1:12 Lutja ka mbaruar. Pali më pas rrëfen me hollësi bekimet e saj, pra përfitimet që kanë ardhur nga burgosja e tij. Jowett e quan këtë pjesë, “Fati i Fatkeqësisë.”
Pali dëshironte që vëllezërit të dinin se gjërat që i kishin ndodhur atij, pra gjyqi dhe burgosja e tij, kishin rezultuar më tepër në përhapjen e ungjillit sesa në pengimin e tij, siç mund të pritej. Ky është një ilustrim tjetër i mrekullueshëm që tregon sesi Perëndia hedh poshtë planet e këqija të demonëve dhe njerëzve, dhe sjell fitore mbi atë që dukej tragjedi dhe nxjerr nga hiri të bukurën. “Njeriu ka ligësinë e tij, por Perëndia ka rrugën e Tij.”
1:13 Para së gjithash, vargonjtë e Palit ishin bërë të njohur si të ishin për Krishtin. Me anë të kësaj ai nënkupton që ishte bërë tepër e njohur që ai ishte i burgosur si rezultat i dëshmisë së tij për Krishtin dhe jo si një kriminel apo keq bërës.
Arsyeja e vërtetë për vargonjtë e tij ishte bërë e mirënjohur në gjithë pretoriumin dhe në gjithë vendet e tjera. Pretorium mund të nënkuptojë: (1) Gjithë rojet e pretoriumit, pra gjithë ushtarët Romakë që ruanin pallatin ku banonte Perandori, ose (2) Gjithë pretoriumin. Pretoriumi ishte pallati dhe këtu mund të përfshijë gjithë ata që gjendeshin aty. Në çdo rast, Pali po thotë që burgosja e tij kishte shërbyer si një dëshmi për përfaqësuesit e fuqisë perandorake të Romës ku ai ndodhej.
T. W. Drury shkruan:
Ai vargua që disiplina Romake mbërtheu në krahun e të burgosurit siguroi për të një dëgjues [një ushtar romak] të cilit do t’i tregonte historinë e vuajtjeve që duroi Krishti, dhe të nesërmen ai mund të jetë në prezencën e perandorit [duke i përsëritur fjalët e Palit]. [6]
1:14 Një e ardhur tjetër e favorshme e burgosjes së tij ishte që të krishterët e tjerë ishin të inkurajuar për të mos patur frikë në dëshminë për Zotin Jezus. Persekutimi shpesh ka efektin e të transformuarit të besimtarëve të qetë dhe të ndrojtur në dëshmitarë guximtarë.
1:15 Motivi në disa zemra ishte xhelozi dhe rivalitet. Ata e predikonin Krishtin nga smira.
Të tjerët kishin motive të sinqerta dhe të pastra; ata predikonin Krishtin nga vullneti i mirë, në një përpjekje të ndershme për të ndihmuar apostullin.
1:16 Predikuesit xhelozë mendonin që duke vepruar kështu ata do ta bënin burgosjen e Palit më të hidhur. Mesazhi i tyre ishte i mirë, por zemërimi i tyre ishte i keq. Është e trishtueshme të mendosh që shërbesa e krishterë mund të kryhet me energjinë e mishit, e motivuar nga lakmia, lufta, krenaria dhe smira. Kjo gjë na mëson mbi domosdoshmërinë e të vëzhguarit mbi motivet tona kur i shërbejmë Zotit. Nuk duhet ta bëjmë për vet – dukje, për ecjen përpara të një sekti fetar, apo për të mundur të krishterët e tjerë.
Këtu është një shembull i mirë i domosdoshmërisë që dashuria jonë të ushtrohet në njohuri dhe në çdo dallim.
1:17 Të tjerët e predikonin ungjillin nga dashuria e pastër dhe e sinqertë, duke ditur që Pali ishte përcaktuar për të mbrojtur ungjillin. Në shërbesën e tyre nuk kishte asgjë egoiste, sektariane ose mizore. Ata e dinin shumë mirë që Pali ishte burgosur për shkak të qëndrimit të tij guximtar për ungjillin. Kështu ata kishin vendosur të vazhdonin punën ndërkohë që ai ishte i izoluar.
1:18 Pali refuzon të jetë i pikëlluar për shkak të motiveve të këqija të disave. Krishti predikohet nga të dyja grupet, dhe kjo është për të një arsye e madhe për t’i gëzuar.
Është për t’i vënë re që nën rrethana të tilla të vështira, Palit nuk i vjen keq për vete dhe nuk kërkon të fitojë simpatinë e të tjerëve. Për më tepër ai është i mbushur me gëzimin e Zotit dhe i inkurajon lexuesit e tij të gëzojnë edhe ata.
1:19 Pikëpamja është inkurajimi. Apostulli e di që gjithë rrjedha e ngjarjeve do të çojë në shpëtimin e tij. Shpëtim këtu nuk nënkupton shpëtimin e shpirtit të Palit, por shpëtimin e tij nga burgu. Mjeti që Perëndia do të përdorë për çlirimin e tij do të ishin lutjet e filipianëve dhe shërbesa ose ndihma e Frymës së Jezus Krishtit. Mrekullohuni këtu me rëndësinë që Pali i vë lutjeve të një grupi të brishtë besimtarësh. Ai i sheh ata si mjaftueshmërisht të fortë për të penguar qëllimet e fuqisë së Romës. Është e vërtetë; të krishterët mund të ndikojnë mbi fatin e kombeve dhe të ndryshojnë drejtimin e historisë nëpërmjet lutjes.
Ndihma e Frymës së Jezus Krishtit nënkupton fuqinë e Frymës së Shenjtë që vihet në punë për hirin e Palit, d.m.th. forca që Fryma do t’i ofronte atij. Në përgjithësi, i referohet “burimeve të pakufijshme që Fryma ofron për t’i mundësuar besimtarët të qëndrojnë të palëkundur, pavarësisht sesi mund të jenë rrethanat.”
1:20 Ndërkohë që ai mendonte për lutjet e të krishterëve dhe ndihmesën e Frymës së Shenjtë, ai shprehu dëshirën e madhe dhe shpresën që ai të mund të mos turpërohej kurrë, por që gjithmonë të mund të kishte një dëshmi pa frikë dhe të hapur për Krishtin.
Dhe nuk kishte rëndësi se si mund të ishte përfundimi i proceseve gjyqësore – nëse ai do të lirohej apo do të vdiste – ambicja e tij ishte që Krishti duhej të madhërohej në trupin e tij. Të madhërohet nuk do të thotë ta bësh Krishtin më madhështor. Ai është tashmë madhështor dhe asgjë që ne mund të bëjmë nuk do ta bëjë Atë më madhështor. Por të madhërosh do të thotë që ta bësh Krishtin të çmohet ose të lavdërohet nga të tjerët. Guy King tregon sesi Krishti mund të madhërohet nga trupat tanë në jetë.
… i madhëruar nga buzë që mbartin dëshmi të gëzuar për Të; i madhëruar nga duar të punësuara në shërbesën e Tij të gëzuar; i madhëruar nga këmbë gjithmonë të gëzuara për të shkuar në porositë e dhëna nga Ai; i madhëruar nga gjunj të përulur gëzueshëm në lutje për mbretërinë e Tij; i madhëruar nga supe të gëzuar për të mbajtur barrët e njëri-tjetrit. [7]
Krishti mund të madhërohet në trupat tanë me anë të vdekjes – trupa të kapitur në shërbesën e Tij; trupa të shpuar nga heshta mizore; trupa të goditur me gurë apo të djegur në turra drush.
1:21 Këtu, shkurt me dy fjalë, është filozofia e jetës së Palit. Ai nuk jetoi për para, famë apo qejf. Objekti i jetës së tij ishte dashuria, adhurimi dhe shërbesa e Zotit Jezus. Ai dëshironte që jeta e tij të ishte si jeta e Krishtit. Ai dëshironte që Shpëtimtari të shfaqte jetën e Tij përmes tij.
Dhe të vdekurit është fitim. Të vdesësh do të thotë të jesh me Krishtin dhe të jesh si Ai përgjithmonë. Do të thotë t’i shërbesh Atij me një zemër pa mëkat dhe me këmbë që nuk do të gabojnë kurrë. Ne zakonisht nuk mendojmë për vdekjen si një prej fitimeve tona. E trishtueshme të thuhet por pikëpamja sot duket që është kjo “të jetuarit është fitim tokësor dhe të vdekurit do të ishte fundi i fitimit.” Por, thotë Jowett: “Për apostullin Pal, vdekja nuk ishte një pasazh i errët, ku gjithë thesaret tona prishen në një korruptim të shpejtë; ajo ishte një vend i një tranzicioni të lavdishëm, ‘një udhë e mbuluar që çon në dritë.'”[8]
1:22 Nëse është vullneti i Perëndisë që Pali të jetonte edhe pak më shumë në mish, kjo do të thotë punë e frytshme për të. Ai do të ishte në gjendje të jepte më tepër ndihmë për popullin e Zotit. Por ishte një vendim i vështirë për të – të shkonte tek Shpëtimtari të cilin ai e donte, ose të rrinte në tokë për shërbesën e Zotit, me të cilën ai ishte gjithashtu shumë i lidhur. Ai nuk dinte cilën të zgjidhte.
1:23 Të jesh i shtrënguar nga të dy anët do të thotë të të kërkohet të bësh një vendim të vështirë midis dy mundësive – asaj të të shkuarit në shtëpinë qiellore dhe asaj të të qëndruarit të tokë si një apostull i Jezus Krishtit.
Ai dëshironte me zjarr të ikte dhe të ishte me Krishtin, gjëja më e mirë. Nëse ai konsideronte vetëm interesat e tij, kjo ishte pa dyshim zgjedhja që do të bënte.
Vini re që Pali nuk besonte në asnjë teori të fjetjes së shpirtit. Ai besonte që i krishteri shkon të jetë me Krishtin në kohën e vdekjes dhe që ai gëzon në mënyrë të vetëdijshme të qenurit në prezencën e Zotit. Sa qesharake do të ishte për të të thoshte, ashtu siç bëjnë disa sot: “Të jetosh është Krishti; të flesh është fitim.” Ose “Të ikësh dhe të flesh është shumë më mirë.” “Të flesh” është përdorur në DhR për trupin e besimtarit në kohën e vdekjes (1 Thes. 4:14), dhe asnjëherë për shpirtin e tij. Fjetja e shpirtit është një mit ose përrallë.
Vini re gjithashtu që vdekja nuk duhet ngatërruar me ardhjen e Shpëtimtarit. Në kohën e vdekjes ne shkojmë për të qenë me Të. Në kohën e Rrëmbimit, Ai vjen tek ne.
1:24 Për hir të filipianëve, ishte më e nevojshme që Pali të jetonte në tokë edhe për njëfarë kohe. Nuk mund të bëjmë gjë tjetër veçse të ndikohemi së tepërmi nga vetmohimi i këtij njeriu. Ai nuk mendon për lehtësitë e veta apo rehatinë e tij, por për më tepër për atë gjë që do të çonte përpara çështjen e Krishtit dhe mirëqenien e popullit të Tij.
1:25 Këtë e di me siguri – që ai duhej akoma në tokë për të ndërtuar, ngushëlluar dhe inkurajuar të shenjtët – Pali e dinte që ai nuk do të vdiste në atë kohë. Si e dinte ai? Ne besojmë që ai jetoi kaq afër Zotit saqë Fryma e Shenjtë ishte në gjendje t’ia komunikonte këtë gjë atij. “Sekreti i Zotit u tregohet atyre që kanë frikë prej Tij” (Ps. 25:14). Ata që banojnë thellë në Perëndinë, në meditime të qeta, dëgjojnë sekrete që mbyten nga vrulli, zhurma dhe rrëmuja e jetës së sotme. Duhet të jeni afër që të dëgjoni. Pali ishte afër.
Duke mbetur në mish, Pali do të ishte në gjendje të siguronte rritjen e tyre frymërore dhe të rriste gëzimin që ishte i tyre nëpërmjet besimit në Zotin.
1:26 Duke qenë shpëtuar fizikisht për jetë më të gjatë dhe shërbesë në tokë, filipianët kishin një shkak më tepër për t’u gëzuar në Zotin kur Pali t’i vizitonte përsëri. A mund ta imagjinoni se si ata do ta përqafonin dhe ta puthnin atë, të falënderonin Zotin me një gëzim të madh kur ai të arrinte në Filipi? Ndoshta ata do të thoshin, “Mirë Pal, ne u lutëm për ty, por ndershmërisht nuk e prisnim kurrë të të shihnim përsëri këtu. Por e falënderojmë Zotin që të solli edhe njëherë mes nesh!”
1:27 Tani Pali shton një fjalë paralajmëruese: “Ju veç silluni në mënyrë të denjë në ungjillin e Krishtit.” Të krishterët duhet të jenë si Krishti. Banorët e qiellit duhet të sillen si të tillë. Ne duhet të jemi në praktikë çfarë jemi në pozicion.
Plus kësaj lutjeje për qëndrueshmëri, apostulli bën një thirrje për qëndresë. Veçanërisht, ai dëshiron që kur të vijë e t’i shohë personalisht, ose, kur nuk është aty, e të dëgjojë raportime rreth tyre, të mund të dijë që ata janë duke qëndruar të fortë në një frymë të vetme dhe duke punuar të bashkuar dhe ndershmërisht për besimin e ungjillit, pra për besimin e Krishterë. Të krishterët ballafaqohen me një armik të përbashkët; ata nuk duhet të luftojnë njëri-tjetrin, por të bashkuar të luftojnë kundër armikut të tyre.
1:28 Dhe as nuk duhet të tmerroheshin nga armiqtë e ungjillit. Të mos paturit frikë përballë persekutimit ka një kuptim të dyfishtë. Së pari është një shenjë ogurzezë shkatërrimi për ata që luftojnë kundër Perëndisë. Së dyti është një shenjë shpëtimi për ata që përballojnë me guxim zemërimin e armikut. Shpëtimi këtu ndoshta është përdorur në kohën e ardhme, duke iu referuar çlirimit të të shenjtit nga sprova dhe shpengimit të trupit të tij, ashtu si dhe frymës dhe shpirtit të tij.
1:29 Filipianët duhet të mos harrojnë që ky është një privilegj për të vuajtur për Krishtin ashtu siç është dhe të besuarit në Të.
Dr. Griffith John shkroi që njëherë kur ai ishte i rrethuar nga një turmë pagane armiqësore dhe ishte goditur, kishte vendosur duart në fytyrë dhe kur i hoqi ato pa që ishte mbuluar me gjak. “Ai ishte pushtuar nga një ndjenjë e jashtëzakonshme ekzaltimi dhe gëzonte që ishte llogaritur i denjë për të vuajtur për Emrin e Tij.” A nuk është i çuditshëm fakti që edhe vuajtja është ngritur nga Krishterimi në një vend kaq të lartë? Me të vërtetë, madje edhe “një cikërrimë digjet me një zjarr të pavdekshëm kur është bashkë me Pafundësinë.” Kryqi jep dinjitet dhe fisnikëron.
1:30 Lidhja e këtij vargu me atë të fundit kuptohet më mirë nëse ne shtojmë fjalët “Meqë ju jeni të përfshirë në”:
Privilegji i vuajtjeve për Krishtin është siguruar për ju, meqë ju jeni të përfshirë në të njëjtën beteje që patë në mua kur unë isha në Filipi dhe tani po dëgjoni që unë jam akoma duke kaluar.