Shfaqja e Zotit (Jobi 38:1-42:6)

A. Sfida e parë e Zotit drejtuar Jobit (38:1-40:2)

1. Hyrje (38:1-3) Tani është Vetë Zoti që i përgjigjet Jobit në mes të fortunës, një mjet i zakontë i shfaqjes së Perëndisë në DhV. Fjalët e Perëndisë janë një lehtësim i mirëpritur pas grindjes me fjalë në kapitujt e mëparshëm. Jobi kishte errësuar planin e Zotit me fjalë që nuk kanë kuptim, pra, ai kishte kërkuar shpjegime marrëzisht për drejtësinë e marrëveshjeve të Perëndisë me të. Tashmë Zoti do të bënte pyetjet dhe ishte radha që Jobi të bëhej gati për t’u përgjigjur! Në pyetjet që vijojnë Perëndia nuk i jep një shpjegim të hollësishëm misterit të vuajtjes. Në vend të kësaj Ai shëtit nëpër tërë gjithësinë për të dhënë pamje të madhështisë, lavdisë, diturisë dhe fuqisë së Tij. Në fakt Ai po thotë: “Para se ti të fillosh të kritikosh rrugët e Mia, duhet t’i bësh pyetjen vetes nëse mund ta drejtosh krijimin si Unë”. Sigurisht, kjo do t’i tregonte Jobit se sa i pafuqishëm, i paditur, i vogël, i papërshtatshëm, i paaftë dhe i kufizuar është. Këtu kemi, ashtu siç tregon edhe Rajdauti (Ridout), zërin e Zotit: Tashmë nuk do të dëgjojmë më hamendjet e mendjes natyrore, si në diskutimet e miqve të Jobit; as thirrjet e egra të një besimi të plagosur, si ai i Jobit; as gjuhën e qartë e të kthjellët të Elihut – ne jemi në praninë e Vetë Jehovahut, që po na flet [33]. Ndërsa dëgjojmë pyetjet e Zotit na lind një dyshim i herëpashershëm nëse ato mund të jenë alegorike, pra, mund të kenë një domethënie më të thellë frymërore dhe që madje rendi i pyetjeve mund të ketë një domethënie. Ndërkohë ne shohim përmes një xhami të errët. Disa mund të thonë me mburrje se, falë shkencës moderne, ne njohim përgjigjet e shumë pyetjeve që bën Perëndia. Si përgjigje ndaj kësaj, baroni Aleksandër Humboldt pranon se atyre pyetjeve që Jobi nuk mundi t’u jepte përgjigje, shkencëtarët nuk mund t’u përgjigjen ende. Kjo është e habitshme për ta; sepse, edhe pse shkencëtarët janë shumë të zgjuar rreth shkaqeve dytësore, ata gjithmonë ngecin te shkaqet parësore. Ata kurrë nuk arrijnë te shkaku i madh dhe as nuk e duan shkakun e madh [34]. 2. Sfida e mrekullive të krijimit të pajetë (38:4-38) 38:4-7 Me fjalë poetike të një bukurie të rrallë Zoti përmend krijimin e botës kur Ai hidhte themelet e tokës, përmasat, planin, mbështetjen e saj (qëndrimi pezull, sigurisht) dhe kremtimin engjëllor. Më pas bën pyetjen: “Ku ishe kur ndodhën të gjitha këto?”. 38:8-11 Duke u nisur nga kozmologjia, gjeografia e oqeania, Ai përshkruan se si i vuri caqe detit në bregdetin e tij të caktuar, se si e ndaloi hyrjen e mëtejshme dhe veshi ujërat, sikur të ishin një foshnjë, me re dhe terr. 38:12-18 Më pas Ai simbolizon shumëngjyrshëm kontrollin e Tij mbi mëngjesin – dritën e agimit që përshkon qiejt, duke ndriçuar kudo ku shkon; çmaskimin e njerëzve të këqinj që veprojnë në errësirë, duke i tronditur; duke zbuluar përvijimin e sipërfaqes së tokës, ashtu siç shtypet argjila nën vulë, dhe shpërhapja e ngjyrave të peisazhit sikur të ishin një rrobë e mrekullueshme. Errësira, e cila është “drita” e pëlqyer e njerëzve të këqij, u mohohet atyre dhe planet e tyre të këqija dalin në dritë. Ai e sfidon Jobin për të treguar se çfarë di rreth thellësive të oqeanit, botës së vdekjes dhe gjerësisë tokës. 38:19-24 Perëndia tashmë e pyet Jobin për fillimin dhe për natyrën e dritës. Dielli nuk është një përgjigje e mjaftueshme, sepse atëherë kishte dritë (Zanafilla 1:3) para se ai të krijohej (Zanafilla 1:16). A ishte aq i madh Jobi sa të dinte përgjigjen? Dhe çfarë dinte ai për borën dhe breshrin, që Perëndia ndonjëherë i shfrytëzon në kohë problemesh e lufte? Si shpërndahet drita dhe era e lindjes, që duken se vijnë nga një pikë e përbashkët, mbi sipërfaqen e tokës? 38:25-30 Më pas, duke ardhur radha e motit, Jobi pyetet për rënien e shiut dhe të bubullimave, se si bien ujërat në shkretëtirë duke shkaktuar rritje të bollshme dhe pyetet për burimin e shiut, vesës, akullit dhe brymës. Si ka mundësi që uji ngrin e bëhet i fortë si gur dhe ngurtëson sipërfaqen e humnerës? 38:31-33 Asnjë shkencë tjetër përveç astronomisë nuk mund t’i tregojë më mirë njeriut vogëlsinë e tij. Kështu Perëndia merr në pyetje Jobin për aftësinë e tij për të kontrolluar yjet dhe yjësitë, apo për t’i mbajtur në orbitën e tyre apo për të përcaktuar ndikimin e tyre mbi tokë. Në dritën e kontrollit të madh të hamendësuar të njeriut mbi natyrën përmes shkencës, fjalët e Spërxhënit (Spurgeonit), mbështetur në tekstin e vargut 31 sipas versionit KJ, janë një kundërpeshë e shëndoshë: “A mund t’i bashkosh ti lidhjet e Plejadave, apo të zgjidhësh vargjet e Orionit?” (Jobi 38:31). Nëse kemi prirjen të mburremi me aftësitë tona, madhështia e natyrës do të na tregojë menjëherë se sa meskinë jemi. Nuk mund të ndezim apo të fikim as yllin më të vogël, qoftë edhe rrezen më të vogël të mëngjesit. Flasim për fuqi, por qiejt qeshin me ne. Kur Plejadat qeshin me gëzimin e qiellit pranveror, ne nuk mund të ndalim ndikimin e tyre dhe, kur Orioni mbretëron në lartësi dhe kur viti lidhet nën zinxhirët e dimrit, nuk mund ta zgjidhim fashën e akullit. Stinët heshtin sipas caktimit hyjnor dhe e tërë raca njerëzore nuk mund të sjellë asnjë ndryshim. O Zot, çfarë është njeriu? [35]. 38:34-38 Pa dyshim, çdokush që mund të vërë në diskutim diturinë dhe fuqinë e Perëndisë duhet të jetë në gjendje të sjellë shiun duke shtyrë retë dhe të urdhërojë vetëtimën që t’i bindet menjëherë! A mund t’i tregojë Jobi Perëndisë se si vepron mendja, se si e merr njeriu diturinë dhe gjykimin në tërë këto fusha? [36]. Asnjeri nuk ka diturinumërojë retë, për të mos thënë gjë për veçoritë e përbërjes, nga të cilat formohen. Dhe askush nuk mund të përcaktojë kohën kur bie shiu mbi tokën e tharë, që është forcuar në një masë dhe plisa. 3. Sfida e mrekullive të krijimit plot jetë (38:39-40:2) 38:39-41 Tani Perëndia zhvendoset nga krijimi pa jetë tek ai i gjallë. Me anë të pyetjeve të vazhdueshme Ai i kujton Jobit për providencën e Tij – se si ka hapur duart e Tij dhe ka shuar urinë e çdo gjëje të gjallë, që nga luanët mbretërorë në strofkat dhe strukën e tyre deri te korbat pa strehë dhe zogjtë e tyre. 39:1-8 Jobi kujtohet se askush përveç Perëndisë nuk mund të njohë plotësisht periudhat e shtatzanisë, zakonet e zogjve dhe instinktet e dhive të malit apo …të drenushave. Gomari i egër i shpërfill pengesat, jetën e qytetit dhe kontrollin, por bredh sipas qejfit nëpër shkretëtirë dhe male, duke kërkuar çdo gjë që është e gjelbër. 39:9-18 Bualli nuk pranon gjithashtu një jetë pune plugimi apo mbartjeje. Dhe çfarë mund të themi për strucin me krahët e tij të pazakontë? Në një farë mënyre ai vepron marrëzisht, duke i vënë vezët e tij në vende të brishta dhe sillet ashpër me të vegjlit e tij. Megjithatë, ai mund ta kapërcejë kalin e garës dhe kalorësin e tij! 39:19-25 Më pas Perëndia e pyet Jobin nëse ai i ka dhënë forcë kalit të luftës, apo ia ka veshur qafën me jele (apo krifë, versioni NKJ). Madhështor e pa iu dridhur qerpiku, duke përpirë me zjarr dhe vrull distancat, kjo krenari kafshërore sulet betejë me përçmim të plotë për kacafytjen me armë, për burinë, apo për shtizën që vetëtin dhe ushtën. 39:26-30 A i ka dhënë Jobi dituri krahëthatit për të migruar drejt jugut? Dhe ishte ai që i mësoi shqiponjës të fluturonte, të bënte fole në vende të larta shkëmbore, për të dalluar kërmën nga një largësi e madhe dhe për të përgatitur të vegjlit e saj që të gjenin ushqim? 40:1,2 Përsëri Zoti e qorton Jobin për paturpësinë e tij që kërkonte të gjente faj tek i Plotfuqishmi. Nëse është aq i zgjuar dhe i fuqishëm, me siguri duhet t’i përgjigjet katalogut të pyetjeve që sapo ka dëgjuar!

B. Përgjigjja e Jobit (40:3-5)

Zoti e pyet Jobin nëse ka ndonjë të drejtë për ta qortuar Atë në fushën e providencës kur di aq pak rreth krijimit natyror. Me këtë Jobi në fund merr vendin e tij, duke thënë: “Ja, jam shpirtvogël, çfarë mund të të përgjigjem? E vë dorën mbi gojën time”. I mahnitur nga njohja tepër e madhe e Zotit, ai vendos të kyçë gojën.

C. Sfida e dytë e Zotit drejtuar Jobit (40:6-41:34)

1. Jobi i sfiduar që të përgjigjet si një njeri (40:6-14) Por përgjigjja e Jobit vjen deri diku si pendim, kështu që Zoti vazhdon të protestojë me të në mes të fortunës. Ai e sfidon Jobin të flasë si një trim. Mbi të gjitha, Jobi e kishte paditur Perëndinë për padrejtësi dhe e kishte dënuar Atë për të përligjur vetveten. Tani le të luajë rolin e hyjnisë duke treguar gjithëpushtetshmërinë dhe duke folur me gjëmim. Le të marrë fronin, ta veshë veten me madhështi, madhëri, lavdi dhe me shkëlqim. Le të derdhë zemërimin e tij mbi fajtorin dhe të përulë mendjemëdhenjtë. Nëse mund t’i bëjë tërë këto gjëra, atëherë Zoti do të njohë fuqinë e tij për të qenë çlirimtari i tij. 2. Jobi i sfiduar të marrë në shqyrtim behemothin (40:15-24) Më pas Zoti e sfidon Jobin për të marrë në shqyrtim behemothin, Ai e ka bërë njëlloj si Jobin. Përjashtohet nocioni i disa komentuesve se behemothi dhe leviathani janë krijesa mitologjike të mirënjohura në lashtësi. Çfarë sfide mund të jetë një krijesë joekzistuese ndaj një qenieje të krijuar si njeriu? Fjala behemoth është thjesht forma në shumës e emrit përmbledhës në hebraisht gjedh (behemah). Meredit Klajni (Meredith Kline) shpjegon: Përcaktimi behemoth, marrë si një trajtë në shumës, “bisha më e madhe”, mund të jetë një epitet si për kreun e veprës së Perëndisë (v. 19a). Vini re cilësitë e larta të ngjashme me leviathanin (41:33,34) [37]. Perëndia e paraqet behemothin si të parin nga veprat e Tij, pra, si objektin numër një në mbretërinë e kafshëve. Edhe pse nuk mund ta njëjtësojmë me siguri, dimë se është barngrënës, një amfib dhe tepër i fuqishëm. Ai rri në zona me hije e moçalore dhe nuk trembet lehtë. Mësimi është se nëse Jobi nuk mund të kontrollojë as këtë kafshë, si mund të kontrollojë botën? Behemothi është një kafshë e ngjashme me hipopotamin [38] dhe disa përkthyes, si p.sh. Luis Sëgoni (Louis Segond) në përkthimin në frëngjisht, e paraqesin këtë kafshë në tekst. Por pa e vrarë shumë imagjinatën hipopotami nuk mund të quhet “i pari në veprën e Perëndisë” – një elefanti apo mamuthi mbase mund t’i shkojë përshtat ai epitet, por shumë vështirë një hipopotami! Kur fëmijët shkojnë në kopshtin zoologjik, ata klithin nga gëzimi me bishtin e lezetshëm e të cunguar të hipopotamit – zor se e ka bishtin e tij si një kedër! Disa shkencëtarë të krishterë janë të bindur tani se behemothi duhet të ketë qenë një kafshë tashmë e zhdukur, apo mbase e gjetur në disa pjesë të largëta të xhunglës afrikane. Në fakt, një rrëshqanor i llojit të dinosaurve përkon shumë afër me përshkrimin e mësipërm [39]. 3. Jobi i sfiduar të marrë në shqyrtim Leviathanin (kapitulli 41) Perëndia nuk u është përgjigjur drejtpërdrejt ankimeve të Jobit. Por në fakt ka thënë: “Ti duhet të jesh gati t’i besosh diturisë, dashurisë dhe fuqisë së Atij që është kaq i madh, madhështor dhe i lavdishëm”. 41:1-9 Një krijesë tjetër amfibe është leviathani, i përveçëm në krijimin e Perëndisë. A mund ta kontrollojë Jobi atë? Perëndia kërkon ta dijë. “Preke një herë dhe kurrë nuk ke për të harruar luftimin” (v. 8, versioni TE). Termi leviathan në letërsinë e lashtë kanaanease i referohej “një dragoi deti me shtatë krerë”, por ashtu siç tregon edhe Endërseni, kjo “nuk vërteton se leviathani është një përbindësh mitologjik në këtë poemë” [40]. Në anglisht përdorim fjalë si e martë, janar dhe ferr, duke mos besuar në origjinën nga letërsia pagane të këtyre fjalëve. Përdorimi duhet të përcaktojë domethënien dhe këtu Perëndia e sfidon shumë qartë Jobin të marrë në shqyrtim një krijesë të vërtetë, edhe nëse sot nuk mund të përcaktojmë se për kë bëhej fjalë. Një zgjedhje popullore është krokodili i Nilit dhe disa pjesë të përshkrimit përkojnë me këtë rrëshqanor. Ndërsa behemothi është së pari një krijesë fushore, leviathani është ujore. Njeriu nuk mund ta rrokë me grep, litar, ta zbusë dhe ta bëjë kafshë shtëpiake. Ai nuk mund të quhet mirësjellje feste. Lëkura e tij e koracuar i bën ballë shigjetave e fuzhnjave dhe mjafton ta shikosh që të të sjellë neveri. 41:10,11 Perëndia e ndërpret përshkrimin për të bërë një pyetje të drejtpërdrejtë: Nëse njerëzit kanë frikë prej një krijese të thjeshtë, sa më tepër duhet të kenë frikë Atë që krijoi krijesat, që është i përjetshëm, që nuk i ka borxh asnjeriu dhe që është Pronari e Krijuesi i të gjithëve? Klajni (Kline) komenton: Me të vërtetë këtu kemi pikën kyçe të pjesës: Jobi zbulon që ai është i paaftë të ndalojë edhe një person tjetër nga marrëzia për të dëshiruar fronin e Perëndisë [41]. 41:12-34 Përsëri del në skenë leviathani. Trupi i tij është i madh dhe forca e tij e madhe është marramendëse. Lëkura e tij është një mbrojtëse e fortë dhe e pashkatërrueshme. Atij nuk mund t’i vihet fre. Goja dhe dhëmbët e tij janë morseta. Lëkura dhe rreshtat e mburojave të tij i ngjajnë armaturës me pjesë të mbivëna. Me fjalë poetike Zoti përshkruan tështitjen, sytë, gojën dhe flegrat e hundës si tmerruese kur zgjohet. Fuqia e leviathanit është tepër e madhe dhe mishi i tij i mbledhur. Ndërsa vetë nuk ndien asnjë frikë, ai mbush zemrën më të fuqishme me frikë ndërsa vjen vërdallë dhe armët e zakonshme thyhen në lëkurën e tij. Kur zvarritet në baltë lë një gjurmë me shenja të caktuara, ashtu sikur pjesa e tij e poshtme të ishte xham i thyer. Ai e rreh ujin në një kazan vlimi, duke lënë një melhem fosforeshent të bardhë. Edhe kur përdor teprimin poetik të Lindjes (hiperbolën), është e vështirë të shohim se si mund të quhet krokodili më i madh “mbret mbi të gjitha bishat më madhështore” [42]. Përshkrimet e kafshëve të egra dhe mbase dinosaurve në këta kapituj pasqyrojnë lavdinë, fuqinë dhe madhështinë e Vetë Perëndisë. Ata janë krijimi i Tij dhe Ai me qëllim i përdor për të ilustruar shkëlqimin dhe forcën e Tij. Prandaj, nuk është për t’u çuditur që Ai fillon me krijesat e buta, siç janë drerët e korbat dhe shkallë-shkallë arrin te krijesat më të mëdha: behemothin në tokë dhe mbretin e tërë bishave – leviathanin në det, që ishte tejet i frikshëm për famën e tij.

D. Përgjigjja e përulur e Jobit (42:1-6)

Jobi mahnitet. Ai ka dëgjuar shumë gjëra. Ai pranon sovranitetin e Perëndisë. Ai rrëfen se ka folur me buzët e tij pa u menduar. Tani që ai jo vetëm e dëgjoi Zotin, por sytë e tij e panë Atë, urren veten dhe pendohet mbi pluhurin dhe hirin. Ai, sigurisht, nuk e pa Perëndinë ashtu siç është Ai [43], por pati një zbulim të gjallë të diturisë, fuqisë, providencës dhe sovranitetit të Tij, saqë ishte njësoj me shikimin e Perëndisë së madh. Te Jobi 1:1 Jobi quhet “i drejtë”. Këtu në fund të librit ai urren veten. Kjo ka qenë përvoja e më të zgjedhurit nga shenjtorët e Perëndisë në tërë kohët [44]. Sa më tepër rritet dikush në hir, shkruan Moudi (D. L. Moody), “aq më i vogël është në sytë e tij” [45].
[previous][next]