V. 1 Ashtu si në Letrën e Dytë, Gjoni flet për veten si plaku. Ai ia drejton këtë letër Gajit shumë të dashur, të cilin e donte në të vërtetë. Edhe pse nuk e dimë nëse ky është Gaji që përmendet te Romakëve 16:23, apo ai i Veprave të Apostujve 20:4, është e mahnitshme se sa shumë mësojmë për të në këto pak vargje. Para së gjithash, mësojmë se ai ishte një besimtar shumë i dashur, një njeri jeta e të cilit ishte shembull për të krishterët e tjerë.
V. 2 Por në dukje ai nuk ishte shumë mirë me shëndet, meqë Gjoni uron që shëndeti i tij fizik të përkonte me guximin e tij frymëror. Kur Gjoni thotë unë dëshiroj të kesh mbarësi në çdo gjë dyshohet nëse po flet për shëndetin apo begatinë materiale. Për më tepër ai po flet për mirëqenien fizike, ashtu siç përmendet në fjalinë tjetër – dhe të gëzosh shëndet të mirë.
A duam ne që gjendja jonë fizike të përkojë me gjendjen tonë frymërore? A nuk është fatkeqësisht e vërtetë se ne kujdesemi më tepër për trupat tanë sesa për shpirtrat tanë? Ja, pra, pse F. B. Meyer shprehet me keqardhje:
Nuk do të ishte gjë e mirë të shprehim dëshirën e vargut 2 ndaj të gjithë miqve tanë, sepse, nëse trupat e tyre përkojnë me gjendjen e shpirtrave të tyre, ata do të binin papritur në shëndet të keq [1].
Vargu 2 bie në një mospërputhje të madhe me atë që mësohet nga ata, të ashtuquajturit “shërues të besimit”. Ata thonë se çdo sëmundje është një pasojë e mëkatit në jetë dhe nëse një person nuk shërohet, ndodh për shkak të mungesës së besimit. Kjo nuk ishte e vërtetë në rastin e Gajit. Gjendja e tij frymërore ishte e mirë, por gjendja e tij fizike nuk ishte edhe aq e mirë. Kjo tregon se gjendja frymërore e dikujt nuk mund të vlerësohet nga gjendja e tij trupore.
V. 3 Apostulli thotë: “U gëzova shumë kur erdhën disa vëllezër dhe dëshmuan për besnikërinë e Gajit ndaj së vërtetës dhe se si ecte në të vërtetën. Është gjë e mirë të kemi të vërtetën në ne, por është një gjë më e mirë të shfaqim të vërtetën në jetët tona. Ne nuk duhet vetëm të mbajmë të vërtetën, por të lejojmë të vërtetën të na mbajë. Njerëzit do të pëlqenin ta shikonin një predikim sesa ta dëgjojnë atë. Asgjë nuk vlen më tepër për Perëndinë në fakt sesa një jetë e shenjtë.
V. 4 Kaq e rëndësishme ishte kjo për Gjonin saqë ai mund të thoshte: “Nuk kam gëzim më të madh nga ky: të dëgjoj se bijtë e mi ecin në të vërtetën.”. Mbase shumë prej nesh mendojnë për çuarjen e shpirtrave te Zoti si gëzimin më të madh në jetën e krishterë dhe është me të vërtetë e mrekullueshme të shohësh burra dhe gra të kthyer nga mbretëria e errësirës në mbretërinë e Birit të dashurisë së Tij. Por cili mund të masë dëshpërimin e thellë që ndihet duke parë ata që rrëfejnë se janë të shpëtuar dhe që kthehen në jetën e tyre të mëparshme? Si dosa e larë u kthye të zhgërryhet në llucë dhe qeni u kthye në të vjellat e veta. Nga ana tjetër, çfarë gëzimi është të shohësh fëmijët e tu frymërorë duke u rritur në Zotin, nga hiri në hir. Përsëri kjo thekson rëndësinë e veprës së vazhdueshme në përpjekjen tonë ungjillore.