Hyrje: Caktimi dhe detyra e profetit Jeremia (Jeremia 1)

1:1-10 Në kapitullin e parë të profecisë paraqitet, thirret dhe udhëzohet Jeremia, biri i Hilkiahut. Ati i tij përshkruhet si një nga priftërinjtë që ishin në Anathoth, në vendin e Beniaminit. Ai është shenjtëruar profet para lindjes së tij (v. 5), i pazot nga ana njerëzore (v. 6), i fuqizuar nga Perëndia (v. 8,9) dhe i caktuar të parathotë shkatërrimin dhe përtëritjen (v. 10). Uilliam Kelli (William Kelly) e përmbledh këndshëm personin dhe veprën e profetit: Karakteri dhe stili i ndryshëm i Jeremias, krahasuar me Isaian, mund të prekë çdo lexues të kujdesshëm. Këtu nuk kemi shpalosjet madhështore të qëllimeve të Perëndisë për atë tokë ku Izraeli ishte qendra, por kemi profecinë e marrëveshjes së Tij morale me shpirtrat e popullit të Perëndisë. Pa dyshim gjykimet shpallen mbi paganët, me qëllim që të ndikonin në ndërgjegjen e judenjve dhe për ta bërë këtë shohim se si Fryma e Perëndisë përdor përvojën vetjake të Jeremias. Nga të gjithë profetët nuk kemi asnjë që të ketë analizuar kaq shumë ndjenjat, mendimet, rrugët dhe frymën e vet [3]. 1:11-19 Më pas Jehovahu (versioni NKJ, ZOTI) e mëson profetin e Tij përmes mjeteve pamore, pra, përmes një dege bajameje dhe një vorbe që zien. Dega e bajames, shenjë e parë e pranverës, tregonte afërsinë e përmbushjes së Fjalës së Perëndisë (v. 11,12). Vorba që zien kthyer në drejtim të kundërt me veriun, ishte Babilonia, gati për t’u grafulluar në Judë, sepse populli braktisi Perëndinë për idhujtarinë (v. 13-16). Jeremia duhej të profetizonte këtë mesazh jo të zakontë kundër tërë qyteteve të Judës, princave, priftërinjve dhe kundër popullit të tij, por do të merrte ndihmë hyjnore. Ata do të luftojnë kundër tij, por Perëndia do të jetë me për ta çliruar (v. 17-19).