Kthimi në betlem (Ruthi 1:6-15)

1:6-15 Naomi vendosi të kthehej në Judë kur dëgjoi se atje kishte shumë ushqim. Nuset e saj u bënë gati për ta shoqëruar. Por, kur ajo i nxiti të ktheheshin në shtëpitë e tyre në Moab, duke i kujtuar se ajo nuk kishte më bij të tjerë për t’ua dhënë si burra, Orpahu puthi vjehrrën dhe u kthye. Vini re qëndrimet e ndryshme të tri vejushave: Naomi ishte një vejushë e trishtuar, e goditur në gëzimet tokësore të burrit dhe të familjes nga gjykimi hyjnor. Orpahu, duke marrë parasysh me seriozitet fjalët e vjehrrës së saj, vërtetoi se ishte një vejushë që heq dorë, duke zgjedhur rrugën më të lehtë e më të leverdisshme. Por Ruthi, duke shkuar pas Naomit, tregoi se ishte një vejushë besnike, pavarësisht nga zemra e lëshuar e kësaj të fundit. Kur Ruthi zgjodhi një jetë të re me Naomin, ajo e dinte se nuk do të ishte e lehtë. Përpara kishte punën e rëndë dhe varfërinë, meqë nuk kishin një mashkull që të kujdesej. Gjithashtu ishte edhe ndarja nga shtëpia dhe të dashurit e saj. 1:16,17 Megjithatë Ruthinuk e braktisi Naomin. Me një nga shprehjet më fisnike thënë nga një pagan në DhV ajo tregoi se po i jepej plotësisht Naomit. Ajo zgjodhi fatin e Naomit, banesën, popullin, Perëndinë dhe madje vendin e varrimit të saj. 1:18-22 Si një rastësi hyjnore, koha kur Naomi dhe Ruthi u kthyen në Betlem ishte koha kur kishte filluar korrja e elbit, stina e prodhimeve të para (që simbolizon ringjalljen e Krishtit). Tërë qyteti ziente ndërsa shikonte Naomin përsëri dhe e përshëndetën në emër me mirësjellje. Ajo iu përgjigj atyre: “Mos më quani Naomi (e pëlqyeshme); thirrmëni Mara (hidhësi), sepse i Plotfuqishmi më ka mbushur me hidhërim”. Ajo ishte larguar në bollëk (pra, me burrin dhe djemtë e saj), por Zoti e ktheu të zhveshur (pra, një vejushë dhe pa fëmijë). E njëjta gjë ndodh me ne – ne mund të dalim vetë në shtigjet e paudhësisë, por Zoti do të na kthejë bosh dhe zakonisht përmes ndëshkimit të hidhur.
[previous][next]