Shfaqja e Birit të Njeriut dhe pararendësi i Tij (Luka 1:5 – 2:52)

A. Lajmi i Lindjes së Pararendësit (1:5-25)

1:5, 6 Luka e fillon tregimin e tij duke na njohur ne me prindërit e Gjon Pagëzorit. Ata jetuan në një kohë kur Herodi i lig ishte mbreti i madh i Judesë. Ai ishte një Idumenas, që do të thotë një pasardhës i Esaut.

Zakaria (do të thotë Perëndia mban mend) ishte një prift që i përkiste rendit të Abias, një nga 24 klasat në të cilat Davidi e kishte ndarë priftërinë Judease (1 i Kronikave 24:10). Çdo klasë ishte thirrur për të shërbyer në tempull në Jerusalem dy herë në vit nga Shabati në Shabat. Kishte aq shumë priftërinj në atë kohë saqë privilegji i djegies së temjanit në Vendin e Shenjtë vinte njëherë në gjithë jetën, ndoshta dhe asnjëherë.

Elizabeta (do të thotë betimi i Perëndisë) gjithashtu rridhte nga familja priftërore e Aaronit. Ajo dhe bashkëshorti i saj ishin Judenj të përkushtuar, tepër të kujdesshëm në zbatimin e Shkrimeve të DhV, si në ato morale ashtu edhe në ato ceremoniale. Sigurisht që ata nuk ishin të pamëkatshëm, por kur mëkatonin, ata siguroheshin që të ofronin një sakrificë ose ndryshe t’i bindeshin kërkesës rituale.

1:7 Ky çift nuk kishte fëmijë, një gjendje qortuese për çdo Jude. Doktor Luka shënon që shkak i kësaj ishte shterpësia e Elizabetës. Problemi ishte rënduar nga fakti që ata të dy ishin të kaluar në moshë.

1:8-10 Një ditë Zakaria ishte duke përmbushur detyrat e tij priftërore në tempull. Kjo ishte një ditë e madhe në jetën e tij sepse ishte zgjedhur mes shumë të tjerëve për të djegur temjan në Vendin e Shenjtë. Turma e popullit ishte mbledhur jashtë tempullit dhe ishte duke u lutur. Duket se asnjë nuk di me saktësi se në çfarë ore ishte ora e temjanit.

Është tepër frymëzuese të vësh re që Ungjilli hapet me njerëz që luten në tempull dhe mbyllet me njerëz që falënderojnë Perëndinë në tempull. Kapitujt e ndërmjetëm tregojnë sesi lutjet e tyre gjetën përgjigje në Personin dhe veprën e Zotit Jezus.

1:11-14 Me priftin dhe njerëzit në lutje ishte një kohë e përshtatshme dhe një mjedis për një zbulesë hyjnore. Një engjëll i Zotit iu shfaq duke qëndruar në këmbë në të djathtën e altarit të temjanit – vendi i nderit. Në fillim Zakaria u tmerrua; asnjë nga bashkëkohësit e tij nuk kishte parë një engjëll. Por engjëlli e siguroi atë me lajme të mrekullueshme. Elizabeta do të lindte një djalë që do ta quanin Gjon (dashamirësia apo hiri i Jehovah). Plus gëzimit dhe harresë që do t’i sillte prindërve të tij, ai do të ishte një bekim për shumë vetë.

1:15 Ky fëmijë do të ishte i madh përpara Zotit (i vetmi lloj i madhështisë që ka vlerë). Para së gjithash, ai do të ishte i madh për sa i përket veçimit të tij si person përpara Perëndisë; ai nuk do të pinte as verë (të bërë prej rrushi) dhe as pije dehëse (të bërë prej gruri). Së dyti, ai do të ishte i madh në dhuntinë frymërore; ai do të ishte i përplotë me Frymën e Shenjtë që në barkun e së ëmës. (Kjo nuk mund të nënkuptojë që Gjoni ishte i shpëtuar apo i kthyer që nga lindja, por vetëm që Fryma e Perëndisë ishte në të që nga fillimi për ta përgatitur atë për misionin e tij të veçantë si pararendësi i Krishtit.)

1:16, 17 Së treti, ai do të ishte i madh në rolin e tij si lajmëtari i Mesias. Ai do të kthente shumë nga Judenjtë tek Zoti. Shërbesa e tij do të ishte si ajo e profetit Elia – duke kërkuar ta sillte popullin në një marrëdhënie të drejtë me Perëndinë me anë të pendimit. Siç ka thënë Coleman Luck:

Predikimi i tij do t’i kthente zemrat e prindërve të pakujdesshëm në një përkujdesje të vërtetë shpirtërore për fëmijët e tyre. Gjithashtu ai do t’i kthente zemrat e fëmijëve të pabindur dhe rebelë tek “dituria e të drejtit.” {{1}}

Me fjalë të tjera ai do të përpiqej të mblidhte nga bota një shoqëri besimtarësh që do të ishin gati të takonin Zotin kur Ai të shfaqej. Kjo është një shërbesë që ka vlerë për secilin nga ne.

Vini re se si është përfshirë hyjnishmëria e Krishtit në vargjet 16 dhe 17. Në vargun 16, thuhet që Gjoni do të kthente shumë prej bijve të Izraelit te Zoti, Perëndia i tyre. Më pas në vargun 17 thuhet që Gjoni do të shkonte përpara Tij. Kujt i referohet fjala Tij? Me sa duket fjalëve Zotit, Perëndisë së tyre në vargun pararendës. Dhe ne dimë që Gjoni ishte pararendësi i Jezusit. Konkluzioni pra është i qartë. Jezusi është Perëndi.

1:18 Zakaria i moshuar ishte goditur fort nga pamundësia e dukshme e premtimit. Së bashku ai dhe gruaja e tij ishin shumë të moshuar për t’u bërë prindërit e një fëmije. Pyetja e tij naive shprehte gjithë dyshimin e ndrydhur të zemrës së tij.

1:19 Engjëlli iu përgjigj së pari duke e prezantuar veten si Gabrieli (i forti i Perëndisë). Megjithëse në përgjithësi përshkruhet si një kryeengjëll, në Shkrimet ai është përmendur si një që qëndron në prezencën e Perëndisë dhe që sjell mesazhet nga Perëndia tek njerëzit (Dan. 8:16; 9:21).

1:20 Ngaqë Zakaria dyshoi, do të humbiste fuqinë e të folurit derisa të lindte fëmija. Kurdo që një besimtar ushqen dyshime në lidhje me Fjalën e Perëndisë, ai humbet dëshminë dhe këngën e tij. Mosbesimi vulos buzët dhe ato mbeten të mbyllura derisa besimi kthehet dhe shpërthen në lavdërim dhe dëshmi.

1:21, 22 Jashtë, njerëzit ishin duke pritur me padurim; sipas zakonit prifti që digjte temjanin duhet të kishte dalë shumë më shpejt. Kur Zakaria më në fund doli jashtë, atij i duhej të komunikonte me ta me shenja. Atëherë ata e kuptuan që ai kishte parë një vegim në tempull.

1:23 Pasi u plotësuan ditët e shërbesës së tij në tempull, prifti u kthye në shtëpi, ende jo në gjendje për të folur, ashtu siç i kishte thënë engjëlli.

1:24, 25 Kur Elizabeta mbeti shtatzënë ajo shkoi në izolim në shtëpinë e saj për pesë muaj, duke gëzuar brenda vetes që Zoti e pa të përshtatshme ta çlironte atë nga turpi i të qenurit shterpë.

B. Shpallja e lindjes së Birit të Njeriut (1:26-38)

1:26, 27 Në muajin e gjashtë pas shfaqjes së tij para Zakarias (ose pasi Elizabeta mbeti shtatzënë), Gabrieli u rishfaq – këtë herë tek një e virgjër e quajtur Maria e cila jetonte në qytetin e Nazaretit, brenda territorit të Galilesë. Maria ishte e fejuarme një njeri që quhej Jozef, një pasardhës i vijës së Davidit, i cili trashëgonte të drejta ligjore për fronin e Davidit, megjithëse ishte një marangoz. Fejesa e asaj kohe ishte një lidhje shumë më e fortë sesa fejesa e sotme. Ajo mund të prishej vetëm me anë të një dekreti ligjor si divorci i ditëve të sotme.

1:28 Engjëlli iu drejtua Marisë si një që ishte hirplotë, një të cilën Zoti ishte duke e vizituar me një privilegj të veçantë. Këtu duhen vënë re dy gjëra: (1) Engjëlli nuk e adhuroi Marinë dhe as iu lut asaj; ai thjesht sa e përshëndeti atë. (2) Ai nuk tha që ajo ishte “e mbushur me hir,” [siç thotë kisha katolike] por thjesht “e bekuar.” {{2}}

1:29, 30 Është e kuptueshme që Maria të ketë mbetur e shqetësuar nga kjo përshëndetje; ajo mendonte se cili ishte kuptimi i këtyre fjalëve. Engjëlli qetësoi frikën që ajo kishte duke i thënë se Perëndia po e zgjidhte atë për të qenë nëna e Mesias të shumëpritur.

1:31-33 Vini re të vërtetat e rëndësishme që ruan në këtë shpallje:

Natyra njerëzore e vërtetë e Mesias – ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një Djalë.

Hyjnishmëria e Tij si dhe misioni i Tij si Shpëtimtar – dhe do t’ia vësh emrin JEZUS (që do të thotë Jehovah është Shpëtimtari).

Madhështia e Tij thelbësore – Ai do të jetë i madh, si për sa i përket Personit ashtu edhe veprës së Tij.

Identiteti i Tij si Biri i Perëndisë – dhe do të quhet Biri i Shumë të Lartit.

Titulli i Tij për fronin e Davidit – Zoti, Perëndi do t’i japë fronin e Davidit, atit të Tij. Kjo gjë e vendos Atë si Mesi.

Mbretërimi i Tij universal dhe i përjetshëm – do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përjetë dhe mbretëria e Tij nuk do të ketë kurrë të sosur.

Është tepër e qartë që vargjet 31 dhe 32a i referohen Ardhjes së Parë të Krishtit, ndërsa vargjet 32b dhe 33 përshkruajnë Ardhjen e Tij të Dytë si Mbret i mbretërve dhe Zot i zotërve.

1:34, 35 Pyetja e Marisë, “Si do të ndodhë kjo?” ishte një pyetje habije dhe jo dyshimi. Si mund të mbante ajo në barkun e saj një fëmijë kur nuk kishte patur asnjë marrëdhënie me një burrë? Megjithëse engjëlli nuk e tha këtë gjë në shumë fjalë, përgjigjja ishte një lindje prej një të virgjëre. Do të ishte një mrekulli e Frymës së Shenjtë. Ai do të vinte mbi të dhe fuqia e Perëndisë do ta mbulonte me hijen e vet. Përgjigjja e Perëndisë për pyetjen e Marisë “Si?” – dukej e pamundur për të kuptuarit njerëzor – është “Fryma e Shenjtë.”

“Prandaj i Shenjti që do të lindë prej teje do të quhet Bir i Perëndisë.” Këtu ne kemi një thënie sublime që i takon mishërimit. Biri i Marisë do të ishte Perëndia i shfaqur në mish. Gjuha nuk mund ta nxjerrë misterin që fshihet këtu.

1:36, 37 Më pas engjëlli i tha Marisë lajmin që Elizabeta, kushërira e saj, ishte në muajin e saj të gjashtë të shtatzanisë – ajo që kishte qenë shterpë. Kjo mrekulli duhet ta siguronte Marinë që me Perëndinë asgjë s’është e pamundur.

1:38 Me një nënshtrim të mrekullueshëm, Maria ia dorëzoi veten Zotit për përmbushjen e qëllimeve të Tij të mahnitshme. Më pas engjëlli u largua prej saj.

C. Maria viziton Elizabetën (1:39-45)

1:39, 40 Ne nuk na thuhet përse Maria shkoi për të vizituar Elizabetën në këtë kohë. Mund të kishte qenë për të shmangur skandalin që do të dilte në pah në mënyrë të pashmangshme në Nazaret kur të bëhej e njohur gjendja e saj. Nëse është kështu, mirëseardhja dhe mirësia që Elizabeta do të ketë treguar ndaj Marisë duhet të kenë qenë me të vërtetë shumë të përzemërta.

1:41 Sapo Elizabeta dëgjoi zërin e Marisë, fëmija i kërceu në bark – një përgjigje e mistershme dhe e pavullnetshme e pararendësit të palindur ndaj mbërritjes së Mesias të palindur. Elizabeta u mbush me Frymën e Shenjtë, që do të thotë se Fryma e Shenjtë e mori atë nën kontrollin e Tij, duke drejtuar fjalët dhe veprimet e saj.

Në kapitullin e parë janë tre persona për të cilët është thënë që u mbushën me Frymën e Shenjtë: Gjon Pagëzori (v 15); Elizabeta (v 41); dhe Zakaria (v 67).

Një nga shenjat e jetës së mbushur me Frymën e Shenjtë është të folurit me psalme, himne dhe këngë frymërore (Efes. 5:18, 19). Prandaj ne nuk çuditemi kur shohim në këtë kapitull tre këngë plus dy të tjera në kapitullin tjetër. Katër nga këto këngë njihen me emrat e tyre latinë, të cilët janë marrë nga vargjet e para: (1) Përshëndetja e Elizabetës (1:42-45); (2) Magnificat (madhështon) (1:46-55); (3) Benedictus (i bekuar) (1:68-79); (4) Gloria in Excelsis Deo (Lavdi Perëndisë në lartësi) (2:14); dhe (5) Nunc Dimittis (tani lejo të nisem) (2:29-32).

1:42-45 Duke folur me një frymëzim të veçantë, Elizabeta e përshëndeti Marinë si “nëna e Zotit tim.” Në zemrën e saj nuk kishte asnjë shenjë xhelozie; vetëm gëzim dhe kënaqësi që fëmija i palindur do të ishte Zoti i saj. Maria ishte e bekuar ndër gratë për faktin që asaj i ishte dhënë privilegji që të mbante në barkun e saj Mesian. Fryti i barkut të saj është i bekuar pasi Ai është Zot dhe Shpëtimtar. Bibla kurrë nuk e quan Marinë “nëna e Perëndisë.” Ndërkohë që është e vërtetë që ajo është nëna e Jezusit, dhe që Jezusi është Perëndi, është padyshim një absurditet doktrinal që të thuhet se Perëndia ka një nënë. Jezusi ka ekzistuar nga përjetësia ndërkohë që Maria ishte një krijesë me një fund, me një ditë të fundit që kur filloi të ekzistonte. Ajo ishte nëna e Jezusit vetëm në Mishërimin e Tij.

Elizabeta rrëfeu gëzimin intuitivisht të dukshëm të fëmijës së saj ende të palindur kur Maria foli. Më pas ajo e siguroi Marinë që besimi i saj do të shpërblehej pa masë. Ajo që priste do të përmbushej. Ajo nuk kishte besuar kot. Fëmija i saj do të lindte ashtu siç i ishte premtuar.

D. Maria madhështon Zotin (1:46-56)

1:46-49 Magnificati i ngjan këngës së Anës (1 Sam. 2:1-10). Së pari Maria e lavdëroi Zotin për atë që Ai kishte bërë për të (v 46b-49). Vini re që ajo tha (v 48) “të gjitha kombet do të më shpallin fatlume.” Ajo nuk do të ishte dikush që do të jepte bekime, por një që do të ishte e bekuar. Ajo e quan Perëndinë Shpëtimtarin e saj, dhe kjo hedh poshtë idenë që Maria ishte pa mëkat.

1:50-53 Së dyti, ajo e lavdëroi Zotin për mëshirën e Tij e cila shtrihet brez pas brezi për ata që e druajnë. Aipërmbys pushtetarët dhe krenarët dhe ngre nga pluhuri të përulurin dhe të uriturin.

1:54-55 Së fundi, madhështon Zotin për besnikërinë e Tij ndaj Izraelit duke mbajtur premtimet që i kishte bërë Abrahamit dhe pasardhjes së tij.

1:56 Pasi qëndroi me Elizabetën për tre muaj, Maria u kthyenë shtëpinë e saj në Nazaret. Ajo ende nuk ishte martuar. Pa dyshim që ajo u bë një objekt dyshimi dhe shpifjesh në rrethin e saj shoqëror. Por Perëndia do ta shfajësonte atë; ajo do të mund të priste.

E. Lindja e Pararendësit (1:57-66)

1:57-61 kohën e caktuar Elizabeta lindi një djalë. Të afërmit dhe miqtë e saj ishin të kënaqur. Në ditën e tetë, kur fëmija u rrethpre, ata mendonin që ishte një përfundim i ditur që më parë që ai të quhej Zakaria si ati i tij. Kur nëna u tha atyre që emri i fëmijës do të ishte Gjon, ata u habitën, sepse asnjë nga të afërmit nuk quhej kështu.

1:62, 63 Për të marrë vendimin përfundimtar ata pyetën të atin me shenja. (Kjo tregon që ai nuk ishte vetëm memec, por edhe i shurdhët). Duke kërkuar një tabelë shkrimi, ai i dha zgjidhjen problemit – emri i tij do të ishte Gjon. Të gjithë u mrekulluan.

1:64-66 Por ishte akoma më tepër e çuditshme kur ata të gjithë vunë re që Zakarias iu kthye të folurit kur ai shkroi “Gjon.” Lajmi u shpërnda menjëherë në gjithë krahinën jugore të Judesë, dhe njerëzit ishin në pritje të veprës që do të kryente në të ardhmen ky fëmijë i pazakontë. Ata e dinin që dora e Zotit ishte me të.

F. Profecia e Zakarisë në lidhje me Gjonin (1:67-80)

1:67 I çliruar tani nga zinxhirët e mosbesimit dhe i mbushur me Frymën e Shenjtë, Zakaria u frymëzua për të shpallur një himn gojor lavdërimi, i pasur me citime nga Dhjata e Vjetër.

1:68, 69Lavdi Perëndisë për atë që Ai ka bërë. Zakaria kuptoi që lindja e birit të tij, Gjonit, tregoi pashmangshmërinë e ardhjes së Mesias. Ai foli për ardhjen e Krishtit si për një fakt të kryer përpara se të ndodhte. Besimi e lejonte atë të thoshte se Perëndia tashmë e kishte vizituar dhe e kishte kryer çlirimin e popullin e tij duke dërguar Shpenguesin. Jehovah kishte ngritur një shpëtim të pushtetshëm në shtëpinë mbretërore të Davidit. (“shpëtim i pushtetshëm” gjithashtu mund të thotë “mbreti i shpëtimit nga fisi mbretëror i Davidit”)

1:70-71Lavdi Perëndisë për përmbushjen e profecisë. Ardhja e Mesias ishte parathënë nga profetët e shenjtë … që nga kohët e lashta. Kjo do të thoshte shpëtim nga armiqtë dhe siguri nga i ligu.

1:72-75Lavdi Perëndisë për besnikërinë e Tij ndaj premtimeve të Tij. Zoti kishte bërë një besëlidhje shpëtimi pa kusht me Abrahamin. Ky premtim ishte përmbushur me ardhjen e pasardhjes së Abrahamit, quajtur Zoti Jezus Krisht. Shpëtimi që Ai solli ishte si i brendshëm ashtu edhe i jashtëm. Së jashtmi, do të thoshte çlirim nga dora e armiqve të tyre. Së brendshmi, do të thoshte t’i shërbeje Atij pa frikë, në shenjtëri dhe në drejtësi.

G. Campbell Morgan nxjerr dy mendime mahnitëse në këtë paragraf {{3}}. Së pari, ai jep lidhjen tërheqëse midis emrit të Gjonit dhe temës së këngës – të dyja i takojnë hirit të Perëndisë. Më pas ai gjen aluzione për sa i përket emrave të Gjonit, Zakarisë dhe Elizabetës në vargjet 72 dhe 73.

Gjon – mëshira e premtuar (v 72).

Zakaria – kujtoj (v 72).

Elizabeta – betimi (v 73).

Dora e Perëndisë, siç është shpallur nga Gjoni, duket në atë që Ai mban mend betimin e besëlidhjes së Tij.

1:76, 77 Misioni i Gjonit, lajmëtarit të Shpëtimtarit. Gjoni do të ishte profeti i Shumë të Lartit, që do të përgatiste zemrat e njerëzve për ardhjen e Zotit dhe që do t’i shpallte shpëtimin popullit të Tij me anë faljes së mëkateve të tyre. Këtu ne përsëri shohim që referimet e bëra për Jehovah në Dhjatën e Vjetër këtu janë përdorur për Jezusin. Malakia profetizoi për një lajmëtar që do të përgatiste udhën përpara Jehovah (3:1). Zakaria e identifikon Gjonin si lajmëtar. Ne dimë që Gjoni erdhi për të përgatitur udhën përpara Jezusit. Konkluzioni që mund të nxjerrim është që Jezusi është Jehovah.

1:78, 79Ardhja e Krishtit është përngjasuar me lindjen e diellit. Për shekuj të tërë, bota ka qenë dergjur në errësirë. Tani për hir të thellësisë së mëshirës së Perëndisë sonë, agimi ishte gati për t’u shfaqur. Ai do të vinte në Personin e Krishtit, duke ndriçuar mbi Johebrenjtë të cilët ishin në errësirë dhe në hijen e vdekjes, dhe duke drejtuar këmbët e Izraelit në udhën e paqes (shiko Malakia 4:2).

1:80 Kapitulli mbyllet me një thënie të thjeshtë ku tregohet që fëmija rritej fizikisht dhe shpirtërisht, duke qëndruar në shkretëtirë deri në ditën e shfaqjes së tij publike përpara kombit të Izraelit.

G. Lindja e Birit të Njeriut (2:1-7)

2:1-3 Cezar Augusti nxori një dekret ku thuhej se duhet të regjistrohej popullsia e gjithë perandorisë. Ky regjistrim ishte bërë për herë të parë kur Kuirini ishte guvernator i Sirisë. Për shumë vjet saktësia e Ungjillit të Lukës ishte vënë në pyetje për shkak të këtij referimi që i bën Kuirinit. Zbulimet e vona të arkeologjisë kanë arritur sado pak të konfirmojnë këtë shënim. Nga këndvështrimi i tij, Cezar Augusti ishte duke treguar superioritetin e tij në botën Greko – Romake. Por nga këndvështrimi i Perëndisë, ky perandor pagan ishte thjesht një kukull që do të çonte përpara programin hyjnor (shih Fja 21:1).

2:4-7 Dekreti i Augustit e çoi Jozefin dhe MarinëBetlehem në kohën e duhur me qëllim që Mesia të mund të lindte në përmbushjen e plotë të profecisë (Mikea 5:2). Betlehemi ishte i mbushur plot kur ata mbërritën nga Galilea. I vetmi vend që mundën të gjenin ishte stalla e një hani. Kjo ishte një shenjë, një skenë që tregonte se si do ta prisnin njerëzit Shpëtimtarin. Ishte pikërisht pra në këtë kohë që Maria lindi djalin e saj të parëlindur. Duke e mbështjellë Atë me pelena, me dashuri e vendosi atë në një grazhd.

Kështu e vizitoi Perëndia planetin tonë, në Personin e një Foshnje të pambrojtur dhe në varfërinë e një grazhdi. Sa e habitshme! Darby e ka shprehur bukur:

Ai filloi në një grazhd, dhe mbaroi në një kryq. Përgjatë kësaj rruge të gjatë nuk kishte asnjë vend për të vënë kokën. {{4}}

H. Engjëjt dhe Barinjtë (2:8-20)

2:8 Njoftimi i parë i kësaj lindjeje unike nuk iu dha krerëve fetarë në Jerusalem, por barinjve soditës në luginat Judease, njerëzve të përulur që ishin besnikë në punën e tyre të përditshme. James S. Stewart vë re:

Dhe a nuk ka shumë kuptim në faktin që ishin njerëzit më të zakonshëm, njerëzit e zënë me punën e tyre të përditshme, njerëz sytë e të cilëve panë të parët lavdinë e Zotit që do të vinte? Kjo së pari do të thotë që vendi i detyrës, sado i përulur qoftë ai, është vendi i vizionit. Dhe do të thotë së dyti, që janë ata njerëz të cilët kanë pasur nderimin më të thjeshtë dhe më të thellë të jetës dhe që nuk kanë humbur zemrën fëminore, të cilëve dyert e Mbretërisë u hapen pa vështirësi. {{5}}

2:9-11 Një engjëll i Zotit erdhi tek barinjtë dhe një dritë e shkëlqyeshme dhe e lavdishme shkëlqeu rreth tyre. Ndërkohë që ata i pushtoi një terror i vërtetë, engjëlli i ngushëlloi dhe u dha lajmin. Ishte një gëzim i madh për të gjithë popullin. Atë ditë, në Betlehemin e afërt, ishte lindur një Fëmijë. Ky fëmijë ishte një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti! Këtu ne kemi një teologji të tërë të dhënë në miniaturë. Së pari, Ai është një Shpëtimtar, gjë që shprehet në emrin e Tij Jezus. Më pas Ai është Krisht, i Vajosuri i Perëndisë, Mesia i Izraelit. Së fundi, Ai është Zoti, Perëndia i shfaqur në mish.

2:12 Si do të mund ta njihnin Atë barinjtë? Engjëjt i dhanë atyre një shenjë të dyfishtë. Së pari, Fëmija do të ishte i mbështjellë në pelena. Ata kishin parë edhe më parë fëmijë të mbështjellë në pelena. Por engjëjt sapo kishin shpallur që ky fëmijë ishte Zoti. Askush nuk e kishte parë Zotin si një fëmijë të vogël të mbështjellë me pelena. Pjesa e dytë e shenjës ishte që Ai do të ishte i shtrirë në një grazhd. Ndoshta barinjtë kurrë nuk kishin parë një fëmijë në një vend të tillë të pazakontë. Ky poshtërim ishte ruajtur për Zotin e jetës dhe të lavdisë kur Ai erdhi në botën tonë. Mendjet tona turbullohen kur mendojnë që Krijuesi dhe Mbajtësi i universit hyri në historinë njerëzore jo si një hero luftarak, por si një Fëmijë i vogël. Dhe përsëri kjo është e vërteta e Mishërimit.

2:13, 14 Menjëherë shpërtheu emocioni i ndrydhur i qiellit. Një shumicë e ushtrisë qiellore u shfaq duke lëvduar Perëndinë. Kënga e tyre e njohur sot me titullin, Gloria in Excelsis Deo, arrin domethënien e plotë të lindjes së Fëmijës. Jeta dhe shërbesa e Tij do t’i sillte lavdi Perëndisë në vendet e larta dhe paqe mbi tokë njerëzve, ose ndoshta njerëzve në të cilët Ai kënaqet. {{6}} Njerëzit në të cilët kënaqet Perëndia janë ata që pendohen nga mëkatet e tyre dhe pranojnë Jezus Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e tyre.

2:15-19 Sapo engjëjt u nisën, barinjtë nxituan për në Betlehem dhe gjetën Marinë dhe Jozefin, dhe Jezusin që ndodhej në një grazhd. Ata u raportuan vizitën e engjëjve, duke shkaktuar një habi të madhe në ata që ishin mbledhur rreth stallës. Por Maria e cila kuptonte më thellë atë që ishte duke ndodhur; i ruante në zemrën e saj të gjitha këto gjëra duke medituar rreth tyre.

2:20 Barinjtë u kthyen tek kopetë e tyre, tepër të gëzuar për atë që kishin parë dhe dëgjuar, duke adhuruar Perëndinë.

I. Rrethprerja dhe përkushtimi i Jezusit (2:21-24)

Në këtë pjesë janë përshkruar të paktën tre rituale të ndryshme:

  1. Së pari ishte rrethprerja e Jezusit. Kjo ndodhi kur Ai ishte tetë ditë. Ishte një shenjë e besëlidhjes që Perëndia bëri me Abrahamin. Në të njëjtën ditë, Fëmijës iu dha emri, sipas zakonit Jude. Engjëlli më parë i kishte udhëzuar Marinë dhe Jozefin ta quanin Atë JEZUS.

  2. Ceremonia e dytë lidhej me pastrimin e Marisë. Kjo ndodhi dyzet ditë pas lindjes së Jezusit (shih Levitiku 12:1-4). Prindërve të zakonshëm u kërkohej të sillnin një qengj për një ofertë që digjej dhe një pëllumb të ri ose një turtull për ofertën e mëkatit.

Por në rastin e prindërve të varfër, atyre u lejohej të sillnin “një çift turtujsh ose dy pëllumbash të rinj” (Lev. 12:6-8). Fakti që Maria nuk solli qengj, por vetëm dy pëllumba të rinj tregon varfërinë në të cilën u lind Jezusi.

  1. Rituali i tretë ishte paraqitja e Jezusit në tempull në Jerusalem. Që në fillim Perëndia kishte urdhëruar që bijtë e parëlindur i takonin Atij; ata duhet të formonin klasën priftërore (Eksodi 13:2). Më vonë, Ai zgjodhi fisin e Levit për të shërbyer si priftërinj (Eksodi 28:1,2). Më pas prindërit lejoheshin të “blinin përsëri” ose të “shpengonin” të parëlindurin e tyre duke paguar pesë sikla. Këtë e bënin kur ia dedikonin atë Zotit.

J. Simeoni jeton për të parë Mesian (2:25-35)

2:25, 26 Simeoni ishte një nga mbetja e perëndishme e Judenjve që ishte duke pritur ardhjen e Mesias. Atij i ishte zbuluar nga Fryma e Shenjtë që nuk do të vdiste para se të kishte parë Krishtin e Zotit, ose të Vajosurin. “Sekreti i Zotit u zbulohet atyre që kanë frikë prej Tij” (Psa. 25:14). Ekziston një komunikim i mistershëm i njohurisë hyjnore tek ata që ecin në një bashkësi të qetë dhe të thellë me Perëndinë.

2:27-28 Kështu ndodhi pra që ai hyri në tempull pikërisht në atë ditë kur prindërit e Jezusit po ia paraqisnin Atë Perëndisë. Simeoni ishte udhëzuar në një mënyrë të mbinatyrshme që ky Fëmijë ishte Mesia i premtuar. Duke e marrë Jezusin në krahët e tij ai këndoi këngën e paharrueshme që tani njihet me titullin Nunc Dimittis (Tani ti po lejon … të niset).

2:29-32 Refreni i këngës është si më poshtë: Tani o Zot lejo që unë të nisem në paqe. Sytë e mi panë shpëtimin Tënd në Personin e kësaj Foshnje, Shpengimtari i premtuar, ashtu si më pate premtuar mua. Ti e caktove Atë për të siguruar shpëtim për të gjitha klasat e njerëzve. Ai do të jetë një dritë për të ndriçuar kombet (Ardhja e Tij e parë) dhe për të ndriçuar lavdinë e popullit tënd Izraelit (Ardhja e Tij e dytë). Simeoni ishte gati të vdiste pasi takoi Zotin Jezus. Gjëmba e vdekjes shkoi.

2:33 Luka ruan me kujdes doktrinën e Lindjes së Virgjëreshës me fjalët e tij preçize Jozefi dhe nëna e Tij, kështu është shkruar në versionin King James sipas shumicës së dorëshkrimeve. {{7}}

2:34, 35 Pas shpërthimit të parë të lavdërimeve për Mesinë, Simeoni bekoi prindërit dhe më pas i foli Marisë në mënyrë profetike. Profecia përbëhet nga katër pjesë:

  1. Ky fëmijë ishte vënë për rënien dhe për ngritjen e shumë vetave në Izrael. Ata që ishin arrogantë, që nuk pendoheshin dhe që nuk kishin besim do të binin dhe do të dënoheshin. Ata që përulnin vetveten, që pendoheshin për mëkatet e tyre dhe që pranonin Zotin Jezus do të ngriheshin dhe do të bekoheshin.
  2. Fëmija ishte vënë për të qenë një shenjë kundërshtimesh. Ekzistonte një domethënie e veçantë në lidhje me Personin e Krishtit. Prezenca e Tij në tokë provoi një qortim tepër të ashpër ndaj mëkatit dhe pashenjtërisë, dhe kështu nxori në pah armiqësinë e hidhur të zemrës njerëzore.

3. Edhe ty vetë një shpatë do të ta tejshpojë shpirtin. Simeoni ishte duke profetizuar trishtimin që do të mbyste zemrën e Marisë kur ajo do të ishte dëshmitare okulare e kryqëzimit të Birit të saj (Gjoni 19:25).

4. …që të zbulohen mendimet e shumë zemrave. Mënyra me të cilën një person reagon ndaj Shpëtimtarit është një provë e motiveve dhe ndjenjave të tij të brendshme.

Kështu kënga e Simeonit përfshin idetë e gurit të provës, e gurit të pengesës, e gurit të shkeljes, dhe e shpatës.

K. Profetesha Ana (2:36-39)

2:36, 37 Ana, profetesha, ishte si Simeoni, një anëtare e mbetjes besnike të Izraelit që ishte duke pritur për ardhjen e Mesias. Ajo ishte nga fisi i Aserit (që do të thotë i gëzuar, i bekuar), një nga dhjetë fiset që ishte mbajtur në robëri nga Sirianët në vitin 721 p.e.s. Ana duhet të ketë qenë mbi 100 vjet, pasi kishte qenë e martuar për 7 vjet dhe më pas kishte qenë e ve për 84 vjet. Si një profeteshë, ajo pa dyshim që kishte marrë zbulime hyjnore dhe kishte shërbyer si një zëdhënëse e Perëndisë. Ajo ishte besnike në qëndrimin e saj në shërbesat publike në tempull, duke adhuruar me agjërime dhe përgjërime ditë e natë. Mosha e saj e madhe nuk e pengoi atë nga shërbesa për Zotin.

2:38 Në kohën kur Jezusi po i paraqitej Zotit dhe kur Simeoni po fliste me Marinë, Ana u shfaq në këtë grumbull të vogël njerëzish. Ajo lavdëroi Zotin për Shpengimtarin e premtuar, dhe më pas u foli për Jezusin besnikëve në Jerusalem të cilët ishin duke pritur çlirim.

2:39 Pasi Jozefi dhe Maria kishin kryer ritet e pastrimit dhe të përkushtimit, u kthyen në Galile, në vendlindjen e tyre Nazaret. Luka nuk përmend vizitën e dijetarëve apo të ikjes në Egjipt.

L. Fëmijëria e Jezusit (2:40-52)

2:40 Rritja normale e Fëmijës Jezus është përshkruar si më poshtë: Ai rritej fizikisht dhe forcohej në Frymë. {{8}} Ai kaloi në të gjitha fazat e zhvillimit fizik, duke mësuar të ecte, të fliste, të luante dhe të punonte. Për shkak të të gjitha këtyre Ai mund të na përkrahë ne në çdo fazë të rritjes sonë. Mendërisht Ai ishte i mbushur me dituri. Ai jo vetëm që mësoi ABC’në, numrat dhe gjithë njohurinë e zakonshme të asaj kohe, por Ai rritej në dituri, që do të thotë në vënien në praktikë të kësaj diturie në problemet e jetës. Frymërishthiri i Perëndisë ishte mbi Të. Ai eci në bashkësi me Perëndinë dhe ishte në varësi të plotë të Frymës së Shenjtë. Ai studioi Biblën, kaloi kohë në lutje dhe kënaqej duke bërë vullnetin e Atit të Tij.

2:41-44 Një djalë Jude bëhet një bir i ligjit në moshën dymbëdhjetë vjeçare. Kur Zoti ynë mbushi dymbëdhjetë vjeç, familja e Tij bëri udhëtimin e përvitshëm të saj duke u ngjitur në Jerusalem për festën e Pashkëve. Por kur u ngritën për t’u kthyer në Galile, nuk e vunë re që Jezusi nuk ishte me ta në udhëtim. Kjo mund të na duket e çuditshme nëse nuk shohim që familja ndoshta ishte duke udhëtuar me një karvan të gjatë. Pa dyshim që ata kishin menduar që Jezusi ishte duke ecur me moshatarët e Tij.

Përpara se të fajësojmë Marinë dhe Jozefin, duhet të mos harrojmë se sa e thjeshtë është për ne të jemi në një udhëtim ditor, duke menduar se Jezusi është në shoqëri me ne, kur në të vërtetë ne kemi humbur kontaktin me Të për shkak të mëkatit të parrëfyer në jetët tona. Për të rivendosur kontaktin me Të, ne duhet të kthehemi tek vendi ku bashkësia jonë është prishur dhe më pas të rrëfejmë dhe të braktisim mëkatin.

2:45-47 Duke u kthyer në Jerusalem prindërit tepër të shqetësuar, e gjetën Jezusin në tempull, të ulur në mes të dijetarëve, duke i dëgjuar dhe duke u bërë atyre pyetje. Nuk ekziston ndonjë mendim që Ai ishte duke vepruar si një fëmijë krenar duke debatuar me pleqtë e Tij. Për më tepër ai zuri vendin e një fëmije normal, duke mësuar me përulësi dhe me qetësi nga mësuesit e Tij. Dhe gjatë kësaj kohe Atij duhet t’i jenë bërë disa pyetje sepse Shkrimi thotë që njerëzit që e dëgjonin habiteshin.

2:48 Madje edhe prindërit e Tij u habitën kur e gjetën Jezusin duke marrë pjesë kaq zgjuarsisht në një bisedë me ata që ishin shumë vjet më të moshuar se Ai. Dhe përsëri e ëma e Tij shprehu ankthin dhe shqetësimin e saj duke e qortuar. A nuk e dinte Ai që ata ishin shqetësuar për Të?

2:49 Përgjigjja e Zotit, fjalët e Tij të para që janë shkruar për ne, tregojnë që Ai ishte i gjithëdijshëm përreth identitetit të Tij si Biri i Perëndisë, si dhe për misionin e Tij hyjnor. “Përse më kërkonit? A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?” Ajo tha, “yt atë dhe unë.” Ai tha, “Punët e Atit tim.”

2:50 Në atë kohë, ata nuk i kuptuan fjalët e Tij të thella. Ishte diçka e pazakontë për t’u thënë nga një Djalë dymbëdhjetë vjeçar!

2:51 Sidoqoftë ata u bashkuan për t’u kthyer në Nazaret. Përsosmëria morale e Jezusit shihet në fjalët “Ai u bindej atyre.” Megjithëse ishte Krijuesi i universit, Ai zuri vend si një fëmijë i bindur në këtë familje të thjeshtë Judease. Por gjatë gjithë kohës, e ëma i ruante të gjitha këto fjalë në zemrën e saj.

2:52 Ne kemi përsëri të përshkruar njerëzishmërinë dhe rritjen normale të Zotit tonë:

<

p style=”margin-left: 0.25in; line-height: 100%;” align=”left”>1. Rritja e Tij mendore – rritej në dituri.

2. Rritjen e Tij fizike – në shtat.

3. Rritjen e Tij frymërore – në hir përpara Perëndisë.

4. Rritja e Tij shoqërore – në hir përpara njerëzve.

Ai ishte absolutisht i përsosur në çdo aspekt të rritjes së Tij. Tregimi i Lukës në heshtje kalon pa përmendur tetëmbëdhjetë vitet të cilat Zoti Jezus i kaloi si një marangoz. Këto vite na mësojnë ne rëndësinë e përgatitjes dhe trajnimit, domosdoshmërinë e durimit dhe vlerën e punës së zakonshme. Ato paralajmërojnë kundër tundimit për t’u hedhur nga lindja frymërore tek shërbesa publike. Ata që nuk kanë një fëmijëri frymërore normale dhe një adoleshencë të tillë shkaktojnë mjerim në jetën dhe dëshminë e tyre më pas.

[[1]](1:16, 17) G. Coleman Luck, Luke, fq. 17.[[1]] [[2]] Fjala Greke është një pjesore e trajtës pësore, duke treguar që ajo mori hirin. Latinishtja gratia plena (“hirplote”) është keqpërdorur për të mësuar që Maria është një burim hiri. Kjo tregon edhe njëherë rëndësinë e një përkthimi të saktë.[[2]] [[3]] G. Campbell Morgan, The Gospel According to Luke fq. 30, 31.[[3]] [[4]] J. N. Darby, Synopsis of the Books of the Bible, III:293.[[4]] [[5]] Stewart. Life and Teaching, fq. 24.[[5]] [[6]](2:13, 14) Teksti kritik (NU) shkruan “njerëzve të mirë,” që duket se kundërshton doktrinën e Biblës mbi korruptimin e njeriut. Evangjelistët të cilët pranojnë shkrimet kritike, në përgjithësi bëjnë një parafrazim. KJ është mundësisht më i miri.[[6]] [[7]] Shkrimi i NU “babai dhe nëna e Tij” nuk mohon Lindjen e Virgjër, por është më pak i qartë. Krahasoni gjithashtu v. 43 në tekstet tradicionale me tekstin e NU.[[7]] [[8]] Teksti NU lë jashtë “në frymë.”[[8]]


[previous][next]