A. Gjykimi i ardhshëm i ilustruar me anë të mjeteve pamore (3:22-5:17)
Gjykimi, shkruan Pjetri, duhet të fillojë nga shtëpia e Perëndisë (1 Pjetrit 4:17). Dhe kështu Perëndia fillon me qendrën e fesë së zbuluar, tempullin në Jerusalem. 1. Ezekieli i urdhëruar që të kërkojë të qëndronte i heshtur, derisa t’i thuhej nga Perëndia që të fliste (3:22-27) Së pari Ezekieli doli në fushë ku pa lavdinë e Zotit. Atëherë iu urdhërua të shkonte në shtëpinë e tij, ku do të lidhej dhe do të bëhej memec, derisa Perëndia t’i zbulonte se çfarë do të thoshte. 2. Rrethimi i Jerusalemit paraqitur me një tjegull (kapitulli 4) 4:1-8Jerusalemi ishte ndërtuar me gurë në një themel shkëmbor. Tulla (bërë nga argjila, ashtu si tjegulla) është një simbol i Babilonisë (krahasoni Zanafilla 11:3,9). Tashmë Jerusalemi është bërë edhe më keq sesa Babilonia në moralin dhe idhujtarinë e tij (shikoni 5:7). Për këtë Perëndia e urdhëroi Ezekielin që të vizatonterrethimin e Jerusalemit, duke përdorur një pllakë të vogël argjile (një tjegull) për të përfaqësuar qytetin, dhe një pllakë hekuri (apo tigan) për të paraqitur murin e hekurt, që do të ndërpresë ndihmën e qytetit. Profeti është përfaqësuesi i Perëndisë. Kjo tregon se Vetë Zoti po rrethonte Jerusalemin. Ezekieli duhet të vendosej… mbi krahun e majtë… treqind e nëntëdhjetë ditë për Izraelin dhe në krahun e djathtë… dyzet ditë… për Judën. Çdo ditë përfaqësonte një vit, por asnjë shpjegim i numrit të përgjithshëm nuk është i kënaqshëm. Versioni Septuagint përpiqet ta zgjidhë problemin duke e ndryshuar 390-ën në 190, por ndryshimi nuk mbështetet nga dorëshkrimi në hebraisht. Një pyetje tjetër pa përgjigje është nëse Ezekieli ndenji ditë e natë në njërin krah për këto dy periudha kohësh. Shumë komentues hedhin idenë se ai e bëri këtë vetëm gjatë asaj pjese dite kur mund të shihej nga publiku, meqë ishte një mjet mësimi pamor. 4:9-17 Këto vargje flasin për zinë e bukës që erdhi si shkak i rrethimit, duke bërë që ushqimi dhe uji të ishin me racion. Në fillim, jashtëqitja e njeriut duhet të përdorej si lëndë djegëse për pjekje, por më vonë kjo ndryshoi në bajga lopësh të zakonshme. Kapitulli është një figurë rrethimi, zemërlëshimi, urie dhe ndotjeje – të gjitha këto si rrjedhojë e mëkatit të Judës dhe të largimit nga Perëndia. 3. Fati i popullit parashikuar nga përdorimi i një shpate të mprehtë dhe flokut (kapitulli 5) 5:1-9 Me një mësim të tërthortë Ezekieli tregoi se një e treta e qytetit do të vdiste nga murtaja (zjarri) apo zia e bukës (v. 2), një e treta do të binte nga shpata (thika) dhe një e treta do të shpërndahej në vendet e tjera (krahasoni v. 2 me v. 12). Një pjesë e mbetur do të kursehej, por edhe një pjesë e këtyre do të humbiste më vonë (v. 3,4), mbase ata që u vranë në kohën kur Ishmaeli vrau Gedaliahun. Këto fatkeqësi do të binin mbi Jerusalemin, ngaqë populli veproi keq, më tepër se vendet që e rrethonin, pavarësisht nga privilegjet e tyre më të mëdha. Ne si të krishterë kemi privilegje edhe më të mëdha sesa judenjtë. Zoti na dhëntë hirin që të mos i keqpërdorim dhe pastaj të shkaktojmë gjykimin e përkohshëm dhe të humbim shpërblimet e përjetshme! 5:10-17 Kanibalizmi do të jetë mbizotërues (v. 10). Ngaqë tempulli ishte ndotur, Perëndia nuk do të ketë asnjë mëshirë (v. 11-13). Judenjtë do të përçmoheshin midis kombeve dhe do të vuanin dhunën dhe masakrat (v. 14-17).B. Shkatërrimi i idhujtarisë dhe ruajtja e pjesës së mbetur të popullit (kapitulli 6)
6:1-7Malet e Izraelit përdoren këtu si referim për idhujtarinë, meqë altarët e idhujve (vendet e larta) ndërtoheshin zakonisht mbi male. Vendi do të ndëshkohej për idhujtarinë e tij. 6:8-14Një mbeturinë do të kursehet: këta do ta kujtojnë Zotin në robërinë e tyre dhe do të ndiejnë neveri për të gjitha veprimet e tyre të neveritshme (v. 8-10). Idhujtaria do të ndëshkohet nga murtaja, lufta dhe uria (v. 11-14). Në çdo kohë Perëndia ruan një mbetje besnike njerëzish për Vete; jo një shumicë të moralshme, por pakicën e përçmuar.C. Madhështia dhe ashpërsia e pushtimit babilonas (kapitulli 7)
7:1-18 Koha për rënien e gjykimit të Perëndisë kishte ardhur dhe nuk do të pyetej nëse ishte Zoti që kishte goditur (v. 1-13). Asnjë nuk do t’i përgjigjet thirrjes për betejë; guximi dhe forca do të dështojnë për shkak të shkatërrimit të tmerrshëm (v. 14-18). 7:19-22 Zotërimet materiale do të jenë të kota (v. 19). Ngaqë tempulli (“bukuria e stolive të tyre“) ishte ndotur me idhuj, ai do t’u lihet në dorë të huajve, babilonasve. Ai do të jetë si një plaçkë për ta dhe do ta përdhosin. 7:23-27 Çdo shtresë do të preket nga shkatërrimi: mbreti, princat, profetët, priftërinjtë, pleqtë dhe populli i thjeshtë. Populli i thjeshtë duhet të kishte qenë një dëshmi për Perëndinë, por ata kishin dështuar plotësisht. Dëshmia e vetme që mund t’i bënin Perëndisë tashmë është përmes gjykimit. Gjykimi është i plotë: tërë shtresat dhe tërë vendi. Çdo komb që nuk pranon njohjen e Perëndisë humbet karaterin e tij moral dhe nuk ka asnjë mjet mbështetjeje kur vijnë problemet. Kjo është e vërtetë edhe për çdo individ.Ç. Vegimi i idhujtarisë së madhe në tempull (kapitulli 8)
8:1-6 Pleqtë duhet të dëshmonin për gjykimin, të cilin kishin qenë të paaftë për ta shmangur. Kjo ndodh gjithashtu edhe sot. Zoti e çoi Ezekielin nga Babilonia në Jerusalem… me vegime. Kështu ai pa disa shembuj të tmerrshëm të idhujtarisë së popullit. Ai pa një idhull… në hyrje të tempullit, i cili nxiste xhelozinë e Zotit. 8:7-15 Gjëja e dytë që pa profeti ishte në oborrin e tempullit. Pleqtë e Judës ishin mbledhur atje, secili me temjanicën e vet, duke adhuruar shëmbëlltyra të liga të riprodhuara rreth e rrotull mbi mur. Vështrimi i tretë ishte në derën e veriut: gratë që qanin Tamuzin, një hyjni babilonase. Hamendësohej se bimësia u tha kur vdiq ai. 8:16-18 Shembulli i tretë i idhujtarisë ishte në oborrin e brendshëm të tempullit, ku rreth njëzet e pesë burra, që përfaqësonin priftërinjtë, adhuronin diellin dhe ndiqnin praktikat e ulta të atij kulti. Referimi i “degës” apo “shkarpës” (V. 17) është i zymtë. Vendosja e degës te hunda mund të ketë treguar përçmim apo tallje për Perëndinë. Dega mund të ketë qenë një simbol i errët falik. Zakonisht udhëheqësit e pashpëtuar fetarë marrin “famë” me sjelljen e tyre të paperëndishme dhe herezitë e tepruara; por Perëndia shikon dhe Ai do të ketë fjalën e fundit.D. Largimi i pranisë së Perëndisë dhe shkatërrimi i mëpasshëm i idhujtarëve (kapitulli 9)
9:1,2 Në këtë kapitull shihen gjashtë ekzekutues nga veriu (drejtimi nga i cili duhet të vinin babilonasit) për të shkatërruar idhujtarët e kapitullit të mëparshëm. Njeriu i veshur me rroba liri mund të simbolizojë hirin. 9:3 Reja e lavdisë (simboli i pranisë së Perëndisë) largohet nga Vendi Shumë i Shenjtë i tempullit, i trishtuar nga idhujtaria e popullit. Reja e lavdisë zhvendoset te pragu i tempullit, ku shkëlqimi i saj mbush oborrin. 9:4 Ata judenj besnikë që ishin kundër idhujtarisë u damkosën me një shenjë mbi ballin e tyre në mënyrë që të mos vriteshin. Ky varg duhet të na sfidojë. Si sillemi nëse dikush nuk ndjek Zotin? A bashkohemi me ta? A do të na ndikojnë ata? A i përligjim? A tregojmë moskokëçarje? Këta burra dhe gra besnikë psherëtinë dhe qanë; ky reagim tregoi çfarë kishte në zemrat e tyre dhe kjo i ruajti nga gjykimi. Shenja (apo njolla në ballë) ishte shkronja e fundit e alfabetit hebraik (tau), për të cilën rabinjtë thoshin se hidhte idenë e plotësisë. Ajo është gjithashtu shkronja e parë e tora-hut (ligjit). Feinbergu vë re një “ngjashmëri të famshme midis asaj që pohohet këtu dhe asaj te Zbulesa 7:1-3” [10]. Ai shton një parallel të mrekullueshëm për kohët e fundit: Interpretimet e krishtera kanë parë deri diku një aluzion profetik për kryqin. Në shkrimin e hershëm shkronja e fundit e alfabetit hebraik (taw) kishte formën e një kryqi. Ezekieli, sigurisht, nuk mund të mendonte për simbolin e krishterimit dhe kjo pjesë nuk është as një parashikim i drejtpërdrejtë i kryqit të Krishtit. Megjithatë, kjo është një rastësi e për t’u marrë në konsideratë [11]. 9:5-7 Më pas ekzekutuesit fillojnë të vrasin idhujtarët duke nisur me pleqtë (të moshuarit). “Mos iu afroni asnjërit mbi të cilin është shenja” – thotë Perëndia. Ne nuk e dimë nëse ata vetë e dinin për shenjën, por besimtarët sot mund të jenë të sigurt në bazë të Fjalës se ata janë të ruajtur nga gjykimi. Sa frikësuese është të mos e kesh këtë siguri! 9:8-11 Kur Ezekieli ndërmjetësoi për popullin, Zoti tha se Atij nuk do t’i vijë keq, apo nuk do të ketë aspak mëshirë. Populli po thoshte që për shkak se Zoti Perëndi i kishte braktisur dhe nuk e shikonte më kërkesën e tyre, ata nuk kishin më për detyrë që të ishin besnikë ndaj Tij. “Zoti nuk shikon” tingëllon si një citim shumë modern! Duke gjykuar nga kjo dhe tekste të tjera (krahasoni Noeun dhe arkën, për shembull), duket se është karakteristikë për Perëndinë të çlirojë besimtarët e vërtetë para se të derdhë gjykimin mbi të pabesin.Dh. Vegimi i lavdisë së Perëndisë mbi Jerusalem me gjykim (kapitulli 10)
Kapitulli 10 lidhet ngushtë me kapitullin 1, duke dhënë informacion të mëtejshëm rreth qerres në formë froni, krijesave të gjalla (të njëjtësuara këtu si kerubinë) dhe lavdisë së Zotit. Megjithatë, kapitulli 1 i drejtohet të mërguarve, ndërsa ky rebelëve në Jerusalem. 10:1,2 Zoti e urdhëroi njeriun e veshur me rroba liri që të merrte qymyr të ndezur midis kerubinëve dhe t’i përhapte mbi Jerusalem. Kjo nënkuptonte gjykimin e Perëndisë që do të binte mbi qytet. 10:3-5 Këto vargje janë një parantezë, duke përsëritur lëvizjen e resë së lavdisë përshkruar te 9:3. 10:6-17 Në këto vargje jepet një përshkrim i hollësishëm i kerubinit dhe i rrotave të qerres në formë froni, përshkrim që është deri diku i vështirë për t’u përfytyruar. Fytyra e kerubinit në vargun 14 mund të jetë e njëjtë me fytyrën e demit te 1:10. 10:18,19 Më pas reja e lavdisë lëviz nga pragu i tempullit te hyrja e portës që shikonte nga lindja e shtëpisë së Zotit. 10:20-22 Më pas Ezekieli theksoi se kerubinët ishin të njëjtë me ato qeniet e gjalla që kishte parë pranë lumit Kebar në kapitullin 1. Ky vegim na mëson të kemi gjithnjë një ndjenjë të fuqisë, diturisë dhe madhështisë mahnitëse të Perëndisë.E. Mohimi i këshillës së princërve të ligj (11:1-13)
11:1-3Njëzet e pesë burrat (që përfaqësonin princat) po e këshillonin popullin e qytetit se nuk kishte asgjë për të pasur frikë. Ata mund të vazhdonin projektet e tyre të ndërtimit si zakonisht. Ata ishin të sigurt po aq sa dhe mishi i futur në një kusi hekuri. Kështu njëzet e pesë burrat kundërshtuan hapur fjalën e Zotit, duke thënë: “Koha nuk është e afërt. Të ndërtojmë…”. Perëndia kishte dhënë urdhra me anë të Jeremias (Jer. 29:4-11) se robërit do të ndërtonin shtëpi në Babiloni, sepse Jerusalemi do të binte. Njerëzit që kurdisin të keqen u përpoqën të ngrinin shpresa të rreme midis robërve me anë të letrave. Pavarësisht nga zjarri i gjykimit të Perëndisë, princat në Jerusalem u ndien shumë të sigurt atje. Në të njëjtën mënyrë shumë të krishterë vetëm me emër ndihen të sigurt nga gjykimet e Perëndisë, pavarësisht nga mëkati në jetët e tyre, por Zoti do t’u thotë atyre: “Kurrë nuk ju kam njohur”. 11:4-12 Ezekielit iu tha të interpretonte përsëri simbolizmin e tyre krejt ndryshe! Qyteti i Jerusalemit ishte kusia dhe njerëzit e vrarë ishin mishi! Ata vetë do të nxirreshin nga qyteti dhe do të gjykoheshin në kufijtë e Izraelit (shikoni 2 i Mbreterve 25:18-21; Jer. 5:24-27). 11:13 Kur Pelatiahu (mbase udhëheqësi i njëzet e pesë burrave) ra i vdekur, mbase si rrjedhojë e këshillës së tij të ligë, Ezekieli ndërmjetësoi te Perëndia për popullin e tij.Ë. Premtimi për ruajtje të pjesës së mbetur (11:14-21)
11:14,15Zoti u përgjigj duke i thënë profetit atë që kishin thënë banorët e Jerusalemit, pra, që të mërguarit ishin endur larg Zotit dhe se vendi u përkiste atyre që kishin ngelur në Judë dhe Jerusalem. 11:16-21 Por Zoti Perëndi premtoi se Ai do të ishte për pak kohë një shenjtërore për të mërguarit dhe se Ai do t’i mblidhte ata në tokën e Izraelit, e pastruar plotësisht nga idhujtaria dhe me një zemër për t’iu bindur Zotit. Jetsi komenton: Ezekieli ndjek Jeremian në besimin nxitës frymëror. Perëndia kërkon përfundimisht një besim sipas zemrës. Zemra është e pandreqshme. Do të sigurohet një e re. Formalizmi duhet të lihet mënjanë. Theksi frymëror do t’u krijojë lidhje me Jehovahun që do të shndërrojë të menduarit, adhurimin, sjelljen dhe besnikërinë e tyre. Një frymë e re do të jetë dhurata e tyre e veçantë nga Perëndia (krahasoni 18:31; 36:26 e në vazhdim) [12]. Shpresa e vërtetë për të mërguarit mbështetet në premtimin e Zotit. Premtimi i një zemre (njëra prej mishi) dhe e një fryme të re është pa kushte; ky premtim do të përmbushet në Besëlidhjen e Re. Jezus, para fytyrës Sate ne biem poshtë; O Zoti ynë, jeta jonë, shpresa jonë, gjithçkaja jonë! Sepse nuk kemi asnjë tjetër vend ku të shkojmë; Asnjë shenjtërore, por vetëm Ty, o Zot!- Samuel Medley
F. Largimi i resë së lavdisë nga Mali i Ullinjve (11:22-25)
Në fund të kapitullit reja e lavdisë ngrihet nga… qyteti dhe shkon në Malin e Ullinjve, në lindje të Jerusalemit. Xhorxh Uilliamsi komenton: Ajo tërhiqet pa dëshirë. Froni i tij ishte Vendi Shumë i Shenjtë, 8:4; më pas, sipër pragut, 10:4; më pas tërhiqet në Portën Lindore, 10:19; dhe, së fundi, në malin në lindje të qytetit, 11:23. Kështu bëri Perëndia i Izraelit, duke bërë që dashuria e Tij të largohet nga qyteti dhe tempulli i Tij për të mos u kthyer deri te 43:2 (ende në të ardhmen) [13].G. Shenjat e Ezekielit për mërgimin e ardhshëm (kapitulli 12)
1. Pajimet e tij (12:1-16) 12:1-12 Ezekieli u urdhërua të zhvendoste pajisjet e shtëpisë së tij nga një vend… në një vend tjetër, si shenjë për judenjtë se ata do të çoheshin në mërgim. Duke hapur një vrimë në mur natën, duke i pasur sytë e tij të mbuluar, ai paratha se Sedekia (princi) do të largohej nga qyteti në terr (kur nuk do të mund ta shihte tokën me sytë e tij). 12:13-16 Megjithatë ai do të kapej dhe do të çohej në Babiloni, edhe pse nuk do ta shihte kurrë me sytë e tij (v. 13). Kjo gjë ndodhi me saktësi. Sedekia u kap ndërsa largohej nga Jerusalemi, iu nxorën sytë në Riblah dhe më pas e çuan në Kaldea (2 i Mbreterve 25:7). Populli do të shpërndahej midis kombeve dhe shumë prej tyre do të vdisnin nga shpata, nga uria dhe murtaja. 2. Dridhjet e tij (12:17-28) 12:17-20 Kur Ezekieli hante dhe pinte me dridhtim dhe me shqetësim, jepte një parafytyrim të frikës dhe ankthit që do të pararendte mërgimin. 12:21-28 Populli kishte një të thënë që profecitë e Perëndisë rreth rrënimit nuk përmbusheshin kurrë. Perëndia u dha tyre edhe një të thënë tjetër, duke shpallur se dita e realizimit po afrohej dhe se çdo profeci (vegim) do të përmbushej. Ata që thoshin se realizimi ishte i ardhshëm, do ta shihnin atë në kohën e tyre. Prirja e njerëzve për të shpjeguar profecitë si të largëta apo për t’ua zbatuar ato brezave të ardhshëm është ende aktuale. Kur Perëndia na flet përmes një mesazhi apo libri, ne menjëherë dimë se si vëllai apo motra jonë duhet ta vënë në praktikë dhe të ndryshojnë. Kjo është një prirje e keqe dhe shkatërruese, kur e përdorim Fjalën e Perëndisë ndaj të tjerëve dhe jo ndaj vetes sonë. Gjithashtu duhet të ruhemi nga gjuha e zgjatur që kundërshton Fjalën e Perëndisë, apo që mohon ose shtyn ndërhyrjen e Tij.Gj. Rrënimi i profetëve dhe i profeteshave të rreme (kapitulli 13)
13:1-3 Tema këtu është profetët e rremë (v. 1-16) dhe profeteshat e rreme (v. 17-23). Të parët i shpiknin profecitë sipas zemrës së tyre; ata i linin në baltë njerëzit kur ishin më të nevojshëm. Ata përdornin fjalët: “Kështu thotë Zoti“, por ishte një gënjeshtër, shortari të gënjeshtërta. Sot kemi nevojë për predikues që të mos japin mendimet dhe mendësitë e tyre, por që e nxjerrin mesazhin nga dhoma e lutjes dhe Fjala e Perëndisë. Denis Lleini (Denis Lane) jep karakteristikat e mëposhtme të predikimit në kohën e Ezekielit: Kurrë nuk u ngrit më lart se mendjet e predikuesve. Në mënyrë mashtruese shpallnin se thoshin fjalën e Perëndisë. Ajo nuk kishte pasoja praktike apo të dobishme. Ajo jepte hir të lirë dhe një paqe të rreme. Thjesht mbështet pikëpamjen më të fundit të botës [14]. 13:4-7 Udhëheqësit e rremë fetarë, ashtu si dhelpra në shkretëtirë, shikojnë gjithmonë gjahun në mes të shkatërrimit, duke plotësuar nevojat dhe dëshirat e tyre. Në një situatë si kjo është detyra e predikuesve të qëndrojnë mbi të çara për të ndërmjetësuar dhe ndrequr murin, duke i drejtuar njerëzit në pendim dhe jetë të shenjtë. Kjo bëhet me anë të predikimit të Fjalës së Perëndisë. 13:8-16 Ata do të shkatërrohen për parashikimin e paqes, kur nuk ka paqe, për lustrimin me gëlqere të murit që ishte gati duke rënë (duke e suvatuar me llaç që nuk mban). Muri përfaqësonte përpjekjet e krerëve për të parandaluar gjykimin hyjnor. Davidsoni shpjegon ilustrimin: Simbolizimi në mënyrë therëse përshkruan planet e kota të njerëzve dhe miklimin e miratimin e dobët të profetëve. Kur një njeri i dobët nuk mund të prodhojë diçka vetë, ai fiton një farë besueshmërie (të paktën në sytë e tij) me anë të miratimeve të forta të të tjerëve, duke thënë: “Në rregull! Të jap miratimin tim të përzemërt dhe në të vërtetë do ta kisha dhënë këtë ide”. Ajo që i bëri profetët të lyenin murin që populli ndërtoi ishte pjesërisht ndjenja se nga vendi që zinin duhet të bënin diçka dhe të ruanin besueshmërinë e tyre si udhëheqës, edhe kur drejtoheshin vetë; dhe pjesërisht mbase ngaqë nuk kishin dituri më të lartë sesa ajo e masës, miratonin me ndershmëri politikën e tyre. Duke qenë me të njëjtën frymë në atë kohë, ata menjëherë e pranonin në veprimtarinë e tyre [15]. Udhëheqësit modernë fetarë besimmohues janë saktësisht të njëjtë: muret e zbardhuara (me gëlqere) [16]. 13:17-23 Profeteshat praktikonin shortarinë, duke vënë rripa në kyçet e dorës së njerëzve dhe vela në kokat e tyre. Ato dënonin disa njerëz me vdekje me anë të thënieve magjike dhe i mbanin të tjerë gjallë. Perëndia do ta çlirojë popullin e Tij dhe do të shkatërrojë profeteshat e rreme. Versioni LB i parafrazon vargjet 17-19 si vijon: O bir njeriu, fol edhe kundër profeteshave, të cilat hiqen sikur Zoti u ka dhënë atyre mesazhet e Tij. Thuaju atyre atë që Zoti thotë: “Mjerë këto gra që po mallkojnë shpirtrat e popullit Tim, të rinjve dhe të moshuarve, duke lidhur rripa në të gjitha kyçet e dorës, u japin vela magjikë dhe u shesin ndjesa. Ato nuk pranojnë madje edhe t’i ndihmojnë nëse nuk përfitojnë nga ta. Për hir të disa grushteve të tejmbushura me elb dhe për disa copa buke a do ta ktheni popullin Tim nga Unë? Ju e keni drejtuar për në vdekje atë që nuk duhet të vdesë! Dhe u keni premtuar jetë atyre që nuk duhet të jetojnë, duke gënjyer popullin tim; dhe sa u pëlqen atyre një gjë e tillë!H. Kërcënimi i Perëndisë drejtuar pleqve idhujtarë (kapitulli 14)
14:1-11 Kur disa pleq të Izraelit, idhujtarë në zemër, takuan Ezekielin për të marrë këshillë nga Zoti, Zoti shpalli se Ai do t’u përgjigjej idhujtarëve në mënyrë të drejtpërdrejtë, jo përmes një profeti. Në rast se profeti u përgjigjej idhujtarëve, ai do të mashtrohej dhe do të ndëshkohej bashkë me ata që kishin ardhur për të pyetur. 14:12-20 Nëse sikur tre burra të drejtë, si: Noeu, Danieli dhe Jobi të ishin në vend, Perëndia nuk do t’ua vërë veshin, por do të dërgojë urinë, kafshët e egra, shpatën dhe murtajën në vend. Danieli jetonte në oborrin e Nebukadnetsarit kur shkruante Ezekieli dhe megjithatë numërohet midis njerëzve të drejtë të Perëndisë. Nuk është e vërtetë se nuk mund të ketë heronj e heroina besimi sot, ashtu siç ka pasur në kohët e shkuara. A do të jesh i/e tillë? 14:21-23 Nëse Ai do të gjykojë ashpër çdo vend, sa më tepër do të gjykojë Jerusalemin, vend ku ndodhej tempulli i Tij. Por një mbetje do të shpëtohet për të dëshmuar se Zoti kishte të drejtë për të bërë atë që bëri. Faji i Judës ishte tepër i madh për t’u falur, edhe me anë të ndërmjetësimit të Noeut, Danielit dhe Jobit. Çfarë mund të themi për shoqërinë tonë: për krimin, dhunën, abortin, imoralitetin, idhujtarinë, drogat dhe humanizmin e saj të shtirur?I. Shëmbëlltyra e hardhisë së pafrytshme (kapitulli 15)
Një hardhi është e mirë vetëm për të dhënë frutë; nuk është e mirë për të bërë mobilie apo edhe ndonjë kunj të vogël. Nëse digjet në zjarr është edhe më e kotë. Në një farë kuptimi, hardhia është populli i Jerusalemit (v. 6). Duke dështuar së dhëni fryt për Perëndinë, ata u shkrumbuan nga zjarri i pushtimit babilonas. Por në një kuptim më të gjerë hardhia përfaqëson tërë kombin, duke përfshirë Izraelin dhe Judën (v. 4). Fundi verior i degës u dogj nga asirianët. Fundi jugor u dogj nga egjiptianët. Dhe tashmë mesi, pra, Jerusalemi, do të digjet nga babilonasit (shikoni 2 i Mbreterve 25:9). Zjarri i dytë i vargut 7 paraqet robërinë e atyre që kanë shpëtuar. Perëndia ka vendosur ta bëjë vendin të shkretë (v. 8). Si besimtarë ne kemi privilegje të larta, por gjithashtu përgjegjësinë për të dhënë fryt për lavdinë e Perëndisë. Nëse nuk e lavdërojmë Atë me jetën tonë, ekzistenca jonë është e kotë dhe e padobishme. Është njëlloj si hardhia pa frutë dhe dëshmia jonë do të shkatërrohet (krahasoni Gjonin 15:6). Si degë në Krishtin, Hardhinë e Vërtetë, detyra jonë kryesore është të japim fryt për Perëndinë. Së pari kjo do të thotë se zhvillimi i karakterit të të krishterit shihet në frytin e Frymës.J. Shëmbëlltyra e martesës së Jerusalemit (kapitulli 16)
16:1-7Zoti këtu përmend historinë e Jerusalemit, si simbol të popullit. Ajo fillon si një fëmijë e gjetur, e palarë dhe e padashur. Zoti pati mëshirë për të dhe u kujdes me dashuri dhe ajo u rrit, u bë e madhe dhe shumë e bukur. 16:8-22 Kur e kaloi moshën e vajzërisë, Jehovahu (versioni NKJ Zoti) u fejua me të, e pastroi atë për martesë, i derdhi asaj mirësi të pamasë dhe e zbukuroi me stoli. Po për shkak se ajo vuri besim në bukurinë e saj, u kthye nga Ai tek idhujt, duke u kurvëruar me çdo kalimtar. 16:23-34 Në vend që të besonte në Zotin, ajo u bë prostituta për kombe pagane si egjiptianët, asirianët dhe tregtarët e Kaldesë. Ashtu siç ka thënë dikush: “Ajo paganizoi paganët”. Ajo nuk ishte si një prostitutë e zakontë, sepse u jepte pagë të tjerëve për të mëkatuar me të! Kush do ta bënte një gjë të tillë? A është e mundur që një prostitutë të paguajë një burrë? A do të japë ajo gjërat e saj të çmuara? Dhe, megjithatë, shumë nga ata që thonë se ndjekin Zotin heqin dorë nga shpërblimet e tyre të çmuara dhe trashëgimia sipër, harxhojnë paratë dhe kohën e tyre në kënaqësitë e botës në vend që të vënë thesare në qiell. Ata komprometohen me botën dhe humbasin shpërblimin dhe bekimin hyjnor. Kjo quhet shkelje frymërore e kurorës dhe kushdo që ka pjesë në këtë paguan një çmim të lartë. 16:35-43 Gjykimi për fëlliqësinë e saj ishte se ajo do të shkatërrohej nga kombet pagane, të cilët i kishte nxitur si dashnorët me pagesë. Ata që kthehen nga Perëndia si një dashnor i pabesë dhe bëjnë kompromise me botën, do të shkatërrohen nga bota me të cilën donin të ishin miq. Ky është një paralajmërim solemn për ne (krahasoni Jak. 4:4-10). 16:44-52 Neveritë e kryera nga Jerusalemi (Juda) ishin më të këqija se ato të pararendësve të tij paganë: hitenjtë, amorenjtë, Samaria apo Sodoma. Shthurja seksuale ishte një ndër mëkatet e Sodomës. Paudhësia e… Sodomës përfshin gjithashtu bollëkun e bukës dhe një plogështi të theksuar. Kjo ngjan shumë me një përshkrim të krishterimit modern! Feinburgu komenton: Vini re se si krenaria u veçua si rrënja e mëkatit të Sodomës kur neverive të saj iu gjet burimi. Perëndia e kishte bekuar atë me ushqim të bollshëm (Zanafilla 13:10), por ajo i përdori ato bekime për kënaqësitë e veta dhe ra në shkujdesje të madhe. Sigurimi i nevojave të saj e bëri të pandjeshme për nevojat e të tjerëve; ajo nuk kishte ndërgjegje shoqërore. Më pas ajo kreu neveritë dhe gjërat e padëgjuara që lidhen në mënyrë të pandashme me emrin e saj. Perëndia e hoqi tutje me një goditje kur e pa një gjë të tillë (Zanafilla 18:21) [17]. 16:53-58 Në hir Perëndia do ta përtërijë Sodomën, Samarinë dhe Jerusalemin në një kohë të ardhshme. Vargu 53 përshkruan përtëritjen e qyteteve, por nuk hedh në asnjë mënyrë idenë e shpëtimit të mundshëm të të vdekurve të pabesë. 16:59-63 Ai do të kujtojë besëlidhjen që lidhi me popullin e Tij dhe Judës do t’i vijë turp që e kishte braktisur Zotin për idhujt. Kjo është një besëlidhje bekimi pa kushte me patriarkët, të cilën Zoti do ta përmbushë në të ardhmen. Xhon Njutoni kishte të drejtë kur shkroi se lavditë e ndritshme të hirit të Perëndisë ndriçojnë përmbi mrekullitë e Tij të tjera.K. Shëmbëlltyra e dy shqiponjave (kapitulli 17)
17:1-6Zoti i tha Ezekielit t’i propozonte një enigmë… shtëpisë së Izraelit. Një shqiponjë e madhe… shkoi në Liban dhe këputi majën e një cedri dhe e çoi në një vend të huaj. Gjithashtu mori pak farë të vendit dhe e mbolli në një tokë pjellore. Atje ajo u rrit dhe u bë një hardhi e madhe. 17:7-10 Më pas hardhia filloi të rritej drejt… një shqiponje tjetër të madhe, por nuk u rrit më. 17:11-21 Vetë Zoti jep interpretimin e alegorisë. Shqiponja e parë ishte Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë (v. 12). Ai e mërgoi Jehojakinin, mbretin e Judës (maja e cedrit), nga Jerusalemi (Libani) në Babilon (vendi i tregtisë) dhe në Babiloni (qyteti i tregtarëve). Ai mori gjithashtu Sedekian, gjakun mbretëror dhe e bëri si mbretin e tij vasal në Judë (v. 13). Për pak kohë Sedekia, një hardhi e madhe, por e ulët, lulëzoi në vendlindje, por më pas u kthye te mbreti i Egjiptit (një shqiponjë tjetër e madhe) për çlirim nga Babilonia. Kur Sedekia e prishi besëlidhjen me Nebukadnetsarin (2 i Kronikave 36:13), ishte njësoj sikur të kishte kryer shkelje ndaj Perëndisë (v. 19). Si rezultat, Sedekia do të çohej në Babiloni dhe do të vdiste atje; faraoni Hofra nuk do të ishte në gjendje ta ndihmonte (v. 16-21). 17:22-24 Në këto vargje premtohet ardhja e Mesias (dega e njomë); Ai do të ishte pasardhës nga shtëpia e Davidit. Ai do të ishte një dru i frytshëm dhe do t’i sillte siguri njerëzve (v. 23). Perëndia i shpresës nuk i lë ata pa shpresë, por i drejton sytë e tyre drejt Mesias. Ne gjithashtu duhet të kemi të ardhmen para sysh dhe të ngushëllojmë njëri-tjetrin me këto të vërteta. Karl Kaili (Carl F. Keil) shkruan: Cedri…, siç del mbi pemët e tjera, është shtëpia mbretërore e Davidit dhe dega e njomë që pret dhe mbjell Jehovahu nuk është mbretëria apo sovraniteti mesianik…, por Vetë Mesia… Mali i lartë, përshkruar në vargun 23 si mali i lartë i Izraelit, është Sioni, parë si selia dhe qendra e mbretërisë së Perëndisë, që do të ngrihet nga Mesia përmbi tërë malet e tokës (Is. 2:2 etj.). Dega e mbjellë nga Zoti do të bëhet atje një cedër i lavdishëm, nën të cilin do të banojnë tërë zogjtë. Mesia rritet në një cedër në mbretërinë e themeluar nga Ai, në të cilën tërë banorët e tokës do të gjejnë si ushqim (nga frutat e pemës), ashtu edhe mbrojtje (nën hijen e saj) [18]. Politikat vërtetojnë gjithmonë se janë një shpëlarje. Vetëm kthimi i Krishtit i jep shpresë kësaj bote të zhytur në mëkat.L. Hedhja poshtë e shëmbëlltyrës së rrushit të papjekur (kapitulli 18)
18:1-4 Populli i Judës kishte një proverb që ia vinte fajin për mëkatet e tyre dështimit të paraardhësve të tyre: “Etërit kanë ngrënë rrushin e papjekur dhe dhëmbët e bijve të tyre janë mpirë“. Perëndia e kundërshton proverbin, duke pohuar se çdo njeri është përgjegjës për mëkatet e tij. 18:5-24 Më pas Ai jep disa shembuj të parimeve të Tij mbi gjykimin:- Dikush që shmang mëkatin dhe jeton me drejtësi me siguri ka për të jetuar (v. 5-9).
- Biri i lig i një njeriu të drejtë ka për të vdekur me siguri (v. 10-13). Judenjtë gjatë robërisë, po ashtu edhe në kohën e Zotit Jezus, u mburrën se e kishin Abrahamin atin e tyre (Luka 3:8; Gjoni 8:39). Perëndia tregon se nuk përfiton po të kesh një baba të drejtë nëse jeta e një njeriu është e ligë. Ne gjithashtu kemi prirjen të mbështetemi në anën frymërore të të tjerëve. Por jeta e drejtë dhe e shenjtë e etërve tanë dhe e udhëheqësve të perëndishëm duhet të bëhet një realitet në jetët tona.
- Biri i drejtë i një babai të padrejtë me siguri ka për të jetuar (v. 14-17), por ati i padrejtë do të vdesë për shkak të paudhësisë së tij (v. 18).
- Një i pabesë që pendohet dhe kthehet nga rrugët e tij do të jetojë (v. 21-23).
- I drejti që largohet nga drejtësia e tij dhe kryen paudhësinë… ka për të vdekur (v. 24).
Ll. Vajtimi i mbretërve të fundit të Judës (kapitulli 19)
19:1-9 Ky është një vajtim për mbretërit e fundit të Judës. Jo të gjithë janë të një mendimi rreth identitetit të mbretërve, por mbase ata janë Jehoahazi, Jehojakini dhe Sedekia. Juda është luanesha. Kombet e tjera janë luanët dhe krerët e tyre janë të vegjlit e… luanëve (v. 2). Këlyshi që është bërë luani i saj… i vogël (v. 3) është Jehoahazi, që u kap dhe u çua në Egjipt (v. 4). Këlyshi tjetër (v. 5) ka gjasa të jetë Jehojakini. Juda nuk ishte ndryshe nga kombet e tjera, një luaneshë midis luanëve. Udhëheqësit e kombeve janë të egër dhe egoistë, “por midis jush nuk duhet të jetë kështu”. Zoti pret që populli i Tij të jetë ndryshe. Nëse jo, ata ndjellin gjykimin e Tij. 19:10-14 “Nëna jote” (v. 10) është Juda ose Jerusalemi, një hardhie mbjellë pranë ujërave; e harlisur dhe kishte shumë degë. Një herë e një kohë ajo kishte mbretër të fortë (degë të forta), por do të shkatërrohej nga Babilonia (era e lindjes) dhe populli u çua në robëri (shkretëtirë, v. 11-13). Sedekia, zjarri i vargut 14, shihet si pushtuesi dhe rrënimi i popullit të tij. Izraeli kishte dashur një mbret si kombet e tjera. Këtu Ezekieli ul perden në aktin e fundit të monarkisë së tyre. Perëndia do që populli i Tij të jetë ndryshe nga bota, për të qenë një popull i shenjtë për Veten e Tij dhe ta njohë Atë si Mbret.M. Hakmarrja e marrëveshjeve të Perëndisë me Izraelin (20:1-32)
1. Idhujtaria në Egjipt (20:1-9) Kur erdhën… pleqtë tek Ezekieli të konsultohen me Zotin, Ai nuk pranoi dhe nuk… lejoi të konsultohej me ta. Në vend të kësaj ai numëroi rebelimet e tyre të përsëritura kundër Tij. Pleqtë ishin shumë konservativë dhe ortodoksë; ata deshën të këshilloheshin me Zotin, por zemrat e tyre ishin larg Tij. Idhujt na pengojnë të marrim përgjigjet nga Perëndia për pyetjet tona. Kur Perëndia numëron mëkatet tona dhe na tregon hirin e Tij duke na drejtuar në pendim, shumë prej nesh mërziten: “E kemi dëgjuar këtë shumë shpesh”. “Bibla është e mbushur me ‘bëj këtë’ e ‘mos bëj këtë'”. “A nuk ka gjë tjetër veç gjykimit në të?”. Në vend që të reagojnë siç duhet sipas Fjalës së Perëndisë, jemi në rrezik të qëndrojmë të vakët. Pavarësisht nga idhujtaria e tyre në vendin e Egjiptit (v. 4-8a), Perëndia nuk i ndëshkoi atje, në mënyrë që paganët të mos i tallnin (v. 8b-9). 2. Ndotja e të shtunave të Perëndisë (20:10-17) Izraeli kishte përdhosur të shtunat e Perëndisë në shkretëtirë (v. 10-13a). Përsëri Zoti e kishte tërhequr zemërimin e Tij dhe i fali nga shkatërrimi (v. 13b-17). 3. Rebelimi në shkretëtirë (20:18-26) Këtu kujtohet rebelimi i bijve të brezit të parë në shkretëtirë (v. 18-21a); përsëri Perëndia e tërhoqi ndaj tyre zemërimin e Tij (v. 21b-26). 4. Idhujtaria (20:27-32) Idhujtaria e tyre e tmerrshme në vendin e premtuar përfshinte gjithashtu kalimin nëpër zjarr të bijve të tyre, pra, ofrimi i tyre si flijime njerëzore.N. Premtimi i Perëndisë për një përtëritje të mundshme (20:33-44)
20:33-38 Pavarësisht nga përpjekjet e tyre, Perëndia nuk do t’i lejojë kurrë të bëhen përherë si kombet… që i ngrenë kult drurit dhe gurit (v. 32). Ai do t’i mbledhë ata nga mesi i popujve të robërisë, do t’i gjykojë para Tij, do të pranojë të drejtin (v. 37) dhe do të ndajë nga ata rebelët (v. 38). 20:39-44 Kur kombi do të rivendoset në vendin e Izraelit, ai nuk do të adhurojë më idhujt, por Zotin në shenjtëri (v. 39-44). Paralajmërimi i apostullit Gjon është i vlefshëm për çdo kohë: “Djema, ruani veten nga idhujt”.Nj. Simbolet e pushtimit të menjëhershëm (21:1-37)
1. Shenja e zjarrit të pyllit (21:1-5) Ky varg shënon fillimin e kapitullit 21 në Biblën Hebraike, një vend më logjik për shkëputje, ashtu siç e tregon edhe skicimi ynë. Te vargjet 1-5 kemi profecinë kundër jugut (hebraisht Negev, pjesë e Judës); ai do të shkatërrohet nga zjarri… i pyllit (pushtimi babilonas). 2. Shenja e shpatës së tendosur (21:6-22) 21:6-12 Perëndia shpreh vendosmërinë e Tij për ta lënë të shkretë Judën dhe Jerusalemin me shpatën e Tij të mprehur. Ofshama e Ezekielit ishte me qëllim që të paralajmëronte popullin për të pasur frikë gjykimin e ardhshëm të Perëndisë. 21:13-22Shpata e Babilonisë është bërë gati për masakër (v. 13-18) dhe do të përmbushë tërbimin e Jehovahut (v. 19-22). Vargjet 15c e 18 janë shumë të vështira. Ideja mund të jetë kjo: Nuk ishte koha që Juda të gëzohej. Ata kishin përçmuar tërë armët e mëparshme të pikëllimit, për të cilat flitet te versioni NKJ, të bëra prej druri. Tani ata do të përjetonin një shpatë të bërë prej çeliku dhe se kishte mundësi që skeptri që përçmon, pra, Juda, nuk do të ishte më. 3. Shenja e furkës në rrugë (21:23-37) 21:23-29 Më pas mbreti i Babilonisë shihet të marshojë drejt vendit. Ai shkon te një tregues rrugor: Një degë të çon në Jerusalem dhe tjetra në Riblah (kryeqyteti i Amonit). Cili qytet do të sulmohet i pari? Ai përdor tri mjete shortarie: 1. Ai shënon një shigjetë për Jerusalem dhe një për në Riblah; 2. Ai konsulton perënditë e tij shtëpiake; 3. Ai shqyrton mëlçinë e ndonjë kafshe të vrarë. Vendimi? Të sulmojë në fillimJerusalemin! 21:30-32 Sedekia është princi i korruptuar dhe i keq i vargut 25. Mbretëria e tij është hedhur poshtë dhe ai do të jetë mbreti i fundit i popullit të Perëndisë derisa të vijë Mesia, të cilit i përket e drejta për të mbretëruar. Methju Henri komenton: Nuk do të ketë më mbretër të shtëpisë së Davidit pas Sedekias derisa të vijë Krishti, i cili ka të drejtën e mbretërisë, si fara e Davidit, në të cilin premtimi duhet të gjente përmbushje të plotë dhe Unë do t’ia jap atij. Ai do të ketë fronin e atit të tij David, Luka 1:32… Dhe duke pasur këtë të drejtë, në kohën e duhur Ai do të ketë tërë zotërimet: Unë do t’ia jap atij; dhe do të ketë më fort një përmbysje të përgjithshme të të gjitha gjërave sesa Atij t’i mpaket e drejta, dhe përmbysjeje e sigurt e tërë kundërshtimit që del përpara për t’i lënë vend Atij, Dan. 2:45; 1 Kor. 15:25. Kjo përmendet këtu për ngushëllimin e atyre që kishin frikë se premtimi i bërë në Davidin nuk do të realizohej më. “Jo” – thotë Perëndia – “ai premtim është i sigurt, sepse mbretëria e Mesias do të zgjasë përgjithmonë” [19]. 21:33-37Bijtë e Amonit do të sulmohen më pas nga mbreti i Babilonisë; ata do të shkatërrohen plotësisht. Historia dhe ngjarjet e sotme janë plot shembuj të përmbysjes nga ana e Perëndisë të qeverive njerëzore, derisa Krishti të vijë, e drejta e të cilit është të mbretërojë.O. Tre orakujt për ndotjen e Jerusalemit (kapitulli 22)
22:1-12 Këtu paraqitet një katalog i mëkateve të Jerusalemit: derdhja e gjakut (v. 9; mbase nënkuptohen flijimet njerëzore në këtë kontekst) dhe idhujtaria (v. 3,4), vrasja (v. 6), përbuzja e prindërve, shtypja e të huajve, e jetimëve dhe vejushave (v. 7), përdhosja e tempullit dhe shkelja e të shtunave (v. 8); shpifja, idhujtaria dhe kobet (v. 9); imoraliteti (v. 10), shkelja e kurorës, incesti (v. 11); ryshfeti, kamata, fitimi nga i afërmi dhe harresa e Zotit, Zotit (v. 12). 22:13-22 Për këto mëkate të fitimit të pandershëm dhe për derdhjen e gjakut, populli do të shpërndahej midis kombeve (v. 13-16). Jerusalemi do të ishte si një enë pastrimi, në të cilën njerëzit, si skorie e pa vlerë, do të shkrihen (v. 17-22). 22:23,24Zoti i thotë Ezekielit t’i thotë vendit se ai është në formë të keqe. Teilori (Taylor) shpjegon se çfarë nënkupton kjo për vendin: Vendi përshkruhet në këtë orakull si i privuar nga bekimet e shiut. Pjesa më e madhe e komentuesve parapëlqejnë të ndjekin version LXX në vargun 24, që nuk përkthen “pastruar”, por “ka rënë shi”: kështu, “një tokë pa shi ose lagur nga shiu” [20]. 22:25-31 Tërë shtresat e shoqërisë ishin fajtore para Zotit: krerët (v. 25) [“profetët” në versionin KJ dhe NKJ është “princat” te Septuaginta] [21], priftërinjtë (v. 26), gjyqtarët (v. 27), profetët (v. 28), populli (v. 29). Nuk mund të gjendej asnjë burrë i drejtë, asnjë reformues apo një ndërmjetësues për t’i dalë për zot vendit për Perëndinë (v. 30,31). Perëndia nuk po kërkon metoda apo programe të reja; Perëndia kërkon gjithmonë dikë që të dalë i zoti në mungesë të madhe. Një njeri i vetëm mund të bëjë ndryshimin.P. Shëmbëlltyra e dy motrave prostituta (kapitulli 23)
1. Oholahu (23:1-10) 23:1-4 Kjo është shëmbëlltyra e dy motrave prostituta, Oholahu më e madhja dhe Oholibahue motra. Oholahu ishte Samaria dhe Oholibahu ishte Jerusalemi. 23:5-10Oholah do të thotë [ajo ka] çadrën e saj. Samaria kishte ndërtuar qendrën e vet të adhurimit. Tempulli i Perëndisë ishte në Jerusalem [22]. Oholahu u kurvërua me kalorësit e pashëm dhe të fortë të Asirisë; prandaj Perëndia e braktisi në dorë tëdashnorëvetë saj dhe ata zbuluan lakuriqësinë e saj dhe morën bijtë e bijat e saj dhe i vranë me shpatë. 2. Oholibahu (23:11-21) Oholibahu (çadra ime është në të) shkoi edhe më tutje në kurvërimet dhe imoralitetin e saj idhujtar. Në fillim ajo u ndez për bijtë e Asirisë, ashtu siç kishte bërë Izraeli (v. 12,13). Më pas ajo u dalldis në figurat e burrave të Babilonisë të pikturuara në të kuq. Ajo u ndez për ta dhe u dërgoi lajmëtarë, duke i ftuar në vendin e saj (2 i Mbreterve 16:7). Duke kujtuar mëkatet e saj të rinisë në vendin e Egjiptit, ajo gjithashtu i shumoi kurvërimet e saj dhe e dha veten në duart e babilonasve për të kryer imoralitet të tmerrshëm. 3. Pushtimi i babilonasve (23:22-35) Si rrjedhojë Perëndia do të shkatërrojë Oholibahun me anë të dashnorëve të saj babilonas. Ata të rinj tërheqës që ajo i dëshiroi më pas do ta trajtojnë atë me tërbim. Ajo u përpoq të gjente kënaqësi në botën mishore, larg Perëndisë. Tashmë mëkatet e saj duhet të gjykohen. Vargjet 33 e 34 përshkruajnë simptomat e depresionit dhe të dëshpërimit që i gjejmë sot anë e mbanë. Vetëm nëse pijmë ujin e gjallë të Perëndisë, nuk do të kemi më kurrë etje. 4. Gjykimi i Oholahut dhe Oholibahut (23:36-49) Që të dyja motrat ishin fajtore për të njëjtat mëkate: shkelja e kurorës (fjalë për fjalë edhe frymërore), vrasja, ofrimi i flijimeve njerëzore (v. 37), përdhosja e tempullit, shkelja e të shtunave (v. 38), idhujtaria e përzier me adhurimin e Perëndisë (v. 39), kryerja e tradhtisë bashkëshortore me kombet e huaja (v. 40-44). Njerëzit e drejtë (kombet e zgjedhura nga Perëndia) do t’i gjykojnë motrat për shthurjen e tyre morale me një shkatërrim të merituar më së miri (v. 45-49). Feja e Judës kishte karakter sinkretik, pra, përziente adhurimin e Jehovahut me idhujtarinë dhe paganizmin. Një pjesë e mirë e krishterimit modern, e trishtueshme të thuhet, përzien elemente të Biblës me judaizmin, paganizmin, fenë lindore, humanizmin dhe psikologjinë.R. Shëmbëlltyra e tenxheres (24:1-14)
Ditën kur filloi rrethimi i Jerusalemit Ezekieli tha shëmbëlltyrën e tenxheres. Tenxherja ishte Jerusalemi; copat e mishit ishin njerëzit. Tenxherja ishte gati për të zier. Ajo kishte papastërti apo ndryshk brenda: pisllëku i idhujtarisë. Pasi tenxherja u zbraz plotësisht, ajo do të vihej në zjarr për të djegur papastërtinë. Kështu Zoti do të përpiqet të pastrojë popullin e Tij nga idhujtaria.Rr. Shenja e vdekjes së gruas së Ezekielit (24:15-27)
24:15-18 Ezekieli u paralajmërua që gruaja e tij, kënaqësia e syve të tij, do të vdiste. Ajo vdiqnë mbrëmjen e asaj dite dhe, në kundërshtim me tërë reagimet normale, ai u urdhërua të mos mbante zi. 24:19-24 Kur populli kërkoi domethënien e kësaj sjelljeje të çuditshme, ai u tha atyre se, kur kënaqësia e syve të tyre (tempulli) do të shkatërrohej dhe bijtë e bijat e tyre do të vriteshin, nuk duhet të mbanin zi. Një qëllim i profecisë së përmbushur është që bota të pranojë se kush është Zoti Perëndi (v. 24). 24:25-27 Ezekieli nuk do të shqiptonte më profeci ndaj Judës, derisa një i arratisur t’i sillte atij lajmin se fortesa e tyre kishte rënë. Kjo ndodhi jepet te 33:21,22. Kapitujt ndërmjetës, 25-32, janë profeci ndaj kombeve pagane, jo për Judën.[previous][next]