Lutja dhe shërimi i të sëmurit (Jakobi 5:13-20)

Tema e vargjeve përfundimtare të letrës është lutja. Fjala përsëritet shtatë herë, si emër ose si folje.

5:13 Në çdo rrethanë të jetës ne duhet të shkojmë te Zoti në lutje. Kur jemi në vështirësi, duhet t’i afrohemi Atij me përgjërime të sinqerta. Në kohërat e gëzueshme ne duhet t’i ngrejmë zemrat drejt Tij në adhurim. Ai dëshiron që ne të provojmë të gjitha ndryshimet e humorit në jetën tonë.

Ne duhet të kuptojmë që Perëndia është Shkaku kryesor dhe i parë i gjithçkaje që vjen në jetën tonë. Është dështim nëse ne lejojmë veten tonë që të jemi viktima të rrethanave, ose nëse presim që rrethanat të ndryshojnë. Ne duhet të shohim dorën e Tij dhe jo gjërat e tjera.

Kjo është njëra nga pjesët më kundërshtuese të letrës, dhe mbase në DhR. Na sjell ballë për ballë me çështjen e shërimit në jetën e besimtarit sot.

Përpara se të shikojmë vargjet me hollësi, do të jetë një ndihmë të rishikojmë atë që Bibla mëson rreth sëmundjes dhe shërimit.

SHËRIMI HYJNOR

1. Të krishterët janë dakort që përgjithësisht të gjitha sëmundjet janë pasojë e mëkatit në botë. Nëse mëkati nuk do të kishte hyrë kurrë, atëherë nuk do të kishte asnjë sëmundje.

2. Shpeshherë sëmundja është pasojë e drejtpërdrejtë e mëkatit në jetën e dikujt. Tek e 1 Korintasve 11:30, ne lexojmë për disa korintas që ishin të sëmurë sepse morën pjesë në Darkën e Zotit pa e gjykuar mëkatin në jetën e tyre, d.m.th. pa e rrëfyer dhe pa e braktisur atë.

3. Jo të gjitha sëmundjet janë pasojë e drejtpërdrejtë e mëkatit në jetën e dikujt. Jobi ishte i sëmurë megjithëse ai ishte një njeri i drejtë (Jobi 1:8). Njeriu që lindi i verbër nuk po vuante për mëkate që kishte bërë (Gjo. 9:2, 3). Epafroditi ishte i sëmurë për shkak të punës së lodhshme që bënte për Zotin (Filipianeve 2:30). Gaji nga ana frymërore ishte shumë mirë por nga ana fizike jo aq (ishte i sëmurë) (3 Gjo. 2).

4. Shpeshherë sëmundja është rrjedhojë e aktivitetit satanik. Ishte Satani që bëri që trupi i Jobit të mbulohej me ulçer (Jobi 2:7). Ishte Satani që e paralizoi gruan te Luka 13:10-17 kështu që ajo ishte e kërrusur dhe nuk mund të drejtohej dot: “Kjo grua . . . që Satani e mbajti lidhur – mendoni pak – prej tetëmbëdhjetë vjetësh” (13:16). Pali kishte një lëngatë fizike që u shkaktua nga Satani. Ai e quajti atë “një gjemb në mish, një engjëll i Satanit, për të më rënë me grushta” (2 Kor. 12:7).

5. Perëndia mund të shërojë dhe e bën këtë. Në realitet, i gjithë shërimi është hyjnor. Njëri nga emrat e Perëndisë në Dhiatën e Vjetër është Jehovah-Rofeka – “Zoti që të shëron” (Eksodi 15:26). Ne duhet të falënderojmë Perëndinë në çdo rast shërimi.

Është e qartë nga Bibla që Perëndia përdor mënyra të ndryshme për të shëruar. Ndonjëherë Ai shëron nëpërmjet proceseve trupore të natyrshme. Ai ka vendosur brenda trupit njerëzor fuqi të mëdha shërimi. Doktorët dinë që shumica e njerëzve që ankohen për sëmundjet shërohen ditën tjetër. Nganjëherë Ai shëron nëpërmjet mjekimeve. Për shembull, Pali e këshilloi Timoteun: “përdor pak verë për stomakun tënd dhe për sëmundjet e tua të shpeshta” (1 Tim. 5:23). Nganjëherë Ai shëron duke “i çliruar njerëzit nga frika e tyre, nga hidhërimet, nga shqetësimet që njerëzit i shkaktojnë vetvetes, nga fajet, dhe të gjitha këto shkaktojnë sëmundjet .”. Nganjëherë Ai shëron me anë të mjekëve dhe kirurgëve. Jezusi mësoi në mënyrë të qartë që njerëzit e sëmurë kanë nevojë për një mjek (Mt. 9:12). Pali flet për Llukën si “i dashur Luka, mjeku” (Kol. 4:14), që sigurisht miraton nevojën e mjekëve midis të krishterëve. Perëndia i përdor mjekët në shërbesën e shërimit. Siç tha Z. Pare, kirurgu i famshëm nga Franca: “Kirurgu e mjekon plagën; Perëndia e shëron.”.

6. Mirëpo, gjithashtu Perëndia shëron në mënyrë të mrekullueshme. Ungjijtë përmbajnë shumë ilustrime të kësaj. Nuk do të ishte e gabuar për të thënë që Perëndia në përgjithësi shëron në këtë mënyrë, por as nuk duhet të themi që Ai kurrë nuk e bën këtë. Nuk ka asgjë në Bibël që të na shkurajojë që ne të mos besojmë që Perëndia mund të shërojë në mënyrë të mrekullueshme edhe sot.

7. Sidoqoftë, gjithashtu duhet të jemi të qartë që nuk është vullneti i Perëndisë të shërojë gjithmonë. Pali e la Trofimin të sëmurë në Milet (2 Tim. 4:20). Zoti nuk e shëroi Palin nga gjembi në mish (2 Kor. 12:7-10). Nëse gjithmonë do të ishte në vullnetin e Perëndisë të shëronte, disa kurrë nuk do të plakeshin dhe as nuk do të vdisnin!

8. Perëndia nuk ka premtuar të shërojë në çdo rast. Prandaj shërimi nuk është diçka për të cilin ne mund të ngulim këmbë. Te Filipianëve 2:27, shërimi është paraqitur si një mëshirë, jo si diçka që kemi të drejtë ta marrim.

9. Ndërsa në mënyrë të përgjithshme është e vërtetë që shërimi është në “Shlyerje”, akoma nuk i kemi marrë të gjitha bekimet që janë në “Shlyerje” për ne. Për shembull, shpengimi i trupit u përfshi në veprën e Krishtit për ne, por ne nuk do ta marrim atë derisa Krishti të vijë për shenjtorët e Tij (Rom. 8:23). Në atë kohë, ne do të jemi të shëruar plotësisht dhe përfundimisht nga të gjithë sëmundjet.

10. Nuk është e vërtetë që pamundësia për t’u shëruar tregon një mungesë besimi. Nëse do të ishte kështu, kjo do të thoshte që ne do të jetonim në paqartësi. Pali, Trofimi dhe Gaji nuk u shëruan, por besimi i tyre ishte i fortë dhe aktiv.

5:14, 15 Duke u kthyer te Jakobi 5, ne kuptojmë se si këto vargje përshtaten me atë që Bibla mëson rreth shërimit:

A është i sëmurë ndonjë nga ju? Le të thërrasë pleqtë e kishës dhe ata të luten përmbi të, dhe le ta lyejnë me vaj në emër të Zotit, dhe lutja e besimit do ta shpëtojë të sëmurin dhe Zoti do ta mëkëmbë; dhe nëse ka bërë mëkate, ato do t’i falen.

Nëse këto do ishin të vetmet vargje në Bibël rreth shërimit, ne do të hamendësonim që nëse një i krishterë i ka plotësuar kushtet e radhitura, ai mund të jetë i sigurt për shërimin nga çdo sëmundje në jetë. Mirëpo, tashmë e kemi kuptuar nga Shkrimet e tjera që nuk është vullneti i Perëndisë të shërojë gjithmonë. Prandaj, ne jemi të detyruar të nxjerrim si përfundim që Jakobi nuk po flet për çdo lloj sëmundjeje, por vetëm për një lloj të veçantë, d.m.th. një sëmundje që është pasojë e rrethanave të caktuara. Çelësi për të kuptuar pjesën gjendet në fjalët: “dhe nëse ka bërë mëkate, ato do t’i falen.”. Në këtë pjesë, shërimi është i lidhur me faljen e mëkateve.

Këtu është një njeri që ka bërë mëkate, me sa duket duke përfshirë dëshminë e kishës lokale. Më pas, ai goditet me një sëmundje. Ai kupton që kjo sëmundje është një pasojë e drejtpërdrejtë e mëkatit të tij. Perëndia e qorton atë për ta kthyer në bashkësi. Ai pendohet për mëkatin dhe ia rrëfen atë Perëndisë. Por, përderisa mëkati ka përfshirë gjithashtu dëshminë publike të asamblesë, ai thërret pleqtë dhe gjithashtu u bën atyre një rrëfim të plotë. Ata luten përmbi të, dhe e lyejnë me vaj në emër të Zotit. Kjo lutje e besimit e shpëton të sëmurin, dhe Zoti do ta mëkëmbë. Është një premtim i sigurt i Zotit që kur sëmundja është pasoja drejpërdrejt e mëkatit, dhe kur mëkati rrëfehet dhe braktiset në mënyrën e përshkruar, Zoti do ta shërojë.

Disa do të thonë: “Si e di ti që njeriu ka bërë mëkate dhe që u soll në pendim dhe rrëfim?” Përgjigjja është që pjesa e fundit e vargut 15 thotë që mëkatet e tij falen. Dhe ne e dimë që mëkatet falen vetëm si rrjedhojë e rrëfimit (1 Gjonit 1:9).

Dikush tjetër do të kundërshtojë: “Fjala nuk thotë që ai ka bërë mëkate. Ajo thotë nëse ka bërë mëkate“. Kjo është e vërtetë, por i gjithë konteksti ka të bëjë me rrëfimin e mëkateve dhe me ndreqjen e zemërpërdalit. Vini re këtë: “Rrëfeni fajet njëri-tjetrit dhe lutuni për njëri-tjetrin, që të shëroheni.”. Thatësira që përmenden në vargjet 17 dhe 18 ishte gjykimi i Perëndisë mbi Izraelin për shkak të mëkatit. Ajo u hoq pasi ata u kthyen te Zoti, duke e pranuar Atë si Perëndinë e vërtetë (1 Mbret. 18:39). Është e qartë që vargjet 19 dhe 20 merren me kthimin e zemërpërdalit, siç do ta shohim.

I gjithë konteksti i Jakobit 5:13-20 nënkupton që shërimi që premtohet nga Perëndia është për një njeri që ka një sëmundje që është pasojë e mëkatit, dhe që ua rrëfen mëkatin pleqve. Përgjegjësia e pleqve është të luten përmbi të, dhe ta lyejnë me vaj. Disa mendojnë që vaji tregon përdorimin e mënyrave mjekësore, sepse vaji ishte një formë mjekimi në kohën kur Jakobi po shkruante (Luka 10:34). Një mendim tjetër është që kjo nënkupton përdorimin ritual të vajit. Kjo pikëpamje është forcuar nga fjalët në emër të Zotit, d.m.th. vajosja duhet të bëhej nga autoriteti i Tij dhe në bindjen e fjalës së Tij. Nganjëherë vaji përdorej nga apostujt kur bënin shërimet e mrekullueshme (Mar. 6:13). Fuqia për të shëruar nuk ishte në vaj, por vaji ishte një simbol për Frymën e Shenjtë në shërbesën e Tij të shërimit (1 e Korintasve 12:9).

Disa do të kundërshtojnë që përdorimi ritual i vajit nuk përputhet me Kohën e Hirit, sepse ajo nuk e vendos theksin mbi ceremonitë dhe ritet. Megjithatë, ne e përdorim bukën dhe verën si simbole të trupit dhe të gjakut të Krishtit, dhe përdorim ujin në pagëzim. Gjithashtu, gratë mbajnë shamitë në asamble si simbole të nënshtrimit të tyre ndaj burrit. Atëherë, pse duhet ta kundërshtojmë përdorimin ritual të vajit?

Në përgjigje të lutjes së besimit, Perëndia do ta shërojë njeriun. Quhet lutja e besimit sepse është e themeluar në premtimin e fjalës së Perëndisë. Nuk bëhet fjalë aspak se sa shumë besim kanë pleqtë ose se sa shumë besim ka njeriu i sëmurë. Pleqtë mund të luten me sigurinë e plotë sepse Perëndia ka premtuar ta rimëkëmbë atë njeri kur kushtet janë plotësuar tërësisht.

Pra, për ta përmbledhur, ne besojmë që vargjet 14 dhe 15 zbatohen për rastin kur dikush është i sëmurë si pasojë e drejtpërdrejtë e mëkatit. Kur ai e kupton këtë dhe pendohet, ai duhet të thërrasë pleqtë e asamblesë dhe t’u bëjë atyre një rrëfim të plotë. Atëherë, ata duhet të luten përmbi të, dhe ta lyejnë me vaj në emër të Zotit. Përderisa Perëndia ka premtuar ta shërojë atë njeri, ata mund të luten me besim për shërimin e tij.

5:16a Rrëfeni fajet [14] njëri-tjetrit dhe lutuni për njëri-tjetrin, që të shëroheni. Një lexim i shkujdesur i kësaj mund të japë përshtypjen se ne duhet t’u tregojmë njerëzve të tjerë mëkatet tona të fshehta. Por ky nuk është aspak mendimi! Kryesisht, Jakobi e ka fjalën që kur ne mëkatojmë kundër dikujt tjetër ne duhet të jemi të shpejtë për t’i rrëfyer atë mëkat atij kundër të cilit kemi mëkatuar.

Gjithashtu duhet të lutemi për njëri-tjetrin. Në vend që të mbajmë inat duke lejuar që hidhërimet të rriten, ne duhet ta mbajmë veten në përbashkësi me të tjerët me anë të rrëfimit dhe me anë të lutjes.

Shërimi fizik është e lidhur me ndreqjen frymërore. Vini re se si Jakobi lidh së bashku rrëfimin, lutjen dhe shërimin. Është një dëshmi e qartë e lidhjes së gjallë midis trupit dhe shpirtit. Njeriu është një qenie tripjesësh – fryma, shpirti dhe trupi (1 Thes. 5:22). Diçka që ndikon një pjesë, gjithashtu ndikon të gjitha pjesët e tjera. Në DhV prifti ishte gjithashtu dhe mjek. Për shembull, ishte ai që përcaktonte diagnozën për lebrozin dhe ishte ai që e shpallte atë të shëruar. Duke bashkuar punën e priftit dhe të doktorit në një njeri, Zoti tregoi lidhjen e ngushtë midis frymës dhe trupit.

Fusha e mjekimit psikomatik e miraton këtë lidhje dhe kërkon problemet vetjake që mund të shkaktojnë shqetësimet fizike. Mirëpo, shkenca moderne nuk e ka kurën e mëkatit. Çlirimi nga faji, fëlliqësia, fuqia dhe dënimi i mëkatit mund të vijnë vetëm me anë të gjakut të Krishtit, dhe me anë të rrëfimit ndaj Perëndisë dhe ndaj njerëzve. Më shpesh sesa ne mund të jemi të gatshëm për të pranuar, sëmundjet janë shkaktuar nga mëkatet, si: grykësia, mërzitja, zemërimi, një frymë që nuk fal, mospërmbajtja, xhelozia, egoizmi dhe krenaria. Mëkatet në jetë sjellin sëmundjen dhe nganjëherë vdekjen (1 e Korintasve 11:30). Ne duhet ta rrëfejmë dhe ta braktisim mëkatin sapo të jemi të vetëdijshëm që ka hyrë në jetën tonë. Të gjitha mëkatet i duhen rrëfyer Perëndisë. Përveç kësaj, mëkatet kundër njerëzve të tjerë u duhen rrëfyer atyre gjithashtu. Është e domosdoshme për shëndetin tonë frymërorë dhe është e mirë për shëndetin fizik.

5:16b-18 Shumë fuqi ka lutja e të drejtit kur bëhet me gjithë shpirt. Elia ishte një njeri me të njëjtat pasionet tona, dhe u lut intensivisht që të mos binte shi, edhe nuk ra shi mbi dhe për tre vjet e gjashtë muaj. Dhe u lut përsëri dhe qielli dha shi edhe dheu dha frytin e vet.

Kjo ngjarje është regjistruar tek 1 Mbret 17:1-19:10. Ashabi ishte mbreti i Izraelit në atë kohë. Nëpërmjet gruas së tij, Jezebelit, ai u bë një adhurues i Baalit dhe e udhëhoqi popullin në këtë formë të tmerrshme të idhujtarisë. “Ashabi bëri edhe një Asherah; Ashabi provokoi zemërimin e Zotit, Perëndisë së Izraelit, më tepër se gjithë etërit e Izraelit që e kishin paraprirë” (1 Mbret. 16:33). Ishte një pasojë e drejtpërdrejtë e mëkatit që thatësira erdhi mbi Izrael për tre vjet e gjysmë.

Pastaj, Elia bëri konkurrimin e famshëm me priftërinjtë e Baalit në malin e Karmelit. Kur zjarri i Zotit ra dhe konsumoi ofertën e djegur, altarin dhe ujin, njerëzit e bindën dhe ata u kthyen te Zoti. Elia u lut përsëri dhe thatësira mbaroi. Shembulli i Elias jepet si një nxitje për ne që të lutemi për ata që kanë mëkatuar dhe që enden larg përbashkësisë me Perëndinë. Shumë fuqi ka lutja e të drejtit kur bëhet me gjithë shpirt, ose si dikush e ka parafrazuar: “Lutja e njeriut, zemra e të cilit është e drejtë përpara Perëndisë bën mrekulli.”. Që të mos tundohemi të mendojmë që ai i përket një krijimi më të lartë se njerëzit, Jakobi na kujton që Elia ishte një njeri me të njëjtin mish të dobët. Ai ishte veçse një njeri i thjeshtë, që përballej me të njëjtat dobësi dhe vështirësi si njerëzit e tjerë.

5:19, 20 Në vargjet e mëparshme kemi parë pleqtë e asamblesë që Perëndia i ka përdorur për ndreqjen e shenjtorit në mëkat. Kemi parë edhe Elian që Perëndia e përdori për ndreqjen (e pjesshme dhe të përkohshme) të një kombi në mëkat. Tani nxitemi t’i kushtohemi kësaj shërbese të gjerë.

Vargu 19 përshkruan një vëlla të krishterë që është endur larg nga rruga e së vërtetës, në doktrinë ose në praktikë. Një vëlla tjetër mendon se për të duhet të lutet në mënyrë të zjarrtë dhe me besim, dhe kështu me dashuri e kthen në përbashkësi me Perëndinë dhe me vëllezërit dhe motrat në Krishtin. Sa e rëndësishme është kjo shërbesë! Së pari, ai do të shpëtojë vëllanë e tij që është në mëkat nga vdekja e parakohshme, nën dorën ndërshkuese të Perëndisë. Së dyti, ai do të mbulojë një shumicë mëkatesh. Mëkatet janë të falura dhe të harruara nga Perëndia. Gjithashtu janë të falura nga besimtarët e tjerë dhe të mbuluara nga shikimi i botës së jashtme. Ne kemi nevojë për këtë shërbesë edhe sot. Në zellin tonë për të ungjillizuar të humburit, mbase ne nuk u tregojmë kujdesin e duhur atyre deleve të Krishtit që enden larg vathës.

Përsëri Jakobi nxiti ndërgjegjet tona në lidhje me fusha të ndryshme të jetës së krishterë. Për shembull ai na ka bërë pyetjet: A keni mbledhur thesare në tokë? A janë metodat e tua të punës të ndershme? Për shembull, a i paguan faturat? A jeton ti në mënyre luksoze, apo jeton me shumë sakrifica që të tjerët të mund të vijnë në njohjen e Shpëtimtarit? Kur ti mëkaton kundër dikujt tjetër, a je i gatshëm për të shkuar tek ai dhe të kërkosh falje? Kur ti sëmuresh, kë kontakton në fillim – doktorin apo Zotin? Kur ti sheh një vëlla që bie në mëkat, a e kritikon atë apo përpiqesh që ta ndreqësh?

Në këtë mënyrë arrijmë në fund të këtij libri të shkurtër dhe praktik. Në këtë libër, kemi parë besimin e sprovuar nga problemet e jetës, nga tundimet jo të shenjta dhe nga bindja ndaj fjalës së Perëndisë. Njeriu që thotë që ka besim është sfiduar që ta tregojë atë duke iu shmangur njëanshmërinë dhe snobizmit dhe ta vërtetojë këtë gjë me anë të veprave të mira. Realiteti i besimit shihet në të folurit e dikujt; besimtari mëson t’ia nënshtrojë gjuhën zotërimit të Krishtit. Besimi i vërtetë shoqërohet me urtësinë e vërtetë; jeta e zilisë dhe e grindjes shkëmbehet me atë të perëndishmërisë praktike.

Besimi i shmang grindjet, luftërat dhe zilitë që rrjedhin nga lakmia dhe nga ambicja e botës. Besimi shmang një frymë të ashpër kritike. Ai shmang vetëbesimin që nuk e merr parasysh Perëndinë në planet e jetës. Besimi gjykohet për mënyrën se si fiton dhe se si i shpenzon paranë. Pavarësisht nga shtypja, besimi e shfaq guximin dhe qëndrueshmërinë në pritjen e kthimit të Zotit. E folura e tij është plotësisht e ndershme dhe nuk i duhet asnjë provë për ta vërtetuar. Besimi të çon te Perëndia në çfarëdolloj rrethane të jetës. Në sëmundje, në fillim besimi kërkon shkaqet frymërore. Me anë të rrëfimit ndaj Perëndisë dhe ndaj atyre kundër të cilëve ke mëkatuar, besimi i heq këto shkaqe të mundshme. Më në fund, besimi të çon me dashuri dhe dhembshuri tek ata që kanë rënë.

Besimi yt dhe i imi gjykohen çdo ditë. Cili është vendimi i Gjykatësit?

SHËNIME
[1] (1:14) Fjala Greke epithumia është një formë e përforcuar e fjalës “dëshirë”. Fjala në gjuhën angleze lakmi (khs 1611KJV) fillimisht nënkuptonte thjesht “një dëshirë të fortë”, por është marrë nga një domethënie e qartë seksuale.

[2] (1:19) Fjala “Prandaj” (Gr. hoste) është zëvendësuar me “Dijeni” (iste) në disa dorëshkrime dhe në shumë prej versioneve moderne që parapëlqejnë shpjegimin e Aleksandrisë (NU). Megjithatë, interpretimi tradicional përshtatet më mirë me kontekstin – një ndalesë e madhe duke mbledhur atë që duhet të bëjmë duke marrë parasysh vargjet 1-18.

[3] (1:21) E njëjta fjalë greke (psuche) do të thotë “jetë” dhe “shpirt” dhe nuk është e caktuar cili përkthim është më i mirë. Gjithashtu “shpëtim” nuk i referohet detyrimisht shpëtimit të amshuar. Mund t’i referohet shërimit, çlirimit dhe gjërave të tjera. Kështu shprehja “të shpëtojë shpirtrat tuaja” në disa kontekste mbase do të thotë “të keni sukses në jetën tuaj” (për Krishtin).

[4] (2:2-4) Në këtë pjesë fjala greke është sunagoge (asambleja). Përderisa kjo fjalë më vonë filloi të përdorej vetëm për asambletë çifute (sinagogat), kjo është një shenjë për datën e hershme të Jakobit. “Kongregacioni” (Tyndale), “kisha” (KJV) dhe “asambleja” (JND) zakonisht janë përkthimet e fjalës eklesia, një asamble (e thirrur jashtë). Fillimisht kjo ishte një fjalë politike (khs. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara).

[5] (2:14) Mirëpo, që të jemi të drejtë, duhet vënë në dukje që në greqisht, nuk ka një fjalë për “atë” në këtë pjesë, por thjesht një nyje që na tregon trajtën e shquar. Nyja nganjëherë mund të ketë ngjyrim dëftor (demonstrativ), por mund të jetë vetëm nyja e zakonshme që përdoret me një emër abstrakt. Përderisa disa përkthime janë të pranueshme, versioni NKJV, që kishte “atë besim” në botimin e parë, u rikthye te leximi i KJV në botimet e mëvonshme.

[6] (2:20) Në tekstin NU lexohet “i kotë” për “i vdekur.”

[7] (3:5, 6) Clovis G. Chappel, Sermons from the Psalms, fq. 132.

[8] (3:7) Robert G. Lee, Lord I believe, fq. 166-168.

[9] (4:4) Shumica e dorëshkrimeve shkruajnë “O shkelës dhe shkelëse të kurorës” mbase duke nënkuptuar imoralitetin e drejtpërdrejtë në kongregacionet kundrejt të cilave ai po fliste. Dorëshkrimet Alexandriane (NU) kanë vetëm formën femërore “kurorëshkelëse” që gati duket se kërkon një kuptim figurativ (d.m.th. frymërore). KJV dhe NKJV lejojnë të dy kuptimet, kurorëshkelja frymërore dhe/ose fizike.

[10] (4:5) Shumica e dorëshkrimeve të lashta nuk i kishin zhvilluar format e veçuara për shkronjat e mëdha dhe të vogla. Në mënyrë ideale, do të ishte një “S” që ishte diku midis një shkronje të vogël dhe një shkronje të madhe për vendet e shumta në Dhiatën e Re ku një pjesë nuk është qartë nëse është Fryma apo frymë. Përderisa nuk ka një formë të tillë, përkthyesit dhe botuesit duhet të vendosin sipas kontekstit. Këtu dhe gjetiu studiuesit e mirë të Biblës janë të ndarë.

[11] (4:11, 12) Në tekstin NU lexohet një të afërm.

[12] (5:9) Në tekstet NU dhe M lexohet “të gjykuar”, por konteksti sugjeron një gjykim negativ, kështu që “të dënuar” është i vlefshëm.

[13] (5:12) Teksti M ka një lexim (variant) interesant. Leximi i KJV-it (dhe NU-it) “në” (fjalë për fjalë ‘nën’) gjykim” është hupo krisin. Mirëpo, teksti M lexohet eis (“në”) hupokrisin (“hipokrizi”). Nëse parafjala “eis” do të hiqet nga një gabim në kopjen e saj, do të ishte e natyrshme të mendohej për parashtesën në hupokrisin si një parashtesë e ndarë dhe kështu të mbarojë me “nën gjykim”. Ndërkaq të dyja shprehjet përshtaten me tekstin e drejtpërdrejtë, e gjitha letra e Jakobit është një paralajmërim kundër hipokrizisë fetare.

[14] (5:16a) Në tekstin NU lexohet “Prandaj, rrëfeni mëkatet tuaja.”.

BIBLIOGRAFI

Adamson, James. The Epistle of James (NIC). Grand Rapids: Wm. B. Eerdmans Publishing Company, 1976.

Brown, Charles. The General Epistle of James: A Devotional Commentary. Philadelphia: The Union Press, 1907.

Gaebelein, Frank. The Practical Epistle of James. Great Neck, N.Y.: Doniger & Raughley, Inc. 1955.

Johnstone, Robert. Lectures Exegetical and Practical on the Epistle of James. Minneapolis: Klock & Klock Christian Publishers (reprint of 1871 ed).

Kelly, William. The Epistle of James. London: F.E. Race, 1913.

King, Guy H.. A Belief that Behaves. London: Marshall, Morgan & Scott, Ltd., 1954.

Zodhiates, Spiros. The Behavior of Belief. Grand Rapids: Wm. B. Eerdmans Publishing Co., 1959.