Habakuku lutet dhe beson (Habakuku 3)

A. Ai i drejtohet Perëndisë që të veprojë për popullin e Tij (3:1,2)

Habakuku tashmë i lutet Zotit. Ai kishte dëgjuar për sjelljen e Zotit në të shkuarën me armiqtë e popullit të Tij; tashmë ai i kërkon Atij të ringjallet vepra e Tij, duke ndëshkuar armiqtë e Tij dhe të shpëtojë popullin e Tij.

B. Ai përmbledh kujdesin e Perëndisë për Izraelin nga Egjipti për në Kanaan (3:3-15)

3:3-7 Në një vegim të shkëlqyer të sovranitetit të Perëndisë, të cilin Skroxhiu (Scroggie) e quan një “Odë teofanike” [9] (këngë rreth shfaqjes së Perëndisë), Habakuku parafytyron Perëndinë që marshon kundër armiqve të Tij, duke i shtypur ata me anë të fuqisë së Tij dhe duke triumfuar lavdishëm. Ai bën aluzione të shpeshta për ndëshkimin e lashtë të Zotit ndaj armiqve të Izraelit, gjykimin e Egjiptit në kohën e Eksodit, vendet që iu kundërvunë Izraelit rrugës për në Tokën e Premtuar dhe kombet që u dëbuan nga Kanaani prej Jozueut.

Në pjesën e parë të lutjes lavdia dhe shkëlqimi i Perëndisë shihen si në qiej, ashtu edhe në tokë.

Hollësitë gjeografike (Temani, mali Paran, Kushani dhe Madiani) flasin për armiqtë e Izraelit. Për shembull, Temani, një qytet i madh në Edom, përfaqëson tërë Idumenë dhe Kushani mund të jetë i njëjtë me “Kushin” apo Etiopinë.

3:8-11 Fuqia e Perëndisë theksohet në këto fjalë, sidomos siç është shfaqur mbi lumenjtë, detet dhe malet.

Vargu 11 i referohet ngjarjes së famshme në Gabaon, gjatë së cilës Zoti kreu një mrekulli të madhe në qiell për të ndihmuar Jozueun që të fitonte betejën (Joz. 10:12).

3:12,15 Këtu Perëndia shihet duke marshuar përmes dheut për Izraelin dhe duke shkelur armiqtë e tij në zemërim.

Referimi në v. 15 është për kalimin e Detit të Kuq (Eks. 14), kur pati një masë të madhe ujërash në të dyja anët e popullit të Perëndisë ndërsa marshuan përmes si në tokë të thatë. Habakuku shikon në vegim Perëndinë duke lëvizur me kuajt e Tij përmes detit.

C. Ai pret që armiku të ndëshkohet (3:16)

Kur profeti dëgjoi për gjykimin e pushtuesve babilonas, ai u drodh dhe vendosi të priste në heshtje që të ndodhte ajo ngjarje.

D. Ai do të besojë në Perëndinë, forcën e tij, pavarësisht se çfarë do të ndodhë (3:17-19)

Ndërkohë, pavarësisht nga çfarëdolloj prove që është thirrur të durojë Habakuku dhe populli i tij, si rrjedhojë e pushtimit babilonas (ndonëse fiku nuk do të lulëzojë dhe arat nuk do të japin më ushqim…, dhe nuk do të ketë më qe në stalla), ai do të ngazëllohet te Zoti dhe do të gëzohet te Perëndia i shpëtimit të vet. Baksteri shpall:

Përkthimi i fjalëpërfjalshëm është: “Do të kërcej për gëzimin në Zotin; do të vërvitem për harenë në Perëndinë”. Këtu është hareja e besimit! Gëzimi në kulmin e tij në rrethanat më të këqija! Çfarë fitoreje! Qoftë e jotja kjo fitore! [10].

SHËNIME
[4] (1:5-11) Feinberg, Habakkuk, f. 17.

[5] (1:12-17) J. E. Evans, nuk janë të mundura të dhëna të mëtejshme.

[6] (2:3) A. J. Pollock, nuk janë të mundura të dhëna të mëtejshme.

[7] (2:5) C. F. Keil, “Habakkuk”, te Biblical Commentary on the Old Testament, vëll. 25, f. 74,75.

[8] (Kapitulli 3) Ky kapitulli i dashur u bë melodi nga judenjtë dhe përdorej në shërbesën e adhurimit.

[9] (3:3-7) Scroggie, “Habakkuk”, te Know Your Bible, vëll. 1, The Old Testament, f. 196.

[10] (3:17-19) J. Sidlow Baxter, Explore the Book, f. 212.

BIBLIOGRAFI

De Haan, Richard W. Song in the Night. Grand Rapids: Radio Bible Class (libërth), 1969.

Feinberg, Charles Lee. Habakkuk, Zephaniah, Haggai and Malachi. Nju-Jork: American Board of Missions to the Jews, 1951.

Kelly, William. Lectures Introductory to the Study of the Minor Prophets. Londër: C. A. Hammond Trust Bible Depot, pa datë botimi.

Keil, C. F. “Habakkuk”, te Biblical Commentary on the Old Testament. Vëll. 25, Grand Rapids: Wm. B. Eerdmans Publishing Company, 1971.

Scroggie, W. Graham. “Habakkuk“, te Know Your Bible. Vëll. 1, The Old Testament. Londër: Pickering & Inglis, i kufizuar, pa datë botimi.

Tatford, Frederick A. The Minor Prophets. Vëll. 3, ribotim (3 vëll.). Minneapolis: Klock & Klock Christian Publishers, 1982.


[previous][next]