A. Kryepriftëria e Krishtit më e lartë se ajo e Aaronit (4:14-7:28)
4:14 Këto vargje shtjellojnë përsëri rrjedhën e fortë të mendimit të shkrimtarit që ka filluar te 3:1 – Krishti si një kryeprift i madh i njerëzve të Tij. Ato e paraqesin Atë si burimin e madh të popullit të Tij në nevojë, i zoti që t’i ruajë ata nga rënia. Gjithashtu ato na mësojnë jo vetëm që Zoti është “shqyrtuesi” por edhe që Ai është “Ngushëlluesi”. D.m.th., kur fjala na zbulon (v. 12,13), ne mund të shkojmë tek Ai për mëshirë dhe hir.
Vini re shkëlqimet e Zotit tonë të mrekullueshëm:
1. Ai është një kryeprift i madh. Kishte shumë kryepriftërinj sipas ligjit të Moisiut, por asnjë prej tyre nuk u quajt i madh.
2. Ai ka përshkuar qiejt atmosferikë dhe qiellin e yjësisë për në qiellin e tretë, vendbanimin e Perëndisë. Kjo na flet, sigurisht, për ngjitjen dhe përlëvdimin e Tij në të djathtën e Perëndisë.
3. Ai është njeri. Jezus ishte emri që iu dha kur u lind dhe është emri që lidhet në veçanti me anën e Tij njerëzore.
4. Ai është hyjnor. Emri Biri i Perëndisë, kur përdoret për Krishtin, na flet për barazinë e Tij absolute me Perëndinë Atë. Ana e Tij njerëzore e bëri Atë plotësisht të aftë nga pikëvështrimi ynë; hyjnia e Tij, nga pikëvështrimi i Perëndisë. Pa u çuditur Ai quhet Kryeprift i madh.
4:15 Gjithashtu duhet të marrim parasysh përvojën e Tij. Askujt nuk mund t’i vijë keq me të vërtetë për dikë tjetër nëse nuk ka kaluar më parë të njëjtën përvojë. Si Njeriu, Zoti ynë ka kaluar të njëjtat përvoja dhe prandaj mund të kuptojë provat që po durojmë (Atij nuk mund t’i vijë keq për të ligat tona, sepse Ai nuk ka bërë asnjë të keqe).
Në çdo dhembje të fortë që kap zemrën,
Njeriu i Brengave ka gjithmonë pjesë.
Ai u tundua në të gjitha ashtu si ne, por pa mëkatuar. Shkrimi ruan përsosurinë e pamëkatë të Zotit Jezus me kujdes të madh, edhe ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë. Ai nuk njihte mëkat (2 Kor. 5:21), Ai nuk bëri asnjë mëkat (1 Pjetrit 2:22) dhe në Të nuk ka mëkat (1 Gjonit 3:5).
Ishte e pamundur që Ai të mëkatonte, qoftë si Perëndi, qoftë si Njeri. Si Njeriu i përsosur, Ai nuk mund të bënte asgjë prej vetvetes; Ai ishte plotësisht i bindur ndaj Atit (Gjo. 5:19), dhe me siguri Ati nuk do ta linte kurrë të mëkatonte.
Të vësh në diskutim se tundimi i Tij nuk ishte domethënës nëse Ai nuk do të mëkatonte është e gabuar. Një ndër qëllimet e tundimit ishte të tregonte së fundi se Ai nuk mund të mëkatonte [3].
Nëse do të provonit arin, prova nuk është më pak e vlefshme nëse ari është i pastër. Nëse do të kishte papastërti, prova do ta tregonte. Në mënyrë të ngjashme është e gabuar të vëmë në diskutim se nëse Ai nuk mund të mëkatonte, Ai nuk ishte njeri i përsosur. Mëkati nuk është një element thelbësor për njerëzimin; për më tepër është një element i ndërfutur. Ana jonë njerëzore është prishur nga mëkati; e Tija është anë e përsosur njerëzore.
Nëse Jezusi do të mëkatonte si një Njeri në tokë, çfarë do të pengonte të mëkatuarit e Tij si Njeri në qiell? Ai nuk e la anën e Tij njerëzore kur u ngrit në të djathtë të Atit. Ai nuk mund të mëkatonte kur ishte këtu në tokë dhe nuk mund të mëkatojë duke qenë në parajsë.
4:16 Tani na ofrohet një ftesë prej hirit: ‘Le t’i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit“. Guximi ynë bazohet mbi faktin që Ai vdiq që të na shpëtonte dhe tani Ai rron që të na ruajë. Kemi një siguri që Ai na pret me padurim sepse Ai vetë na ka urdhëruar t’i afrohemi.
Njerëzit në DhV nuk mund t’i afroheshin. Vetëm kryeprifti mund t’i afrohej, dhe vetëm një ditë gjatë gjithë vitit. Tani mund të vijmë në praninë e Tij në çdo kohë që të marrim mëshirë e të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohë nevoje. Mëshira e Tij mbulon gjërat që nuk duhet të kishim bërë dhe hiri i Tij na fuqizon të bëjmë atë që duhet të bëjmë por që nuk kemi fuqinë për ta bërë.
Morgan-i shkruan për të na ardhur në ndihmë:
Nuk lodhem kurrë së treguari se fjalia greke e përkthyer “në kohë nevoje” është një përdorim joformal nga e cila “në kohën e duhur” është e barasvlershmja e saktë. “Që të marrim mëshirë e të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohën e duhur” – hir kur dhe ku kam nevojë. Ju sulmoheni nga tundimet. Në çastin e sulmit hidhni vështrimin nga Ai dhe hiri ndodhet atje për të të ardhur në ndihmë në kohën e duhur. Nuk ka shtyrje afati për kërkesën tuaj deri në orën tuaj të lutjes së mbrëmjes. Por atje, në ndonjë rrugë të qytetit, duke pasur përballë tundimin, kthehu nga Krishti duke i kërkuar ndihmë dhe hiri do të jetë atje në kohën e duhur [4].
Deri në këtë pikë, Jezusi është paraqitur më i lartë se profetët, engjëjt dhe Moisiu. Tani do të kthehemi te tema e rëndësishme e priftërisë për të parë se priftëria e lartë e Krishtit është e një rendi më të lartë se ajo e Aaronit.
Kur Perëndia i dha ligjin Moisiut në malin Sinai, Ai caktoi një priftëri njerëzore me anë të së cilës populli mund t’i afrohej Atij. Ai caktoi që priftërinjtë të rridhnin nga fisi i Levit dhe nga familja e Aaronit. Ky rend njihet si priftëria Levitiku apo priftëria e Aaronit.
Një priftëri tjetër e caktuar nga Perëndia përmendet në DhV, ajo e patriarkut Melkisedek. Ky njeri jetoi në kohën e Abrahamit, shumë kohë para se të jepej ligji dhe shërbeu qoftë si mbret, qoftë si prift. Në pjesën që vjen më pas, autori do të tregojë se Zoti Jezu Krisht është një prift sipas rendit të Melkisedekut dhe se ky rend është më i lartë se priftëria e Aaronit.
Në katër vargjet e para kemi një përshkrim të priftit sipas rendit të Aaronit. Pastaj te vargjet 5-11 jepet me hollësi përshtatshmëria e Krishtit si prift, kryesisht duke e krahasuar me të parën.
5:1 Cilësimi i parë i priftit sipas rendit të Aaronit ishte se ai zgjidhej prej njerëzve. Me fjalë të tjera, ai duhej të ishte vetë njeri.
Ai u caktua mbi njerëzit në lidhje me Perëndinë. Ai i përkiste një rendi të veçantë të njerëzve që shërbyen si ndërmjetësues midis njerëzve dhe Perëndisë. Një ndër funksionet e tij kryesore ishte për të ofruar dhurata dhe flijime për mëkatet. Dhuratat i referohen çdo lloj oferte që i paraqitej Perëndisë. Flijimet i referohen atyre ofertave të veçanta, gjaku i të cilave derdhej si shlyerje për mëkatet.
5:2 Ai pati dhembshuri për dobësitë njerëzore dhe u soll me butësi me të paditurit dhe të gënjyerit. Mishi i tij i dobët e bën të aftë të kuptojë problemet që po hasin njerëzit e tij.
Referimi në këtë varg për të paditurit dhe të gënjyerit është një kujtesë se flijimet në DhV ishin për mëkatet e pavullnetshme. Nuk ishte parashikuar gjë në ligj për mëkatet e vullnetshme.
5:3 Por ndërsa qenia e tij njerëzore ishte një përparësi në atë që njëjtësonte priftin me popullin, ana e tij njerëzore mëkatare ishte një mangësi. Atij i duhej të ofrojë flijime për fajet . . . për veten e tij, po ashtu për popullin.
5:4 Detyra e priftit nuk ishte diçka që njerëzit e zgjidhnin si një profesion. Ata duhet të thirreshin në detyrë nga Perëndia, sikurse Aaroni. Thirrja e Perëndisë ishte e kufizuar vetëm për Aaronin dhe pasardhësit e tij. Asnjë përveç asaj familjeje nuk mund të shërbente në tabernakull apo në tempull.
5:5 Shkrimtari tani kthehet te Krishti dhe tregon përshtatshmërinë e Tij si prift, për shkak të detyrës së Tij hyjnore, karakterit njerëzor të Tij të shfaqur dhe cilësive të Tij të fituara.
Për sa i përket detyrës së Tij, burimi i Tij ishte në Vetë Perëndinë. Ajo ishte një thirrje sovrane, që nuk kishte të bënte me gjenealogjinë njerëzore. Ajo përfshinte një marrëdhënie më të mirë sesa kishte çdo prift tokësor. Prifti ynë është Biri i Perëndisë, i lindur nga përjetësia, i lindur në mishërim dhe i lindur në ringjallje.
5:6 Pastaj priftëria e Krishtit është e një rendi më të mirë, sepse te Psalmi 110:4 Perëndia e shpall Atë prift përjetë, sipas rendit të Melkisedekut. Ky superioritet do të shpjegohet më tej në kapitullin 7. Mendimi i qartë këtu është se, në dallim nga priftëria sipas rendit të Aaronit, kjo është përjetë.
5:7 Krishti nuk është vetëm Biri i pamëkatë i Perëndisë; Ai është gjithashtu Njeri i vërtetë. Shkrimtari i referohet larmisë së përvojave njerëzore me anë të të cilave Ai kaloi në ditët e mishit të tij për të provuar këtë. Vini re fjalët e përdorura për të përshkruar jetën e Tij dhe në mënyrë të veçantë përvojën e Tij në Kopshtin e Gjetsemanit: me klithma të larta dhe me lot, i ofroi lutje dhe urata. Këto flasin për karrierën e Tij si një Njeri i varur, që jeton nën bindje ndaj Perëndisë dhe që përjeton të gjitha emocionet e njeriut që nuk kanë të bëjnë me mëkatin.
Lutja e Krishtit nuk ishte që Ai të shpëtohej nga kryqëzimi, sepse, mbi të gjitha, të vdiste për mëkatarët ishte qëllimi i ardhjes së Tij në botë (Gjon. 12:27). Lutja e Tij qe që Ai të çlirohej nga vdekja (versioni JND), që shpirti i Tij të mos lihej në Hades. Kjo lutje mori përgjigje kur Perëndia e ringjalli prej së vdekurish. Ai u dëgjua për shkak të frikës së tij nga Perëndia.
5:8 Përsëri vihemi përballë me atë mister të thellë të mishërimit – si mund të bëhej Perëndia Njeri që të vdiste për njerëzit.
Edhe pse ishte Bir, ose më mirë, megjithëse ishte Bir– Ai nuk ishte një Bir, që do të thotë, një si të tjerët, por Ai ishte Biri i vetëmlindur i Perëndisë. Në dallim me këtë fakt të mrekullueshëm, mësoi të jetë i bindur nga ato që pësoi. Hyrja e Tij në këtë botë si një Njeri e shtyu në përvoja që nuk do t’i kishte njohur kurrë nëse do të kishte ndenjur në qiell. Çdo mëngjes veshi i Tij rrinte hapur për të marrë udhëzime nga Ati i Tij për atë ditë (Is. 50:4). Mësoi të jetë i bindur duke e përjetuar vetë si Bir, duke qenë gjithmonë i nënshtruar ndaj vullnetit të Atit të Tij.
5:9 Dhe, si u bë i përkryer. Kjo nuk mund t’i referohet karakterit të Tij vetjak, sepse Zoti Jezus ishte plotësisht i përsosur. Fjalët, veprat dhe rrugët e Tij ishin plotësisht të panjolla. Në çfarë kuptimi, pra, u bë Ai i përkryer? Përgjigjja është në detyrën e Tij si Shpëtimtari ynë. Ai nuk do të ishte bërë kurrë Shpëtimtari i përkryer nëse do të kishte qëndruar në qiell. Por me anë të mishërimit, vdekjes, varrosjes, ringjalljes dhe ngjitjes së Tij, Ai kreu veprën që ishte e domosdoshme për të na shpëtuar nga mëkatet tona dhe tani Ai ka marrë lavdinë e të qenurit Shpëtimtari i përkryer i botës.
Pasi u kthye në qiell, u bë vepronjësi i shpëtimit të amshuar për të gjithë ata që i binden. Ai është Burimi i shpëtimit të të gjithëve, por vetëm ata që i binden Atij janë të shpëtuar.
Kështu shpëtimi varet nëse i bindemi Atij. Në shumë pjesë të tjera shpëtimi varet nga besimi. Si mund t’i përputhim këto pjesë në dukje kundërshtuese me njëra-tjetrën? Së pari, është bindja e besimit (Rom. 1:5; 16:25-27): “bindja që Perëndia kërkon është besimi në fjalën e Tij”. Por është gjithashtu e vërtetë se besimi shpëtues është ai që sjell bindjen. Është e pamundur të besosh, në kuptimin e vërtetë të DhR, pa u bindur.
5:10 Pasi kreu veprën themelore të priftërisë në mënyrë të lavdishme, Zoti Jezus u shpall kryeprift nga Perëndia “sipas rendit të Melkisedekut”.
Duhet të themi këtu se edhe pse priftëria e Krishtit është e rendit të Melkisedekut, detyrat e Tij priftërore janë të ngjashme me ato të priftërinjve sipas rendit të Aaronit. Në fakt, shërbesa e priftërinjve judenj ishte një hije apo figurë e veprës që do të kryente Krishti.
5:11 Në këtë pikë autori duhet të dalë nga tema. Ai do të pëlqente të vazhdonte me temën e priftërisë sipas rendit të Melkisedekut të Krishtit, por nuk mundet. Ai është i detyruar nga frymëzimi hyjnor të qortojë lexuesit e tij për papjekurinë e tyre dhe në të njëjtën kohë t’i paralajmërojë seriozisht kundër rrezikut të largimit.
Por është fatkeqësisht e vërtetë se kuptimi ynë i të vërtetës hyjnore është i kufizuar nga gjendja jonë frymërore. Veshët e rënduar nuk mund të marrin të vërteta të mëdha! Sa herë është e vërtetë për ne, si dishepuj, se Zoti ka shumë gjëra për të na thënë, por ne nuk mund t’i mbajmë (Gjon. 16:12).
5:12 Shkrimtari u kujton hebrenjve se ata kishin marrë mësime për një kohë të gjatë saqë tani duhej të ishin të aftë të mësonin të tjerët. Por më e keqja ishte se ata akoma kishin nevojë për dikë që t’ju mësonte ABC-në e fjalës së Perëndisë.
Ju duhet të ishit mësues. Rendi i Perëndisë është që çdo besimtar të piqet deri në atë pikë sa të mësojë të tjerët. Gjithsecili mëson një tjetër! Ndërsa është e vërtetë se disa mund të kenë një dhunti të veçantë të mësimit, është gjithashtu e vërtetë se çdo besimtar duhet të përfshihet në ndonjë shërbesë mësimi. Nuk ka qenë kurrë qëllimi i Perëndisë që kjo vepër të kufizohet vetëm te disa.
Ju keni nevojë për qumësht, dhe jo për ushqime të forta. Në botën fizike, një fëmijë që nuk shqitet nga qumështi për te ushqimet e forta është i dobët. Ka gjithashtu një formë pengese në rritje në botën frymërore (1 e Korintasve 3:2).
5:13 Të ashtuquajturit besimtarë që qëndrojnë te dieta e qumështit nuk kanë përvojën e fjalës së drejtësisë. Ata janë dëgjues të fjalës, por jo bërës të saj. Ata humbin atë që nuk përdorin dhe mbeten në një gjendje foshnjërie të përhershme.
Ata nuk kanë një ndjenjë të qartë dallimi në çështjet frymërore dhe janë “foshnja, të lëkundur dhe të transportuar nga çdo erë doktrineje, nga mashtrimi i njerëzve, nga dinakëria e tyre nëpërmjet gënjeshtrave të gabimit” (Efesianeve 4:14).
5:14 Ushqimi i fortë frymëror është për të rriturit, për ata të cilët, nga përvoja, i kanë të zhvilluara vetitë për të dalluar të mirën dhe të keqen. Duke iu bindur dritës që marrin nga fjala e Perëndisë, këta njerëz janë të aftë të japin gjykime frymërore dhe të shpëtojnë vetveten nga rreziqet morale dhe doktrinore.
Në këtë kontekst kuptimi i veçantë në të cilin lexuesit shtyhen të dallojnë midis të mirës dhe të keqes është në lidhje me krishterimin dhe judaizmin. Jo se judaizmi është i keq në vetvete; sistemi levitik u dha nga Vetë Perëndia. Por kishte si qëllim për të treguar që përpara Krishtin. Ai është përmbushja e llojeve dhe hijeve ceremoniale. Tani që Krishti ka ardhur, është mëkat të kthehemi te figurat e Tij. Çdo gjë që rivalizon Atë në dashuritë dhe besnikëritë e njerëzve është e keqe. Besimtarët e pjekur frymërorë janë të aftë të dallojnë midis inferioritetit të priftërisë sipas rendit të Aaronit dhe superioritetit të asaj të Krishtit.
6:1 Paralajmërimi që fillon te 5:11 vazhdon deri në këtë kapitull. Është pjesa më e kundërshtuar në tërë DhR. Meqë kaq shumë të krishterë të perëndishëm nuk përputhen për sa i përket interpretimit të saj, ne nuk duhet të flasim me dogmatizëm. Ne do të paraqesim shpjegimin që duket më i përshtatshmi me kontekstin dhe me pjesën tjetër të DhR.
Së pari, lexuesit nxiten të lënë fjalën e fillimit të Krishtit, fjalë për fjalë: “fjalën e fillimit të Krishtit” (F.W. Grant), ose “fjalën fillore të Krishtit” (K.S. Wuest). Ne nënkuptojmë me këtë doktrinat bazë të fesë që u mësuan në DhV, të cilat u parashikuan për të përgatitur Izraelin për ardhjen e Mesias. Këto doktrina gjenden në vargjet 1 dhe 2. Siç do të përpiqemi ta tregojmë, ato nuk janë doktrinat themelore të krishterimit, por për më tepër mësimet e një natyre elementare që formoi themelet e ndërtesës së mëvonshme. Ato nuk arrijnë te Krishti i ringjallur dhe i përlëvduar. Nxitja është të lihen këto baza, jo kuptimi i braktisjes së tyre si të kota, por për më tepër përparimi nga to në pjekuri. Zbatimi është se periudha e judaizmit ishte një kohë e foshnjërisë frymërore. Krishterimi përfaqëson rritje të plotë.
Pasi themelet janë hedhur, hapi tjetër është të ndërtosh mbi të. Një themel doktrinor ishte hedhur në DhV; këtu përfshihen gjashtë mësimet themelore që përmenden më poshtë. Kjo përfaqëson një pikënisje. Të vërtetat e mëdha të DhR rreth Krishtit, Personit dhe veprës së Tij, përfaqësojnë shërbesën e pjekurisë.
Doktrina e parë e DhV është pendimi nga vepra të vdekura. Kjo është predikuar vazhdimisht nga profetët po ashtu edhe nga pararendësi i Mesias. Ata gjithmonë u bënin thirrje njerëzve për t’u kthyer nga veprat që ishin të vdekura, dmth veprat që ishin bërë pa besim.
Veprat e vdekura këtu mund t’i referohen veprave që kryesisht ishin të drejta, por që tani janë të vdekura që kur Krishti ka ardhur. Për shembull, të gjitha shërbesat që lidheshin me adhurimin në tempull kanë dalë jashtë mode nga vepra e kryer e Krishtit.
Së dyti, shkrimtari përmend besimin te Perëndia. Kjo përsëri është një theksim i DhV. Në DhR paraqitet në mënyrë të pandryshueshme si objekti i besimit. Jo se kjo heq besimin te Perëndia, por një besim në Perëndinë që lë jashtë Krishtin është tashmë i papërshtatshëm.
6:2 Udhëzimet për sa i përket pagëzimit nuk i referohen pagëzimit të krishterë [5], por larjes ceremoniale që shfaqej dukshëm në jetët fetare të priftërinjve dhe popullit të Izraelit (shikoni gjithashtu 9:10).
Riti i vënies së duarve përshkruhet te Levitiku 1:4; 3:2; 16:21. Ofruesi apo prifti vendoste duart e tij në kokën e kafshës si një vepër njëjtësimi. Sipas figurës, kafsha hiqte mëkatet e popullit që ishte i përlyer me to. Kjo ceremoni përfaqësonte shlyerje të ndryshme. Ne nuk besojmë se këtu kemi referimin e vendosjes së duarve të praktikuar nga apostujt dhe të tjerët në kishën e hershme (Veprat e Apostujve 8:17; 13:3; 19:6).
Ringjallja e të vdekurve mësohet te Jobi 19:25-27, Psalmi 17:15 dhe nënkuptohet te Isaia 53:10-12. Ajo që shihej vetëm si hije në DhV zbulohet hapur në DhR (2 Tim. 1:10).
E vërteta e fundit themelore e DhV ishte gjyqi i përjetshëm (Ps. 9:17; Is. 66:24).
Këto parime të para përfaqësonin judaizmin dhe ishin parapërgatitëset për ardhjen e Krishtit. Të krishterët nuk duhet të vazhdojnë të jenë të kënaqur me këto, por duhen të mëshojnë te zbulesa më e plotë që kanë tani në Krishtin. Lexuesit nxiten të kalojnë “nga hija te thelbi, nga simboli tek i vërteti, nga cipa te thelbi, nga format e vdekura të fesë së të lashtëve te realitetet e gjalla të Krishtit”.
6:3 Autori shpreh dëshirën e tij për t’i ndihmuar ata ta bëjnë këtë [6], në e lejoftë Perëndia. Megjithatë, faktori kufizues do të jetë në anën e tyre dhe jo në atë të Perëndisë. Perëndia do t’i bëjë të aftë të përparojnë në burrërinë frymërore, por ata duhet t’i përgjigjen fjalës pozitivisht duke ushtruar besimin dhe durimin e vërtetë.
6:4 Tani mbërrijmë në zemër të paralajmërimit kundër apostazisë. Kjo i përshtatet një klase njerëzish për të cilët është e pamundur të kthehen përsëri në pendim. Në pamje të parë, këta njerëz ishin penduar një herë (edhe pse nuk përmendet besimi i tyre në Krishtin). Tashmë pohohet qartësisht se pendimi i dytë është i pamundur.
Cilët janë këta njerëz? Përgjigjja jepet te vargjet 4 dhe 5. Duke shqyrtuar privilegjet e mëdha që shijojnë ata, duhet vënë re se të gjitha këto gjëra mund të jenë të vërteta për të pashpëtuarit. Nuk është thënë kurrë qartësisht se ata kanë lindur sërish. Asnjëherë nuk është përmendur një gjë kaq thelbësore si besimi që shpëton, shpengimi me anë të gjakut të Tij apo jeta e përjetshme.
Ata janë ndriçuar një herë. Ata kishin dëgjuar ungjillin e hirit të Perëndisë. Ata nuk ishin në errësirë për sa i përket udhës së shpëtimit. Juda Iskarioti ishte ndriçuar një herë, por nuk e pranoi dritën.
Ata shijuan dhuntinë qiellore. Zoti Jezus është Dhuntia qiellore. Ata e shijuan Atë, por kurrë nuk e pranuan Atë me një vepër përfundimtare besimi. Është e mundur të shijosh pa ngrënë apo pirë. Kur njerëzit i dhanë verë të përzier me vrer Jezusit në kryq, Ai e shijoi, por nuk e piu (Mt. 27:34). Nuk është kurrë e mjaftueshme të shijosh Krishtin; nëse nuk hamë mishin e Birit të Njeriut dhe nëse nuk pimë gjakun e Tij, që do të thotë, nëse nuk pranojmë me të vërtetë Atë si Zot dhe Shpëtimtar, nuk kemi jetë në veten tonë (Gjon. 6:53).
Ata u bënë pjesëtarë të Frymës së Shenjtë. Para se të shkojmë drejt përfundimit që kjo patjetër ka të bëjë me kthimin, ne duhet të kujtojmë se Fryma e Shenjtë kryen një shërbesë para kthimit në jetët e njerëzve. Ai i shenjtëron jobesimtarët (1 e Korintasve 7:14), duke i vënë ata në një pozicion privilegji të jashtëm. Ai i bind jobesimtarët për mëkat, drejtësi dhe gjykim (Gjon. 16:8). Ai i drejton njerëzit në pendim dhe i drejton nga Krishti si shpresa e tyre e vetme. Prandaj njerëzit mund të jenë bërë pjesëtarë të të mirave të Frymës së Shenjtë pa qenë të mbushur me Të.
6:5 Ata shijuan fjalën e mirë të Perëndisë. Ndërsa dëgjuan ungjillin e predikuar, ata në mënyrë të çuditshme u shtynë dhe u drejtuan nga ai. Ata ishin si fara e hedhur në tokë me gurë; ata e dëgjuan fjalën dhe menjëherë e pranuan me gëzim, por nuk kishin rrënjë në vetvete. Ata duruan për pak kohë, por kur mundimet apo përndjekjet dolën kundër fjalës, ata menjëherë u larguan (Mt. 13:20,21).
Ata kishin shijuar mrekullitë e jetës së ardhshme. E jetës së ardhshme është koha e Mijëvjeçarit, era e ardhshme e paqes dhe begatisë kur Krishti do të mbretërojë për një mijë vjet. Mrekullitë që shoqëruan predikimin e ungjillit në kohën e hershme të kishës (Heb. 2:4) ishin një shijim para kohe i shenjave dhe çudirave që do të kryhen në mbretërinë e Krishtit. Këta njerëz ishin dëshmitarë të këtyre mrekullive në shekullin e parë, në fakt, ata mund të kenë qenë pjesëmarrës në to. Merrni, për shembull, mrekullinë e shumimit të bukëve dhe peshqve. Pasi Jezusi kishte ushqyer pesë mijë vetë, njerëzit e ndoqën Atë në anën tjetër të detit. Shpëtimtari kuptoi se ata, edhe pse kishin shijuar një mrekulli, nuk besuan me të vërtetë në Të. Ai u tha atyre: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se ju më kërkoni jo pse patë shenja, por sepse keni ngrënë nga bukët dhe keni qenë të ngopur” (Gjon. 6:26).
6:6 Dhe po u rrëzuan [7], pasi shijuan privilegjet e përmendura më sipër, është e pamundur t’i sjellësh përsëri në pendim. Ata kanë kryer mëkatin e apostazisë. Ata kanë mbërritur në vendin ku dritat fiken në rrugën për në ferr.
Faji i madh i atyre që kryejnë apostazi [femohuesit] përshkruhet kështu, “sepse ata, për vete të tyre, e kryqëzojnë përsëri Birin e Perëndisë dhe e poshtërojnë (v6).”. Kjo do të thotë që njerëz të tillë me gjithë zemër dhe me vullnetin e plotë e mohojnë Krishtin. Kjo nuk është një pakujdesi e rastit nga ana e tyre, por një tradhtim i prerë i Krishtit; me këtë ata bashkohen me forcat kundër Tij duke e përbuzur Personin dhe veprën e Tij.
Apostazia
Ata që kryejnë apostazi [femohuesit] janë njerëz që dëgjojnë ungjillin, thonë që janë besimtarë në Krishtin, njëjtësohen me një kishë të krishterë, dhe, pastaj, e braktisin besimin e tyre në Krishtin. Me dashje ata e hedhin poshtë Krishtin duke u bashkuar me armiqtë e Krishtit.
Nuk duhet të ngatërrohet me mëkatin e jobesimtarëve të zakonshëm që dëgjojnë ungjillin, por që nuk bëjnë asgjë me të. Për shembull, një njeri mund të mos i përgjigjet Krishtit pasi i është përsëritur ftesa nga Fryma e Shenjtë. Por ai nuk është një femohues. Ai mund të shpëtohet ende nëse do ta dorëzojë veten në duart e Shpëtimtarit. Sigurisht, nëse ai vdes në mosbesim, ai është i humbur përgjithmonë, por nuk është i pashpresë për aq kohë sa është i aftë të ushtrojë besim në Zotin.
Apostazia nuk duhet të ngatërrohet me sjelljen mëkatare. Një besimtar i vërtetë mund të endet shumë larg Krishtit. Me anë të mëkatit përbashkësia e tij me Perëndia është prishur. Ai madje mund të mbërrijë në pikën sa njerëzit mund të mendojnë se nuk është i krishterë. Por ai mund të kthehet në gjendjen e mëparshme në përbashkësi të plotë sapo të rrëfejë dhe të braktisë mëkatin e tij (1 Gjon. 1:9).
Apostazia nuk është e njëjtë me mëkatin e pafalshëm të përmendur te Ungjijtë. Ai qe mëkati i të thënit se mrekullitë e bëra nga Zoti Jezus i bënte princi i demonëve. Mrekullitë e Tij u bënë në fuqinë e Frymës së Shenjtë. Të thoshe se ato i ka bërë djalli ishte kryekëput një blasfemi ndaj Frymës së Shenjtë. Do të thoshte se Fryma e Shenjtë ishte djalli. Jezusi tha se një mëkat i tillë nuk do të falej kurrë, qoftë në atë kohë qoftë në atë të ardhshme (Mark. 3:22-30). Apostazia është e ngjashme me blasfeminë kundër Frymës së Shenjtë në atë që ka të bëjë me mëkatin e përjetshëm, por deri këtu përfundon ngjashmëria.
Unë besoj se apostazia është e njëjta gjë me mëkatin që çon në vdekje, përmendur te 1 Gjonit 5:16b. Gjoni po shkruante për njerëz që kishin rrëfyer se ishin besimtarë dhe kishin marrë pjesë në veprimtaritë e kishave lokale. Pastaj ata përvetësuan mësimin e rremë të gnostikëve dhe lanë të inatosur përbashkësinë e krishterë. Largimi i tyre i hapur tregon se kurrë nuk kishin lindur sërish (1 Gjon. 2:19). Duke mohuar hapur se Jezusi është Krishti (1 Gjon. 2:22), ata bënë mëkatin që çon në vdekje dhe ishte e padobishme të bëhej lutje për kthimin e tyre (1 Gjon. 5:16b).
Disa të krishterë të vendosur kanë probleme kur lexojnë Hebrenjve 6 dhe pjesë të tilla të ngjashme. Satani i përdor këto vargje sidomos ndaj besimtarëve që kanë vështirësi fizike, mendore apo emocionale. Ata kanë frikë se janë larguar nga Krishti dhe se nuk ka shpresë për kthim pas. Ata shqetësohen se kanë kaluar përtej pikës së shpengimit. Fakti që ata shqetësohen për të është një provë përfundimtare që nuk janë femohues! Një i tillë nuk ndien një frikë të tillë; ai e mohon hapur Krishtin.
Nëse mëkati i apostazisë nuk vlen për besimtarët, kujt i shkon përshtat në ditët e sotme? Për shembull, një të riu që bën një rrëfim besimi në Krishtin dhe duket se bën një ecje të shkëlqyer për pak kohë, por pastaj diçka ndodh në jetën e tij. Mbase përjeton përndjekje të egër, mbase bie në imoralitet të madh, mbase braktis shkollën sepse tronditet nga argumentet jo të krishtera të mësuesve ateistë. Duke e njohur plotësisht të vërtetën, ai i kthen kurrizin asaj në mënyrë të hapur. Ai mohon plotësisht Krishtin dhe pengohet egërsisht në çdo doktrinë të shenjtë themelore të besimit të krishterë. Bibla thotë se është e pamundur të përsërisësh një pendim të tillë dhe përvoja vërteton Biblën. Kemi njohur shumë që kanë mohuar Krishtin, por nuk kemi parë asnjë që është kthyer te Krishti.
Ndërsa i afrohemi fundit të kësaj kohe, ne mund të presim një apostazi të fortë (2 Thes. 2:3; 1 Tim. 4:1). Prandaj paralajmërimi kundër largimit bëhet më i rëndësishëm çdo ditë që kalon.
6:7 Tani shkrimtari kthehet te bota e natyrës për të gjetur një barasvlerë të besimtarit të vërtetë (v. 7) dhe për femohuesin (v. 8). Në të dyja rastet njeriu krahasohet me tokën. Privilegjet e renditura në vargjet 4 dhe 5 krahasohen me shiun gjallërues. Prodhimi i bimësisë flet për përgjigjen përfundimtare të dikujt ndaj privilegjeve të marra. Kjo sipas rastit përcakton nëse toka është bekuar apo mallkuar.
Besimtari i vërtetë është si toka, që pi shiun, që prodhon bimë të dobishme dhe bekohet nga Perëndia.
6:8 Femohuesi është si toka që është ujitur mirë gjithashtu, por ajo nuk prodhon gjë tjetër veç ferra e murriza, frytin e mëkatit. Ajo merr, por kurrë nuk prodhon bimë të dobishme. Një tokë e tillë është e pavlerë. Ajo është e dënuar tashmë. Fati i saj është për t’u djegur.
6:9 Ka dy tregues të fortë në vargjet 9 e 10 se femohuesit e përshkruar në vargjet e mëparshëm janë jobesimtarët. Së pari, ka një ndryshim të menjëhershëm në përemra. Duke folur për femohuesit, shkrimtari u drejtohet atyre me përemrin “ata”. Tani duke iu drejtuar besimtarëve të vërtetë ai përdor përemrat ju dhe juaj.
Treguesi i dytë është më i qartë. Duke folur për besimtarët, ai thotë: “Dhe ndonëse flasim kështu, ne, o të dashur, lidhur me ju jemi të bindur për gjëra më të mira dhe që i takojnë shpëtimit”. Përfundimi është se gjërat që kishte përshkruar në vargjet 4-6 dhe 8 nuk shoqërojnë shpëtimin.
6:10 Dy nga gjërat që shoqërojnë shpëtimin u shfaqën në jetët e shenjtorëve – vepra e tyre dhe mundimi i tyre i dashurisë. Besimi i tyre e shfaq veten në një jetë me vepra të mira dhe ata patën shenjën e krishterimit të vërtetë – dashuria vepruese për shtëpinë e besimit. Ata vazhduan t’u shërbejnë njerëzve të Zotit për emrin e Tij.
6:11 Dy vargjet që vijojnë duken se janë shkruar për një klasë të ndryshme njerëzish; domethënë, ata për të cilët shkrimtari nuk ishte i sigurt. Këta duket se shfaqnin rrezikun e kthimit në judaizëm.
Së pari, ai dëshiron që ata do të tregojnë të njëjtin zell ashtu si besimtarët e vërtetë kanë treguar duke kuptuar për të arritur në sigurimin e plotë të shpresës. Ai dëshiron që ata të ecin me guxim për Krishtin derisa shpresa e fundit e të krishterit të plotësohet në qiell. Kjo është një provë e realitetit.
6:12 Ata nuk duhet të bëhen përtacë, duke lejuar që këmbët e tyre të tërhiqen zvarrë dhe frymët e tyre të mpaken. Ata duhet të këmbëngulin, duke imituar besimtarët e vërtetë që nëpërmjet besimit dhe durimit trashëgojnë premtimet.
6:13 Pjesa mbyllëse e kapitullit 6 lidhet me nxitjen e vargut 12 për të këmbëngulur me besim dhe durim. Shembulli i Abrahamit jepet si një nxitës dhe pohohet siguria e shpresës së besimtarit.
Nga njëra anë, i krishteri mund të duket se është në disavantazh. Ai ka braktisur gjithçka për Krishtin dhe nuk ka asgjë materiale për të treguar. Gjithçka është në të ardhmen. Si, pra, mund të jetë ai i sigurt se shpresa e Tij nuk është e kotë?
Përgjigjja gjendet në premtimin që i bëri Perëndia Abrahamit, një premtim që përfshinte në thelb gjithçka që do të jepej më vonë në Personin e Krishtit. Kur Perëndia bëri atë premtim, bëri be me veten e tij meqë s’kishte ndonjë më të madh që të përbetohej.
6:14 Premtimi gjendet te Zanafilla 22:16,17: “Unë betohem për veten time, thotë Zoti . . . me siguri do të të bekoj fort dhe do të shumoj pasardhësit . . . “. Perëndia u zotua në Vetveten për të mbajtur këtë premtim dhe për këtë arsye përmbushja e tij ishte e sigurt.
6:15 Abrahami i besoi Perëndisë; ai priti me durim dhe siguroi përmbushjen. Abrahami nuk e shihte si të rastësishme të besonte te Perëndia. S’kishte rrezik për Abraham sepse Fjala e Perëndisë është gjëja më e sigurt në gjithësi. Çdo premtim i Perëndisë është i sigurt për përmbushjen e tij ashtu sikur të ketë ndodhur tashmë.
6:16 Në çështjet njerëzore, njerëzit bëjnë be për dikë që është më i madh se ata. Në gjykatat, për shembull, ata premtojnë të thonë të vërtetën dhe pastaj shtojnë: “më ndihmo, o Perëndi”. Ata i drejtohen Perëndisë për të pohuar (vërtetuar) se thonë të vërtetën.
Kur njerëzit bëjnë një betim për të vërtetuar një premtim, kjo normalisht mbyll çdo mosmarrëveshje. Kuptohet se premtimi do të mbahet.
6:17 Perëndia dëshironte që njerëzit e Tij besimtarë të ishin plotësisht të sigurt se ajo që premtoi do të plotësohej. Aktualisht premtimi i Tij do të ishte i mjaftueshëm për të na siguruar, por Ai dëshironte për të na siguruar edhe më shumë. Kështu Ai i shtoi një betim atij premtimi.
Trashëgimtarët e premtimit janë të gjithë ata që përmes besimit janë bij të Abrahamit besnik. Premtimi për të cilin bëhet fjalë është premtimi i shpëtimit të përjetshëm për të gjithë ata që besojnë në Të. Kur Perëndia bëri një premtim për një pasardhës të Abrahamit, premtimi u përmbush plotësisht dhe përfundimisht në Krishtin, dhe të gjitha bekimet që rrjedhin nga bashkimi me Krishtin ishin të përfshira në premtim.
6:18 Besimtari tani ka dy gjëra të pandryshueshme mbi të cilat mbështetet – fjalën dhe betimin e Tij. Është e pamundur të imagjinojmë diçka më të sigurt apo të vërtetë [8]. Perëndia premton të shpëtojë të tërë ata që besojnë në Krishtin; pastaj Ai e vërteton këtë me një betim. Përfundimi është i pashmangshëm: besimtari është i sigurt në përjetësi.
Në kujtesën e kapitullit 6 shkrimtari përdor katër figura për të treguar besueshmërinë e plotë të shpresës së krishterë: 1. një qytet strehimi; 2. një spirancë; 3. një pararendës dhe 4. një Kryeprift.
Së pari, ata që janë besimtarë të vërtetë paraqiten të larguar nga kjo botë e mallkuar për në qytetin qiellor të strehimit. Për t’u dhënë zemër atyre në largimin e tyre, Perëndia u ka dhënë një shpresë të padështueshme mbështetur në fjalën dhe betimin e Tij.
6:19 në stuhitë dhe provat e jetës kjo shpresë shërben si një spirancë. Njohja se përlëvdimi ynë është aq i sigurt sa të kishte ndodhur tashmë na ruan nga rënia në valët e egra të dyshimit dhe dëshpërimit.
Spiranca nuk lëshohet në rërat e lëvizshme të botës, por ruhet në shenjtëroret qiellore. Meqë shpresa jonë është spiranca, domethënia është që shpresa jonë është e sigurt në brendësinë e velit të Perëndisë. Ashtu siç është e sigurt spiranca atje, po ashtu do të jemi edhe ne.
6:20 Jezusi ka hyrë në shenjtëroren e brendshme si pararendësi ynë gjithashtu. Prania e Tij siguron hyrjen përfundimtare të të gjithë atyre që i përkasin Atij. Nuk është e tepërt të themi se besimtari më i thjeshtë këtu në tokë është aq i sigurt për qiellin po aq sa edhe shenjtorët që ndodhen tashmë atje.
D. Anderson-Berry shkruan:
Fjala e përkthyer “pararendës” nuk gjendet në asnjë vend tjetër të Dhiatës së Re. Kjo shpreh një ide të pasoditur kurrë sipas ligjit levitik, sepse kryeprifti hynte në Vendin shumë të Shenjtë vetëm si një përfaqësues. Ai hynte atje ku nuk mund të shkonte njeri tjetër. Por Pararendësi ynë është një premtim solemn që atje ku ndodhet Ai, edhe ne do të ndodhemi. Si Pararendësi Ai: 1. shpalli mbërritjen tonë të ardhshme atje; 2. mori zotërim mbi lavditë qiellore në emrin tonë; 3. ka shkuar për t’i uruar mirëseardhjen njerëzve të Tij kur ata të shkojnë dhe t’i paraqesë ata para Madhështisë së qiellit [9].
Figura e katërt është ajo e Kryepriftit. Zoti ynë u bë kryeprift në amshim sipas rendit të Melkisedekut. Priftëria e Tij e përjetshme siguron ruajtjen tonë të përjetshme. Ashtu siç është e sigurt se jemi pajtuar me Perëndinë përmes vdekjes së Tij, po kështu aq të sigurt jemi të shpëtuar përmes jetës së Tij si Prifti ynë në të djathtë të Perëndisë (Rom. 5:10).
Titulli i Jezusit si kryeprift . . . sipas rendit të Melkisedekut na kujton se kjo temë u ndërpre te 5:10 kur autori doli nga tema për te paralajmërimi i gjerë kundër apostazisë. Tani ai është gati të përmbledhë këtë temë se kryepriftëria e Krishtit është më e lartë se ajo e Aaronit. Ai me zotësi është kthyer te rrjedha kryesore e argumentit.
7:1 Melkisedeku ishte një figurë enigmatike që u shfaq shkurtimisht në skenën e historisë njerëzore (Zanafilla 14:18-20), pastaj u zhduk. Shekuj më vonë emrin e tij e shohim të përmendet nga Davidi (Ps. 110:4). Pastaj, pas një intervali shekujsh të tjerë, shfaqet në librin e Hebrenjve. Një gjë është e dukshme: Perëndia ka rregulluar hollësitë e jetës së tij në mënyrë që ai të ishte një tip i shkëlqyer i Zotit tonë Jezu Krisht.
Në këto tre vargje të kapitullit 7 kemi disa fakte historike rreth tij. Na bëhet e ditur se në të ishin të gërshetuara detyrat e mbretit dhe priftit në veten e tij. Ai ishte mbret i Salemit (më vonë u quajt Jerusalem) dhe prift i Shumë të Lartit Perëndi. Ai ishte udhëheqësi politik dhe frymëror i popullit të tij. Kjo do të thotë, sigurisht, ideali i Perëndisë – se nuk duhet të ketë ndarje midis gjërave njerëzore dhe hyjnore. Kur një njeri mëkatar mbretëron është e nevojshme të ndajmë kishën nga shteti. Vetëm kur mbretëron Krishti në drejtësi do të jetë e mundur t’i bashkojmë të dyja (Is. 32:1,17).
Melkisedeku takoi Abrahamin kur ky i fundit po kthehej nga një fitore ushtarake dhe e bekoi. Domethënia e këtij veprimi ruhet për në vargun 7. Nëse do të kishim vetëm shkrimet e DhV, nuk do të kuptonim kurrë domethënien e thellë të këtyre hollësive, që në pamje të parë duken të parëndësishme.
7:2 Abrahami i dha atij edhe të dhjetën e plaçkës së luftës këtij mbreti misterioz. Përsëri duhet të presim deri në vargjet 4, 6, 8-10 për të mësuar domethënien e fshehur të së dhjetës së Abrahamit.
Në Shkrim, emri i dikujt tregon atë që ai është. Ne mësojmë për emrin e Melkisedekut dhe për titullin e tij: emri i tij do të thotë “mbreti i drejtësisë” dhe titulli i tij (mbreti i Salemit) do të thotë “mbreti i paqes”.
Nuk është pa kuptim që drejtësia përmendet e para, pastaj paqja. Nuk mund të ketë paqe nëse së pari nuk ka drejtësi.
Ne e shohim këtë qartë në veprën e Krishtit. Në kryq, “Mirësia dhe e vërteta u takuan; drejtësia dhe paqja janë puthur njëra me tjetrën” (Ps. 84:10). Ngaqë Shpëtimtari plotësoi çdo gjë që drejtësia e Perëndisë kërkonte të plotësohej kundër mëkateve tona, ne mund të kemi paqe me Perëndinë.
7:3 Enigma rreth Melkisedekut thellohet kur lexojmë se ai nuk kishte as atë, as nënë, as gjenealogji, as lindje, as vdekje. Nëse i ndajmë këto pohime nga konteksti i tyre, do të dalim në përfundimin se ai qe një visitor nga qielli apo nga një planet tjetër, apo se ka qenë një krijim i veçantë i Perëndisë.
Por çelësi i të kuptuarit gjendet në krahasimin e këtyre pohimeve me kontekstin. Tema është priftëria. Shkrimtari po bën dallimin midis priftërisë së Melkisedekut dhe të Aaronit. Për të qenë pjesë e priftërisë së Aaronit një njeri duhej të lindej në fisin e Levit dhe nga familja e Aaronit. Gjenealogjia ishte shumë e rëndësishme. Gjithashtu, pjesëmarrja fillonte me lindjen dhe përfundonte me vdekjen.
Priftëria e Melkisedekut ishte plotësisht ndryshe. Ai nuk trashëgoi priftërinë duke lindur në familjen priftërore. Thjesht Perëndia e zgjodhi veças atë dhe e caktoi si prift. Me aq sa dimë për priftërinë e tij, nuk dimë gjë për atin, apo nënën apo gjenealogjinë e tij. Në rastin e tij, nuk kishte rëndësi, dhe në bazë të të dhënave që kemi, nuk na thuhet gjë për lindjen apo vdekjen e tij; prandaj priftëria e tij vazhdon.
Ne nuk duhet të dalim në përfundimin se Melkisedeku nuk kishte prindër, se nuk ka lindur dhe se nuk ka vdekur kurrë ndonjëherë. Nuk është këtu çështja. Mësimi është se me aq sa dimë për priftërinë e tij, nuk kemi të dhëna të këtyre statistikave jetësore, sepse shërbesa e tij si prift nuk varet nga to.
Ai nuk ishte Biri i Perëndisë, ashtu siç mendojnë disa gabimisht, por ishte i përngjashëm me Birin e Perëndisë, që nënkupton se priftëria e tij vazhdoi pa ndërprerje.
Tani autori po tregon se priftëria e Melkisedekut është më e lartë se ajo e Aaronit. Ka tre argumente për ta provuar: argumenti rreth të dhjetës dhe bekimit; argumenti rreth një ndryshimi që ndodhi, zëvendësi i priftërisë së Aaronit, dhe argumenti rreth pavdekshmërisë së priftërisë së Melkisedekut.
7:4 Në vargjet 4-10 kemi argumentin e parë. Ai hapet me një thirrje të pazakontë, duke u kërkuar lexuesve të marrin me mend madhështinë e Melkisedekut. Madje edhe Abrahami i dha atij të dhjetën e plaçkës. Meqë Abrahami qe një ndër yjet më të mëdhenj në kupën e qiellit të hebrenjve, rrjedh që Melkisedeku duhet të ketë qenë një yll i një niveli edhe më të madh.
7:5 Me sa dimë për priftërinjtë levitikë, ata ishin të autorizuar nga ligji të mblidhnin të dhjetën nga të afërmit e tyre hebrenj. Si priftërinjtë po ashtu edhe populli rridhnin nga Abrahami, ati i besimit.
7:6 Kur Melkisedeku mori të dhjetën nga Abrahami, ishte një shkëmbim i pazakontë dhe jo tradicional. Abrahami, i thirrur për të qenë ati i kombit, nga i cili do të vinte Mesia, po i kushtonte respekt atij që nuk kishte lidhje me popullin e zgjedhur. Priftëria e Melkisedekut kapërcen pengesa rrënjësore.
Një fakt tjetër domethënës është se Melkisedeku bekoi Abrahamin. Ai i tha: “Qoftë i bekuar Abrami nga Shumë i Larti Perëndi, sundimtar i qiejve dhe i tokës!” (Zanafilla 14:18,19).
7:7 Një person bekon një tjetër, kuptohet se më i madhi bekon më të voglin. Kjo nuk do të thotë një inferioritet vetjak apo moral, sigurisht, por thjesht një inferioritet pozicioni.
Ndërsa lexojmë këto argumente mbështetur në DhV, duhet të përpiqemi të përfytyrojmë reagimet e lexuesve hebrenj. Ata gjithmonë e kanë pranuar Abrahamin si një ndër heronjtë e tyre më të mëdhenj, dhe me të drejtë. Por tani ata mësojnë se Abrahami pranoi një prift “johebre” si më të lartë se veten. Mendoni pak! Kjo kishte qenë në Biblat e tyre me kohë dhe nuk e kishin vënë re.
7:8 Në priftërinë e Aaronit e dhjeta merrej nga njerëzit që kishin për të vdekur një ditë. Kishte gjithmonë një vazhdueshmëri të priftërinjve, secili shërbente në brezin e Tij, pastaj shkonte. Në rastin e Melkisedekut nuk na thuhet se ka vdekur. Prandaj ai mund të përfaqësojë një priftëri e cila është e përveçme, sepse është e përjetshme.
7:9 Duke marrë të dhjetën nga Abrahami, Melkisedeku në mënyrë virtuale i mori nga Levi. Meqë Levi ishte kreu i fisit priftëror, mund të themi se priftëria e Aaronit dha të dhjeta te Melkisedeku dhe prandaj pranoi superioritetin e këtij të fundit.
7:10 Me çfarë filli njehsimi mund të thuhet se Levi i dha të dhjetat Melkisedekut? Së pari, Abrahami ishte ai që i dha të dhjetat. Ai ishte ati i madh i Levit. Edhe pse Levi nuk kishte lindur, ai ishte në mesin e Abrahamit, që do të thotë, ai u caktua se do të rridhte nga patriarku. Abrahami veproi me të vërtetë si përfaqësues i tërë pasurisë së tij kur i dha të dhjetën Melkisedekut. Prandaj Levi dhe priftëria që del prej tij, zënë vend dytësor para Melkisedekut dhe priftërisë së tij.
7:11 Në vargjet 11-20 gjejmë argumentin e dytë që tregon se priftëria e Melkisedekut është më lartë se ajo e Aaronit. Argumenti është se ka pasur një ndryshim në priftëri. Priftëria e Krishtit ka lënë mënjanë priftërinë levitike. Kjo nuk do të ishte e nevojshme nëse kjo e fundit do të arrinte qëllimin plotësisht dhe përfundimisht.
Fakti është se përkryerja nuk ishte e arritshme me anë të sistemit levitik. Mëkatet nuk largoheshin kurrë dhe adhuruesit nuk kishin kurrë prehje të ndërgjegjes. Priftëria që u formua nën Ligjin e Moisiut nuk ishte përfundimtarja.
Një lloj tjetër priftërie është në veprim tani. Prifti i përsosur ka ardhur tashmë dhe priftëria e Tij nuk caktohet sipas rendit të Aaronit, por për më tepër sipas rendit të Melkisedekut.
7:12 Fakti që priftëria është ndërruar çon detyrimisht në përfundimin se e tërë struktura ligjore mbi të cilën mbështetej priftëria është ndërruar gjithashtu. Kjo është shpallje rrënjësore! Ashtu si këmbana e vdekjes që bie për t’i kthyer gjërat e vjetra në të reja. Ne nuk jemi më nën ligj.
7:13 Që ka ndodhur një ndryshim në ligj bëhet e dukshme nga fakti se Zoti Jezus i përket një fisi tjetër, që ka reshtur së kryeri detyrat priftërore me anë të ligjit levitik.
7:14 Nga fisi i Judës pati prejardhjen sipas gjakut Zoti ynë. Legjislacioni i Moisiut nuk autorizonte asnjë nga ai fis të bëhej prift. Megjithatë Jezusi është një prift. Si mund të ndodhë një gjë e tillë? Sepse ligji është ndryshuar.
7:15 Autori ka prova të tjera shtesë se ka pasur një ndryshim të gjerë në ligjin e priftërisë. Ka dalë një lloj tjetër prifti pas shëmbëllimit të Melkisedekut, dhe cilësimi i Tij për këtë detyrë është krejt ndryshe nga ajo e bijve të Aaronit.
7:16 Priftërinjtë levitikë bëheshin të zgjedhshëm duke plotësuar kërkesat ligjore rreth pasardhjes së gjakut. Ata duhej të lindnin në fisin e Levit dhe në familjen e Aaronit.
Por ajo që e bën Zotin të jetë një Prift i ngjashëm me Melkisedekun është jeta e Tij e pashkatërrueshme. Nuk është një çështje gjenealogjie, por vetjake, fuqi e trashëgueshme. Ai jeton përgjithmonë.
7:17 Kjo vërtetohet nga fjalët e Psalmit 110:4, ku Davidi tregon priftërinë e Mesias që do të vijë: “Ti je prift për jetë të jetës, sipas rendit të Melkisedekut”. Këtu theksi vihet në fjalën për jetë të jetës. Shërbesa e Tij nuk do të reshtë kurrë, sepse jeta e Tij nuk do të reshtë kurrë.
7:18 Ligji që mbante priftëria e Aaronit është shfuqizuar për shkak të dobësisë dhe të padobisë së tij. Ai është fshirë nga ardhja e Krishtit.
Në çfarë kuptimi qe ligji i dobët dhe i padobishëm? A nuk u dha ai nga Vetë Perëndia? A mund të jepte Perëndia diçka të pafuqishme dhe të padobishme? Përgjigjja është se Perëndia nuk kishte kurrë si qëllim që ai të ishte ligji përfundimtar i priftërisë. Ai qe parapërgatitësi i ardhjes së priftërisë ideale të Perëndisë. Ai ishte një figurë e pjesshme dhe e përkohshme e asaj që do të ishte e përkryer dhe përfundimtare.
7:19 Ai ishte gjithashtu i dobët dhe i padobishëm në kuptimin se nuk mbaroi asnjë lloj pune. Njerëzit nuk mund të shkonin kurrë në prani të Perëndisë në Vendin Shumë të Shenjtë. Kjo largësi e detyruar midis Perëndisë dhe njeriut ishte një kujtesë e vazhdueshme se çështja e mëkatit nuk ishte zgjidhur një herë e përgjithmonë.
Por tani një shpresë më e mirë është futur me anë të së cilës i afrohemi Perëndisë. Ajo shpresë më e mirë është Vetë Zoti Jezus; ata që e kanë Atë si shpresën e vetme kanë hyrje të përsosur te Perëndia në çdo kohë.
7:20 Jo vetëm që ka ndodhur një ndryshim në rendin e priftërisë dhe në ligjin e saj, por gjithashtu, ashtu siç do ta shohim, ka ndodhur një ndryshim në mënyrën e përfundimit logjik. Arsyetimi këtu vërtitet rreth përdorimit të betimit të Perëndisë në lidhje me priftërinë e Krishtit. Betim do të thotë fillim i asaj që është e pandryshueshme dhe e përjetshme. Rainsbury thotë: “Asgjë tjetër veç betimit të Perëndisë së Madhërishëm nuk garanton frytshmërinë dhe përjetësinë e përjetësisë të të bekuarit Zotit Jezus” [10].
7:21 Priftërinjtë sipas rendit të Aaronit u caktuan pa bërë betim. Prandaj zbatimi është se priftëria e tyre kishte si qëllim të ishte e përkohshme dhe jo e përhershme.
Por Perëndia i drejtohet Krishtit në bazë të betimit, duke e caktuar Atë si prift. Forma e betimit gjendet te Psalmi 110:4: “Perëndia u betua dhe nuk do të pendohet: ‘Ti je prift përjetë, sipas rendit të Melkisedekut'”. Henderson-i thotë:
Perëndia vendos pas emërimit në detyrë të Krishtit vërtetësinë e përjetshme të fronit të Tij dhe cilësitë e pandryshueshme të natyrës së Tij. Nëse ato mund të ndryshojnë, priftëria e re mund të ndryshojë. Përndryshe jo [11].
7:22 Nga kjo rrjedh që Jezusi është garant i një besëlidhjeje shumë më të mirë. Priftëria e Aaronit ishte një pjesë e Besëlidhjes së Vjetër. Priftëria e Krishtit lidhet me besëlidhjen e Re. Besëlidhja dhe priftëria qëndrojnë ose bien së bashku.
Besëlidhja e Re është një marrëveshje pa kushte hiri që Perëndia do të bëjë me shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës kur Zoti Jezus do të vendosë mbretërinë e Tij në tokë (Jer. 31:33,34). Besimtarët sot shijojnë disa nga bekimet e Besëlidhjes së Re, por përmbushja e saj e plotë nuk do të kryhet derisa Izraeli të rimëkëmbet dhe të shpengohet si komb.
Jezusi është garant i një besëlidhjeje të Re në kuptimin se Vetë Ai është Garancia. Me anë të vdekjes, varrosjes dhe ringjalljes së Tij, Ai siguroi një bazë të drejtë mbi të cilën Perëndia mund të përmbushë kërkesat e besëlidhjes. Priftëria e Tij e pafund është gjithashtu e lidhur përjetë me përmbushjen e padështueshme të kërkesave të besëlidhjes.
7:23 Tani mbërrijmë te argumenti i tretë dhe përfundimtar rreth superioritetit të priftërisë sipas rendit të Melkisedekut.
Priftërinjtë e Izraelit ishin në numër të madh. Thuhet se kishte tetëdhjetë e katër kryepriftërinj në historinë e kombit dhe, sigurisht, kishte një numër të pallogaritshëm priftërinjsh më të ulët në pozitë. Detyra ndryshonte periodikisht, për shkak të vdekjes së atij që kishte detyrën. Shërbesa vuante nga këto ndërprerje të pashmangshme.
7:24 Në rastin e priftërisë së Krishtit, nuk ka një dështim të tillë, sepse Ai jeton në jetë të jetëve. Priftëria e Tij nuk i ka kaluar askujt dhe nuk ka ndërprerje në frytshmërinë e saj. Ajo është e patjetërsueshme dhe e patransferueshme.
7:25 Ngaqë Ai jeton përgjithmonë mund të shpëtojë plotësisht ata që me anë të tij i afrohen Perëndisë përmes Tij. Ne përgjithësisht e kuptojmë këtë në referim të veprës së Tij për të shpëtuar mëkatarët nga ndëshkimi i mëkatit, por këtu shkrimtari po flet për veprën e Krishtit për shpëtimin e shenjtorëve nga fuqia e mëkatit. Nuk flitet shumë për rolin e Tij si Shpëtimtar, por si Kryeprift. Nuk ekziston rreziku se ndonjë besimtar mund të humbasë. Siguria e tyre e përjetshme mbështetet në ndërmjetësimin për ta. Ai mund të shpëtojë plotësisht ata, sepse shërbesa e Tij e tanishme për ta në të djathtën e Perëndisë nuk mund të ndërpritet nga vdekja.
7:26 Priftëria e Krishtit është më e lartë nga ajo e Aaronit për shkak të shkëlqimit të Tij vetjak. Ai është i shenjtë në pozicionin e Tij para Perëndisë. Ai është i pafaj apo i sinqertë në marrëveshjet e Tij me njerëzit. Ai është i papërlyer në karakterin e Tij vetjak. Ai është i ndarë nga mëkatarët në jetën e Tij në të djathtën e Perëndisë. Ai është ngritur përmbi qiej në shkëlqimin e Tij të tashëm dhe të përjetshëm. Ne një kryeprift i tillë na duhej.
7:27 Në dallim me priftërinjtë levitikë, Kryeprifti ynë nuk ka nevojë të ofrojë flijime çdo ditë; sepse këtë e bëri një herë e mirë. Ai nuk ka nevojë të ofrojë për mëkatet e veta, sepse Ai është absolutisht pa mëkat. Një mënyrë e tretë e mrekullueshme në të cilën dallon nga priftërinjtë e mëparshëm është se kushtoi vetveten për mëkatet e njerëzve. Prifti dha Veten e Tij si flijim. Çfarë hiri i mrekullueshëm dhe i pakrahasueshëm nga ana e Jezusit!
7:28 Ligji vë kryepriftërinj njerëz që janë të papërsosur në vetvete; ata karakterizohen nga dobësia dhe dështimi; ata janë vetëm të shenjtë prej riteve.
Betimi i Perëndisë, i dhënë pas ligjit, vë Birin si Prift që është i përkryer në jetë të jetës. Ky betim i referohet vargut 21 të këtij kapitulli dhe është cituar nga Psalmi 110:4.
Ka disa zbatime të përkohshme në këtë material që pamë. Priftëria njerëzore është zëvendësuar nga një priftëri hyjnore dhe e përjetshme. Sa marrëzi është ajo që bëjnë njerëzit duke krijuar sisteme priftërore sipas skemave të DhV dhe që zëvendësojnë detyrat e Kryepriftit tonë të madh!
B. Shërbesa e Krishtit më e lartë se ajo e Aaronit (kap. 8)
8:1 Në vargjet që vijojnë, shërbesa e Krishtit tregohet se është më e lartë se ajo e Aaronit, sepse Ai shërben në një shenjtërore më të mirë (v. 1-5) dhe në lidhje me një besëlidhje më të mirë (v. 7-13).
Tani shkrimtari ka mbërritur në pikën kryesore të argumentit të tij. Ai nuk po përmbledh atë që ka thënë, por pohon temën kryesore për të cilën ka shkruar letrën.
Ne kemi një kryeprift të tillë. Ka një notë triumfuese në fjalët ne kemi. Ato janë një përgjigje ndaj atyre judenjve që përqeshin të krishterët e parë me fjalët: “Ne kemi tabernakullin; ne kemi priftërinë; ne kemi ofertat; ne kemi ceremonitë; ne kemi tempullin; ne kemi stolitë e bukura priftërore”. Përgjigjja besimplotë e besimtarëve është: “Po, ju keni hijet, por ne kemi përmbushjen. Ju keni ceremonitë, por ne kemi Krishtin. Ju keni figurat, por ne kemi Personin. Dhe Kryeprifti ynë qëndron në të djathtën e fronit të Madhërisë në qiejt. Asnjë kryeprift tjetër nuk është ulur si vërtetim i veprës së përfunduar dhe asnjë tjetër nuk ka marrë një vend të tillë nderi dhe fuqie”.
8:2 Ai u shërben njerëzve në shenjtëroren e qiellit. Kjo është tenda e vërtetë, ndërsa tabernakulli tokësor nuk është gjë tjetër veçse një kopje apo përfaqësim i thjeshtë. Tabernakulli i vërtetë është ai të cilin e ngriti Zoti dhe jo njeriu ashtu siç ngriti tendën tokësore.
8:3 Meqë një ndër detyrat kryesore të një kryeprifti është për të ofruar dhurata dhe flijime, rrjedh që gjithashtu edhe Kryeprifti ynë duhet të bëjë këtë gjë.
Dhurata është një term i përgjithshëm që përfshin çdo lloj oferte paraqitur Perëndisë. Flijimet qenë dhuratat, sipas të cilave kafshët thereshin. Çfarë ofroi Krishti? Pyetja nuk merr përgjigje të drejtpërdrejtë deri në kapitullin 9.
8:4 Ky varg nuk i përgjigjet pyetjes së asaj që ofron Krishti dhe thjesht na kujton se Ai mbi dhe nuk do të ishte i zgjedhur për të ofruar dhurata në tabernakull apo tempull. Zoti ynë ishte pasardhës i Judës dhe jo nga fisi i Levit apo familja e Aaronit. Për këtë arsye Ai nuk do të mund të shërbente në shenjtëroren tokësore. Kur lexojmë tek Ungjijtë se Jezusi hyri në tempull (shikoni Luka 19:45), duhet të kuptojmë se Ai shkoi vetëm në zonën përreth tij dhe jo në Vendin e Shenjtë apo Shumë të Shenjtë.
Kjo, me siguri, bën që të lindë pyetja nëse Krishti ka kryer ndonjë detyrë kryepriftërore kur ishte në tokë, apo vetëm pasi u ngrit në qiell filloi veprën e Tij priftërore? Çështja që trajtohet në vargun 4 është se Ai nuk i plotësonte kushtet këtu në tokë si prift levitik dhe nuk mund të shërbente në tempull në Jerusalem. Por kjo nuk do të thotë se Ai nuk mund të kryente detyrën e një prifti sipas rendit të Melkisedekut. Mbi të gjitha, lutja e Tij te Gjoni 17 është lutje e një kryeprifti dhe oferta e Vetes së Tij si një flijim i përsosur në Kalvar ishte me siguri një vepër priftërore (shikoni 2:17).
8:5 Tabernakulli në tokë qe një riprodhim i shenjtërores qiellore. Forma e saj përshkroi mënyrën sipas të cilës njerëzit e besëlidhjes së Perëndisë mund t’i afrohen Atij në adhurim. Së pari, ekzistonte dera e jashtme e oborrit, pastaj altari i flijimeve me zjarr, pastaj legeni. Pas kësaj priftërinjtë hynin në Vendin e Shenjtë dhe kryeprifti hynte në Vendin Shumë të Shenjtë ku Perëndia shfaqte Vetveten.
Tabernakulli nuk u dha me qëllim që të ishte shenjtërorja përfundimtare. Ai shërbeu vetëm si një shembull dhe hije. Kur Perëndia thirri Moisiun në malin Sinai dhe i tha të ndërtonte një tabernakull, Ai i dha atij një skicë të përcaktuar për ta zbatuar. Ky model ishte i një realiteti më të lartë, qiellor dhe frymëror.
Pse e thekson shkrimtari këtë me kaq forcë? Thjesht për të lënë përshtypje në mendjet e ndonjërit, që mund të tundohet të kthehet në judaizëm, se po linin thelbin për hijet kur në fakt mund të ecnin nga hija te thelbi.
Vargu 5 mëson qartë se udhëzimet e DhV ishin lloje të realiteteve qiellore; prandaj kjo përligj mësimin e tipologjisë kur bëhet në përputhje me Shkrimin dhe pa imagjinata të kota.
8:6 Ky varg formon një çast pushimi midis temës së shenjtërores më të lartë dhe diskutimit të një besëlidhjeje më të mirë.
Së pari, ekziston një krahasim. Shërbesa e Krishtit është po aq më e lartë nga shërbesa e priftërinjve sipas rendit të Aaronit aq sa më e lartë është edhe besëlidhja që Ai synon krahasuar me të vjetrën.
Së dyti, na jepet një arsye: besëlidhja është më e mirë, sepse ajo mbështetet mbi premtime më të mira.
Shërbesa e Krishtit është pafundësisht më e mirë. Ai dha Vetveten, jo një kafshë. Ai paraqiti vlerën e gjakut të Tij, jo gjakun e demave dhe cjepve. Ai hoqi mëkatet, nuk i mbuloi thjesht ato. Ai u dha besimtarëve një ndërgjegje të përsosur, jo një kujtesë të përvitshme të mëkateve. Ai na hapi udhën për të hyrë në praninë e Perëndisë, jo të rrimë jashtë diku larg në këmbë.
Ai është ndërmjetësi i një besëlidhjeje më të mirë. Si Ndërmjetës Ai qëndron midis Perëndisë dhe njeriut për të zënë boshllëkun që ekziston midis këtyre të dyve. Grifit Tomas-i i krahason besëlidhjet si vijon:
Besëlidhja është “më e mirë” sepse ajo është absolutisht pa kushte, [është] frymërore dhe jomishore, universale dhe jolokale, e përjetshme dhe jo e përkohshme, individuale dhe jokombëtare, e brendshme dhe jo e jashtme [12].
Ajo është një besëlidhje më e mirë sepse mbështetet mbi premtime më të mira. Besëlidhja e ligjit premtonte bekime për bindje, por kërcënonte me vdekje për mosbindjen. Ajo kërkonte drejtësinë, por nuk jepte aftësinë për ta krijuar atë.
Besëlidhja e Re është një besëlidhje hiri pa kushte. Ajo kërkonte drejtësi ku nuk kishte. Ajo mëson njerëzit të jetojnë me drejtësi, i mbush me forcë për të bërë një gjë të tillë dhe i shpërblen ata kur veprojnë.
8:7 Besëlidhja e parë nuk ishte e përsosur, që do të thotë, nuk ia arriti qëllimit të arrinte një marrëdhënie ideale midis njeriut dhe Perëndisë. Ajo nuk pati kurrë synimin të ishte besëlidhja përfundimtare, por qe parapërgatitore e ardhjes së Krishtit. Fakti që besëlidhja e dytë përmendet më vonë tregon se e para nuk ishte idealja.
8:8 Por problemi nuk ishte me besëlidhjen e parë në vetvete: “ligji është i shenjtë, dhe urdhërimi i shenjtë, i drejtë dhe i mirë” (Rom. 7:12). Problemi ekzistonte me njerëzit të cilëve iu dha; ligji kishte pak brumë për t’u gatuar. Kjo shprehet këtu: Sepse Perëndia, duke i qortuar, thotë . . . Ai nuk gjeti gabim në besëlidhje, por te njerëzit e besëlidhjes së Tij. Besëlidhja e parë mbështetej në premtimin e njeriut për t’u bindur (Eksodi 19:8; 24:7), dhe për këtë arsye, nuk ishte caktuar të zgjaste shumë. Besëlidhja e Re është një rrëfim, nga fillimi në fund, i asaj që Perëndia pranon të bëjë; kjo është forca e Tij.
Shkrimtari tani citon pjesë nga Jeremia 31:31-34 për të treguar se në Shkrimet judaike Perëndia kishte premtuar një Besëlidhje të Re. I tërë argumenti vërtitet rreth fjalës e re. Nëse e vjetra do të ishte e mjaftueshme dhe e pëlqyeshme, pse të vinte një e re?
Megjithatë Perëndia premtoi në mënyrë të veçantë të bëjë një Besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës. Ashtu siç e përmendëm më parë, besëlidhja e re kishte të bënte kryesisht me kombin e Izraelit dhe jo me kishën. Ajo do të gjejë përmbushje të plotë kur Krishti do të kthehet për të mbretëruar mbi kombin e penduar dhe të shpenguar. Ndërkohë disa nga bekimet e besëlidhjes shijohen nga tërë besimtarët. Prandaj kur Shpëtimtari i kaloi kupën me verë dishepujve të Tij, tha: “Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim; bëni këtë sa herë që të pini, në përkujtimin tim.” (1 e Korintasve 11:25).
Henderson-i citon si vijon:
Dhe në këtë mënyrë bëjmë dallimin midis interpretimit të parë të Izraelit, dhe të dytit, zbatimin frymëror ndaj Kishës sot. Ne tani shijojmë në fuqinë e Frymës së Shenjtë bekimet e një besëlidhjeje të re, edhe pse do të ketë shfaqje të mëtejshme dhe të ardhshme për Izraelin sipas premtimit të Perëndisë [13].
8:9 Perëndia premtoi në mënyrë të veçantë se Besëlidhja e Re nuk do të ishte si besëlidhja që Ai bëri me ta, kur i mori për dore për t’i nxjerrë jashtë nga . . . Egjipti. Si mund të jetë ndryshe? Ai nuk e thotë, por mbase përgjigjja nënkuptohet në pjesën tjetër të vargut, sepse ata nuk qëndruan besnikë në Besëlidhjen time, dhe unë i braktisa, thotë Zoti. Besëlidhja e ligjit dështoi, sepse ajo ishte me kushte; ajo kërkonte bindje nga një njeri që nuk mund të bindej. Duke bërë Besëlidhjen e Re një besëlidhje hiri pa kushte, Perëndia shmang çdo mundësi dështimi meqë përmbushja varet në vetë Atë dhe Ai nuk mund të dështojë.
Citimi nga Jeremia përmban një ndryshim rrënjësor. Fjalët në tekstin hebraik të Jeremisë 31:32 janë: “ndonëse unë isha Perëndia i tyre”. Disa përkthime të hershme të Jeremisë shkruajnë: “kështu i shpërfilla (apo u largova nga) ata”. Fryma e Shenjtë, që frymëzoi fjalët e Jeremisë dhe siguroi ruajtjen e Biblës, drejtoi shkrimtarin e Letrës drejtuar Hebrenjve të zgjidhte këtë lexim alternativ.
8:10 Vini re përsëritjen e fjalëve do të. Besëlidhja e Vjetër thotë se çfarë duhet të bëjë njeriu; Besëlidhja e Re thotë se çfarë do të bëjë Perëndia. Pas kalimit të ditëve të mosbindjes së Izraelit, Ai do të shtjerë ligjet e Tij në mendjet e tyre, që ata t’i njohin dhe në zemrat e tyre, që t’i duan. Ata do të duan të binden, jo përmes frikës së ndëshkimit, por përmes dashurisë për Të. Ligjet nuk do të jenë më të shkruar mbi gurë, por në pllakat e mishit të zemrës.
Do të jem Perëndia i tyre dhe ata do të jenë populli im. Kjo na flet për afrinë. DhV i thoshte njeriut të qëndronte larg; hiri i thotë atij të afrohet. Ajo gjithashtu i flet atij për marrëdhënien e paprishshme dhe sigurinë pa kushte. Asgjë nuk do t’i ndërpresë lidhjet e këtij gjaku.
8:11 Besëlidhja e Re gjithashtu përfshin njohjen universale të Zotit. Gjatë Mbretërimit të Lavdishëm të Krishtit, nuk do të jetë e nevojshme për njeriun të mësojë më të afërmin e tij apo vëllanë e vet: “Njih Perëndinë!”. Secili do të ketë një vetëditshmëri të brendshme të Tij, nga më i vogli e deri te më i madhi prej tyre: “Vendi do të mbushet me njohurinë e Zotit, ashtu si ujërat mbulojnë detin” (Is. 11:9).
8:12 Më e mira nga të gjitha, Besëlidhja e Re premton mëshirë për një popull të padrejtë dhe falje të përjetshme të mëkateve të tyre. Ligji ishte i pashmangshëm dhe i pandryshueshëm: “Çdo shkelje e mosbindje mori një shpagim të drejtë” (Heb. 2:2).
Për më tepër, ligji nuk mund të zgjidhte me frytshmëri çështjen e mëkateve. Ai siguronte shlyerje për mëkatet, por jo heqje të tyre (fjala hebraike shlyerje rrjedh nga folja që nënkupton mbulim). Flijimet e përshkruara në ligj e bënin një njeri të pastër nga ana rituale, që do të thotë, e bënte të aftë të merrte pjesë në jetën fetare të kombit. Por pastrimi i tij ritual ishte i jashtëm; ai nuk hynte në jetën e brendshme të njeriut. Ai nuk i siguronte një pastrim moral apo t’i jepte atij një ndërgjegje të pastër.
8:13 Fakti që Perëndia paraqet një Besëlidhje të Re do të thotë se e para është e vjetëruar. Meqë është kështu, as nuk duhet të mendojmë të kthehemi te ligji. Megjithatë, kjo është saktësisht ajo që bëjnë disa të ashtuquajtur besimtarë. Autori i paralajmëron ata se besëlidhja ligjore është jashtë mode; një besëlidhje më e mirë ka ardhur. Ata duhet të ecin me hapat e Perëndisë.
C. Oferta e Krishtit më e lartë se flijimet e Dhiatës së Vjetër (9:1-10:18)
9:1 Te 8:3 shkrimtari përmend faktin se çdo kryeprift duhet të ketë diçka për të ofruar. Ai është tashmë gati të diskutojë ofertën e Kryepriftit tonë dhe ta krahasojë atë me ofertat e DhV. Për të bërë një hyrje të temës ai jep një paraqitje të shpejtë të skicës së tabernakullit dhe të rregullave të adhurimit.
9:2 Tabernakulli ishte një strukturë tende në të cilën Perëndia banonte në mes të izraelitëve që nga koha e fushimit të tyre në malin Sinai deri te ndërtimi i tempullit. Zona rreth tabernakullit quhej oborri i jashtëm. Ai rrethohej nga një gardh i përbërë nga një seri hunjsh bronzi me pëlhurë të linjtash mbështjellë përreth. Ndërsa izraeliti hynte në oborrin e tabernakullit përmes derës së lindjes, ai shkonte te altari i flijimit, ku vritej dhe digjej kafsha e flijimit; pastaj te legeni, një enë e madhe prej bronzi që mbante ujë, në të cilin priftërinjtë lanin duart dhe këmbët e tyre.
Vetë tabernakulli ishte afërsisht 15 m i gjatë, 5 m i gjerë dhe 5 m i lartë. Ai ndahej në dy pjesë. E para, Vendi i Shenjtë ishte 10 m i gjatë, dhe e dyta, Vendi Shumë i Shenjtë ishte 5 m.
Tenda ishte e përbërë nga një skelet druri i mbuluar me perde prej leshit të dhive dhe mbulesa prej lëkurë kafshësh për ta mbrojtur nga moti i keq. Këto mbulesa përbënin majën, fundin dhe anët e tendës. Pjesa përballë tabernakullit ishte një vel i trupëzuar.
Në Vendin e Shenjtë kishte tri orendi:
1. Tryeza për bukët e paraqitjes, në të cilën ishin dymbëdhjetë bukë, që përfaqësonin dymbëdhjetë fiset e Izraelit. Këto bukë quheshin “buka e paraqitjes”, sepse viheshin para fytyrës apo pranisë së Perëndisë.
2. Shandani i artë, me shtatë degë të drejtuara nga sipër dhe që mbanin llampa me vaj.
3. Altari i artë i temjanit, në të cilin temjani i shenjtë digjej ditë e natë.
9:3 Pas velit të dytë ishte Vendi Shumë i Shenjtë. Këtu Perëndia shfaqte Veten në një re tejet të shndritshme. Ishte vendi i vetëm në tokë ku Ai mund të afrohej me gjakun e shlyerjes.
9:4 Kjo ndarje e dytë e tabernakullit origjinal përmbante arkën e Besëlidhjes, një arkë e madhe druri e mbuluar nga të gjitha anët me ar. Brenda arkës ishin një enë e artë me manë, shkopi i Aaronit që kishte buluar dhe dy rrasat e ligjit (kur u ndërtua tempulli më vonë, nuk kishte asgjë në arkë veç rrasave të ligjit – shikoni 1 Mbr. 8:9).
Vargu 4 thotë se një tymtore prej ari ishte gjithashtu te Vendi Shumë i Shenjtë. Fjala greke e përkthyer tymtore [14] mund të nënkuptojë si altarin e temjanit (përmendur te Eksodi 30:6 si në Vendin e Shenjtë) ose tymtore me të cilën kryeprifti mbante temjanin. Shpjegimi më i mirë është ky i fundit. Shkrimtari e paraqet tymtoren sikur t’i përkiste Vendit Shumë të Shenjtë, sepse kryeprifti e mbante atë nga altari i temjanit te Vendi Shumë i Shenjtë në Ditën e Shlyerjes.
9:5 Kapaku i artë i arkës së besëlidhjes njihej si pajtuesi. Në majë të tij ishin dy figura të njohura si kerubinët. Ata ishin përballë njëri-tjetrit, me krahë të hapura dhe me kokat e ulura mbi kapakun e arkës.
Shkrimtari ndalet me këtë përshkrim të shkurtër. Ai nuk kishte qëllim të vazhdonte me hollësi, por thjesht për të dhënë përmbajtjen e tabernakullit dhe mënyrën e afrimit të Perëndisë që paraqiste.
9:6 Meqë shkrimtari do të krahasojë ofertën e Krishtit me ofertat e judaizmit, ai para së gjithash përshkruan ato gjëra që kërkoheshin nga ligji. Kishte shumë gjëra për t’u parë, por ai zgjedh gjënë më të rëndësishme në tërë sistemin ligjor, flijimin që ofrohej në Ditën e madhe të Shlyerjes (Lev. 16). Nëse ai mund të vërtetojë veprën e Krishtit se është më e lartë se ajo e kryepriftit në ditën e madhe të kalendarit fetar të Izraelit, atëherë ai e ka fituar këtë pikë.
Priftërinjtë kishte liri hyrjeje në tendën e jashtme, që do të thotë, në Vendin e Shenjtë. Ata shkonin atje vazhdimisht për të kryer detyrat e tyre rituale. Njerëzit e thjeshtë nuk lejoheshin në këtë dhomë; ata duhej të qëndronin jashtë.
9:7 Vetëm një njeri në botë mund të shkonte në Vendin Shumë të Shenjtë – kryeprifti i Izraelit. Dhe ai njeri, nga një racë e vetme, nga një fis i vetëm, nga një familje e vetme, mund të hynte në një ditë të vetme të vitit – në Ditën e Shlyerjes. Kur ai hynte, ai duhej të mbante një legen me gjak, të cilin e ofronte për veten e tij dhe për mëkatet e popullit të kryera në padije.
9:8 Ka të vërteta të mëdha frymërore të lidhura me këtë. Fryma e Shenjtë po mësonte se mëkati kishte sjellë ndarje midis njeriut dhe Perëndisë, që njeriu duhej t’i afrohej Perëndisë përmes një ndërmjetësi dhe se ndërmjetësi mund t’i afrohej Perëndisë vetëm me anë të gjakut të kafshës së flijimit. Ai ishte një mësim tregues për të mësuar se udha për në praninë e Perëndisë ende nuk ishte hapur për adhuruesit.
Hyrja e papërsosur vazhdoi mbasi ende po qëndronte tabernakulli i parë. Tabernakulli u zëvendësua nga tempulli gjatë mbretërimit të Salomonit, por ai akoma qëndronte deri në vdekjen, varrosjen dhe ringjalljen e Krishtit. Parimet që ai shpalli rreth afrimit ndaj Perëndisë ishin ende të vlefshme derisa veli i tempullit u nda në dy pjesë nga maja në fund.
9:9 Sistemi i tabernakullit është një shëmbëlltyrë për kohën e tanishme. Si figurë e diçkaje më të mirë që do të vinte, ai ishte një paraqitje e papërsosur e veprës së përsosur të Krishtit.
Dhuratat dhe flijimet nuk mund ta bënin të përsosur një adhurues në ndërgjegje. Nëse do të ishte siguruar shlyerja e plotë e mëkateve, atëherë ndërgjegjja e ofruesit do të ishte çliruar nga faji i mëkatit. Por kjo nuk ndodhi kurrë.
9:10 Në fakt, ofertat levitike merreshin vetëm me ndotjet rituale. Ato merreshin me gjëra të jashtme si ushqime, pije të pastra dhe të papastra dhe me larje të ndryshme rituale, që mund t’i çlironin njerëzit nga papastërtia rituale, por që nuk merreshin me papastërtinë morale.
Ofertat kishin të bënin me njerëzit që ishin në marrëdhënien e besëlidhjes me Perëndisë. Ato duhej të ruanin njerëzit në një pozicion pastërie rituale, që ata të mund të adhuronin. Ato nuk kishin të bënin fare me shpëtimin apo me pastrimin nga mëkati. Njerëzit shpëtoheshin me anë të besimit në Zotin, në bazë të veprës së ardhshme të Krishtit.
Së fundi, flijimet ishin të përkohshme. Ato ishin të vlefshme deri në kohën e ndryshimit. Ato tregonin ardhjen e Krishtit dhe ofertën e Tij të përsosur. Koha e ndryshimit këtu është epoka e krishterë.
9:11 Krishti është shfaqur si kryeprift i të mirave që do të vijnë në të ardhmen [15], që do të thotë, kryeprift i bekimeve të mrekullueshme që Ai ka derdhur në ata që e pranojnë Atë.
Shenjtërorja e Tij është një tendë më e madh(e) e më e përkryer. Ajo s’është bërë me dorë, në kuptimin se nuk është ndërtuar me materiale ndërtimi të botës. Ajo është shenjtërorja e qiellit, vendbanimi i Perëndisë.
Vendi i Tij i shërbimit nuk është
një tempull i bërë nga duar njeriu,
në qiell Ai vetë shërben,
në priftërinë e Tij qiellore:
Në Të hijet e ligjit
janë të përmbushura të gjitha
dhe tashmë nuk vlejnë më.
Thomas Kelly
9:12 Zoti ynë hyri një herë e përgjithmonë në shenjtërore. Në kohën e ngjitjes së Tij, Ai shkoi në praninë e Perëndisë, pasi fitoi një shpëtim në Kalvar. Ne nuk duhet të reshtim kurrë së gëzuari me këto fjalë, një herë e përgjithmonë. Vepra është kryer. Lavdi Zotit!
Ai dha gjakun e vet, jo gjakun e demave dhe cjepve. Gjaku i kafshës nuk kishte fuqi të hiqte mëkatet; ai vlente vetëm në rastet e ofertave teknike kundër riteve fetare. Por gjaku i Krishtit ka një vlerë të pafundme; fuqia e tij është e mjaftueshme për të pastruar të tëra mëkatet e gjithë njerëzve që kanë jetuar ndonjëherë, gjithë njerëzit që jetojnë tani dhe të gjithë njerëzit që do të jetojnë më pas. Sigurisht, fuqia e tij vlen vetëm për ata që shkojnë tek Ai me anë të besimit. Por fuqia pastruese është e pakufizuar.
Me anë të flijimit të Tij Ai fitoi një shpëtim të amshuar. Priftërinjtë e mëparshëm fitonin shlyerje të përvitshme. Ka një ndryshim të gjerë midis këtyre dy fakteve.
9:13 Për të ilustruar ndryshimin midis flijimit të Krishtit dhe ceremonive të ligjit, shkrimtari tani kthehet te ritet e mëshqerrave. Sipas ligjit, nëse një izraelit prekte një kufomë, ai bëhej sipas ritit i papastër për shtatë ditë. Zgjidhja ishte të përziente hirin e një mëshqerre me ujë të pastër burimi dhe të spërkaste njeriun e njollosur në ditën e tretë dhe të shtatë. Atëherë ai bëhej i pastër.
Mantle thotë:
Hiri shihej si koncentrati i përbërjes thelbësore të ofertës për mëkatin dhe mund të përdorej në çdo kohë kryesisht me pak probleme dhe pa humbje kohe. Një mëshqerrë përdorej për shekuj me radhë. Vetëm gjashtë thuhet se u kërkuan gjatë tërë historisë së judenjve; sepse një sasi shumë e vogël hiri përdorej për të sjellë virtytin e pastërtisë së ujit të pastër të burimit (Num. 19:17) [16].
9:14 Nëse hiri i një mëshqerre kishte një fuqi të tillë për të pastruar një nga format më serioze të ndotjes së jashtme, aq më shumë është i fuqishëm gjaku i Krishtit të pastrojë mëkatet e jashtme nga më të zezat!
Oferta e Tij u bë me anë të Frymës së Shenjtë. Ka disa mendime për domethënien e kësaj shprehjeje. Disa e interpretojnë atë duke thënë “me anë të një fryme të përjetshme”, duke nënkuptuar frymën e gatshme në të cilën Ai kreu flijimin e Tij në krahasim me karakterin e pavullnetshëm të ofertave të kafshëve. Të tjerë e shpjegojnë kështu: “me anë të frymës së Tij të përjetshme”. Ne më tepër besojmë se flitet për Frymën e Shenjtë; Ai bëri flijimin e Tij në fuqinë e Frymës së Shenjtë.
Ajo qe një ofertë e bërë ndaj Perëndisë. Ai qe Qengji i i Perëndisë panjollë, i pamëkatë. Përsosmëria e Tij morale e bëri të aftë të ishte Mbartësi i mëkatit tonë. Flijimet e kafshëve duhej të ishin të panjolla fizikisht; Ai ishte pa faj moralisht.
Gjaku i Tij pastron ndërgjegjen nga veprat e vdekura për t’i shërbyer Perëndisë së gjallë. Nuk është thjesht një pastrim ritual apo larje ceremoniale, por një ripërtëritje morale që pastron ndërgjegjen. Ai pastron ato vepra të vdekura që jobesimtarët prodhojnë në një përpjekje për të fituar vetë pastrimin e tyre. Ai i çliron njerëzit nga këto vepra të pajeta për t’i shërbyer Perëndisë së gjallë.
9:15 Vargu i mëparshëm i mëshonte superioritetit të gjakut të Besëlidhjes së Re ndaj Besëlidhjes së Vjetër. Kjo na çon në përfundimin e vargut 15 – se Krishti është ndërmjetësi i Besëlidhjes së re. Wuest-i shpjegon:
Fjala “ndërmjetës” është përkthimi i fjalës mesites, që i referohet atij që ndërhyn midis dy palëve, për të bërë apo përtërirë paqen dhe miqësinë, apo për të miratuar një besëlidhje. Këtu Mesia vepron si një shkues apo ndërmjetës midis një Perëndie të shenjtë dhe njeriut mëkatar. Me anë të vdekjes së Tij në kryq, Ai heq pengesën (mëkatin) që shkaktonte një largësi midis njeriut dhe Perëndisë. Kur mëkatari pranon meritat e flijimit të Mesias, faji dhe ndëshkimi i mëkatit të tij nuk ekziston më, fuqia e mëkatit në jetën e tij është thyer, ai bëhet pranuesi i natyrës hyjnore dhe largësia midis tij dhe Perëndisë, si ligjore dhe vetjake, zhduket [17].
Tani ata që janë thirrur mund të marrin trashëgiminë e amshuar të premtuar. Me anë të veprës së Krishtit shenjtorët e DhV, po ashtu edhe ata të DhR, shijojnë shpëtim dhe shpengim të amshuar.
Fakti që u mundëson trashëgiminë besimtarëve të kohës para Krishtit është se ka ndodhur një vdekje, e cila është vdekja e Krishtit. Vdekja e Tij i shpengon ata nga shkeljet që u kryen në kohën e ligjit.
Ka një mënyrë sipas së cilës Perëndia ka shpëtuar njerëzit e DhV “me kredi”. Ata u shfajësuan prej besimit, ashtu si edhe ne. Por Krishti nuk kishte vdekur ende. Atëherë si mund t’i ketë shpëtuar Perëndia ata? Përgjigjja është se Ai i shpëtoi ata në bazë të asaj që Ai e dinte se do ta kryente Krishti. Ata dinin pak ose aspak për atë që Krishti do të bënte në Kalvar. Por Perëndia e dinte dhe Ai përfshiu vlerën e asaj vepre në llogari të tyre kur ata besuan pavarësisht nga zbulesa që bëri Ai për Vetveten.
Në një farë kuptimi një borxh i madh i shkeljeve ishte grumbulluar nën Besëlidhjen e Vjetër. Me anë të vdekjes së Tij, Krishti shpengoi besimtarët e kohës së lashtë nga këto shkelje.
Mënyra sipas së cilës Perëndia i shpëtoi ata me anë të veprës së Krishtit që do të ndodhte në të ardhmen, njihet si parashlyerje e mëkateve. Për këtë flitet te Romakëve 3:25,26.
9:16 Përmendja e autorit të trashëgimisë në vargun 15 i kujton atij se në mënyrë që dëshira e fundit dhe testamenti të vërtetohen, duhet të ketë një provë që trashëgimlënësi të ketë vdekur. Zakonisht një çertifikatë vdekjeje është një provë e majftueshme.
9:17 Trashëgimlënësi mund të ketë shprehur dëshirën e tij shumë vjet më parë dhe ta ruajë atë të fshehtë, por kjo nuk ka vlerë derisa ai të vdesë. Për sa kohë është gjallë, pasuria e tij nuk mund të ndahet midis atyre që u është shprehur dëshira.
9:18 Tani tema ndryshon nga dëshira e fundit e një njeriu te Besëlidhja e Vjetër e dhënë nga Perëndia përmes Moisiut (fjalët në anglisht “besëlidhje” dhe “testament” janë përkthyer që të dyja nga e njëjta fjalë greke diatheke). Edhe këtu duhej të ndodhte një vdekje. Ajo u miratua nga derdhja e gjakut.
Në kohët e lashta çdo besëlidhje bëhej e vlefshme me anë të vdekjes flijuese të një kafshe. Gjaku ishte një premtim solemn që kërkesat e besëlidhjes do të përmbusheshin.
9:19 Pasi Moisiu i kishte shpallur ligjin Izraelit, mori gjakun e viçave, të cjepve, bashkë me ujë, lesh të kuq dhe hisop, e spërkati librin e ligjit dhe gjithë popullin. Në këtë mënyrë Moisiu rregulloi ceremoninë e vulosjes solemne të besëlidhjes.
Te Eksodi 24:1-11 ne lexojmë se Moisiu spërkati altarin dhe popullin; nuk na përmendet spërkatja e librit, apo e ujit, leshit të kuq dhe hisopit. Është mirë që t’i shohim këto rrëfime si plotësuese të njëra-tjetrës.
Perëndia, i paraqitur përmes altarit, dhe populli ishin dy palët kontraktuese. Libri ishte besëlidhja. Gjaku i spërkatur i lidhte të dyja palët për të zbatuar kërkesat e besëlidhjes. Populli premtoi të bindej dhe Zoti premtoi t’i bekonte, nëse ata do t’i bindeshin.
9:20 Ndërsa Moisiu spërkaste gjakun thoshte: “Ky është gjaku i Besëlidhjes që Perëndia urdhëroi për ju”. Ky veprim zotonte jetën e popullit nëse ata do të dështonin së zbatuari ligjin.
9:21 Në një mënyrë të ngjashme Moisiu me atë gjak spërkati edhe tabernakullin dhe të gjitha orenditë që përdoreshin në adhurim. Ky rit nuk gjendet në DhV. Nuk përmendet fare gjaku i përkushtimit të tabernakullit te Eksodi 40. Megjithatë simbolizmi është i qartë. Çdo gjë që ka lidhje me njeriun mëkatar bëhet e ndotur dhe duhet të pastrohet.
9:22 Gati të gjitha gjërat sipas ligjit pastroheshin me anë të gjakut. Por kishte përjashtime. Për shembull, kur një njeri duhej të numërohej për të bërë regjistrimin e bijve të Izraelit, ai mund të sillte një gjysëm sikle argjendi si “para për shlyerjen” në vend të ofertës së gjakut (Eksodi 30:11-16). Monedha ishte një shlyerje në shenjë simbolike e shpirtit të njeriut që të numërohej si pjesëtar i popullit të Perëndisë. Një përjashtim tjetër gjendet te Levitiku 5:11, ku disa forma të papastërtisë rituale mund të zgjidheshin me anë të një oferte të miellit të mirë.
Këto përjashtime shtjellonin shlyerjen apo mbulimin e mëkatit, megjithëse, në përgjithësi, një ofertë gjaku kërkohet edhe për shlyerjen. Por për sa i përket ndjesës së mëkatit, nuk ka përjashtim: duhet të derdhet gjaku.
9:23 Pjesa pjetër e kapitullit 9 krahason dhe bën dallimin midis dy besëlidhjeve.
Para së gjithash, tabernakulli tokësor duhej të pastrohej me gjakun e demave dhe cjepve. Ashtu siç është treguar ky ishte një pastrim ceremonial. Ai ishte një shenjtërim simbolik i një shenjtëroreje simbolike.
Shenjtërorja qiellore ishte realiteti nga i cili ishte kopjuar tenda tokësore. Ajo duhej të pastrohej me flijime më të mira se këto, që do të thotë, me flijimin e Krishtit. Përdorimi i shumësit për të përshkruar ofertën e vetme të Krishtit është një mënyrë e të folurit e njohur si shumësi i madhërisë.
Mund të duket e habitshme se vendet qiellore duhej të pastroheshin. Mbase një fill drejtues gjendet te Jobi 15:15: “qiejt nuk janë të pastër në sytë e tij”. Pa dyshim, ndodh kjo sepse Satani kreu aktin e parë të mëkatit në qiell (Is. 14:12-14) dhe sepse ai akoma ka liri për të hyrë në praninë e Perëndisë si paditësi i vëllezërve (Zbulesa 12:10).
9:24 Krishti nuk hyri në shenjtëroren e njeriut, e cila ishte një model apo figurë e asaj të vërtetës, por në vetë qiellin. Atje Ai shfaqet përpara Perëndisë për ne.
Është e vështirë të kuptojmë se pse ndonjë dëshiron të lërë realitetin dhe të kthehet te shëmbëllesa, se pse ndonjë do të lërë Kryepriftin e madh që shërben në shenjtëroren qiellore për t’u kthyer te priftërinjtë e Izraelit që shërbejnë në një tendë simbolike.
9:25 Zoti Jezus nuk bëri oferta të përsëritura, sikurse kryeprifti sipas rendit të Aaronit. Ky i fundit hynte në shenjtërore një herë në vit – që do të thotë, në Ditën e Shlyerjes dhe nuk ofronte gjakun e tij, por gjakun e kafshëve të flijimit.
9:26 Nëse Krishti do të bënte oferta të përsëritura, kjo donte të thoshte vuajtje të përsëritura, meqë oferta e Tij ishte vetë jeta e Tij. Është e pamendueshme që ai të vuajë agonitë e Kalvarit në mënyrë periodike qëkurse u krijua bota! Dhe në të njëjtën kohë e panevojshme!
Sipas Besëlidhjes së Re ka:
1. Përfundim pozitiv – vetëm një herë . . . u shfaq. Vepra nuk duhet kurrë të përsëritet.
2. Një kohë e favorshme – Ai u shfaq në fund të shekujve, që do të thotë, pasi Besëlidhja e Vjetër kishte treguar përfundimisht dështimin dhe dobësinë e njeriut.
3. Një vepër e përsosur – ai u shfaq për të prishur mëkatin, theksi vihet te fjalët për të prishur. Nuk ishte më një çështje e një shlyerjeje të përvitshme. Tani kishte falje të përjetshme.
4. Një flijim vetjak – Ai prishi mëkatin me anë të flijimit të vetvetes. Në vetë trupin e Tij mori ndëshkimin që meritonin mëkatet tona.
Duke mbajtur turpin dhe përqeshjen therëse,
në vendin tim i dënuar qëndroi;
Vulosi faljen time me gjakun e Tij;
Aleluja! Çfarë Shpëtimtari!
Philip P. Bliss
9:27 Vargjet 27 dhe 28 duken se paraqesin një dallim tjetër midis Besëlidhjes së Vjetër dhe asaj të Re. Ligji i dënonte mëkatarët të vdesin vetëm një herë dhe më pas vjen gjyqi. Ligji ishte dhënë për njerëzit që ishin tashmë mëkatarë dhe që nuk do ta zbatonin atë në mënyrë të përsosur. Prandaj u bë një mjet dënimi për të gjithë ata që ishin nën të.
9:28 Besëlidhja e Re ndërfut flijimin e pafund të Krishtit; Ai u dha vetëm njëherë për të marrë mbi vete mëkatet e shumëve. Ai paraqet shpresën e bekuar të Kthimit të Tij të padiskutueshëm; do të duket për së dyti . . . për ata që e presin për shpëtim. Por kur të kthehet Ai, nuk do të merret me problemin e mëkatit: Ai e kreu atë vepër në kryq. Ai do të vijë për të marrë popullin e Tij në qiell. Kjo do të jetë maja e shpëtimit të tyre; ata do të marrin trupat e tyre të lavdishëm dhe do të jenë gjithmonë larg mëkatit.
Shprehja për ata që e presin, është një përshkrim i tërë besimtarëve të vërtetë. Të gjithë njerëzit e Perëndisë presin që Ai të kthehet edhe pse nuk mund të bien dakord për rendin e saktë të ndodhive që kanë të bëjnë me Ardhjen e Tij.
Bibla nuk mëson se vetëm një grup i të krishterëve specialistë frymërore do të merren në qiell në kohën e Rrëmbimit. Ajo i përshkruan pjesëmarrësit si “ata që vdiqën në Krishtin” dhe “ne të gjallët, që do të kemi mbetur” (1 Thes. 4:16,17). Kjo përfshin të tërë besimtarët, të vdekurit dhe të gjallët. Te 1 Korintasve 15:23 pjesëmarrësit njëjtësohen si “ata që janë të Krishtit”.
Është treguar shpesh se ne kemi tri shfaqje të Krishtit në vargjet 24-28. Ato mund të përmblidhen si vijon:
Vargu 26: Ai është shfaqur. Kjo i referohet Ardhjes së Tij të Parë kur erdhi në tokë për të na shpëtuar nga ndëshkimi i mëkatit (koha e shkuar e shpëtimit).
Vargu 24: Ai tani shfaqet. Kjo është një referencë e shërbesës së Tij të tashme në praninë e Perëndisë për të na shpëtuar nga fuqia e mëkatit (koha e tashme e shpëtimit).
Vargu 28: Ai do të shfaqet. Kjo flet për Kthimin e Tij të pashmangshëm kur do të na shpëtojë nga prania e mëkatit (koha e ardhme e shpëtimit).
10:1 Ligji ishte vetëm hija e të mirave që kishin për të ardhur. Ai na çoi te Personi dhe vepra e Krishtit, por ishte një zëvendësues i mjerë i realitetit. Të parapëlqesh ligjin në vend të Krishtit është njëlloj si të pëlqesh një pikturë në vend të dikujt të pikturuar. Kjo është një fyerje e madhështisë së Tij!
Dobësia e sistemit ligjor shihet në faktin se flijimet e Tij duhet të përsëriteshin vazhdimisht. Kjo përsëritje provonte paaftësinë e tyre të plotë për të përmbushur kërkesat e Perëndisë së shenjtë. Vini re shprehjen e përdorur për të rrokur këtë ide të përsëritjes: me anë të të njëjtave flijime që ofrohen vazhdimisht vit për vit.
Flijimet ishin kryekëput të paafta për të përsosur adhuruesit, që do të thotë, ato nuk u jepnin kurrë njerëzve një ndërgjegje të përkryer nga mëkati. Izraelitët nuk gëzuan kurrë vetëdijshmërinë e të qenurit të pastër përgjithnjë nga faji i mëkatit. Ata nuk patën kurrë prehje të plotë të ndërgjegjes.
10:2 Nëse ofertat do t’i kishte shfajësuar ata plotësisht dhe përfundimisht nga mëkati, a nuk do të kishin pushuar së bëri udhëtimin e përvitshëm për në tabernakull apo tempull? Përsëritja e përvitshme e flijimeve i bënte ato të pafrytshme. Ai që duhet të marrë ilaçe orë pas ore për të mbetur gjallë nuk është i shëruar.
10:3 Në vend që të pastronin ndërgjegjen, sistemi levitik e mbajti atë në mendje çdo vit. Përtej riteve të mrekullueshme të Ditës së Shlyerjes vinte në mendje kujtesa e përvitshme se mëkatet vetëm ishin mbuluar dhe jo hequr plotësisht.
10:4 Thjesht është e pamundur që gjaku i demave dhe i cjepve të ketë fuqinë të heqë mëkatet. Ashtu siç e kemi theksuar më parë, këto flijime merreshin me gabimet rituale. Ato jepnin një farë pastrimi ceremonial, por ato ishin kryekëput dështime për të ndrequr prishjen e natyrës së njeriut apo veprat e tij të liga.
10:5 Në dallim me dobësinë e ofertave levitike, tani mbërrijmë te forca e flijimit më të lartë të Krishtit. Si hyrje, na lejohet të dëgjojmë monologun e Shpëtimtarit në kohën e mishërimit të Tij. Duke cituar nga Psalmi 40, ai vuri re mospëlqimin e Perëndisë me flijimet dhe ofertat e Besëlidhjes së Vjetër. Perëndia kishte caktuar këto flijime edhe pse nuk ishin qëllimi i Tij përfundimtar. Ato nuk u caktuan kurrë që të hiqnin mëkatet, por për më tepër të parashikonin ardhjen e Qengjit të Perëndisë, që do të hiqte mëkatin botës. A do të mund të pëlqente Perëndia lumenjtë e gjakut të kafshëve apo pirgun e kërmat e kafshëve?
Një arsye tjetër për mospëlqimin e Perëndisë është se njerëzit mendonin se i pëlqenin atij duke bërë ceremoni, ndërsa jetët e tyre të brendshme ishin me mëkat dhe të prishura. Shumë prej tyre i bënin me seri flijimet pa u penduar apo pa u ligështuar në zemër. Ata mendonin se Perëndia do të pëlqente flijimet e tyre të kafshëve, ndërsa Ai shikonte për flijimin e një zemre të thyer. Ata nuk e kuptonin se Perëndia nuk është ritualist!
Duke mos gjetur pëlqim me flijimet e mëparshme, Perëndia bëri gati një trup njerëzor për Birin e Tij, gjë e cila ishte një pjesë përbërëse e jetës dhe natyrës së Tij njerëzore. Kjo, sigurisht, i referohet mrekullisë së madhe të Mishërimit kur Fjala e përjetshme u bë mish, në mënyrë që, si Njeri, të mund të vdiste për njerëzit.
Është interesante se fjalia bëre gati për mua një trup, përshtatur nga Psalmi 40:6, përmban gjithashtu edhe dy kuptime të tjera. Në atë psalm lexojmë: “Më ke shpuar veshët” dhe anash tekstit (NKJV) lexojmë: “veshët që më ke shpuar”. Veshi i hapur, sigurisht, do të thotë se Mesia ishte gjithnjë gati për të marrë udhëzimet e Tij nga Perëndia dhe t’u bindej atyre menjëherë. Veshi i shpuar mund të jetë një hamendësim i skllavit hebre (Eksodi 21:1-6), veshi i të cilit shpohej me një fëndyell te dera si shenjë se ai me dëshirën e vet binte në ujdi për të qenë i të zotit të tij përgjithmonë. Në Mishërimin e Tij Shpëtimtari në fakt tha: “Unë e dua zotërinë time . . . dhe nuk dua të shkoj i lirë”.
10:6 Duke vazhduar citimin nga Psalmi 40, Mesia përsëriti që Perëndia nuk pëlqente as olokauste as flijimet për mëkatin. Kafshët ishin viktima të pavullnetshme, gjaku i të cilave ishte i pafuqishëm të pastronte. Gjithashtu ato nuk paraqisnin dëshirën përfundimtare të Perëndisë. Ato ishin lloje dhe hije që tregonin flijimin e Krishtit. Si një fund në vetvete, ato ishin të pavlera.
10:7 Ajo që i pëlqeu Perëndisë ishte gatishmëria e Mesias që të bënte vullnetin e Perëndisë, pavarësisht nga çmimi. Ai vërtetoi bindjen e Tij të vullnetshme të Vetvetes në altarin e flijimit. Ndërsa Zoti ynë po thoshte ato fjalë, Ai po kujtonte se që nga fillimi deri në fund të DhV, dëshmohet për Të se Ai gjeti kënaqësi të plotë në kryerjen e vullnetit të Perëndisë.
10:8 Në vargjet 8-10 shkrimtari jep domethënien frymërore të monologut. Ai e shikon atë si sinjalizues i vdekjes ligjore të sistemit të vjetër të flijimeve dhe të përurimit të ofertës së përkryer, të plotë dhe përfundimtare të Jezu Krishtit.
Ai përsërit citimin e Psalmit 40 në një formë të dendur për të theksuar mungesën e pëlqimit të Perëndisë te flijimet që blatohen sipas ligjit.
10:9 Pastaj shkrimtari shikon domethënien në faktin se menjëherë pas shpalljes së mospëlqimit të Perëndisë me të vjetrën, Mesia shkoi një hap para, për të bërë atë gjë që do t’i pëlqente zemrës së Atit të Tij.
Përfundimi: Ai heq të parën, që të vërë të dytën, që do të thotë, Ai prish sistemin e vjetër të ofertave që kërkoheshin nga ligji dhe ndërfut flijimin e Tij të madh për mëkatin. Besëlidhja ligjore drejtohet për në cepa ndërsa Besëlidhja e Re lëviz për në qendër.
10:10 Prej këtij vullneti të Perëndisë, ndaj të cilit Jezusi iu bind plotësisht, ne jemi shenjtëruar me anë të kushtimit të trupit të Jezu Krishtit, që u bë një herë për të gjithë. George Landis-i komenton:
Ky është një shenjtërim pozicional, ashtu siç është rasti i tërë Letrës së Hebrenjve (me përjashtimin e vargut 12:14) dhe është e vërtetë për tërë besimtarët (1 e Korintasve 6:11) dhe jo thjesht për disa “të krishterë të përparuar”. Kjo vjen me anë të vullnetit të Perëndisë dhe flijimit të Krishtit. Ne jemi vendosur mënjanë nga Perëndia, te Perëndia dhe për Perëndinë. Kjo nuk duhet të ngatërrohet me veprën rritëse të Frymës së Perëndisë te besimtari me anë të Fjalës (Gjon. 17:17-19; 1 Thes. 5:23) [18].
10:11 Shërbesa e çdo prifti, sipas rendit të Aaronit, krahasohet fort tani me atë të Krishtit. Ai i mëparshmi qëndronte përditë për të kryer detyrën e tij. Nuk kishte karrige në tabernakull apo tempull. Ai nuk duhej të pushonte, sepse puna e tij nuk do të ishte kurrë e plotë. Ata ofronin shpesh herë të njëjtat flijime. Kjo ishte një rutinë e pafundme që i linte mëkatet të paprekura dhe ndërgjegjen të paqetësuar.
Këto flijime nuk mund të heqin kurrë mëkatet. “Aaroni” – shkruan A. B. Bruce – “edhe pse është një personazh i rëndësishëm në sistemin levitik, nuk ishte gjë tjetër veçse një argat priftëror, që kryente një ceremoni pa vlerë të vërtetë” [19].
10:12 Zoti ynë i bekuar ofroi një flijim të vetëm për mëkatet. Nuk ishte i nevojshëm një tjetër!
Pa gjak, pa altar tani,
flijimi është kryer!
Pa flakë, pa tym që ngjitet në lartësi,
qengji nuk theret më.
Por gjaku i begatshëm është derdhur
nga venat e fisme
për të larë shpirtin nga faji
dhe për të pastruar njollat më të pista.
Horatius Bonar
Pasi kreu veprën e shpengimit, Ai “u vu të rrijë në të djathtën e Perëndisë” (JND). Ky varg mund të lexohet edhe Ai “ofroi përgjithmonë një flijim për mëkatet”, ose se Ai “u ul përgjithmonë”. Të dyja janë të vërteta, por ne priremi të besojmë se kjo e fundit është interpretimi më i saktë. Ai është ulur në mënyrë të pandërprerë, sepse çështja e tmerrshme e mëkatit është zgjidhur një herë e përgjithmonë. Ai është ulur në të djathtën e Perëndisë, në vendin e nderit, fuqisë dhe dashurisë.
Dikush mund të kundërshtojë se Ai nuk mund të ulet përgjithnjë sepse një ditë do të shfaqet në gjykim. Nuk kemi të bëjmë me ndonjë kontradiktë këtu. Për sa i përket ofertës së mëkatit që bëri, Ai është ulur përgjithnjë në përjetësi. Për sa i përket gjykimit, Ai akoma nuk është ulur përgjithnjë.
10:13 Ai pret vetëm që armiqtë e tij t’i vihen si ndenjëse për këmbët e tij, deri në ditën që çdo gju të përkulet para Tij dhe çdo gjuhë të rrëfejë Atë si Zotin e lavdisë së Perëndisë Atë (Filipianeve 2:10,11). Kjo do të jetë dita e hakmarrjes së Tij publike në tokë.
10:14 Vlera e përhershme e ofertës së Tij shihet në atë që me anë të saj ai i bëri të përsosur përgjithnjë ata që shenjtërohen. Ata që shenjtërohen këtu do të thotë të gjithë ata që janë veçuar me anë të Perëndisë nga bota, që do të thotë, të tërë besimtarët e vërtetë. Ata janë bërë të përsosur në një kuptim të dyfishtë. Së pari, ata qëndrojnë të përsosur para Perëndisë; ata qëndrojnë para Atit në tërë pranueshmërinë e Birit të Tij të dashur. Së dyti, ata kanë një ndërgjegje të përsosur për sa u përket fajit dhe ndëshkimit të mëkatit; ata e dinë se çmimi është paguar plotësisht dhe se Perëndia nuk do të kërkojë pagesë për herë të dytë.
10:15 Edhe Fryma e Shenjtë na e dëshmon faktin se nën Besëlidhjen e Re, mëkatet do të zgjidhen një herë e përgjithmonë. Ai na e dëshmon me anë të shkrimeve të DhV.
10:16 Te Jeremia 31:31, Zoti premtoi të bënte një besëlidhje të Re me popullin e Tij të zgjedhur tokësor.
10:17 Pastaj, në të njëjtën pjesë shton: “Dhe nuk do t’i kujtoj më mëkatet e tyre dhe paudhësitë e tyre”. Është për t’u habitur se Jeremia 31:34 përmban këtë premtim të faljes së plotë dhe përfundimtare të mëkateve; megjithatë disa nga ata që jetuan në ditën kur filluan të përmbusheshin premtimet ishin të gatshëm të ktheheshin te flijimet e pafundme të judaizmit!
10:18 Premtimi i faljes sipas Besëlidhjes së Re do të thoshte se nuk ka më ofertë për mëkatin. Me këto fjalë, nuk ka më ofertë për mëkatin, autori përfundon atë që ne mund ta quajmë pjesën doktrinore të letrës. Ai dëshiron që këto fjalë të tingëllojnë në zemrat dhe mendjet tona ndërsa tani mëshon mbi ne detyrimet tona praktike.