Tashmë habakuku pyet Perëndine për zgjedhjen e tij të një kombi më të lig për të ndëshkuar Judën (Habakuku 1:12-17)

Kur Habakuku e dëgjoi një gjë të tillë, u shqetësua dhe trazimi i tij solli në dritë dialogun e tij të dytë (1:12-2:20). Si mund ta ndëshkonte Perëndia Judën me një komb që ishte më i keq se ata? Ai diskuton me Perëndinë mbështetur në njohjen e vet se Perëndia i ka sytë tepër të pastër për të parë të keqen dhe nuk e shikon dot paudhësinë. Dhe babilonasit ishin pa dyshim të ligj! Megjithatë, paudhësia e Judës ishte më e madhe, meqë judenjtë po mëkatonin kundër një drite më të madhe. Si mund ta shikonte Perëndia paudhësinë e babilonasve ndërsa i merrnin njerëzit robër me shumicë, edhe me grep dhe me rrjetën? Ata u flijonin idhujve të tyre dhe shëndosheshin. A nuk do të kishin fund vrasjet e tyre të kombeve? J. E. Evans shpjegon: Një analogji është nxjerrë nga jeta e peshkatarit. Njerëzit ishin si peshq të cilët peshkatari i mblidhte në rrjetën e vet dhe pastaj i paguante nderet hyjnore rrjetës nga e cila ishte pasuruar. Në këtë krahasim bota ishte deti, kombi ishin peshqit, Nebukadnetsari ishte peshkatari, rrjeta ishte fuqia ushtarake e kaldeasve, me anë të së cilës mundi të fitonte pasuri të madhe përmes pushtimit [5].