4:1 Mbi bazat e shpresës së mrekullueshme që apostulli vendosi më parë në mendjet e besimtarëve në vargun e mëparshëm, tani ai i nxit ata të qëndrojnë të fortë në Zotin. Ky varg është i mbushur me emra të përzemërt për besimtarët. Së pari Pali i quan ata vëllezërit e tij. Por jo vetëm vëllezërit e tij – vëllezërit e tij të dashur. Më pas ai shton mendimin që ata janë fort të dashur për të. Kjo do të thotë që ai ka shumë dëshirë për të qenë me ata përsëri. Për më tepër ai i quan ata si gëzimi dhe kurora e tij. Padyshim ai do të thotë që ata janë gëzimi i tij në kohën e tanishme dhe do të jenë kurora e tij në Fronin Gjykues të Krishtit. Së fundi, ai e mbyll vargun me shprehjen, o shumë të dashur. Apostulli me të vërtetë i donte njerëzit, dhe padyshim ky është një nga sekretet e efektivitetit të tij në punën e Zotit.
4:2 Evodia dhe Sintika ishin gra në Kishën në Filipi të cilat kishin vështirësi në të shkuarit mirë me njëra tjetrën. Ne nuk na janë dhënë detaje në lidhje me shkakun e mosmarrëveshjes së tyre.
Apostulli përdor fjalën bëj thirrje dy herë për të treguar që thirrja i është drejtuar si njërës ashtu edhe tjetrës. Pali i nxit ato të jenë të një mendjeje në Zotin. Është e pamundur për ne të jemi të një mendjeje në gjërat e jetës së përditshme, por, përsa i përket gjërave të Zotit, është e mundur për ne të nënshtrojmë mendjengushtësinë tonë, dallimet personale me qëllim që Zoti të lartësohet dhe puna e Tij të ecë përpara.
4:3 Ekziston një spekullim i konsiderueshëm përsa i përket identitetit të shokut të vërtetë (ose shokut të së njëjtës zgjedhë [20]) të cilit i drejtohet Pali në këtë varg. Timoteu dhe Lluka janë sugjeruar, por Epafroditi është ndoshta personi për të cilin bëhet fjalë. Atij i bëhet thirrje t’i ndihmojë këto gra që kanë luftuar me të në ungjill. Ne mendojmë që këto gra janë Evodia dhe Sintika, dhe që apostulli Pal është duke dhënë atë që eksperienca ka provuar se është këshillë e shëndoshë. Shpesh kur dy njerëz janë grindur, grindja mund të qetësohet nëse çohet para një grupi të tretë të pavarur – dikush me një gjykim të matur dhe frymëror. Nuk është se ai vepron arbitrarisht në rastin e dhënë dhe merr një vendim për të, por për më tepër që duke iu drejtuar Fjalës së Perëndisë, ai është në gjendje të t’u tregojë njerëzve të grindur zgjidhjen sipas Shkrimeve për problemin e tyre.
Duhet patur kujdes në interpretimin e shprehjes “[ato] që kanë luftuar me mua në ungjill.” Pa ndonjë shtrëngim të imagjinatës kjo mund të merret me domethënien që këto gra kanë predikuar ungjillin me apostullin Pal. Ka shumë mënyra në të cilat gratë mund të punojnë në ungjill – duke mirëpritur shërbëtorët e Krishtit, duke bërë vizita nëpër shtëpi, duke mësuar gratë më të reja dhe fëmijët – pa pretenduar për një shërbesë të një predikimi apo mësimi publik.
Një bashkëpunëtor tjetër i quajtur Klement është përmendur. Asgjë më tepër nuk dihet për të me saktësi. Më pas Pali përmend bashkëpunëtorët e tij të tjerë, emrat e të cilëve janë shkruar në librin e jetës. Kjo është një mënyrë tepër e dashur e të shprehurit të bekimit të përjetshëm dhe të papërshkrueshëm që i bashkëngjitet besimit tek Krishti dhe shërbesës për Të.
4:4 Duke iu kthyer tani të gjithë Kishës, Pali përsërit shprehjen tepër të dashur. Sekreti i thirrjes së tij gjendet në fjalët në Zotin. Nuk ka rëndësi se sa të errëta mund të jenë rrethanat e jetës, për të krishterin është gjithmonë e mundur të gëzojë në Zotin.
Jowett ndan eksperiencën e tij në lidhje me gëzimin e krishterë:
Gëzimi i krishterë është një gjendje shpirtërore që nuk varret nga rrethanat e momentit. Nëse do të ishte i varur nga gjërat që na rrethojnë, atëherë, me të vërtetë, do të ishte i pasigurt si një qiri i pambrojtur që digjet në një natë zemërimi. Një çast qiriri digjet qartë dhe pa u lëkundur, dhe çastin tjetër flaka kapërcen anën e fitilit dhe bën pak ose nuk bën fare dritë. Por gëzimi i krishterë nuk ka lidhje me momentet kalimtare të jetës, dhe si rrjedhojë nuk është viktimë e ditës që kalon. Për një moment rrethanat e mia vijnë në një formë të tillë si një ditë me diell korriku; pak më vonë ato vijnë si një ditë e zymtë nëntori. Një ditë jam në dasëm; ditën tjetër qëndroj pranë një varri të hapur. Një ditë, në shërbesën time fitoj dhjetë të kthyer për Zotin; dhe më pas për një varg ditësh, nuk fitoj asnjë. Po, ditët janë aq të ndryshueshme si moti dhe përsëri gëzimi i krishterë mund të jetë i qëndrueshëm. Ku qëndron sekreti i qëndrueshmërisë së tij të lavdishme?
Sekreti qëndron këtu: “Ja. Unë jam me ju gjithë ditët.” Në gjithë ditët që ndryshojnë, “Ai nuk ndryshohet dhe as lodhet.” Ai nuk është Shoku i lëkundshëm, që më lë kur vitet errësohen dhe ftohen. Ai nuk shfaqet vetëm kur unë shtroj një drekë dhe nuk fshihet kur dështoj edhe atëherë kur varfëria më kap. Ai nuk shfaqet vetëm kur unë vesh një kurorë dafinash dhe fshihet kur unë vesh një kurorë me ferra. Ai është me mua “gjithë ditët” – në ditë të mira dhe të këqija; në ditët kur bie këmbana e funeralit dhe në ditët kur bie këmbana e dasmës. “Gjithë ditët.” Ditën e jetës – ditën e vdekjes – ditën e gjyqit. [21]
4:5 Tani Pali i nxit ata që zemërbutësia e tyre të njihet nga të gjithë njerëzit. Kjo është përkthyer gjithashtu, nënshtrim, arsyetim i butë dhe dëshirë për të hequr dorë nga mënyra jote e të jetuarit. Vështirësia nuk qëndron në të kuptuarit e asaj që është thënë këtu, por në zbatimin e udhëzimit “të gjithë njerëzit.”
Zoti është afër mund të nënkuptojë që Zoti është tani prezent ose që ardhja e Tij është e afërt. Të dyja janë të vërteta, megjithëse ne preferojmë këtë të fundit.
4:6 A është me të vërtetë e mundur për një të krishterë që të mos shqetësohet për asgjë? Është e mundur për aq kohë sa ne kemi burimin e lutjes me besim. Pjesa tjetër e vargut vazhdon të shpjegojë se si jetët tona mund të jenë të lira nga shqetësimet e mëkatshme. Çdo gjë i duhet çuar Zotit në lutje. Çdo gjë do të thotë çdo gjë. Nuk ka asgjë shumë të madhe apo shumë të vogël për kujdesin e Tij të dashur!
Lutja është një veprim dhe një atmosferë. Ne vijmë tek Zoti në kohë të veçanta dhe i sjellim Atij kërkesa të veçanta. Por është gjithashtu e mundur të jetojmë në një atmosferë lutjeje. Është e mundur që gjendja shpirtërore e jetës sonë duhet të jetë një gjendje shpirtërore plot lutje. Ndoshta fjala lutje në këtë varg simbolizon gjithë qëndrimin e jetës sonë, ndërsa përgjërimet nënkuptojnë kërkesat e veçanta që ne i sjellim Zotit.
Por atëherë ne duhet të vëmë re që kërkesat tona i duhen bërë të njohura Perëndisë me falënderim. Dikush e ka përmbledhur këtë varg duke thënë që ne duhet “të mos jemi në ankth për asgjë, të jemi në lutje për çdo gjë, të jemi në falënderim për çfarëdo lloj gjëje.”
4:7 Nëse këto qëndrime karakterizojnë jetët tona, paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarsie do të ruajë zemrat dhe mendjet tona në Krishtin Jezus. Paqja e Perëndisë është një ndjenjë e qetësisë hyjnore dhe kënaqësisë që mbush shpirtin e besimtarit kur ai është duke u mbështetur fort mbi Perëndinë.
Kur qëndrojnë në Jehovah,
Zemrat janë plotësisht të bekuara;
Duke gjetur, siç premtoi Ai,
Paqe dhe pushim të përsosur.
-Frances Ridley Havergal
Kjo paqe ia tejkalon çdo zgjuarsie. Njerëzit e botës nuk mund ta kuptojnë fare atë, dhe madje edhe i krishteri që e zotëron gjen një lloj elementi të mrekullueshëm misteri përreth saj. Ata habiten me mungesën e ankthit të tyre kur ballafaqohen me tragjedinë apo me rrethana të papëlqyeshme.
Kjo paqe mbron zemrën dhe jetën e mendimeve. Çfarë fuqizuesi është ajo në këto ditë të përfshira nga strese mendore, neurozash e qetësuesish.
4:8 Tani apostulli jep një këshillë të vogël në lidhje me jetën e mendimeve. Bibla kudo mëson që ne mund të kontrollojmë atë që mendojmë. Është e kotë të mbajmë një qëndrim dështimi, duke thënë që nuk mund të bëjmë asgjë kur mendjet tona mbushen me mendime të pa mirëpritura. Fakti është që ne mund të bëjmë diçka. Sekreti gjendet në të menduarit pozitiv. Është diçka që tani është një princip i mirënjohur – fuqia dëbuese e një dashurie të re. Një njeri nuk mund të ushqejë në të njëjtën kohë mendime të këqija dhe mendime për Zotin Jezus. Nëse, atëherë, një mendim i keq vjen tek ai, ai menjëherë duhet ta heqë qafe atë duke medituar mbi Personin dhe veprën e Krishtit. Psikologët dhe psikiatristët më të ndriçuar të ditës janë në mendje me Apostullin Pal për këtë çështje. Ata theksojnë rreziqet e të menduarit negativ.
Ju nuk duhet të shikoni me shumë kujdes për të gjetur Zotin Jezus në vargun 8. Çdo gjë që është e vërtetë, e ndershme, e drejtë, e pastër, e dashur, me famë të mirë, e virtytshme, dhe lëvdueshme gjendet në Të. Le t’i shohim këto virtyte një nga një: e vërtetë do të thotë jo e rreme apo jo reale, por reale dhe e sinqertë. E ndershme do të thotë moralisht tërheqëse. I drejtë ndaj Perëndisë dhe njeriut. I pastër mund t’i referohet karakterit të lartë moral të jetës së një personi. I dashur përfshin idenë e asaj që është e admirueshme për t’i konsideruar apo mbajtur. Me famë të mirë është përkthyer gjithashtu “me reputacion të mirë” ose “i dëgjuar për mirë.” Virtyti sigurisht që flet për shkëlqim moral; dhe i lëvdueshëm, diçka që meriton të lëvdohet.
Në vargun 7, Pali i ka siguruar të shenjtët që Perëndia do t’i mbrojë zemrat dhe mendjet e tyre në Krishtin Jezus. Por ai nuk e lë pas dore t’u kujtojë atyre që ata, gjithashtu, kanë një përgjegjësi në këtë çështje. Perëndia nuk ndihmon jetën e mendimeve të një njeriu që nuk dëshiron të qëndrojë i pastër.
4:9 Përsëri apostulli Pal e vendos vetveten si një shenjtor shembull. Ai i nxit besimtarët të praktikojnë gjërat që mësuan nga ai dhe që panë në jetën e tij.
Fakti që kjo është shumë afër vargut 8 është tepër domethënës. Një e jetuar e drejtë rezulton nga të menduarit e drejtë. Nëse jeta e të menduarit të një personi është e pastër, atëherë jeta e tij do të jetë e pastër. Në anën tjetër, nëse mendja e një personi është një burim i korruptimit atëherë ju mund të jeni të sigurt që përroi që do të rrjedhë prej tij do të jetë i pistë po ashtu. Dhe ne gjithmonë duhet të mbajmë mend që nëse një person mendon diçka të keqe për një kohë të gjatë, ai me siguri që do ta bëjë atë gjë.
Atyre që janë besnikë në ndjekjen e shembullit të apostullit u është premtuar që Perëndia i paqes do të jetë me ta. Në vargun 7, paqja e Perëndisë është pjesë e atyre që luten gjithmonë; këtu Perëndia i paqes është Shoqërues i atyre që janë të shenjtë. Mendimi këtu është që Perëndia do të jetë shumë afër atyre jetët e të cilëve janë mishërim i së vërtetës.