Të pasurit dhe pendimi i tyre i ardhshëm (Jakobi 5:1-6)

Në njërën nga pjesët më të depërtueshme dhe të prekshme të kësaj letre, Jakobi hedh një akuzë ndaj mëkateve të të pasurve. Fjalët bien si goditjet e një çekiçi, të qarta dhe pa kursim. Në fakt, akuza është aq e fortë saqë këto vargje predikohen shumë rrallë.

Këtu Jakobi shihet në rolin e një profeti të drejtësisë shoqërore. Ai thërret kundër dështimit të të pasurve për të përdorur paratë e tyre për lehtësimin e nevojave njerëzore. Ai i dënon ata që janë bërë të pasur duke shfrytëzuar punëtorët e tyre. Ai i qorton ata për përdorimin e pasurisë për vetëkënaqësitë dhe për jetesën madhështore. Në fund, ai i përshkruan të pasurit si shtypës arrogantë të të drejtëve.

5:1 Së pari, ai u bën thirrje të pasurve të qajnë dhe të vajtojnë për të këqijat që do të përjetonin. Shumë shpejt, ata do të takonin Perëndinë. Atëherë do të mbusheshin me turp dhe pendim. Do të kuptonin që kishin qenë kujdestarë të pabesë. Do të qanin për mundësitë që kishin humbur. Do të vajtonin për lakminë dhe egoizmin e tyre. Do të bindeshin për zakonet e punës së padrejtë. Do të kuptonin mëkatin e të kërkuarit të sigurisë në gjërat materiale ndaj sigurisë në Zotin. Gjithashtu do të derdhnin lotë për mënyrën se si u kënaqën plotësisht. Jakobi përmend katër mëkate kryesore të të pasurve. I pari është mëkati i grumbullimit të pasurisë.

5:2 “Pasuritë tuaja më të mira u shkatërruan” thotë Jakobi, “rrobat tuaja i brejti tenja; ari dhe argjendi juaj u ndryshkën. Po, ndryshku i tyre do të jetë prova e grumbullimit tuaj të keq dhe ju do të tërhiqeni prej tyre sikur të ishin shumë të nxehtë.” (JBP).

Bibla kurrë nuk thotë që të jesh i pasur është mëkat. Për shembull, dikush mund trashëgojë një pasuri në një ditë dhe sigurisht që ai nuk ka bërë asnjë mëkat duke u bërë i pasur. Mirëpo, Bibla mëson që është mëkat të grumbullosh pasuri. Zoti Jezus parandaloi në mënyrë të qartë grumbullimin e pasurisë. Ai tha: “Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja dhe ndryshku, dhe ku vjedhësit shpërthejnë dhe vjedhin, përkundrazi mblidhni për vete thesare në qiell, ku as tenja as ndryshku nuk prishin dhe ku vjedhësit nuk shpërthejnë dhe nuk vjedhin sepse ku është thesari juaj do të jetë edhe zemra juaj.” (Mat 6:19-21).

Jakobi flet për pasurinë në katër forma: pasuria, rrobat, ari dhe argjendi. Në kohërat biblike pasuria në përgjithësi ishte në formë gruri, vaji dhe prodhimesh të tjera, si: rroba, ar dhe argjend. Ndoshta kur Jakobi thotë: “Pasuria juaj u kalb” ai do të thotë që gruri u bë me krimba dhe vaji ishte prishur. Kuptimi është që këto gjëra u grumbulluan derisa u kalbën. Në një kohë kur ato mund të përdoreshin për të ushqyer të uriturit; tani u bënë të padobishme. “Rrobat tuaja i brejti tenja”, thotë ai. Kjo nuk ndodh me rrobat që përdoren rregullisht. Mirëpo, kur dollapi është aq i mbushur me rroba saqë ato përdoren shumë rrallë, ato mund të dëmtohen nga tenja. Për Jakobin është një padrejtësi morale të grumbullosh rroba në këtë mënyrë kur kaq shumë njerëz në botë janë në nevojë të dëshpëruar për to.

5:3 Ari dhe argjendi juaj u ndryshkën, dhe ndryshku i tyre do të jetë një dëshmi kundër jush dhe do t’ju përpijë mishërat si zjarr, vazhdon ai. Ari dhe argjendi nuk ndryshken si metalet e tjera, por nxihen dhe e humbasin shkëlqimin, dhe në kushte të papërshtatshme, ato mund të prishen. Në vend që të vinin në punë paranë e tyre duke ushqyer të uriturit, duke i veshur të varfrit, duke siguruar mjekime për të sëmurët, dhe duke shpërndarë ungjillin, të pasurit po i kursenin paratë e tyre për “një ditë të keqe”. Përfundimisht, këto para nuk u sollën dobi askujt dhe u kalbën.

Ndryshku, që flet për shpërdorimin dhe prishjen, do të jetë një dëshmi kundërshtuese kundër të pasurve. Nëse kjo ishte e vërtetë për të pasurit në kohën e Jakobit, sa më tepër është e vërtetë për besimtarët në kohën e sotme? Kush do të jetë dënimi ynë nëse i kemi pasur mjetet për të shpërndarë ungjillin por nuk i kemi përdorur? Nëse i kemi grumbulluar gjërat materiale kur mund të përdoren për shpëtimin e shpirtrave të humbur? Shprehja ndryshku i tyre . . . do t’ju përpijë mishërat si zjarr do të thotë që dështimi për t’i përdorur pasuritë për të mirën e të tjerëve do t’u sillte vuajtje më të forta dhe pendim. Më në fund, kur sytë e tyre do të hapeshin për të kuptuar egërsinë e egoizmit dhe lakmisë (stoli të çmuara, rroba elegante, shtëpi madhështore dhe makina të shtrenjta), do të ishte një përvojë shumë përvëluese.

5:4 Mëkati tjetër që Jakobi sulmon është sigurimi i pasurisë duke mos paguar pagat e duhura. Punëtorëve që korrën arat ua hoqën pagat e drejta. Edhe pse punëtorët mund të protestonin, ata ishin të pafuqishëm që të merrnin atë që u takonte. Ata nuk kishin askënd në tokë për të mbrojtur çështjen e tyre në mënyrë të suksesshme. Mirëpo, klithmat e tyre u dëgjuan nga Zoti i ushtrive. Ai që komandon ushtritë e qiellit është i fortë për masat e shtypura në këtë tokë. Zoti, Perëndia i gjithëfuqishëm do t’i ndihmojë dhe do të marrë hak për ta. Në këtë mënyrë, Bibla dënon jo vetëm grumbullimin e pasurisë por edhe grumbullimin e pasurisë në mënyrë të padrejtë. Veç mëkatit të pagimit të pagave të pamjaftueshme, Jakobi mund të përmendte falsifikimin e taksave, mashtrimin në peshë dhe masa, ryshfetet e inspektorëve lokalë dhe të zyrtarëve të tjerë, reklamat e rreme dhe falsifikimin e llogarive të shpenzuara.

5:5 Pastaj Jakobi dënon jetesën luksoze të të pasurve. Stolitë e çmuara dhe të shtrenjta, rrobat elegante, ushqimet epikuriane dhe shtëpitë madhështore – si mundën të harxhonin kot pasurinë e tyre për veten e tyre kur turmat ishin në nevojë të pashpresë? Ose në ditën e sotme, si mund ta përligjim bollëkun dhe shpenzimet e tepruara të kishës dhe të njerëzve të krishterë? Ne jetojmë në një botë ku mijëra vetë vdesin nga uria çdo ditë. Më shumë se gjysma e njerëzve në botë nuk kanë dëgjuar për Zotin Jezus Krisht. Në një botë të tillë, si mund të përligjim makinat e shtrenjta, limuzinat dhe motobarkat. Si mund të harxhojmë paratë e Perëndisë në hotelet e shtrenjta, në restorantet e klasit të parë dhe në çdo lloj forme kënaqësie? Mësimi i qartë i Shkrimeve, nevoja e tmerrshme e botës, shembulli i Shpëtimtarit, dhe instinkti i dhembshurisë na tregojnë që është gabim të jetojmë në rehati, në qejf dhe në lehtësi sa herë që ka një shpirt që nuk ka dëgjuar ungjillin.

Ata që jetojnë ndër qejfe dhe janë të shfrenuar në shkapërderdhje krahasohen me ata që ushqejnë zemrat e tyre si për ditë të të therurit – si kafshët, duke u ushqyer për majmërinë e tyre, ose si ushtarët që kalojnë kohën duke plaçkitur kur të tjerët vdesin pranë tyre.

5:6 Akuza e fundit kundër të pasurve është që ata e dënuan dhe e vranë të drejtin, dhe ai nuk i kundërshtoi. Disa mendojnë që ky njeri i drejtë është Zoti Jezus. Mirëpo, vdekja e tij u shkaktua nga njerëzit fetarë dhe jo nga të pasurit. Mbase është më mirë të mendojmë për të drejtin si një përfaqësim në përgjithësi i njerëzve të pafajshëm. Jakobi po mendon për mënyrën e ashpër dhe autoritare me të cilën të pasurit janë sjellë kundrejt vartësve të tyre. Ata i dënuan ata me anë të akuzës së rreme, me anë të së folurës së ashpër dhe me anë të kërcënimeve. Ata i vranë, mbase jo drejtpërdrejt, por duke i detyruar të punojnë jashtë orarit dhe duke i paguar më pak. Të pafajshmit nuk i bënë qëndresë. Nëse ata do të protestonin kjo gjë do të shkaktonte ashpërsi të mëtejshme, ose shkarkim nga puna e tyre.


[previous][next]