Falënderimet e Palit për dhuratën financiare nga shenjtorët (Filipianëve 4:10-20)

4:10 Në vargjet 10-19, Pali flet për marrëdhënien që ekzistonte midis Kishës në Filipi dhe atij vetë, në lidhje me ndihmën financiare. Nuk mund të thuhet me fjalë se sa domethënëse kanë qenë këto vargje për të shenjtët që kanë kaluar kohë të vështira në anën financiare!

Pali gëzohet që më në fund, pas një periudhe kohe, filipianët i dërguan atij një ndihmë praktike në punën e Zotit. Ai nuk i fajëson ata për periudhën në të cilën nuk ishte marrë asnjë ndihmë; ai beson që ata kanë dashur të dërgonin dhurata tek ai, por nuk kishin patur rast. Moffat përkthen: “Ajo që ju mungonte nuk ishte kujdesi, por rasti për ta treguar atë.”

4:11 Duke shqyrtuar gjithë subjektin e finances , është bukur të shohim delikatesën dhe mirësjelljen që Pali ka përdorur. Ai nuk do që ata të mendojnë që ai është duke u ankuar për mungesë të ardhurash. Për më tepër ai do që ata të dinë që ai është tepër i pavarur nga rrethana të tilla tokësore. Ai kishte mësuar të ishte i kënaqur, pavarësisht nga kushtet financiare në të cilat ai ndodhej. Kënaqësia është me të vërtetë më e madhe sesa pasuritë, sepse “nëse kënaqësia nuk prodhon pasuri, ajo arrin të njëjtin objektiv duke larguar nga mendja dëshirën për to.”

“Është një sekret i bekuar kur një besimtar mëson të mbajë kokën lart me një stomak bosh, një vështrim largpamës me një xhep bosh, një zemër të gëzuar me një rrogë të papaguar, gëzim në Perëndinë kur të tjerët janë pa besim.” (E zgjedhur)

4:12 Pali dinte si të ishte i përulur, që do të thotë, pa pasur nevojat më të thjeshta të jetës; dhe ai gjithashtu dinte si të jetonte edhe në bollëk, pra duke pasur diçka të dhënë më shumë në një moment të caktuar sesa nevojat e tij të ngutshme. Në çdo vend dhe në çdo gjë ai ishte mësuar të ngopej dhe të kishte uri, të kishte me tepri dhe të vuante në ngushticë. Si e kishte mësuar apostulli një mësim të tillë? Thjesht në këtë mënyrë: ai ishte i bindur që ishte në vullnetin e Perëndisë. Ai e dinte që kudo që ishte, apo në çfarëdo lloj rrethane që të gjendej, ai ishte atje prej emërimit hyjnor. Nëse ishte i uritur, ishte sepse Perëndia donte që ai të ishte i uritur. Nëse ishte i ngopur, ishte sepse Zoti i tij e kishte planifikuar kështu. I zënë dhe plot besim në shërbesën e Mbretit të tij, ai mund të thoshte, “Madje edhe kështu o At, sepse kështu të pëlqeu Ty.”

4:13 Më pas apostulli shton fjalët të cilat kanë qenë një enigmë për shumë: “Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon.” A mund ta ketë thënë ai këtë në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës? A besonte apostulli me të vërtetë që nuk kishte asgjë që ai nuk mund ta bënte? Përgjigjja është kjo: Kur apostulli tha që ai mund të bënte gjithçka, ai nënkuptoi të gjitha gjërat që ishin në vullnetin e Perëndisë për t’u bërë prej tij. Ai kishte mësuar që porositë e Zotit janë të mundësuara nga Zoti. Ai e dinte që Perëndia nuk do ta thërriste kurrë atë për të kryer një detyrë pa i dhënë atij hirin që i nevojitej. Gjithçka ndoshta i referohet më shumë privimeve dhe urive të mëdha sesa bëmave të mëdha të guximit.

4:14 Pavarësisht nga ato që ka thënë ai dëshiron që filipianët të dinë që ata kanë bërë mirë që kanë marrë pjesë në pikëllimin e tij. Kjo ndoshta nënkupton të hollat që ata kishin dërguar për të përballuar nevojat gjatë kohës që ai ishte në burg.

4:15 Në të kaluarën, filipianët ishin të shquar në hirin e të dhënurit. Gjatë ditëve të para të shërbesës së Palit, kur ai u nis nga Maqedonia, asnjë kishë nuk ndau me të financiarisht përveç filipianëve.

Është për t’u vënë re se si këto detaje që duken të parëndësishme janë shënuar përgjithmonë në Fjalën e çmuar të Perëndisë. Kjo na mëson ne se ajo që u jepet shërbëtorëve të Zotit i jepet Zotit vet. Ai është i interesuar edhe në gjënë më të vogël. Ai shënon gjithçka që është bërë si për Të, dhe shpërblen me një masë të mirë, të ngjeshur, gufuese e të tundur.

4:16 Edhe kur ai ishte në Thesaloniki, ata i kishin dërguar jo vetëm një herë, por dy për nevojat e tij. Është e qartë që filipianët jetonin aq afër Zotit saqë Ai ishte në gjendje t’i drejtonte ata në dhënien e tyre. Fryma e Shenjtë kishte vendosur një ngarkesë në zemrat e tyre për apostullin Pal. Ata i ishin përgjigjur kësaj gjëje duke dërguar para tek ai jo vetëm një herë, por dy. Kur ne kujtojmë që Pali ishte në Thesaloniki vetëm për pak kohë, kjo e bën përkujdesjen e tyre akoma më të paharrueshme.

4:17 Në këtë varg tregohet vetmohimi i madh i Palit. Ai ishte më shumë i ngazëllyer nga fitimi i tyre sesa nga dhurata e tyre. Më e madhe sesa dëshira për ndihmë financiare ishte dëshira e tij e zjarrtë që për dobinë e besimtarëve të tepronte fryt. Kjo gjë ndodh pikërisht kur jepen të holla për Zotin. Gjithçka mbahet në librat e llogarive dhe një ditë do të shpërblehen njëqindfish.

Gjithçka që ne kemi i përket Perëndisë dhe kur ne i japim Atij, ne thjesht jemi duke i dhënë Atij atë që është e Tij. Të krishterët që diskutojnë nëse duhet të japin të dhjetën e të hollave të tyre kanë humbur shënjestrën. E dhjeta i ishte urdhëruar Izraelitëve nën ligj si dhurata më e paktë. Në këtë periudhë të hirit, pyetja nuk duhet të jetë, “Sa duhet t’i jap Zotit?”, por për më tepër, “Sa guxoj të mbaj për veten time?” Duhet të jetë dëshira e të krishterit që të jetojë ekonomikisht dhe duke sakrifikuar me qëllim që të japë një pjesë gjithnjë e në rritje të të ardhurave të tij për punën e Zotit, që njerëzit të mund të mos humbin për dëshirën e të dëgjuarit të ungjillit të Krishtit.

4:18 Kur Pali thotë i kam të gjitha, ai nënkupton i kam të gjitha që më nevojiten dhe më teprojnë. Duket e çuditshme në ditët tona të dëgjosh një shërbëtor të Zotit që nuk është duke u lutur për para, e që të pranojë që ka mjaftueshëm. Fushatat e papërmbajtura lypse në ditët e sotme janë një neveri në sy të Perëndisë dhe një turp për emrin e Krishtit. Ato janë plotësisht të panevojshme. Hudson Taylor njëherë tha, “Puna e Perëndisë e bërë në mënyrën e Perëndisë nuk do të ketë kurrë mangut burimet e Perëndisë.” Problemi sot është se ne kemi dështuar të dallojmë midis punës për Perëndinë dhe punës së Perëndisë. Është e mundur të jemi të zënë në të ashtuquajturat shërbesa të krishtera që nuk mund të jenë aspak vullneti i Perëndisë. Aty ku ka tepri parash gjithmonë ekziston rreziku i hyrjes në aventura që nuk kanë miratimin hyjnor. Të citojmë Hudson Taylor edhe një herë: “Ajo që duhet t’i trembemi ne nuk janë fondet e pamjaftueshme, por fondet tepër të pashenjtëruara.”

Dhurata e dashurisë që Epafroditi solli nga filipianët tek Pali është përshkruar si një parfum erëmirë, një fli i pranueshëm, i pëlqyeshëm nga Perëndia. Kur janë përdorur njëherë tjetër këto fjalë i referohen vetë Krishtit (Efesianeve 5:2). Pali i jep dinjitet dhënies sakrifikuese të filipianëve duke e përshkruar ashtu siç e kishte domethënien përpara Perëndisë. Ajo ngjitej si një fli i këndshëm tek Ai. Ishte e pranueshme dhe e pëlqyeshme.

Jowett thërret:

Sa e gjerë, atëherë, është hapësira e një mirësie lokale! Ne menduam se ishim duke i shërbyer një të vobekti, dhe në të vërtetë ne ishim duke biseduar me Mbretin. Ne menduam që era e këndshme do të mbytej në një fqinjësi të parëndësishme, dhe ja, aroma e këndshme vidhet nëpërmes universit. Ne menduam se ishim duke u marrë vetë me Palin dhe shohim se ishim duke i shërbyer Shpëtimtarit dhe Zotit të Palit. [22]

4:19 Tani Pali shton atë që ndoshta është më e njohura dhe më e dashura në gjithë kapitullin. Ne duhet të vëmë re që ky premtim ndjek përshkrimin e shërbesës së tyre besnike. Me fjalë të tjera, ngaqë ata kishin dhënë nga burimet e tyre materiale tek Perëndia, madje deri në pikën ku jeta e tyre rrezikohej, Perëndia do të plotësojë të gjitha nevojat e tyre. Sa e thjeshtë është ta nxjerrësh këtë varg nga konteksti dhe ta përdorësh si një jastëk të butë për të krishterët që i prishin paratë e tyre për vetveten dhe që rrallë mendojnë për punën e Perëndisë! “Po, është e drejtë. Perëndia do të plotësojë të gjitha nevojat tona.”

Ndërkohë që është e vërtetë në një kuptim të përgjithshëm që Perëndia plotëson nevojat e popullit të Tij, ky është një premtim i veçantë që ata që janë besnikë dhe të devotshëm në dhënien e tyre për Krishtin, nuk do të vuajnë kurrë nga mungesa.

Shpesh është shquar që Perëndia plotëson nevojat e popullit të Tij – jo nga pasuria e Tij, por sipas pasurisë së Tij në lavdi në Jezu Krisht. Nëse një milioner do t’i jepte një monedhë 10 lekëshe një fëmije, ai do të kishte dhënë nga pasuria e tij. Por nëse do të jepte njëqind mijë dollarë për ndonjë çështje me vlerë, ai do të kishte dhënë sipas pasurisë së tij. Dhënia e Perëndisë është sipas pasurisë së Tij në lavdi në Jezu Krisht, dhe asgjë s’mund të jetë më e pasur se kjo!

Williams e quan vargun 19 një kartmonedhë e nxjerrë nga banka e besimit:

Perëndia im – emri i Bankierit.

Do të plotësojë – premtimi për pagim.

Të gjitha nevojat tuaja – vlera e kartmonedhës.

Sipas pasurisë së Tij– gjithë kapitali i bankës.

Në lavdi – adresa e bankës.

Në Jezu Krisht – firma në fund, pa të cilën kartmonedha është e pavlerë. [23]

4:20 Të menduarit e sigurimeve të pamasa nga ana e Perëndisë e bën apostullin të shpërthejë në lavdërim. Kjo është një gjuhë e përshtatshme për çdo fëmijë të Perëndisë që çdo ditë përjeton kujdesin e mëshirshëm të Perëndisë, jo vetëm në plotësimin e gjërave materiale, por gjithashtu në sigurimin e drejtimit, ndihmës kundër tundimit dhe gjallërimit të një jete të venitur përsa i përket përkushtimit.


[previous][next]