Psalmi 50

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Perëndia do të gjykojë të drejtët dhe të këqijtë

50:1 Perëndia i plotfuqishëm, Zoti ka folur dhe ka thirrur në mbledhje gjithë dheun, nga lindja në perëndim.

50:2 Nga Sioni, përsosmëri e bukurisë, Perëndia shkëlqen.

50:3 Perëndia ynë do të vijë dhe nuk do të rijë në heshtje; do të paraprihet nga një zjarr shkatërrimtar dhe rreth tij do të ketë një furtunë të madhe.

50:4 Ai do të thërresë qiejtë nga lart dhe tokën për të gjykuar popullin e tij,

50:5 dhe do të thotë: “Mblidhni shenjtorët e mi, që kanë lidhur një besëlidhje me mua me anë të flijimit”.

50:6 Dhe qiejtë do të shpallin drejtësinë e tij, sepse vetë Perëndia është gjykatësi. (Sela)

50:7 “Dëgjo, o populli im, dhe unë do të flas; dëgjo, o Izrael, dhe unë do të dëshmoj kundër teje. Unë jam Perëndia, Perëndia yt.

50:8 Nuk do të të qortoj për flijimet e tua as për olokaustet e tua që më rrijnë gjithnjë përpara.

50:9 Nuk do të marr asnjë dem nga shtëpia jote dhe asnjë cjap nga vathët e tua.

50:10 Të mia janë në fakt tërë kafshët e pyllit; imja është bagëtia që ndodhet me mijëra ndër male.

50:11 I njohim tërë zogjtë e maleve; dhe të gjitha ato që lëvizin në fushat janë të miat.

50:12 Po të kisha uri, nuk do ta thoja; sepse bota dhe sa ajo përmban janë të miat.

50:13 A ha unë vallë mish demi ose a pi gjak cjapi?

50:14 Dhuroji Perëndisë flijime lëvdimi dhe plotëso zotimet e tua që i ke bërë Shumë të Lartit.

50:15 Kërkomë ditën e fatkeqësisë, unë do të të çliroj dhe ti do të më lëvdosh”.

50:16 Por të pabesit Perëndia i thotë: “Çfarë të drejte ke ti të përmëndësh statutet e mia dhe të kesh mbi buzët e tua besëlidhjen time,

50:17 ti që e urren korrigjimin dhe i hedh pas kurrizit fjalët e mia?

50:18 Në rast se sheh një vjedhës, bashkohesh me të me gjithë qejf, dhe bëhesh shok i atyre që shkelin kurorën.

50:19 Ti gojën ia lë së keqes dhe gjuha jote kurdis mashtrime.

50:20 Ti ulesh, flet kundër vëllait tënd dhe shpif kundër birit të nënës sate.

50:21 Ti i ke bërë këto gjëra dhe unë kam heshtur; ti ke menduar që unë jam krejt i ngjashëm me ty. Por unë do të të përgjigjem dhe do të vë çdo gjë para syve të tu.

50:22 Tani kuptoni këtë gjë ju që harroni Perëndinë, që unë të mos ju bëjë copë-copë dhe askush të mos ju çlirojë dot.

50:23 Ai që ofron flijime lëvdimi më përlëvdon dhe atij që sillet drejt do t`i tregoj shpëtimin e Perëndisë”.