Pleqtë në asamble (Titit 1:5-9)

1:5 Kur Pali ishte larguar nga Kreta, atje kishte disa gjëra që akoma ishin të nevojshme për t’u ndrequr, kishte mësues të rremë të cilëve duhej t’u mbyllej goja, dhe ishte gjithashtu nevoja e ngutshme për të njohur drejtues frymërorë në asamble. Ai la Titin të merrej me këto punë.

Ne nuk e dimë se si shkoi besimi i parë në Kretë. Mbase hamendësimi më i mirë është se kretasit që ishin në Jerusalem në Ditën e Rrëshajave (Veprat e Apostujve 2:11) u kthyen me lajmin e mirë dhe më pas u themeluan kisha lokale.

Gjithashtu nuk mund të jemi të sigurt se kur Pali ishte në Kretë me Titin. Ne e dimë se mbërriti në Kretë në udhëtimin e tij për në Romë si i burgosur (Veprat e Apostujve 27:12), por rrethanat e vështira zor se e kanë lejuar të kryejë shërbesë aktive nëpër kisha. Meqë Veprat e Apostujve nuk japin asnjë referencë tjetër të mbërritjes së Palit në Kretë, hamendësohet përgjithësisht se vizita ka ndodhur pas burgosjes së tij të parë në Romë. Me pak punë zbuluese biblike, ne mund të rindërtojmë itinerarin vijues nga referencat e ndryshme në shkrimet e Palit.

Së pari, Pali lundroi nga Italia për në Kretë në rrugën e tij për në Azi (Turqia e sotme perëndimore). Duke lënë Titin në Kretë (Tit. 1:5), ai udhëtoi për në Efes, kryeqytetin e Azisë. Në Efes ai ngarkoi Timoteun të ndreqte gabimet doktrinore që ishin futur tinëz atje (1 Tim. 1:3,4). Pastaj ai lundroi përmes Detit Egje për në Maqedoni për të përmbushur qëllimin e tij parësor: të vizitonte Filipinë sapo të dilte nga burgu (Filipianeve 1:26). Së fundi, ai udhëtoi në jug-perëndim të Greqisë për në Nikopolis, ku planifikoi të qëndronte gjatë dimrit dhe ku priste që të takonte Titin (Tit. 3:12).

Sipas Homerit, kishte rreth nëntëdhjetë deri njëqind qytete në Kretë në atë kohë dhe kishat ishin formuar në disa prej tyre. Në secilën prej tyre ishte e nevojshme caktimi i pleqve.

Pleqtë

Pleqtë sipas kuptimit të DhR janë burra të pjekur të krishterë me një karakter me peshë, që sigurojnë udhëheqësi frymërore në një asamble lokale. Emri plak, që i përkon pjekurisë frymërore të një njeriu, është përkthyer nga fjala greke presbuteros. Fjala greke episkopos, përkthyer “peshkop”, “mbikëqyrës” apo gjithashtu “kujdestar” është përdorur në referim të pleqve, duke përshkruar funksionin e tyre si nënbarinj të tufës së Perëndisë.

Emrat “pleq” dhe ?peshkopë” kuptohen përgjithësisht si referim i të njëjtit person për arsyet e mëposhtme. Te Veprat 20:17 Pali thirri pleqtë (presbuteroi) nga Efesi; në vargun 28 ai u drejtohet atyre si kujdestarë (epistopoi). Te 1 Pjetrit 5:1,2 Pjetri në mënyrë të ngjashme përdor të njëjtët terma. Cilësitë e peshkopëve (episkopoi) te 1 Timoteut 3 dhe ato të pleqve (presbuteroi) te Titi, kapitulli 1 janë në thelb të njëjtat.

Në përdorimin modern fjala “peshkop” do të thotë një prelat që mbikëqyr një dioqezë apo një grup kishash në një zonë. Por fjala nuk nënkupton kurrsesi këtë në DhR. Modeli i Shkrimit paraqet të pasurit e disa peshkopëve në një kishë dhe jo një peshkop në disa kisha.

Gjithashtu një plak nuk duhet të ngatërrohet me “bariun modern”, që është së pari përgjegjës për predikimin, mësimin dhe administrimin e sakramenteve në një kishë lokale. Pranohet përgjithësisht se nuk ka pasur një njeri të tillë në kishën e hershme. Asambletë e hershme përbëheshin nga shenjtorët, peshkopët dhe dhjakët (Filipianeve 1:1) – kjo është e gjitha. Sistemi klerik nuk doli deri në shekullin e dytë.

Një bari sipas kuptimit të DhR është dikush me dhunti të veçanta shërbimi, të cilat Krishti i ringjallur dhe i ngjitur në qiell ua dha atyre për të ndërtuar shenjtorët për veprën e shërbimit (Efesianeve 4:11,12). Në shumë aspekte puna e barinjve dhe pleqve është e ngjashme; të dy janë thirrur të drejtojnë dhe ushqejnë tufën e Perëndisë. Por të dy nuk janë kurrë të barabartë. Me sa mund të kuptojmë, një bari mund të ketë një shërbesë që është në lëvizje, ndërsa një plak lidhet zakonisht me një asamble lokale.

Detyrat e pleqve janë dhënë me hollësi të konsiderueshme:

1. Ata drejtojnë dhe kujdesen për kishën e Zotit (Veprat e Apostujve 20:28; 1 Tim. 3:5; 1 Pjetrit 5:2).

2. Ata rrinë syçelë për të mbrojtur kishën nga sulmet, si nga jashtë ashtu edhe nga brenda (Veprat e Apostujve 20:29-31).

3. Ata udhëheqin dhe kryesojnë, por duke drejtuar, jo duke shtyrë nga pas (1 Thes. 5:12; 1 Tim. 5:17; Heb. 13:7,17; 1 Pjetrit 5:3).

4. Ata predikojnë fjalën, mësojnë doktrinën e shëndoshë dhe refuzojnë ata që e kundërshtojnë atë (1 Tim. 5:17; Tit. 1:9-11).

5. Ata gjykojnë dhe arbitrojnë çështjet doktrinore dhe etike (Veprat e Apostujve 15:5,6; 16:4).

6. Me anë të jetës së tyre ata janë një shembull për tufën (Heb. 13:7; 1 Pjetrit 5:3).

7. Ata përpiqen të ripërtërijnë besimtarët që kanë rënë në ndonjë shkelje (Gal. 6:1).

8. Ata vazhdojnë të mbikëqyrin shpirtrat e të krishterëve në asamblenë lokale si ata që duhet të japin llogari (Heb. 13:17).

9. Ata ushtrojnë një shërbesë lutjeje, sidomos me synim të sëmurët (Jak. 5:14,15).

10. Ata përfshihen në kujdesin e shenjtorëve të varfër (Veprat e Apostujve 11:30).

11. Ata ndajnë miratimin e njerëzve me dhunti për veprën që Perëndia i thirri të bëjnë (1 Tim. 4:14).

Është e qartë se në kishën e hershme, pleqtë caktoheshin nga apostujt dhe përfaqësuesit e tyre (Veprat e Apostujve 14:23; Tit. 1:5). Kjo nuk do të thotë, megjithatë, se apostujt dhe delegatët e tyre kishin fuqinë për të bërë një njeri plak. Për t’u bërë plak, duhej të ekzistonte mbushja hyjnore dhe dëshira njerëzore. Vetëm Fryma e Shenjtë mund ta bëjë një njeri peshkop apo kujdestar (Veprat e Apostujve 20:28), por njeriu duhet ta dëshirojë atë punë (1 Tim. 3:1). Duhet të ekzistojë kjo dyanshmëri hyjnore dhe njerëzore.

Kur kishat lokale u themeluan për herë të parë në ditët apostullore, nuk kishte pleq në to; të gjithë besimtarët ishin fillestarë. Por ndërsa kalonte koha, Zoti përgatiti disa njerëz për këtë shërbesë të rëndësishme. Meqë DhR nuk ishte shkruar akoma, të krishterët në përgjithësi nuk i njihnin cilësitë dhe detyrat e pleqve. Vetëm apostujt dhe ndihmësit e tyre i njihnin. Në bazë të kësaj njohurie, ata veçuan ata që plotësonin standardet hyjnore dhe i emëruan ata publikisht si të tillë.

Sot ne e kemi DhR të plotë. Ne e dimë se çfarë është një plak dhe se çfarë duhet të bëjë. Kur ne shohim burra me cilësi që shërbejnë aktivisht si mbikëqyrës, ne i njohim ata [i pranojmë publikisht] (1 Thes. 5:12) dhe u bindemi atyre (Heb. 13:7). Nuk është çështje e zgjedhjes sonë [sikur kemi mençuri dhe pushtet të bëjmë dhe të caktojmë pleqtë], por e njohjes [pranimit publik] së tyre që Perëndia ka zgjedhur për këtë vepër.

Cilësitë e pleqve gjendet te 1 Timoteut 3:1-7 dhe këtu te Titi. Ndonjëherë ne dëgjojmë vërejtjen se nëse këto janë kërkesat, atëherë nuk mund të kemi peshkopë sot. Kjo ide zhvlerëson autoritetin e Shkrimit duke thënë se ai nuk nënkupton atë që thotë. Nuk ka asgjë të paarsyeshme apo të paarritshme në standardet e dhëna. Ne tradhëtojmë gjendjen tonë të ulët frymërore kur e shohim Biblën si tejet idealiste.

1:6 Pleqtë janë burra që janë të paqortueshëm, që do të thotë, me një ndershmëri të padiskutueshme. Asnjë padi për doktrinë të rreme apo sjellje të parregullt të mos gjendet kundër tyre. Kjo nuk do të thotë se ata janë të pamëkatë, porse nëse ata bëjnë gabime të vogla, janë gati t’ia rrëfejnë Perëndisë, duke i kërkuar ndjesë atij që i kanë shkaktuar fajin dhe me anë të shpagimit, nëse është e nevojshme.

Cilësia e dytë, që të jenë bashkëshort i një gruaje të vetme, është kuptuar nga njerëzit të paktën në shtatë mënyra të ndryshme: 1. duhet të jetë i martuar; 2. nuk duhet të jetë i ndarë; 3. nuk duhet të rimartohet pas divorcit; 4. nuk duhet të rimartohet pas vdekjes së gruas së tij të parë; 5. nuk duhet të jetë poligam [me disa gra të ligjshme]; 6. nuk duhet të ketë konkubina (gra të tjera që janë gratë e tij por jo me të gjitha të drejtat si gruaja e ligjshme); 7. në përgjithësi, ai duhet të jetë një bashkëshort besnik dhe një shembull i moralit të pastër.

Nëse shprehja bashkëshort i një gruaje të vetme do të thotë se një njeri duhet të jetë i martuar, atëherë me anë të së njëjtës arsye duhet të ketë edhe fëmijë, sepse i njëjti varg pohon se fëmijët e tij duhet të jenë besimtarë. Sigurisht është e pëlqyeshme që një plak të ketë fëmijë; ai mund të trajtojë me më shumë zgjuarsi problemet e familjes në asamble. Por është e dyshimtë nëse ky varg ndalon çdo njeri të pamartuar për të qenë një plak.

Kjo mbase nuk do të thotë se ai nuk duhet të jetë i ndarë me çdo kusht, sepse Shpëtimtari mësoi se divorci është i lejueshëm në të paktën një rast (Mt. 5:32; 19:9) [2].

As nuk duhet marrë si një ndalesë absolute rimartese pas divorcit të çdo rasti. Për shembull, një besimtar që është plotësisht i pafajshëm mund të divorcohet nga një grua jobesimtare e cila rimartohet. Në një rast të tillë, i krishteri nuk ishte përgjegjës. Qëkur u prish martesa e parë me anë të divorcit dhe rimartesës së partnerit jobesimtar ai është i lirë të rimartohet.

Disa njerëz mendojnë që një plak nuk mund të vazhdojë në këtë pozitë nëse rimartohet pas vdekjes së gruas së tij të parë. Por ky interpretim bie poshtë menjëherë nga parimi i shpallur te 1 Korintasve 7:39: “Gruaja është e lidhur për sa kohë rron burri i saj; por, në qoftë se i vdes burri, ajo është e lirë të martohet me cilin të dojë, veçse kjo punë të bëhet në Zotin”.

Sigurisht, shprehja bashkëshort i një gruaje të vetme do të thotë se një plak nuk duhet të jetë një poligam, as të ketë ndonjë konkubinë apo shërbyese. Për ta përmbledhur, do të thotë se jeta e tij martesore duhet të jetë një shembull pastërtie për tufën.

Si shtesë ai duhet të ketë fëmijë besimtarë, që të mos përfliten për jetë të shthurur dhe për pandëgjesë. Shumë prej nesh pranojnë se Bibla i quan prindërit përgjegjës për mënyrën se si edukohen fëmijët e tyre (Fja. 22:6). Kur një familje qeveriset dhe përgatitet mirë sipas fjalës së Perëndisë, fëmijët përgjithësisht ndjekin shembullin e perëndishëm të prindërve të tyre. Megjithëse një baba nuk mund të përcaktojë shpëtimin e fëmijëve të tij, ai mund të përgatisë udhën e Zotit me anë të mësimit pozitiv sipas fjalës, me anë të disiplinës së dashur dhe duke shmangur hipokrizinë dhe paqëndrueshmërinë në vetë jetën e tij.

Nëse fëmijët janë shkapërdarë dhe rebelë kundër autoritetit prindëror, Shkrimi ua hedh përgjegjësinë etërve. Sjellja e lirë dhe lejimi në gjërat morale kanë qenë me të meta. Nëse ai nuk mund të drejtojë familjen e vet, duket se ai nuk do të jetë një plak i aftë, meqë i njëjti parim vlen në secilin prej rasteve (1 Tim. 3:5).

Ka një pyetje nëse kjo kërkesë, për sa i përket fëmijëve besimtarë, vlen vetëm sa kohë fëmijët janë nën autoritetin prindëror në shtëpi, apo përfshin edhe ata që janë larguar nga shtëpia. Ne përkrahim të parën, duke kujtuar, megjithatë, se përgatitja në shtëpi është një ndër përcaktuesit kryesorë të karakterit përfundimtar.

1:7 Peshkopi është administrues i shtëpisë së Perëndisë. Nuk është asambleja e tij ajo që ai ndihmon për ta mbikëqyrur. Ai është vendosur për t’u marrë me çështjet e Perëndisë në asamblenë e Perëndisë. Për herë të dytë theksohet se ai duhet të jetë i paqortueshëm – me siguri kjo është një përsëritje për ta theksuar më tepër. Le të mos ketë asnjë dyshim – ai duhet të jetë një njeri që është i paqortueshëm nga ana doktrinore dhe morale. Ai nuk duhet të jetë arrogant. Nëse një njeri është kokëfortë, kokëngjeshur në ato që mendon pavarësisht se të tjerët mendojnë ndryshe, nëse ai është i paepshëm dhe nuk duron kundërshtimin, atëherë ai është i papërshtatshëm për të qenë një udhëheqës frymëror. Një plak është i përmbajtur, jo një autokrat dogmatik.

Ai nuk duhet të jetë zemërak. Nëse ka një temperament të paqëndrueshëm, ai duhet të mësohet ta vërë nën kontroll. Nëse ka një temperament të nxehtë, ai nuk duhet ta shfaqë atë.

Ai nuk duhet të jepet pas verës. Në kulturën tonë, kjo mund të duket kaq e thjeshtë saqë nuk ia vlen të përmendet. Por duhet të kujtojmë se Bibla është shkruar për tërë kulturat. Në vendet ku, nga të krishterët, vera përdoret si një pije e zakontë, ekziston rreziku i tejkalimit dhe i sjelljes së çrregullt. Kjo mungesë vetëkontrolli vihet në plan të parë këtu.

Bibla bën dallimin midis përdorimit të verës dhe abuzimeve me të. Përdorimi i saj si një pije e zakontë u lejua kur Jezusi ktheu ujin në verë në dasmën në Kanë (Gjo. 2:1-11). Përdorimi i saj për qëllime mjekësore përshkruhet nga Pali për Timoteun (1 Tim. 5:23; shikoni gjithashtu Fja. 31:6). Abuzimi me verën dhe pijet e forta dënohet në Fja. 20:1; 23:29-35. Ndërsa mospërdorimi i plotë nuk ndalohet nga Fjala. Ka një situatë sipas së cilës kërkohet të përmbajturit, kur pija e verës do të fyente një vëlla më të dobët apo do të bënte që ai të rrëzohej (Rom. 14:21). Kjo është konsiderata mbizotëruese e cila bën që një numër i madh të krishterësh në Amerikën Veriore të mos përdorin fare pije alkoolike.

Në rastin e plakut, çështja nuk është ndalimi i plotë i verës, por më fort përdorimi i tepërt i saj, që çon në trazirë.

As nuk duhet të jetë i dhunshëm. Ai nuk duhet t’i drejtohet përdorimit të forcës fizike duke goditur të tjerët. Ne kemi dëgjuar për klerikë zyrtarë që i kanë gjuajtur rastësisht pjesëtarët e pabindur të famullisë së tyre. Ky lloj kërcënimi është i ndaluar për një peshkop.

Ai nuk duhet të lakmojë fitim të turpshëm. Kjo do të thotë një njeri i vendosur në mënyrë të pangopshme për t’u pasuruar, dhe i shkujdesur për mënyrat e sigurimit të asaj pasurie. Është e vërtetë, ashtu siç ka thënë Samuel Xhonsoni, se “epshi për ar, i pandjeshëm dhe që nuk brengos, është prishja e fundit e njeriut të prishur”. Një plak i vërtetë mund të thotë me Palin: “Unë nuk kam dashur as argjend, as ar, as rrobat e ndonjërit.” (Veprat e Apostujve 20:33).

1:8 Në anën pozitive, një peshkop duhet të jetë mikpritës. Shtëpia e tij duhet të jetë gjithmonë e hapur për të huajt, ndaj atyre me probleme vetjake, zemërlëshuarve dhe të shtypurve. Ajo duhet të jetë një vend përbashkësie e lumtur e krishterë, ku çdo mysafir pritet ashtu si të ishte Vetë Zoti.

Pastaj ai duhet të jetë mirëdashës – që i do njerëzit e mirë dhe gjërat e mira. Të folurit e tij, veprimtaritë e tij dhe shoqëritë e tij duhet të zbulojnë se ai është i veçuar nga ajo që është e zymtë, e dyshimtë apo e gabuar.

Ai duhet të jetë i urtë. Kjo do të thotë se ai duhet të jetë i kujdesshëm, i ndershëm dhe i zoti i vetes. E njëjta fjalë përdoret te Titi 2:2,5,6,12, ku shpreh mendimin e ndjeshmërisë, vetëkontrollit dhe urtësisë.

Në marrëveshjet e tij me të tjerët, plaku duhet të jetë i drejtë. Në lidhje me Perëndinë ai duhet të jetë i shenjtë. Në lidhje me vetveten ai duhet të jetë i përmbajtur. Kjo është ajo që Pali nënkuptonte te Galatasve 5:22,23: “Fryti i Frymës është: . . . vetëkontrolli”. Kjo do të thotë se një njeri ka nën kontroll çdo pasion dhe oreks për t’iu bindur Krishtit. Ndërsa fuqia për këtë mund të vijë vetëm nga Fryma e Shenjtë, duhet të ekzistojë edhe disiplina dhe bashkëpunimi nga ana e besimtarëve.

1:9 Peshkopi duhet të jetë i shëndoshë në besim. Ai duhet të jetë i guximshëm ndaj doktrinave të shëndetshme frymërore të mësuara nga Zoti Jezus dhe apostujt që janë ruajtur për ne në DhR. Vetëm atëherë ai do të jetë i aftë t’u japë shenjtorëve një dietë të baraspeshuar të doktrinës së shëndoshë dhe heshtje ndaj atyre që flasin kundër të vërtetës.

Këto janë cilësitë e drejtuesve frymërorë në asamblenë lokale. Duhet vënë re se asgjë nuk thuhet për aftësinë fizike, arritjet edukative, gjendjen shoqërore apo mendjemprehtësinë për biznes. Një pastrues rrugësh kurrizdalë, me rroba të qepura vetë dhe i pashkolluar, mund të jetë një plak cilësor për shkak të gjendjes së tij frymërore. Nuk është e vërtetë, ashtu siç hidhet ndonjëherë mendimi, se të njëjtat cilësi që e bëjnë një njeri të suksesshëm në biznes janë gjithashtu të përshtatshme për udhëheqësi në kishë.

Një pikë tjetër duhet përmendur. Figura që del nga një plak i perëndishëm nuk është ajo e një njeriu i cili merret me caktimin e predikuesve, siguron fonde, bën kontrata për riparime ndërtese dhe kjo është e gjitha! Plaku i vërtetë është i përfshirë thellësisht dhe qenësisht në jetën frymërore të kishës me anë të mësimit, nxitjes, inkurajimit, qortimit dhe ndreqjes së saj.


[previous][next]