Premtimi i ardhjes së Mesias (Mikea 5)

5:1 Vargu 1 duket se përshkruan statusin e kombit në kohën kur po shkruante Mikea. Izraelit, këtu nënkupton Judën, i thuhet të përgatitet për një rrethim nga babilonasit, të cilët do të sillen me mbretin në mënyrë të pacipë dhe të ashpër. Kjo mund t’i referohet talljes së Ezekias nga Senasheribi apo përuljes së Sedekias nga Nebukadnetsari. 5:2 Vargu 2 ka të bëjë me lindjen e Atij që do të jetë sundues në Izrael, origjinat e të cilit janë nga kohërat e lashta, nga ditët e përjetësisë. Këto fjalë flasin për përjetësinë e Mesias dhe hyjninë e Tij. Meqë kishte dy Betleheme në Tokën e Shenjtë, Mikea specifikon Betlem Efratah, nëntë kilometra në jug të Jerusalemit. Kjo varg kuptohet si një kontrast me vargun 1. Edhe pse situata bashkëkohore e Izraelit mund të jetë shkurajuese, gjithçka do të ndryshojë kur të vijë Mesia. 5:3 Këtu përshkruhen tri etapa në historinë e Izraelit: 1. Për shkak të mospranimit të Zotit Jezus, ata janë braktisur. Kjo përshkruan gjendjen e tyre të tashme në Epokën e Hirit. 2. Më pas, një kohë mundimi e pret kombin, pra, Mundimi i Madh. 3. Pas këtyre rënkimeve, Izraeli ka për të pjellë. Kjo i referohet “tepricës besuese nga kombi ende mosbesues” (Scofield). Ky kusur i Izraelit do të mblidhet në vend dhe Krishti do të sundojë mbi popullin e Tij. 5:4-6 Kujdesi baritor i Krishtit për Izraelin dhe sundimi i Tij mbarëbotëror paraqiten në vargun 4. Kur ushtria e ardhshme asire do të godasë Jerusalemin, Mesia do të nxjerrë udhëheqës mjaft të aftë për t’i dëbuar. Shprehja: “shtatë barinj dhe tetë princa nga njerëzit e zakonshëm” nuk duhet nënkuptuar sikur do të ketë vetëm pesëmbëdhjetë udhëheqës të ngritur për të mposhtur “asirianët“. Kur një numër pasohet nga një numër tjetër më i madh në një skicë poetike [4], kuptimi është se ka një numër të përshtatshëm apo të plotë të asaj që ndodh në kontekst. 5:7-9 Atëherë Izraeli do të jetë një kanal bekimi për të gjithë. Kombi do të jetë i pathyeshëm ashtu si një luan, shumë i aftë për të shtypur kundërshtarët e Perëndisë. 5:10-15Atë ditë Izraeli do të pastrohet. Ai nuk do të besojë më në kuajt dhe qerret apo qytetet e fortifikuara. Magjistarët dhe asherahët do të zhduken. Figurat e gdhendura dhe shtyllat e shenjta, altarët paganë, do të shkatërrohen. Kombet armike do të ndëshkohen me zemërimin e Perëndisë.