjepsur apo të helmatisur nga ai.

B. Apostazia e ardhshme (3:1-13)

3:1 Tani apostulli po i jep Timoteut një përshkrim të gjendjeve që do të ekzistojnë në botë para ardhjes së Zotit. Është treguar zakonisht se lista e mëkateve që vijon është shumë e ngjashme me përshkrimin e paganëve të paperëndishëm te Romakëve 1. Gjëja e paharrueshme është se gjendjet e vërteta që ekzistojnë midis paganëve në kushtet e tyre të egërsuara dhe të paqytetëruara do të karakterizojnë besimtarët vetëm në emër në ditët e fundit. Sa solemne është kjo!

Në ditët e fundit i referohet këtu ditëve midis periudhës apostullore dhe të dukurit të Krishtit për të caktuar mbretërinë e Tij.

3:2 Dikush nuk mund të studiojë këto vargje pa vënë re format e ndryshme të dashurisë që zëvendësojnë dashurinë që duhet të kemi për Perëndinë. Në vargun 2, për shembull, ne gjejmë egoistë [dashuri për vetveten] dhe lakmues parash [dashuri për para]. Në vargun 3 shprehja “që s’e duan të mirën” do të thotë fjalë për fjalë “mosdashës të së mirës”. Në vargun 4 lexojmë për “dëfrimdashës më fort se perëndidashës”.

Në vargjet 2-5, jepen nëntëmbëdhjetë karaktere të njerëzimit gjatë ditëve të fundit. Ne thjesht do t’i rendisim ato dhe do të japim sinonime që shpjegojnë domethënien e tyre:

Egoistë – të përqendruar rreth vetes, sqimatarë, vetëkënaqësia.

Lakmues parash – pasioni për para, kurnacëria.

Mburravecë – kryelartë, plot me fjalë të fryra.

Krenarë – arrogantë, mendjemëdhenj, autoritarë.

Blasfemues – thashethemexhinj, përdhosës, abuzues, gojëndyrë, përbuzës, fyes.

Të pabindur ndaj prindërve – rebelë, të pabesë dhe të dalë nga kontrolli.

Mosmirënjohës – që nuk e njohin të mirën, të mangët në vlerësim.

Të paudhë – jobesimtarë, përdhosës, të pandershëm, pa pasur gjë të shenjtë në vetvete.

3:3Të padhembshur – zemërngurtë, të pashpirt, të pandjeshëm.

Të papajtueshëm – që nuk falin, që nuk pranojnë të bëjnë paqe, që kundërshtojnë përpjekjet për pajtim.

Shpifës – përhapja e fjalëve të rreme dhe të liga.

Të papërmbajtur – njerëz me pasione të pakontrolluara, të shfrenuar, të shthurur.

Mizorë – të egër, pa parime.

Që s’e duan të mirën – urryes të gjithçkaje që është e mirë; kundërshtues kryekëput të mirësisë së çdo forme.

3:4Tradhtarë – të pabesë.

Kokëshkretë – qafëfortë, egoistë, të ashpër.

Fodullë – që kanë synime boshe, të marra.

Dëfrimdashës më fort se perëndidashës – ata që duan kënaqësitë ndijimore, por jo Perëndinë.

3:5 Në dukje këta njerëz duken fetarë. Ata bëjnë një rrëfim të krishterimit, por veprimet e tyre flasim më qartë se fjalët e tyre. Me anë të sjelljes së tyre të paperëndishme ata tregojnë se po bëjnë një jetë të gënjeshtërt. Nuk ka ndonjë provë të jetës së Perëndisë në jetët e tyre. Edhe pse mund të kenë qenë të reformuar, nuk kanë pasur kurrë një rilindje. Weymouth-i e përkthen këtë pjesë kështu: “Ata do të ruajnë një dukje besimi, e megjithatë do të përjashtojnë fuqinë e tij”. Në të njëjtën mënyrë edhe Moffat-i e përkthen kështu: “Edhe pse ruajnë një formë feje, ata nuk duan fare që ajo të veprojë në ta si forcë. Phillips-i ka thënë: “Ata do të mbajnë një fasadë ‘feje’, por sjellja e tyre do të mohojë vlefshmërinë e saj”. Ata duan të jenë fetarë dhe të mbajnë në të njëjtën kohë mëkatet e tyre (shih Zbulesa 3:14-22). Hiebert-i paralajmëron: “Ky është një portret i frikshëm i krishterimit femohues, një maskim i paganizmit nën emrin e krishterimit” [26].

Edhe nga këta të gjithë Timoteu nxitet të largohet. Këta janë enët e përshkruara në kapitullin e mëparshëm nga të cilët duhet të qëndrojmë larg.

3:6 Midis të prishurve të ditëve të fundit, Pali tani po tregon një grup të veçantë, që quhen udhëheqës dhe mësues të kulteve të rreme. Ky përshkrim i hollësishëm i karakterit dhe metodave të tyre gjen përmbushje në kultet e ditës së sotme.

Së pari, ne lexojmë se ata futen apo i drejtojnë këmbët nëpër shtëpi. Nuk është i rastësishëm që ky përshkrim na kujton lëvizjen e gjarprit. Nëse ata do të zbulonin identitetin e vërtetë, ata nuk do t’ia dilnin mbanë për të hyrë në ato shtëpi, por ata përdorin shumë këshilla dinake, si për shembull, flasin për Perëndinë, Biblën dhe Jezusin (edhe pse vetë nuk besojnë atë që Shkrimi mëson për këto gjëra).

Pastaj thotë se ata i bëjnë për vete femrat e ngarkuara me mëkate. Kjo është karakteristike. Ata planifikojnë vizitat e tyre kur burri nuk ndodhet në shtëpi, ngaqë është në punë apo në ndonjë vend tjetër. Historia përsëritet. Satani iu afrua Evës në Kopshtin e Edenit dhe e mashtroi atë. Ajo mori pushtetin mbi burrin e saj duke marrë vetë vendimin që duhej t’i lihej atij. Ai akoma u afrohet grave të thjeshta me mësimet e tij të rreme dhe i bën ato për vete. Këto femra janë të ngarkuara me mëkate në kuptimin se ato janë të dobëta dhe të paqëndrueshme. Atyre nuk u mungon mendja sa forca e karakterit.

Ato përshkruhen si të ngarkuara me mëkate, të sunduara nga pasione të ndryshme. Kjo hedh idenë, së pari, që ato digjen nën ndjenjën e mëkatit dhe ndiejnë një nevojë në jetët e tyre. Në këtë kohë vendimtare vijnë ithtarët e rremë. Sa e trishtueshme është që ata që njohin të vërtetën e fjalës së Perëndisë nuk janë më të zellshëm në dhënien e ndihmës për këta shpirtra plot ankth. Së dyti, lexojmë se ato janë të sunduara nga pasione të ndryshme. Weymouth-i mendon se kjo nënkupton “të sunduara nga tekat e shpeshta”. Moffatt-i i quan ato “krijesa tekanjoze të impulsit”. Mendimi është se, të vetëdijshme për ngarkesën e tyre me mëkat dhe të kërkuarit lehtësim nga ai, ato janë gati të shfaqin veten e tyre para çdo ere doktrine që kalon dhe çdo risije fetare.

3:7 Shprehja mësojnë gjithnjë nuk do të thotë se ato mësojnë vazhdimisht më tepër rreth Zotit Jezus dhe fjalës së Perëndisë. Por, për më tepër, do të thotë se vazhdimisht shkojnë nga një kult në një tjetër, por kurrë nuk mund të arrijnë në njohjen e plotë të së vërtetës. Zoti Jezus është Ai vetë e Vërteta. Këto gra duken sikur kanë shkuar shumë afër Tij një herë e një kohë, por janë tërhequr nga armiku i shpirtrave të tyre dhe kurrë nuk kanë marrë prehjen që gjendet vetëm te Shpëtimtari.

Duhet vënë re në këtë pikë se pjesëtarët e kulteve të ndryshme thonë në mënyrë të vazhdueshme: “Po mësoj … “, duke e përmendur me emër sistemin. Ata kurrë nuk mund të flasin për përfundim, për një shpengim të përfunduar përmes besimit në Jezu Krishtin.

Ky varg na bën gjithashtu të mendojmë për rritjen e njohurisë në ditën e sotme në botën e përpjekjeve njerëzore, në theksin e madh mbi edukimin, kaq të rëndësishëm në botën moderne dhe dështimin e pafund të tij për t’i çuar njerëzit në njohjen e së vërtetës.

3:8 Tre lloj njerëzish përmenden në këtë letër:

Figeli dhe Hermogeni (1:15) – të turpëruar për të vërtetën.

Himeneu dhe Fileti (2:17,18) – të gabuar rreth të vërtetës.

Janesi dhe Jambresi (3:8) – kundërshtues të së vërtetës.

Në vargun e tetë Pali kthehet te udhëheqësit dhe mësuesit e kulteve të rreme. Ai i krahason ata me Janesin dhe Jambresin i kundërshtuan Moisiut. Cilët qenë këta njerëz? Emrat e tyre nuk përmenden në DhV, por kuptohet përgjithësisht se ishin dy nga kryemagjistarët egjiptianë që u thirrën nga faraoni për të imituar mrekullitë e kryera nga Moisiu.

Del pyetja se nga i njihte Pali emrat e tyre. Kjo nuk përbën ndonjë vështirësi, sepse nëse do të ishin harruar nga tradita judaike, nuk është aspak e paarsyeshme që emrat t’i jenë dhënë nga ndonjë zbulim hyjnor.

Gjëja e rëndësishme është se ata kundërshtuan Moisiun duke imituar veprat e tij, duke falsifikuar mrekullitë. Kjo është e njëjta gjë me kultistët e rremë. Ata kundërshtojnë veprën e Perëndisë duke e imituar atë. Ata kanë Biblat e tyre, udhën e tyre të shpëtimit – me pak fjalë, ata kanë një zëvendësues për gjithçka në krishterim. Ata kundërshtojnë të vërtetën e Perëndisë duke paraqitur një shthurje të turpshme dhe ndonjëherë duke shkuar pas arteve magjike.

Këta njerëz janë mendjeprishur. Arthur Way-i përkthen: “mendjet e tyre janë të qelbura deri në palcë”. Mendjet e tyre janë të shtrembra, të poshtra dhe të shthurura.

Kur dalin përballë besimit të krishterë, ata bëhen të neveritshëm dhe të rremë. Prova e vetme më e madhe që mund të zbatohet për ta është t’u bëjmë pyetjen e thjeshtë: “A është Jezu Krishti Perëndi?”. Shumë prej tyre përpiqen të fshehin doktrinën e tyre duke pranuar se Jezusi është Biri i Perëndisë, por nënkuptojnë se Ai është një bir i Perëndisë në të njëjtin kuptim si të tjerët që janë bij të Perëndisë. Por kur dalin para pyetjes: “A është Jezu Krishti Perëndi?” do t’u dalin në shesh të palarat. Ata jo vetëm mohojnë hyjninë e Jezu Krishtit, por zakonisht zemërohen kur sfidohen në këtë mënyrë. Kjo vlen për Shkencëtarët e Krishterë, Spiritualistët, Krishtadelfianët , Dëshmitarët e Jehovait dhe “Udha” [një sekt i rremë].

3:9 Pali siguron Timoteun se këta mësues të rremë nuk do të shkojnë shumë përpara. Vështirësia këtu është se në çdo kohë duken se përparojnë me çdo kusht dhe duket sikur asgjë nuk do t’i pengojë në përparimin e tyre në botë!

Domethënia e mundshme është se çdo sistem i gabimit në një farë mënyre është shfaqur. Sistemet e rreme vijnë dhe shkojnë, njëri pas tjetrit. Edhe pse ato duken se përparojnë me sukses dhe madje për një kohë të gjatë, vjen koha kur falsiteti i tyre bëhet i dukshëm ndaj të gjithëve. Ata mund t’i çojnë njerëzit deri në një farë pike, edhe duke u ofruar një lloj reformimi. Por ata dështojnë në atë që nuk janë rilindur. Ata nuk mund t’i ofrojnë njeriut liri nga ndëshkimi dhe fuqia e mëkatit. Ata nuk mund të japin jetë.

Janesi dhe Jambresi mund të imitonin Moisiun deri në një farë pike me artin e tyre të magjisë. Megjithatë, kur erdhi puna për të nxjerrë jetën nga vdekja, ata ishin plotësisht pa forcë. Kjo është pika që kultet e rreme e kanë të përbashkët.

3:10 Në dallim me këta mësues të rremë ishte jeta dhe shërbesa e Palit. Timoteu ishte paralajmëruar për nëntë cilësitë e spikatura që karakterizojnë këtë shërbëtor të Zotit. Ai e kishte ndjekur Palin nga afër dhe mund të dëshmonte për faktin se ishte një njeri që ishte besnik ndaj Krishtit dhe fjalës së Tij.

Doktrina apo mësimi i apostullit ishte sipas fjalës së Perëndisë dhe ishte besnike ndaj Personit të Zotit Jezus Krisht. Sjellja e tij ishte sipas lajmit të predikuar. Qëllimi i tij në jetë ishte të ndahej nga e liga morale dhe doktrinore. Besimi këtu mund të nënkuptojë besimin e Palit në Zotin, apo besnikërinë e tij vetjake. Timoteu e njihte atë si njeriun që varej plotësisht në Zotin dhe në të njëjtën kohë, njeriu që ishte i ndershëm dhe besnik. Durimi i apostullit shihej në këtë qëndrim ndaj përndjekësve dhe kritikëve të tij dhe ndaj mundimeve fizike. Për sa i përket dashurisë ai ishte i përkushtuar ndaj Zotit dhe njerëzve që kishte pranë. Sa më pak duhej nga të tjerët, aq më tepër i përcaktuar ishte të donte. Ngulmi do të thotë fjalë për fjalë “të durosh”, që do të thotë qëndrueshmëri dhe këmbëngulje.

3:11 Disa nga përndjekjet dhe vuajtjet e Palit përshkruhen te 2 Korintasve 11:23-28. Megjithatë ai po mendon në veçanti për ato rreth të cilave Timoteu mund të kishte parë ose dëgjuar. Meqë shtëpia e Timoteut ishte në Listra, ai do të dinte diçka për përndjekjet që Pali hoqi atje dhe në qytetet afër, në Antioki dhe në Ikoni. Ruajtja e frymëzuar prej këtyre vuajtjeve jepen në librin e Veprave të Apostujve: Antiokia, Veprat e Apostujve 13:45,50; Ikoni, Veprat e Apostujve 14:3-6; Listra, Veprat e Apostujve 14:19,20.

Pali gëzohet me faktin se Perëndia e shpëtoi nga të gjitha këto kriza. Zoti nuk e kishte çliruar nga problemet [që të mos ketë asnjë problem në jetë], por e ndihmoi Palin që t’i kalonte ato kriza. Kjo është një kujtesë për ne se nuk na është premtuar çlirim nga vështirësitë, por na është premtuar se Zoti do të jetë me ne dhe do të na vijë në ndihmë.

3:12Përndjekja është një pjesë përbërëse e jetës së përkushtuar të krishterë. Është gjë e mirë që çdo Timote i ri të kujtohet për këtë. Përndryshe, kur thirret të futet në ujëra të thella, ai do të tundohet të mendojë se ai e ka braktisur Zotin apo se Zoti nuk e pëlqen atë për disa arsye. Fakti është se përndjekja është e pashmangshme për të gjithë ata që duan të rrojnë me perëndishmëri.

Arsyeja e kësaj përndjekjeje është e thjeshtë. Një jetë e perëndishme shfaq ligësinë e të tjerëve. Njerëzit nuk pëlqejnë të nxjerrin në shesh të palarat e tyre. Në vend që të pendohen për pabesinë dhe largimin e tyre nga Krishti, ata përpiqen të shkatërrojnë atë që i ka zbuluar se si janë në të vërtetë. Kjo është plotësisht një sjellje e paarsyeshme, sigurisht, por kjo është karakteristikë për njeriun e rënë.

3:13 Pali nuk kishte asnjë iluzion se bota do të përmirësohej me kalimin e kohës, derisa tërë njerëzit të ktheheshin. Por, për më tepër, ai e dinte nga zbulimi hyjnor se do të ndodhte krejt e kundërta. Njerëzit e këqij dhe mashtrues do të shkojnë keq e më keq. Ata do të bëhen më dinakë në metodat e tyre dhe më të guximshëm në sulmet e tyre. Jo vetëm që do të mashtrojnë të tjerët, por ata vetë do të zihen në grackë nga mësimi i rremë me anë të të cilit përpiqen të fusin dëgjuesit e tyre në kurth. Pasi të kenë përdorur për një kohë të gjatë gënjeshtrat e tyre, ata vetë do t’u besojnë atyre.

C. Njeriu i Perëndisë përballë apostazisë (3:14-4:8)

3:14 Përsëri, me kalimin e kohës, Timoteut i kujtohet të qëndrojë me guxim në mësimin e fjalës së Perëndisë. Ajo do të jetë burimi i tij i madh në ditën kur doktrinat e rreme do të dalin nga çdo cep. Nëse ai i njihte dhe u bindej Shkrimeve, ai nuk do të shtyhej nga këto gabime të stërholluara.

Timoteu jo vetëm që kishte mësuar të vërtetat e mëdha të besimit, por ai vetë ishte bindur plotësisht për to. Pa dyshim, i është thënë se mësime të tilla ishin të vjetra dhe jokulturore apo intelektuale aq sa duhet. Por ai nuk duhet të braktiste të vërtetën për teoritë apo spekulimet njerëzore.

Apostulli e këshillon atë më tej për të kujtuar se prej kujt i kishte mësuar ato të vërteta. Ka disa mendime të ndryshme rreth fjalës kujt, nëse ajo i referohet vetë Palit, nënës dhe mamasë së Timoteut, apo apostujve në përgjithësi. Në çdo rast, mendimi është se Shkrimet e Shenjta i janë mësuar atij nga ata jetët e të cilëve dëshmuan në bazë të realitetit të besimit të tyre. Ata qenë njerëz të perëndishëm që jetuan me një qëllim të vetëm: për lavdinë e Perëndisë.

3:15 Ky varg është shumë i bukur. Mendimi është se që nga fëmijëria Timoteu kishte njohur Shkrimet e Shenjta. Ekziston gjithashtu këtu ideja se kur nëna e tij i mësoi ABC-në, ajo e bëri këtë duke përdorur pjesë nga Shkrimet e DhV. Që nga fëmijëria ai qe nën ndikimin e shkrimeve të frymëzuara dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të harronte se Libri i bekuar kishte modeluar jetën e tij për Perëndinë dhe për të mirën.

Shkrimet e shenjta thuhet se mund të të bëjnë të ditur vazhdimisht për shpëtimin. Kjo do të thotë, para së gjithash, se njerëzit e mësojnë udhën e shpëtimit përmes Biblës. Kjo mund të japë idenë se siguria e shpëtimit vjen përmes fjalës së Perëndisë.

Shpëtimi vjen me anë të besimit që është në Krishtin Jezus. Ne duhet ta ngulim mirë këtë në kokë. Nuk vjen me anë të veprave të mira, pagëzimit, anëtarësimit në kishë, miratimit, bindjes ndaj Dhjetë Urdhërimeve, zbatimit të Rregullave të Arta [bëj me të tjerët siç ti dëshiron ata të bëjnë me ty], apo ndonjë mënyrë tjetër që përfshin përpjekjet apo meritat njerëzore. Shpëtimi vjen me anë të besimit në Birin e Perëndisë.

3:16 Kur Pali thotë i gjithë Shkrimi ai po i referohet tërë DhV, por edhe atyre pjesëve të DhR që ishin atëherë të shkruara. Te 1 Timoteut 5:18 ai citon Ungjillin e Llukës (10:7) si Shkrim. Dhe Pjetri flet për Letrat e Palit si Shkrime (2 Pje. 3:16). Sot ne jemi të përligjur nëse e shtrijmë këtë varg për tërë Biblën.

Ky është një ndër vargjet më të rëndësishëm në Bibël mbi temën e frymëzimit. Ai mëson se Shkrimet janë të frymëzuara nga Perëndia [27]. Në mënyrë të mrekullueshme, Ai ua komunikoi Fjalën e Tij njerëzve dhe i drejtoi ata të shkruanin për ta ruajtur përjetësisht. Ajo që shkruan ata ishte Fjala e Perëndisë, e frymëzuar dhe e pagabuar. Ndërsa është e vërtetë se stili individual letrar i shkrimtarit nuk u prish, është gjithashtu e vërtetë se fjalët që ai përdori qenë fjalë të dhëna nga Fryma e Shenjtë. Prandaj lexojmë te 1 Korintasve 2:13: “Për këto edhe flasim, por jo me fjalë të mësuara nga dituria njerëzore, por të mësuara nga Fryma e Shenjtë, duke i krahasuar gjëra frymërore me fjalë frymërore”. Ajo që shpreh ky varg është se shkrimtarët e frymëzuar përdorën FJALËT që Fryma e Shenjtë i mësoi. Kjo është ajo që nënkuptohet me frymëzim gojor.

Shkrimtarët e Biblës nuk dhanë interpretimet e tyre vetjake të gjërave, por shkruan mesazhin që iu dha nga Perëndia. “Duke ditur së pari këtë: që asnjë profeci e Shkrimit nuk është objekt i interpretimeve të veçanta. Sepse asnjë profeci nuk ka ardhur nga vullneti i njeriut, por njerëzit e shenjtë të Perëndisë kanë folur, të shtyrë nga Fryma e Shenjtë” (2 Pje. 1:20, 21).

Është e rreme të themi se Perëndia thjesht u dha mendimet shkrimtarëve individualë dhe u lejoi atyre t’i shprehnin këto mendime me fjalët e tyre. E vërteta që del në Shkrim është se fjalët origjinale të dhëna nga Perëndia njerëzve qenë të frymëzuara nga Ai.

Ngaqë Bibla është fjala e Perëndisë, ajo është e dobishme. Çdo pjesë e saj është e dobishme. Megjithëse njeriu mund të çuditet për disa nga gjenealogjitë apo pjesë e paqarta, mendja e frymëzuar do të kuptojë se ka ushqim frymëror në çdo fjalë që ka dalë nga goja e Perëndisë.

Bibla është e dobishme për mësim apo doktrinë. Ajo zbulon mendjen e Perëndisë për tema të tilla, si: triniteti, engjëjt, njeriu, mëkati, shpëtimi, shenjtërimi, kisha dhe ngjarjet e së ardhmes.

Përsëri ajo është e dobishme për bindje. Ndërsa lexojmë Biblën ajo na flet duke pasur si synim të tregojë ato gjëra në jetën tonë që nuk i pëlqejnë Perëndisë. Gjithashtu është e dobishme për të kundërshtuar gabimin dhe për t’i bërë ballë çdo tunduesi.

Përsëri fjala është e dobishme për ndreqje. Ajo jo vetëm tregon se çfarë është e gabuar, por tregon mënyrën se si mund të rregullojmë sjelljen tonë. Për shembull, Shkrimi jo vetëm thotë: “Ai që vidhte, le të mos vjedhë më”, por shton: “Por më tepër të mundohet duke bërë ndonjë punë të mirë me duart e veta, që të ketë t’i japë diçka atij që ka nevojë”. Pjesa e parë e vargut mund të konsiderohet si bindje, ndërsa pjesa e dytë si ndreqje.

Së fundi, Bibla është e dobishme për edukim me drejtësi. Hiri i Perëndisë na mëson të jetojmë në perëndishmëri, por fjala e Perëndisë na tregon me hollësi gjërat me anë të të cilave mund të bëjmë një jetë në perëndishmëri.

3:17 Përmes fjalës njeriu i Perëndisë mund të jetë i përkryer apo i pjekur. Ai është tërësisht i pajisur me gjithçka që ka nevojë për çdo vepër të mirë, që përbën qëllimin e shpëtimit të tij (Efesianeve 2:8-10). Ky është një dallim i fortë me idetë moderne të pajisjes me mjetet e shkallëve akademike.

Lenski shkruan:

Shkrimi është i pakrahasueshëm; asnjë libër tjetër, librari apo çdo gjë tjetër në botë nuk është në gjendje ta bëjë një mëkatar të humbur të aftë për shpëtim; asnjë shkrim tjetër, meqë nuk është i frymëzuar nga Perëndia, cilado qoftë dobia, nuk është i dobishëm për këto gjëra: të na mësojë për faktet e vërteta shpëtuese – duke kundërshtuar gënjeshtrat dhe zhgënjimet që mohojnë këto fakte – duke e përtërirë mëkatarin apo të krishterin e rënë në një pozicion të duhur – duke e ndrequr, mësuar, disiplinuar sipas drejtësisë së vërtetë [28].

4:1 Pali tani fillon detyrën e tij solemne ndaj Timoteut. Ai e bën këtë para Perëndisë dhe Zotit Jezu Krisht. Çdo shërbim duhet të kryhet me mendimin se ai shihet nga Perëndia që sheh çdo gjë.

Në këtë varg, Zoti Jezus paraqitet si Ai që ka për të gjykuar të gjallë e të vdekur, në dukjen e tij dhe në mbretërinë e tij. Fjala angleze mund të sugjerojë se kur Shpëtimtari do të kthehet në tokë për të vendosur mbretërinë e Tij, do të ketë një ringjallje dhe një gjykim të përgjithshëm. Por në origjinal fjala greke kata [29] do të thotë fjalë për fjalë “sipas” ose “në përputhje me”.

Zoti Jezus është Ai që ka për të gjykuar të gjallë e të vdekur, por nuk thuhet koha. Dukja e Krishtit dhe mbretëria e tij paraqiten nga Pali si shtysa për shërbimin besnik.

Ne e dimë nga pjesë të tjera të Shkrimit se Ardhja e Dytë e Krishtit nuk është koha kur ai do të gjykojë të gjallët dhe të vdekurit. Të vdekurit e ligj nuk do të gjykohen deri në fund të Mbretërisë Mijëvjeçare të Krishtit, sipas Zbulesës 20:5.

Shërbesa e besimtarit do të shpërblehet në Gjykatën e Krishtit, por këto shpërblime do të shfaqen në dukjen e Krishtit dhe në mbretërinë e tij. Duket sikur shpërblimet kanë të bëjnë me sundimin apo administrimin gjatë Mijëvjeçarit. Për shembull, ata që kanë qenë besnikë do të mbretërojnë mbi dhjetë qytete (Luka 19:17).

4:2 Duke pasur parasysh vërejtjen e tashme të Perëndisë bërë shërbëtorit dhe shpërblimin e Tij të ardhshëm, Timoteu duhej të shpallë fjalën. Ai duhet ta bënte këtë me ngut, duke përfituar nga çdo mundësi. Lajmi është me kohë ose në çdo çast, edhe pse disa mendojnë se është pa kohë. Si një shërbëtor i Krishtit Timoteu është thirrur të kritikojë, që do të thotë të provojë apo kundërshtojë. Ai duhet të qortonte atë që ishte e rreme. Ai duhet të këshillonte apo nxiste mëkatarët që të besonin dhe shenjtorët që të ecnin në Zotin. Në të gjitha këto ai nuk duhet të dështonte në durim e doktrinën besnike të mësimit të shëndoshë.

4:3 Në vargjet 3-6, apostulli jep dy arsye të forta për detyrën që sapo ka dhënë. E para është se do të ketë një largim të përgjithshëm nga doktrina e shëndoshë. E dyta është se koha e nisjes së Palit kishte mbërritur.

Apostulli parashikon një kohë kur njerëzit do të shfaqin një mospëlqim të hapur ndaj mësimit të shëndoshë. Ata me dashje do t’i kthejnë krahët nga ata që mësojnë të vërtetën e fjalës së Perëndisë. Veshët e tyre do të gudulisen nga doktrina që janë të pëlqyeshme dhe të këndshme. Për të kënaqur dëshirimin e tyre për doktrinat e reja dhe që japin vetëkënaqësi, ata do të mbledhin një grup mësuesish që do t’u thonë atyre atë që duan të dëgjojnë.

4:4 Dëshirimi për predikime që “nuk fyejnë njeri” do të shkaktojë që njerëzit të largojnë veshët nga e vërteta te përrallat. Ky është një shkëmbim i mjerë – të këmbesh të vërtetën për përrallat – por ky është shpërblimi i mjerë i atyre që nuk pranojnë doktrinën e shëndoshë.

4:5rrish syçelë në çdo gjë do të thotë me të vërtetë të jesh i urtë në çdo gjë. Timoteu duhet të ishte serioz në punën e tij, i sprovuar dhe i paanshëm. Ai nuk duhet të shmangte vuajtjet, por të vuante me dashje çdo vështirësi që mund t’i dilte para në shërbimin e tij për Krishtin.

Ka një ndryshim mendësie për shprehjen që ka të bëjë me punën e ungjilltarit. Disa mendojnë se Timoteu ishte në atë kohë një ungjilltar dhe se këtu Pali thjesht po i thoshte të kryente shërbesën e tij. Të tjerë mendojnë se Timoteu nuk e kishte dhuntinë e ungjillizimit, dhe duhet të ishte, për shembull, bari apo mësues, por kjo nuk duhet ta pengonte atë për të predikuar ungjillin sipas rastit. Duket sikur Timoteu ishte një ungjilltar dhe se fjalët e Palit janë thjesht një nxitje për të që të plotësonte çdo pikë të ungjilltarit.

Në çdo pikë, ai duhet të përmbushte shërbesën e tij, duke ia dhënë talentet e tij më të mira çdo nevoje të shërbimit të tij.

4:6 Arsyeja e dytë për detyrën solemne të Palit ndaj Timoteut ishte afrimi i vdekjes së tij. Ai tashmë po derdhej si ofertë pijeje. Ai e lidhte derdhjen e gjakut të tij prej vrasjes me derdhjen e një oferte pijeje për një flijim (shikoni Eksodi 29:40; Num. 15:1-10). Pali e kishte lidhur më parë vdekjen e tij me një ofertë pijeje te Filipianëve 2:17. Hiebert-i thotë: “E tërë jeta e tij i është paraqitur Perëndisë si një flijim i gjallë; tani vdekja e tij, e krahasuar me derdhjen e verës si veprimi i fundit i ceremonisë flijimore, do të bëjë të plotë flijimin” [30].

Koha e nisjes sime arriti. Fjala greke analusis (fjalë për fjalë “zgjidhje”, ndërsa në anglisht “analizë”) që përdor Pali këtu për të përshkruar nisjen e tij, është shumë shprehëse, duke na kujtuar të paktën katër përdorime të ndryshme figurative: 1. Ishte një fjalë detari, e përdorur për “daljen” e një anijeje nga ankorimi i saj; 2. Ishte një fjalë lëruesi, duke treguar “heqjen e zgjedhës” një çifti kafshësh pune të rraskapitur pas një dite të rëndë pune; 3. Ishte një shprehje shtegtari, duke hedhur idenë e “ngritjes” së një çadre parapërgatitore për të filluar një udhëtim; 4. Ishte një term filozofik, që do të thoshte “zgjidhje” (analizë) e një problemi. Këtu përsëri shohim pasurinë e figurave letrare të përdorura nga apostulli.

4:7 Me shikim të parë mund të duket sikur Pali po mburrej në këtë varg. Megjithatë nuk është kështu. Ideja nuk është se kishte luftuar një luftë të mirë, por më tepër ai kishte luftuar dhe po luftonte akoma luftën e mirë, që është, lufta e besimit. Ai kishte harxhuar energjitë e tij në garën e mirë. Luftë këtu nuk do të thotë patjetër betejë, por mund të tregojë shumë mirë një garë atletike.

Ndërsa po shkruante, ai kuptoi se vrapimit të fortë po i vinte fundi. Ai kishte vrapuar në një garë dhe e kishte arritur qëllimin.

Pastaj, gjithashtu, Pali ruajti besimin. Kjo do të thotë se jo vetëm Pali kishte vazhduar të besonte dhe t’u bindej doktrinave të besimit të krishterë, por gjithashtu, si një shërbëtor ai kishte ruajtur doktrinën që i ishte besuar atij dhe ua kishte kaluar të tjerëve në pastërtinë e saj origjinale.

4:8 Apostulli këtu shpreh besimin se drejtësia që kishte treguar në shërbimin e tij do të shpërblehej nga Zoti i drejtë në Gjykatën e Krishtit.

Zoti paraqitet këtu si gjykatësi i drejtë, por nuk jepet ideja e një gjyqi kriminelësh, por e një gare atletike. Ndryshe nga gjykatësit tokësorë, Ai do të ketë njohje të plotë dhe të përsosur, Ai nuk do të tregojë anësi, Ai do të vlerësojë shtysat po aq edhe veprat dhe gjykimet e Tij do të jenë të përpikta dhe të paanshme.

Kurora e drejtësisë është kurora (jo një diademë) që do t’u jepet atyre besimtarëve që kanë treguar drejtësi në shërbimin e tyre. Në të vërtetë, ajo do t’u jepet të gjithëve atyre që presin me dashuri të shfaqurit e Krishtit. Nëse një njeri dëshiron me zjarr ardhjen e Krishtit dhe jeton në dritën e asaj ngjarjeje, atëherë jeta e tij do të jetë e drejtë dhe ai do të shpërblehet në bazë të kësaj. Këtu kemi një kujtesë të freskët se Ardhja e Dytë e Krishtit, kur besohet dhe dëshirohet me të vërtetë, ushtron një ndikim shenjtërues në jetën e dikujt.


[previous][next]