Krishti më i lartë në personin e Tij (Hebrenjve 1:1-4:13)

A. Krishti më i lartë nga profetët (1:1-3)

1:1 Asnjë letër tjetër e DhR nuk futet në temë kaq shpejt sa kjo. Pas asnjë përshëndetje ndaj dikujt apo hyrje, shkrimtari futet në temë. Duket sikur ai ka qenë i shtyrë nga një padurim i shenjtë për të nxjerrë në pah lavditë e mëdha të Zotit Jezu Krisht.

Së pari, ai ballafaqon zbulimin e Perëndisë me anë të profetëve me zbulimin e Tij në Birin e Tij. Profetët ishin zëdhënësit hyjnisht të frymëzuar prej Perëndisë. Mirëqenia frymërore e shërbesës së tyre ruhet në DhV.

Megjithatë shërbesa e tyre ishte e pjesshme dhe e copëtuar. Secilit prej tyre iu dha një masë e caktuar, por në çdo rast ishte i paplotë.

Jo vetëm e vërteta u përhap në pjesët e tyre; por ata përdorën mënyra të shumta për t’ua komunikuar atë njerëzve. Ajo u paraqit si ligji, historia, poezia dhe profecia. Ndonjëherë ishte gojore, ndonjëherë e shkruar. Ndonjëherë me anë të vegimeve, ëndrrave, simboleve apo me anë të shprehjes së veprimeve, emocioneve apo shenjave pa përdorur të folurit. Por cilado qoftë mënyra e përdorur, çështja është se zbulesat e mëparshme të Perëndisë ndaj popullit jude ishin paraprake, në zhvillim dhe të shumta në mënyrën e paraqitjes.

1:2 Profecitë periodike, të pjesshme dhe të ndryshme të DhV janë zhdukur tani nga zbulesa e dalluar dhe përfundimtare e Perëndisë në personin e Birit të Tij. Profetët qenë vetëm kanale me anë të të cilëve u komunikua fjala hyjnore. Zoti Jezu Krisht është zbulesa përfundimtare e njerëzve. Ashtu siç tha Gjoni: “Askush nuk e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t’Et, është ai që e ka bërë të njohur.” (Gjoni 1:18). Zoti Jezus tha për Veten e Tij: “Kush më ka parë mua, ka parë Atin.” (Gjoni 14:9). Krishti nuk flet vetëm për Perëndinë, por si Perëndi.

Për të theksuar superioritetin e pafund të Birit të Perëndisë ndaj profetëve, shkrimtari së pari e paraqet Atë si trashëgimtar të të gjitha gjërave. Kjo do të thotë se gjithësia i përket Atij me anë të caktimit hyjnor dhe Ai së shpejti do të mbretërojë mbi të.

Me anë të Tij Perëndia krijoi dhe gjithësinë. Jezu Krishti ishte Vepruesi aktiv në krijim. Ai solli në ekzistencë qiejt e yjësisë, qiejt atmosferikë, tokën, racën njerëzore dhe planin hyjnor të kohërave. Çdo gjë e krijuar, si frymërore ashtu edhe fizike, u krijua me anë të Tij.

1:3 Ai është shkëlqimi i lavdisë së Perëndisë, që do të thotë, çdo përsosmëri që gjendet në Perëndinë Atë gjendet gjithashtu edhe në Atë. Ai është shkëlqimi apo rrezatimi i lavdisë së Tij. Të gjitha lavditë morale dhe frymërore të Perëndisë shihen në Të.

Më tej, Zoti Jezus është vula e qenies së Perëndisë. Kjo nuk i referohet, sigurisht, ngjashmërisë fizike sepse Perëndia është, në thelb, Frymë. Do të thotë që në mënyrën më të konceptueshme Krishti përfaqëson saktësisht Atin. Asnjë përngjasim më i përafërt nuk mund të jetë i mundur. Biri, duke qenë Perëndi, i zbulon njeriut me anë të fjalëve dhe mënyrave të Tij në mënyrë të saktë se si është Perëndia.

Dhe Ai mban gjithësinë me fjalën e fuqisë së tij. Në fillim Ai foli për të krijuar gjithësinë (Heb. 11:3). Ai akoma flet dhe fjala e Tij e fuqishme mban jetën, i mban gjërat bashkë dhe mban gjithësinë në rregullin e duhur. Me anë të Tij qëndrojnë të gjitha gjërat (Kol. 1:17). Këtu kemi një shembull të thjeshtë të një problemi të thellë shkencor. Shkencëtarët rropaten të zbulojnë se çfarë i mban molekulat bashkë. Ne mësojmë këtu se Jezu Krishti është Mbajtësi i madh dhe Ai e bën këtë me fjalën e Tij të fuqishme.

Por lavdia tjetër e Shpëtimtarit tonë është më e mrekullueshmja nga të gjitha – mbasi e bëri vetë pastrimin nga mëkatet tona. Krijuesi dhe Mbajtësi u bë Mbartës i mëkatit. Që të krijonte gjithësinë, Atij iu desh vetëm të fliste. Që të mbante dhe të drejtonte gjithësinë, Atij iu desh vetëm të fliste, sepse nuk kishte asnjë problem moral. Por që të hiqte mëkatet tona një herë e përgjithmonë, Atij iu desh të vdiste në kryqin e Kalvarit. Është mahnitëse të mendojmë se Zoti Sovran do të ulte Veten për t’u bërë Qengji i flijimit. “Një dashuri kaq të mahnitshme, kaq hyjnore, kërkon shpirti im, jeta ime, e tërë qenia ime”, ashtu siç thotë himni i Isaac Watts.

Së fundi, kemi përlëvdimin e Tij si Zoti i ulur në fron: Ai u ul në të djathtën e Madhërisë në vendet e larta; Ai u ul – vendi i prehjes. Kjo nuk është prehja nga rropatja, por prehja e shenjtërimit në një vepër të kryer. Ky vend tregon se vepra e shpengimit është kryer plotësisht.

Në të djathtën e Madhërisë në vendet e larta është vendi i nderit dhe privilegjit (Heb. 1:13). Për shkak të triumfit të Tij të lavdishëm, Perëndia e ka përlëvduar Atë. Dora e djathtë është gjithashtu pozita e fuqisë (Mt. 26:64) dhe e gëzimit (Ps. 16:11). Dora e shpuar nga gozhdat e Shpëtimtarit mban skeptrin e sundimit mbi gjithësinë (1 Pjetrit 3:22).

Duke ndjekur shtegun e Zotit tonë nga krijimi në Kalvar dhe pastaj në lavdi, duket sikur kemi humbur vështrimin e profetëve. Edhe pse ishin të shquar, ata ranë në hije. Ata sollën dëshmi për Mesian që do të vinte (Veprat 10:43). Tani që Ai ka ardhur, ata të gëzuar dalin nga skena.

B. Krishti më i lartë se engjëjt (1:4-2:18)

1:4 Hapi tjetër në argumentin e Letrës tregon se Krishti është më i lartë se engjëjt. Kjo ishte e nevojshme sepse judenjtë kishin një vlerësim të madh për shërbesën e engjëjve. Mbi të gjitha, ligji ishte dhënë me anë të engjëjve (Veprat e Apostujve 7:53; Gal. 3:19) dhe qeniet engjëllore janë shfaqur shpesh në historinë e njerëzve të lashtë të Perëndisë. Mbase është folur se në braktisjen e judaizmit për Krishtin një njeri do të shkëpuste veten nga kjo veçori e rëndësishme e kombit dhe trashëgimisë së tij fetare. E vërteta është se, duke e pranuar Krishtin, ai fiton Atë që është më i lartë se engjëjt në një kuptim të dyfishtë – së pari si Bir i Perëndisë (1:4-14) dhe pastaj si Bir i Njeriut (2:5-18).

Krishti u bë aq më i lartë se engjëjt, sa më të madhërueshëm se ata është emri që ai e trashëgoi. Kjo na flet së pari për superioritetin e fituar, pastaj për superioritetin e trashëguar.

Superioriteti i fituar rrjedh nga ringjallja, ngjitja dhe përlëvdimi i Tij si Zot dhe Krisht. Kur u mishërua Ai u bë për pak kohë më i ulët se engjëjt për vuajtjet e vdekjes (2:9). Por Perëndia e përlëvdoi Atë dhe e kurorëzoi me lavdinë më të lartë.

Superioriteti i Tij i trashëguar ka të bëjë me marrëdhënien e Tij të përjetshme si Bir i Perëndisë. Emri më i madhërueshëm është emri i Birit.

1:5 Këto dy vargje janë cituar nga DhV, që njëjtësojnë Mesian si Birin e Perëndisë. I pari, te Psalmi 2:7, Perëndia i drejtohet Atij si Bir: “Ti je Biri im, sot më je lindur”. Nga njëra anë, Krishti është përjetësisht Biri i vetëmlindur (d.m.th. që nga përjetësia deri në përjetësi). Nga ana tjetër, Ai u lind kur u bë mish. Edhe nga një anë tjetër, Ai u lind në ringjallje – i parëlinduri nga të vdekurit (Kol. 1:18). Pali e përdori këtë varg në sinagogë në Antioki të Pisidisë dhe ia bashkëngjiti këtë Ardhjes së Parë të Krishtit (Veprat e Apostujve 13:33).

Por pika kryesore është se Perëndia asnjëherë nuk i është drejtuar ndonjë engjëlli si Biri i Tij. Engjëjt bashkarisht quhen bij të Perëndisë (Job. 1:6; Ps. 89:6 [shënimet anësore të versionit ASV]), por në këto raste nuk nënkuptohet gjë tjetër veçse krijesa. Kur Zoti Jezus përshkruhet si Biri i Perëndisë, do të thotë i barabartë me Perëndinë.

Vargu i dytë është shkëputur nga 2 Samuelit 7:14: “Unë do t’i jem Atë, dhe ai do të më jetë Bir”. Edhe pse fjalët duhet sikur i referohen Salomonit, Fryma e Shenjtë këtu i njëjtëson sikur t’i përkisnin Birit më të madh të Davidit. Këtu përsëri argumenti është se Perëndia asnjëherë nuk i ka folur ndonjë engjëlli në këtë mënyrë.

1:6 Një mënyrë e tretë në të cilën Krishti është më i madh se engjëjt është se Ai është tema e adhurimit të tyre, kurse ata janë lajmëtarët dhe shërbëtorët e Tij. Për të provuar këtë, autori citon Ligji i Perterire 32:43 (Versioni LXX dhe dorëshkrimet nga Deti i Vdekur) dhe Psalmi 97:7 (shikoni shënimet anësore të versionit NKJV).

Vargu te Ligji i Perterire parapret kohën kur ta shtjerë të Parëlindurin në botë. Me fjalë të tjera, i referohet Ardhjes së Dytë të Krishtit. Në atë kohë Ai do të adhurohet hapur nga engjëjt. Kjo do të thotë se Ai është Perëndi. Është idhujtari të adhurosh dikë tjetër përveç Perëndisë së vërtetë. Megjithatë Perëndia këtu urdhëron se Zoti Jezu Krisht duhet të adhurohet nga engjëjt.

I Parëlinduri do të thotë i pari për sa i përket radhës së lindjes (Luka 2:7) ose i pari në rang apo nder (Ps. 89:27). Ka kuptimin e fundit këtu dhe te Romakëve 8:29 dhe Kolosianëve 1:15,18.

1:7 Në dallim me Birin e Tij, Perëndia engjëjt . . . i bën erëra, dhe shërbenjësit e tij flakë zjarri. Ai është Krijuesi dhe Drejtuesi i engjëjve. Ata i binden vullnetit të Tij me shpejtësinë e erës dhe me entuziazmin e zjarrit.

1:8 Tani vijon një galaktitë lavdish në të cilat Biri është i pakrahasueshëm. Së pari Perëndia i drejtohet Atij Perëndi. Te Psalmi 45:6 Perëndia Atë e shpall Mesian me këto fjalë: “Froni yt, o Perëndi është në shekuj të shekujve”. Këtu përsëri hyjnia e Krishtit është e pagabueshme dhe argumenti del nga teksti tradicional hebraik (Ka të paktën një citim nga DhV në çdo kapitull të Letrës së Hebrenjve).

Ai gjithashtu është Sovrani i përjetshëm; froni i Tij zgjat në shekuj të shekujve. Mbretëria e Tij do të jetë në të vërtetë “e shtrirë nga bregu në breg derisa hëna të bëhet e plotë dhe të mos hahet më”.

Ai është Mbreti i drejtë. Psalmisti flet për Të që mban një skeptër drejtësie, e cila është një mënyrë poetike për të thënë se ky Mbret sundon në ndershmëri dhe drejtësi të plotë.

1:9 Drejtësia e Tij vetjake është e dukshme nga fakti se Ai ka dashur në mënyrë të vazhdueshme drejtësinë dhe e ka urryer paudhësinë. Kjo padyshim i referohet së pari jetës së tij tridhjetetrevjeçare në tokë, gjatë të cilëve syri i Perëndisë nuk mund të gjente asnjë njollë në karakterin e Tij dhe asnjë dështim në sjelljen e Tij. Ai provoi se ishte i aftë të mbretëronte.

Për shkak të shkëlqimit të Tij vetjak, Perëndia e vajosi me vaj gëzimi përmbi shokët e Tij. Kjo do të thotë se Ai i ka dhënë Krishtit vendin më të lartë mbi të gjitha qeniet. Vaji këtu mund të përfaqësojë Frymën e Shenjtë; Krishti u vesh me Frymën më shumë se të gjithë të tjerët (Gjoni 3:34). Shokët e Tij janë të gjithë ata që qenë me Të, por shprehja nuk do të thotë se ata ishin të barabartë me Të. Mbase përfshin engjëjt, por ka gjasa t’i referohet vëllezërve të Tij judenj.

1:10 Zoti Jezu Krisht është Krijuesi i qiellit dhe tokës. Kjo tregohet nga Psalmi 102:25-27. Në atë psalm, Mesia thotë: “O Perëndia im, mos më merr” (v. 24). Kësaj lutjeje në Gjetsemani dhe Kalvar i përgjigjet Perëndia Atë: “Së lashti ti ke vendosur tokën dhe qiejt janë vepër e duarve të tua”.

Duhet vënë re se Perëndia këtu në vargun 10 i drejtohet Birit të Tij si Zot, që është Jehova. Përfundimi është i padiskutueshëm: Jezusi i DhR është Jehova i DhV.

1:11,12 Në vargjet 11 e 12 përkohshmëria e krijimit ballafaqohet me përjetësinë e Krijuesit. Vepra e Tij do të prishet, por Ai Vetë do të mbetet. Edhe pse dielli, hëna, yjet, malet, oqeanet dhe lumenjtë duken se janë të përhershëm, e vërteta është se ata janë vjetëruar. Psalmisti i krahason me një rrobë: së pari, ajo griset; pastaj mbështillet në mënyrë të pazakontë; pastaj ndërrohet për diçka më të mirë.

Shiko malet e mbuluara nga bora, perëndimin e diellit, qiellin e mbuluar nga yjet. Pastaj dëgjo tingullin madhështor të këtyre fjalëve: Ti do t’i mbështjellësh si një mantel edhe do të ndërrohen; por ti je po ai, dhe vitet e tua nuk do të shteren kurrë.

1:13 Një pyetje tjetër (Ps. 110:1) provon superioritetin e Birit. Në atë psalm Perëndia fton Mesian: “Rri në të djathtën time, gjersa t’i vë armiqtë e tu shtroje të këmbëve të tua”. Pyetja është: “Cilit nga engjëjve i tha Perëndia ndonjëherë një gjë të tillë?”. Përgjigjja është, sigurisht, askujt.

Të ulesh në të djathtën e Perëndisë nënkupton një vend të një nderi të madhe dhe të një fuqie të pakufishme. Të kesh të gjithë armiqtë stol të këmbëve nënkupton nënshtrimin e sundimin universal.

1:14 Misioni i engjëjve nuk është të sundojnë por të shërbejnë. Ata janë qenie frymërore të cilët Perëndia i krijoi për të shërbyer për të mirën e atyre që kanë për të trashëguar shpëtimin. Kjo mund të kuptohet në dy mënyra: së pari, engjëjt u shërbejnë atyre që nuk janë të shpëtuar ende; ose, së dyti, ata u shërbejnë atyre që janë të shpëtuar nga ndëshkimi dhe fuqia e mëkatit, por që nuk janë shpëtuar nga prania e mëkatit, që do të thotë, ata besimtarë që janë akoma në tokë.

Kjo do të thotë se ata janë “engjëj ruajtës”. Pse duhet të habitemi me një të vërtetë të tillë? Është e sigurt se ka frymëra të liga që kryejnë konflikte të pareshtura kundër të zgjedhurve të Perëndisë (Efesianeve 6:12). A duhet të habitemi se janë engjëj të shenjtë ata që vigjëlojnë mbi ata që janë thirrur për shpëtim?

Por duhet të kthehemi te pika kryesore e pjesës – jo te ekzistenca e engjëjve ruajtës, por te fakti se engjëjt janë më poshtë se Biri i Perëndisë ashtu si shërbëtorët janë më poshtë Sovranit Universal.

2:1 Autori sapo ka mbaruar argumentin se Krishti është fort më i mirë se engjëjt, sepse Ai është Biri i Perëndisë. Para se të tregojë se Ai është më i lartë si Biri i Njeriut, ndalet për të paraqitur të parin nga paralajmërimet solemne që gjenden në këtë Letër. Ky është paralajmërimi kundër shkarjes nga lajmi i ungjillit.

Për shkak të madhështisë së Dhuruesit dhe për shkak të madhështisë së dhuratës së Tij, ata që dëgjojnë ungjillin duhet t’u kushtojnë më shumë vëmendje atij. Ekziston gjithmonë rreziku i shkarjes nga Personi dhe kthimi përsëri në fenë e figurave [fenë e hijes të së vërtetës, fenë e njerëzve]. Kjo do të thotë shkarje në apostazi – mëkati për të cilin nuk ka pendim.

2:2 Ne tashmë kemi përmendur se judenjtë i kushtonin rëndësi të madhe shërbesës së engjëjve në historinë e tyre. Mbase shembulli më i mirë i kësaj ishte dhënia e ligjit ku mijëra qenie engjëllore ishin të pranishëm (Ligji i Perterire 33:2; Ps. 68:17). Është e vërtetë se ligji u fol nga engjëjt. Është e vërtetë se kjo ishte e vlefshme. Është e vërtetë se çdo shkelje ndëshkohej sipas tij. Këto gjëra pranohen pa problem.

2:3 Por tani argumenti ndryshon nga më i vogli te më i madhi. Nëse ata që shkelën ligjin u ndëshkuan, cili do të jetë fati i atyre që lënë pas dore ungjillin? Ligji u flet njerëzve se çfarë duhet të bëjnë; ungjilli u flet njerëzve se çfarë ka bërë Perëndia. Me anë të ligjit vjen njohja e mëkatit; me anë të ungjillit vjen njohja e shpëtimit.

Në qoftë se e lëmë pas dore një shpëtim kaq të madh është më serioze se të shkelësh ligjin. Ligji iu dha nga Perëndia me anë të engjëjve Moisiut dhe pastaj njerëzve. Por ungjilli u shpall në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Zoti Jezu Krisht. Jo vetëm kaq, por u vërtetua ndër ne nga të tjerët që e dëgjuan Shpëtimtarin.

2:4 Vetë Perëndia vërtetoi lajmin me anë shenjash e mrekullish, me vepra të ndryshme të fuqishme dhe me dhurata të Frymës së Shenjtë. Shenjat ishin ato mrekulli të Zotit dhe të apostujve që nënkuptojnë të vërtetat frymërore. Për shembull, ushqimi i pesë mijë vetëve (Gjoni 6:1-14) formuan bazën e bashkëbisedimit të Bukës së Jetës që vijoi (Gjoni 6:25-29). Mrekullitë ishin gjëra të çuditshme që kishin si qëllim tërheqjen e vëmendjes së shikuesve; ringjallja e Llazarit e ilustron këtë (Gjoni 11:1-44). Vepra të ndryshme të fuqishme ishin çdo shfaqje e fuqisë së mbinatyrshme që u kundërviheshin ligjeve të natyrës. Dhurata të Frymës së Shenjtë ishin talente të veçanta dhënë njerëzve për të folur dhe vepruar në një mënyrë që ishte plotësisht tej aftësive të tyre natyrore.

Qëllimi i këtyre mrekullive ishte të shpallnin të vërtetën e ungjillit, sidomos judenjve, që tradicionalisht kërkonin shenja para se të besonin. Ka disa prova se nevoja e mrekullive vërtetuese reshti kur DhR u shkrua. Por është e pamundur të provojmë përfundimisht se Fryma e Shenjtë nuk i përsërit kurrë këto mrekulli në kohë të tjera.

Fjalët sipas vullnetit të Tij tregojnë se këto fuqi të mrekullueshme jepen nga Fryma e Shenjtë ashtu si do Ai. Ato janë dhurata sovrane të Perëndisë. Ato nuk mund të kërkohen nga njerëzit, apo të merren si përgjigje ndaj lutjes, sepse Perëndia nuk ia ka premtuar asnjeriu.

2:5 Në kapitullin e parë ne pamë se Krishti është më i lartë se engjëjt si Bir i Perëndisë. Tani tregohet se Ai është gjithashtu më i lartë si Biri i Njeriut. Do të na vijë në ndihmë rrjedha e mendimit nëse kujtojmë se, për judenjtë, mendimi i mishërimit të Krishtit ishte i pabesueshëm dhe fakti i përuljes së Tij ishte i turpshëm. Për judenjtë, Jezusi ishte vetëm një njeri dhe për këtë arsye Ai i përkiste një rendi më të ulët se engjëjt. Vargjet e mëposhtme tregojnë se edhe si Njeri Jezusi ishte më i mirë se engjëjt.

Së pari, tregohet se Perëndia nuk shpalli se bota e banueshme që ka për të ardhur do të jetë nën kontrollin e engjëjve. Botën që ka për të ardhur këtu nënkuptohet koha e lavdishme e paqes dhe begatisë të cilën profetët e kanë përmendur aq herë. Ne e njohim atë si Mijëvjeçari.

2:6 Psalmi 8:4-6 citohet për të treguar se ky sundim mbi tokë i është dhënë njeriut, jo engjëjve. Nga njëra anë, njeriu është pa vlerë, dhe nga ana tjetër Perëndisë i bie ndërmend për të. Nga njëra anë njeriu është i parëndësishëm, nga ana tjetër Perëndia kujdeset për të.

2:7 Në shkallën e krijimit, njeriut i është dhënë një vend më i vogël nga engjëjt. Këtu bëhet fjalë për kufizimin e tij në njohje, lëvizje dhe fuqi. Dhe ai është i detyruar të vdesë. Megjithatë në qëllimet e Perëndisë, njeriu është caktuar të kurorëzohet me lavdi dhe me nder. Kufizimet e trupit dhe mendjes së tij do të hiqen plotësisht dhe ai do të përlëvdohet në tokë.

2:8 Çdo gjë do të vihet nën pushtetin e njeriut në atë ditë të ardhshme – ushtritë qiellore, bota e kafshëve, zogjtë dhe peshqit, sistemi planetar – në fakt, çdo pjesë e gjithësisë së krijuar do të jetë nën kontrollin e tij.

Ky ishte qëllimi fillestar i Perëndisë për njeriun. Ai i tha atij, për shembull: “mbushni tokën e nënshtrojeni, e sundoni mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë” (Zanafilla 1:28).

Atëherë pse ne nuk i shohim të gjitha nën pushtetin e tij? Përgjigjja është se njeriu e humbi sundimin e tij për shkak të mëkatit të tij. Ishte mëkati i Adamit që solli mallkim në krijim. Krijesat e nënshtruara u bënë të egra. Toka filloi të mbijë gjemba dhe barëra të këqija. Kontrolli i njeriut mbi natyrën u sfidua dhe u kufizua.

2:9 Megjithatë, kur Biri i Njeriut do të kthehet për të mbretëruar mbi tokë, sundimi i njeriut do të kthehet. Jezusi, si Njeri, do të kthejë atë që humbi Adami, dhe shumë më tepër se kaq. Ndërsa ne nuk shohim çdo gjë nën kontrollin e njeriut tani, shohim Jezusin dhe në Të ne gjejmë çelësin e sundimit të njeriut mbi tokën.

Për pak kohë, u bë më i vogël se engjëjt, sidomos për tridhjetë e tre vitet e shërbesës së tij në tokë. Zbritja e Tij nga qielli për në Betlehem, Gjetseman, Gabatha, Golgota dhe në varr, shënon etapat e përuljes së Tij. Por tani Atë e shohim të kurorëzuar me lavdi dhe me nder. Përlëvdimi i Tij është një rrjedhojë e vuajtjes dhe vdekjes së Tij; kryqi e çoi te kurora.

Qëllimi i hirshëm i Perëndisë në gjithçka qe që Krishti të provonte vdekjen për të gjithë njerëzit. Shpëtimtari vdiq si Përfaqësuesi dhe Zëvendësuesi ynë. Kjo do të thotë, Ai vdiq si njeri dhe vdiq për njeriun. Ai mbarti në trupin e Tij në kryq tërë gjykimin e Perëndisë kundër mëkatit në mënyrë që ata që besojnë në Të të mos të kenë më.

2:10 Ishte plotësisht ruajtja e karakterit të drejtë të Perëndisë që sundimi i njeriut të kthehej me anë të përuljes së Shpëtimtarit. Mëkati ka prishur rregullsinë e Perëndisë. Para se rregullsia të nxirret nga kaosi, drejtësia të merrej me mëkatin. Ishte sipas karakterit të shenjtë të Perëndisë që Krishti të vuante, të derdhte gjak dhe të vdiste për të hequr mëkatin.

Planifikuesi i zgjuar përshkruhet si Ai për të cilin dhe nëpërmjet të cilit janë të gjitha. Së pari Ai është objekti apo qëllimi i tërë krijimit; të gjitha u krijuan për lavdinë dhe pëlqimin e Tij. Por Ai është gjithashtu Burimi apo Zanafilla e tërë krijimit; asgjë nuk u bë pa Të.

Qëllimi i Tij i madh ishte të çonte shumë bij në lavdi. Kur marrim në konsideratë kotësitë tona, na bëjnë të mendojmë se Ai do të merrej me ne. Por Ai është Perëndia i çdo hiri dhe na ka thirrur për lavdinë e Tij të përjetshme.

Cili është çmimi i përlëvdimit tonë? Realizuesi i shpëtimit tonë duhet të bëhej i përsosur me anë të vuajtjeve. Në bazë të karakterit të Tij moral, Zoti Jezus ishte gjithmonë i përsosur pa asnjë mëkat. D.m.th., Ai nuk mund të bëhej i përsosur në lidhjen me karakterin e Tij sepse gjithmonë ka qenë i përsosur dhe do të vazhdojë kështu në përjetësi. Por Ai duhet të bëhej i përsosur si Shpëtimtari ynë. Për të blerë shpengimin tonë të përjetshëm, Atij iu desh të vuante të tërë ndëshkimin që meritonin mëkatet tona. Ne nuk do të shpëtoheshim kurrë me anë të jetës së Tij të njollosur; vdekja e Tij zëvendësuese ishte një domosdoshmëri absolute.

Perëndia gjeti një mënyrë për të na shpëtuar që ia vlente për Të. Ai dërgoi Birin e Tij të vetëmlindur për të vdekur në vendin tonë.

2:11 Tre vargjet që vijojnë theksojnë përsosmërinë e anës njerëzore të Jezusit. Nëse Ai do që të rifitojë sundimin që humbi Adami, atëherë duhet të tregohet se Ai është Njeriu i vërtetë.

Së pari, fakti është shpallur: Sepse ai që shenjtëron dhe ata që shenjtërohen janë të gjithë prej një, që do të thotë, ata janë të gjithë njerëz. Ose, ” . . . kanë të njëjtën fillesë” (RSV), që do të thotë se nga ana njerëzore, ata kanë të gjithë një Perëndi dhe Atë.

Krishti është Ai që shenjtëron, që do të thotë, Ai ndan apo veçon njerëzit nga bota për Perëndinë. Të bekuar janë të gjithë ata të cilët Ai i ka veçuar!

Një njeri apo një gjë e shenjtëruar është diçka e vënë mënjanë nga gjërat e zakonshme për të qenë në zotërimin, përdorimin dhe gëzimin e Perëndisë. E kundërta e shenjtërimit është përdhosja.

Ka katër lloj shenjtërimesh në Bibël: shenjtërimi para kthimit, shenjtërimi pozicional, shenjtërimi praktik dhe shenjtërimi i përsosur. Këto katër lloje shenjtërimesh janë shtjelluar me hollësi te 1 Thesalonikasve 5:23, që duhet të lexohet me kujdes.

Lexuesi duhet të jetë i gatshëm të shikojë pjesët e ndryshme të Hebrenjve ku përmendet fjala shenjtërim dhe duhet të përpiqet të përcaktojë se çfarë lloj shenjtërimi paraqitet.

Meqë Ai u bë një Njeri i vërtetë Ai nuk turpërohet t’i quajë ndjekësit e Tij vëllezër. A është e mundur që Sunduesi i Përjetshëm i gjithësisë të bëhej njeri dhe të njëjtësonte Veten aq ngushtë me krijesat e Tij sa t’i quante ata vëllezër?

2:12 Përgjigjja gjendet te Psalmi 22:22 kur shohim Atë që thotë: “Vëllezërve të mi do t’ua shpall emrin tënd”. I njëjti varg gjithashtu e paraqet Atë të njëjtësuar me njerëzit e Tij në adhurimin e përbashkët: “do të të lavdëroj në mes të kishës”. Në agoninë e Tij të vdekjes, Ai shikonte ditën kur do të drejtonte turmën e shpenguar në lëvdim ndaj Perëndisë Atë.

2:13 Dy vargje të tjera citohen nga Shkrimet judaike për të provuar anën njerëzore të Krishtit. Tek Isaia 8:17 (versioni LXX), Ai flet për vendosjen e besimit të Tij te Perëndia. Besimi i palëkundur në Jehovain është një nga shenjat më të mëdha të anës njerëzore të vërtetë. Pastaj te Isaia 8:18, Zoti thotë: “Ja, unë dhe bijtë që Zoti më ka dhënë”. Nënkuptimi është se ata janë pjesëtarë të së njëjtës familje, që kanë një Atë të përbashkët.

2:14 Atyre që e quajnë përuljen e Birit të Njeriut turp, u kërkohet tani të shikojnë katër bekime të rëndësishme që rrjedhin nga kryqëzimi i Tij.

I pari është shkatërrimi i Satanit. Si ndodhi kjo? Kishte një kuptim të veçantë me anë të të cilit Perëndia i dha bijtë e Tij Krishtit për t’i shenjtëruar, shpëtuar dhe çliruar. Meqë këta bij kishin natyra njerëzore, Zoti Jezus mori një trup mishi dhe gjaku. Ai la mënjanë të dukurit e jashtëm të hyjnisë së Tij dhe mbuloi anën e Tij prej Perëndie në një “veshje balte”.

Por Ai nuk u ndal në Betlehem. “Rrugën për në Kalvar Ai e bëri për mua, sepse më deshi aq shumë”.

Me anë të vdekjes së Tij Ai shkatërroi atë që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin. Shkatërrimi këtu do të thotë humbje të mirëqenies më tepër sesa humbje të të qenurit. Do të thotë të ndalosh apo të shfuqizosh. Satani është akoma në veprim kundër qëllimeve të Perëndisë në botë, por ai mori një plagë vdekjeje në kryq. Koha e tij është e shkurtër dhe shkatërrimi i tij i sigurt. Ai është një armik i shpartalluar.

Në çfarë kuptimi ka djalli pushtetin e vdekjes? Mbase kuptimi kryesor në të cilin ka këtë pushtet është që ai kërkon vdekje. Ishte Satani nëpërmjet të cilit mëkati hyri së pari në botë. Shenjtëria e Perëndisë kërkon vdekjen e të tërëve që mëkatojnë. Kështu, në rolin e tij si kundërshtar, djalli mund të kërkojë që ai dënim të paguhet.

Në tokat pagane fuqia e tij gjithashtu shihet në aftësinë e agjentëve të tij, si shtriganët, për të shpallur një mallkim mbi një njeri dhe që ai të vdesë pa ndonjë shkak natyror.

Nuk thuhet në Shkrim se djalli mund t’i shkaktojë vdekjen një besimtari pa marrë leje nga Perëndia (Job. 2:6), dhe, për këtë arsye, ai nuk mund të caktojë kohën e vdekjes së besimtarit. Me anë të njerëzve të ligj, atij ndonjëherë i lejohet të vrasë besimtarin. Por Jezusi i paralajmëron dishepujt e Tij që të mos kenë frikë nga ata që vrasin trupin, por të kenë frikë më tepër nga Perëndia që mund t’i shkatërrojë të dyja, si shpirtin dhe trupin në ferr (Mt. 10:28).

DhV, Enoku dhe Elia shkuan në qiell pa parë vdekjen. Pa dyshim kjo ndodhi sepse, si besimtarë, ata u llogaritën se kishin vdekur në vdekjen e Krishtit që do të ndodhte më pas.

Kur Krishti të vijë për Rrëmbimin, të tërë besimtarët që janë gjallë do të shkojnë në qiell pa parë vdekjen. Por ata gjithashtu i shpëtuan vdekjes sepse shenjtëria e Perëndisë ishte plotësuar për ta në vdekjen e Krishtit. Krishti i ringjallur tani ka “çelësat e vdekjes e të Hadesit” (Zbulesa 1:18), që do të thotë, Ai ka pushtet të plotë mbi ta.

2:15 Bekimi i dytë që vjen nga përulja e Krishtit është çlirimi nga frika. Para kryqit, frika e vdekjes i mbante njerëzit në shërbimet e jetës. Edhe pse ka hedhje drite të rastësishme në DhV për sa i përket jetës pas vdekjes, përshtypja e përgjithshme është e një pasigurie, tmerri dhe errësire. Ajo që ishte e çuditshme atëherë është e qartë tani sepse Krishti nxori në dritë jetën dhe pavdekësinë me anë të ungjillit (2 Tim. 1:10).

2:16 Bekimi i tretë i mrekullueshëm është shlyerja e mëkatit. Kur erdhi në botë, Zoti nuk u kujdes për engjëjt, por ndihmon pasardhjen e Abrahamit. “Ndihmon” është një përkthim i epilambano, “të marrë” (kështu versioni KJV “ai nuk mori mbi vete [natyrën e] engjëjve; por mori mbi vete pasardhjen e Abrahamit”). Folja mund të mos japë idenë e grabitjes me dhunë që çon diçka në një vend tjetër, por ideja e ndihmës dhe çlirimit sugjerohen këtu nga përdorimi i saj.

Pasardhja e Abrahamit mund të nënkuptojë pasardhësit fizikë të Abrahamit, judenjtë, ose mund të nënkuptojë pasardhjen e tij frymërore – besimtarët e çdo kohe. Pika e rëndësishme është se ata janë njerëzorë, jo qenie engjëllore.

2:17 Duke qenë kështu, ishte e domosdoshme që Ai duhej t’u ngjante në çdo gjë vëllezërve. Ai mori anën e vërtetë dhe të përsosur njerëzore. Ai iu nënshtrua dëshirave, mendimeve, ndjenjave dhe afrimiteteve njerëzore – me një përjashtim të rëndësishëm: Ai ishte pa mëkat. Ana e Tij njerëzore ishte ideali; ana jonë njerëzore u pushtua nga një element i huaj, që është mëkati.

Ana e Tij e përsosur njerëzore e bënte të aftë që të mund të ishte i mëshirshëm e kryeprift besnik në ato që i përkasin Perëndisë. Ai mund të jetë i mëshirshëm ndaj njeriut dhe besnik ndaj Perëndisë. Funksioni i Tij kryesor si Kryeprift është të bëjë pajtim [shlyerjen] për mëkatet e popullit. Për të kryer këtë Ai bëri atë që asnjë kryeprift nuk e ka bërë apo mund ta bëjë: Ai dha Vetveten si flijim pa mëkat. Ai me dashje vdiq në vendin tonë.

2:18 Bekimi i katërt është ndihma për ata që tundohen. Ngaqë ai vetë hoqi [vuajti] kur u tundua, mund t’u vijë në ndihmë atyre që kalojnë nëpër tundime. Ai mund të ndihmojë të tjerët që kalojnë tundime, sepse Ai vetë është tunduar.

Edhe këtu mund të shtojmë një fjalë cilësimi. Zoti Jezus u tundua nga jashtë, por kurrë nga përbrenda. Tundimi në shkretërirë tregon se Ai u tundua nga jashtë. Satani iu shfaq dhe u përpoq ta bënte për vete me anë ngucjesh të jashtme. Por Shpëtimtari nuk mund të tundohej kurrë për mëkat me anë të epshit dhe pasioneve të brendshme, sepse nuk kishte mëkat në Të dhe asgjë për t’iu përgjigjur mëkatit. Ai hoqi [vuajti] kur u tundua. Sa herë që ndiejmë dhimbje kur i bëjmë ballë tundimit, po kështu Ai ndjeu dhimbje kur u tundua.

C. Krishti më i lartë se Moisiu dhe Jozueu (3:1-4:13)

3:1 Moisiu qe një ndër heronjtë më të mëdhenj të kombit të Izraelit. Prandaj etapa e tretë kryesore në strategjinë e shkrimtarit është të tregojë epërsinë e pafund të Krishtit mbi Moisiun.

Lajmi u drejtohet vëllezërve të shenjtë, pjesëtarë të thirrjes qiellore. Të gjithë besimtarët e vërtetë janë të shenjtë për pozicion dhe ata duhet të jenë të shenjtë edhe në praktikën e tyre. Në Krishtin ata janë të shenjtë; në vetvete ata duhet të jenë të shenjtë.

Thirrja e tyre qiellore është në kundërshtim me thirrjen tokësore të Izraelit. Shenjtorët e DhV u thirrën për bekime materiale në tokën e premtuar (megjithatë edhe ata kishin një shpresë qiellore). Në Kohën e Kishës, besimtarët janë thirrur për bekime frymërore në vendet qiellore tani dhe një trashëgimi qiellore në të ardhmen.

Vështroni Jezusin. Ai është pa dyshim i denjë për vështrimin tonë si apostulli dhe kryeprifti i rrëfimit të besimit tonë. Duke e rrëfyer Atë si Apostull, nënkuptojmë se Ai përfaqëson Perëndinë për ne. Duke e rrëfyer Atë si Kryeprift, nënkuptojmë se Ai na përfaqëson ne para Perëndisë.

3:2 Ka një aspekt sipas të cilit ishte pa diskutim i ngjashëm me Moisiun. Ai ishte besnik ndaj Perëndisë, ashtu si qe edhe Moisiu në tërë shtëpinë e Perëndisë. Shtëpia këtu nuk nënkupton vetëm tabernakullin, por gjithashtu tërë sferën në të cilën Moisiu përfaqësoi interesat e Perëndisë. Ajo është shtëpia e Izraelit, populli i lashtë tokësor i Perëndisë.

3:3 Por këtu mbaron ngjashmëria. Në çdo aspekt tjetër ka një superioritet të padiskutueshëm. Së pari, Zoti Jezus është i denjë për më shumë lavdi se Moisiu, sepse ai që ndërton shtëpinë ka më shumë nder se vetë shtëpia. Zoti Jezus ishte Ndërtuesi i shtëpisë së Perëndisë; Moisiu ishte vetëm një pjesë e asaj shtëpie.

3:4 Së dyti, Jezusi është më i madh sepse Ai është Perëndi. Çdo shtëpi duhet të ketë një ndërtues. Ai që ka ndërtuar gjithçka është Perëndia. Nga Gjoni 1:3, Kol 1:16 dhe Heb 1:2,10, mësojmë se Zoti Jezus ishte Agjenti veprues në Krijim. Përfundimi është i pashmangshëm – Jezu Krishti është Perëndi.

3:5 Pika e tretë është se Krishti është më i madh si Bir. Moisiu qe një shërbëtor . . . besnik në tërë shtëpinë e Perëndisë (Num. 12:7), duke i paraprirë njerëzit drejt ardhjes së Mesias. Ai dëshmoi për të gjitha gjërat që duheshin thënë, që do të thotë, lajmin e mirë të shpëtimit në Krishtin. Ja, pra, pse Jezusi tha një herë: “Në qoftë se ju do t’i kishit besuar Moisiut, do të më besonit edhe mua, sepse ai ka shkruar për mua.” (Gjoni 5:46). Në bashkëbisedimin e Tij me dishepujt në rrugën për në Emaus, Jezusi filloi që nga Moisiu dhe duke marrë tërë profetët, dhe “u shpjegoi atyre në të gjitha Shkrimet gjërat që i takonin atij.” (Luka 24:27).

3:6 Por Krishti ishte besnik mbi shtëpinë e Perëndisë si Bir, jo si një shërbëtor dhe në rastin e Tij, të jesh bir do të thotë të jesh i barabartë me Perëndinë. Shtëpia e Perëndisë është shtëpia e vet.

Këtu shkrimtari shpjegon se çfarë nënkuptohet me shtëpi të Perëndisë sot. Ajo përbëhet nga tërë besimtarët e vërtetë në Zotin Jezus: shtëpia e vet jemi ne, në qoftë se e mbajmë deri në fund guximin dhe mburrjen e shpresës [1]. Në fillim kjo mund të duket se nënkupton që shpëtimi ynë varet nga këmbëngulja jonë. Në këtë rast, shpëtimi do të ishte me anë të durimit tonë dhe jo nga vepra e Krishtit e kryer në kryq. Domethënia e vërtetë është se ne vërtetojmë se jemi shtëpia e Perëndisë nëse qëndrojmë. Durimi është një provë e realitetit. Ata që humbasin besimin në Krishtin dhe në premtimet e Tij dhe kthehen në ritet dhe ceremonitë tregojnë se nuk kanë qenë kurrë të rilindur. Kundër një apostazie të tillë drejtohen paralajmërime të tilla.

3:7 Në këtë pikë shkrimtari ndërfut paralajmërimin e dytë të letrës, një paralajmërim kundër ngurtësimit të zemrës. I ka ndodhur Izraelit në shkretëtirë dhe mund të ndodhë përsëri. Kështu Fryma e Shenjtë po flet akoma me anë të Psalmit 95:7-11, ashtu siç veproi së pari kur e frymëzoi: “Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij”.

3:8 Sa herë të flasë Perëndia, ne duhet të jemi të gatshëm për ta dëgjuar. Të dyshosh në fjalën e Tij do të thotë ta quash Atë gënjeshtar dhe të nxisësh zemërimin e Tij.

Megjithatë kjo ishte historia e Izraelit në shkretëtirë. Ajo ishte një kujtim i hidhur ankesash, epshi, idhujtarie, mosbesimi dhe ngritjesh krye. Në Rafidim, për shembull, ata u ankuan për mungesë të ujit dhe dyshuan për praninë e Perëndisë në mes të tyre (Eksodi 17:1-17). Në shkretëtirën e Paranit, kur u kthyen zbuluesit mosbesues me një njoftim të ligë shkurajimi dhe dyshimi (Num. 13:25-29), njerëzit vendosën se duhej të ktheheshin në Egjipt, në tokën e skllavërisë së tyre (Num. 14:4).

3:9 Perëndia ishte zemëruar aq shumë saqë shpalli që populli i Tij të endej në shkretëtirë për dyzet vjet me radhë (Num. 14:33,34). Nga të gjithë ushtarët që dolën nga Egjipti, që ishin njëzet vjeç apo më të rritur, vetëm dy prej tyre u futën në tokën e Kanaanit – Kalebi dhe Jozueu (Num. 14:28-30).

Është domethënëse se ashtu si Izraeli kaloi dyzet vjet në shkretëtirë, po kështu edhe Fryma e Perëndisë u mor me kombin e Izraelit përreth dyzet vjet pas vdekjes së Krishtit. Kombi ngurtësoi zemrën e tij kundër lajmit të Krishtit. Në vitin 70 pas K., Jerusalemi u shkatërrua dhe njerëzit u shpërndanë midis kombeve të johebrenjve.

3:10 Pakënaqësia e madhe e Perëndisë me Izraelin në shkretëtirë solli këtë padi të ashpër. Ai i paditi ata për prirjen e përhershme të largimit nga Ai dhe për paditurinë me dashje ndaj udhëve të Tij.

3:11 Në mërinë e Tij, u betua se ata nuk do të hyjnë në prehjen e Tij, që do të thotë, në tokën e Kanaanit.

3:12 Vargjet 12-15 japin zbatimin e duhur që Fryma e Shenjtë ka në mend duke përdorur përvojën e Izraelit. Si në të gjitha vendet e Letrës së Hebrenjve, lexuesit quhen vëllezër. Kjo nuk do të thotë që të gjithë ishin besimtarë të vërtetë. Atëherë, çdokush që rrëfen emrin e Krishtit duhet të ruhet nga një zemër e ligë, mosbesimi, që të largohet nga Perëndia i gjallë. Ky është një rrezik i vazhdueshëm.

3:13 Një ilaç frymëror është të nxisim njëri-tjetrin çdo ditë, sidomos në ditë të vështira. Çdo ditë njerëzit e Perëndisë duhet të nxisin të tjerët që të mos braktisin Krishtin për fe që nuk mund të zgjidhin problemin e mëkatit ashtu siç duhet.

Vini re se kjo nxitje nuk kufizohet te një klasë shërbese, por është detyra e tërë vëllezërve. Duhet të vazhdohet derisa të thuhet “Sot”, që do të thotë, derisa oferta e shpëtimit të Perëndisë përmes hirit me anë të besimit të vazhdojë. “Sot” është koha e pranueshme, kjo është dita e shpëtimit.

Të largohesh do të thotë ngurtësim . . . mashtrimit të mëkatit. Mëkati zakonisht duket i bukur në në fillim. Këtu mëkati ofron largim nga poshtërimi i Krishtit, standarde më të ulta shenjtërie, rite që duken të bukura por janë bosh dhe premtimin e fitimit tokësor. Por pastaj mëkati është i shëmtuar nga brenda. Ai e lë njeriun pa falje të mëkateve, pa shpresë pas varrit dhe asnjë mundësi për pendim.

3:14 Përsëri na kujtohet se jemi bërë miq të Krishtit, në qoftë se do ta ruajmë të palëkundur deri në fund fillimin e besimit. Vargje si ky zakonisht keqpërdoren duke mësuar se dikush mund të shpëtohet dhe pastaj të humbasë përsëri. Megjithatë, një interpretim i tillë është i pamundur ngaqë dëshmia e mrekullueshme e Biblës është se shpëtimi jepet falas përmes hirit të Perëndisë, të blerë me anë të gjakut të Krishtit, pranuar me anë të besimit të njeriut dhe që tregohet nga veprat e tij të mira. Besimi i vërtetë gjithmonë ka cilësinë e qëndrueshmërisë. Ne nuk qëndrojmë të palëkundur për të marrë shpëtimin, por për të provuar se jemi shpëtuar me siguri. Besimi është rrënja e shpëtimit; durimi është fryti. Cilët janë miqtë e Krishtit? Përgjigjja është: “Ata që me anë të qëndrueshmërisë së tyre në besim provojnë se i përkasin me të vërtetë Atij”.

3:15 Tani shkrimtari përfundon zbatimin vetjak të përvojës së hidhur të Izraelit duke përsëritur fjalët e Psalmit 95:78: “Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij, mos jini zemërgur si në ditën e kryengritjes”. Kjo thirrje therëse, së pari iu drejtua Izraelit, tashmë i drejtohet çdokujt që mund të tundohet të braktisë lajmin e mirë dhe që kthehet te ligji.

3:16 Kapitulli mbyllet me një interpretim historik të apostazisë së Izraelit. Me një seri prej tri pyetjesh dhe përgjigjesh, shkrimtari kujton rebelimin, provokimin dhe hakmarrjen ndaj Izraelit. Pastaj ai shpall përfundimin.

Rebelimi. Rebelët përcaktohen si të gjithë ata që dolën nga Egjipti me anë të Moisiut. Kalebi dhe Jozueu ishin përjashtimi i vetëm.

3:17 Provokimi. Ishin të njëjtët rebelë që provokuan Jehovain për dyzet vjet. Ishin rreth 600,000 vetë dhe pas dyzet vjetësh, shkretëtira u mbush me 600,000 varre.

3:18 Hakmarrja. Ishin të njëjtët që u përjashtuan nga toka e Kanaanit, për shkak të rebelimit të tyre.

Rrëfimi i thjeshtë i këtyre pyetjeve dhe përgjigjeve duhet të ketë një ndikim të madh në dikë që mund të tundohet të lërë pakicën e përçmuar të të krishterëve të vërtetë për shumicën e njerëzve që kanë një formë të jashtme fetare, por që mohojnë fuqinë e perëndishmërisë. A ka gjithmonë shumica të drejtë? Në këtë kapitull të historisë së Izraelit, vetëm dy vetë kishin të drejtë dhe më tepër se gjysëm milioni e kishin gabim!

A. T. Pierson-i thekson seriozitetin e mëkatit të Izraelit si vijon:

Mosbesimi i tyre ishte një provokim i katërfishtë:

1. Ishte një sulm ndaj të vërtetës së Perëndisë duke e bërë Atë gënjeshtar.

2. Ishte një sulm ndaj fuqisë së Tij, sepse e bënë Atë të dobët dhe të paaftë t’i fuste ata në Tokën e Premtuar.

3. Ishte një sulm ndaj pandryshueshmërisë së Tij; sepse, megjithëse ata nuk shprehën një gjë të tillë, mënyra e tyre e të vepruarit tregonte se Ai ishte një Perëndi i ndryshueshëm dhe se nuk mund të kryente mrekullitë që kishte bërë më parë.

4. Ishte gjithashtu një sulm ndaj besnikërisë së Tij atërore, sikur Ai nxiste një shpresë që nuk kishte asnjë qëllim ta përmbushte [2].

Kalebi dhe Jozueu, përkundrazi, e nderuan Perëndinë duke e quajtur fjalën e Tij si të vërtetën absolute, fuqinë e Tij të pafund, gatishmërinë e tij pandryshueshmërisht të hirshme dhe besnikërinë e Tij e cila nuk do të lërë asnjë shpresë pa sjellë fryt.

3:19 Përfundim. Ishte mosbesimi që i mbajti bijtë rebelë jashtë Tokës së Premtuar dhe është mosbesimi që i mban njerëzit jashtë trashëgimisë së Perëndisë në çdo kohë. Morali është i qartë: ki kujdes nga një zemër e ligë mosbesimi.

Vargjet që vijojnë përbëjnë një nga pjesët më të vështira në tërë letrën. Ka pak përputhje midis komentuesve për sa i përket rrjedhës së saktë të argumentit, megjithëse mësimi i përgjithshëm i pjesës është mjaft i qartë.

Tema e 4:1-13 është pushimi i Perëndisë dhe nevoja për të qenë i zellshëm për të arritur në të. Do të jetë e dobishme për ne në fillim nëse vëmë re lloje të ndryshme prehjesh që përmenden në Bibël:

1. Perëndia pushoi pas ditës së gjashtë të krijimit (Zanafilla 2:2). Ky pushim nuk tregon çlodhje si rrjedhojë e rraskapitjes, por për më tepër kënaqësi me punën që Ai kishte kryer. Ishte pushimi i pëlqimit (Zanafilla 1:31). Pushimi i Perëndisë u ndërpre nga hyrja e mëkatit në botë. Që nga ajo kohë Ai ka vepruar pa u ndalur. Ashtu siç tha Jezusi: “Im Atë vepron deri më tash, e edhe unë veproj” (Gjoni 5:17).

2. Kanaani ishte menduar të ishte një tokë prehjeje për bijtë e Izraelit. Shumë prej tyre nuk hynë kurrë në të dhe ata që hynë, dështuan në gjetjen e pushimit që Perëndia kishte menduar për ta. Kanaani përdoret këtu si tip apo figurë e prehjes përfundimtare dhe të përjetshme të Perëndisë. Shumë nga ata që dështuan për të arritur në Kanaan (p.sh. Korahu, Dathani dhe Abirimi) paraqesin kundërshtarët e ditëve të sotme që dështojnë të arrijnë prehjen e Perëndisë për shkak të mosbesimit të tyre.

3. Besimtarët sot gëzojnë prehjen e ndërgjegjes, duke ditur se ndëshkimi i mëkateve të tyre është paguar përmes veprës së kryer të Zotit Jezus. Kjo është prehja të cilën premtoi Shpëtimtari: “Ejani tek unë . . . dhe unë do t’ju jap çlodhje” (Mt. 11:28).

4. Besimtari gjithashtu gëzon prehjen duke i shërbyer Zotit. Ndërsa e mëparshmja është prehja e shpëtimit, kjo është prehja e shërbimit. “Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë . . . dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj” (Mt. 11:29).

5. Së fundi, është edhe një prehje e përjetshme që pret besimtarin në shtëpinë e Atit në qiell. Kjo prehje e ardhshme, e quajtur gjithashtu Shabat (Heb. 4:9), është prehja përfundimtare ndaj së cilës të tjerat janë lloje apo tipa frymërore. Kjo prehje është tema kryesore (Heb. 4:1-13).

4:1 Asnjëri nuk duhet të mendojë se premtimi i prehjes nuk është më i vlefshëm. Ajo nuk ka pasur një përmbushje të plotë dhe përfundimtare në të shkuarën; prandaj oferta është akoma e vlefshme.

Por të gjithë ata që rrëfejnë se janë besimtarë duhet të sigurohen se mos ndonjë mbetet jashtë qëllimit. Nëse rrëfimi i tyre është i zbrazët, ekziston gjithnjë rreziku i kthimit të kurrizit Krishtit dhe pranimit të ndonjë sistemi fetar që është i pafuqishëm të shpëtojë.

4:2 Neve na u shpall lajmi i mirë – lajmi i mirë i jetës së përjetshme me anë të besimit në Krishtin. Izraelitëve gjithashtu iu predikua lajmi i mirë – lajmi i mirë i prehjes në tokën e Kanaanit. Por ata nuk përfituan nga ungjilli i prehjes.

Ka dy shpjegime të mundshme të dështimit të tyre, gjë e cila varet nga leximi i pjesës së dorëshkrimit të vargut 2. Sipas NKJV, arsyeja për dështimin e tyre ishte se lajmi nuk qe i bashkuar me besimin tek ata që e dëgjuan. Me fjalë të tjera, ata nuk e besuan apo nuk morën një vendim.

Pjesa tjetër (shënimet anësore të NKJV) është se “ata nuk u bashkuan me anë të besimit me ata që i kushtuan vëmendje”. Kuptimi këtu është se shumica e izraelitëve nuk ishin të bashkuar me anë të besimit me Kalebin dhe Jozueun, dy zbuluesit që i besuan premtimit të Perëndisë.

Në secilin prej rasteve, ideja kryesore është se mosbesimi i përjashtoi ata nga prehja të cilën Perëndia e kishte përgatitur për ta në tokën e premtuar.

4:3 Vazhdimi i mendimit bëhet i vështirë në këtë varg. Duket sikur ka tri fjali të shkëputura dhe që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, megjithatë mund të shohim se ka një fill të përbashkët në secilën nga fjalitë – tema e prehjes së Perëndisë.

Së pari, ne mësojmë se ne që besuam jemi ata që hyjmë në prehjen e Perëndisë. Besimi është çelësi që hap derën. Ashtu siç është treguar tashmë, besimtarët sot gëzojnë prehjen e ndërgjegjes sepse ata e dinë se nuk do të kalojnë në gjyq për mëkatet e tyre (Gjon. 5:24). Por është gjithashtu e vërtetë se ata që besojnë janë të vetmit që do të hyjnë në prehjen përfundimtare të Perëndisë në lavdi. Është mbase kjo prehje e ardhshme që nënkuptohet së pari këtu.

Fjalia tjetër forcon përsëri idenë duke e pohuar atë negativisht: siç tha ai: “Kështu u përbetova në mërinë time: nuk do të hyjnë në prehjen time” (cituar nga Psalmi 95:11). Ashtu siç pranon besimi, po kështu përjashton mosbesimi. Ne që besojmë në Krishtin jemi të sigurt për prehjen e Perëndisë; izraelitët mosbesues nuk mund të ishin të sigurt për të, sepse ata nuk i besuan fjalës së Perëndisë.

Fjalia e tretë përbën vështirësinë më të madhe: thuhet ndonëse veprat e tij u mbaruan qëkurse u krijua bota. Mbase shpjegimi më i thjeshtë gjendet duke lidhur këtë me dy fjalitë e mëparshme. Më sipër Perëndia ka përdorur kohën e ardhme duke folur për prehjen e Tij: Nuk do të hyjnë në prehjen time. Koha e ardhme nënkupton se prehja e Perëndisë është akoma një zgjedhje e gjallë (edhe pse disa zgjedhin keq duke humbur mundësinë për prehje me anë të mosbindjes) dhe kjo prehje është akoma e mundshme pavarësisht nga fakti se veprat e Perëndisë u mbaruan qëkurse u krijua bota.

4:4 Ky varg ka si qëllim të vërtetojë nga Shkrimi se prehja e Perëndisë pas veprës së krijimit u bë e plotë. Paqartësia e autorit për të njëjtësuar pjesën e cituar nuk tregon ndonjë padituri nga ana e tij. Por është më tepër një sajim letrar citimi i një vargu nga një libër që nuk ishte ndarë në atë kohë në kapituj dhe vargje. Vargu është përshtatur nga Zanafilla 2:2: “Dhe Perëndia u preh të shtatën ditë nga të gjitha veprat e tij”.

Këtu është përdorur koha e shkuar dhe mund të duket, siç tregojnë disa, se prehja e Perëndisë i përket vetëm historisë së kaluar dhe jo profecisë së ardhshme, që nuk ka të bëjë me ne sot. Por do të shohim që ka lidhje me ne sot.

4:5 Për të riforcuar idenë se referenca për prehjen e Perëndisë pas krijimit nuk do të thotë se është një çështje e mbyllur, shkrimtari citon përsëri, me pak ndryshim, nga Psalmi 95:11, ku përdoret koha e ardhme: “Nuk do të hyjnë në prehjen time”. Ai po thotë në fakt: “Në mendimet tuaja mos e kufizoni Perëndinë siç ndodhi te Zanafilla 2:2; kujtoni se Perëndia foli më vonë për prehjen e Tij si diçka që ishte akoma e mundshme”.

4:6 Deri në këtë pikë në argument kemi parë se, nga krijimi, Perëndia i ka ofruar prehje njerëzimit. Dera e pranimit ka qenë e hapur.

Izraelitët në shkretëtirë dështuan të hyjnë për shkak të mosbesimit të tyre. Por kjo nuk do të thotë se premtimi nuk ishte akoma i vlefshëm!

4:7 Hapi tjetër është të tregojë se edhe rastin e Davidit, rreth 500 vjet pasi izraelitët u dëbuan nga Kanaani, Perëndia akoma po përdorte fjalën “Sot” si dita e mundësisë. Shkrimtari ka cituar tashmë Psalmi 95:7,8 te Hebrenjve 3:7,8,15. Tani ai e citon atë përsëri për të provuar se premtimi i prehjes së Perëndisë nuk u shfuqizua te izraelitët në shkretëtirë. Në kohën e Davidit, Ai kërkonte me zjarr që njerëzit t’i besonin Atij dhe jo të bëheshin zemërgurë.

4:8 Disa izraelitë, sigurisht, hynë në Kanaan me Jozueun. Por edhe këta nuk shijuan prehjen përfundimtare që Perëndia kishte përgatitur për ata që e duan Atë. Kishte konflikt në Kanaan, gjithashtu mëkat, sëmundje, brenga, vuajtje dhe vdekje. Nëse ata do të kishin shteruar premtimin e Perëndisë për prehje, atëherë Ai nuk do ta kishte ofruar përsëri në kohën e Davidit.

4:9 Vargjet e mëparshme kanë çuar në këtë përfundim: Mbetet, pra, një pushim i shabatit për popullin e Perëndisë. Këtu shkrimtari përdor një fjalë tjetër greke për prehjen (sabbatismos), që lidhet me fjalën Shabat. I referohet prehjes së përjetshme që do të shijohet nga të gjithë ata që janë shpenguar me anë të gjakut të Krishtit. Është një ruajtje e “Shabatit” që nuk do të mbarojë kurrë.

4:10 Ai që hyn në prehjen e Perëndisë gëzon një reshtje nga vepra e veta, ashtu si Perëndia u gëzua ditën e shtatë.

Para se të shpëtoheshim, mund të jemi përpjekur të punojmë për shpëtimin tonë. Kur kuptuam se Krishti kishte kryer veprën në Kalvar, ne lamë përpjekjet tona të kota dhe besuam në Shpenguesin e ringjallur.

Pas shpëtimit, përpiqemi me dashuri t’i shërbejmë Atij që na deshi dhe dha Veten për ne. Veprat tona të mira janë fryti i banimit të Frymës së Shenjtë. Megjithëse mund të lodhemi duke i shërbyer, ne nuk lodhemi për shkakun e urrejtjes së shërbimit.

Në prehjen e përjetshme të Perëndisë, ne do të reshtim nga veprat tona këtu në tokë. Kjo nuk do të thotë se ne do të rrimë duarkryq në qiell. Ne do të adhurojmë dhe do t’i shërbejmë Atij, por nuk do të ketë lodhje, shqetësim, përndjekje apo pikëllim.

4:11 Vargjet e mëparshme tregojnë se prehja e Perëndisë është akoma e vlefshme. Ky varg thotë se përpjekja është e domosdoshme që të hyjmë në atë prehje. Ne duhet të përpiqemi për t’u siguruar se shpresa jonë e vetme është Krishti Zoti. Ne, duke u përpjekur, duhet t’i bëjmë ballë çdo tundimi vetëm duke treguar besim në Të dhe pastaj që duke mos e mohuar Atë në kulmin e vuajtjes dhe përndjekjes.

Izraelitët ishin të shkujdesur. Ata i trajtonin premtimet e Perëndisë me shkujdesje. Ata dëshironin të ktheheshin në Egjipt, tokën e skllavërisë së tyre. Ata nuk u përpoqën të pranonin premtimet e Perëndisë me anë të besimit. Si rrjedhojë, ata nuk u futën kurrë në Kanaan. Ne duhet të paralajmërohemi nga shembulli i tyre.

4:12 Dy vargjet që vijojnë përmbajnë një paralajmërim solemn se mosbesimi nuk rri pa dalë në shesh. Ai zbulohet së pari me anë të fjalës së Perëndisë (termi i përdorur këtu “fjala” është logos, fjala familjare e përdorur nga Gjoni në prologun e Ungjillit të tij; megjithatë, ky varg i referohet, jo Fjalës së Gjallë, Jezusit, por fjalës së shkruar, Biblës). Kjo fjalë e Perëndisë është:

– e gjallë: e gjallë në mënyrë të vazhdueshme dhe vepruese;

– vepruese: e fuqishme;

– prerëse: më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe:

– ndarëse: depërton deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, dy pjesët e padukshme dhe jomateriale të njeriut. Ndërfutet në ndarjen e nyjeve dhe të palcave: nyjet lejojnë lëvizjet e jashtme dhe palcat janë të fshehura, por u japin jetë kockave;

-dalluese: shqyrtuese dhe gjykuese të mendimeve dhe dëshirave të zemrës. Është fjala që na gjykon dhe jo ne që gjykojmë fjalën.

4:13 Së dyti, mosbesimi zbulohet nga Zoti i gjallë. Këtu përemri kalon nga pavetori te vetori: Dhe nuk ka asnjë krijesë që të jetë e fshehur para tij. Asgjë nuk i shpëton Atij. Ai është plotësisht i gjithëditshëm. Ai është gjithmonë në dijeni të gjithçkaje që ndodh në gjithësi. Sigurisht, pika e rëndësishme në kontekst është se Ai njeh ku ka besim të vërtetë dhe se ku ka vetëm pranim intelektual të fakteve.