Danieli

Dua të theksoj… se asnjë nga profetët nuk ka folur kaq qartë rreth Krishtit sa profeti Daniel. Ai jo vetëm që pohoi se Ai do të vinte, një parathënie e zakontë edhe për profetët e tjerë, por gjithashtu ai tregoi kohën e saktë kur do të vinte. Për më tepër, ai përmendi mbretër të ndryshëm, sipas rendit të tyre, pohoi numrin e saktë të viteve të përfshira dhe shpalli para kohe shenjat më të qarta të ngjarjeve në të ardhmen.Jeronimi (vitet 347 – 420 pas Krishtit)

I. Vendi unik në Kanun

Danieli është një nga librat më magjepsës dhe ndoshta më vendimtari midis të gjithë librave në DhV. Pa dyshim, për shkak të parashikimeve të tij të sakta, profecive mesianike dhe shembullit frymëzues të ndarjes së pastër nga feja besimmohuese botërore, Danieli është sulmuar nga studiuesit racionalistë dhe mosbesues. Nuk është çudi që studiuesi biblik konservator z. Robert Andersoni e ka titulluar njërin prej librave të tij Danieli në gropën e kritikëve (Daniel in the Critic’s Den).

Qëllimi kryesor i sulmit ka qenë të saktësojë nëse libri ishte shkruar në fakt nga një profet i quajtur Daniel në shekullin VI para K., ashtu siç kanë mbështetur judenjtë dhe të krishterët konservativë, apo nga një autor i panjohur i shekullit të dytë, duke e shkruar historinë (sidomos kapitullin 11) sikur të ishte profeci.

II. Autorësia

Meqë autorësia tradicionale e Danielit është kundërshtuar së tepërmi dhe është shumë e rëndësishme për çdo besimtar të thellohet mirë në këtë libër të madh, do të paraqesim një shtjellim më të gjerë këtu sesa për librat e tjerë.

Batareja e parë kundër pozitës ortodokse se Danieli ishte një profet i vërtetë, që ishte pajisur hyjnisht me vegime të hollësishme rreth perandorive pagane botërore dhe të ardhjes së Mesias, u bë në shekullin e tretë pas K. nga filozofi anti- i krishterë, Porpiri.

Idetë e tij u përdorën më vonë nga një grusht judenjsh në shekullin XVII dhe më pas në botën e krishterë në shekullin XVIII e më pas. Me përhapjen e racionalizmit, këto ide u shtrinë edhe më tej dhe u pranuan në rrethet liberale dhe gjysmëliberale.

Merrill Ënxheri (Merrill F. Unger) shkruan:

Kriticizmi modern e shikon caktimin e një date makabease (rreth vitit 167 para K.) dhe mospranimin e autorësisë tradicionale të Danielit si një ndër arritjet e tij më të sigurta. Megjithatë, këto pikëpamje janë ngritur mbi një seri gabimesh të lavdëruara së tepërmi dhe hamendjeve jo të shëndosha [1].

Para se të shqyrtojmë paditë kryesore kundër autorësisë së Danielit, le të vëmë re disa prova pozitive për këtë pozicion.

  1. Zoti ynë Jezu Krisht e citon shprehimisht librin si të Danielit (Mt. 24:15). Vetëm kjo është provë për të krishterin e përkushtuar.
  2. Libri vezullon nga ngjyra lokale dhe zakonet e Babilonisë dhe të Medo-Persisë së lashtë, jo të Palestinës së kohës së Makabejve.
  3. Judenjtë dhe të krishterët janë ndërtuar dhe bekuar për shekuj me radhë nga ky libër. Ndërsa kjo është e vërtetë për një sasi shkrimesh të pafrymëzuara, ndriçimi i fuqishëm i Frymës së Shenjtë të librit të Danielit nuk mund të qëndrojë si një falsifikim.
  4. Një dorëshkrim i Danielit gjetur në Shpellën e Kumranit besohet se është kopjuar gjatë ose para epokës së Makabejve, fakt i cili kërkon që origjinali të ketë ekzistuar para kësaj periudhe.

Argumentet kundër autenticitetit të Danielit janë të trefishta: gjuhësore, historike dhe teologjike.

Argumenti gjuhësor është se libri i Danielit nuk mund të ishte shkruar në shekullin VI, sepse përmban fjalë perse dhe madje greke dhe aramaishtja pretendohet se ka qenë një variacion gjuhësor i një date të mëvonshme.

Megjithatë, meqë Danieli ka jetuar dhe shërbyer në periudhën medo-perse (530 para K.), prania e fjalëve perse tregon krejt të kundërtën e kundërshtimit liberal. Shanset e një farkëtari të shekullit II në Palestinë që të dinte persisht janë të mugëta.

Për sa u përket fjalëve në greqisht, pjesa më e madhe e studiuesve biblikë janë të tronditur kur zbulojnë se janë vetëm tri, dhe të gjitha emra të veglave muzikore! Është një fakt i mirënjohur se emrat e objekteve të një kulture kalojnë zakonisht në një gjuhë tjetër kohë përpara se të ketë një përfshirje të madhe intelektuale. Ndërsa perandoria greke ishte ende në të ardhmen kur shkroi Danieli, kultura dhe shpikjet greke ishin shpërndarë tashmë në botën e lashtë.

Për sa i përket aramaishtes, Kiçini (Kitchen) dhe Kuçeri (Kutscher) kanë treguar se përkon plotësisht me periudhën perandorake të Danielit.

Argumentet historike kundër pozicionit ortodoks mbi autorësinë përfshijnë kundërshtimin se judenjtë e vënë Danielin në pjesën e tretë të DhV (“Shkrimet”) dhe jo midis Profetëve, sepse ajo pjesë e kanunit tashmë ishte e mbyllur kur shkroi “Danieli”. Është më e thjeshtë të kuptojmë se Danieli ishte një profet jo nga thirrja, por nga shërbesa. Profesioni i tij ishte një qeveritar. Nga kjo, ai nuk u vu me profetët profesionistë, Isaian, Jeremian etj.

Probleme të ndryshme të pretenduara historike kanë dalë kundër autenticitetit të librit të Danielit, por të gjitha kanë përgjigje të zgjuara nga studiuesit konservativë të ndershmërisë së padiskutueshme. Për ata që dëshirojnë të ndjekin këtë argumentim, autorët e këshilluar, në rend kronologjik, janë: Robert Dik Uillsëni (Robert Dick Wilson), Çarls Bautflauëri (Charles Boutflower), Xhon Uallfordi (John F. Walvoord), R. K. Harrisoni dhe Gllisën Arçëri (Gleason Archer).

Argumenti teologjik kundër librit të Danielit është se ai përmban paraqitje tepër “të përparuara” të engjëjve, jetës pas vdekjes (ringjalljes) dhe Mesias. Ky nocion del duke i zbatuar teorinë e evolucionit fesë. Protesta e vërtetë kundër Danielit, ashtu si disa studiues liberalë siç është Pfivëri (R.. Pfiefer) (Old Testament Introduction, f. 755), që janë tepër të ndershëm ta pranojnë, është paragjykim kundër së mbinatyrshmes. Ka shumë mrekulli, shumë parashikime të sakta te libri i Danielit për t’iu përshtatur kriticizmit racionalist. Ashtu si profeti Daniel shpëtoi i paprekur nga gropa e luanit, po kështu profecia e Danielit shpëton nga “gropa e kritikëve” në mendjet dhe zemrat e besimtarëve të zgjuar.

III. Data

Studiuesit i vënë data të ndryshme shkrimit të librit të Danielit, duke filluar nga shekulli VI deri në shekullin II para K. Liberalët dhe admiruesit e tyre mendojnë se është shkruar afërsisht në formën e tij të tashme në epokën e Makabejve. Ata e shikojnë përgjithësisht atë si një përpjekje për të nxitur judenjtë gjatë teprimit të tmerrshëm antisemitik të Antiokut Epifan.

Ata që besojnë se Perëndia mund të frymëzojë jo vetëm profecitë e përgjithshme të mbretërive, edhe pse të panjohura në atë kohë (greke dhe romake), por gjithashtu hollësi të vogla të disa shekujve të periudhës greke para se të ndodhnin (kapitulli 1), nuk kanë problem të pranojnë mësimin konservativ se Danieli e ka shkruar profecinë e tij në shekullin VI, mbase rreth vitit 530 para K.

Edhe me datën e tyre “të vonë”, ashtu siç tregon Ënxheri (Unger), kritikët nuk i kanë shpëtuar shikimit të gjithëdijshëm të Perëndisë në të ardhmen:

Duhet të kujtohet se edhe nëse data më e fundit, caktuar shkrimit të Librit të Danielit, do të vërtetohej e saktë, profecia shfaq një njohje të së ardhmes që mund t’i atribuohet vetëm frymëzimit hyjnor [2].

IV. Sfondi dhe tema

Duke pranuar, pra, pikëpamjen ortodokse të autorësisë dhe të datës, besojmë se Danieli ishte një ndër robërit e rinj judenj inteligjentë dhe tërheqës të çuar në Babiloni nga Nebukadnetsari kur Jehojakimi ishte mbret i Judës (rreth 604 para K.). Emri i tij do të thotë “Perëndia është gjykatësi im“. Karakteri dhe sjellja e tij tregojnë se jetoi në dritën e këtij fakti.

Për sa i përket detyrës, Danieli ishte një qeveritar, i ngritur për administrimin e oborrit të Nebukadnetsarit dhe të Belshatsarit. Kur Medo-Persia e pushtoi Babiloninë, Danieli u bë i pari nga tre presidentët nën Darin. Ai shërbeu gjithashtu nën Kirin. Ashtu siç është vënë re, kjo është arsyeja pse DhV hebraike e vë librin e Danielit në pjesën e njohur si “Shkrimet” dhe jo bashkë me “Profetët”, siç është në anglisht.

Megjithatë, shërbesa e Danielit ishte e një profeti dhe Zoti ynë e përmend si të tillë (Mt. 24:15 dhe Marku 13:14). Danieli nuk është si ata që kanë një punë “të zakontë” në botë dhe ende i kushtojnë shumë kohë studimit të Biblës dhe predikimit. Për shembull, z. Robert Anderson, vetë një studiues i profecisë së Danielit, kryesonte Departamentin Hetues Kriminal të Skotland Jardit (Scotland Yard) në epokën e vonët viktoriane dhe, megjithatë, kishte një shërbesë të bekuar biblike [3].

Meqë një pjesë e mirë e librit ka të bëjë me fuqitë botërore pagane, nuk është për t’u habitur pse Danieli 2:4 deri te kapitulli 7 është në aramaisht. Kjo është një gjuhë pagane në krahasim me hebraishten, por e përdorur gjerësisht në komunikimet ndërkombëtare në kohën e Danielit, ashtu siç është pak a shumë anglishtja sot. Disa studiues e skicojnë profecinë e Danielit me anë të këtyre ndryshimeve në gjuhë.

Për sa i përket kontekstit, gjashtë kapitujt e parë të Danielit janë kryesisht rrëfyes me tema profetike të dorës së dytë. Gjashtë kapitujt e fundit janë kryesisht profetikë me rrëfimin e dorës së dytë.

PARAQITJE E PËRGJITHSHME

I. BESNIKËRIA E QËNDRUESHME E DANIELIT DHE E SHOKËVE TË TIJ (kapitulli 1)
II. VEGIMI I NEBUKADNETSARIT I FIGURËS SË PËRBËRË NGA KATËR METALE (kapitulli 2)
III. IDHULLI I ARTË I NEBUKADNETSARIT DHE FURRA E ZJARRTË (kapitulli 3)
IV. ËNDRRA E NEBUKADNETSARIT E PEMËS SË RRËNUAR DHE DOMETHËNIA E SAJ (kapitulli 4)
V. RRËNIMI I BELSHATSARIT SHPALLUR NGA DORA QË SHKRUAN NË MUR (kapitulli 5)
VI. DEKRETI I DARIT DHE GROPA E LUANËVE (kapitulli 6)
VII. ËNDRRA E DANIELIT E KATËR BISHAVE QË PËRSHKRUANIN KATËR PERANDORITË BOTËRORE (kapitulli 7)
VIII. VEGIMI I DANIELIT I KOMBEVE QENGJ DHE DHI (kapitulli 8)
IX. VEGIMI I DANIELIT TË SHTATËDHJETË JAVËVE TË EPËRSISË SË PAGANËVE (kapitulli 9)
X. VEGIMI I LAVDISË SË PERËNDISË, PARAQITJA HYRËSE E NGJARJEVE TË ARDHSHME (kapitulli 10)
XI. PROFECITË E SË ARDHMES SË AFËRT (11:1-35)
A. Pushtimi grek i Medo-Persisë (11:1-3)
B. Prishja e perandorisë greke (11:4-35)
1. Luftërat midis Egjiptit dhe Sirisë (11:4-20)
2. Mbretërimi i të ligut Antioku Epifan (11:21-35)
XII. PROFECITË E SË ARDHMES SË LARGËT (11:36-12:13)
A. Antikrishti (11:36-45)
B. Mundimi i Madh (kapitulli 12)

[1] Merrill F. Unger, Introductory Guide to the Old Testament, f. 396.[[1]]
[2] Merrill F. Unger, Introductory Guide to the Old Testament, f. 399.[[2]]
[3] Andersoni përpunoi në fillim kronologjinë tepër të hollësishme të shtatëdhjetë javëve të Danielit në librin e tij klasik The Coming Prince.[[3]]




Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1. ↵ Kthehu mbrapa
  2. ↵ Kthehu mbrapa
  3. ↵ Kthehu mbrapa