A. Antikrishti (11:36-45)
11:36-39 Ashtu siç e përmendëm, vargjet 36-45 i takojnë ende së ardhmes. Vargu 36 paraqet mbretin e keq, përshkrimi i të cilit e bën të duket shumë si Antikrishti. Ai do të ketë sukses derisa të mbushet kupa e indinjatës së Perëndisë kundër Izraelit. Shumë besojnë se Ai do të jetë jude, duke u nisur nga këto shprehje “Perëndinë e etërve të tij” dhe “dëshirën e grave” (pra Mesia). Judenjtë nuk do të mashtrohen lehtë nga një mesi pagan. Sido që të jetë, ai do ta rrisë madhërisht pushtetin e tij përmes militarizmit agresiv.
11:40-45 Ka një problem te vargjet 40-45 se kujt i përket referimi me të apo ai. Një interpretim është si vijon: mbreti i jugut do të ndeshet me mbretin e lig në betejë. Mbreti i veriut do të kridhet përmes Palestinës dhe Egjiptit. Por lajmet shqetësuese të ardhura nga lindja dhe nga veriu do të bëjnë që ai të kthehet në Palestinë, ku do të fushojë midis deteve (atij Mesdhe dhe të Vdekur) dhe Jerusalemit. Ai do të shkatërrohet, duke mos pasur asnjë që ta ndihmojë.
B. Mundimi i Madh (kapitulli 12)
12:1-3 Vargu 1 përshkruan Mundimin e Madh, tre vitet e gjysmë që do të pararendin Ardhjen e Dytë të Krishtit. Disa do të ringjallen për të hyrë në Mijëvjeçar me Krishtin; të vdekurit e ligj do të ringjallen në fund të Mijëvjeçarit (v. 2; shikoni Zbulesa 20:5). Ata shenjtorë të mundimit që kanë vërtetuar se kanë dituri, duke iu bindur Zotit dhe duke çuar të tjerë në besim dhe drejtësi, do të shkëlqejnë në lavdinë e përjetshme.
Disa komentues e shohin vargun 2 si referim jo ndaj ringjalljes fizike, por si gjallërimin kombëtar dhe moral të Izraelit. Pasi populli i lashtë i Perëndisë do të mblidhet në vend në mosbesim, një mbetje do t’i përgjigjet ungjillit dhe do të hyjë në Mijëvjeçar. Këta janë ata që do të zgjohen në jetë të përjetshme. Tërë të tjerët që adhurojnë Antikrishtin, do të dënohen në turp dhe në poshtërsi të përjetshme. Varrosur midis johebrenjve për shekuj me radhë, Izraeli do të përtërihet si komb dhe atëherë mbetja besimtare do të përjetojë ringjalljen frymërore të përshkruar tek Isaia 26:19 dhe Ezekieli 37.
12:4 Danieli u udhëzua ta ruante profecitë në një libër. Vargu 4b mendohet zakonisht se flet për përparësitë në njohjen e transportit dhe të shkencës. Por mbase nuk do të thotë këtë. Darbi (Darby) e përkthen: “shumë do të hetojnë me kujdes”. Trexhellesi (Tregelles) e përkthen: “shumë do ta shqyrtojnë librin nga cepi në cep” [15]. Ai mëson se shumë do ta studiojnë Fjalën profetike dhe dituria e saj do të shtohet në Mundimin e Madh.
12:5-10 Këto vargje flasin për një diskutim midis dy individëve të paidentifikuar dhe një burri të veshur me rroba liri se sa kohë do të kalojë deri në fund. Koha e dhënë është tre vjet e gjysmë (një kohë, disa kohëra dhe për gjysmën e një kohe). Kur Danieli shpreh dështimin e vazhdueshëm për të kuptuar, atij i thuhet se vegimi nuk do të jetë plotësisht i qartë derisa të ndodhë. Por ai mund të jetë i sigurt se i drejti do të pastrohet, të pabesët do ta shfaqin veten si të tillë dhe vetëm njerëzit e ditur… do të kuptojnë. Nga fillimi i Mundimit të Madh deri në fund do të kalojnë një kohë, disa kohëra dhe gjysma e një kohe (tre vjet e gjysmë ose 1 260 ditë).
12:11 Mbase neveria që shkakton shkretimin do të vihet në tempullin e Jerusalemit tridhjetë ditë para se të fillojë Mundimi i Madh; kjo do të shpjegojë një mijë e dyqind e nëntëdhjetë ditët këtu.
12:12 Për sa u përket një mijë e treqind e tridhjetë e pesë ditëve kjo është shpjeguar si ajo periudhë që na çon pas Ardhjes së Krishtit dhe gjykimit të armiqve të Tij, te koha kur Ai fillon të mbretërojë.
12:13 Danieli do të prehej (në vdekje) dhe do të ngrihej në ringjallje për të shijuar trashëgiminë e tij – bekimet mijëvjeçare me Mesinë e Tij, Zotin Jezu Krisht.
SHËNIME
[1] (Hyrje) Merrill F. Unger, Introductory Guide to the Old Testament, f. 396. [2] (Hyrje) Merrill F. Unger, Introductory Guide to the Old Testament, f. 399. [3] (Hyrje) Andersoni përpunoi në fillim kronologjinë tepër të hollësishme të shtatëdhjetë javëve të Danielit në librin e tij klasik The Coming Prince. [4] (4:19-26) Boanthropy (njeriu-dem) është një formë e rrallë e monomanisë. Dr. R. K. Harrisoni rrëfen në disa hollësi takimin e tij me një njeri me këtë sëmundje në një institucion mendor në Londër (Introductory Guide to the Old Testament, f. 1114-1117). [5] (5:10-16) Kjo mund t’i referohet jo gruas së Belshatsarit, por asaj që ne mund ta quajmë nëna mbretëreshë. [6] (5:25-31) Tekel lidhet me fjalën hebraike Shekel. Fjalët ishin në gjuhën e popullit të pranishëm (aramaike), por domethënia ishte aq e fshehtë, saqë ata nuk mund ta kuptonin mesazhin. Gjithashtu, mbase fjalët ishin shkruar në një shkrim tjetër, ndryshe nga ai i përdorur në aramaisht. [7] (6:9-13) Tek Esteri mbreti Asuero u gënjye gjithashtu nga vartësit e tij, duke bërë një ligj “të pakthyeshëm” dhe duke dënuar, kështu, popullin e Perëndisë. Danieli, i kërcënuar nga gropa e luanëve dhe Esteri, duke pasur përballë Asueron, që të dy ishin në rrezik për humbjen e jetëve të tyre. Të dy u varën te Perëndia i tyre për t’i shpëtuar, duke u përballur me rrezikun në mënyrë heroike. Që të dy ishin të huaj në perandorinë perse. Në secilin rast një mbreti pers i erdhi keq për firmosjen e një dekreti në ligj të pakthyeshëm. Në të dyja rrëfimet populli i Perëndisë u shpëtua nga armiqtë e tyre. [8] (7:1-4) Luani me krahë ishte simboli i Babilonisë, ashtu siç është luani emblemë për Mbretërinë e Bashkuar [Anglinë] dhe shqiponja për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. [9] (8:9-14) Antioku është në linjën e gjatë të urryesve judenj, që përfshin Hamanin dhe Adolf Hitlerin. Ai është mbase një simbol i Antikrishtit të ardhshëm. Antiokut i pëlqente të quhej Epifan (i ndritshëm), por judenjtë gjetën një emër tjetër për të: Epimanes (i marrë)! Historia e tij tregohet në librat apokrifë të Makabeusit. [10] (9:20-23) Fjala hebraike për fjalën javë do të thotë thjesht një njësi shtatëshe dhe kështu disa pëlqejnë ta përkthejnë me fjalën heptad, një fjalë e vogël e përdorur nga greqishtja për fjalën shtatë. [11] (9:26) 6 prill, viti 32 pas Krishtit, sipas Andersonit. Në kohën tonë, Dr. Harold Hoehneri, duke përdorur një datë fillestare pak të ndryshme (444 para K.) dhe datë të fundit (viti 33 pas K.), paraqet gjithashtu një përmbledhje të përsosur datash për këtë profeci. Shikoni Bibliotheca Sacra, janar-mars, 1975, f. 62-64. [12] (10:10-14) Leon Wood, A Commentary on Daniel, f. 272,273. [13] (10:10-14) Disa, ashtu si William Kelly, u përgjigjen këtyre kundërshtimeve duke hedhur idenë se folësi në vargun 13 është një person tjetër dhe jo Zoti. [14] (11:5,6) Është e rëndësishme të pranojmë se titujt “mbreti i veriut” dhe “mbreti i jugut” u referohen udhëheqësve të Sirisë dhe të Egjiptit, që sundonin në atë kohë të ngjarjeve përshkruar në çdo varg dhe jo të njëjtëve sundues përgjatë tekstit. [15] (12:4) S. P. Tregelles, The Prophetic Visions in the Book of Daniel, f. 158.BIBLIOGRAFI
Anderson, z. Robert. The Coming Prince. Londër: Hodder & Stoughton, 1881. Ribotim. Grand Rapids: Kregel Publications, 1975.
Baldwin, Joyce G. Daniel: An Introduction and Commentary. The Tyndale Old Testament Commentaries. Downers Grove, Illinois: InterVarsity Press, 1978.
Campbell, Donald K. Daniel: Decoder of Dreams. Wheaton, Illinois: SP Publications, Victor Books, 1977.
Dennett, Edward, Daniel the Prophet: And the Times of the Gentiles. Ribotim. Denver: Wilson Foundation, 1967.
Gaebelein, Arno C. The Prophet Daniel. A Key to the Visions and Prophecies of the Book of Daniel. New York: “Our Hope”, 1911.
Keil, C. F. Biblical Commentary on the Old Testament. Vëll. 24, Grand Rapids. Wm. B. Eerdmans Publishing Company, 1971.
Luck, G. Coleman. Daniel. Çikago: Moody Press, 1958.
Pentecost, J. Dwight. “Daniel“, te The Bible Knowledge Commentary. Wheaton: Victor Books, 1985.
Tregelles, S. P. The Prophetic Visions in the Book of Daniel. Londër: Samuel Bagster & Sons, 1864.
Walvoord, John F. Daniel: The Key to Prophetic Revelation. Çikago: Moody Press, 1971.
Wilson, Robert Dick. Studies in the Book of Daniel, Grand Rapids: Baker Book House, 1979.
Wiseman, D. J., et. al. Notes on Some Problems in the Book of Daniel. Londër. Tyndale Press, 1965.
Wood, Leon. A Commentary on Daniel. Grand Rapids: Zondervan Publishing House, 1973.