Parathënie për letrat baritore

Letrat Baritore kanë luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e kishës së krishterë dhe kanë përligjur gjerësisht përfshirjen e tyre në Kanunin e Dhiatës së Re. Tërheqja prej tyre mbështetet në ndërthurjen e këshillave të shëndosha praktike me pohimet teologjike, që kanë qenë mjaft të çmueshme për të krishterët si individë ashtu edhe në bashkësi.Donald Guthrie

I. Kuptimi i termit “Letra baritore”

Që prej vitit 1700, Letra e Parë dhe Letra e Dytë e apostullit Pal drejtuar Timoteut dhe Letra drejtuar Titit janë quajtur “Letrat baritore”. Ky përshkrim mund të duket i papërshtatshëm apo i dobishëm, në varësi të mënyrës së të kuptuarit të secilit.

Nëse përshkrimi hedh idenë se letrat përmbajnë sugjerime praktike se si duhet treguar kujdes për delet e Zotit, atëherë e kanë plotësuar letrat qëllimin e tyre.

Megjithatë, nëse hidhet ideja se Timoteu dhe Titi u caktuan klerikë (barinj “modernë”) përkatësisht të kishave në Efes dhe në Kretë, atëherë do të çorientohesh.

Botime të vjetra të Biblës si Versioni i Mbretit Xhejms (KJV) përmbajnë shkrime të pafrymëzuara në fund të letrave që kanë lënë të besohet ky gabimi historik [p.sh. që Timoteu ishte një peshkop në kuptim kishtar të fjalës]. Për shembull, në fund të Letrës së Dytë të Timoteut ekziston kjo shtesë e pafrymëzuar:

“Letra e dytë e drejtuar Timoteut, i caktuar peshkop i parë i kishës në Efes, shkruar nga Roma, kur Pali u çua para Neronit për herë të dytë.”.

Në fund të Titit kemi këtë shpjegim: “Iu shkrua Titit, i caktuar peshkop i parë në kishën e Kretës, nga Nikopolis i Maqedonisë.”.

Albert Barnes-i, duke qenë vetë një klerik, nuk mund të paragjykohet se ai mbajti anësi kishtare kur ai komentoi kështu:

Nuk ka prova që Titi ishte peshkopi i parë i kishës atje, apo se ishte i pari që iu zbatua termi peshkop në kuptimin e Shkrimit. Në të vërtetë, ka një provë të mundshme se ai nuk ishte i pari, sepse Pali kishte qenë më parë me të dhe Titi “u la” atje për ta çuar në fund atë që kishte filluar ai.

Nuk ka asnjë provë që Titi ishte “peshkop” atje në kuptimin kishtar të termit, apo që ishte një bari.

Këto shënime janë kaq të mangëta në autoritet dhe mbushur me gabime, saqë duhet te hiqen nga botimet e Biblës. Ato nuk janë pjesë e shkrimeve të frymëzuara, por janë të një natyre “shënimesh dhe komentesh” dhe në vazhdimësi po çojnë në gabime të përhershme. Mendimi se Timoteu dhe Titi ishin “peshkopë” në kuptimin kishtar të fjalës, të Kretës dhe Efesit, varet më tepër nga këto shënime të pavlera sesa nga vetë këto letra. Në të vërtetë, nuk ka asnjë provë të kësaj gjëje në këto letra dhe, nëse do të hiqeshin këto poshtëshkrime, asnjë nuk do të nisej nga Dhiata e Re për të menduar se ata kishin një detyrë të tillë{{1}}.

Fatmirësisht shënimet më në fund janë hequr në versionet moderne të DhR, por gabimi që ato kanë sjellë vështirë se mund të largohet.

Timoteu dhe Titi u dërguan te kishat me misione të përkohshme nga apostulli Pal për të mësuar besimtarët dhe për t’i paralajmëruar ata kundër mësuesve të rremë.

Meqë tërë studiuesit e Biblës pranojnë se këto tri letra janë shkruar në të njëjtën periudhë kohe dhe nga e njëjta dorë, ne do të pranojmë autorësinë dhe autenticitetin e tyre si një e tërë.

II. Autorësia e këtyre letrave

Deri më 1804 kur Shmidi (Schmidt) mohonte se Pali i ka shkruar këto letra, e tërë kisha, madje edhe jobesimtarët, i pranonin ato si letra të vërteta të apostullit të madh.

Që nga ajo kohë është rritur gjithnjë e më tepër mendimi për t’i quajtur këto libra si “të rremë” edhe pse ishin “të perëndishëm” (sikur mashtrimi të ketë diçka të përbashkët me perëndishmërinë!). Shumë studiues liberalë (dhe madje disa “konservatorë”) pranojnë me vështirësi që librat janë me të vërtetë të Palit, apo që janë krejtësisht të Palit. Meqë këto libra kanë mësime kaq të rëndësishme se si të drejtosh një kishë dhe doktrina të tjera të rëndësishme – duke përfshirë paralajmërime kundër heretikëve dhe mosbesimit në ditët e fundit – ne mendojmë se është e domosdoshme për të dhënë hollësi të mëtejshme për sa i përket autenticitetit, vërtetësisë së këtyre letrave më tepër se në çdo libër tjetër, përveç Letrës së Dytë të Pjetrit.

III. Prova e jashtme

Prova e jashtme për Letrat Baritore është shumë e fortë. Në fakt, nëse ky do të ishte kriteri i vetëm për pranimin apo mospranimin, do të fitonin pa diskutim.

Ireneusi është autori i parë i njohur që ia njeh Palit këto letra në mënyrë të drejtpërdrejtë. Tertuliani dhe Klementi i Aleksandrisë ia caktojnë ato Palit, ashtu si Kanuni Muratorian. Po kështu, etër të hershëm duket se i kanë pranuar letrat përfshirë Polikarpin dhe Klementin e Romës.

Marcioni nuk i ka përfshirë këto tre libra në “kanunin” e tij, sipas Tertulianit. Kjo me siguri nuk është një pikë kundër vërtetësisë së tyre sesa një sulm ndaj përmbajtjes së tyre. Përse? Sepse Marcioni ishte një lloj udhëheqësi kulti që nxehej me sulmet e ashpra të Palit kundër gnosticizmit (shikoni hyrjen e Kolosianëve). D.m.th. si një mësues i rremë, Marcioni ishte përfshirë në Letrat Baritore. Pjesë të cilat ky heretik antisemit nuk do t’i pëlqente përfshijnë 1 Timoteut 1:8; 4:3; 6:20 dhe 2 Timoteut 3:16,17.

IV. Prova e brendshme

Afërsisht të gjitha sulmet kundër mendimit se Pali i ka shkruar Letrat Baritore mbështeten në provën e hamendësuar të kundërshtimeve brenda vetë letrave.

Fillet e tëra të provës janë si vijon: historike, kishtare dhe gjuhësore. Ne do të shqyrtojmë shkurtimisht dhe do të shpjegojmë secilin prej këtyre tre problemeve.

Problemi historik. Thuhet se disa ndodhi dhe njerëz në këtë libër nuk përputhen me Veprat e Apostujve apo me sa dimë nga shërbesa e Palit nga letrat e tjera. Lënia e Trofimit të sëmurë në Milet dhe manteli e librat e tij në Troadë nuk përputhen me udhëtimet e tij të njohura.

Ky është një argument i lehtë për t’u hedhur poshtë. Po, është e vërtetë që nuk përputhen me Veprat e Apostujve; dhe nuk kanë se pse. Filipianeve 1:25 sugjeron se Pali po priste që të lirohej dhe tradita e krishterë thotë se ai shërbeu për disa vjet para se të burgosej për të dytën herë dhe para se t’i pritej koka. Ngjarjet, ndodhitë, miqtë dhe armiqtë e përmendur te Letrat Baritore i takojnë për këtë arsye kësaj periudhe të veprës misionare midis dy burgosjeve.

Problemi kishtar. Thuhet se organizimi i kishës ndodh shumë më vonë pas Palit – në fakt në shekullin e dytë. Është e vërtetë se peshkopët, pleqtë dhe dhjakët diskutohen te Letrat Baritore, por nuk ka prova që ato qenë peshkopët e një lloji “monarkik” të shekullit të dytë dhe të atyre që vijojnë. Në fakt, Filipianëve 1:1, një letër më e hershme, përmend një shumësi peshkopësh (mbikëqyrës) në një kishë, jo sistemin e mëvonshëm të një peshkopi mbi disa kisha. Gjithashtu, fjalët pleq dhe peshkopë janë përdorur si sinonime te Timoteu dhe Titi, ndërsa, duke u nisur nga shekulli II, me nxitjen e fortë nga Ignatiusi, një “peshkop” u caktua të ishte mbi të tjerët si “prift”.

Mësimi i vërtetë bazë i udhëheqësve të kishës sugjeron qartë kohën apostullore dhe jo shekullin II.

Problemi gjuhësor. Sulmi më i fortë mbështetet në ndryshimin në stil dhe fjalor midis këtyre tri letrave dhe dhjetë të tjerave që i pranojmë si të Palit. Disa nga fjalët dhe shprehjet më të pëlqyera të Palit nuk gjenden këtu dhe ka shumë fjalë që nuk janë përdorur në letrat e tjera (36% fjalë të reja). Metodologjia statistikore është bërë për të “vërtetuar” se Pali “nuk mund” t’i ketë shkruar këto letra (E njëjta metodë ka sfiduar poemat e Shekspirit me të njëjtat pasoja të ngjashme negative).

Është mirë që të pranojmë se ka probleme aktuale këtu dhe këto probleme nuk janë mbështetur plotësisht në paragjykimin kundër doktrinës së papranueshme shkrimore. Megjithatë, femohuesit e kësaj epoke të fundit që po sulmojnë Letrat Baritore i ngjajnë shumë studiuesve që ngulnin këmbë se Pali nuk është autori i Letrave Baritore.

Para së gjithash, është e rëndësishme të kujtojmë se këto janë letrat e një njeriu plak afër vdekjes, ai që kishte bërë udhëtime të shumta dhe kishte gjetur shumë miq të rinj kur ishte jashtë burgut (2 Timoteut është shkruar gjatë burgosjes së tij të dytë). Çdo njeri e zgjeron fjalorin e tij me kalimin e kohës dhe po ashtu kur ai lexon, udhëton dhe takohet me njerëz të rinj.

Së dyti, ne duhet të kuptojmë çështjen kryesore të këtyre letrave – zyrtarët e kishës, etikat dhe apostazinë – në mënyrë të menjëhershme nevojiten fjalë të reja për to.

Këto letra nuk duhet të vlerësohen me metoda statistikore sepse janë të shkurtra. Kjo do të thotë që “sasia e zgjedhjes së rastit” [një shprehje statistikore që simbolizohet me shkronjën ‘n’] është tepër e vogël dhe nuk mjafton që të bëhet një analizë statistikore. Por më e rëndësishme është që 80% e fjalorit të DhR, gjendur vetëm në Letrat Baritore, gjendet në DhV greke (LXX), ashtu si Guthrie pohon në Hyrjen e tij. Meqë Pali po shërbente në greqisht, është e qartë se ai njihte Shkrimet e DhV në atë gjuhë po ashtu edhe në hebraishten origjinale. Shkurt, këto fjalë që Pali duket se i ka përdorur ishin të paktën pjesë e “fjalorit të tij të njohur”. Etërit e kishës që e përdornin greqishten si gjuhën e tyre të përditshme nuk shihnin ndonjë problem mbi autorësinë e Palit të Letrave Baritore (Fakti që disa bënë një gjë të tillë për Letrën e Hebrenjve tregon se ata ishin të ndjeshëm për stilin e shkrimtarit).

Duke i bashkuar të gjitha përgjigjet dhe sidomos duke i bashkuar me faktin e pranimit të lashtë dhe universal të këtyre letrave nga besimtarët e rregullt në doktrinë, që ato ishin të shkruara nga vetë dora e Palit, rrjedh që edhe ne mund t’i pranojmë ato me një ndërgjegje të mirë. Në fakt, përmbajtja e lartë etike e këtyre letrave përjashton një autor të rremë, qoftë “i përkushtuar” ose jo. Këto janë fjalët e frymëzuara të Perëndisë (2 Tim. 3:16,17) që u komunikuan përmes apostullit Pal.

V. Sfondi dhe temat e Letrave Baritore

Ta themi hapur, ne nuk mund të paraqesim shumë sfond për periudhën e jetës së Palit lidhur me këto letra. Më e mira që mund të bëjmë është të bashkojmë pohimet biografike që gjenden në vetë letrat, por edhe këto janë pak.

Ka disa fjalë dhe tema që hasen shpesh në këto letra. Këto na bëjnë të hedhim një vështrim në temat që zinin mendjen e Palit gjithnjë e më shumë ndërsa shërbesa e tij po shkonte drejt fundit.

Besimi është një ndër fjalët më karakteristike. Ndërsa po rritej rreziku i apostazisë, Pali u përpoq të theksonte trupin e madh të doktrinës së Krishtit që i ishte dhënë shenjtorëve. Ai përshkroi qëndrime të ndryshme që kishin marrë njerëzit apo që do të merrnin ndaj besimit.

  1. Disa, duke e hedhur poshtë, u bënë lundërthyerje në besim (1 Tim. 1:19).
  2. Disa do të largoheshin nga besimi (1 Tim. 4:1).
  3. Disa do të mohonin besimin (1 Tim. 5:8).
  4. Disa do të shkelnin besimin e tyre të parë (1 Tim. 5:12).
  5. Disa do të largoheshin nga besimi i tyre duke e futur veten e tyre në shumë dhimbje (1 Tim. 6:10)
  6. Disa do të dilnin nga besimi i tyre (1 Tim. 6:21).

Ajo që bie shpesh në sy është shprehja doktrina e shëndoshë. “E shëndoshë” këtu do të thotë më tepër se e saktë dhe e rregullt. Do të thotë e shëndetshme apo jetëdhënëse. Kjo është fjala nga vjen fjala tjetër “higjienë”. Këtu, sigurisht, flitet për higjienën frymërore. Vini re si vijon:

  • Doktrina e shëndoshë (1 Tim. 1:10 dhe 2 Tim. 4:3; Tit. 1:9; 2:1).
  • Fjalët e shëndosha (1 Tim. 6:3 dhe 2 Tim. 1:13).
  • Besimi i shëndoshë (Tit. 1:13; 2:2).
  • Të folurit e shëndoshë (Tit. 2:8).

Fjala ndërgjegje përmendet gjashtë herë, si vijon:1 Timoteut 1:5,19; 3:9; 4:2 dhe 2 Timoteut 1:3, Titi 1:15.

Perëndishmëria theksohet si prova praktike e doktrinës së shëndoshë: 1 Tim. 2:2,10; 3:16 [megjithëse në shqip në këtë varg në vend të fjalës perëndishmëri përdoret fjala mëshirë]; 4:7,8; 5:4; 6:3,5,6,11; 2 Timoteut 3:5 (forma e jashtme e perëndishmërisë); 3:12; Titi 1:1; 2:12.

Të qenët i urtë është një cilësi që apostulli mendonte se ishte e vlefshme që ta kishin ndihmësit e tij: Titi 1:8; 2:2,6,12.

Ne duhet të vëmë re gjithashtu gjërat e mira që përmend apostulli:

  • Ndërgjegjja e mirë, e pastër (1 Tim. 1:5,19).
  • Ligji është i mirë (1 Tim. 1:8).
  • Lufta e mirë (1 Tim. 1:18).
  • Lutja është e mirë (1 Tim. 2:3).
  • Veprat e mira (1 Tim. 2:10; 3:1; 5:10,25; 6:18 dhe 2 Tim. 2:21; 3:17; Tit. 1:16; 2:7,14; 3:1,8,14).
  • Sjellja e mirë (1 Tim. 3:2).
  • Dëshmia e mirë (1 Tim. 3:7).
  • Një reputacion i mirë (1 Tim. 3:13).
  • Çdo krijesë është e mirë (1 Tim. 4:4).
  • Një shërbëtor i mirë (1 Tim. 4:6).
  • Doktrina (mësimi i mirë) e mirë (1 Tim. 4:6).
  • Perëndishmëria është e mirë (1 Tim. 5:4).
  • Lufta e mirë e besimit (1 Tim. 6:12 dhe 2 Tim. 4:7).
  • Rrëfimi i mirë (1 Tim. 6:13).
  • Themeli i mirë (1 Tim. 6:19).
  • Gjëja e mirë (2 Tim. 1:14; Tit. 2:3; 3:8).
  • Një ushtar i mirë (2 Tim. 2:3).
  • Njerëzit e mirë (Tit. 1:8; 2:5).
  • Besnikëria e mirë (Tit. 2:10).

Një studim i fundit interesant ka të bëjë me termat mjekësore që gjenden në këto letra. Disa mendojnë se ky është pasqyrim i faktit se dr. Luka ishte një shok i ngushtë i Palit në atë kohë.

Ne kemi përmendur tashmë se fjala “e shëndoshë” do të thotë e shëndetshme dhe përdoret për të përshkruar doktrinën, fjalët, të folurën dhe besimin.

Te 1 Timoteut 4:2, Pali po flet për një ndërgjegje të damkosur. “E damkosur” do të thotë që digjet si një vegël e nxehtë.

Shprehja “vuan nga sëmundja e grindjes” do të thotë me të vërtetë i sëmurë dhe ka të bëjë me një sëmundje mendore (1 Tim. 6:4).

“Kanceri” te 2 Timoteut 2:17 është përkthyer “gangrenë” në RV (fjala greke është origjina e kësaj fjale).

“Gudulisja e veshëve” (2 Tim. 4:3) është shprehja e fundit e përdorur nga Pali në diagnozën e tij të këtyre rasteve klinike të epokës së fundit.

Me këtë sfond, le të kthehemi tani te Letra e Parë e Timoteut për një studim varg pas vargu të përmbajtjes së saj.

[[1]]Albert Barnes, Notes on the New Testament: Thessalonians, Timothy, Titus, Philemon, f. 289.[[1]]
[previous][next]