Viti i tretë i shërbesës së Birit të Perëndisë: Perea (Gjoni 10:40-11:57)

A. Kalimi i Jezusit përtej Jordanit (10:40-42)

10:40 Zoti shkoi përsëri përtej Jordanit në atë vend ku kishte nisur shërbesën e Tij publike. Tre vitet e Tij të fjalëve dhe veprave të mrekullueshme po mbaronin. Ai i mbaroi ato aty ku i filloi – jashtë rendit të vendosur të Judaizmit, në një vend të kundërshtimit dhe vetmisë.

10:41 Ata që erdhën tek Ai ishin ndoshta besimtarë të sinqertë. Ata ishin gati të zinin vendin e tyre bashkë me Të, jashtë kampit të Izraelit. Këta ndjekës e kishin vlerësuar shumë Gjon Pagëzorin. Ata mbanin mend që shërbesa e Gjonit nuk ishte spektakolare apo sensacionale, por ishte e vërtetë. Gjithçka që ai pati thënë për Zotin Jezus ishte përmbushur në shërbesën e Shpëtimtarit. Kjo duhet të inkurajojë çdo njeri që është i krishterë. Ne mund të mos jemi në gjendje të bëjmë mrekulli të fuqishme ose të fitojmë vëmendjen e publikut, por të paktën ne mund të japim një dëshmi të vërtetë për Zotin dhe Shpëtimtarin tonë Jezus Krishtin. Kjo ka një vlerë të madhe në sy të Perëndisë.

10:42 Është gjë e bukur të vësh re që pavarësisht nga hedhja poshtë që kombi i Izraelit i bëri Atij, Zoti Jezus gjeti disa zemra të përulura, të cilat e pranuan. Ne na thuhet që shumë veta besuan në Të aty. Kështu ndodh në çdo epokë. Gjithmonë ka një mbetje njerëzish të cilët dëshirojnë të zënë vendin e tyre me Zotin Jezus, të nxjerrë jashtë nga bota, të urryer dhe të sharrë, por duke u kënaqur me përbashkësinë e Birit të Perëndisë.

B. Sëmundja e Llazarit (11:1-4)

11:1 Tani ne vijmë në mrekullinë e fundit të shërbesës publike të Zotit Jezus. Në një farë mënyre, kjo ishte më e madhja nga të gjitha të tjerat – ringjallja e një të vdekuri. Llazari jetoi në një fshat të vogël të Betanisë, rreth 3 km larg Jerusalemit. Betania ishte gjithashtu e njohur si shtëpia e Marisë dhe motrës së saj Martës. Pink citon nga Bishop Ryle:

Le të kemi parasysh që prania e bijve të zgjedhur të Perëndisë është një gjë që i bën qytetet dhe fshatrat të famshme në sy të Perëndisë. Fshati i Martës dhe Marisë është përmendur, ndërkohë që Memfisi dhe Teba nuk janë përmendur në Dhjatën e Re. [34]

11:2 Gjoni shpjegon që Maria ishte ajo që e vajosi me vaj erëkëndshëm Zotin dhe ia fshiu këmbët me flokët e saj. Ky akt i vetëm përkushtimi ishte theksuar nga Fryma e Shenjtë. Zoti e do dashurinë e popullit të Tij.

11:3 Me sa duket, kur Llazari u sëmur, Zoti Jezus ishte në anën lindore të Lumit Jordan. Motrat i çuan fjalë menjëherë, që Llazari të cilin Ai e donte, ishte sëmurë. Ka diçka shumë prekëse në mënyrën sesi këto motra ia paraqitën çështjen e tyre Zotit. Ato përdorën dashurinë që Ai kishte për vëllanë e tyre si një argument të veçantë për të cilin Ai duhet të shkonte dhe t’i ndihmonte.

11:4 Kur Jezusi … tha, “Kjo sëmundje nuk është për vdekje,” Ai nuk donte të thoshte se Llazari nuk do të vdiste, por që vdekja nuk do të ishte rezultati përfundimtar i kësaj sëmundjeje. Llazari do të vdiste, por ai do të ringjallej prej së vdekurish. Qëllimi i vërtetë i sëmundjes ishte për lavdinë e Perëndisë, që nëpërmjet saj të përlëvdohet Biri i Perëndisë. Perëndia e lejoi që kjo gjë të ndodhte, me qëllim që Jezusi të shkonte tek Llazari dhe ta ringjallte, dhe kështu Ai të manifestohej përsëri si Mesia i vërtetë. Njerëzit do ta përlëvdonin Perëndinë për këtë mrekulli të fuqishme.

Nuk mund të thuhet që sëmundja e Llazarit ishte rezultat i ndonjë mëkati të veçantë në jetën e tij. Për më tepër, ai na është prezantuar si një dishepull i përkushtuar dhe një objekt i veçantë i dashurisë së Shpëtimtarit.

C. Udhëtimi i Jezusit për në Betani (11:5-16)

11:5 Kur sëmundja hyn në shtëpinë tonë, nuk kemi përse të arrijmë në përfundimin që Perëndia është i pakënaqur me ne. Këtu sëmundja ishte e lidhur direkt me dashurinë e Tij dhe jo me zemërimin e Tij. “Atë që Ai do, atë edhe e qorton.”

11:6, 7 Ne mund të jemi të prirur për të menduar që nëse Zoti i donte me të vërtetë këta tre besimtarë, Ai do të linte çdo gjë dhe do të nxitonte për në shtëpinë e tyre. Në vend të kësaj, kur Ai dëgjoi lajmin, qëndroi edhe dy ditë në vendin ku ishte. Vonesat e Perëndisë nuk janë mohime. Nëse lutjet tona nuk marrin përgjigje të menjëhershme, ndoshta Ai është duke na mësuar që të presim, dhe nëse presim me durim, ne do të zbulojmë që Ai do t’i përgjigjet lutjeve tona në një mënyrë shumë më të mrekullueshme sesa kishim menduar. As dashuria e Tij për Martën, Marinë dhe Llazarin, nuk mund ta detyronte Krishtin të vepronte përpara kohës së duhur. Gjithçka që Ai bëri ishte në përputhje me vullnetin e Atit të Tij për Të, dhe me orarin hyjnor.

Pas dy ditësh, të cilat mund të jenë dukur si humbje kohe, Zoti Jezus u tha dishepujve që të gjithë duhet të shkonin përsëri në Jude.

11:8 Dishepujt ende ishin në dijeni të faktit të dhimbshëm që Judenjtë kërkuan ta vrisnin me gurë Krishtin, pasi Ai i kishte dhënë dritën e syve atij njeriu të lindur të verbër. Ata u habitën që Ai mendonte të kthehej në Jude duke patur përballë një rrezik të tillë personal.

11:9 Jezusi iu përgjigj atyre si më poshtë: në rrjedhën e zakonshme të ngjarjeve, në ditë ka dymbëdhjetë orë dritë gjatë të cilave njeriu mund të punojë. Për aq kohë sa njeriu punon në këtë periudhë të ndriçuar nuk ka rrezik që të pengohet apo që të bjerë, sepse shikon se ku shkon dhe çfarë bën. Drita e kësaj bote, ose drita e ditës, e ruan atë nga vdekja aksidentale që mund të shkaktohet me anë të pengimit.

Domethënia frymërore e fjalëve të Zotit është si më poshtë: Zoti Jezus ishte duke ecur në bindje të plotë ndaj vullnetit të Perëndisë. Kështu që nuk kishte rrezik që Ai të vritej përpara kohës së caktuar. Ai do të ruhej derisa vepra e Tij të ishte përfunduar.

Në një farë kuptimi, kjo është e vërtetë për çdo besimtar. Nëse ne jemi duke ecur në përbashkësi me Zotin, duke bërë vullnetin e Tij, nuk ka fuqi në këtë tokë që të na vrasë ne përpara kohës së caktuar nga Perëndia.

11:10 Personi që ecën natën është ai që nuk është besnik ndaj Perëndisë, por që jeton sipas vullnetit të tij. Ky njeri pengohet me lehtësi sepse nuk ka drejtim hyjnor për të ndriçuar udhën e tij.

11:11 Zoti e quajti vdekjen e Llazarit gjumë. Megjithatë, duhet të vihet re që në DhR, gjumi nuk është përdorur kurrë për shpirtin por vetëm për trupin. Në Shkrime nuk mësohet që në kohën e vdekjes, shpirti është në gjendje gjumi. Për më tepër, shpirti i besimtarit shkon për të qenë me Krishtin, gjë që është shumë më e mirë. Zoti Jezus zbuloi gjithëdijen e Tij në këtë thënie. Ai e dinte që Llazari ishte tashmë i vdekur, megjithëse raportimi që Ai kishte marrë ishte thjesht mbi sëmundjen e Llazarit. Ai e dinte këtë sepse Ai është Perëndi. Ndërkohë që një njeri i thjeshtë mund ta zgjojë dikë tjetër nga gjumi fizik, vetëm Zoti mund ta zgjonte Llazarin nga vdekja. Këtu Jezusi shprehu qëllimin e Tij për të bërë një gjë të tillë.

11:12 Dishepujt e Tij nuk e kuptuan referimin e Zotit mbi gjumin. Ata nuk e kuptuan që Ai ishte duke folur për vdekjen. Ndoshta ata besonin që gjumi ishte një simptomë e shërimit, dhe arritën në përfundimin që nëse Llazari ishte në gjendje të flinte qetësisht, atëherë ai e kishte kaluar krizën dhe do të shërohej. Vargu mund të nënkuptojë gjithashtu që nëse gjumi fizik ishte e vetmja gjë që nuk shkonte tek Llazari, atëherë nuk ishte e domosdoshme që ata të shkonin në Betani për ta ndihmuar atë. Ka mundësi që dishepujt kishin frikë për sigurinë e tyre dhe e shikonin këtë gjë si një justifikim për të mos shkuar në shtëpinë e Marisë dhe Martës.

11:13, 14 Këtu është thënë qartë që kur Jezusi foli për gjumin, Ai ishte duke iu referuar vdekjes, por që dishepujt e Tij nuk e kishin kuptuar këtë gjë. Në këtë rast nuk mund të ketë një keqkuptim. Jezusi u tha dishepujve të Tij haptas, ” Llazari ka vdekur.” Sa qetësisht e pritën dishepujt këtë lajm! Ata nuk e pyetën Zotin, “Si e di ti?” Ai foli me një autoritet të plotë, dhe ata nuk e vinin në dyshim njohurinë e Tij.

11:15 Zoti Jezus nuk ishte i gëzuar që Llazari kishte vdekur, por ishte i lumtur nuk kishte qenë në Betani në atë kohë. Nëse do të kishte qenë atje, Llazari nuk do të kishte vdekur. Në asnjë vend në DhR nuk është shënuar që një person pati vdekur në prani të Zotit. Dishepujt do të shihnin diçka më të madhe sesa thjesht një mbrojtje nga vdekja. Ata do të shihnin një njeri të ringjallur prej së vdekurish. Në këtë mënyrë, besimi i tyre do të forcohej. Prandaj Zoti Jezus tha se Ai ishte i gëzuar për hir të tyre që nuk kishte qenë në Betani.

Ai shtoi, “që të besoni.” Zoti nuk po linte të kuptohej që dishepujt nuk kishin besuar ende tek Ai. Sigurisht që ata kishin besuar! Por mrekullia që ata do të shihnin në Betani do të forconte shumë besimin e tyre tek Ai. Prandaj Ai i nxiti ata të shkonin me Të.

11:16 Thomai arsyetoi duke thënë se nëse Zoti Jezus do të shkonte në atë zonë, do të vritej nga Judenjtë. Nëse dishepujt do të shkonin me Jezusin, ai ishte i sigurt që edhe ata do të vriteshin. Dhe kështu me një shpirt pesimizmi dhe trishtimi, ai i nxiti ata të gjithë që ta shoqëronin Jezusin. Fjalët e tij nuk janë një shembull i një besimi apo kurajoje të madhe, por për më tepër i një dekurajimi.

D. Jezusi: Ringjallja dhe Jeta (11:17-27)

11:17, 18 Fakti që Llazari kishte qenë në varr për katër ditë, u shtua si një provë për të treguar që ai ishte i vdekur. Vini re se si Fryma e Shenjtë kujdeset për të treguar që ringjallja e Llazarit ishte me të vërtetë një mrekulli. Llazari duhet të kishte vdekur pak më vonë nga nisja e lajmëtarëve që shkuan për të gjetur Jezusin. Ishte rreth një ditë udhëtim nga Betania për në Betabara, vendi ku ndodhej Jezusi. Pasi kishte dëgjuar për sëmundjen e Llazarit, Jezusi ndenji aty edhe dy ditë. Më pas duhej edhe një ditë për të udhëtuar për në Betani. Kjo shpjegon katër ditët gjatë të cilave Llazari ndodhej në varr.

Siç është thënë më parë, Betania ishte rreth pesëmbëdhjetë stade (afërsisht 3 km) në lindje të Jerusalemit.

11:19 Afërsia e Betanisë me Jerusalemin, kishte bërë të mundur që shumë Judenj të vinin tek Marta dhe Maria për t’i ngushëlluar. Ata nuk e dinin që ngushëllimi i tyre do të ishte i panevojshëm pas pak, dhe që kjo shtëpi qarjesh do të kthehej në një shtëpi të mbushur me lumturi.

11:20 Marta sapo e mori vesh që po vinte Jezusi i doli përpara për ta takuar. Takimi ndodhi jashtë fshatit. Nuk na thuhet se përse Maria ndenji në shtëpi. Ndoshta ajo nuk e kishte marrë ende lajmin për ardhjen e Jezusit. Ndoshta ishte e paralizuar nga trishtimi, ose thjesht ishte duke pritur në një frymë lutjeje dhe besimi. A e ndiente ajo atë që do të ndodhte, për shkak të afërsisë që kishte me Zotin? Ne nuk e dimë.

11:21 Ishte besimi i vërtetë ai që e mundësonte Martën të besonte që Jezusi nuk do ta kishte lënë Llazarin të vdiste. E përsëri, besimi i saj nuk ishte i përsosur. Ajo mendoi që Ai mund ta bënte këtë vetëm po të kishte qenë trupërisht i pranishëm. Ajo nuk e kishte kuptuar që Ai mund të shëronte një njeri prej së largu, dhe aq më pak që Ai mund të ringjallte një njeri prej së vdekurish. Shpesh në kohë trishtimi, ne flasim si Marta. Ne mendojmë që nëse një ilaç do të ishte zbuluar, njeriu ynë i dashur nuk do të kishte vdekur. Por të gjitha këto gjëra janë në dorë të Zotit dhe asgjë nuk i ndodh atyre që i përkasin Atij pa lejen e Tij.

11:22 Përsëri besimi i kësaj motre të përkushtuar, shkëlqeu. Ajo nuk e dinte se si Zoti Jezus do t’i ndihmonte, por besonte që Ai do ta bënte një gjë të tillë. Ajo kishte besim që Perëndia do t’ia plotësonte Atij kërkesën dhe që Ai do të nxirrte diçka të mirë nga gjithë kjo tragjedi. Megjithatë, ajo nuk guxonte të mendonte që vëllai i saj do të ngjallej prej së vdekurish. Fjala që Marta përdori për “kërkon” është fjala që normalisht përdoret për të përshkruar një krijesë që i përgjërohet apo lutet Krijuesit. Nga kjo duket qartë që Marta ende nuk e kishte kuptuar hyjninë e Zotit Jezus. Ajo e kishte kuptuar që Ai ishte një Njeri i madh dhe i pazakontë, por ndoshta jo më i madh sesa profetët e hershëm.

11:23 Me qëllim që ta ngrinte besimin e saj më lart, Zoti Jezus shpalli mrekullisht që Llazari do të ringjallej. Është e mrekullueshme të shohësh sesi Zoti merret me trishtimin e kësaj gruaje dhe kërkon ta drejtojë atë hap pas hapi tek Ai i cili është Biri i Perëndisë.

11:24 Marta e dinte që Llazari do të ringjallej prej së vdekurish një ditë, por nuk e kishte menduar që kjo do të ndodhte pikërisht atë ditë. Ajo besonte në ringjalljen e të vdekurve dhe kuptoi që kjo do të ndodhte në atë që ajo e quajti “dita e fundit.”

11:25 Është njësoj sikur Zoti të kishte thënë, “Ti nuk më kupton, Marta. Unë nuk dua të them që Llazari do të ringjallet në ditën e fundit. Unë jam Perëndi dhe kam fuqinë e ringjalljes dhe jetës në dorën Time. Unë mund ta ringjall Llazarin tani, dhe këtë do të bëj.”

Atëherë Zoti pa drejt kohës kur të gjithë besimtarët e vërtetë do të ringjallen. Kjo do të ndodhë në kohën kur Zoti kthehet për të marrë njerëzit e Tij për në qiell.

Në atë kohë do të ketë dy klasa besimtarësh. Ata që kanë vdekur në besim dhe ata që janë gjallë në Kthimin e Tij. Ai vjen për klasën e parë si Ringjallje dhe për klasën e dytë si Jetë. Klasa e parë është përshkruar në pjesën e fundit të vargut 25 – “ai që beson në mua, edhe sikur të duhet të vdesë do të jetojë.” Kjo do të thotë që ata besimtarë që kanë vdekur përpara ardhjes së Krishtit, do të ringjallen prej së vdekurish.

Burkitt shënon:

O dashuri, më e fortë se vdekja! Varri nuk mund ta ndajë Krishtin nga miqtë e Tij. Të tjerët na shoqërojnë deri në buzë të varrit, dhe pastaj na lenë. As jeta dhe as vdekja nuk mund të na ndajnë nga dashuria e Krishtit. [35]

Bengel komenton, “shkon shumë mirë me gjykimin hyjnor fakti që asnjë nuk është llogaritur si i vdekur aty ku Princi i Jetës ishte i pranishëm.”

11:26 Klasa e dytë është përshkruar në vargun 26. Ata që janë gjallë në kohën e kthimit të Shpëtimtarit dhe që besojnë në Të, nuk do të vdesin kurrë. Ata do të shndërrohen në një moment, sa hap e mbyll sytë, dhe do të merren në shtëpi në qiell me ata që janë ringjallur prej së vdekurish. Çfarë të vërtetash të çmuara kanë mbërritur tek ne si rezultat i vdekjes së Llazarit! Perëndia sjell të ëmblën nga e hidhura dhe jep bukuri për diçka që është bërë shkrumb e hi. Më pas Zoti e pyeti Martën për të provuar besimin e saj, “A e beson këtë?”

11:27 Besimi i Martës shkëlqeu me dritën e mesditës. Ajo e rrëfeu Jezusin si Krishtin, Birin e Perëndisë, për të cilin profetët kishin thënë se do të vinte në botë. Dhe ne duhet të vëmë re që ajo e bëri këtë rrëfim përpara se Jezusi të ringjallte vëllanë e saj prej së vdekurish, dhe jo më pas!

E. Jezusi qan te varri i Llazarit (11:28-37)

11:28, 29 Menjëherë pas këtij rrëfimi, Marta nxitoi për në fshat dhe e përshëndeti Marinë me shprehjen, “Mësuesi është këtu dhe po të thërret.” Krijuesi i universit dhe Shpëtimtari i botës kishte ardhur në Betani dhe po e thërriste atë. Dhe e njëjta gjë ndodh edhe sot. Ky Person i mrekullueshëm qëndron dhe thërret njerëz me fjalët e ungjillit. Secili ftohet të hapë derën e zemrës së tij dhe ta lejojë Shpëtimtarin të hyjë aty. Përgjigjja e Marisë ishte e menjëhershme. Ajo nuk humbi kohë, por u çua menjëherë dhe shkoi te Jezusi.

11:30, 31 Jezusi takoi Martën dhe Marinë jashtë fshatit të Betanisë.

Judenjtë nuk e dinin që Ai ishte afër, pasi lajmërimi që Marta i kishte dhënë Marisë ishte i fshehtë. Ishte diçka e zakonshme që ata të kishin arritur në përfundimin që Maria ishte ngritur për të shkuar e për të qarë te varri i Llazarit.

11:32 Maria ra ndër këmbët e Shpëtimtarit. Mund të kishte qenë një akt adhurimi, ose ngaqë ajo kishte qenë shumë e trishtuar. Ashtu si Marta, edhe ajo shprehu keqardhjen që Ai nuk kishte qenë në Betani, pasi po të kishte qenë aty, vëllai i tyre nuk do të kishte vdekur.

11:33 Kur pa Marinë dhe miqtë e saj të trishtuar, Jezusi psherëtiu dhe u trondit. Pa dyshim Ai mendoi për trishtimin, vuajtjen dhe vdekjen që kishin ardhur në botë si rezultat i mëkatit të njeriut. Kjo gjë i shkaktoi Atij trishtim të brendshëm.

11:34 Sigurisht që Zoti e dinte se ku ishte varrosur Llazari, por Ai pyeti me qëllim që të zgjonte kureshtjen e njerëzve, të inkurajonte besim dhe të kërkonte bashkëpunimin e njeriut. Pa dyshim që vajtuesit e drejtuan Zotin te varri me një dëshirë tepër të sinqertë.

11:35 Vargu 35 është vargu më i shkurtër në Biblën anglisht [36]. Është njëri nga tre momentet e DhR ku thuhet se Zoti ka qarë. (Ai qau me trishtim mbi qytetin e Jerusalemit si dhe në kopshtin e Gjetsemanisë). Fakti që Jezusi qau ishte një evidencë mbi natyrën e Tij njerëzore. Ai lëshoi lotë trishtimi kur dëshmoi për efektet e tmerrshme të mëkatit mbi racën njerëzore. Fakti që Jezusi qau në prani të vdekjes tregon se qarja e të krishterëve në humbjen e njerëzve të tyre të dashur, nuk është diçka e papërshtatshme për ta. Megjithatë, të krishterët nuk trishtohen si të tjerët që nuk kanë shpresë.

11:36 Judenjtë panë në lotët e Birit të Njeriut një evidencë të dashurisë së Tij për Llazarin. Sigurisht që ata kishin të drejtë për këtë. Por Ai i donte edhe ata me një dashuri të thellë dhe të pavdekshme, por shumë prej tyre nuk e kuptuan këtë gjë.

11:37 Përsëri prania e Zotit Jezus shkaktoi pyetje midis njerëzve. Disa prej tyre e njohën Atë si Ai që i kishte dhënë dritën e syve një të verbëri. Ata habiteshin sesi Ai nuk kishte mundur ta ruante Llazarin nga vdekja. Pa dyshim që Ai mund ta kishte bërë këtë, por në vend të kësaj do të kryente një mrekulli më madhështore, mrekulli që solli një shpresë më të madhe për shpirtrat që besojnë.

F. Shenja e shtatë: Ringjallja e Llazarit (11:38-44)

11:38 Mund të duket që varri i Llazarit ishte një guvë nën tokë, në të cilin mund të hyje duke zbritur me anë të një shkalle. Një gur ishte vënë në të çarën e guvës. Ndryshe nga ky varr ishte varri i Zotit Jezus, në të mund të hyje dhe të dilje pa ndihmën e ndonjë shkalle. Ishte një varr i punuar në shkëmb, si në faqen e një kodre.

11:39 Jezusi i urdhëroi vështruesit ta hiqnin gurin nga e çara e guvës. Ai mund ta kishte bërë këtë gjë vetë thjesht duke nxjerrë nga goja e Tij një fjalë. Megjithatë, Perëndia zakonisht nuk bën për njerëzit atë çfarë ata mund ta bëjnë vetë për veten e tyre.

Marta u tmerrua nga ideja e hapjes së varrit. Ajo e dinte që trupi i të vëllait kishte qenë atje për katër ditë dhe kishte frikë se mos kishte filluar të prishej. Me sa duket trupi i Llazarit nuk ishte balsamosur. Ai duhet të ishte varrosur atë ditë në të cilën kishte vdekur, siç ishte zakoni i atëhershëm. Fakti që Llazari ishte në varr për katër ditë ishte i rëndësishëm. Nuk kishte mundësi që ai të ishte në gjumë apo t’i kishte rënë të fikët. Të gjithë Judenjtë e dinin që ai kishte vdekur. Ringjallja e tij mund të shpjegohet vetëm si mrekulli.

11:40 Nuk është shumë e qartë koha kur Jezusi pati folur fjalët e vargut 40. Në vargun 23, Ai i tha asaj [Martës] se i vëllai do të ringjallej. Pa dyshim ajo që Ai tha këtu ishte thelbi i asaj që i pati thënë më parë. Vini re renditjen në këtë varg, “Beso … shiko.” Është njësoj si Zoti Jezus të kishte thënë, “Nëse do të besosh, do të më shohësh mua të kryej një mrekulli që vetëm Perëndia mund ta bëjë. Ti do të shohësh lavdinë e Perëndisë zbuluar në Mua. Por së pari ti duhet të besosh dhe më pas do të shohësh.”

11:41 Më pas guri u hoq nga varri. Përpara se të kryente mrekullinë, Jezusi falënderoi Atin e Tij që ia kishte dëgjuar lutjen. Në këtë kapitull nuk na tregohet për ndonjë lutje tjetër të mëparshme të Zotit Jezus. Por padyshim që Ai kishte qenë duke folur me Atin vazhdimisht gjatë kësaj periudhe dhe Ai ishte lutur që Emri i Perëndisë të mund të lavdërohej në ringjalljen e Llazarit. Këtu Ai falënderoi Atin në pjesëmarrjen e kësaj ngjarjeje.

11:42 Jezusi u lut me zë kështu që njerëzit të mund të besonin që Ati e kishte dërguar Atë, që Ati i tha Atij çfarë të bënte dhe të thoshte dhe që Ai gjithmonë vepronte në një vartësi të përsosur ndaj Perëndisë At. Këtu përsëri ne kemi të theksuar unitetin thelbësor të Perëndisë At dhe të Zotit Jezus Krisht.

11:43 Ky është një nga pak momentet në DhR ku është thënë se Zoti Jezus ka thirrur me zë të lartë. Disa thonë që nëse Ai nuk do ta kishte thirrur Llazarin në emër, të gjithë të vdekurit do të kishin dalë nga varret!

11:44 Si doli Llazari? Disa mendojnë që ai eci çalë-çalë jashtë varrit; të tjerët mendojnë që ai eci këmba-dorazi; të tjerë thonë se trupi i tij duhet të kishte qenë i mbështjellë fort me qefinin e vdekjes dhe se duhet të ketë qenë e pamundur për të të ketë dalë nga varri me forcën e tij. Ata sugjerojnë duke thënë se trupi i tij doli nga varri në ajër derisa këmbët e tij prekën dheun përpara Zotit Jezus. Fakti që fytyra e tij ishte mbështjellë me një rizë është shtuar si një provë që tregon se ai kishte qenë i vdekur. Askush nuk mund të kishte jetuar për katër ditë me fytyrë të mbështjellë me një rizë të tillë. Përsëri Zoti fiton pjesëmarrjen e njerëzve duke i urdhëruar ata ta zgjidhnin Llazarin dhe ta linin të shkonte. Vetëm Krishti mund të ringjallë prej së vdekurish, por Ai na jep ne detyrën e heqjes së gurëve të pengesës dhe të zgjidhjes së qefinit të paragjykimeve dhe supersticionit.

G. Judenjtë besues dhe mosbesues (11:45-57)

11:45, 46 Për shumë nga spektatorët aty, kjo mrekulli shpalli në mënyrë të pagabueshme hyjninë e Zotit Jezus Krisht, dhe ata besuan në Të. Kush tjetër veç Perëndisë mund të thërrasë nga varri një trup që kishte qenë i vdekur për katër ditë?

Por efekti i një mrekullie në jetën e një personi varet nga gjendja e tij morale. Nëse zemra e dikujt është e keqe, rebele dhe mosbesuese, ai nuk do të besojë edhe sikur të shihte një të ringjallur prej së vdekurish. Kështu ishte edhe këtu. Disa nga Judenjtë që panë mrekullinë, nuk kishin dëshirë të pranonin Zotin Jezus si Mesian e tyre edhe pse Ai kishte dhënë një provë të tillë. Dhe kështu ata shkuan te Farisenjtë për t’u raportuar atyre atë që kishte ndodhur në Betani. A e bënë ata këtë gjë që Farisenjtë të vinin dhe të besonin në Zotin Jezus? Jo! Për më tepër ata e bënë që Farisenjtë të nxiteshin akoma më shumë kundër Zotit dhe ta vrisnin Atë.

11:47 Atëherë krerët e priftërinjve dhe Farisenjtë mblodhën Sinedrin për të diskutuar mbi vendimin që duhet të merrnin. Pyetja “Ç’të bëjmë?” do të thotë “Si do të veprojmë për këtë gjë? Pse jemi kaq të ngadaltë në veprim? Ky Njeri po bën shumë mrekulli, dhe ne nuk po bëjmë asgjë për ta ndaluar.” krerët e Judenjve i thanë këto fjalë për dënim të tyre. Ata e pranuan që Zoti Jezus po bënte shumë shenja. Atëherë përse nuk besonin në Të? Ata nuk dëshironin të besonin sepse preferonin mëkatet e tyre në vend të Shpëtimtarit.

Ryle thotë:

Ky është një pranim i mrekullueshëm. Madje edhe armiqtë më të këqinj të Zotit tonë rrëfejnë që Zoti ynë bëri mrekulli, dhe shumë të tilla. A mund të dyshojmë ne që ata do ta ishin mohuar të vërtetën e këtyre mrekullive nëse do të ishte dhënë mundësia? Por nuk duket se ata janë përpjekur për ta bërë këtë. Mrekullitë ishin aq të shumta, aq publike dhe aq të përfolura saqë ata nuk guxonin t’i mohonin ato. Atëherë si munden skeptikët dhe femohuesit e sotëm të flasin për mrekullitë e Zotit tonë si të ishin iluzione dhe mashtrime; ata do bënin mirë të jepnin një shpjegim! Nëse farisenjtë që jetonin në kohën e Zotit dhe që nuk lanë gurë pa lëvizur për të kundërshtuar përparimin e Tij nuk guxuan kurrë të hidhnin poshtë faktin që Ai kreu mrekulli, është absurde të fillosh të mohosh mrekullitë e Tij tani, pasi kanë kaluar 18 shekuj. [37]

11:48 Krerët e ndjenë që nuk mund të rrinin më pa bërë diçka. Nëse nuk do të ndërhynin, turma e njerëzve do të bindej nga mrekullitë e Jezusit. Nëse njerëzit do ta njihnin Jezusin si Mbretin e tyre, kjo do të krijonte probleme me Romën. Romakët do të mendonin që Jezusi kishte ardhur për të hedhur poshtë perandorinë e tyre; atëherë ata do të hidheshin në sulm për të ndëshkuar Judenjtë. Shprehja “do të shkatërrojnë vendin dhe kombin tonë” do të thotë që Romakët mund të shkatërronin tempullin dhe të shpërndanin Judenjtë. Këto gjëra ndodhën në vitin 70 e.s. – megjithatë, jo se Judenjtë pranuan Zotin, por sepse e hodhën poshtë Atë.

F. B. Meyer ka thënë:

Krishterimi vë në rrezik bizneset, hedh në erë tregje me përfitim, por të këqija, i vjedh blerësit nga idhujt e djallit, sulmon interesat me pushtet dhe e kthen botën kokëposhtë. Është një gjë e lodhshme, e mërzitshme dhe shkatërruese fitimesh. [38]

11:49, 50 Kajafa ishte kryeprift nga viti 26 deri 36 e.s.. Ai drejtoi gjyqin fetar që iu bë Zotit dhe ishte i pranishëm kur Pjetri dhe Gjoni u çuan përpara Sinedrit në Veprat e Apostujve 4:6. Ai nuk ishte një besimtar në Zotin Jezus, pavarësisht nga fjalët që thotë ai këtu.

Sipas Kajafës, kryepriftërinjtë dhe farisenjtë e kishin gabim kur mendonin që Judenjtë do të vdisnin për shkak të Jezusit. Për më tepër, ai parashikoi që Jezusi do të vdiste për kombin Jude. Ai tha se do të ishte më mirë që Jezusi të vdiste për popullin sesa i gjithë populli të kishte probleme me Romakët. Duket sikur Kajafa e kishte kuptuar arsyen e ardhjes së Jezusit në botë. Duket që Kajafa e kishte pranuar Jezusin si Zëvendësues për mëkatarët – doktrina themelore e Krishterimit. Por fatkeqësisht, nuk është kështu. Ajo që ai tha ishte e vërtetë, por ai vetë nuk besoi tek Jezusi për shpëtimin e shpirtit të tij.

11:51, 52 Kjo shpjegon përse Kajafa tha atë që bëri. Ai nuk e tha këtë nga vetja, pra ai nuk i shpiku vet këto gjëra. Ai nuk foli nga vullneti i tij. Për më tepër, mesazhi që ai shpalli i ishte dhënë nga Perëndia, me një mesazh shumë më të thellë nga ai që synoi të thoshte Kajafa. Ishte një profeci hyjnore që Jezusi do të vdiste për popullin e Izraelit. Kjo iu dha Kajafës sepse ai ishte kryeprift i atij viti. Perëndia foli nëpërmjet tij për shkak të funksionit që kishte dhe jo për shkak të drejtësisë së tij, sepse ai vetë ishte një njeri mëkatar.

Profecia e Kajafës nuk ishte Zoti do të vdiste vetëm për kombin e Izraelit, por për t’i mbledhur në një të gjithë të zgjedhurit Johebrenj nga e gjithë bota. Disa mendojnë që Kajafa ishte duke iu referuar Judenjve të shpërndarë në të gjithë tokën, por ka më shumë mundësi që ai të ketë qenë duke i referuar Johebrenjve që do të besonin në Krishtin me anë të predikimit të ungjillit.

11:53, 54 Farisenjtë nuk ishin të bindur nga mrekullia e Betanisë. Për më tepër, ata ishin shumë më armiqësorë ndaj Birit të Perëndisë. Që nga ajo ditë ata vendosën ta vrasin me një vendosmëri më të madhe.

Duke parë rritjen e armiqësisë së Judenjve, Zoti Jezus shkoi në një qytet të quajtur Efraim. Ne nuk e dimë se ku ndodhej Efraimi, përveç faktit se ai ndodhej në një vend të qetë afër shkretëtirës.

11:55 Shpallja që Pashka e Judenjve ishte afër na kujton se po vijmë drejt fundit të shërbesës publike të Zotit. Ishte pikërisht gjatë kësaj Pashke që Ai do të kryqëzohej. Njerëzit duhet të ngjiteshin në Jerusalem përpara Pashkës për t’u pastruar. Për shembull, nëse një Jude kishte prekur trupin e një të vdekuri, ishte e domosdoshme për të të kryente disa rite fetare me qëllim që të pastrohej nga ndotja. Ky pastrim bëhej nëpërmjet disa pastrimeve dhe ofertave. Gjëja e trishtueshme është që Judenjtë ishin duke kërkuar të pastronin vetveten, ndërkohë që në të njëjtën kohë ishin duke planifikuar vdekjen e Qengjit të Pashkës. Çfarë shfaqje e tmerrshme e ligësisë së zemrës së njeriut!

11:56, 57 Ndërkohë që populli u mblodh në tempull, ata filluan të mendojnë për Mrekulli-bërësin Jezus, i cili kishte qenë në vendin e tyre. Një diskutim u ngrit mes tyre duke thënë nëse Ai do të vinte në festë apo jo. Në vargun 57 është dhënë arsyeja përse disa prej tyre mendonin që Ai nuk do të vinte.

Nga kryeprifti dhe farisenjtë kishin dalë urdhëra zyrtarë për arrestimin e Jezusit. Kushdo që dinte diçka rreth Tij ishte urdhëruar të njoftonte autoritetet kështu që ata të mund ta kapnin dhe ta vrisnin.


Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)

  1. (11:1) Arthur W. Pink, Exposition of the Gospel of John, III:12. ↵ Kthehu mbrapa
  2. (11:25) Burkitt, dokumentacion i mëtejshëm. ↵ Kthehu mbrapa
  3. (11:35) Vargu më i shkurtër në DhR Greke është në kundërshtim me spektrin emocional që përmban, “Gëzohuni gjithmonë” (Pantote chairete, 1 Thes. 5;16). ↵ Kthehu mbrapa
  4. (11:47) J. C. Ryle, Expository Thoughts on the Gospels, St. John, II:295. ↵ Kthehu mbrapa
  5. (11:48) Meyer, Tried, f. 112. ↵ Kthehu mbrapa