Vegimi i Danielit të shtatëdhjetë javëve të epërsisë së paganëve (Danieli 9)

9:1,2 Ky kapitull ndodh gjatë mbretërimit të Darit, medit. Duke studiuar librin e Jeremias, Danieli kuptoi se shtatëdhjetë vitet e robërisë ishin gati nga fundi. 9:3-19 Ai rrëfeu mëkatet e tij dhe ato të popullit të tij (ai përdorte përemrin tona) dhe i kërkoi Zotit të përmbushte premtimet e Tij rreth Jerusalemit dhe popullit të Judës. Në përgjigje ndaj lutjeve të tij, Perëndia i dha profetit zbulesën shumë të rëndësishme të “shtatëdhjetë javëve”, që janë quajtur “shtylla kurrizore e profecisë biblike”. Kërkesat e Danielit ishin mbështetur në karakterin e Perëndisë (madhështinë, madhërinë, besnikërinë, drejtësinë, faljen, dhembshurinë) dhe në interesat e Tij (popullin Tënd, qyteti Yt, mali Yt i shenjtë, shenjtërorja Jote). 9:20-23Ndërsa ishte duke u lutur, Gabrieli, i dërguar me fluturim të shpejtë, e arriti Danielin në orën e blatimit të mbrëmjes. Ai i tha atij se të duan shumë, një nderim madhështor, i ardhur si prej Perëndisë. Atëherë ai i tha atij një skicë të historisë së ardhme të kombit jude nën figurën e shtatëdhjetë javëve. Çdo “javë” [10] përfaqëson shtatë vjet. Meqë profecia është shumë vendimtare për të kuptuar programin e Perëndisë, ne do ta shqyrtojmë atë fjali pas fjalie. 9:24Shtatëdhjetë javë janë caktuar për popullin tënd (Izraelin) dhe për qytetin tënd të shenjtë (Jerusalemin). Përmbushja historike e pjesës së parë të profecisë tregon se javët janë javë vitesh. Kështu shtatëdhjetë javë janë 490 vjet. Ne do të shikojmë se shtatëdhjetë javët ndahen në shtatë javë plus gjashtëdhjetë e dy javë dhe, më pas, pas një hapësire kohe, një javë përfundimtare. Në fund të këtyre shtatëdhjetë javëve, do të ndodhin gjashtë gjëra: Për t’i dhënë fund shkeljes, për t’i dhënë fund mëkatit. Ndërsa kjo mund t’i referohet, në një kuptim të përgjithshëm, tërë rrugëve mëkatare të Izraelit, ka një referim të veçantë për mospranimin e Mesias nga kombi. Në Ardhjen e Dytë të Krishtit një tepricë do të kthehet tek Ai në besim dhe shkeljet e mëkati i kombit do të falen. Për të shlyer paudhësinë. Baza për shlyerjen u hodh në Kalvar, por kjo i referohet kohës, ende në të ardhmen, kur pjesa besimtare e kombit të Izraelit do të marrë pjesë në përfitimin dhe gëzimin e veprës së përfunduar të Krishtit. Për të sjellë një drejtësi të përjetshme. Kjo, gjithashtu, tregon Ardhjen e Dytë dhe Mijëvjeçarin, kur Mbreti do të mbretërojë në drejtësi. Ajo është një drejtësi e përjetshme në kuptimin se do të vazhdojë në përjetësi. Për të vulosur vegimin dhe profecinë. Trupi kryesor i profecisë së DhV përqendrohet në kthimin e lavdishëm të Krishtit në tokë dhe mbretërinë e Tij të mëpasshme. Prandaj, shumica e profecive do të përmbushen në fund të shtatëdhjetë javëve. Për të vajosur vendin shumë të shenjtë. Në fillim të mbretërisë njëmijëvjeçare tempulli i përshkruar tek Ezekieli 40-44 do të vajoset apo do të shugurohet në Jerusalem. Lavdia do të kthehet në Personin e Zotit (Eze. 43:1-5). 9:25 Prandaj duhet të dini dhe kuptoni daljen e urdhrit për të restauruar dhe rindërtuar Jerusalemin. Ky ishte dekreti i Artakserksit më 445 para K. (Neh. 2:1-8). Deri te Mesia, princi: Kjo nuk i referohet thjeshtë Ardhjes së Parë të Krishtit, por më në veçanti vdekjes së Tij (shikoni v. 26a). Do të duhen shtatë javë (dyzet e nëntë vjet) dhe gjashtëdhjetë e dy javë të tjera (434 vjet). Gjashtëdhjetë e nëntë javët ndahen në dy periudha, shtatë javë dhe gjashtëdhjetë e dy javë. Qyteti do të ndërtohet përsëri, me sheshe dhe me hendeqe, por në kohëra plot ankth. Jerusalemi do të ndërtohet përsëri (gjatë shtatë javëve të para) me sheshin publik dhe kanalin mbrojtës, por jo pa kundërshtim dhe dallavere. 9:26Mbas gjashtëdhjetë e dy javëve, pra, mbas gjashtëdhjetë e dy javëve pjesë kohe, që është në të vërtetë fundi i javës së gjashtëdhjetenëntë, Mesia do të vritet. Këtu kemi një referim të pagabueshëm të vdekjes së Shpëtimtarit në kryq. Një shekull më parë në librin e tij The Coming Prince (Princi që po vjen), zoti Robert Anderson ka dhënë llogaritje të hollësishme të gjashtëdhjetë e nëntë javëve, duke përdorur “vitet profetike”, duke lejuar vitet e brishta, gabime në kalendar, ndryshimin nga para K. te pas K. etj. Dhe paraqet se gjashtëdhjetë e nëntë javët mbarojnë në ditën e hyrjes triumfuese të Jezusit në Jerusalem, pesë ditë para vdekjes së Tij [11]. Dhe askush nuk do të jetë me të, apo fjalë për fjalë dhe nuk do të ketë asgjë. Kjo do të thotë se Ai nuk kishte marrë asgjë nga kombi i Izraelit, për të cilin kishte ardhur. Ose mund të nënkuptojë se Ai vdiq pa pasardhje mishi (Is. 53:8). Ose mund të jetë një shprehje e përgjithshme e varfërisë së Tij të madhe: Ai nuk la asgjë veç rrobave që veshi. Dhe populli i një princi që do të vijë: ky princ që do të vijë është koka e Perandorisë së gjallëruar Romake, i njëjtësuar nga disa si Antikrishti. Ai do të vijë në pushtet gjatë Mundimit të Madh. Populli i tij, sigurisht, janë romakët. Ka për të shkatërruar qytetin dhe shenjtëroren: romakët, nën udhëheqjen e Titit, shkatërruan Jerusalemin dhe tempullin e tij madhështor me mermer të bardhë e të praruar në vitin 70 pas K. Fundi i tij do të vijë me një përmbytje. Qyteti është niveluar si nga një përmbytje. Asnjë gur i tempullit, për shembull, nuk mbeti njëri mbi tjetrin. Titi i ndaloi ushtarët e tij t’i vinin flakën tempullit të Herodit, por, për të marrë arin ata nuk u bindën, duke shkrirë kështu arin. Për të marrë arin e bërë njësh nga gurët, ata shkërmoqën gurët e mëdhenj, duke përmbushur kështu fjalët e Krishtit te Mateu 24:1,2, po ashtu edhe profecinë e Danielit. Dhe deri në mbarim të luftës janë dekretuar shkatërrime. Që nga ajo kohë e në vazhdim, historia e qytetit është e mbushur me luftra e shkatërrime. Fundi këtu do të thotë fundi i kohërave të paganëve. 9:27 Tashmë mbërrijmë në javën e shtatëdhjetë. Ashtu siç e përmendëm më parë, ka një hapësirë bosh midis javës së gjashtëdhjetë e nëntë dhe asaj të shtatëdhjetë. Kjo periudhë e ndërshtënë është Epoka e Kishës, që shtrihet nga Rrëshajët deri te Rrëmbimi. Kjo nuk përmendet në mënyrë të veçantë në DhV; ajo ishte e fshehur në Perëndinë nga themelimi i botës, por u zbulua nga apostujt dhe profetët e periudhës së DhR. Megjithatë, parimi i një hapësire kohe ilustrohet këndshëm nga Zoti ynë në sinagogë në Nazaret (Luka 4:18,19). Jezusi citoi nga Isaia 61:1, 2a, por e ndërpreu te “viti i hirit të Zotit” (Ardhja e Tij e Parë) dhe la gjykimin e Ardhjes së Tij të Dytë: “ditën e hakmarrjes së Perëndisë sonë” (Is. 61:2b). Midis tyre përfshihet Epoka e Kishës. Ai (princi romak) do të lidhë gjithashtu një besëlidhje me shumë njerëz (shumicën mosbesuese të kombit të Izraelit) për një javë (Periudha shtatëvjeçare e Mundimit të Madh). Ajo do të jetë një marrëveshje miqësore, jo agresive, apo një garanci e ndihmës ushtarake kundër çdo kombi që do të sulmojë Izraelin. Por në mes të javës do t’i japë fund flijimit dhe blatimit. Princi romak do të bëhet armiqësor kundër Izraelit, duke ndaluar flijimet dhe ofertat për Jehovahun. Dhe mbi krahët e veprimeve të neveritshme: mësojmë nga Mateu 24:15 se ai do të ngrejë një figurë të neveritshme idhujtare në tempull dhe mendohet se do të urdhërojë të adhurohet. Disa mendojnë se krahët këtu i referohet një krahu të tempullit. Do të vijë një shkatërrues. Ai do të përndjekë dhe shkatërrojë ata që nuk do të pranojnë të adhurojnë figurën. Derisa shkatërrimi i plotë, që është dekretuar, do të bjerë mbi shkatërruesin: përndjekja e tmerrshme e judenjve do të vazhdojë për gjysmën e fundit të javës së shtatëdhjetë, një periudhë që njihet si Mundimi i Madh. Atëherë princi romak “shkatërruesi” do të shkatërrohet, ashtu siç është shpallur nga Perëndia, duke u hedhur në liqenin e zjarrit (Zbulesa 19:20).
[previous][next]