Personale: Pali mbron autoritetin e tij (Galatasve 1-2)

A. Qëllimi i Palit për të shkruar letrën. (1:1-10)

1:1 Në fillim, Pali ngul këmbë që thirrja e tij si një apostull ishte hyjnore. Ajo nuk lindi nga njerëzit dhe as u kumtua nga Perëndia nëpërmjet ndonjë njeriu. Ajo erdhi drejtpërdrejt nëpërmjet Jezu Krishtit dhe Perëndisë Atit që e ringjalli Atë prej së vdekurish. Një njeri që është pra i thirrur vetëm nëpërmjet Perëndisë dhe që është përgjegjës vetëm ndaj Perëndisë, ka lirinë për të shpallur mesazhin e Perëndisë pa frikën e njeriut. Kështu apostulli ishte i pavarur nga 12 apostujt dhe nga çdokush tjetër, si për mesazhin ashtu dhe për shërbesën e tij.

Në këtë varg, hyjnishmëria e Krishtit është shpallur dhe nënkuptuar së bashku. Ajo është shpallur në shprehjen as me anë të njeriut, por nëpërmjet Jezu Krishtit dhe Perëndisë Atit, duke i vendosur ata në barazi me njëri-tjetrin. Më pas Perëndia At është përmendur si Ai që e ringjalli Jezusin prej së vdekurish. Pali ka arsye të mirë për t’ua kujtuar këtë gjë Galatasve. Ringjallja ishte provë e kënaqësisë së plotë të Perëndisë me veprën e Krishtit për shpëtimin tonë. Me sa duket Galatasit nuk ishin plotësisht të kënaqur me veprën e Shpëtimtarit, sepse po përpiqeshin ta përmirësonin atë duke i shtuar përpjekjet e tyre në zbatimin e ligjit.

Pali ishte thirrur nga Krishti i ringjallur, ndryshe nga të dymbëdhjetë apostujt, të cilët ishin thirrur nga Zoti Jezus gjatë shërbesës së Tij tokësore. Që atëherë, ringjallja përbënte një pjesë të rëndësishme të mesazhit të tij.

1:2 Apostulli e lidh veten me gjithë vëllezërit që ishin me të. Këta vëllezër bashkoheshin në thirrjen për galatasit që ata të mbaheshin fort tek e vërteta e Ungjillit. Kjo letër drejtuar kishave të Galatisë tregon një mungesë të paramenduar ngrohtësie. Zakonisht Pali u drejtohet besimtarëve si “Kisha e Perëndisë,” “të shenjtët” ose “besnikëve në Krishtin Jezus.” Ai shpesh shprehte lavdërime për të krishterët, ose lavdërime për virtytet e tyre. Shpesh ai përmendte individët me emra. Por këtu s’ka asnjë prej këtyre. Serioziteti i gabimit në kishat e Galatisë e bëri atë të ishte i ashpër dhe i ftohtë kundrejt tyre.

1:3 Hiri dhe paqja janë dy nga fjalët më të mëdha të Ungjillit. Hiri është mirësia e Perëndisë e pamerituar kundrejt mëkatarëve të liq. Në vend të kërkimit nga njeriu për të bërë, ai tregon atë që Perëndia ka bërë dhe i fton njerëzit ta marrin shpëtimin si një dhuratë falas. Scofield thotë, “Në vend që të kërkojë për njerëz të mirë të cilët mund t’i pranojë, hiri kërkon njerëz të dënuar, fajtorë të pashpresë që të mund t’i shpëtojë, shenjtërojë dhe lavdërojë.”

Paqja është rezultat i hirit. Kur një mëkatar merr Shpëtimtarin, ai ka paqe me Perëndinë. Ai qëndron në njohjen që dënimi për mëkatet e tij është falur dhe që ai s’do të dënohet kurrë. Por hiri jo vetëm që shpëton, por edhe ruan. Dhe ne kemi nevojë jo vetëm për bekimin e paqes me Perëndinë, por dhe për paqen e Perëndisë. Këto janë bekimet që Pali dëshiron për galatasit në hapjen e letrës së tij. Me siguri që galatasit kuptuan që këto bekime s’mund të vijnë kurrë me anë të ligjit. Ligji solli një mallkim mbi gjithë ata që thyen urdhërimet e tij. Ai nuk solli kurrë paqe qoftë edhe tek një shpirt i vetëm.

1:4 Pali më pas u kujton lexuesve të tij çmimin e madh të shpëtimit të tyre. Vini re fjalët: Zoti ynë Jezu Krisht, që dha veten e Tij për mëkatet tona. Nëse Ai e dha vetveten për të zgjidhur problemin e mëkatit atëherë është si e panevojshme ashtu dhe e pamundur për ne për t’i shtuar një vepre të tillë diçka, apo për të ndihmuar shlyerjen e mëkateve tona duke zbatuar ligjin. Krishti është Shpëtimtari i vetëm dhe i mjaftueshëm, Krishti vdiq për të na shpëtuar nga kjo kohë e mbrapshtë. Kjo përfshin jo vetëm prishjen morale dhe politike të kësaj epoke, por gjithashtu botën fetare që përzien ritet dhe ceremonitë me besimin tek Krishti. Prandaj, ishte veçanërisht koha për t’u kujtuar galatasve që ata po ktheheshin pikërisht në atë sistem nga i cili Krishti kishte vdekur për t’i shpëtuar ata! Shpengimi i Krishtit ishte sipas vullnetit të Perëndisë, Atit tonë. Kjo e vë nderin atje ku i takon – jo në përpjekjet e dobëta të njeriut, por për më tepër, në vullnetin sovran të Perëndisë. Ajo thekson që Krishti është rruga e vetme e Perëndisë për shpëtim dhe nuk ka tjetër.

Vargu 4 duhet të jetë një kujtesë e asaj që Perëndia nuk është i interesuar në përmirësimin e botës, apo në bërjen e njeriut të përshtatshëm për të, por në të çliruarit e njeriut prej saj. Gjërat tona kryesore duhet të përputhen me të Tijat.

1:5 Sipas Ungjillit të hirit, gjithë lavdia për shpëtimin e njeriut i takon Perëndisë Atit dhe Zotit Jezu Krisht. Njeriu nuk mund të ndajë këtë lavdi si një bashkë-shpëtimtar duke zbatuar ligjin.

Çdo frazë në këto pesë vargje është plot kuptim, shumë vërtetësi e shprehur në pak fjalë. Pali ka shpallur në embrion dy subjektet kryesore që do të pushtojnë pjesën tjetër të letrës – autoritetin e tij si një apostull dhe Ungjillin e tij të hirit të Perëndisë. Ai është tani gati për t’i folur direkt galatasve përsa i përket problemit në shqyrtim.

1:6,7 Pali i ballafaqon menjëherë galatasit me gatishmërisë e tyre për të pranuar gabimin. Ai është i habitur se si ata kaq papritur e dorëzuan të vërtetën e Ungjillit dhe në mënyrë solemne ai e quan veprimin e tyre një braktisje të Perëndisë, për një ungjill të rremë. Perëndia i thirri ata në hirin e Krishtit; tani ata po e vinin vetveten nën mallkimin e ligjit. Ata e kishin pranuar Ungjillin e vërtetë; tani po e braktisnin për një ungjill tjetër i cili nuk ishte aspak një lajm i mirë. Ishte një mesazh i shtrembëruar, një përzierje e hirit dhe e ligjit.

1:8,9 Pali shqipton dy herë mallkimin solemn të Perëndisë mbi këdo që predikon një ungjill tjetër. Perëndia ka vetëm një mesazh për mëkatarët e dënuar: Ai ofron shpëtim me anë të hirit, nëpërmjet besimit, plotësisht larg nga zbatimi i ligjit. Ata që shpallin ndonjë rrugë tjetër shpëtimi duhet të dënohen me patjetër. Sa gjë serioze është shpallja e një mesazhi që çon në shkatërrim të përjetshëm të shpirtrave! Pali nuk i toleronte këto mësime të rreme dhe as ne nuk duhet t’i tolerojmë. John Stott paralajmëron:

Ne nuk duhet të jemi të shushatur, siç janë shumë njerëz, nga personat dhuntitë apo mësimet në kishë. Ata mund të vijnë tek ne me një dinjitet të madh, autoritet ose dituri. Ata mund të jenë peshkopë ose arqipeshkë, profesorë universiteti apo edhe vetë papa. Por nëse ata sjellin një ungjill të ndryshëm nga Ungjilli i shpallur nga apostujt dhe i shkruar në Dh.R., ata duhet të kundërshtohen. Ne i gjykojmë ata me anë të Ungjillit; ne nuk gjykojmë Ungjillin me anë të tyre. Ashtu siç shprehet Dr. Alan Cole, “Personi i jashtëm i lajmëtarit nuk vërteton mesazhin e tij; përkundrazi natyra e mesazhit vërteton lajmëtarin.” {{1}}

Vini re që apostulli thotë një engjëll i qiellit, jo “një engjëll nga Perëndia.” Një engjëll i qiellit mund të sjellë në mënyrë bindëse një mesazh të rremë, por një engjëll nga Perëndia nuk mundet. Gjuha nuk mund ta shprehë më qartë unikshmërinë e Ungjillit. Ai është e vetmja rrugë e shpëtimit. Vetëpërpjekjet apo meritat njerëzore nuk kanë pjesë. Vetë Ungjilli ofron shpëtim pa çmim apo lekë. Ndërsa ligji ka një mallkim për ata që dështojnë në zbatimin e tij, Ungjilli ka një mallkim për ata që kërkojnë ta ndryshojnë atë.

1:10 Në këtë pikë Palit ndoshta i kujtohet që armiqtë e tij e akuzonin atë për ndryshim të mesazhit për t’iu përshtatur dëgjuesve të tij, kështu ai pyet, “Duke ngulur këmbë që ka vetëm një ungjill, a po përpiqem unë t’i pëlqej njerëzve apo Perëndisë?” Në fakt ai nuk përpiqej për t’i pëlqyer njerëzve, sepse ata urrenin mendimin që ka vetëm një rrugë që të çon në qiell. Nëse Pali do të kishte ndryshuar mesazhin për t’iu përshtatur njerëzve, ai nuk do të ishte shërbëtor i Krishtit; në fakt ai do të ishte duke ftuar zemërimin e Perëndisë të binte mbi të.

B. Mbrojtja e Palit për Mesazhin dhe Shërbesën e tij. (1:11-2:10)

1:11,12 Apostulli tani paraqet gjashtë argumente në mbrojtje të mesazhit dhe të shërbesës së tij. Së pari, Ungjilli ishte marrë me anë të zbulesës hyjnore dhe në mënyrë të pavarur nga njeriu. Nuk ishte sipas njeriut në kuptimin që atë nuk e krijoi njeriu. Një reflektim i çastit do ta vërtetonte këtë. Ungjilli i Palit bën çdo gjë nga Perëndia dhe asgjë nga njeriu. Ky nuk është lloji i shpëtimit që njerëzit do të sajonin! Pali nuk e mori nga ndonjë njeri tjetër dhe as nëpërmjet librave. Ai i erdhi nga një zbulesë e drejtpërdrejtë nga vetë Jezu Krishti.

1:13, 14 Së dyti, mungesa e përfshirjes së ligjit të Judenjve në Ungjillin e tij, nuk mund t’i vihet paditurisë së Palit mbi Judaizmin. Nga lindja dhe nga përgatitja ai kishte ecur në ligj. Me anë të zgjedhjes individuale, ai u bë një persekutues i dëgjuar i Kishës. Me një zell të zjarrtë për traditat e etërve, ai ua kaloi shumë Judenjve të tjerë të kohës së vet. Prandaj Ungjilli i tij i shpëtimit me anë të besimit pa ligjin s’mund të jetë nga mungesa e diturisë mbi ligjin. Atëherë përse e la jashtë predikimit të tij? Përse Ungjilli i tij kundërshtoi të kaluarën e tij, prirjen e tij të natyrshme, dhe gjithë zhvillimin e tij fetar? Thjesht sepse nuk ishte një pasojë e të menduarit të tij, por i ishte dhënë direkt nga Perëndia.

1:15,17 Së treti, vitet e para të shërbesës së tij kishin vazhduar në pavarësi nga apostujt e tjerë. Pali tani tregon pavarësinë e tij nga njerëzit e tjerë, në lidhje me ungjillin e tij. Pas kthimit të tij në besim, ai nuk mori menjëherë këshillë nga drejtues njerëzorë dhe as u ngjit në Jeruzalem ku ishin apostujt e tjerë. Në vend të kësaj ai shkoi në Arabi e më pas u kthye përsëri në Damask. Vendimi i tij për të shmangur Jeruzalemin nuk ishte nga mosrespekti për shokët e tij apostuj; ishte më tepër sepse ai ishte i ngarkuar me detyrë nga vetë Zoti i ringjallur dhe i ishte dhënë një shërbesë unike për Johebrenjtë (2:8). Kështu Ungjilli dhe shërbesa e tij nuk kishin nevojë për autorizim njerëzor. Ai ishte plotësisht i pavarur nga njeriu.

Disa shprehje në këto vargje meritojnë një konsideratë të veçantë. Vini re shprehjen në vargun 15: Perëndia … më ndau nga barku i nënës. Pali kishte kuptuar që dhe përpara lindjes së tij ai ishte vënë mënjanë nga Perëndia për një punë të veçantë. Ai shton që Perëndia më thirri me anë të hirit të Tij, duke iu drejtuar kthimit të tij në rrugën për në Damask. Nëse ai do të kishte marrë atë që meritonte në atë çast, ai do të ishte flakur në ferr. Por Krishti në hir të mrekullueshëm, e shpëtoi dhe e dërgoi për të shpallur besimin që ai kishte kërkuar të shkatërronte. Në vargun 16 ai tregon që Perëndia kishte qëllim të zbulonte Birin e Tij në të. Kjo na jep ne një pamje të mrekullueshme të qëllimit të Perëndisë në të thirrurit tonë – për të zbuluar Birin e Tij në ne, kështu që ne të mund t’i paraqesim Zotin Jezus botës. Ai zbulon Krishtin në zemrat tona (v16) me qëllim që të mund të shfaqë Krishtin nëpërmjet nesh (v16-23) me qëllim që Perëndia të mund të lavdërohet në këtë shfaqje (v24). Detyra e veçantë e Palit ishte të shpallte Krishtin mes Johebrenjve.

Në vargun 17 ai thotë, “Shkova në Arabi.” Çdo shërbëtor i Zotit ka nevojë për një kohë veçimi dhe meditimi. Moisiu i kaloi 40 vjetët e tij në shkretëtirë. Davidi ishte vetëm me Perëndinë kur ndiqte delet në kodrat e Judesë.

1:18, 20 Së katërti, kur Pali vizitoi më në fund Jeruzalemin, ai takoi vetëm Pjetrin dhe Jakobin. Përveç kësaj, ai ishte i panjohur në kishat në Jude (1:21-24). Për të treguar më tepër pavarësinë e tij nga apostujt e tjerë, Pali tregon që ai nuk e vizitoi Jeruzalemin të paktën tre vjet pas kthimit të tij në besim. Ai u ngjit për të njohur Pjetrin {{2}} – një vizitë personale, jo zyrtare (Veprat e Apostujve 9:26-29). Ndërkohë që ishte atje, ai takoi gjithashtu Jakobin, vëllain e Zotit. Qëndrimi i tij me Pjetrin zgjati vetëm 15 ditë – jo i mjaftueshëm për një kurs përgatitor! Përveç kësaj, teksti tregon që ai ishte në barazi të përsosur me këta shërbëtorë të Zotit.

1:21-24 Pas kësaj, ai kaloi tepër kohë në krahinat e Sirisë dhe Kilikisë – aq sa kishat e Judesë nuk e njihnin atë personalisht. Gjithçka që ata dinin ishte që ky njeri që i kishte trajtuar aq mizorisht të krishterët, tani ishte një i krishterë dhe shpallte Krishtin tek të tjerët. Për këtë ata përlëvduan Perëndinë, për atë që Ai kishte bërë në jetën e Palit. (A e përlëvdojnë të tjerët Perëndinë për ndryshimin në jetët tona?).

2:1 Së pesti, gjatë vizitës së fundit të Palit në Jeruzalem apostujt ishin të një mendjeje që Ungjilli i tij ishte hyjnor (2:1-10). Ngaqë Kisha filloi në Jeruzalem dhe apostujt pak a shumë e bënë atë qytet qendrën e tyre, disa të krishterë mendonin që kisha atje ishte “Kisha mëmë.” Kështu Pali duhet të luftonte me akuzën që ai ishte disi më inferior sepse ai nuk ishte një nga apostujt e Jeruzalemit. Ai përgjigjet me një raport të detajuar të udhëtimit të tij të fundit në Jeruzalem. Nëse kjo ishte 14 vjet pas kthimit të tij në besim apo pas udhëtimit të tij të parë, ne nuk e dimë. Ne dimë që ai mori një zbulesë nga Krishti, për të shkuar së bashku me Barnabën, bashkëpunëtorin e tij, dhe Titin, një johebre i kthyer në besim nëpërmjet shërbesës së Palit. Judaistët kishin ngulur këmbë që Titi të rrethpritej për një shpëtim të plotë. Apostulli Pal u kundërshtua tepër fuqishëm sepse ai kuptoi që e vërteta e Ungjillit ishte në rrezik. (Më pas kur vetë Pali rrethpreu Timoteun, nuk kishte ndonjë princip të rëndësishëm – Veprat e Apostujve 16:3)

E. F. Kevan thotë:

Pali kuptoi që rrethprerja për shfajësim nuk ishte një rit i vogël i pafajshëm, si një njeri i pamend mendonte se ishte. Të pësoje rrethprerjen ishte të kërkoje të ishe i shfajësuar me anë të një mënyre legjitime të zbatimit të ligjit dhe të mohoje kështu themelet e vërteta të hirit. {{3}}

2:2 Kur Pali arriti në Jeruzalem ai u shtjelloi atyre Ungjillin që predikoi ndër Johebrenjtë, por në mënyrë private atyre që kishin më shumë emër, që të mos vrapojë apo vraponte më kot. Pse Pali u kishte folur në mënyrë të veçantë drejtuesve frymërorë dhe jo gjithë asamblesë? A donte që ata të miratonin Ungjillin e tij, në rast se ai do të shpallte diçka të rreme? Sigurisht që jo! Kjo është e kundërta e asaj çfarë ka thënë apostulli. Ai ka ngulur këmbë që mesazhi i ishte zbuluar në mënyrë hyjnore. Ai nuk kishte asnjë dyshim mbi atë që doktrina të cilën ai shpallte ishte e vërteta. Shpjegimi i vërtetë duhet kërkuar diku tjetër. Ishte një çështje e zakonshme respekti t’u flitej pleqve fillimisht. Gjithashtu ishte e dëshirueshme që drejtuesit duhet të ishin plotësisht të bindur përsa i përket vërtetësisë së Ungjillit të Palit. Nëse ata kishin ndonjë pyetje apo vështirësi Pali donte t’u përgjigjej atyre në fillim. Më pas ai mund të shkonte para Kishës me mbështetjen e plotë të apostujve të tjerë. Duke u marrë me një numër të madh njerëzish, gjithmonë ekziston rreziku që thirrjet emocionale do ta ndikojnë grupin. Prandaj Pali dëshironte ta paraqiste Ungjillin e tij privatisht në fillim, në një atmosferë të lirë nga histeria e mundshme e masës. Nëse Pali do të kishte vepruar ndryshe, një përçarje serioze mund të kishte lindur, duke e ndarë Kishën në një krah Jude dhe në një Johebre. Atëherë qëllimi i vizitës së Palit në Jeruzalem do të ishte shkatërruar. Kjo është ajo çfarë ai do të thotë me: që të mos bridhja ose vrapoja më kot.

2:3 Gjithë çështja e legalizmit [një përzierje e hirit dhe e ligjit] doli në krye në rastin e Titit. A duhet ta pranonte Kisha e Jeruzalemit këtë Johebre të kthyer në besim në bashkësinë e saj apo duhet të ngulte këmbë që ai të rrethpritej {{4}} në fillim? Pas një diskutimi dhe debati të konsiderueshëm, apostujt vendosën që rrethprerja nuk ishte e nevojshme për shpëtim. Pali pati një fitore të bujshme. {{5}}

2:4 Arsyeja e fshehur përse Pali u drejtua për në Jeruzalem bëhet e qartë me anë të bashkimit të fillimit të vargut 2 me fillimin e vargut 4: “U ngjita sipas një zbulese … edhe kjo për shkak të vëllezërve të rremë që kishin hyrë tinës.” Kjo i referohet asaj që kishte ndodhur më parë në Antioki (Veprat e Apostujve 15:1,2). Disa mësues Judenj nga Jeruzalemi, që shtireshin si të krishterë, ishin futur tinës në Kishën e Antiokisë dhe u mësonin që rrethprerja ishte thelbësore për shpëtim.

2:5 Pali dhe Barnaba i kundërshtuan ata mjaft ashpër. Për të zgjidhur problemin, Pali, Barnaba dhe të tjerë shkuan në Jeruzalem për të marrë një opinion nga apostujt dhe pleqtë atje.

2:6 Ata që respektoheshin si drejtues atje në Jeruzalem nuk shtuan asgjë tek ai, as tek mesazhi i tij dhe as tek vetë ai si apostull. Kjo ishte e çuditshme. Në kapitullin e mëparshëm, ai kishte theksuar që takimi i tij me apostuj të tjerë kishte qenë minimal. Tani kur ai përfundimisht u këshillua me ta, ata ishin të një mendimi që ai kishte predikuar të njëjtin ungjill si ata. Sa pikë e rëndësishme është kjo! Këta drejtues Judenj u përputhën me mendimin që Ungjilli i tij s’ishte në asnjë mënyrë i gabueshëm. Megjithatë Pali kishte qenë i pavarur nga ata, dhe nuk ishte mësuar prej tyre, përsëri Ungjilli që ata predikonin ishte i njëjtë me të tijin. (Pali nuk kishte ndërmend të nënvlerësonte apostujt e tjerë. Ai thjesht thotë që nuk ka rëndësi se kush ishin. Të quajtur shokë të Zotit Jezus, kur Ai ishte në tokë, nuk u jepte atyre ndonjë autoritet më të lartë në vlerësimin e Palit. Perëndia nuk pranon personin e njeriut përsa i përket dallimeve të tilla të jashtme.)

2:7,8 Apostujt në Jeruzalem kuptuan që Pali, me anë të një favori të pamerituar, ishte urdhëruar ta çonte Ungjillin tek të parrethprerët (Johebrenjtë) ashtu si Pjetri ishte dërguar tek Judenjtë. Të dy shpallnin të njëjtin Ungjill, por kryesisht tek kombësi të ndryshme.

2:9, 10 Madje dhe Jakobi, Kefa (Pjetri) dhe Gjoni, në dukje shtylla të Kishës, njohën që Perëndia po punonte nëpërmjet Palit dhe i dhanë atij dhe Barnabës të djathtat e tyre si shenjë shoqërie në çuarjen e Ungjillit tek Johebrenjtë. Ky nuk ishte një urdhërim zyrtar, por një shprehje e interesit të tyre me dashuri në punën e Palit. I vetmi sugjerim që ata bënë ishte që Pali dhe Barnaba duhet të kujtoheshin për të varfërit, pikërisht atë që edhe Pali kishte ndërmend të bënte.

C. Pali qorton Pjetrin (2:11-21)

2:11 Si përgjigje e gjashtë dhe përfundimtare e Palit ndaj sulmeve drejt apostullimit të tij, ai tregon se si ishte e nevojshme për të të qortonte apostullin Pjetër {{6}} – që konsiderohej nga mjaft të krishterë Judenj si udhëheqësi i apostujve. (Kjo pjesë hedh poshtë me vërtetësi mendimin që Pjetri ishte udhëheqësi i pagabueshëm i Kishës).

2:12 Kur Pjetri erdhi fillimisht në Antioki, ai hante me Johebrenjtë duke gëzuar plotësisht lirinë e tij të krishtere. Nëpërmjet zakonit Jude, ai s’do mund ta kishte bërë këtë. Pak kohë më vonë, një grup erdhi nga Jakobi në Jeruzalem për një vizitë në Antioki. Ata thanë se përfaqësonin Jakobin, por ai më vonë e mohoi këtë gjë (Veprat e Apostujve 15:24). Ka mundësi që ata ishin të krishterë Judenj që ende ishin duke u kapur në disa rite ligjore. Kur mbërritën ata, Pjetri nuk kishte më bashkësi me Johebrenjtë, duke druajtur që lajmi i sjelljes së tij do të kthehej tek klika legaliste në Jeruzalem. Duke bërë këtë, ai po mohonte një nga të vërtetat e mëdha të Ungjillit – që të gjithë besimtarët janë një në Jezu Krishtin, dhe që ndryshimet kombëtare nuk e ndikojnë bashkësinë. Findlay thotë: “Duke refuzuar të hante me të parrethprerët, ai la të nënkuptohej që, edhe pse besimtarë në Krishtin, ata ishin ende për të “të zakonshëm dhe të papastër,” që ritet e ligjit të Moisiut jepnin një shenjtëri më të lartë se drejtësia e besimit.”

2:13 Të tjerët ndiqnin shembullin e Pjetrit, duke përfshirë dhe Barnabën, bashkëpunëtori i vlefshëm i Palit. Duke parë seriozitetin e këtij veprimi, Pali e akuzoi guximshëm Pjetrin për hipokrizi. Qortimi i Palit është dhënë në vargjet 14-21. {{7}}

2:14 Si një i krishterë, Pjetri e dinte që Perëndia nuk njihte më dallimet kombëtare; ai kishte jetuar si një Johebre, kishte ngrënë ushqimet e tyre, etj.. Nëpërmjet refuzimit të tij për të ngrënë me Johebrenj, Pjetri po linte të nënkuptohej që ritet e ligjeve Jude dhe zakonet ishin të nevojshme për shenjtëri dhe që besimtarët Johebrenj duhet të jetonin si Judenj.

2:15 Pali duket që ka përdorur ironi këtu. A nuk tradhtoi sjellja e Pjetrit një bindje të vazhdueshme në lidhje me superioritetin e Judenjve dhe pozicionin e përçmuar të Johebrenjve? Pjetri duhet ta dinte më mirë sepse Perëndia ia kishte mësuar atij përpara kthimit në besim të Johebreut Kornel që të mos quante asnjë të papastër (Veprat 10 dhe Veprat e Apostujve 11:1-18).

2:16 Judenjtë që ishin shpëtuar e dinin që nuk kishte shpëtim në ligj. Ligji dënonte për vdekje ata që dështonin t’i bindeshin atij në mënyrë të përsosur. Kjo solli mallkimin mbi të gjithë, sepse të gjithë kanë thyer urdhëresat e tij të shenjta. Shpëtimtari është paraqitur këtu si objekti i vetëm i vërtetë i besimit. Pali i kujton Pjetrit që “edhe ne Judenjtë” arritëm në përfundimin që shpëtimi është me anë të besimit në Krishtin dhe jo me anë të zbatimit të ligjit. Ç’kuptim kishte tani vendosja e Johebrenjve nën ligj nga Pjetri? Ligji u tha njerëzve çfarë të bënin, por nuk u dha fuqi për t’i bërë gjërat. Ai u dha për të zbuluar mëkatin, jo për të qenë një shpëtimtar.

2:17 Pali, Pjetri dhe të tjerët kishin kërkuar shfajësimin në Krishtin dhe vetëm në Krishtin. Veprimet e Pjetrit në Antioki, megjithatë, dukeshin sikur tregonin që ai nuk ishte shfajësuar në mënyrë të plotë, por që duhet të shkonte përsëri nën ligj për të plotësuar shpëtimin e tij. Nëse është kështu, atëherë Krishti nuk është një Shpëtimtar i përsosur dhe i mjaftueshëm. Nëse ne shkojmë tek Ai për të na falur mëkatet, por më pas duhet të shkojmë edhe në një vend tjetër [për të përsosur shpëtimin], a nuk është Krishti një shërbenjës i mëkatit në dështimin për të përmbushur premtimet e Tij? Nëse ndërkohë që ne jemi të varur haptazi tek Krishti për shfajësim, e më pas kthehemi tek ligji (i cili vetëm sa mund të na dënojë ne si mëkatarë), a veprojmë ne si të krishterë? A mund të shpresojmë ne për miratimin e Krishtit mbi një veprim të tillë që në fakt e bëjnë Atë një shërbenjës të mëkatit? Përgjigjja e Palit është një “Kurrsesi jo!” indinjuese.

2:18 Pjetri kishte braktisur gjithë sistemin ligjor për besimin tek Krishti. Ai kishte mohuar çdo dallim midis Judenjve dhe Johebrenjve kur erdhi të gjente pajtim me Perëndinë. Tani, duke refuzuar të hante me Johebrenj, ai po ndërtonte përsëri atë që e kishte prishur njëherë. Duke bërë kështu, ai provonte se ishte një shkelës. Ose që ishte gabim kur la ligjin për Krishtin, ose që është gabim tani kur po lë Krishtin për ligjin!

2:19 Dënimi për thyerjen e ligjit është vdekja. Si një mëkatar, unë kam thyer ligjin. Prandaj ai më dënoi me vdekje. Por Krishti e pagoi dënimin e ligjit të thyer për mua duke vdekur në vendin tim. Kështu kur Krishti vdiq, unë vdiqa. Ai vdiq për ligjin në kuptimin që Ai përmbushi të gjitha kërkesat e drejtësisë së tij, prandaj në Krishtin edhe unë kam vdekur për ligjin.

I krishteri ka vdekur për ligjin; ai s’ka më punë me të. A do të thotë kjo që besimtari është i lirë të shkelë Dhjetë Urdhëresat sa të dojë ai? Jo, ai jeton një jetë të shenjtë, jo nëpërmjet frikës së ligjit, por me dashurinë e Atij që vdiq për të. Të krishterët që dëshirojnë të jenë nën ligj nuk e kuptojnë që kjo gjë i vendos ata nën mallkimin e tij. Për më tepër, ata s’mund ta prekin ligjin në një pikë pa qenë të përgjegjshëm për ta zbatuar atë plotësisht. E vetmja mënyrë në të cilën ne mund të jetojmë për Perëndinë është me anë të të vdekurit për ligjin. Ligji s’mund të prodhojë kurrë një jetë të shenjtë; Perëndia s’ka pasur kurrë ndërmend që ligji duhet ta bënte një gjë të tillë. Rruga e Tij për shenjtëri është shpjeguar në vargun 20.

2:20 Besimtari është identifikuar me Krishtin në vdekjen e Tij. Jo vetëm Ai u kryqëzua në Kalvar, por edhe unë u kryqëzova atje – në Të. Kjo do të thotë fundi im si mëkatar në sytë e Perëndisë. Do të thotë fundi im si një person që kërkon të meritojë apo fitojë shpëtimin me anë të përpjekjeve të mia. Do të thotë fundi si një fëmijë i Adamit, si një njeri nën dënimin e ligjit, si vetja ime e vjetër dhe e parigjeneruar [parilindur]. “Uni” i vjetër e i lig është kryqëzuar; nuk mund të më kërkojë asgjë në jetën time të përditshme. Kjo është e vërtetë përsa i përket pozicionit tim përpara Perëndisë; e duhet të jetë e vërtetë përsa i përket sjelljes sime.

Besimtari nuk ndalon së jetuari; si një personalitet apo individ. Por ai që shihet nga Perëndia sikur ka vdekur, nuk është i njëjti që jeton. Nuk jam më unë që jetoj, por Krishti që jeton në mua. Shpëtimtari nuk vdiq për mua që unë të mund të vazhdoj të jetoj jetën time si unë dëshiroj. Ai vdiq për mua që tashmë Ai të mund të ketë mundësi të jetojë jetën e Tij në mua. Jeta që unë tani jetoj në këtë trup njerëzor, e jetoj me anë të besimit në Birin e Perëndisë. Besim do të thotë mbështetje ose vartësi. I krishteri jeton nëpërmjet vartësisë së vazhdueshme në Krishtin, duke iu dorëzuar Atij, duke e lejuar Krishtin të jetojë jetën e Tij në të.

Kështu rregulli i jetës së besimtarit është Krishti dhe jo ligji. Nuk është një çështje e vetëpërpjekjes, por besimi. Ai jeton një jetë të shenjtë, jo me frikën e dënimit, por me dashurinë e Birit të Perëndisë që e deshi atë dhe dha veten e Tij për të.

A e ke kthyer ndonjëherë jetën tënde tek Zoti Jezus me lutjen që jeta e Tij të mund të shfaqet në trupin tënd?

2:21 Hiri i Perëndisë shihet në dhuratën e Tij të pakushtëzuar të shpëtimit. Kur njeriu përpiqet ta fitojë atë, e bën të pavlefshëm. S’është më me anë të hirit nëse njeriu e meriton apo e fiton atë. Goditja përfundimtare e Palit për Pjetrin është efektive. Nëse Pjetri mund të fitonte dashamirësinë e Perëndisë nëpërmjet riteve të Judenjve, atëherë Krishti kishte vdekur për asgjë; Ai pra e kishte hedhur kot jetën e Tij. Krishti vdiq sepse njeriu s’mund të fitojë drejtësi në asnjë mënyrë tjetër – as nëpërmjet zbatimit të ligjit.

W.M. Clow thotë:

Herezia më e thellë, që korrupton kishat, mbrun brumin me marrëzi dhe që fryn zemrat njerëzore me krenari, është shpëtimi nëpërmjet veprave. “Unë besoj,” shkruan John Ruskin, “që rrënja e çdo herezie dhe përçarjeje nga të cilat ka vuajtur Kisha e krishtere, ka qenë përpjekja për të fituar shpëtimin, sesa për ta marrë atë; dhe që një arsye përse predikimi është aq i paefektshëm është se ai i fton njerëzit të punojnë për Perëndinë më tepër sesa e sheh Perëndinë duke punuar për ta.” {{8}}

[[1]] (1:8,9) John Stott, Only one Way: The Message of Galatians, fq 27, 28.[[1]] [[2]] (1:18-20) Teksti kritik shkruan Kefa (forma aramaike për Pjetër).[[2]] [[3]] (2:1) E. F. Kevan, The Kewsick Week 1955, fq. 29[[3]] [[4]] (2:3) Rrethprerja është një operacion i thjeshtë kirurgjikal që bëhet tek meshkujt. Kur Perëndia e urdhëroi këtë gjë për Abrahamin dhe pasardhësit e tij, e mendoi atë si një shenjë të besëlidhjes së Tij me ta, pra që Ai do të ishte Perëndia i tyre dhe ata populli i Tij (Zan. 17:1-11). Nuk ishte vetëm një shenjë fizike, por gjithashtu një simbol frymëror. Abrahami u rrethpre si një shenjë që ai i besoi Perëndisë (Rom. 4:11). Judenjtë e harruan shpejt kuptimin frymëror të rrethprerjes dhe e kryenin atë thjesht si një ceremoni. Kështu riti u bë i pavlerë përsa i përkiste Perëndisë.
Në Dh.R. rrethprerja nuk është urdhëruar më, pasi Perëndia tani punon në hir si me Judenjtë ashtu dhe me Johebrenjtë. Në ditët e para të Kishës, një grup besimtarësh Judenj ngulnin këmbë që rrethprerja ishte e domosdoshme për shpëtim. Kështu ky grup u quajt si “rrethprerja” (Gal. 2:12).[[4]] [[5]] (2:3) Një përshkrim i këtij takimi në Jeruzalem është dhënë në Veprat 15. Dhe duhet studiuar me kujdes. [[5]] [[6]] (2:11) shiko shënimin 2. [[6]] [[7]] (2:13) Shenjat e pikësimit janë editoriale. Disa interpretues e përfundojnë citimin këtu dhe e shohin vargjet 15-21 si shpjegimi i mëvonshëm i Palit mbi çfarë ai i tha Pjetrit. [[7]] [[8]] (2:21) W. M. Clow, The Cross in the Christian Experience, fq. 114.[[8]]


[previous][next]