Dituria: e vërteta dhe e gabuara (Jakobi 3:13-18)

Tani Jakobi diskuton dallimin midis diturisë së vërtetë dhe diturisë së rreme. Kur ai flet për diturinë, nuk po mendon sa shumë njohuri ka një njeri, por si ai e jeton jetën e përditshme. Nuk ka vlerë të kesh vetëm njohuri, por zbatimi i përshtatshëm i njohurisë është ajo që ka vlerë. Këtu ne kemi një portret të njeriut që është me të vërtetë i ditur. Në themel ky njeri është Zoti Jezus Krisht; Ai është dituria e mishëruar (Mt. 11:19; 1 e Korintasve 1:30). Por gjithashtu njeriu i ditur është ai që shfaq jetën e Krishtit, njeriu në të cilin fryti i Frymës është i dukshëm.

Gjithashtu ne kemi një portret të njeriut të ditur sipas botës. Ai vepron sipas parimeve të kësaj bote. Ai mishëron të gjitha tiparet që njerëzit lavdërojnë. Sjellja e tij nuk jep asnjë provë që ai ka jetë hyjnore brenda tij.

3:13 Nëse një njeri është i urtë dhe i ditur, ai do ta tregojë këtë me sjelljen e bukur të lidhur me frymën e përulur që vjen nga urtësia. Zoti Jezus, mishërimi i diturisë së vërtetë, nuk ishte as krenar as arrogant; Ai ishte zemërbutë dhe i përulur nga zemra (Mt. 11:29). Prandaj, të gjithë ata që janë me të vërtetë të ditur do të kenë vulën e përulësisë së vërtetë.

3:14 Ai që është i ditur sipas botës karakterizohet nga smira e hidhur dhe nga ambicja egoiste në zemrën e tij. I vetmi pasion që ai ka në jetë është të përmbushen interesat e veta. Ai është ziliqar ndaj atyre që e konkurojnë dhe është i pamëshirshëm në marrëdhëniet me ta. Ai mburret me diturinë e tij që i ka sjellë sukses. Por Jakobi thotë që kjo nuk është aspak dituri. Një mburrje e tillë është e zbrazët. Kjo mburrje mohon të vërtetën se njeriu që është i ditur është gjithashtu i përulur.

3:15 Edhe në shërbesën e krishterë është e mundur të kesh një xhelozi të hidhur ndaj punëtorëve të tjerë dhe të kërkosh një pozitë të lartë për veten tënde. Gjithmonë ekziston rreziku që njerëzit që janë të ditur sipas botës t’u jepen pozita në krye të kishës. Ne duhet të jemi vazhdimisht vigjilentë për të mos lejuar parimet tokësore të na drejtojnë në çështjet frymërore. Jakobi e quan diturinë e rreme tokësore, shtazore dhe djallëzore. Secili nga këto tre mbiemra na çon poshtë. Tokësore do të thotë që kjo dituri nuk është nga qielli, por nga kjo botë. Shtazore do të thotë që nuk është fryti i Frymës së Shenjtë, por fryti i natyrës së ulët të njeriut. Djallëzore do të thotë që u nënshtrohet më tepër veprimeve që i ngjajnë sjelljes së demonëve sesa asaj të njerëzve.

3:16 Sa herë që do të gjesh smirë dhe grindje, do të gjesh gjithashtu trazirë, mungesë harmonie dhe gjithfarë veprash të këqija. Sa e vërtetë! Mendoni për ankthin dhe shqetësimet në botën e sotme, vetëm sepse njerëzit hedhin poshtë diturinë e vërtetë dhe veprojnë sipas zgjuarsisë që mendojnë se kanë!

3:17Dituria që vjen nga Perëndia është së pari e pastër. Ajo është e pastër në mendim, në fjalë dhe në veprim. Është e pa të metë në frymë dhe në trup, në doktrinë dhe në praktikë, në besim dhe në moral. Gjithashtu është pajtuese. Thjesht kjo do të thotë që një njeri i ditur e do paqen, dhe do të bëjë gjithçka për të mbajtur paqen pa sakrifikuar pastërtinë. Kjo ilustrohet në historinë e Luterit që bën fjalë për dy dhi që takohen në një urë të ngushtë mbi ujin e thellë. Ato nuk mund ktheheshin dhe nuk guxuan të grindeshin. “Pas pak njëra prej tyre u shtri përtokë dhe e lejoi tjetrën t’i kalonte sipër, dhe kështu nuk u bë asnjë dëm.”. Luteri do të thoshte: “Morali është i thjeshtë, ji i kënaqur nëse një njeri të shkel për shkak të paqes. Po e theksoj, nëse të shkel ty dhe jo nëse të shkel ndërgjegjen.”. Dituria e vërtetë është e butë. Është e fuqishme por jo imponuese; është e sjellshme jo e vrazhdë. Një njeri i ditur është një njeri i nderuar që respekton ndjenjat e të tjerëve. A. B. Simpson-i thotë: “Sjellja sarkastike dhe e vrazhdë, kundërshtimi i prerë, fjala e ashpër – të gjitha këto nuk kanë asnjë gjë të përbashkët me mësimin e butë të Ngushëlluesit.”.

Karakteristika tjetër është që dituria është pajtuese. Kjo do të thotë e afrueshme, e hapur, e gatshme të dorëzohet kur e vërteta e kërkon. Është e kundërta e kokëfortësisë dhe e ngurtësisë. Dituria prej së larti është plot me mëshirë dhe me fryte të mira. Është plot mëshirë ndaj atyre që janë në gabim dhe e gatshme t’i ndihmojë ata që të gjejnë rrugën e drejtë. Është e dhembshur dhe e dashur. Nuk është aspak hakmarrëse; në të vërtetë, e shpërblen sjelljen e vrazhdë me dashamirësi. Është e paanshme, d.m.th. nuk prodhon favorizim. Është e paanshme në mënyrën si sillet me të tjerët. Më në fund, dituria e vërtetë nuk është hipokrite. Është e sinqertë dhe e çiltër. Nuk shtiret sikur të jetë ndonjë gjë tjetër përveçse asaj që është.

Tani, le t’i vëmë bashkë të gjitha këto mendime për të formuar portretet e këtyre dy njerëzve: njeriun me të vërtetë të ditur dhe njeriun me diturinë e rreme. Njeriu që është më të vërtetë i ditur është vërtet i përulur. Ai vlerëson që të tjerët janë më të mirë se ai. Ai nuk mburret por ia afron të tjerët vetvetes. Sjellja e tij nuk është si ajo e botës që e rrethon atë; sjellja e tij vjen nga një botë tjetër. Ai nuk jeton për trupin por për frymën. Në fjalë dhe në vepra ai bën që ti të mendosh për Zotin Jezus. Jeta e tij është e pastër. Ai është i pastër moralisht dhe frymërisht. Gjithashtu ai do paqen. Ai duron fyerjet dhe akuzat e rreme, por ai nuk e kthen fyerjen dhe as nuk përpiqet ta shfajësojë veten. Ai është zemërbutë, i sjellshëm dhe i dhembshur. Ti mund të arsyetosh me të dhe ai është i gatshëm ta shqyrtojë pikëpamjen e tjetrit. Ai nuk është hakmarrës por ai është gjithmonë i gatshëm të falë ata që e kanë keqtrajtuar. Por jo vetëm kaq. Ai si rregull u tregon të tjerëve mirësi, sidomos atyre që nuk e meritojnë. Edhe ai sillet me të gjithë në të njëjtën mënyrë, ai nuk bën preferenca vetjake. Ai sillet me të pasurit ashtu siç sillet me të varfrit; ai nuk parapëlqen ata që janë të famshëm ndaj atyre që janë të zakonshëm. Si përfundim, ai nuk është hipokrit. Ai nuk thotë një gjë duke pasur ndërmend diçka tjetër. Kurrë nuk do ta shikosh duke bërë lajka. Ai flet të vërtetën dhe kurrë nuk vishet me një maskë.

Njeriu që është i ditur sipas botës nuk është i tillë. Zemra e tij është e mbushur me zili dhe grindje. Duke qenë i vendosur që të përparojë vetë, ai nuk duron asnjë kundërshtar. Nuk ka asnjë veti të shkëlqyer në sjelljen e tij. Ajo nuk ngrihet më lart se toka. Ai jeton për të kënaqur oreksin e natyrshëm, ashtu siç bëjnë kafshët. Gjithashtu metodat e tij janë të egra, të pabesa dhe djallëzore. Nën kostumin e tij të bukur është një jetë plot me papastërti. Mendimet e tij janë të ndotura, morali është prishur dhe e folura është e papastër. Ai grindet me të gjithë ata që nuk bien dakort me të ose me ndonjërin që e bezdis atë. Në shtëpi, në punë, në shoqëri, ai është vazhdimisht grindavec. Ai është i ashpër dhe imponues, i vrazhdë dhe pa takt. Njerëzit nuk mund t’i afrohen atij lehtë; ai është i mbyllur si njeri. Të diskutosh me të në mënyrë të qetë është gati e pamundur. Ai ka marrë vendimin e tij dhe opinionet e tij nuk ndryshojnë. Ai nuk i fal të tjerët por kërkon hakmarrje. Kur ai e kap tjetrin në gabim, ai nuk tregon aspak mëshirë. Përkundrazi ai sillet me shumë dhunë, harbutëri dhe poshtërsi. Ai i vlerëson njerëzit vetëm sipas përfitimit që mund të marrë nga ata. Kur ai nuk mund t’i përdorë më ata, d.m.th. kur nuk ka shpresë që ai do të fitojë diçka tjetër, ai nuk dëshiron t’ia dijë më për ta. Si përfundim, ai është me dy fytyra dhe i pasinqertë. Kurrë nuk mund të kesh siguri tek ai, as në fjalët dhe as në veprat e tij.

3:18 Jakobi e mbyll kapitullin me fjalët: “Dhe fryti i drejtësisë mbillet në paqe për ata që bëjnë paqen.“. Ky varg është lidhja midis asaj që kemi diskutuar dhe asaj që do të vijojë. Sapo kemi mësuar që dituria e vërtetë e do paqen. Në kapitullin vijues ne gjejmë konflikte midis njerëzve të Perëndisë. Në këtë pjesë, krahasohet jeta me një proces bujqësie. Ne kemi një bujk (njeriu i ditur që është pajtues), klima (paqja) dhe korrja (drejtësia). Bujku dëshiron ta korrë drejtësinë. A mund të bëhet kjo në një atmosferë me grindje dhe sharje? Jo, mbjellja duhet të ndodhë në një atmosferë paqeje. Duhet bërë nga ata që kanë një gatishmëri pajtuese. Korrja e drejtësisë do të prodhohet në jetën e tyre dhe në jetën e atyre që e kanë ndihmuar.

Përsëri Jakobi e ka vendosur besimin tonë në provë, dhe kësaj radhe është në lidhje me llojin e diturisë që ne shfaqim në jetën tonë të përditshme. Ne duhet t’i bëjmë vetes pyetjen: A i respektoj njerëzit që janë krenarë më tepër se besimtarin që është i përulur në Zotin Jezus? A i shërbej Zotit pa u merakosur se kush do të marrë nderim? Apo, a i përdor unë mënyrat e dyshimta për të marrë rezultate të mira? A jam unë fajtor për lajka me qëllim që të ndikoj te të tjerët? A mbaj xhelozi dhe hidhërim në zemrën time? A përdor sarkazëm ose përgjigje të ashpra? A jam i pastër në mendim, në të folur dhe në moral?


[previous][next]