Përshendetja (Juda 1-2)

V1 Perëndia përdori Judën, një njeri i drejtë, që të zbulonte femohuesit, nga të cilët një Judë tjetër, Juda Iskarioti, ishte kulmi i shembujve. Gjithçka që ne dimë me siguri rreth “Judës së mirë” ishte që ai ishte një “shërbëtor i Jezu Krishtit dhe vëllai i Jakobit.”

Duke filluar letrën, Juda jep tri gjëra që janë të vërteta për të gjithë besimtarët. Ata janë “të thirrur që u shenjtëruan [1] në Perëndinë Atë dhe të ruajtur në Jezu Krisht.” Perëndia i ka thirrur nga bota me anë të Ungjillit që t’i përkasin Atij. Perëndia i ka veçuar [shenjtëruar] që të jenë një popull i veçantë dhe i shenjtë për Perëndinë. Edhe ata janë të ruajtur në mënyrë të mrekullueshme nga rreziku, dëmi, papastërtia, dhe mallkimi deri sa të shkojnë në parajsë që të shohin Mbretin në gjithë bukurinë e Tij.

V2 Juda kërkon mëshirë, paqe dhe dashuri për lexuesit e tij. Kjo përshëndetje është shumë e përshtatshme për ata që ishin sulmuar nga njerëz që kishin si qëllim të sundonin besimin. Mëshira do të thotë ngushëllimi i dhembshëm i Perëndisë për shenjtorët e Tij të lodhur nga lufta frymërore dhe presioni i saj. Paqja do të thotë siguria që vjen nga vënia e besimit mbi Fjalën e Perëndisë dhe nga besimi që Perëndia i kontrollon të gjitha rrethanat që të përmbushë qëllimet e Tij. Dashuria është përqafimi i pamerituar i Perëndisë për njerëzit e Tij të dashur – një dashuri që duhet të ndahet me të tjerët.

Ai dëshiron që këto tri bekime të shtohen, jo me anë të shumimit, por me anë të shumëzimit.