Thirrja e Moisiut (Eksodi 3-4)

A. Zbulimi i Jehovait ndaj Moisiut (Kapitulli 3)

3:1-4 Ndërsa kulloste kopenë e Jethros, Moisiu nxori mësime të vlefshme rreth udhëheqjes së popullit të Perëndisë. Kur shkoi në Horeb (mali Sinai), Zoti iu shfaq në një ferrishte që digjej nga zjarri, por nuk konsumohej. Ferrishta paraqet lavdinë e Perëndisë, para së cilës iu tha të qëndronte këmbëzbathur. Mund të përfytyrojë banimin e Jehovait në mes të popullit të Tij pa e konsumuar atë. Dhe disa kanë parë në të fatin e Izraelit, provuar në zjarret e pikëllimit, por duke mosu konsumuar. Ne të gjithë duhet të jemi si ferrishta digjet – të digjemi për Perëndinë, por pa u konsumuar [1]. 3:5 Zoti i premtoi Moisiut se Ai do të çlironte popullin e Tij nga Egjipti dhe do t’i çonte në tokën e bollëkut – pra, në Kanaan – i populluar nga gjashtë kombe pagane të renditura në vargun 8. Fjala «i shenjtë» haset këtu për herë të parë në Bibël. Duke hequr sandalet e tij, Moisiu pranoi se ai vend ishte i shenjtë. 3:6 Perëndia siguron përsëri Moisiun se Ai është Perëndia i etërve të tij – i Abrahamit, Isakut dhe Jakobit. Koll (Cole) tregon rëndësinë e kësaj zbulese:
Moisiu nuk po i përcjell asnjë perëndi të ri apo të panjohur popullit të tij, por një zbulim të mëtejshëm të Atij që ata kanë njohur. As edhe fjalët e Palit drejtuar athinasve në Areopag nuk janë një paralelizëm i drejtë këtu (Veprat e Apostujve 17:23). Paralelizmi i vetëm e i vërtetë është Vetëzbulimi i vazhdueshëm bërë nga Perëndia në shekujt e mëvonshëm, duke arritur kulmin me ardhjen e Krishtit. Megjithatë në atë kohë zbulimi ndaj Moisiut, ndërsa qe një përmbushje e premtimeve patriarkale [të etërve], ishte aq i ri edhe tronditës për Izraelin, sa do të jetë dhe ardhja e Mesias [2].
3:7-12 Moisiu ngriti zërin kundër dërgimit të tij te faraoni, duke u shfajësuar me papërshtatshmërinë e tij. Por Zoti siguroi Moisiun për praninë e Tij dhe i premtoi se ai do t’i shërbente Perëndisë mbi këtë mal (malin Sinai) me një popull të çliruar. Osvald Sandërsi (J. Oswald Sanders) bën të ditur:
Tërësia e tij e mangësive përmblidhte si mungesën e aftësisë (3:11), mungesën e fjalës (3:13), mungesën e autoritetit (4:1), mungesën e të shprehurit (4:10), mungesën e përshtatjes së veçantë (4:13), mungesën e suksesit të mëparshëm (5:23) dhe mungesën e pranueshmërisë së mëparshme (6:12). Një listë më e plotë e paaftësive do të ishte e vështirë të paraqitet. Por në vend që t’i pëlqente Perëndisë, përulësia dhe stepja e tij e dukshme nxiti zemërimin e Tij. «Zemërimi i Zotit u ndez kundër Moisiut» (4:14). Në fakt, justifikimet që Moisiu paraqiti për të treguar paaftësinë e tij ishin arsyet që Perëndia e zgjodhi për atë detyrë [3].
3:13,14 Moisiu parashikoi pyetjet nga bijtë e Izraelit kur të kthehej tek ata si zëdhënësi i Zotit dhe dëshironte të ishte i aftë t’u tregonte se kush e kishte dërguar. Në këtë pikë Perëndia së pari zbuloi Veten e Tij si Jehovai, i madhi UNË JAM-i. Jehova (për të qenë më të saktë Yahweh) vjen nga folja hebraike «jam», hayah. Ky emër i shenjtë njihet si tetragrammaton («formuar nga katër shkronja»). Fjala Jehovah vjen nga fjala hebraike YHWH, me zanoret e marra nga fjalët Elohim dhe Adonai, që janë emra të tjerë për Perëndinë. Askush nuk e njeh me siguri shqiptimin e fjalës YHWH, sepse shkrimi i vjetër hebraik nuk përdorte zanore në alfabetin e tij. Megjithatë, shqiptimi «Jehovah» është mbase i saktë. Judenjtë e quajnë YHWH shumë të shenjtë. Emri shpall Perëndinë si vetekzistues, të vetëmjaftueshëm, të përjetshëm [4] dhe Sovran. Emri i plotë UNË JAM AI QË JAM mund të nënkuptojë UNË JAM NGAQË JAMose UNË DO TË JEM AI QË DO TË JEM. 3:15-22 I forcuar nga ky zbulim që Perëndia ishte me të vërtetë i pranishëm dhe i gatshëm që të ndihmonte popullin e Tij, Moisiut iu tha t’i shpallte popullit të Izraelit se së shpejti do të ishin të lirë. Gjithashtu, ai do të provonte faraonin duke i kërkuar që t’i lejonte izraelitët të bënin tri ditë rrugë në shkretëtirë, që t’i bëjnë fli Zotit. Kjo nuk ishte një përpjekje për të mashtruar, por një provë e vogël për gatishmërinë e faraonit. Do të parandalonte gjithashtu që egjiptianët të mos shikonin vrasjen e kafshëve të cilat ishin të shenjta për ta. Perëndia e dinte se faraoni nuk do të lëshonte pe, derisa të detyrohej nga fuqia hyjnore. Mrekullitë e vargut 20 janë plagët që Perëndia dërgoi mbi Egjipt. Kur Perëndia të mbaronte së kryeri ato, egjiptianët do të ishin të lumtur t’u jepnin grave izraelite çdo gjë që u kërkonin! Pasuria që do të grumbullohej do të ishte vetëm shpërblimi për tërë punën skllavëruese të judenjve nën skllavopronarët egjiptianë. Izraelitët nuk «morën hua» gurë të çmuar dhe veshje (ashtu siç thuhet te KJV); ata «i kërkuan» ato (NKJV). Nuk kemi të bëjmë me ndonjë mashtrim – vetëm pagesa e drejtë e punës së kryer.

B. Stepja e Moisiut (4:1-17)

4:1-9 Moisiu vazhdonte të dyshonte nëse populli do ta pranonte si zëdhënësin e Perëndisë. Mbase zhgënjimi i cituar në Eksodi 2:11-15 kishte brerë thellë shpirtin e tij. Prandaj Perëndia i dha tri shenja, apo mrekulli, për të miratuar detyrën e tij hyjnore. 1. Bastuni i tij, i hedhur në tokë, u bë një gjarpër. Kapur nga bishti gjarpri u bë një bastun përsëri. 2. Dora e tij, e vënë në gjirin e tij, u bë e lebrosur. E njëjta dorë, e vënë akoma në gjirin e tij, u bë e pastër siç ishte. 3. Uji i Nilit, i derdhur në tokë, u bë gjak. Këto shenja u caktuan për të bindur popullin e Izraelit se Moisiu ishte i dërguari i Perëndisë. Ato flisnin për fuqinë e Perëndisë mbi Satanin (pra, gjarpri) dhe mëkatin (paraqitur nga lebra) dhe për faktin se Izraeli do të shpengohej nga këta të dy me anë të gjakut. 4:10-17 Moisiu ishte akoma i stepur për t’iu bindur Zotit, duke u shfajësuar se nuk ishte njeri i gojës. Pasi e kujtoi Moisiun se Zoti e ka bërë gojën e njeriut dhe se do ta bënte të gojës, Perëndia caktoi Aaronin, vëllanë e Moisiut, të fliste në vend të tij. Moisiu duhej t’i bindej Zotit në varësi të thjeshtë, duke e ditur se urdhrat e Tij janë aftësitë e Tij. Perëndia nuk na kërkon kurrë të bëjmë diçka pa na dhënë fuqinë për ta bërë. Ngaqë Moisiu nuk ishte i kënaqur me më të mirën e Perëndisë, duhej të merrte gjënë e dytë pas më të mirës – pra, të kishte Aaronin si zëdhënës të tij. Moisiu mendoi se Aaroni do të ishte një ndihmë, por më vonë tregoi se ishte një pengesë, ngaqë e çoi popullin të adhuronte viçin e artë (kapitulli 32).

C. Kthimi i Moisiut (4:18-31)

4:18-23 Dyzet vjet pasi kishte shkuar në Madian Moisiu kthehet në Egjipt sipas urdhrit të Perëndisë dhe me bekimet e Jethros. Gruaja dhe bijtë e tij ishin Sefora, Gershomi dhe Eliezeri (Eksodi 18:2-4). Shkopi te vargu 2 bëhet bastuni i Perëndisë në vargun 20. Zoti përdor gjëra të zakonshme për t’i bërë të jashtëzakonshme, që të mund të shihet plotësisht se fuqia vjen nga Perëndia. Mrekullitë që Perëndia urdhëroi Moisiun t’i bënte para faraonit ishin plagët që vijojnë. Perëndia ngurtësoi zemrën e faraonit, por vetëm pasi ai sundues despotik fortësoi zemrën e vet. «I parëlinduri» ndonjëherë i referohet rendit në lindjen fizike, por këtu nënkupton një pozitë nderi që i takonte zakonisht djalit të parë, trashëgimtarit të së drejtës së parëbirnisë. Faraoni u paralajmërua se nëse nuk do të bindej, Perëndia do të vriste birin e tij. 4:24-26 Por para se Moisiu të jepte lajmin, në fillim iu desh të mësonte bindjen. Ai nuk kishte rrethprerë bijtë e tij (Gershomin apo Eliezerin), mbase për shkak të pozitës së Seforës. Kur Perëndia kërcënoi se do ta bënte të vdiste Moisiun, mbase me ndonjë sëmundje serioze, Sefora e inatosur rrethpreu birin dhe siguroi çlirimin e burrit të saj. Ajo e quajti atë «dhëndër në gjak!». Kjo ngjarje, duke shtuar edhe mungesën e dukshme të besimit të Seforës në Zotin, mund të ketë qenë arsyeja pse Moisiu e dërgoi Seforën në shtëpi tek i ati me dy bijtë e saj (Eksodi 18:2,3). 4:27-31 Aaroni doli për të takuar Moisiun ndërsa ky u kthye në Egjipt. Ata të dy qëndruan para popullit të Izraelit, dhanë lajmin e Zotit dhe e vërtetuan atë me tri mrekullitë që i kishte dhënë Zoti. Kështu populli i besoi dhe adhuruan Zotin.

Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1. (3:1-4) Afërsisht, kontraktuesit skocezë e birësuan ferrishtën që digjej si emblemën e tyre, me moton latine poshtë: «Nec consummaretur» («Megjithatë nuk konsumohej»). ↵ Kthehu mbrapa
  2. (3:6) R. Alan Cole, Exodus: An Introduction and Commentary, f. 66. ↵ Kthehu mbrapa
  3. (3:7-12) J. Oswald Sanders, On to Maturity, f. 56. ↵ Kthehu mbrapa
  4. (3:13,14) Disa Bibla, si për shembull Versioni i Moffatt-it, e përkthejnë emrin «I Përjetshmi» (kr. gjithashtu versionin Louis Segond’s French: «l’éternel»). ↵ Kthehu mbrapa