Vegimi i lavdisë së Perëndisë, paraqitja hyrëse e ngjarjeve të ardhshme (Danieli 10)

10:1-9 Ngjarjet e këtij kapitulli kanë ndodhur në vitin e tretë të Kirit, mbretit të Persisë. Disa robër kishin shkuar tashmë në Jerusalem, me anë të lejimit të dekretit të Kirit, por Danieli kishte mbetur në mërgim. Pasi mbajti zi për tri javë, mbase për shkak të lajmeve shkurajuese të marra nga ata që ishin kthyer (puna në tempull kishte ndaluar), për shkak të gjendjes së varfër frymërore të atyre që ishin ende në mërgim, ose ngaqë donte të dinte të ardhmen e popullit të tij, Danieli po qëndronte brigjet e Tigrit (hebraisht Hiddekel). Atje ai pati një vegim: një njeri të lavdishëm veshur me rroba liri. Ky përshkrim ngjan me atë të Zotit Jezus te Zbulesa 1:13-16. 10:10-14 Më pas një zë shpjegoi pse lutjet e Danielit nuk ishin plotësuar menjëherë. Princi i mbretërisë së Persisë kishte kundërshtuar për njëzet e një ditë. Kush është princi (apo sunduesi) që e kundërshtoi përgjigjen e lutjes së Danielit për një kohë kaq të gjatë? Meqë kryeengjëlli dhe mbrojtësi i Izraelit, Mikaeli, thirret në përleshje, duhet të ketë qenë një fuqi engjëllore, një më e fortë sesa një “princ” i thjeshtë njerëzor. Lion Vudi (Leon Wood), në komentimin e tij të shkëlqyer të Danielit, shpjegon: Meqë Greqia do të ketë një “princ” të ngjashëm, caktuar asaj në kohën e duhur (krahasoni v. 20), dhe populli i Perëndisë do të jetë nën juridiksionin e Greqisë nga rënia e Persisë deri te Greqia, ideja duket e arsyeshme se Satani zakonisht cakton emisarë të veçantë për të ndikuar qeveritë kundër popullit të Perëndisë. Me siguri ky kapitull jep një ndihmesë të madhe për sa i përket natyrës së betejave midis fuqive më të larta duke iu referuar programit të Perëndisë në tokë (krahasoni Efesianeve 6:11,12) [12]. Por si do t’i bëjë ballë Princi i Persisë Zotit për njëzet ditë dhe pse ka nevojë për ndihmë nga Mikaeli Zoti i gjithëfuqishëm [13]? Një mendim është se “njeriu” te vargjet 5 e 6 nuk është Zoti, por një qenie engjëllore, mbase Gabrieli. Sido që do të jetë, zëri shpjegoi pse lutjet e Danielit ishin penguar; ashtu siç e kemi përmendur më parë, princi i mbretërisë së Persisë ishte përgjegjës. Zëri gjithashtu premtoi se do të zbulonte gjërat që do t’i ndodhnin popullit të Danielit, judenjve, në mbarim të ditëve. Kjo ndodh në kapitujt 11 e 12. 10:15-19 Ka një pyetje nëse zëri ishte i njeriut të veshur me rroba liri apo zëri i një lajmëtari engjëllor. Danieli u bë i dobët dhe mbylli gojën nga kjo përvojë, por mori fuqi nga njëri me një paraqitje njerëzore. 10:20,21 Pastaj ky të cilit Danieli iu drejtua si “Zoti im” tha se ai duhej të luftonte në fillim kundër princit të Persisë, pastaj të takonte princin e Javanit [Greqisë]. Ai do t’i zbulonte më tej Danielit atë që është shkruar në Librin e së Vërtetës. Mikaeli, princi juaj” (i Danielit dhe i popullit) ishte i vetmi që qëndroi i palëkundur me të në këto beteja.