Tabernakulli dhe priftëria (Eksodi 25-40, Pjesa 2)

D. Shpërthimi i idhujtarisë (Kapitujt 32,33)

1. Viçi i artë (32:1-10)
Të padurueshëm ndaj vonesës së Moisiut, populli i kërkoi Aaronitbënte një idhull për ta. Ai i bindur u përmbushi dëshirën duke i bërë unazat e tyre prej ari një viç prej ari të shkrirë, një vepër që ishte ndaluar shprehimisht (Eksodi 20:4). Më pas ata shpërthyen në aheng, duke adhuruar idhullin dhe duke ngrënë, duke pirë dhe duke kryer imoralitet. Ata rrëfyen se po adhuronin Zotin (v. 5), por duke përdorur viçin. Perëndia kishte bekuar popullin e Tij me ar kur ata u larguan nga Egjipti (Eksodi 12:35,36), por bekimi u kthye në një mallkim përmes zemrës mëkatare të popullit. Perëndia e njoftoi Moisiun se çfarë po ndodhte rrëzë malit (v. 7,8) dhe kërcënoi se do ta shkatërronte atë popull (v. 9,10).
2. Ndërmjetësimi dhe zemërimi i Moisiut (32:11-35)
32:11-13 Në përgjigjen e tij Moisiu paraqitet si një ndër ndërmjetësuesit më të mëdhenj të Biblës. Vini re argumentet e forta që përdor: populli ishte populli i Zotit (v. 11,12). Perëndia ishte kujdesur shumë për t’i çliruar nga Egjipti (v. 11). Egjiptianët do të ngërdhesheshin nëse Perëndia do t’i bënte popullit atë që ata vetë nuk mund t’ia bënin (v. 12). Perëndia duhej t’i mbetej besnik besëlidhjeve që kishte bërë me etërit (v. 13). 32:14 «Kështu Zoti ndryshoi mendim lidhur me të keqen…» (v. 14). Fjala të keqen do të thotë ndëshkim në këtë kontekst. Si përgjigje ndaj ndërmjetësimit të Moisiut Zoti largoi ndëshkimin që do të kishte rënë mbi popullin e Tij. 32:15-20 Moisiu zbriti nga mali me dy pllakat e dëshmisë, takoi Jozueun rrugës dhe zbriti te populli ndërsa ata po vazhdonin festën e tyre të qejfit dhe të idhujtarisë. Me zemërim të drejtë […] theu pllakat e ligjit si dëshmi e asaj që populli kishte bërë. Pastaj ai mori viçin e artë e bëri pluhur; pastaj e përhapi pluhurin në ujë dhe ia dha popullit për të pirë (v. 20) – mbase hedh idenë se mëkatet tona kthehen te ne si një dozë e hidhur. 32:21-24 Kur Moisiu pyeti Aaronin se çfarë kishte bërë ai popull që mori atë sjellje, ai i tregoi se çfarë ndodhi, duke nënkuptuar se viçi i artë kishte dalë nga zjarri në mënyrë të mistershme (v. 24). Për shkak të ndërmjetësimit të Moisiut Zoti nuk e vrau Aaronin (Ligji i Perterire 9:19,20). 32:25-29 Një pjesë e popullit akoma po vazhdonin pa u ndalur. Kur Moisiu bëri thirrje për ndjekës besnikë, fisi i Levit iu përgjigj dhe filloi të vriste me shpatë ata që kishin «dalë nga kontrolli» (NASB). Edhe kushërinjtë më të afërt nuk u kursyen (v. 25-29). Këtu ligji i shkelur shkaktoi vdekjen e tre mijë njerëzve. Ditën e Rrëshajave ungjilli i hirit u solli shpëtim 3 000 vetëve. Besnikëria heroike e levitëve mund të shpjegojë faktin se pse u zgjodhën si fisi mbretëror (shikoni v. 29). 32:30-35 Moisiu u kthye në mal për t’u takuar me Zotin, duke menduar se mund të bënte shlyerjen për mëkatin e popullit (v. 30-32). Përgjigjja e Zotit ishte e dyfishtë: Së pari, Ai mund të ndëshkonte njerëzit që bënë viçin (Ai e bëri këtë duke dërguar një plagë – v. 35); së dyti, Ai mund të dërgonte Engjëllin e Tij që të shkonte para Moisiut ndërsa udhëhoqi popullin për në Tokën e Premtuar. Karakteri i Moisiut shpërthen në vargun 32 – ai ishte gati të vdiste për popullin e tij. «Më fshi nga libri yt» është një mënyrë figurative për të thënë «jepi fund jetës sime» [7]. Perëndia kurseu Moisiun, por nuk kurseu Birin e Tij të dashur. Ashtu si Zoti ynë që vdiq, i Drejti për të padrejtët!
3. Pendimi i popullit (33:1-6)
Zoti nuk pranoi t’i shoqëronte izraelitët mëkatarë në udhëtimin e tyre për në Kanaan, që të mos detyrohej t’i shfaroste rrugës. Në vend të kësaj Ai do të dërgonte një Engjëll si përfaqësuesin e Tij. Kur populli dëgjoi këto fjalë të kobshme, ndjeu një hidhërim të thellë dhe askush nuk vuri stolitë e tij, që ishin përdorur për të bërë viçin e artë dhe kurrë nuk u vunë ato nga mali Horeb e tutje.
4. Çadra e Moisiut për takime (33:7-11)
Çadra e përmendur në vargun 7 nuk ishte tabernakulli, i cili akoma nuk ishte ngritur, por një çadër e përkohshme e ngritur nga Moisiu dhe u quajt këtu «tenda (tabernakulli) e mbledhjes». Ata që dëshironin të ndiqnin Zotin mund të shkonin atje, jashtë kampit. Vetë kampi ishte ndotur nga mëkati i popullit, kështu çadra ndodhej jashtë tij. Kur Moisiu hynte në tendë, kolona e resë zbriste, duke treguar praninë e Perëndisë. Vargun 11 nuk nënkupton se Moisiu pa Perëndinë në qenien e Tij thelbësore. Thjesht do të thotë se ai pati përbashkësi të drejtpërdrejtë, ballë për ballë, me Perëndinë. Ia vlen të përmendet se Jozueu, atëherë një i ri, nuk largohej nga çadra. Mbase kjo ishte e fshehta e suksesit të tij të mëvonshëm frymëror.
5. Lutja e Moisiut (33:12-33)
33:12-17 Moisiu kërkoi praninë e Perëndisë për të udhëhequr popullin e Tij drejt Kanaanit. Atëherë Zoti plot hir i premtoi se prania e Tij do të shkojë me ta. Moisiu nguli këmbë që asgjë të mos mungonte. Ashtu si Noeu, Moisiu kishte gjetur hir në sytë e Zotit dhe iu plotësua kërkesa e tij. «Siguria nuk ka të bëjë me mungesën e rrezikut, por me praninë e Perëndisë». 33:18-23 Më pas Moisiu kërkon të shohë lavdinë e Perëndisë. Perëndia iu përgjigj duke premtuar se do t’i shfaqte Veten si Perëndi i hirit dhe i mirësisë (shikoni Eksodi 34:6,7). Moisiu nuk mund ta shikonte fytyrën e Perëndisë dhe të jetonte, por do t’i lejohej të rrinte mbi shkëmb ndërsa reja e Perëndisë do të kalonte, dhe ai do ta shikonte paraqitjen e Perëndisë nga kurrizi. Sigurisht, kjo është një gjuhë e figurshme, meqë Perëndia nuk ka trup (Gjoni 4:24). Hiuell Xhons (Hywel Jones) ka thënë: «Moisiu do të shikonte pasndriçimin që është një tregues i besueshëm i asaj që do të ishte shkëlqimi i plotë» [8]. Askush nuk mund të shohë fytyrën e Perëndisë dhe të jetojë (v. 20). Kjo do të thotë se askush nuk mund të shikojë lavdinë e zbuluar të Perëndisë; Ai banon «në dritë të paafrueshme, të cilën asnjë njeri nuk e ka parë kurrë dhe as mund ta shohë» (1 Tim. 6:16). Në këtë kuptim, askush nuk e ka parë Perëndinë (1 Gjonit 4:12). Si i shpjegojmë pjesët në Bibël ku njerëzit kanë parë Perëndinë dhe nuk vdiqën? Për shembull, Agari (Zanafilla 16:13); Jakobi (Zanafilla 32:20); Moisiu, Aaroni, Nadabi, Abihu dhe shtatëdhjetë pleqtë e Izraelit (Eksodi 24:9-11); Gedeoni (Gjyqtaret 6:22,23); Manoahu dhe gruaja e tij (Gjyqtaret 13:22); Isaia (Isa. 6:1); Ezekieli (Eze. 1:26, kr. 10:20); Gjoni (Zbulesa 1:17). Përgjigjja është se këta njerëz kanë parë Perëndinë të përfaqësuar nga Zoti Jezus Krisht. Disa herë Ai është shfaqur si Engjëlli i Zotit (shikoni Gjyqtarët 6 për një shtjellim të kësaj doktrine), herë të tjera si një Njeri dhe një herë e shfaqi Veten si një Zë (Eksodi 24:9-11; kr. Ligji i Perterire 4:12). Biri i vetëmlindur, që ishte në gjirin e t’Et, e ka bërë plotësisht të njohur Perëndinë (Gjoni 1:18). Krishti është shkëlqimi i lavdisë së Perëndisë dhe vetë shëmbëlltyra e Personit të Tij (Heb. 1:3). Prandaj Ai mund të thotë: «Kush më ka parë mua, ka parë Atin» (Gjoni 14:9).

E. Përtëritja e besëlidhjes (34:1-35:3)

34:1-9 Përsëri vetëm Moisiu u thirr për në malin Sinai, këtë herë me dy pllakat e gurit që kishte bërë vetë. Pastaj Zoti zbuloi Veten e Vet si një Perëndi i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri (v. 6,7). Në vargun 7 janë përdorur tri fjalë të ndryshme për të keqen. Padrejtësia ka të bëjë me shthurjen e udhëve të Zotit. Shkelje do të thotë të ngresh krye kundër Perëndisë. Mëkat fjalë për fjalë do të thotë «fyerje», fillimisht duke mos qëlluar në shenjën që ka vendosur Perëndia. Që të gjithë përcjellin idenë e largimit nga lavdia e Perëndisë (Rom. 3:23). Izraelitët do të kishin vdekur të gjithë ngaqë shkelën ligjin e Perëndisë, por Perëndia i kurseu në mëshirë. Moisiu adhuroi Zotin dhe kërkoi praninë e Tij dhe hirin në bazë të padenjësisë së popullit të Tij (v. 8,9). 34:10-17 Perëndia më pas përtëriu besëlidhjen, duke premtuar se do të kryente mrekulli për Izraelin duke dëbuar banorët e Kanaanit. Ai i paralajmëroi kundër martesës me paganët apo përshtatjes me praktikat idhujtare. Asherimët ishin shëmbëlltyra të zymta, apo idhujt falikë simbole të pjellorisë. Ngaqë Perëndia kishte bërë një besëlidhje me popullin e Tij, ata nuk duhej të bënin asnjë aleancë me banorët e vendit. Është e pamundur të bashkohesh me Perëndinë dhe me idhujt në të njëjtën kohë (shikoni 1 e Korintasve 10:21). 34:18-27 Pastaj Perëndia përsëriti udhëzimet rreth festës së të ndormeve (v. 18), përkushtimin e të parëlindurve (v. 19,20), shabatin (v. 21), festën e javëve dhe festën e të vjelave (v. 22). Çdo mashkull duhej të paraqitej para Zotit për tri festat vjetore të përmendura te 23:14-17 (v. 23,24). Vini re në vargun 24 se Perëndia premtoi se do të kontrollonte dëshirat e kanaanejve në mënyrë që ata të mos përpiqeshin të pushtonin pronat e judenjve kur këta të fundit do të shkonin në Jerusalem tri herë në vit. Pasi përsëriti rregulla të tjera (v. 25,26), Zoti e urdhëroi Moisiun të shkruante fjalët që kishte thënë në vargjet 11-26 (v. 27). Atëherë Vetë Zoti shkroi mbi pllakat fjalët e besëlidhjes, dhjetë urdhërimet (v. 28; kr. v. 1 dhe Ligji i Perterire 10:1-4). 34:28-35 Pas dyzet ditëve dhe dyzet netve në mal, Moisiu zbriti me dy pllakat e dëshmisë në dorë (v. 28,29a). Ai nuk e dinte se fytyra e tij shkëlqente ngaqë kishte qenë në praninë e Zotit (v. 29b,30). Njerëzit kishin frikë t’i afroheshin atij. Pasi ia dha urdhërimet e Zotit Izraelit, vuri një vel mbi fytyrën e tij (v. 31-33). Vargu 33 (NKJV) thotë: «Mbasi Moisiu mbaroi së foluri me ta…» në vend të: «Derisa…» (KJV). Pali shpjegon te 2 e Korintasve 3:13 se Moisiu vuri një vel në fytyrën e tij që njerëzit të mos shikonin lavdinë e përhumbur të ligjit, epokën e ligjit. 35:1-3 Moisiu thirri asamblenë […] dhe u përsëriti ligjin e Shabatit.

F. Përgatitja e pajisjeve të tabernakullit (35:4-38:31)

1. Dhuratat e njerëzve dhe njerëzit e talentuar (35:4-36:7)
35:4-20 Moisiu dha udhëzimet për një ofertë falas për Zotin, që kishte të bënte me materialet e ndërtimit të tabernakullit (v. 4-9). Ai gjithashtu bëri thirrje për artizanë të aftë të bënin pjesë të ndryshme (v. 10-19). Perëndia kishte dy ndërtesa për adhurim, tabernakullin dhe tempullin. Për të dy ofertat u bë parapagim. Perëndia nxiti zemrat e njerëzve të Tij për të plotësuar atë që duhej (v. 5,21,22,26,29). Edhe dhuratat dhe shërbimi ynë duhet të jenë të vullnetshme dhe të pakursyera. 35:21-36:1 Shumë nga njerëzit u përgjigjën bujarisht me thesaret që kishin marrë me vete nga Egjipti (v. 21-29). Ata që dhanë ar për viçin humbën gjithçka. Ata që shpenzuan për tabernakullin patën gëzimin të shihnin pasurinë e tyre të përdorur për lavdinë e Jehovait. Moisiu haptas caktoi Betsaleelin dhe Oholiabin si ata që kishte zgjedhur Perëndia për të kryer çdo lloj punimi artistik. Ata gjithashtu kishin aftësinë për të mësuar të tjerët (Eksodi 35:30 deri Eksodi 36:1). 36:2-7 Punëtorët e aftë filluan punën për shërbimin e shenjtërores, por populli solli aq shumë material çdo mëngjes, saqë Moisiut iu desh ta ndalonte popullin të sillte tjetër material. Nga vargu 8 i kapitullit 36 deri në fund të kapitullit 39 gjejmë rrëfimin e hollësishëm për ndërtimin e tabernakullit dhe të pajisjeve të tij. Përsëritja e hollësive të tilla na kujton se Perëndia nuk lodhet me ato gjëra që flasin për Të rreth Birit të Tij të dashur.
2. Pëlhurat prej liri që mbulojnë tabernakullin (36:8-19)
Perdet e brendshme, të bëra prej liri të hollë u quajtën «tabernakull» (v. 8). Gjithashtu ishin pëlhurat me leshin e dhive, «çadra» (v. 14). Perdet me lëkura dashi dhe me lëkura baldosash (a lëkura fokash, a derra deti) u quajtën «mbulesa» (v. 19).
3. Dërrasat e tri pjesëve anësore (36:20-30)
Këto dërrasa ishin prej druri të akacies, i vetmi lloj druri i përdorur për tabernakullin. Pema e akacies, që lulëzonte në vende të thata, ishte dru shumë i bukur dhe ishte dru që ishte praktikisht i pashkatërrueshëm. Në mënyrë të ngjashme, Zoti Jezus, që ishte një rrënjë e mbirë në tokë të thatë (Isa. 53:2), ishte i bukur nga ana morale dhe është i Përjetshëm.
4. Traversat që mbajnë bashkë dërrasat (36:31-34)
Katër nga traversat ishin të dukshme, njëra ishte e padukshme, sepse kalonte në mes të dërrasave. Traversa e padukshme është një simbol i goditur i Frymës së Shenjtë, duke i bashkuar besimtarët në «një tempull të shenjtë në Zotin» (Efesianeve 2:21,22). Katër traversat e tjera mund të hedhin idenë e jetës, dashurisë, pozitës dhe rrëfimit që janë të njëjta për tërë popullin e Perëndisë.
5. Veli që të prin në Vendin Shumë të Shenjtë (36:35,36)
Ky vel përfaqëson mishin e Zotit Jezus (Heb. 10:20), të vrarë në Kalvar për të hapur një udhë afrimi për ne te Perëndia. Kerubinët në vel mendohet se përfaqësojnë rojtarët e fronit të drejtë të Perëndisë.
6. Perdja që të prin në Vendin e Shenjtë (36:37,38)
Kjo perde ishte prej të njëjtit material si dera e oborrit e veli i përmendur më sipër, dhe simbolizon Krishtin si udhën për te Perëndia.
7. Arka e Besëlidhjes (37:1-5)
Arka ishte një kuti prej druri të akacies […] e veshur me ar safi. Ajo tregonte anën njerëzore dhe hyjnore të Zotit tonë. Ajo përmbante pllakat e Ligjit, një enë të artë me manë dhe shkopin e Aaronit që kishte lëshuar sythe. Nëse ia përshtatim Krishtit, këto gjëra flasin për Të, ashtu siç thuhet te Psalmi 40:8b: «Ligji yt është në zemrën time», si buka e Perëndisë që zbriti nga qielli (Gjoni 6:33) dhe si Prifti i zgjedhur i Perëndisë, i ringjallur prej së vdekurish (Heb. 7:24-26). Nëse i përshtatet popullit të Izraelit, ato ishin përkujtimore të dështimit dhe rebelimit të tyre.
8. Pajtuesi (37:6-9)
Pajtuesi ishte froni i Perëndisë, vendi i banimit të Tij në tokë. Ndërsa kerubinët e artë shikonin mbi të, ata nuk shikonin Ligjin (që Izraeli e kishte shkelur) apo enën me mana dhe shkopin e Aaronit, të cilat lidheshin me rebelimet e Izraelit. Për më tepër, ata shikonin gjakun e spërkatur, i cili bënte që Perëndia të ishte i mëshirshëm ndaj mëkatarëve rebelë. Pajtuesi simbolizon Krishtin si Atë që «ka paracaktuar Perëndia për të bërë pajtimin» (Rom. 3:25, fjalë për fjalë) [9]. …Pajtuesi ishte kapaku i arkës.
9. Tryeza e Bukëve të Paraqitjes (37:10-16)
Tryeza e bukëve të paraqitjes mbante dymbëdhjetë bukë, «tipike të vendit të Izraelit para Perëndisë në pranueshmërinë e Krishtit, i cili, si Aaroni i vërtetë, i ruan edhe tani para Perëndisë» [10]. Bukët mund të flasin gjithashtu edhe për parashikimin e Perëndisë për secilin prej dymbëdhjetë fiseve.
10. Shandani i artë dhe përbërësit e tij (37:17-24)
Disa e shohin shandanin e bërë me ar safi si simbol të Krishtit, Dritën e vërtetë të botës (Gjoni 8:12). Të tjerë parapëlqejnë ta simbolizojnë me Frymën e Shenjtë, misioni i të cilit është të përlëvdojë Krishtin, meqë ndriçon gjithçka që flet për Krishtin në Vendin e Shenjtë. Të tjerë e shohin si simbol të Krishtit në lidhje me besimtarët. Trungu i mesit është unik, sepse nga ai dilnin gjashtë krahë të tjerë, tre krahë nga çdo anë; edhe pse janë bërë nga i njëjti ar.
11. Altari i temjanit (37:25-28)
Altari i temjanit flet për Krishtin si aroma e ëmbël e përjetshme e Perëndisë. Gjithashtu hedh idenë e shërbesës së tashme të Zotit Jezus, duke ndërmjetësuar për ne në qiell.
12. Vaji i vajosjes dhe temjanit (37:29)
Vaji simbolizon Frymën e Shenjtë dhe temjani flet për përsosmëritë me aromë të përjetshme të Zotit tonë, duke i sjellë gëzim Atit të Tij.
13. Altari i olokaustit (38:1-7)
Altari i olokausteve përfaqëson kryqin, ku Zoti Jezus ofroi Veten e Tij para Perëndisë si një flijim i plotë. Nuk mund të ketë liri hyrjeje te Perëndia pa vdekjen e Tij flijuese.
14. Legeni (38:8)
Legeni flet për shërbesën e tashme të Krishtit, duke pastruar popullin e Tij përmes larjes së ujit me anë të Fjalës (Efesianeve 5:26). Priftërinjve u kërkohej të lanin duart dhe këmbët e tyre para se të kryenin ndonjë shërbesë. Kështu veprimet dhe ecja jonë duhet të jetë e pastër, para se mund t’i shërbejmë Zotit në mënyrë të frytshme. Legeni ishte prej pasqyrave të bronzit të grave shërbëtore. Lëvdimi i vetvetes u largua dhe erdhi shërbimi ndaj Perëndisë.
15. Oborri i jashtëm, shtyllat dhe perdet (38:9-31)
38:9-20 Oborri i jashtëm rreth tabernakullit përbëhej nga perde […] prej liri të hollë e të bardhë, pesëdhjetë e gjashtë shtylla me bazat prej bronzi e grremça argjendi dhe një perde e qëndisur te porta. Liri i bardhë flet për drejtësinë që pengon mëkatarin mosbesues t’i afrohet Perëndisë, por që gjithashtu ndan dhe mbron besimtarin brenda. Hyrja e vetme për në oborr ishte porta, e përbërë nga liri i hollë i përdredhur e i qëndisur me fill ngjyrë vjollce, të purpurt dhe të kuq të ndezur. Kjo hedh këtu idenë e Krishtit («Unë jam dera», Gjoni 10:9), si udha e vetme për t’iu afruar Perëndisë. Liri i hollë është një simbol i pastërtisë së Tij të panjollë; vjollca, origjina e Tij qiellore; e purpurta, lavdia e Tij mbretërore; e kuqja e ndezur, vuajtja e Tij për mëkatin. 38:21-23 Këtu përsëriten emrat e punëtorëve të aftë. Sa herë që Perëndia kërkon të bëjë një detyrë, Ai nxjerr njerëz për ta bërë atë. Për tabernakullin Ai thirri dhe pajisi me aftësi Betsaleelin dhe Oholiabin. Për ndërtimin e tempullit Ai përdori Hiramin për të gjetur materialet. Për ndërtimin e kishës Ai përdori punëtorët e Tij të zgjedhur, Pjetrin dhe Palin. 38:24-31 Materialet e përdorura për ndërtimin e tabernakullit u regjistruan. Ato do të vlerësoheshin me miliarda lekë me kursin e sotëm. Edhe ne mund t’ia kushtojmë pasurinë tonë veprës së Zotit, duke thënë: «Merre argjendin dhe arin tim; as edhe një grimcë nuk do të mbaj për vete» [11].

G. Përgatitja e rrobave të priftërinjve (Kapitulli 39)

39:1-7 Tani vijmë te përgatitja e rrobave të priftërinjve. Mund të ndalojmë në fillim në përsëritjen e katër ngjyrave. Disa mendojmë se ato përfaqësojnë lavditë e shpalosura të Krishtit ashtu siç paraqiten në katër ungjijtë: e purpurta – Mateu – si Mbret; e kuqja flakë – Marku – si Shërbëtori i përvuajtur; e bardha – Luka – si Njeriu i pamëkatë; vjollca – Gjoni – si Biri i Perëndisë që zbriti nga qielli. Fijet e arta tek efodi flasin për hyjninë e Krishtit (v. 3). Në çdo rrip të shpatullave të efodit ishte një gur oniksi i gdhendur me emrat e gjashtë fiseve të Izraelit. 39:8-21 Pektorali kishte dymbëdhjetë gurë të çmuar, një për çdo nga dymbëdhjetë fiset (v. 10-14). E njëjta gjë ndodh edhe me Kryepriftin tonë të Madh. Predikuesi i ungjillit Piter Pell e ka shprehur në mënyrë të mrekullueshme këtë. «Forca e shpatullave të Tij dhe dashuria e zemrës së Tij po mbajnë emrat e popullit të Perëndisë para pranisë së Perëndisë». 39:22-26 Manteli i efodit ishte një rrobe ngjyrë vjollcë që vishej poshtë efodit. Mbi buzën e mantelit kishte zile prej ari të pastër dhe disa shegë në ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe. Këto flasin për frytin frymëror dhe dëshminë, siç gjenden te Kryeprifti ynë i Madh dhe ashtu siç duhet të riprodhohen te ne. 39:27-29 Tunikat prej liri ishin rrobat e para që vishnin priftërinjtë (Lev. 8:7). Pastaj vishnin rrobat e lavdisë. Perëndia në fillim vesh mëkatarin e penduar me drejtësinë e Tij (2 e Korintasve 5:21). Kur Zoti Jezus do të kthehet, Ai do ta veshë popullin e vet me rrobat e lavdisë (Filipianeve 3:20,21). Drejtësia duhet të pararendë përlëvdimin. 39:30,31 Pllaka e artë mbi çallmën e kryepriftit ishte e gdhendur si një vulë me fjalët: «SHENJTËRI ZOTIT», në mënyrë që Ai të mbajë paudhësinë e gjërave të shenjta (Eksodi 28:38). Gjithçka që ne bëjmë është e njollosur me mëkat, por adhurimi dhe shërbesa jonë pastrohen nga tërë papërsosuritë tona nga Kryeprifti ynë i Madh para se të shkojnë tek Ati. 39:32-43 Kur populli e përfundoi punën dhe i çuan Moisiut tabernakullin, ai i kontrolloi dhe pa se tërë puna ishin bërë saktësisht sipas udhëzimeve të Perëndisë. Kështu Moisiu e bekoi popullin.

H. Ngritja e tabernakullit (Kapitulli 40)

40:1-8 Perëndia urdhëroi që tabernakulli të ngrihej në ditën e parë të vitit (v. 1,2); kjo ndodhi rreth një vit pas ndodhisë së Eksodit dhe tetë muaj e gjysmë pas mbërritjes së Izraelit në Sinai. Ai gjithashtu përshkruan se ku do të vendoseshin çdo pjesë e pajisjeve. 40:9-17 Te vargjet 9-15 kemi përsëritjen e udhëzimeve për vajosjen […] e tabernakullit, pajisjeve të tij dhe kryepriftit dhe bijve të tij. Udhëzimet u zbatuan ditën e parë të muajit të parë, gati një vit pasi izraelitët ishin larguar nga Egjipti (v. 16,17). 40:18-33 Kështu Moisiu e ngriti tabernakullin…. Ky paragraf nga tregon se si ligjdhënësi i madh zbatoi tërë udhëzimet e hollësishme ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun, për çdo pjesë të vetë strukturës, po ashtu dhe për çdo pjesë të pajisjeve. Në fund Moisiu ndërtoi gjithashtu oborrin rreth tabernakullit. Pastaj vijnë fjalët kulmore të përmbushjes së një detyre të rëndësishme të kryer më së miri: Kështu Moisiu e përfundoi punën e tij. 40:34-38 Reja e lavdisë zbriti dhe mbushi tabernakullin dhe Moisiu nuk mundi të hyjë në çadrën e mbledhjes. Kjo re ishte shoqëruesja e popullit gjatë udhëtimit të tyre. Ata duhej të lëviznin vetëm kur lëvizte reja. Kur ajo ndalte, ata ndalnin gjithashtu (v. 34-38). Si pjesëtar i fisit të Levit, Moisiu në pamje të parë kishte tërë cilësitë për të kryer funksionet priftërore, derisa Aaroni dhe bijtë e tij u ngarkuan me këtë përgjegjësi (Lev. 8). Dhe kështu Eksodi është historia e popullit të Perëndisë gjatë një viti, që nga çlirimi i tyre nga Egjipti deri në ngritjen e tabernakullit në malin Sinai. Libri është i mbushur me simbole të mrekullueshme të Krishtit dhe përsosmërive të Tij morale. Është përgjegjësia jonë ta adhurojmë këtë Krisht të lavdisë dhe të jetojmë në dritën e shenjtërisë së Tij. BIBLIOGRAFI Borland, James A. “Exodus”. Liberty Bible Commentary. Lynchburg, VA: The Old-Time Gospel Hour, 1982. Cole, R. Alan. Exodus: An Introduction and Commentary. Komentarët Tyndale të Dhiatës së Vjetër. Downers Grove, IL: InterVarsity Press, 1973. Dennett, Edward. Typical Teachings of Exodus. Ribotim, Wilson Foundation, n.d. Henry, Matthew. “Exodus”. Matthew Henry’s Commentary on the Whole Bible. Vëll. 1. Genesis to Deuteronomy. McLean, VA: MacDonald Publishing Company, n.d. Keil, C. F. dhe Delitzsch, F. “Exodus”. Biblical Commentary on the Old Testament. Vëll. 1,2. Grand Rapids: Wm. B. Eerdmans Publishing Co., 1971. Lange, John Peter. “Exodus”. Commentary on the Holy Scriptures, Critical, Doctrinal and Homiletical. Vëll. 2. ribotim (24 vëll. në 12). Grand Rapids: Zondervan Publishing House, 1980. Pell, Peter, Jr. The Tabernacle (Correspondence Course). Oak Park, IL: Emmaus Bible School, 1957. Ridout, Samuel. Lectures on the Tabernacle, New York: Loizeaux Brothers, Inc., 1973. Rosen, Moishe dhe Ceil. Christ in the Passover. Chicago: Moody Press, n.d. Sanders, J. Oswald. On to Maturity. Chicago: Moody Press, 1982.

Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1. (32:30-35) Disa besojnë se, ashtu si Pali pesëmbëdhjetë shekuj më vonë, Moisiu pranoi të mallkohej dhe të humbiste nëse do të shpëtoheshin të afërmit izraelitë. ↵ Kthehu mbrapa
  2. (33:18-23) Hywel R. Jones, nuk janë të mundura hollësi të mëtejshme. ↵ Kthehu mbrapa
  3. (37:6-9) E njëjta fjalë greke, hilasterion, do të thotë si shlyerje (plotësim me anë të flijimit), ashtu dhe vend shlyerjeje (që është, pajtuesi). ↵ Kthehu mbrapa
  4. (37:10-16) G. Morrish, New and Concise Bible Dictionary, f. 754. ↵ Kthehu mbrapa
  5. (38:24-31) Është më e lehtë ta këndosh këtë rresht prej himnit të madh frymëror nga Frances Ridley Havergal: »Take My Life and Let It Be», sesa ta praktikosh atë! ↵ Kthehu mbrapa