Profecitë kundër udhëheqësve civilë dhe fetarë të Judës (Jeremia 20-23)

A. Profecia kundër Pashhurit (20:1-6)

Pashhurishef i oficerëve në shtëpinë e Zotit, urdhëroi që të rrihej Jeremia dhe e futi në burg. Të nesërmen, kur u lirua profeti, ai i shpalli Pashhurit rrënimin e tij, rrënimin e familjes së tij dhe rrënimin e tërë Jerusalemit dhe të Judës. Mbreti i Babilonisë do t’i çojë ata në robëri. Emri i Pashhurit u ndryshua në Magor-Misabib (tmerr nga çdo anë), gjë të cilën do ta përjetonte.

B. Ankimi i Jeremias ndaj Perëndisë (20:7-18)

Në vargjet 7-18 Jeremia vajton shërbesën e tij që shihej me sy të keq. Zoti e kishte bindur (nxitur) ta bënte. Ai donte të reshtte së shpalluri mesazhin e papëlqyeshëm të robërisë babilonase, por nuk mundte. Fjala e Zotit digjej si zjarr brenda tij. Ai dëgjoi që miqtë e tij po thurnin përbetime kundër tij, por ai e la çështjen e tij te Zoti. Disa herë, ai është besnik, duke lavdëruar Zotin, por herë të tjera është aq zemërlëshuar, saqë dëshiron të mos kishte lindur kurrë.

C. Profecia kundër mbretit Sedekia (21:1-22:9)

21:1-7 Kur mbreti Sedekia i dërgoi Pashhurin (jo atë të kapitullit 20) dhe Sofonien (jo profetin) për t’u konsultuar me Zotin rreth vërshimit të babilonasve, Jeremia i dërgoi fjalë se Zoti do t’i ndihmonte pushtuesit kundër Judës. Mbreti dhe populli që do të mbijetonte do të çoheshin robër. Rreth këtij veprimi kundër mbretit Kelli komenton: Familja mbretërore ishte gjithmonë trungu i fundit i bekimit në historinë e Izraelit. Nëse vetëm mbreti të kishte të drejtë, edhe pse populli dhe profetët ta kishin gabim, Perëndia do t’i dërgonte përsëri bekime Izraelit. Çdo gjë varej nga mbreti, fara e Davidit. Perëndia mund t’i kishte ndëshkuar popullin, priftërinjtë dhe profetët, por do t’i ruante për hir të shërbëtorit të Tij David. Por, kur jo vetëm ata largoheshin, por vetë mbreti ishte udhëheqësi në ligësi, ishte e pamundur të qëndronte në anën e tyre dhe ishte detyra e dhimbshme e Jeremias ta shpallte këtë vendim hyjnor [24]. 21:8-14 Ata që qëndrojnë, do të humbasin; ata që do t’u dorëzohen babilonasve (kaldeasit), do të jetojnë. Shtëpia mbretërore u paralajmërua që të reshtë padrejtësinë dhe shtypjen e saj. Populli i Jerusalemit, banorët e luginës, paralajmërohen për shkatërrimin e tyre. Termat “banuese e luginës” dhe shkëmb i fushës” janë mbase terma tallës apo përqeshjeje; ata nuk duket se janë përshkrime të fjalëpërfjalshme të Jerusalemit. 22:1-9 Kapitulli 22 merret me katër mbretërit e fundit të Judës, edhe pse jo në një rend kronologjik. Rendi historik ishte: Jehoahazi, Jehojakimi, Jehojakini dhe Sedekia; me fjalë të tjera mbreti i fundit është i pari dhe pjesa tjetër janë në rregull. Sedekia, mbreti i parë, paralajmërohet që të përhapë paanësi dhe drejtësi; përndryshe Juda, edhe pse madhështore si Galaadi dhe Libani, do të ngelet shterpë dhe e shpopulluar. Paralajmërimi forcohet nga historia e tre mbretërve që pësuan përfundime të tmerrshme.

D. Profecia kundër mbretit Shalum (22:10-12)

Shalumi, mbreti i dytë, i quajtur gjithashtu Jehoahaz, ishte biri i Josias. Ai u çua rob në Egjipt dhe vdiq atje, pa e parë më vendin e tij të lindjes.

E. Profecia kundër mbretit Jehojakim (22:13-23)

22:13-19 Jehojakimi, mbreti i tretë, e ndërtoi pallatin e tij me punë vullnetare, dështoi të ndiqte shembullin e atit të tij (Josias) dhe, për këtë arsye, qe si një njeri që e heqin dhe e hedhin larg Jerusalemit për të vdekur pa e qarë njeri. Ai do të varrosej ashtu si varroset një gomar, pra, do të ngordhte si qen. 22:20-23 Popullsisë i thuhet të ngjitet në Liban dhe Bashan dhe të vajtojë copëtimin e dashnorëve të saj të lashtë (aleatët e huaj) dhe të barinjve (sunduesit) nga Nebukadnetsari. Ata vetë do të rënkojnë nga dhimbjet e rënda të robërisë.

F. Profecia kundër mbretit Jehojakin (22:24-30)

Konjahu (quajtur gjithashtu Jekoniahu dhe Jehojakini), mbreti i katërt, do të zihet rob nga babilonasit dhe do të vdesë në Babilon. Asnjë nga pasardhësit e tij nuk do të ulet kurrë mbi fronin e Davidit. Asnjë pasardhës i Jekoniahut nuk pasoi fronin e tij. Zëvendësuesi i Tij, Sedekia, mbreti i fundit i Judës, ishte xhaxhai. Çarls Dairi (Charles H. Dyer) komenton: Kjo profeci na ndihmon të shpjegojmë gjenealogjitë e Krishtit te Mateu 1 dhe Luka 3. Mateu paraqet linjën ligjore të Krishtit përmes babait të tij tokësor, Jozefit. Megjithatë, linja e Jozefit erdhi me anë të Salatielit, që ishte biri i Jehojakinit (Jekonias [Jekoniahut], Mt. 1:12; krahasoni 1 i Kronikave 3:17). Nëse Krishti do të ishte një pasardhës fizik i Jozefit dhe jo i lindur nga një virgjëreshë, Ai do të shkualifikohej si Mbret i Izraelit. Luka paraqet linjën fizike të Krishtit nga Maria, që ishte pasardhëse nga Davidi me anë të linjës së birit të tij, Natan (Luka 3:31). Në këtë mënyrë Krishti nuk ishte nën “mallkimin” e Jehojakinit [25].

G. Profecia e Mbretit të drejtë (23:1-8)

Sunduesit (barinjtë) dënohen për dështimin e tyre për t’u kujdesur për popullin e Perëndisë. Por Perëndia do të përtërijë një kusur të popullit të Tij dhe do t’u japë atyre barinj besnikë. Ai do të shkaktojë që të dalë Mesia për të qenë Mbreti i tyre. Një paralajmërim jo shumë i njohur, por i domosdoshëm, na jepet ne të krishterëve në këtë pjesë nga Kelli: Është e qartë se kjo profeci flet për Mesinë, Zotin Jezus. Por Mesia është Zoti Jezus jo shumë në lidhje me ne, por me Izraelin. Kjo është mjaft e rëndësishme për t’u pasur parasysh. Ne, në fund të fundit, nuk humbasim gjë. Shumë persona kanë idenë se nëse këto profeci nuk vlejnë për të krishterët dhe kishën, humbasim diçka. Me ndershmëri është gjithmonë rruga më e mirë. Nuk mund të marrësh diçka nga komshiu pa humbur pak më tepër nga sa humb ai. Pa dyshim që ai mund të ketë një humbje të vogël, por ti do të kesh një humbje marramendëse. Ndërsa kjo është e vërtetë në gjërat natyrore, sa më tepër e vërtetë është në ato frymërore. Nuk mund t’i vjedhësh Izraelit asnjë përqindje të pjesës së tij, pa i hequr vetes në mënyrë të pamasë [26]. Në vargun 5 Mesia quhet Filiz (apo Bir) i Davidit. Te Zakaria 3:8 Ai quhet “Shërbëtorin tim, Filizin”. Te Zakaria 6:12 Ai paraqitet si “burri… Filiz”. Dhe tek Isaia 4:2 Ai është “filizi i Zotit”. Këto i përgjigjen katër mënyrave të paraqitjes së Krishtit në Ungjij – si Mbret, Shërbëtor, Bir i Njeriut dhe Bir i Perëndisë. “Zoti, drejtësia jonë” apo Jehovah-Tsidkenu (v. 6) është një ndër shtatë emrat e përbërë të Jehovahut [27]. Më-Çejni (M’Cheyne) ka shkruar një himn të shkëlqyer mbështetur në vlerësimin e tij të madh të Zotit me këtë titull: Jehovah-Tsidkenu Zoti drejtësia jonë Ishte i huaj ndaj hirit e Perëndisë një herë e një kohë, nuk e njihja rrezikun tim dhe nuk e ndieja timen barrë; edhe pse miqtë flisnin me kënaqësi për Krishtin në kryq, Jehovah Tsidkenu nuk kishte asfare vlerë për mua. Zakonisht kam lexuar me kënaqësi, të vërtetën apo pasionin, librin e vështirë të Isaias dhe faqen e thjeshtë të Gjonit; Por edhe kur paraqisnin të spërkatur me gjak kryqin, Jehovah Tsidkenu nuk kishte asfare vlerë për mua. Ashtu si lotët bien nga vajzat e Sionit, qava kur ujërat ranë mbi shpirtin e Tij; megjithatë, nuk mendova se mëkatet e mia e kishin kryqëzuar në kryq, Jehovah Tsidkenu nuk kishte asfare vlerë për mua. Kur hiri falas më zgjoi, me anë të dritës që nga lart, atëherë frikat e rastit më tronditën, u tremb gati për vdekje; nuk mund të shihja në vete as strehë, as siguri, Jehovah Tsidkenu duhet të jetë Shpëtimtari im. Tmerret e mia u zhdukën të gjitha para emrit të ëmbël; frikat e mia fajtore u larguan, me guxim afrohem tani për të pirë te burimi, jetëdhënës dhe falas, Jehovah Tsidkenu është tash gjithçka për mua. Jehovah Tsidkenu! Thesari dhe mburrja ime! Jehovah Tsidkenu! Nuk mund të humb asnjëherë! Në Ty do të pushtoj nëpër furtunën dhe fushën; Siguria, spiranca, parzmorja dhe mburoja ime! Edhe sikur të kaloja luginën e hijes së vdekjes, kjo parullë do të përtërijë frymëmarrjen time të çapitur; sepse, ndërsa nga ethet e jetës Perëndia im më çliroi, “Jehovah Tsidkenu” himni i vdekjes do të jetë. Perëndia do të njihet si Ai që do ta kthejë popullin në vend.

H. Profecia kundër profetëve të rremë të Judës (23:9-40)

23:9-22 Pjesa tjetër e kapitullit 23 është një padi solemne për profetët gënjeshtarë, si të Izraelit ashtu edhe të Jerusalemit. Këta të fundit premtonin paqen, por nëse do të kishin dëgjuar Fjalën e Perëndisë, do të mësonin se gjykimi i Tij ishte i pashmangshëm dhe se do të vazhdojë derisa të përmbushen qëllimet hyjnore. Ata folën pa një mision hyjnor. 23:23-29 Perëndia i kudogjendshëm dhe i gjithëdijshëm u zbulon profetëve ëndrrat e tyre që e çuan popullin në idhujtari. Ëndrrat e tyre ishin kashtë krahasuar me fjalën e Perëndisë, që është si gruri ushqyes, zjarri dhe si një çekiç. 23:30-32 Zoti është kundër këtyre profetëve gënjeshtarë. Jatsi (Yates) i përshkruan mirë ata: Ata ishin profesionistë që shpallnin se flisnin me autoritetin hyjnor, por po shpallnin vetëm gënjeshtra dhe mashtrime. Ai thotë se ata ishin imoralë, se nuk e njihnin Perëndinë dhe se nuk kishin asnjë mesazh për popullin. Ata ishin plot shkujdesje ndaj përgjegjësive të shenjta dhe ulnin standardet morale të popullit me anë të pjesëmarrjes vepruese në mëkat. Njohja e tyre për Perëndinë ishte në një nivel të ulët. Duke mos e kuptuar natyrën e Tij të shenjtë, ata mendonin dhe predikonin se Ai nuk do ta braktiste Izraelin [28]. Ka shumë të tillë me ne. 23:33-40 Në pamje të parë populli e tallte Jeremian duke e pyetur: “Cili është orakulli (barra) i Zotit?”. Profeti duhej të përgjigjej se ata vetë ishin barra e Tij dhe se Ai do t’i dëbonte ata. Perëndia i kishte ndaluar ata të përdornin më fjalën “barrë” (orakull) me shaka. Nëse ata nuk bindeshin, Ai do t’i ndëshkojë ashpër.