Vendosja në tokën e premtuar (Jozueu 13-24)

A. Përgatitjet për kalimin e Jordanit (kapitulli 1)

1:1-9 Në fillim Zoti parashtroi një detyrë solemne para Jozueut, djalit të Nunit rreth përkushtimit që kishte para. Vendi i ishte premtuar Izraelit, por ata duhej ta pushtonin, nga Negevi në jug, te Libani në veri, dhe nga Mesdheu në perëndim, te lumi Eufrat në lindje (shikoni vargjet 3,4). Jozueu duhej të ishte i fortë, trim dhe i bindur. Tashmë, si në atë kohë, sigurohemi për suksesin kur mbushim zemrat dhe mendjet tona me Fjalën e Perëndisë dhe i bindemi asaj (v. 8). Tri herë Jozueut i thuhet nga Zoti të jetë i fortë dhe trim (v. 6, 7, 9). Madhësia dhe kohëzgjatja e detyrës, trysnia e drejtimit të një populli të tillë kokëfortë dhe mungesa e këshilltarit të tij frymëror, Moisiut, mbase ishin të rënda për mendjen e Jozueut në atë kohë. Por Zoti nuk po e thërriste atë pa e pajisur me gjërat e nevojshme. Kishte arsye të mira që Jozueu të ishte i fortë: premtimi i Perëndisë (v. 5,6), një fitore e sigurt; Fjala e Perëndisë (v. 7,8), një drejtim i sigurt; prania e Perëndisë (v. 9), një fuqi mbështetëse. Ostin Sparksi (T. Austin Sparks) shkruan: Beteja e vërtetë e besimit qëndron në këtë pikë: jo çka jemi ne, por çka është Ai! Jo çka ndiejmë ne, por faktet e Tij [2]. 1:10-18Populli duhej të siguronte rezerva për udhëtimin e tij në vendin e Kanaanit. Përsa u përket dy fiseve e një gjysme që ishin vendosur në lindje të Jordanit, burrave iu bë e ditur edhe një herë nga Jozueu se ata duhej t’i viheshin punës për pushtimin e vendit; atëherë ata mund të ktheheshin te familjet e tyre (v. 12-15). Kësaj thirrjeje ata iu përgjigjën pozitivisht (v. 16-18). Ai që do të kthehej pas do të vritej. Në disa himne, kalimi i Jordanit lidhet me vdekjen dhe vendi i Kanaanit parakupton qiellin. Por në Kanaan pati konflikte, të cilat nuk do të ekzistojnë në qiell. Në fakt vendi i Kanaanit parakupton trashëgiminë tonë të tashme frymërore. Është i tëri yni, por ne duhet ta pushtojmë duke iu bindur Fjalës, duke shpallur premtimet dhe duke bërë luftën e mirë të besimit.

B. Zbuluesit në Jeriko (kapitulli 2)

2:1a Në përgatitjen për pushtim Jozueu, bir i Nunit, dërgoi dy zbulues për të vëzhguar fshehurazi Jerikon. Ky nuk ishte një tregues i mungesës së besimit nga ana e tyre; por më tepër ishte një çështje strategjie ushtarake. Ata nuk do ta kontrollonin tërë vendin, ashtu siç kishin bërë vite më parë, por vetëm do ta shikonin hap pas hapi. 2:1b-24 Zbuluesit gjetën strehë në shtëpinë e një prostitute, të quajtur Rahab. Ashtu siç tregojnë Kail dhe Deliç (Keil, Delitzsch): “Hyrja e tyre në shtëpinë e një njeriu të tillë nuk do të ngjallte shumë dyshim” [3]. Del qartë nga rrëfimi se Rahabi kishte dëgjuar për fitoret e mrekullueshme që Zoti u kishte dhënë popullit jude (v. 8-11). Ajo doli në përfundimin se Perëndia i tyre duhej të ishte Perëndia i vërtetë dhe kështu ajo besoi në Të, duke u kthyer me të vërtetë. Ajo provoi realitetin e besimit të saj duke mbrojtur zbuluesit, edhe pse nënkuptonte tradhti ndaj vendit të vet. Zbuluesit premtuan se do ta kursenin Rahabin dhe familjen e saj nëse ajo do të varte një kordontë hollë me ngjyrë të kuqërremtë te dritarja e shtëpisë së saj dhe nëse familjarët e shtëpisë së saj do të qëndronin brenda gjatë sulmit kundër Jerikos (v. 6-21). Kordoni i hollë me ngjyrë të kuqërremtë na bën të mendojmë për një shtëpi të mbrojtur nga gjaku, ashtu si në Pashkën (Eksodi 12). Kur lajmëtarët nga mbreti i Jerikos e pyetën Rahabin se ku ishin zbuluesit, ajo u tha atyre se ata sapo ishin larguar nga qyteti (v. 5). Në kohën që burrat e Jerikos i kërkonin në rrugën për në Jordan, Rahabi i dërgoi zbuluesit në perëndim drejt malit. Pasi u fshehën atje për tri ditë, zbuluesit u larguan në drejtim të Jordanit, duke i sjellë një njoftim të besueshëm Jozueut (v. 22-24). “Veprat” e Rahabit dhe jo “fjalët” e saj e shfajësuan atë (Jak. 2:25). Bibla nuk lavdëron mashtrimin e saj (v. 4,5), por lavdëron besimin e saj (Heb. 11:31). Jakobi gjithashtu e quan veprimin e saj një vepër të besimit (Jak. 2:25). Ajo rrezikoi jetën e saj për të shpëtuar jetët e zbuluesve, sepse ajo besoi në fuqinë dhe sovranitetin e Perëndisë së tyre. Kështu në kohën e Zotit tonë disa vetë jashtë shtetit të Izraelit treguan më tepër besim sesa ata që ishin dëshmitarë okularë të lavdisë së Tij (Lluka 7:2-9). Besimi i madh, kudo që gjendet, shpërblehet gjithnjë (shikoni kapitullin 6), sepse i pëlqen Perëndisë (Heb. 11:6).

C. Kalimi i Jordanit (3:1-5:1)

3:1-13 Kishte ardhur koha të kalonin… lumin Jordan, që në atë kohë ishte në kohë e vërshimeve të mëdha. Priftërinjtë u udhëzuan të shkonin para, duke mbajtur arkën e besëlidhjes (kehathitët zakonisht e mbanin arkën, ashtu si te Numrat 4:1-15, por priftërinjtë duhej ta mbanin në këtë rast të veçantë). Populli u urdhërua ta ndiqte arkën në një farë largësie, por duke e pasur gjithnjë para syve. Arka flet për Krishtin. Ne duhet të ruajmë një largësi të respektueshme, pa u përpjekur në mënyrë të pandershme të zgjidhim misteret rreth Personit të Tij, që janë shumë të thella për mendjen njerëzore. Disa nga herezitë më të këqija në historinë e krishterë janë ngritur për shkak të përpjekjeve të ngurta për ta bërë një gjë të tillë. Por gjithmonë duhet ta mbajmë Krishtin para syve. Kjo na siguron fitoren. 3:14-17 Kur këmbët e priftërinjve prekën ujërat e Jordanit, ndodhi mrekullia. Lumi u ndal në qytetin e Adamit, disa kilometra në veri. Ujërat u ngritën tok dhe gjithë uji i mbetur në shtratin e lumit poshtë rrodhi në Detin e Kripur (të Vdekur). Një ndalje e ngjashme e Jordanit, afërsisht aty ku ndodhej Adami, ndodhi më 1267 mK, kur lumi u bllokua për dhjetë orë, dhe më 1927 mK për njëzet e një orë. Në të dyja rastet ndodhi për shkak të tërmeteve [4]. Megjithatë, Kembëlli (D. K. Campbell) argumenton se këtu ka vend për të hedhur idenë jo të një rastësie të përsosur, por të një mrekullie të veçantë: Shumë elemente të mbinatyrshme janë mbledhur së bashku: 1. Ngjarja ndodhi ashtu siç u paratha (3:13,15). 2. Koha e ngjarjes ishte e saktë (v. 15). 3. Ngjarja ndodhi kur lumi ishte në kohën e vërshimeve të mëdha (v. 15). 4. Muri i ujërave u mbajt i palëvizur për disa orë, mbase për tërë ditën (v. 16). 5. Shtrati i butë dhe i lagësht i lumit u bë menjëherë i thatë (v. 17). 6. Ujërat u kthyen menjëherë sapo populli kaloi tutje dhe priftërinjtë dolën nga uji (4:18). Shekuj më vonë profetët Elia dhe Eliseu kaluan të njëjtin lumë në tokë të thatë në lindje (2 i Mbreterve 2:8). Kohë më pas Eliseu kaloi përsëri lumin në tokë të thatë. Nëse një dukuri natyrore është e nevojshme për të shpjeguar kalimin e izraelitëve nën udhëheqjen e Jozueut, atëherë duhet të dalim në përfundimin se kanë ndodhur dy tërmete njëri pas tjetrit për Elian dhe Eliseun, që duket se është pak hamendësuese [5]. Perëndia, përfaqësuar nga arka, udhëhoqi popullin në Jordan, ashtu siç do t’i udhëhiqte për të siguruar fitoren në perëndim të Jordanit. Ai po tregonte se prania e Tij, i Cili bëri që ujërat të hapeshin para Izraelit, ishte shpresa e tyre e triumfit dhe jo diçka tjetër në vetvete. Priftërinjtë ecën deri në mes të shtratit të lumit dhe qëndruan atje ndërsa tërë Izraeli po kalonte në të thatë. 4:1-24Zoti urdhëroi që dymbëdhjetë burra (një për çdo fis) të merrnin secili një gur në shtratin e Jordanit dhe të ngrinin një përmendore si shenjë ku Izraeli për herë të parë fushoi në perëndim të Jordanit. Ka gjasa që monumenti të jetë ngriturGilgal si një kujtesë për brezat e ardhshëm të ndaljes së mrekullueshme të Jordanit nga ana e Perëndisë, në mënyrë që izraelitët të kalonin në të thatë. Fiset që morën trashëgiminë e tyre në lindje të Jordanit – Rubeni, Gadi dhe gjysma e fisit të Manasit – dërguan luftëtarë të armatosur për të ndihmuar vëllezërit e tyre që të pushtonin vendin e Kanaanit. Edhe pse fuqia e madhe e dy fiseve e një gjysme ishte 100.000 burra (shikoni Numrat 26), vetëm dyzet mijë kaluan Jordanin; pjesa tjetër mbase qëndroi pas për të siguruar tokën e tyre dhe për të mbrojtur familjet e tyre. Pasi tërë populli kaloi lumin, duke përfshirë burrat e dy fiseve dhe një gjysme, dhe pasi dymbëdhjetë gurët ishin nxjerrë nga Jordani, Jozueu ngriti gjithashtu dymbëdhjetë gurë në mes të Jordanit, në vendin ku… qëndronin priftërinjtë. Pastaj, sapo priftërinjtë marshuan drejt bregut perëndimor me arkën e besëlidhjes, ujërat e Jordanit u kthyen përsëri me vërshim të madh. Gurët në shtratin e lumit flasin për njëjtësimin me Krishtin në vdekje. Ata në bregun perëndimor flasin për njëjtësimin me Krishtin në ringjallje. Duke ndarë ujërat e Jordanit, Zoti e bëri të madh Jozueun në sytë e tërë Izraelit, ashtu siç e kishte ngritur më parë Moisiun. Deri në atë kohë, Jozueu kishte qenë një shërbëtor, duke shërbyer përulësisht në hijen e Moisiut, duke mësuar udhët e Perëndisë. Tashmë ishte koha e lartimit të tij, sepse “kush e poshtëron veten do të lartohet” (Lluka 14:11). Populli e kaloi Jordanin ditën e dhjetë të muajit të parë, pesë ditë të shkurtra nga dyzet vjet që nga eksodi nga Egjipti, dhe në kohën e duhur për t’u përgatitur për Pashkën (shikoni Eksodi 12:2,3). 5:1 Banorët paganë të Kanaanit u kapën nga frika kur dëgjuan për kalimin e mrekullueshëm të Jordanit nga ushtria judease.

D. Festimet në Gilgal (5:2-12)

5:2-9 Ky kapitull flet për ngjarjet që kanë ndodhur në Gilgal, fushimi i parë që Izraeli bëri në Kanaan. Atje u rrethprenë meshkujt (v. 2-9). Atje ata kremtuan Pashkën, të parën në Kanaan (v. 10). Atje nuk kishte më mana (v. 11,12) dhe Jozueu takoi Kryekomandantin e ushtrisë së Zotit, Jezus Krishtin (v. 13-15). Zoti drejtoi Jozueun të ripërtërinte ritin e rrethprerjes në atë kohë. Tërë burrat që kishin dalë nga Egjipti ishin rrethprerë, por ndërkohë luftëtarët u shkatërruan të gjithë (LiP. 2:16). Për dyzet vjet nuk kishte pasur rrethprerje. Një brez i ri kishte dalë gjatë dyzet viteve të endjes dhe kështu ata duhej ta zbatonin këtë ceremoni si një shenjë të përtëritjes së tyre në gëzimin e plotë të bekimeve të tyre të besëlidhjes. Për aq kohë sa u endën në shkretëtirë, u tallën nga egjiptianët ngaqë nuk po merrnin Tokën e Premtuar. Por tani që ishin në atë vend, u hoq turpi (v. 9). Përsëri (v. 2) nënkupton herën e dytë kur u praktikua rrethprerja nga kombi. 5:10Pashka u kremtua katër ditë pas kalimit të Jordanit (ditën e katërmbëdhjetë të muajit). Vini re besimin e Jozueut: edhe pse ishte në territorin armik, ai iu bind Perëndisë duke rrethprerë ushtarët e tij dhe duke kremtuar Pashkën. Këto janë quajtur “veprat më joushtarake”. Me anë të rrethprerjes dhe Pashkës Zoti po kthente popullin e Tij në bazat e marrëdhënies së tyre me Të. Të dy këto rite ishin lënë pas dore në shkretëtirë. Rrethprerja ishte një shenjë e besëlidhjes midis Perëndisë e Abrahamit dhe Perëndia në besnikërinë e Tij po mbante premtimin e Tij pa kusht, duke u dhënë atyre vendin (Zanafilla 15:18-21). Ishte gjithashtu një figurë e vetëgjykimit dhe mishit, tepër e domosdoshme për fitoren. Pashka ishte një kujtesë e shpengimit të tyre. Jehovahu i kishte blerë dhe i kishte çliruar nga skllavëria e Egjiptit. Duke kremtuar Pashkën, judenjtë po i bindeshin fjalës së Zotit dhënë Moisiut në kohën e Pashkës së parë, dyzet vjet më parë (Eksodi 13:5). Hiri ishte shtysa e Tij, duke thirrur popullin e Tij dhe duke i nxjerrë që andej. Besnikëria ishte garancia e Tij se do t’i fuste në Tokën e Premtuar. 5:11,12Mana flet për Krishtin në mishërimin e Tij, buka që zbriti nga qielli si parashikim për nevojat tona të shkretëtirës. Prodhimet e vendit ilustrojnë Krishtin në ringjallje, pas hyrjes në bekimet e Kanaanit. Ne ushqehemi me të dyja këto. Mana mbaroi në mëngjes pasi hëngrën grurë të pjekur për herë të parë. “Çfarë Kohëmatësi dhe Furnizuesi është Perëndia!”.

E. Pushtimi i Jerikos (5:13-6:27)

5:13,14aNjeriu” në vargun 13 ishte Engjëlli i Jehovahut – Zoti Jezus në një ndër shfaqjet e Tij para mishërimit. Ai e paraqiti Veten si Kreu i ushtrisë së Zotit. Krishti nuk vjen thjesht për të na ndihmuar dhe me siguri jo për të na bërë keq; Ai vjen për të marrë kontrollin e plotë. 5:14b,15 Këtu kemi një provë të padiskutueshme se Jozueu ishte në praninë e Perëndisë dhe ishte i vetëdijshëm për këtë. Engjëjt e zakonshëm kurrë nuk pranonin adhurimin, por këtu Engjëlli i Zoti urdhëron adhurimin, duke vërtetuar natyrën e Tij hyjnore. Jozueu duhej të mësonte drejtpërdrejt atë që Moisiu mësoi në fillim të shërbesës së tij (Eksodi 3) – shenjtërinë dhe epërsinë e Zotit. 6:1-21 Pushtimi i Kanaanit u krye nga tri fushata ushtarake – ajo qendrore, jugore dhe veriore. Fushata qendrore, planifikuar për të ndarë dhe pushtuar, kishte të bënte me dy ndërmarrje të mëdha, një në Jeriko dhe tjetra në Ai. Jeriko ishte një qytet i fortifikuar, por muret dhe dyert e tij shërbyen vetëm për të ruajtur banorët e tij brenda për gjykim; ato me siguri nuk e mbajtën Izraelin jashtë tyre. Ai ishte një qytet me një nivel të ulët topografik (mbi 216 m nën nivelin e detit) dhe imoral. Ishte një qytet i caktuar për gjykim, sepse ndodhej në tokën e Perëndisë dhe banorët e tij të drejtë kishin ardhur për të marrë pasurinë e tyre. Shumë gjëra në jetët tona shfaqen si Jeriko, duke penguar rritjen tonë në zotërimin e pronave tona. Mbase na është lëshuar zemra nga madhështia e dukshme e provave tona. Nëse vetëm do të kërkojmë fitoren, të cilën Zoti është gati të na japë, dhe ecën para me besim, me sy të ngulur në Perëndinë për sukses, atëherë edhe ne do të shohim mrekulli. Frika nga judenjtë bëri që Jeriko të bëhej gërmadhë para ardhjes së pushtuesve. Për gjashtë ditë izraelitët marshuan rreth qytetit, çdo ditë, duke u kthyer natën në Gilgal. Ditën e shtatë u ngritën herët marshuan rreth qytetit në të njëjtën mënyrë shtatë herë. Kur priftërinjtë u ranë brirëve të deshve (borive) izraelitët ngritën një britmë të madhe. Muret u rrëzuan dhe populli i Perëndisë mundi të futej në qytet. Disa studiues biblikë mendojnë se muret ranë në tokë si një ashensor, duke lejuar izraelitët që të shkelnin mbi to për t’u futur në qytet. Sido që të ketë ndodhur, rrodhi nga besimi i popullit të Perëndisë (Heb. 11:30). Vini re se arka përmendet shtatë herë midis vargjeve 6 deri 12. Çdo gjë në qytet u “mallkua” – që do të thotë qyteti do të shfarosej nga Zoti (frymërisht kjo simbolizoi oferta e prodhimit të parë të Kanaanit). Banorët (përjashto Rahabin dhe familjen e saj) dhe gjëja e gjallë duhej të shfaroseshin, por i gjithë argjendi, ari dhe sendet prej bronzi dhe hekuri duhej të futeshin në thesarin e Zotit. Askush nuk duhej të merrte gjë për vete. Kur dikush kupton shthurjen e kanaanenjve, është e lehtë të shohim se pse Perëndia urdhëroi shkatërrimin e plotë të jetës në Jeriko. Në vend që të kritikojmë Zotin për urdhërimin e gjykimit të merituar ndaj të ligjve, duhet të mrekullohemi për hirin e Tij që ruajti Rahabin dhe familjen e saj nga i njëjti gjykim. 6:22-27 Besimi i cili bëri që muret të rrëzoheshin (Heb. 11:30) gjithashtu nxori Rahabin dhe të gjithë të afërmit e saj (Heb. 11:31). Hiri i Perëndisë jo vetëm parashikoi për sigurinë e saj, por gjithashtu e ngriti në një vend në paraardhjen e Davidit dhe së fundi të atë të Zotit Jezus Krisht (Mat. 1:5,6). Hiri jo vetëm na shpëton nga shkatërrimi, por gjithashtu siguron ngritjen tonë (Rom. 8:29,30). Besimi është dora që rrok hirin. Pasi Rahabi dhe familja e saj u përcollën në siguri, qyteti u dogj. Jozueu shpalli një mallkim për atë që do të përpiqej të rindërtonte Jerikon si një kështjellë, duke profetizuar se biri më i madh i njeriut do të vdiste kur themelet do të hidheshin dhe djali i tij më i vogël do të vdiste kur portat e tij do të ngriheshin. Shikoni 1 i Mbreterve 16:34 për përmbushjen e këtij mallkimi.

F. Fushata në Ai (7:1-8:29)

Kapitulli 4 shtjellon çështjen e mëkatit në Kanaan. Edhe pse populli kishte kaluar Jordanin, ata akoma ishin të prirur ndaj mëkatit. Këtu kemi historinë e mundjes së Izraelit në Ai dhe fitoren e tij mbi mëkatin në Akor. 7:1-5 Kur Jozueu dërgoi zbulues në Ai, ata u kthyen me lajmin e besueshëm se qyteti ishte i pambrojtur mirë dhe se nuk do të ishte e nevojshme të dërgonin më tepër se dy mijë a tre mijë ushtarë kundër tij. Por kur një ushtri prej rreth tre mijë burrash marshoi kundër Ait, ata pësuan mundje në vend të fitores. 7:6-10 Shumë herë mundja vjen pas fitores; kjo kur ne e presim një gjë të tillë. Kjo kur ne ndihemi më të fortë në vetvete. Populli nuk u lut para se të shkonte kundër Ait, as Zoti nuk i urdhëroi të shkonin, ashtu siç i kishte urdhëruar të pushtonin Jerikon. Për rrjedhojë, ata mësuan me dhimbje se nuk shkonte gjithçka mirë; diçka kishte ndryshuar. Kanaanenjtë nuk ishin më të fortë, por Izraeli ishte më i dobët dhe arsyeja ishte se mëkati kishte hyrë në kamp. Edhe pse vetëm një njeri kishte faj, tërë kombi ishte fajtor (v. 11) dhe tridhjetë e gjashtë burra vdiqën (v. 5). Zoti i tha Jozueut se nuk ishte koha për lutje, por për veprim (v. 10). 7:11-26 Jozueu mësoi se mundja u shkaktua nga mëkati në kamp. Dikush nuk i ishte bindur Zotit në pushtimin e Jerikos duke grabitur. Nuk na thuhet se çfarë mënyre ishte përdorur për të gjetur fajtorin; mbase duke e hedhur në short. Sido që të jetë, fusha e kërkimit u ngushtua te një fis, pastaj te një familje, pastaj te një shtëpi dhe më në fund te një njeriAkani. Ai rrëfeu se kishte vjedhur një mantel të bukur të Shinarit, dyqind sikla argjendi dhe një shufër ari. Ai gjithashtu pranoi se i kishte groposur ato poshtë çadrës së tij. “Kur pashë…, pata një dëshirë të madhedhe i mora” (v. 21). Historia e Akanit paraqet një ilustrim të gjallë të Jakobit 1:14,15: “Por secili tundohet i udhëhequr dhe i mashtruar nga lakmia e vet. Pastaj lakmia, pasi mbarset, pjell mëkatin dhe mëkati, si kryhet, ngjiz vdekjen”. Akani, duke marrë diçka që ishte e ndaluar të merrej, mallkoi veten (LiP. 7:26). Mund të duket e ashpër që tërë familja e Akanit pësoi fatin e tij, por mëkati është një çështje serioze. Besimi i Rahabit shpëtoi tërë shtëpinë e saj. Mëkati i Akanit e dënoi atë. Përveç të tjerash, ata do të kenë qenë të vetëdijshëm për veprën e tij, meqë gjërat e vjedhura ishin groposur nën çadrën e tij. Mbase fëmijët e tij kishin marrë pjesë në mëkatin e tij. Mësimi që Perëndia po i mësonte popullit ishte i qartë: mëkati ndoti tërë kampin dhe duhej të çrrënjosej sa herë dilte në sipërfaqe. Ai mori ndëshkim për krimin e tij: Akani dhe tërë shtëpia e tij u vranëme gurë dhe pastaj u dogjën në zjarr. Gjithashtu u dogjën tërë pronat e tij, po ashtu edhe gjërat e vjedhura. Bleiri (H. J. Blair) komenton: Me anë të vdekjes së Akanit, vepra e sakrilegjit u shpengua dhe skena e tragjedisë, lugina e Akorit, u bë një derë shprese, sepse njerëzit rifilluan sulmin [6]. 8:1-29 Në sulmin e dytë Jozueu dhe ushtria e tij pushtuan Ain me anë të strategjisë së pritës. Edhe pse hollësitë e pritës janë të vështira për t’u kuptuar qartësisht, plani i përgjithshëm duket se ka qenë si vijon: Një kompani izraelitësh do të qëndronin pas Ait me mbërritjen e errësirës dhe do të fshiheshin në krahun perëndimor të qytetit. Në mëngjes, pjesa tjetër e ushtarëve sulmuan qytetin nga veriu. Kur burrat e Ait u hodhën në kundërsulm, Jozueu dhe burrat e tij kundërvepruan, duke nxjerrë banorët e qytetit jashtë tij. Pastaj Jozueu shtriu shtizën e tij; ai ishte sinjali për njerëzit që rrinin në pritë për t’u futur në qytet dhe për t’i vënë flakën. Duke parë qytetin e tyre në flakë, njerëzit e Ait u frikësuan. Atëherë ishte e lehtë për izraelitët që të futnin në kurth ushtarët e Ait nga të dyja anët dhe t’i shkatërronin. Vargu 3 thotë se tridhjetë mijë njerëz u dërguan në pritë kundër qytetit, ndërsa vargu 12 flet për pesë mijë. Mund të ketë pasur dy prita. Por tridhjetë mijë duket një numër tejet i madh për një pritë. Disa besojnë se tridhjetë mijë duhet marrë tridhjetë kapitenë, meqë fjala hebraike për mijëshen mund të përkthehet gjithashtu drejtues. Të tjerë besojnë se tridhjetë mijë është një gabim i kopjuesit për pesë mijë. Pesë mijë njerëz (v. 12) mund të jenë dërguar për të larguar ndonjë sulm të mundshëm nga burrat e Bethelit, tre kilometra në perëndim të Ait. Judenjve iu lejua të mbanin bagëtinë dhe plaçkën për vete në këtë ndërmarrje të veçantë. Nëse Akani do të kishte pritur pak, ai do ta kishte marrë plaçkën e tij pa humbur jetën për të! Izraeli humbi tridhjetë e gjashtë burra në betejën e parë; këtë herë ata nuk humbën asnjë me aq sa tregojnë rrëfimet biblike. Pasi u pastruan nga ndotja, ata përsëri ishin të sigurt në mes të luftës. Fitorja në jetën e krishterë nuk është mungesa e konfliktit, por prania e mbrojtja e Perëndisë në mes të konfliktit.

G. Miratimi i besëlidhjes në Sikem (8:30-35)

8:30-35 Në bindje ndaj Fjalës së Perëndisë (LiP. 27:2-6), Jozueu ndërtoi një altar në malin Ebal dhe shkroi mbi gurë një kopje të ligjitMoisiut. Fiset ishin mbledhur, gjysma përballë malit Gerizim dhe gjysma tjetër përballë malit Ebal. Jozueu qëndroi në luginën midis tyre dhe ai lexoi bekimet dhe mallkimet, ashtu si shkruhet në librin e ligjitMoisiut, apo udhëzoi levitët t’i lexonin (LiP. 27:14). “Në Shkrim zakonisht shkruhet që njerëzit të bëjnë vetëm atë që u është urdhëruar të bëjnë” [7].

H. Traktati me gabaonitët (kapitulli 9)

9:1-27 Lajmi i suksesit ushtarak të Izraelit bëri që tërë mbretërit në Kanaan të bashkoheshin kundër Jozueut dhe Izraelit (v. 1,2). Por banorët e qytetit të Gabaonit dhe të tre qyteteve të tjera, Kefirahut, Beerothit dhe Kiriath-Jearimit (v. 3,17) vendosën se ishte e kotë t’u bënin ballë pushtuesve. Ata e dinin se izraelitët kishin marrë urdhër të shfarosnin tërë banorët paganë të vendit. Por ata dinin gjithashtu se urdhra të tillë nuk u ishin drejtuar kombeve të tjera jashtë Kanaanit (LiP. 20:10,15). Nëse ata mund të bindnin Jozueun dhe ushtrinë e tij se kishin ardhur nga një vend i largët, nuk do të vriteshin. Kështu që u sajuan me rroba të përdorura dhe sandale të vjetra. Gjithashtu, morën me vete bukë të fortë e të thërrmuar dhe kacekë të shqyer. Ata i thanë Jozueut se kishin ardhur nga një vend i largët dhe çdo gjë që kishin dukej se mbështeste atë që thoshin. Izraelitët nuk u këshilluan me Zotin për këtë çështje, por nënshkruan një besëlidhje me gabaonitët. Tri ditë më vonë hileja doli në shesh dhe pati shqetësim midis judenjve për të vrarë mashtruesit. Por drejtuesit vendosën të nderonin marrëveshjen duke mos vrarë gabaonitët. Megjithatë, që nga ajo kohë e më pas ata do të shërbenin për shtëpinë e Perëndisë si druvarë o bartës uji në lidhje me shërbimin e altarit të Zotit. Jozueu dhe princat ishin të zgjuar në zbatimin e betimit të tyre, edhe pse ishin mashtruar në këtë çështje. Më vonë Sauli u përpoq të shfaroste gabaonitët dhe u ndëshkua për këtë (2 i Samuelit 21).

I. Fushata jugore (kapitulli 10)

10:1-6 Kapitulli 10 paraqet fushatën jugore. Kur mbretërit e pesë qyteteve kanaanite dëgjuan se gabaonitët ishin bashkuar me izraelitët, kuptuan se kjo sillte rrezik për luginën qendrore dhe kështu vendosën të sulmonin Gabaonin. Gabaonitët dërguan një delegacion për ndihmë ushtarake te Jozueu. 10:7,8 Përsëri Jozueu dëgjoi këto fjalë ngushëlluese nga goja e Zotit: “Mos ki frikë nga ata”. Ai i kishte dëgjuar ato para fitores në Jeriko dhe para pritës së suksesshme të Ait. Ato fjalë i dhanë sigurinë e triumfit pavarësisht nga madhësia e kundërshtarëve. 10:9-11 Pasi mori sigurinë e fitores nga Zoti, Jozueu u përball me forcat ushtarake në Gabaon, duke bërë që të iknin. Dy mrekulli ndodhën në shkatërrimin e armikut. Së pari, pati një breshër të tmerrshëm, që vrau më shumë burra nga sa kishin vrarë izraelitët. Por vini re se ishte breshër gurësh diskriminues – ai vriste vetëm armiqtë. 10:12-15Kështu me kërkesën e Jozueut, dielli dhe hëna qëndroi (apo “u ndalën”), duke zgjatur orët që izraelitët të vazhdonin të ndiqnin dhe të shkatërronin armikun, para se të arratiseshin në vendin e sigurt të qyteteve të tyre të murta. Është një gjuhë përshkruese e drejtpërdrejtë për të thënë se dielli dhe hëna u ndalën. Ne e përdorim një gjuhë të tillë kur dielli lind apo perëndon. Janë dhënë shpjegime të shumëllojshme natyrore se çfarë ndodhi me të vërtetë në atë kohë [8]. Por mjafton të dimë se ishte një mrekulli e cila bëri që dita të zgjatej derisa të mbaronte luftimi. Spërxhëni (Spurgeon) thotë: Se si ia bëri, nuk është pyetje që duhet ta bëjmë ne. . . Ajo që na takon nuk është të përpiqemi dhe të zbutim mrekullitë, por të përlëvdojmë Perëndinë në to [9]. Vargu 13 përmend Librin e të Drejtit, por asnjë libër me këtë emër nuk mund të njëjtësohet sot, dhe me siguri nuk ka qenë i frymëzuar. Beteja ishte një ndërmarrje e mrekullueshme për Izraelin. Ata kishin marshuar tërë natën dhe pastaj luftuan në ditën më të gjatë të historisë. Ata u përpoqën përtej kufizimeve të tyre të zakonshme, por përsëri fitorja ishte e Zotit (v. 10,11). Me mençurinë e tij Methju Hendri (Matthew Henry) vë re: Por pse duhej që Jozueu dhe njerëzit e tij të lodheshin aq shumë? A nuk i kishte premtuar Perëndia se pa dështuar Ai do t’i dorëzonte armiqtë në duart e tij? Po, është e vërtetë, por premtimet e Perëndisë janë me një qëllim të caktuar, jo t’i shfuqizojnë, t’i përbuzin apo t’i zëvendësojnë përgjegjësitë tona, por të shpejtojnë dhe t’i japin zemër përpjekjeve tona [10]. 10:16-27Pesë mbretërit u zunë në kurth në shpellën e Makedahut, pastaj u vranë dhe u varën në pesë pemë, dhe më në fund u varrosën në shpellë. 10:28-39 Pas kësaj, Jozueu pushtoi qytetet kanaanite të Makedahut (v. 28), Libnahun (v. 29,30), Lakishin (v. 31,32), Gezerin (v. 33), Eglonin (v. 34,35), Hebronin (v. 36,37) dhe Debirin (v. 38,39). Mbreti i Hebronit (v. 37) ishte pasardhës i njërit prej mbretërve të vrarë në vargun 26. 10:40-43 Ky paragraf përmbledh fushatën jugore. Shkatërrimi i paraqitur në këtë kapitull mund të merret në përgjithësi, ashtu siç paraqitet nga Heleji (Haley): . . . Jozueu e zaptoi zonën me një mënyrë të shpejtë për ta shpopulluar atë plotësisht … Të gjithë ata që i ndoqi, i shkatërroi; por ai nuk u ndal së kërkuari në çdo vend të mundshëm fshehjeje. Kjo duhej të bëhej nga çdo fis sipas trashëgimisë së vet [11].

J. Fushata veriore (kapitulli 11)

A. Tokat që duheshin pushtuar akoma (13:1-7)

13:1-6Jozueu ishte tashmë plak dhe tërë vendi premtuar izraelitëve nuk ishte pushtuar nga ata. Vargjet 2-6 përshkruajnë pjesët në jugperëndim dhe në verilindje që ishin akoma të banuara nga paganët. Ne e dimë gjithashtu se vendi në lindje të Eufratit i ishte premtuar judenjve, por kurrë nuk u pushtua prej tyre [12]. 13:7 Zoti udhëzoi Jozueun të ndante atë vend që ishte pushtuar prej nëntë fiseve dhe gjysmës së fisit të Manasit.

B. Ndarja e tokës (13:8-19:51)

1. Ndarja e tokës për Rubenin, Gadin dhe gjysmën e Manasit (13:8-33)
13:8-33 Dy fiset e një gjysmë fisi u ishte caktuar tashmë vendi në lindje të Jordanit. Kjo përshkruhet si vijon: tërë territori i pushtuar nga dy fiset dhe gjysma e fisit tjetër (v. 8-13); Rubeni (v. 15-23); Gadi (v. 24-28) dhe gjysma e fisit të Manasit (v. 29-31). Levi nuk mori një trashëgimi fisnore (v. 14), meqë ai ishte fisi priftëror dhe Zoti ishte trashëgimia e tyre në një mënyrë të veçantë (v. 33). Duke hequr Levin nga fiset mbeten vetëm njëmbëdhjetë fise. Por dy bijtë e Jozefit, Efraimi dhe Manasi, përfshihen në vend të tij dhe kjo e çon përsëri numrin në dymbëdhjetë. Arsyeja se pse bijtë e Jozefit përfshihen është se ata u birësuan nga Jakobi si bijtë e vet para se të vdiste (Zanafilla 48:5). Përmendet në mënyrë të veçantë fakti se Balaami ishte midis të vrarëve në Transjordani [matanë Jordanit] (v. 22). Zoti nuk kishte harruar fatkeqësinë e tmerrshme që ky profet i lig i kishte shkaktuar popullit të Tij (shikoni Numrat 23-25). “Të jeni të sigurt që mëkati juaj do t’ju gjejë” (Num. 32:23). Një problem interesant haset në vargun 25. Fisi i Gadit zotëroi një pjesë të vendit të bijve të Amonit, që ishte e ndaluar te Ligji i Përtërirë 2:18. Por ky vend më parë u ishte marrë amonitëve nga Sihoni, mbreti i amorenjve dhe e kishte bërë pjesë të mbretërisë së tij. Kështu kur Izraeli e mori vendin nga Sihoni, nuk u përkiste më amonitëve. Debiri që përmendet në vargun 26 nuk është i njëjti qytet, përmendur në kapitullin e mëparshëm. Ky qytet ishte në lindje të Jordanit, ndërsa ai që pushtoi Jozueu ishte në perëndim të lumit.
2. Ndarja e tokës për Judën (kapitujt 14,15)
14:1-5 Ky kapitull fillon me ndarjen e vendit në perëndim të Jordanit nëntë fiseve dhe gjysmës së fisit. Zoti… e kishte urdhëruar Moisiun që ndarja të bëhej me short. Kjo mbase do të thotë se vendndodhja e përgjithshme e pjesës së fisit përcaktohej nga shorti, por madhësia e territorit sipas popullsisë së fisit (Num. 26:53-56). 14:6-15 I pari në listën e fiseve është Juda (14:6-15:63). Njerëzit e Judës drejtonin ushtrinë e Izraelit (shikoni Num. 10:14) dhe ishin fisi më i madh e më i fuqishëm, i përbërë nga mbi 76.000 luftëtarë. Para se të caktonin kufijtë territorialë, Fryma e Perëndisë ka bërë të mundur shkrimin e pushtimit të fisshëm prej Kalebit të qytetit të Hebronit. Edhe pse ishte tetëdhjetë e pesë vjeç, besimi, guximi dhe forca e tij ishin të pafundme. Ai dëshironte më tepër fitore frymërore dhe mori Hebronin si trashëgiminë e tij. Me Hebronin nënkuptonte jo vetëm qytetin, por edhe vendin përreth tij (v. 12). Qyteti ishte pushtuar më parë nga Jozueu (10:36,37). Më vonë iu dha priftërinjve, por Kalebi mbajti rrethinat si trashëgiminë e tij. Kalebi nuk kishte mbetur i vdekur nga plaga që ra mbi jetët e zbuluesve mosbesues dyzet e pesë vjet më parë (Num. 14:36-38). Ai ishte ruajtur gjatë ecejakjeve në shkretëtirë. Ai kishte mbijetuar gjatë viteve të luftës në Kanaan. Ai e dinte se Perëndia nuk do ta kishte ruajtur gjallë, duke i premtuar një shpërblim për besimin e tij, vetëm për t’i dhënë Anakimin. Kështu, çfarë do të ndodhte nëse ata do të ishin gjigantë? Ata ishin në dorën e tij dhe ai do t’i dëbonte me anë të fuqisë së Perëndisë. Ai akoma i shikonte gjërat me sytë e besimit dhe jo ashtu siç dukeshin nga jashtë. Kjo ishte e fshehta e forcës së tij dhe e suksesit të mahnitshëm. Ai nuk u tërhoq (edhe pse tetëdhjetë e pesë vjeç), derisa zotëroi territorin e tij. 15:1-12 Kufijtë e Judës përshkruhen në vargjet 1-12. Është gati e pamundur t’i dimë me saktësi në kohën e sotme. Kjo mund të bëjë që disa të habiten se pse janë përfshirë tërë këto hollësi në Bibël. Sigurisht, përgjigjja është se këto hollësi janë të rëndësishme në sytë e Perëndisë. Ato janë të frymëzuara dhe të dobishme, të mbushura plot me mësime frymërore. 15:13-20 Pushtimi i Hebronit prej Kalebit jepet në vargun 14. Ai i ofroi vajzën e tij, Aksah, atij që do të pushtonte Kirjath-Seferin (Debirin). Nipi i Kalebit, Othnieli, ishte ai që shtiu në dorë qytetin dhe fitoi nusen (v. 17). Ai më vonë u bë gjyqtari i parë në Izrael (Gjyq. 3:9). Aksahui mbushi mendjen Othnielit t’i kërkonte atit të saj një fushë (v. 18). Fjalët e saj: “Mbasi më ke dhënë tokë” nënkuptonin se Othnieli e kishte bërë këtë dhe kishte shtënë fushën në dorë. Atëherë Aksahu kërkoi burimet e sipërme dhe burimet e poshtme të vendit. Disa qytete, si Debiri dhe Hebroni, duhej të shtiheshin në dorë më tepër se një herë për shkak të luftës guerile të kanaanenjve (shikoni shënimet te kapitulli 10). Duhet të vihet re gjithashtu se kishte më tepër se një qytet me të njëjtin emër. 15:21-63 Qytetet e territorit të Judës renditen në vargjet 21-63. Disa nga këto qytete duhet të jenë të njohura nga ne prej studimit tonë mbi etërit: Hebroni (v. 54, quajtur gjithashtu Kirjath-Arba dhe Mamreja) ishte i njohur për Abrahamin, Isakun dhe Jakobin (Zanafilla 13:18; 35:27) dhe këta të gjithë u varrosën atje (Zanafilla 23:17-20). Mbase kjo është arsyeja se pse e bëri aq të çmueshëm për dallimin frymëror të Kalebit. Beer-Sheba (v. 28) do të thotë “pusi i betimit”; etërit harxhuan shumë kohë atje. Ai ishte një vend ripërtëritjeje, freskie dhe prehjeje (Zanafilla 21:31; 26:33; 46:1). Jeruzalemi (v. 63) banohej nga jebusenjtë. Ata u përzunë përfundimisht nga ky vend prej Davidit (2 i Samuelit 5:6,7). Këto qytete siguruan një trashëgimi të pasur për Judën dhe një nxitje të fuqishme për të forcuar besimin e tyre. Perëndia i Abrahamit, Isakut dhe Jakobit ishte në mes të bijve të tyre për të kryer premtimin e Tij të lashtë. Kur numërojmë qytetet në vargjet 21-32 shohim se janë tridhjetë e tetë, megjithëse vargu 32 thotë se janë njëzet e nëntë. Nëntë nga këto qytete i përkisnin Simeonit, trashëgimia e të cilit përfshihej brenda kufijve të Judës (19:1-9). Nga kjo mbeten njëzet e nëntë qytete që i përkasin Judës. Ky është një problem i ngjashëm me numërimin në vargjet 33-36; numërohen pesëmbëdhjetë qytete, por mbase Gederahu dhe Gederothaimi janë dy emra të të njëjtit qytet, duke nxjerrë shumën e përgjithshme katërmbëdhjetë qytete përmendur në vargun 36 [13]. Vini re në mënyrë të veçantë vargun e fundit. Pjesa e sipërme e qytetit, mali Sion, nuk u shti në dorë deri në kohën e Davidit. Qyteti i poshtëm, Jeruzalemi, u mor nga Juda (Gjyq. 1:8), pastaj më vonë u pushtua përsëri nga jebusenjtë (Gjyq. 1:21). Jeruzalemi thuhet se i përket si Beniaminit (18:28), po ashtu edhe Judës; ai ndodhej në kufirin midis dy fiseve.
3. Ndarja e tokës për Jozefin (kapitujt 16,17)
16:1-4 Tani kalohet te fisi i Jozefit. Jozefit i ishte dhënë e drejta e parëbirnisë (që është pjesa e dyfishtë, 1 i Kronikave 5:1), që Rubeni e kishte humbur (Zanafilla 49:4). Kufijtë e përgjithshëm të territorit të Jozefit jepen në vargjet 1-4. Sigurisht, këta ndaheshin midis Efraimit dhe gjysmës së fisit të Manasit, që u vendos në perëndim të Jordanit. 16:5-10 Kufijtë e Efraimit përshkruhen në vargjet 5-10. I kushtoni një vëmendje të veçantë vargut 10. Dështimi sepse nuk i dëbuan kanaanenjtë u solli trishtim izraelitëve në historinë e tyre të mëvonshme. 17:1-13 Trashëgimia e Manasit ishte pjesërisht në Galaad dhe Bashan, në pjesën lindore të Jordanit (v. 1) dhe pjesërisht në pjesën perëndimore (v. 7-11). Territori në perëndim të Jordanit ishte i rrethuar në një krah në veri nga gjashtë kështjella kanaanite – Beth-Shea, Ibleam, Dor, En-Dor, Tanaak dhe Megido (v. 11,12). Disa nga qytetet e Efraimit ishin në territorin e Manasit dhe disa nga qytetet e Manasit ishin në territorin e Asherit dhe Isakarit (v. 7-12). Vajzat e Tselofehadit patën trashëgim me bijtë e Manasit (v. 3,4; Num. 27:1-7). Kjo u bë për të siguruar që shtëpia e Tselofehadit të kishte një pjesë edhe pse nuk kishte trashëgimtar mashkull. Vajzat duhej të martoheshin brenda fisit të tyre në mënyrë që vendi që i përkiste Manasit të mos përzihej me një fis tjetër duke u dhënë bijtë dhe vajzat për martesë (Num. 36:1-13). 17:14-18 Pasi Efraimi dhe Manasi morën pjesën që u takonte në perëndim të Jordanit, ata u ankuan se patën vetëm një pjesë (v. 14) dhe se ishin të kufizuar nga kështjella në veri (v. 16). Jozueu i ktheu tërë argumentet kundër tyre. Kur thanë se kishin nevojë për më tepër tokë, sepse ishin një popull i panumërt (v. 14), ai u tha atyre që të përdornin fuqinë e tyre që të hapnin tokë të repyll në territorin e tyre dhe të vendoseshin atje (v. 15). Kur u ankuan se atje kishte kanaanenj brenda kufijve, të cilët kishin qerre të hekurta (v. 16), ai i siguroi se ata kishin forcë më të madhe për të dëbuar kanaanenjtë (v. 18). Shprehja “vetëm një pjesë” të vargu 14 do të thotë territoret e përziera të Efraimit dhe Manasit në perëndim të Jordanit. Kur Jozueu tha: “Nuk do të kesh vetëm një pjesë” (v. 17b), ai nuk nënkuptonte se ata do të merrnin tokë shtesë, por se ata duhej të pushtonin tërë vendin që u ishte caktuar.
4. Ndarja e tokës për pjesën tjetër të fiseve (kapitujt 18,19)
18:1 Mbledhja e Izraelit tashmë ndryshon nga Gilgali në Shiloh. Këtu është ngriturtabernakulli dhe këtu mbetet deri në kohën e Samuelit. Ndarja e tokës vazhdon këtu. 18:2-10Juda dhe Jozefi kishin marrë trashëgiminë e tyre duke hedhur short, por kishin ngelur edhe shtatë fise në perëndim të Jordanit që nuk kishin marrë trashëgiminë e tyre. Prandaj Jozueu dërgoi një grup njerëzish, tre për çdo fis, për t’u ndarë vendin shtatë fiseve të mbetura me anë të shortit. 18:11-28 Kufijtë e Beniaminit jepen në vargjet 11-20 dhe qytetet në vargjet 21-28. Pjesa e Beniaminit ishte e vogël, por ishte një zgjedhje. Ai kishte zemrën e vendit dhe zotëronte brenda kufijve të tij frytet e para të punës së Izraelit në Kanaan. Gilgali ishte në territorin e Beniaminit, fushimi i parë në perëndim të Jordanit. Gurët përkujtimorë qëndronin atje për të dëshmuar kalimin e mrekullueshëm të Jordanit. Atje populli kremtoi Pashkën e parë në Kanaan dhe filloi të ushqehej me prodhimin e vendit. Atje kombi u rrethpre edhe një herë, dhe qortimi i Egjiptit ishte rrokullisur tutje. Zor se gjeje një vend tjetër me domethënie aq historike në tërë Kanaanin, sepse asnjë vend tjetër nuk jepte aq shumë mësime frymërore. Rrënojat e Jerikos ishin akoma të dukshme në vendin e Beniaminit. Muret e tij, që më parë mendoheshin si të pamposhtura, tashmë preheshin përtokë. Pjesa që i përkiste shtëpisë së Rahabit qëndroi më këmbë si një dëshmi e hirit të Perëndisë, që gjithmonë i përgjigjet besimit. Një beniaminit mund të bënte gjithmonë një vizitë atje, sa herë që kishte nevojë për një kujtesë të freskët se beteja ishte e Zotit. Betheli (shtëpia e Perëndisë) bëri që beniaminitët të kujtonin besimin e etërve të tyre dhe besnikërinë e Çlirimtarit hyjnor të Izraelit (Zanafilla 28:18-22; 35:1-15). Jeruzalemi u caktua për të qenë kryeqyteti, por nuk u bë i tillë derisa erdhi biri i Isait që jebusenjtë të dëboheshin nga kështjellat e tyre të larta. Vendi i Beniaminit rrethohej nga shumë prova dhe shenja të bekimeve të së shkuarës, të së tashmes dhe të së ardhmes. Çfarë pjese e pasur i ra për short djalit më të vogël të Jakobit! 19:1-9 Trashëgimia e Simeonit ishte në mes të trashëgimisë së fisit të Judës. Duket sikur vendi i Judës ishte aq i madh saqë fisi nuk mund të merrte pjesën e tij, kështu një pjesë e saj iu dha Simeonit. Kjo është përmbushja e fjalës profetike të Jakobit rreth Simeonit: “Unë do t’i ndaj te Jakobi dhe do t’i shpërndaj te Izraeli” (Zanafilla 49:7). Beer-Sheba dhe Sheba (v. 2) mbase i referohen të njëjtit vend; kështu keni një tërësi prej trembëdhjetë qytetesh siç përmendet në vargun 6. Disa qytete ishin të renditura me hollësi edhe pse nuk ishin brenda vendit, kështu ndonjëherë numri i qyteteve të dhëna nuk përkon me numrin e pohuar në tekst (p.sh. v. 15, 30, 38). 19:10-39 Më pas jepen kufijtë e gjashtë fiseve të mbetura: Zabuloni (v. 10-16), Isakari (v. 17-23), Asheri (v. 24-31), Neftali (v. 32-39) dhe Dani (v. 40-48). Dani mori disa nga qytetet e Judës (kr. v. 41 me 15:33). 19:40-48 Territori fillestar dhënë Danit ishte në jugperëndim, duke qenë në kufi me detin Mesdhe dhe përfshinte qytetet e Jafos dhe Ekronit (v. 40-46). Më vonë, kur ky vend u pa se ishte shumë i vogël, disa nga fiset migruan në Laish (Leshem) në verilindje dhe e ndryshuan emrin e qytetit në Dan (v. 47,48; kr. Gjyq. 18). 19:49-51 Vargu 51 i jep fund ndarjes së vendit. Qytetet e strehimit duhej të veçoheshin (kapitulli 20) dhe qytetet levitike tashmë duhej të caktoheshin (kapitulli 21), por puna e Jozueut ishte gati e mbaruar. Ai mori Timnath-Serahun, simbas urdhrit të Zotit (v. 50).

C. Qytetet e strehimit (kapitulli 20)

Hapi tjetër ishte të caktonin gjashtë qytete strehimi, tre çdo anë të lumit Jordan, ku një vrasës mund të ikë nga hakmarrësi. Një vrasës ishte dikush që vriste pa dashje dikë tjetër. Hakmarrësi ishte zakonisht një kushëri i afërt i të vrarit, që kërkonte të hakmerrej për të vdekurin. Nëse vrasësi do të ikte në një prej qyteteve të strehimit, rrinte atje në shenjtërore deri me vdekjen e kryepriftit Atëherë ai mund të kthehej në qytetin e tij të lindjes në siguri. QYTETET E STREHIMIT Qytetet e strehimit janë interesante dhe kanë një rëndësi teologjike. Mekliri (MacLear) paraqet hollësi tradicionale rreth këtyre qyteteve: Komentuesit judenj na tregojnë se sa kollaj ishte që vrasësi i pavullnetshëm ta gjente strehimin – a. rrugët që çonin në qytetet e strehimit gjithmonë mirëmbaheshin dhe duhej që të ishin rreth 17 m të gjera; b. tërë pengesat hiqeshin që të mos zvogëlohej shpejtësia e tij; c. nuk lihej asnjë kodrinë, nuk lihej shtegu pa urë nëse kalonte lumi; d. në çdo kthesë kishte tabela që shkruanin fjalët “Strehimi”, për të drejtuar të palumin në vrapin e tij; e. sapo të vendosej në qytet, vrasësit i caktohej një banim i kënaqshëm dhe qytetarët duhej t’i mësonin atij disa zanate në mënyrë që të mbante veten [14]. Këto qytete parakuptojnë kombin e Izraelit dhe fajin e tij në lidhje me vrasjen e Mesias. Krishti është Qyteti i Strehimit, drejt të cilit Izraeli i penduar mund të shkojë te shenjtërorja. Mudi (D. L. Moody) ka vënë re se “qytetet e strehimit janë një simbol i Krishtit dhe emrat e tyre janë domethënës në atë lidhje” [15]. Qytetet e strehimit dhe domethënia e emrave janë si vijon: Në perëndim të Jordanit: Kedesh – shenjtëri, Sikem – forcë, Kiriath-Arba apo Hebron – përbashkësi. Në lindje të Jordanit: Ramoth-Galaad – frymëzim, Golan – lumturi, Betser – siguri. Prandaj Krishti siguron çdo bekim të nënkuptuar nga emrat e këtyre qyteteve. Një shikim i shkurtër në hartë mund të tregojë se qytetet e strehimit zinin një vend strategjik, në mënyrë që asnjë pikë në vend nuk ishte më tepër se dyzet e tetë kilometra larg nga njëri prej tyre. Mudi (Moody) nxjerrë këtë zbatim: Ashtu si qytetet e strehimit ndodheshin në një vend të tillë që të ishin të arritshëm nga çdo anë e vendit, po kështu Krishti është shumë i arritshëm ndaj mëkatarëve nevojtarë (1 Gjonit 2:1,2) [16]. Vini re ngjashmëritë midis shpëtimit të përkohshëm që i ofrohej vrasësit në qytetet e strehimit dhe shpëtimit të përjetshëm ofruar mëkatarit në Krishtin. Rrugët për në qytet ishin të pastra dhe plot me shenja treguese, ashtu si udha e shpëtimit, në mënyrë që asnjë të mos gabojë dhe të humbasë jetën e tij. Qytetet ishin të shpërndarë në tërë vendin dhe ishin lehtësisht të arritshëm për të gjithë, po ashtu siç është i arritshëm Krishti për të gjithë njerëzit. Krizat i çonin njerëzit te qyteti i strehimit dhe shumë herë një krizë është e nevojshme për të çuar popullin te Zoti Jezus për strehim. Nuk kishte rrugë të mesme për fajtorin – ai ose do të ishte i sigurt në qytetin e strehimit, ose do të pësonte zemërimin e gjakmarrësit. Çdo njeri ose është i sigurt në Krishtin, ose është nën gjykimin e Perëndisë (Gjoni 3:36).

D. Qytetet levitike (kapitulli 21)

21:1-42Dyzet qytete (v. 41) me tokat e tyre për kullotë, duke përfshirë qytetet e strehimit, iu dhanë levitëve ashtu siç kishte urdhëruar Zoti (Num. 35:2-8). Kehathitëve: a. Bijve të Aaronit (që janë priftërinjtë) – trembëdhjetë qytete nga fisi i Judës,… SimeonitdheBeniaminit. b. Bijve të tjerë kehathitë – dhjetë qytete nga fisi i Efraimit,… Danit dhenga gjysma e fisit të Manasit. Gershonitëve: trembëdhjetë qytete nga fisi i Isakarit,… Asherit,… Neftalit dhe… nga gjysma e fisit të Manasit. Meraritëve: dymbëdhjetë qytete nga fisi i Rubenit,… Gadit dhe… Zabulonit. Çdo fis dha katër qytete përveç Judës dhe Simeonit, që dhanë nëntë qytete midis tyre dhe Neftalit, që dha tre qytete. Qytetet e strehimit, duke qenë qytete të levitëve (v. 13,21,27,32,36,38), qenë të shpërndara nëpër tërë fiset e Izraelit për të përmbushur profecinë e Jakobit (Zanafilla 49:5-7) dhe për të lehtësuar më mirë shërbesën e tyre të mësimit ndaj kombit. 21:43 Ky varg duhet lexuar në dritën e pjesëve të tjera të Shkrimit. Nuk do të thotë se Izraeli e pushtoi tërë vendin që nga lumi i Egjiptit deri në Eufrat; por do të thotë se vendi që Jozueu ndau ishte në përmbushje të premtimit të Perëndisë se Ai do t’u jepte atyre çdo vend që shputat e këmbëve të tyre do të shkelnin (Joz. 1:3). 21:44 Përndryshe vargu 44 duhet interpretuar me kujdes. Kishte akoma armiq brenda vendit; nuk ishin shfarosur tërë kanaanenjtë. Por ky nuk kishte qenë faji i Perëndisë; Ai e përmbushi premtimin e Tij duke mundur çdo armik që luftuan izraelitët. Nëse kishte akoma armiq të pashfarosur dhe forca që bënin qëndresë, ishte ngaqë Izraeli nuk e mbajti premtimin e Perëndisë. 21:45 Vini re vargun 45. Zoti kishte plotësuar çdo premtim. Nuk ra përtokë asnjë nga fjalët. Çfarë nderimi për besnikërinë e Perëndisë! Por Izraeli nuk i bëri për vete të gjitha premtimet.

E. Altari në lindje të Jordanit (kapitulli 22)

22:1-9 Kur vendi në perëndim të Jordanit ishte ndarë, Jozueu u dha leje bijve të Rubenit, bijve të Gadit dhe gjysmës së fisit të Manasit për të shkuar në territorin e tyre në lindje të Jordanit, ashtu siç ishte rënë dakort në fillim. Ai u tha gjithashtu atyre që të merrnin me vete pjesën e tyre të plaçkës nga betejat që kishin bërë. Kishin kaluar shtatë vjet që kur kishin lënë të dashurit e tyre për të luftuar me kanaanenjtë. Ata duruan vështirësitë e luftimit, derisa vendi ishte i sigurt. Edhe ne jemi thirrur nga Komandanti ynë për të duruar vështirësitë dhe të luftojmë luftën e mirë të besimit për të sjellë mbretërinë e Perëndisë në tokë (1 Tim. 6:12; 2 Tim. 2:3). Ky lloj flijimi nuk është i lehtë, por është një përbërës thelbësor në jetën që i pëlqen Perëndisë. Njerëz me zell të zjarrtë duhen sot në fushën e betejës: A duhet të çohem në qiej mbi postatet e qetësisë, ndërsa të tjerët luftuan për të fituar çmimin dhe lundruan përmes detrave të përgjakur? I sigurt duhet të luftoj nëse do të mbretëroj. Shto guximin tim, o Zot! Do të duroj mundin, dhimbjen i mbështetur nga Fjala Jote. Isak Uats (Isaac Watts) 22:10,11 Në rrugën për në shtëpi këta njerëz vendosën të ngrinin një altar afër brigjeve të Jordanit. Kur nëntë fiset e një gjysmë dëgjuan këtë u zemëruan shumë. Ata patën frikë se mos ishte një altar rival ndaj atij në Shiloh. Ata patën frikë gjithashtu se mos bëhej një altar idhull në kohët e ardhshme dhe se Perëndia do të ndëshkonte tërë kombin për shkak të tij. 22:12-20 Para se t’u shpallnin luftë fiseve në lindje të Jordanit, bijtë e Izraelit u dërguan një delegacion për t’i pyetur dhe për t’u dhënë vendin në perëndim të Jordanit nëse e quanin territorin e tyre të papastër (v. 19). Duke u marrë vesh me njerëzit që ngritën altarin, Finehasi dhe të tjerët kujtuan se si Izraeli kishte vuajtur për shkak të paudhësisë së Peorit (v. 17; kr. Num. 5) dhe për shkeljen e Akanit (v. 20; kr. kapitullin 7). Ata e panë këtë altar si një kërcënim tjetër ndaj mirëqenies së tyre; prandaj pati një kundërveprim të fortë ndaj tij. Si një popull ata kishin mësuar se mëkati ndoti tërë kampin dhe se Perëndia e bëri kombin përgjegjës për shkak të sjelljes së njerëzve të tij. 22:21-29 Pastaj njerëzit e Rubenit…, Gadit dhe gjysmës së fisit të Manasit shpjeguan se ky nuk ishte fare një altar për olokaustet. Ai ishte thjesht një altar përkujtimor, për t’u dëshmuar brezave të ardhshëm se fiset në lindje të Jordanit ishin në të vërtetë një pjesë e kombit të Izraelit. 22:30-34 Fiset e tjera mbetën të kënaqura nga ky shpjegim dhe lufta nuk filloi. Fiset lindore e quajtën altarinDëshmi, që do të thotë se ai ishte dëshmitar midis fiseve në të dyja anët e Jordanit dhe që Zoti është Perëndia i vërtetë.

F. Të drejtuarit e fjalëve të lamtumirës së Jozueut ndaj udhëheqësve të Izraelit (kapitulli 23)

Ky është të drejtuarit e parë të lamtumirës së Jozueut nga dy të tilla. Këtu ai i flet udhëheqësisë së Izraelit. Urdhri për të qenë si të guximshëm ashtu edhe të mbështetur në Shkrim (v. 6) jehoi në fjalët e Zotit vite më parë (1:7). Ai kishte provuar vërtetësinë e tyre në udhëkryqet e jetës dhe tashmë ishte i aftë t’ua kalonte ato me besim brezit të ardhshëm. Ai u kujtoi atyre besnikërinë e Perëndisë dhe përmbushjen e premtimeve të Tij rreth vendit dhe banorëve të tij paganë. Perëndia do të vazhdonte ta dëbonte armikun, por populli duhej t’i bindej Atij. Mbi të gjitha, ata duhet të qëndronin larg idhujtarisë së kombeve apo nga martesa me kanaanenjtë. Përndryshe këta paganë do të ishin një burim i vazhdueshëm shqetësimi në Izrael. Asnjë nga fjalët e Perëndisë nuk kishte rënë përtokë (v. 14). Kjo nuk do të thotë se tërë vendi ishte tashmë në duart e judenjve, sepse Vetë Zoti kishte thënë se Ai nuk do t’i dëbonte banorët menjëherë, por shkallë-shkallë (LiP. 7:22). Fakti se asnjë nga premtimet e Zotit nuk kishte rënë përtokë ishte një nxitje e fortë dhe Jozueu po nxiste udhëheqësit të kryenin punën që kishin filluar. Ndaj kësaj nxitjeje ai i bashkëngjiti një paralajmërim (v. 5,16), se Jehovahu do të ishte i drejtë, por edhe besnik në të njëjtën kohë për t’i shfarosur ata nga vendi i mirë, ashtu siç do të shfaroste kanaanenjtë, nëse ata do të harronin besëlidhjen e tyre dhe të ktheheshin te idhujt. Ngjashmëria me DhR të këtij kapitulli është me 2 Korintasve 6:14-18. Ndarja është jetësore për njeriun e Perëndisë. Ne nuk mund t’i qëndrojmë besnik Zotit dhe të bashkohemi me armiqtë e Tij në të njëjtën kohë.

G. Të drejtuarit e fjalëve të lamtumirës së Jozueut ndaj popullit të Izraelit (24:1-15)

24:1-14 Mesazhi i lamtumirës së dytë, ky ndaj popullit, u dha në Sikem. Jozueu përmblodhi historinë e popullit të Perëndisë, duke filluar me Terahun dhe duke vazhduar me kalimin e kohës me Abrahamin, Isakun dhe Jakobin. Ai i kujtoi popullit për çlirimin e mrekullueshëm nga Egjipti, endjen në shkretëtirë dhe fitoren mbi moabitët në lindje të Jordanit. Pastaj kujtoi hyrjen e tyre në Tokën e Premtuar, fitoren e tyre në Jeriko dhe shkatërrimin e mbretërve në Kanaan (v. 2-13). Errësira në vargun 7 kujton Eksodin 14:19,20, kur reja lëshonte dritë për izraelitët dhe errësirë për egjiptianët. Në këtë përmbledhje të shkurtër të historisë nga Zanafilla te Jozueu, një fakt i qenësishëm është i qartë: sovraniteti i Perëndisë. Vini re se si e tregon historinë: Unë mora (v. 3), i dhashë (v. 4), dërgova (v. 5), nxora (v. 6-8), unë nuk desha të dëgjoj (v. 11), çova (v. 12), ju dhashë (v. 13). Jehovahu vepron sipas qëllimeve të Tij të përjetshme dhe cili mund t’i bëjë ballë dorës së Tij? Nga një Perëndi i tillë duhet pasur frikë dhe duhet t’i bindesh (v. 14). 24:15 Zgjedhja këtu nuk ishte midis Zotit dhe idhujve: Jozueu hamendësoi se populli kishte vendosur tashmë kundër shërbimit ndaj Perëndisë. Kështu ai i sfidon të zgjedhin midis perëndive që paraardhësit e tyre u kishin shërbyer në Mesopotami dhe perëndive të amorenjve që kishin gjetur në Kanaan. Vendimi fisnik i Jozueut për veten dhe shtëpinë e tij ka qenë një frymëzim për brezat e mëvonshëm të besimtarëve: “Sa për mua dhe për shtëpinë time do t’i shërbejmë Zotit“.

H. Ripërtëritja e besëlidhjes në Sikem (24:16-28)

24:16-28 Kur populli premtoi t’i shërbente Jehovahut, Jozueu tha: “Ju nuk mund t’i shërbeni Zotit” (v. 19). Kjo donte të thoshte se ata nuk mund t’i shërbenin Jehovahut dhe në të njëjtën kohë të adhuronin idhujt. Jozueu kuptoi pa dyshim se populli do të binte në idhujtari, sepse edhe atëherë ata kishin perëndi të huaja në çadrat e tyre (v. 23). Populli nguli këmbë duke premtuar besnikëri ndaj Perëndisë së tyre, kështu që Jozueu ngriti një shenjë, një gur të madh si një dëshmitar i besëlidhjes bërë me Izraelin (shenjtërorja e Zotit përmendur në vargun 26 nuk i referohet tabernakullit, që ndodhej në Shiloh, por thjesht një vendi të shenjtë). Rreth problemit të idhujve Karl Armërdingu (Carl Armerding) shkruan: Idhujtaria duket se ka qenë një ndër mëkatet shqetësuese të Izraelit. Etërit e tyre të hershëm i shërbyen idhujve të tyre, ashtu siç kemi parë (v. 2). Kur Jakobi dhe familja e tij u largua nga Labanoja, ishte Rakela që vodhi perënditë e atit të saj (Zanafilla 31:30-34). Por kur mbërritën në vend, Jakobi urdhëroi shtëpinë e tij të hiqte tutje këto “perëndi të huaja” dhe i fshehu poshtë një lisi pranë Sikemit (Zanafilla 35:2,4). Dhe në të njëjtin vend Jozueu nxiti brezin e tij të hiqte tutje perënditë të cilëve u shërbyen etërit e tyre (v. 14) [17].

I. Vdekja e Jozueut (24:29-33)

24:29-33Jozueuvdiq kur ishte njëqind e dhjetë vjeç dhe e varrosën në qytetin e pronës së tij. Populli i Izraelit i qëndroi besnik Zotit për aq kohë sa jetuan njerëzit e brezit të Jozueut. Ne nuk e dimë se kush i shkroi vargjet e fundit të librit, edhe pse nuk është e nevojshme një njohje e tillë, përndryshe do të ishte shkruar. Eshtrat e Jozefit, që ishin marrë nga Egjipti me kërkesën e vet, tashmë i varrosën në Sikem (Zanafilla 50:24; Eksodi 13:19). Së fundi, Eleazari, bir i Aaronit vdiq dhe e varrosën në malin e Efraimit. Në pesë vargjet e fundit të këtij libri përmenden tri varrosje: ajo e Jozueut (v. 29-31), ajo e Jozefit (v. 32) dhe ajo e Eleazarit (v. 33). Që të tre u varrosën në territorin e Jozefit. Që të tre i patën shërbyer Perëndisë dhe kombit po ashtu. Jozueu dhe Jozefi qenë çlirimtarë të mëdhenj kur qenë gjallë dhe Eleazari ishte një çlirimtar me vdekjen e tij, sepse ishte kryeprifti dhe vdekja e tij çliroi të gjithë ata që shkonin në një prej qyteteve të strehimit (20:6). Ashtu si librat e Zanafillës dhe të Ligjit të Përtërirë, Jozueu mbyllet me rënien e këmbanës së vdekjes për njerëzit e mëdhenj dhe të perëndishëm. “Perëndia varros punëtorët e Tij, por vazhdon veprën e Tij”. [[12]] (13:1-6) Nën Salomonin mbretëria arriti deri në atë pjesë të lumit Eufrat në veriperëndim, sa u përket vendeve që paguan haraç, por nëse tërë lumi nënkuptohet si kufiri lindor, atëherë pushtimi i tij duhet të jetë akoma një ndodhi e së ardhmes.[[12]] [[13]] (15:21-63) Kail dhe Deliç mendojnë se këto dhe probleme të ngjashme numerike në DhV janë thjesht gabime të kopjuesve (“Joshua” f. 163,164). Për një shtjellim të mëtejshëm mbi mospërputhjet me shikim të parë shikoni komentimin mbi librin e 2 të Kronikave.[[13]] [[14]] G. F. MacLear, The Cambridge Bible for Schools and Colleges, The Book of Joshua, f. 183.[[14]] [[15]] D. L. Moody, Notes from My Bible, f. 48,49.[[15]] [[16]] D. L. Moody, Notes from My Bible, f. 49. [[16]] [[17]] (24:16-28) Carl Armerding, The Fight for Palestine, f. 149. [[17]]
BIBLIOGRAFI
Blair, Hugh J. “Joshua”, në The New Bible Commentary. Grand Rapids: Wm. B. Eerdmans Publishing Company, 1953. Campbell, Donald K. “Joshua”, në The Bible Knowledge Commentary. Wheaton, IL: Victor Books, 1985. Freedman, H. “Joshua”, në Soncino Books of the Bible. Vëll. 2, Londër: The Soncino Press, 1967. Grant, F. W. “Joshua”, në The Numerical Bible. Vëll. 2, Neptune, N. J.: Loizeaux Bros., 1977. Henry, Matthew. “Joshua”, në Matthew Henry’s Commentary on the Whole Bible. Vëll. 2, McLean, VA: MacDonald Publishing Company, nuk dihet viti. Jensen, Irving L. Joshua: Rest-Land Won. Everyman’s Bible Commentary, Çikago: Moody Press, 1966. Keil, C. F. dhe Franz Delitzsch. “Joshua”, në Biblical Commentary on the Old Testament. Vëll. 6, Grand Rapids: Wm. B. Eerdmans Publishing Company, 1971. Kroll, Woodrow Michael. “Joshua”, në Liberty Bible Commentary. Old Testament. Lynchburg, VA: The Old Time Gospel Hour, 1982. MacLear, G. F. The Cambridge Bible for Schools and Colleges, The Book of Joshua. Londër: C. J. Clay and Sons, 1888. Pink, Arthur W. Gleanings in Joshua. Çikago: Moody Press, 1964.
[previous][next]
11:1-9 Lajmi i triumfeve të njëpasnjëshme të Izraelit bënë që mbretërit e veriut të bashkoheshin. Ata u mblodhën afër ujërave të Meromit, në veri të Detit të Galilesë. Jozueu dhe ushtria e tij i sulmuan dhe i mundën. Pastaj, duke iu bindur Zotit, Jozueu preu leqet e këmbëve të kuajve të tyre dhe ua dogji qerret. 11:10-15 Kryeqytetit të Hatsorit iu vu zjarri; qytetet e tjera që ngriheshin në kodrinat u shkatërruan, por nuk u dogjën. Mbase Jozueu mendoi se qytetet që ngriheshin mbi kodrinat do të ishin të dobishme për izraelitët që do të vendoseshin atje. Banorët e tërë qyteteve u vranë, dhe plaçka u mor nga izraelitët. Bindja e plotë sjell fitore të plotë (v. 15). 11:16-20 Këto vargje përmbledhin pushtimin prej Jozueut të vendit nga Edomi (Seiri) në jug malit Hermon në verilindje dhe në luginën e Libanit në veriperëndim. Gabaoni i shpëtoi shkatërrimit. Jeruzalemi mbeti i papushtuar deri në kohën e Davidit (Gosheni i përmendur në vargun 16 nuk ishte në Egjipt, por një zonë në jug të Palestinës). 11:21-23 Përmendet në veçanti fakti se anakitët u shfarosën në të gjitha qytetet përveçse në Gaza, në Gath dhe në Ashod. “Vendi pati pushim nga lufta” (v. 23) do të thotë se betejat më të mëdha kishin përfunduar, edhe pse kishte mbetur tepër punë për t’u bërë.

K. Përmbledhja e pushtimeve (kapitulli 12)

12:1-6 Gjashtë vargjet e para na çojnë përsëri te fitoret që Perëndia i dha Moisiut mbi Sihonin, mbret i amorenjve dhe Ogun, mbretit të Bashanit. Këto fitore quheshin si pjesë e pushtimit të përgjithshëm, meqë territori zotërohej nga dy fise e një gjysmë në lindje të lumit Jordan. 12:7-24 Perëndia i kishte bërë një premtim Izraelit para se të kalonte Jordanin: “Do të jap në duart e tua mbretërit e tyre dhe ti do të zhdukësh emrat e tyre nën qiejt; askush nuk mund të rezistojë para teje, derisa t’i kesh shfarosur” (LiP. 7:24). Këtu kemi tridhjetë e një pjesë të besnikërisë së Perëndisë (v. 7-24); Jozueu mundi tridhjetë e një mbretër në anën perëndimore të Jordanit. [[1]] (Hyrje) Irving L. Jensen, Joshua, Rest-Land Won, f. 14.[[1]] [[2]] (1:1-9) T. Austin Sparks, What Is Man? f. 104.[[2]] [[3]] (2:1) C. F. Keil dhe Franz Delitzsch, “Joshua”, në Biblical Commentary on the Old Testament, VI:34.[[3]] [[4]] (3:14-17) Donald K. Campbell, “Joshua”, në The Bible Knowledge Commentary, I:335.[[4]] [[5]] (3:14-17) Donald K. Campbell, “Joshua”, në The Bible Knowledge Commentary, I:335.[[5]] [[6]] (7:11-26) Hugh J. Blair, “Joshua”, The New Bible Commentary, f. 229.[[6]] [[7]] (8:30-35) R. Jamieson, A. R. Fausset dhe D. Brown, Critical and Experimental Commentary, II:23.[[7]] [[8]] (10:12-15) Tri pikëpamje që pranojnë se ka ndodhur një mrekulli e vetme dhe që e shpjegon teksti (jo duke hedhur poshtë këtë mrekulli) janë si vijon: 1. Perëndia ndali (apo frenoi) rrotullimin e tokës ndërsa dielli ishte mbi Jozueun, duke bërë që rrotullimi të zgjaste dyzet e tetë orë. Ka ngjashmëri në kulturat e tjera të lashta që flasin për “një ditë të gjatë”, që shumë mirë mund të ketë qenë dita e gjatë e Jozueut. 2. Duke e përkthyer “ndaloi” (hebraisht dom) si “u ndal” apo “reshti” (si te 2 i Mbreterve 4:6 dhe Vajt. 2:18), disa e shohin këtë si një lutje për çlirim nga dielli përvëlues mbi trupat e Jozueut. Ndoshta breshri i gjatë ishte përgjigjja e Perëndisë ndaj lutjes së Jozueut. 3. Meqë Jozueu sulmoi herët në mëngjes, disa besojnë se ai u lut që dielli “të ndalonte” dhe që gjysmerrësira të vazhdonte. Breshri do të kishte qenë përgjigjja e Perëndisë ndaj lutjes. Pikëpamja e parë duket se i shkon më tepër për shtat tekstit: “Kështu dielli u ndal në mes të qiellit dhe nuk u nxitua të perëndojë pothuajse një ditë të tërë” (v. 13b).[[8]] [[9]] (10:12-15) C. H. Spurgeon, Spurgeon’s Devotional Bible, f. 168. Për një shtjellim të shkurtër, por të dobishëm të aspekteve shkencore të tekstit shikoni kapitullin X të Difficulties in the Bible nga R. A. Torrey (Chicago: Moody Press, 1907).[[9]] [[10]] (10:12-15) Matthew Henry, Matthew Henry’s Commentary on the Whole Bible, II:59.[[10]] [[11]] (10:40-43) John Haley, Alleged Discrepancies of the Bible, f. 324.[[11]]
[previous][next]