Ligji i Përtërirë

Ligji i Përtërirë është një ndër librat më të mëdhenj të Dhiatës së Vjetër. Ndikimi i tij në fenë shtëpiake e vetjake të tërë kohërave nuk është kapërcyer nga asnjë libër tjetër në Bibël. Pjesë të tij përmenden tetëdhjetë herë në Dhiatën e Re dhe, kështu, bën pjesë në një grup të vogël prej katër librash të Dhiatës së Vjetër (Zanafilla, Ligji i Përtërirë, Psalmet dhe Isaia), të cilët të krishterët e hershëm i përdornin shumë.J. A. Thompson

I. Vendi unik në Kanun

Zoti ynë Jezus Krisht u tundua nga Satani për dyzet ditë e dyzet net në shkretëtirë. Tre nga këto tundime rrëfehen në mënyrë të veçantë te ungjijtë për përfitimin tonë frymëror. Jo vetëm Krishti përdori «shpatën e Frymës» së DhV tri herë, por çdo herë përdori të njëjtën pjesë të «tehut» – Ligjin e Përtërirë! Duket sikur ky libër ishte më i pëlqyeri i Jezusit – dhe për ne duhet të ketë të njëjtin vlerësim. Ligji i Përtërirë, në mënyrë të trishtueshme, është lënë pas dore në shumë kisha, mbase për shkak të titullit deri diku të papërshtatshëm në anglisht, që vjen nga versioni i Septuagintës në greqisht. Domethënies së tij, «Ligji i Dytë», i është bashkëngjitur një ide e rreme se libri është thjesht një përmbledhje e materialit të paraqitur tashmë tek Eksodi deri te Numrat. Perëndia nuk përsërit sa për të thënë – ekziston gjithmonë një theks i ndryshëm apo hollësi të reja. Kjo, gjithashtu, vlen edhe për Ligjin e Përtërirë, që është një libër i mrekullueshëm, i denjë për një studim të kujdesshëm.

II. Autorësia

Moisiu është autori i Ligjit të Përtërirë në tërësi, edhe pse Zoti mund të ketë përdorur botues të frymëzuar për të rrëfyer dhe shtuar ndonjë hollësi. Kapitulli i fundit, në të cilin flitet për vdekjen e tij, mund të jetë shkruar nga ai në mënyrë profetike, ose mund të jetë shtuar nga Jozueu apo dikush tjetër.

Kritika liberale thotë me besim se Ligji i Përtërirë është «Libri i Ligjit» që u gjet në kohën e Josias (rreth vitit 620 para K.). Ata mendojnë se ky libër ishte një «dredhi e perëndishme» shkruar në atë kohë sikur të ishte i Moisiut për të bashkuar adhurimin e judenjve rreth një shenjtëroreje qendrore në Jerusalem.

Në fakt, nuk gjen vend një kategori e tillë, «dredhi e perëndishme»; nëse është një dredhi, nuk është e perëndishme dhe nëse është e perëndishme, nuk është dredhi.

Gjithashtu nuk kemi të dhëna se «Libri i Ligjit» te 2 Mbretërve 22 nuk i referohet tërë Pentateukut. Paraardhësit e Josias, Manasi dhe Amoni, kishin qenë mbretër të ligj. Ata e përjetësuan idhujtarinë në tempullin e Jehovait, ku Ligji i Moisiut ishte fshehur nga ndonjë njeri apo disa njerëz të perëndishëm.

Rizbulimi i Fjalës së Perëndisë dhe nënshtrimi ndaj saj gjithmonë sjell gjallëri dhe shërim, ashtu si në Reformimin e madh Protestant.

Për një mbrojtje të saktë të autorësisë nga Moisiu, shikoni hyrjen e Pentateukut.

III. Data

Ligji i Përtërirë është shkruar kryesisht rreth vitit 1406 para K., por disa materiale, edhe ato të frymëzuara, mund të jenë shtuar pas vdekjes së Moisiut, ashtu siç e përmendëm më sipër.

Për një shtjellim më të hollësishëm të datës së shkrimit, shikoni hyrjen e Pentateukut.

IV. Sfondi dhe tema

Ligji i Përtërirë është një miratim (jo thjesht një përsëritje) i ligjit për brezin e ri, që kishte dalë gjatë udhëtimit në shkretëtirë. Ata pas pak do të hynin në Tokën e Premtuar. Që të gëzonin bekimin e Perëndisë atje, duhej të njihnin ligjin dhe t’i bindeshin atij.

Libri është, para së gjithash, një interpretim frymëror i historisë së Izraelit nga Sinai e tutje (kapitujt 1-3). Ideja është se ata që nuk pranojnë të nxjerrin mësime nga historia janë caktuar ta rijetojnë atë. Pjesa kryesore është një përmbledhje e cilësive të rëndësishme të ligjeve të Perëndisë për popullin e Tij (kapitujt 4-26). Më pas vjen një përmbledhje e qëllimeve të hirit dhe të qeverisjes së Perëndisë nga hyrja e Izraelit në vendin e premtuar deri në ardhjen e dytë të Mesias (kapitujt 27-33). Libri mbyllet me vdekjen e Moisiut dhe caktimin e Jozueut si pasuesin e tij (kapitulli 34).

Apostulli Pal na kujton se libri ka një mesazh për ne, po ashtu edhe për Izraelin. Duke komentuar Ligjin e Përtërirë 25:4, thotë se është shkruar «për ne» (1 e Korintasve 9:10).

Libri është i pasur me nxitje, që mund të përmblidhen në foljet e Ligjit te Perterirë 5:1: «Dëgjo […] mëso […] zotohu […] zbato».

PARAQITJE E PËRGJITHSHME

I. LIGJËRATA E PARË E MOISIUT – AFËR TOKËS SË PREMTUAR (kapitujt 1-4)
A. Hyrje (1:1-5)
B. Nga Horebi në Kadesh (1:6-46)
C. Nga Kadeshi në Heshbon (kapitulli 2)
D. Kalimi i sigurt i Jordanit (kapitulli 3)
E. Nxitje për bindje (kapitulli 4)
II. LIGJËRATA E DYTË E MOISIUT – PASTËRTIA NË TOKËN E PREMTUAR (kapitujt 5-28)
A. Përmbledhje e Besëlidhjes së Sinait (kapitulli 5)
B. Paralajmërime kundër mosbindjes (kapitulli 6)
C. Udhëzime për trajtimin e kombeve idhujtare (kapitulli 7)
D. Mësime nga e kaluara (8:1-11:7)
E. Shpërblime për bindjen (11:8-32)
F. Statutet e adhurimit (kapitulli 12)
G. Ndëshkimi i profetëve të rremë dhe idhujtarëve (kapitulli 13)
H. Ushqimet e pastra e të papastra (14:1-21)
I. E dhjeta (14:22-29)
J. Trajtimi i borxhlinjve dhe i shërbëtorëve (kapitulli 15)
K. Tri festat e caktuara (kapitulli 16)
L. Gjyqtarët dhe mbretërit (kapitulli 17)
M. Priftërinjtë, levitët dhe profetët (kapitulli 18)
N. Ligjet kundër krimeve (kapitulli 19)
O. Ligjet rreth mirëqenies (kapitulli 20)
P. Ligjet e ndryshme (kapitujt 21-25)
1. Shlyerja për vrasjen e pazgjidhshme (21:1-9)
2. Robëreshat e luftës (21:10-14)
3. Të drejtat e parëbirnisë (21:15-17)
4. Bijtë kryeneçë e rebelë (21:18-21)
5. Trupat e kriminelëve të varur (21:22,23)
6. Nëntë ligje të sjelljes (22:1-22)
7. Shkeljet ndaj pastërtisë seksuale (22:13-30)
8. Të ndaluarit për të hyrë në asamble (23:1-8)
9. Pastërtia në kamp (23:9-14)
10. Ligjet shoqërore e fetare (23:15-25)
11. Ndarja dhe të martuarit përsëri (24:1-4)
12. Ligje të ndryshme shoqërore (24:5-25:5)
13. Ligji i martesës brenda familjes (25:5-10)
14. Tre ligje të veçanta (25:11-19)
Q. Ritet dhe lëniet në fuqi (kapitulli 26)
1. Riti për prodhimet e para (26:1-11)
2. Riti për të dhjetën e vitit të tretë (26:12-15)
3. Lënia në fuqi e besëlidhjes (26:16-19)
R. Mallkimet dhe bekimet (kapitujt 27,28)
III. LIGJËRATA E TRETË E MOISIUT – BESËLIDHJA PËR TOKËN E PREMTUAR (kapitujt 29,30)
A. Besëlidhja e bërë në Moab (29:1-21)
B. Ndëshkimi për shkeljen e besëlidhjes (29:22-29)
C. Ripërtëritja nga kthimi te besëlidhja (kapitulli 30)
IV. DITËT E FUNDIT TË MOISIUT – VDEKJA JASHTË VENDIT (kapitujt 31-34)
A. Zëvendësimi i Moisiut (kapitulli 31)
B. Kantiku i Moisiut (kapitulli 32)
C. Bekimi i Moisiut (kapitulli 33)
D. Vdekja e Moisiut (kapitulli 34)