1:10 Në kishën e hershme kishte “liri të Frymës”, që do të thotë, liri për njerëzit të merrnin pjesë në takime ashtu siç i drejtonte Fryma e Shenjtë. Pali e përshkruan një takim të tillë “të hapur” te 1 Korintasve 14:26: “Ç’duhet bërë, pra, o vëllezër? Kur të mblidheni, secili nga ju ka një psalm, një mësim, fjalim në gjuhë tjetër, zbulesë, interpretim, çdo gjë le të bëhet për ndërtim”. Është një situatë ideale kur Fryma e Perëndisë lihet e lirë të flasë përmes pjesëtarëve të ndryshëm të sallës. Por prej natyrës njerëzore duke qenë ajo që është, nëse ekziston një liri e tillë, do të gjejmë njerëz duke abuzuar me doktrina të rreme, që kritikojnë në imtësi, apo thashetheme të pafundme, pa Frymën.
Kjo kishte ndodhur në asamble në Kretë. Pali kuptoi se atje duhej të ekzistonin udhëheqës të fortë frymërorë për të kontrolluar abuzimet dhe të ruanin lirinë e Frymës. Ai gjithashtu kishte kuptuar se një kujdes i madh ishte i nevojshëm në caktimin e pleqve që i plotësonin kushtet. Kështu këtu ai rrëfen me hollësi kushtet që duheshin për ndërveprim të menjëhershëm në caktimin e pleqve në kisha.
Shumë njerëz të pabindur kishin dalë në sipërfaqe për të sfiduar autoritetin e apostujve dhe të mohonin mësimet e tyre. Ata ishin llafazanë dhe mashtrues. Të folurit e tyre nuk prodhonte asnjë dobi frymërore. Por më tepër i largonte njerëzit nga e vërteta dhe i shtynte ata në gabim.
Poterexhinjtë më të mëdhenj ishin nga rrethprerja, që do të thotë, mësuesit judenj që rrëfenin se ishin të krishterë dhe megjithatë këmbëngulnin që të krishterët duhej të rrethpriteshin dhe të zbatonin ligjin ceremonial. Ky ishte një mohim praktik i vetëmjaftueshmërisë së veprës së Krishtit.
1:11 Njerëz të tillë duhej t’u mbyllej goja. Ata duhet të mësojnë se asambleja nuk është një demokraci dhe se liria e të folurit ka kufi. Ata ngatërronin familje të tëra. A mos hedh kjo idenë se ata kishin futur doktrinat e tyre shkatërruese pas “skenave”, në shtëpitë private? Kjo është një metodë e pëlqyeshme për kultet (2 Tim. 3:6). Shtysat e tyre ishin po ashtu të dyshimta. Qëllimi i tyre ishte paraja, duke përdorur shërbesën si burim biznesi të pandershëm. Mesazhi i tyre i shtynte ata tek ana ligjore e njeriut, duke i nxitur ata të besojnë se ata mund të sigurojnë favorin e Perëndisë duke kaluar përmes shtysave fetare edhe pse jeta e tij mund të jetë e prishur dhe e ndotur. Ata mësonin fitimin e ndyrë, të cilin nuk kishin asnjë të drejtë ta mësonin.
1:12 Këtu Pali i kujton Titit për llojin e njerëzve me të cilët ka të bëjë. Shtjellimi i pazakontë dhe përshkrimi thumbues ishte i vërtetë për mësuesit e rremë në veçanti dhe për kretasit në përgjithësi. Ai përmend Epimenies-in, një ndër zëdhënësit e tyre poetikë, që jetoi rreth viteve 600 para K., duke i quajtur ata gënjeshtarë, egërsira të këqija, barkpërtacë. Pa tjetër çdo komb mund të karakterizohet nga disa cilësi kombëtare, por është e rrallë që një komb mund t’ua kalonin kretasve në shthurje. Ata ishin gënjeshtarë të mëdhenj pa ndërgjegjje jashtëzakonshëm. Ata ishin si kafshë të egra, që jetonin për t’u trashur dhe për të kënaqur pasionet e egra. Ishin alergjikë ndaj punës dhe barkpërtacë, duke jetuar vetëm për kuzhinën dhe jo për gjë tjetër!
1:13 Apostulli konfirmon saktësinë e skicës së karakterit. Titi kishte materiale të gjalla jopremtuese me të cilat do të merrej – shumë gjëra për ta shkurajuar një misionar! Por Pali nuk i quan të pavlefshëm njerëzit apo nuk këshillon Titin t’i braktisë ata. Me anë të ungjillit ka shpresë për njerëzit më të këqinj. Kështu Pali e këshillon ndihmësin e tij t’i qortojë me ashpërsi, që të shëndoshen në besimin e krishterë. Një ditë këta njerëz nuk do të jenë vetëm besimtarë shembullorë, por gjithashtu pleq të perëndishëm në kishat lokale. Kjo pjesë lëshon një nxitje për punëtorin e krishterë në fusha të vështira të botës (dhe cila fushë nuk është e vështirë?). Përtej grykësisë, fodullëkut dhe papërgjegjshmërisë së njerëzve, ekziston gjithmonë vizioni i shenjtorëve të ardhshëm të hirshëm, të pastër dhe të frytshëm.
1:14 Duke qortuar ashpër mësuesit e rremë, Titi ishte i ngarkuar t’i paralajmëronte kundër përrallave të judenjve dhe urdhërimeve të njerëzve që largohen nga e vërteta. Përkrahësit e judaizmit jetonin në një botë fantazish fetare dhe rregullash që kishin të bënin me ushqime të pastra dhe të papastra, zbatimin e ditëve dhe shmangien e ndotjes ceremoniale. Për këtë Pali shkroi te Kolosianëve 2:23: “Këto gjëra kanë ndonjë dukje diturie në devotshmërinë e zgjedhur vullnetarisht, në përunjësinë e rreme dhe në trajtimin e ashpër të trupit, por nuk kanë asnjë vlerë kundër kënaqësisë së mishit”.
1:15 Ajo që apostulli thotë më pas ka shkaktuar aq shumë keqinterpretime [nga mendja e njerëzve, jo nga mendja e Palit] saqë kjo pjesë kërkon një shpjegim të hollësishëm. Ai shkruan: “Gjithçka është e pastër për ata që janë të pastër, por asgjë nuk është e pastër për të ndoturit dhe për ata që nuk besojnë; madje edhe mendja, edhe ndërgjegjja e tyre janë të ndotura”.
Nëse do t’i nxjerrim fjalët gjithçka është e pastër për ata që janë të pastër nga konteksti si një fjali e një të vërtetë absolute në çdo fushë të jetës, kemi një problem të madh! Të gjitha gjërat nuk janë të pastra, madje edhe për ata mendja e të cilëve është e pastër. Megjithatë njerëzit e kanë përdorur këtë varg për të përligjur revistat e turpshme, shtysat sugjestive dhe madje edhe vetë imoralitetin. Kjo është ajo që Pjetri shkruan për shtrembërimin e Shkrimit “për përhumbjen e tyre” (2 Pje. 3:16).
Le të kuptohet mirë se ky varg nuk ka të bëjë fare me gjërat që janë mëkat në vetvete dhe që dënohen nga Bibla. Kjo thënie e urtë duhet të kuptohet në dritën e kontekstit. Pali nuk ka folur deri tani për çështjet e moralit krejt të pastër, të gjërave që janë të lindura të drejta apo të gabuara. Por, më tepër, ai ka diskutuar çështje të moskokëçarjes morale, gjëra që ishin të ndotura nga ana ceremoniale për një jetesë judaike sipas ligjit, por që janë plotësisht të lejueshme për jetesën e krishterë sipas hirit. Shembulli i qartë është ngrënia e mishit të derrit. Ishte e ndaluar për popullin e Perëndisë në DhV, por Zoti Jezus ndryshoi gjithçka kur tha se asgjë që hyn në barkun e njeriut nuk e ndot atë (Mar. 7:15). Duke thënë këtë Ai shpalli se të gjitha ushqimet ishin të pastra (Mar. 7:19). Pali kujton këtë të vërtetë kur tha: “Por të ngrënit nuk na çon te Perëndia; po të hamë, nuk fitojmë asgjë më tepër dhe, po të mos hamë, s’kemi gjë më pak” (1 e Korintasve 8:8). Kur ai thotë: “gjithçka është e pastër për ata që janë të pastër”, ai nënkupton se për besimtarin e rilindur çdo ushqim është i pastër, por asgjë nuk është e pastër për të ndoturit dhe për ata që nuk besojnë. Nuk është ajo që ha një njeri që e ndot atë, por ajo që del nga zemra (Mar. 7:20-23). Nëse jeta e brendshme e një njeriu është e papastër, nëse ai nuk ka besim në Zotin Jezus, atëherë asgjë nuk është e pastër për të. Zbatimi i rregullave dietetike nuk do të bëjnë asgjë për të. Më tepër se çdo gjë tjetër, ai ka nevojë të kthehet, të marrë shpëtimin si një dhuratë në vend që të përpiqet ta fitojë atë me anë të riteve dhe legalizmit. Mendjet dhe ndërgjegjet e njerëzve të ndotur janë të prishura. Procesi i tyre mendor dhe fuqitë e tyre morale janë të ndotura. Nuk është një çështje e ndotjes së jashtme ceremoniale, por e një prishjeje dhe shthurjeje të brendshme.
1:16 Duke folur në mënyrë të qartë për mësuesit e rremë, që do të thotë, përkrahësit e judaizmit, Pali thotë se ata pohojnë se njohin Perëndinë, po me veprat e tyre e mohojnë. Ata dalin si besimtarë të krishterë, por praktika e tyre nuk përkon me rrëfimin e tyre. Për të përforcuar këtë ndëshkim therës, apostulli i shpall ata si të neveritshëm, të pabindur dhe të pazotë. Sjellja e tyre vetjake ishte e neveritshme. Në sytë e Perëndisë, sjellja e tyre ishte një mosbindje e hapur. Për sa u përket veprave të mira ndaj Perëndisë apo njerëzve, ato ishin të pavlera. A ishte brenda kufijve të dashurisë së krishterë ajo që Pali flet për të tjerët me një gjuhë të tillë të fortë? Përgjigjja është një po e fortë! Dashuria nuk e lustron kurrë mëkatin. Këta njerëz po shthurnin ungjillin, po çnderonin Personin dhe veprën e Zotit Jezus dhe po zhgënjenin shpirtrat e njerëzve. Të lije në veprim mashtrues të tillë ishte mëkat.