Ngadhënjimi i Mbretit (Mateu 28)

A. Varri i zbrazët dhe Zoti i ringjallur (28:1-10)

28:1-4 Para se të agonte mëngjesi i së Dielës, dy Maritë shkuan për të parë varrin. Kur arritën atje, ra një tërmet i madh. Një engjëll… zbriti nga qielli, erdhi dhe e rrokullisi gurin nga gryka e varrit dhe u ul mbi të. Të tmerruara nga kjo qenie vezulluese e veshur me të bardha të shndritshme, rojave romake u ra të fikët. 28:5-6 Engjëlli u dha siguri grave se nuk kishin aspak pse të druheshin. Ai që ato po kërkonin ishte ringjallur sikurse kishte premtuar. «Ejani, shikoni vendin ku qe vënë Zoti.» Guri ishte rrokullisur tutje, por jo për të lënë Zotin që të dilte, por që gratë të shikonin se Ai ishte ringjallur. 28:7-10 Pastaj engjëlli i dërgoi gratë që të shkonin shpejt për t’u njoftuar lajmin e lavdishëm dishepujve të Tij. Zoti ishte prapë gjallë. Ai do t’i takonte ata në Galile. Kur ata ishin rrugës, duke shkuar për t’i treguar dishepujve, Jezusi iu shfaq duke i përshëndetur ato me një fjalë të vetme: «Gëzohuni! [Tungjatjeta]» [1]. Ata iu përgjigjën duke i rënë te këmbët dhe duke e adhuruar. Pastaj Ai vetë i porositi ato që t’ua bënin të ditur dishepujve se ata do ta shihnin Atë në Galile.

B. Ushtarët e blerë për të gënjyer (28:11-15)

28:11 Sapo erdhën në vete, disa nga ushtarët shkuan me turp për t’u dhënë lajmin krerëve të priftërinjve. Ata kishin dështuar në misionin e tyre! Varri ishte bosh! 28:12-13 Është e lehtë të merret me mend shtangia e udhëheqësve fetarë. Priftërinjtë mbajtën një mbledhje të fshehtë me pleqtë për të planifikuar strategjinë e tyre. Në dëshpërim, ata i blenë ushtarët me para në mënyrë që këta të tregonin historinë joreale që, dishepujt… e vodhën trupin e Jezusit ndërsa ushtarët po flinin. Ky shpjegim ngre më tepër pyetje se sa ç’jep përgjigje. Pse po flinin ushtarët kur duhej të kishin qenë duke ruajtur? Si mund ta kenë rrokullisur gurin dishepujt pa i zgjuar ata? Si mund t’i ketë zënë gjumi të gjithë ushtarët në të njëjtën kohë? Nëse ata i kishte marrë gjumi, ku e morën vesh ata se trupin e vodhën dishepujt? Në qoftë se kjo histori ishte e vërtetë, pse u desh që të bliheshin ushtarët për ta thënë atë? Në qoftë se trupin e kishin vjedhur dishepujt, pse kishin shpenzuar kohë për të hequr qefinin dhe për të palosur rizën (Luka 24:12; Gjoni 20:6-7)? 28:14 Në të vërtetë ushtarët ishin paguar për të thënë një histori që i fajësonte vetë ata. Të fjeturit në krye të detyrës ndëshkohej me vdekje nga ligji romak. Kështu udhëheqësve fetarë u është dashur të premtojnë se do të ndërhynin për ta në qoftë se kjo histori do t’i binte në vesh guvernatorit. Sinedri po mësonte që ndërsa e vërteta vërteton vetveten, një gënjeshtër duhet mbështetur nga gënjeshtra të tjera të panumërta. 28:15 Megjithatë miti vazhdon ndër shumë judenj deri ditën e sotme, po kështu edhe ndër johebrenj. Ka edhe mite të tjera. Wilbur Smith përmbledh dy prej tyre:
1. Në radhë të parë është hedhur mendimi se gratë kanë shkuar te varri i gabuar. Mendo në lidhje me këtë për një çast. A do ta humbje ti varrin e personit tënd të dashur e më të shtrenjtë në një interval kohe nga e premtja pasdite tek e diela paradite? Për më tepër, kjo nuk ishte një varrezë e Jozefit të Arimatesë, por ishte kopshti privat i tij. Atje nuk kishte asnjë varr tjetër. Tani le të themi se kishte varre të tjera (që nuk kishte) dhe le të hamendësojmë se gratë, me sytë e mbushur me lot, ecën verbas dhe shkuan te varri i gabuar. Mirë, le ta pranojmë si të vërtetë këtë për gratë, por edhe të sertët Simon Pjetër dhe Gjon, dy peshkatarë që nuk po qanin, shkuan te varri dhe e gjetën të zbrazët. A mendoni se ata shkuan te varri i gabuar? Por më shumë se kaq, kur ata shkuan te varri dhe zbuluan se ishte i zbrazët, ishte një engjëll që tha: «Ai nuk është këtu, sepse u ringjall, sikurse kishte thënë; ejani, shikoni vendin ku qe vënë Zoti.» A mendoni se edhe engjëlli shkoi te varri i gabuar? Megjithatë, mos harro se njerëz të mençur i kanë çuar përpara këto teori. Kjo është një teori absurde! 2. Disa të tjerë kanë hedhur idenë se Jezusi nuk vdiq, por i ra të fikët dhe se ai erdhi në vete në një farë mënyre në këtë varr të lagësht e pastaj doli jashtë. Ata kishin rrokullisur një gur shumë të madh te varri, i cili ishte vulosur me vula të qeverisë romake. Askush brenda atij varri s’mund ta rrokulliste gurin, i cili qe vënë pjerrtas dhe ishte përputhur të rrinte në një lug. Ai nuk doli nga ai varr si një invalid anemik. E vërteta e thjeshtë është se ringjallja e Zotit Jezus është një fakt i vërtetuar mirë i historisë. Mbas mundimit të Tij, Ai ua paraqiti Vetveten të gjallë dishepujve të Tij me shumë prova të pagabueshme. Mendo për këto raste të veçanta kur Ai iu shfaq të Vetëve:
  1. Maria Magdalenës (Mr. 16:9-11).
  2. Grave (Mt. 28:8-10).
  3. Pjetrit (Luka 24:34).
  4. Dy dishepujve rrugës për në Emaus (Luka 24:13-32).
  5. Dishepujve, përveç Thomait (Gjoni 20:19-25).
  6. Dishepujve, përfshirë edhe Thomai (Gjoni 20:26-31).
  7. Shtatë dishepujve buzë detit të Galilesë (Gjoni 21).
  8. Mbi 500 besimtarëve (1 e Korintasve 15:7).
  9. Jakobit (1 e Korintasve 15:7).
  10. Dishepujve në Malin e Ullinjve (Veprat e Apostujve 1:3-12).
Njëri nga gurët e mëdhenj, të patundshëm e të palëvizshëm, të themelit të besimit tonë të krishterë është dëshmia historike e ringjalljes së Zotit tonë Jezus Krisht. Këtu ti dhe unë mund të qëndrojmë e të luftojmë për besimin, sepse ne kemi një situatë që nuk mund të kundërshtohet. Ajo mund të mohohet, por s’mund të hidhet poshtë [2].

C. Mandati i madh (28:16-20)

28:16-17 Zoti Jezus i ringjallur iu shfaq dishepujve të Tij në Galile në një mal që nuk i është dhënë emri. Kjo është e njëjta shfaqje që shënohet te Marku 16:15-18 dhe te 1 Korintasve 15:6. Çfarë ribashkimi i mrekullueshëm! Vuajtjet e Tij kishin kaluar përgjithmonë. Ngaqë Ai jetonte, edhe ata do të jetonin. Ai qëndroi përpara tyre në trupin e Tij të përlëvduar. Ata adhuruan Zotin e gjallë, Zotin e dashur, megjithëse dyshimet strehoheshin ende në mendjet e disave. 28:18 Atëherë Zoti shpjegoi se Atij i ishte dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Sigurisht që në një kuptim, Ai e kishte patur gjithmonë të gjithë pushtetin, por në këtë rast Ai po fliste për pushtet si Kreu i krijimit të ri. Që me vdekjen dhe ringjalljen e Tij, Ai kishte pushtet për t’i dhënë jetë të përjetshme të gjithë atyre që Perëndia ia kishte dhënë Atij (Gjoni 17:2). Ai kishte patur gjithmonë pushtet si i parëlinduri i të gjithë krijimit, por tani që Ai kishte plotësuar veprën e shpengimit, Ai kishte autoritet si i parëlinduri nga të vdekurit «përderisa të ketë parësinë në çdo gjë» (Kolosianeve 1:15, 18). 28:19-20 Atëherë, duke qenë Kreu i krijimit të ri, Ai lëshoi Mandatin e Madh, që përmban «urdhra që janë në fuqi» për të gjithë besimtarët gjatë fazës së tanishme të mbretërisë, kohë midis refuzimit të Mbretit dhe Ardhjes së Dytë të Tij. Mandati përmban tre urdhërime, jo sugjerime:
  1. «Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt.» Kjo nuk parakupton kthimin e gjithë botës. Nëpërmjet predikimit të ungjillit, dishepujt do t’i shihnin të tjerët të bëheshin nxënës ose ndjekës të Shpëtimtarit nga çdo komb, fis, popull dhe gjuhë.
  2. Pagëzojini «në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë.» Përgjegjësia mbetet mbi lajmëtarët e Krishtit që të mësojnë pagëzimin dhe ta paraqesin atë si një urdhërim për t’u bindur. Në pagëzimin e besimtarit, të krishterët e njëjtësojnë vetveten publikisht me Hyjninë Trinitet. Ata pranojnë se Perëndia është Ati i tyre, Jezus Krishti është Zoti dhe Shpëtimtari i tyre dhe që Fryma e Shenjtë është Ai që banon, i fuqizon dhe i mëson ata. Emër në vargun 19 është njëjës. Një emër ose thelb, megjithatë tre Persona: Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë.
  3. Mësojini «të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar.» Mandati shkon përtej ungjillëzimit. Nuk është e mjaftueshme që thjesht të bësh të kthyer dhe t’i lësh ata t’ia dalin mbanë vetë. Ata duhen mësuar që t’u binden urdhërimeve të Krishtit që gjenden në DhR. Thelbi i dishepullimit është të bëhesh si Mësuesi. Kjo realizohet me mësim sistematik të Fjalës dhe me nënshtrim ndaj saj.
Atëherë Shpëtimtari shtoi një premtim të pranisë së Tij me dishepujt e Tij deri në sosje të botës. Ata nuk do të ecnin përpara të vetëm apo pa u ndihmuar. Në të gjithë shërbimin dhe udhëtimin e tyre, ata do të njihnin shoqërinë e Birit të Perëndisë. Vërej katër gjëra të lidhura me Mandatin e Madh: çdo pushtet; të gjithë popujt; të gjitha gjërat; gjithë ditët. Kështu Ungjilli mbyllet me mandat dhe ngushëllim nga Zoti ynë i lavdishëm. Afërsisht njëzet shekuj më vonë, fjalët e Tij kanë të njëjtën forcë bindëse, të njëjtën lidhje, të njëjtin zbatim. Detyra është ende e paplotësuar. Çfarë jemi duke bërë për ta zbatuar urdhërimin e Tij të fundit? BIOGRAFI Barnhouse, Donald Grey. Words Fitly Spoken. Wheaton: Tyndale House Publishers. 1969 Gaebelein, A.C. The Gospel of Matthew. New York: Loizeaux Bros.. 1910 Kelly, William. Lectures on Matthew. New York: Loizeaux Bros.. 1911 Lenski, R.C.H. The Interpretation of Saint Matthew’s Gospel. Minneapolis: Ausburg Publishing House. 1933 Macaulay, J.C. Behold Your King. Chicago: The Moody Bible Institute. 1982 Morgan, G. Campbell. The Gospel According to Matthew. New York: Fleming H. Revell Company. 1929 Pettingill, W.L. Simple Studies in Matthew. Harrisburg: Fred Kelker. 1910. Smith, Wilbur. “In the Study,” Moody Monthly, April 1969 Tasker, R.V.G. The Gospel According to St. Matthew, TBC. Grand Rapids: Wm. B. Eerdmans Publishing Company. 1961 Thomas, W.H.Griffith. Outline Studies in Matthew. Grand Rapids: Wm. B. Eerdmans Publishing Company. 1961 Weston, H.G. Matthew, the Genesis of the New Testament. Philadelphia: American Baptist Publication Society. s’ka datë. Woodring, H. Chester. Class Notes on Matthew, 1961, Emmaus Bible School, Oak Park, IL (now Emmaus Bible College) [1] «Gëzohu» ishte përshëndetja greke normale. Pra, në ditën e ringjalljes, kjo duket shumë e përshtatshme (shih NKJV).[[1]] [2] Wilbur Smith, «In the Study”, Moody Monthly, April 1969[[2]]

Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1. ↵ Kthehu mbrapa
  2. ↵ Kthehu mbrapa